e mërkurë, 8 qershor 2011

Shqipëria dhe Ballkani përballë rrezikut të periferisë politike europiane.


Albert P. Nikolla

            Sarajeva u bë shkas për këtë shkrim. Para pak ditësh isha në Sarajevë. Qytet shumë i bukur dhe mjaft interesant njëherësh. Kam pështypjen se Sarajeva është nga ato lloj qytetesh që frymëzojnë shkrime, romane apo studime që mund të jenë krejt të veçantë pasi aty gjen gjithçka që nevojitet për të kuptuar e shkruar diçka me vlerë. Ndërthurja e kulturave, e ideve, shpirtrave, historive është aq domethënëse sa fare mirë një turizëm në këto lloj qytetesh do të ishte si një “kurë antiraciste”. Sarajeva ka një ngjashmëri të madhe me qytetin që përshkruan Orhan Pamuk në romanin “Bora”.
            Lumenjtë e degëzuar që e përshkojnë duket sikur, pa përfillur  dëshirën e askujt, sjellin ujërat që i marrin nga male e zona të ndryshme. Qyteti brënda të shkaton një dehje të ëmbël me intesitetin e historisë që ka brënda. Duke bërë vetëm 500 metra rrugë has qytetërimin austriak, atë turk e më tej atë sllav. Kishat e vjetra katolike e ortodokse hijshëm rrinë pranë xhamive e, më tutje, sinagogave që duket sikur falenderojnë e thonë: “faleminderit që na latë prapë këtu”.
            Edhe në Sarajevë, kryefjala politike e gjithë ligjërimeve ishte “Europa”. Partitë e të gjitha kaheve, me përjashtim të dyshimeve të partive serbe që duket se janë zemëruar me gjithë botën, kanë në thelbin e programit të tyre çuarjen e vendit drejt Europës.
            U nisa në këtë analizë nga Sarajeva, sepse ky është kryeqyteti i dytë bashkë me Tiranën që përfaqësojnë dy nga vendet që presin statusin e vendit kandidat për në BE. Mirëpo, si Tirana ashtu edhe Sarajeva zyrtare nuk kanë bërë asnjë debat thelbësor mbi atë se çka i pret realisht të dy vendet pas përfshirjes në BE. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa vende të tjera të Ballkanit. Si shqiptarët, boshnjakët, malazezët apo maqedonasit nuk janë të informuar ekzaktësisht mbi dinamikat e veçanta që sjell futja në BE. Po jap disa shembuj. Dihet se sot ka një “luftë” tepër të ashpër me problemin e “kuotave” të biznesit për vëndet anëtare të BE-së. Të gjitha vendet që janë futur ne BE, jo si lypës, po si vende dinjitoze, kanë fiksuar kufinjtë e përfshirjes në biznes (kuotat) në mënyrë tepër të qartë e pa as tolerancën më të vogël. Çfarë janë ekzaktësisht “kuotat”? Kuotat janë disa kontrata biznesi që çdo vend para se të futet në BE fiskon me BE para se të bëhet anëtare. P.sh kuotat e qumështit fiksojnë sasinë e qumështit që BE është e detyruar të blejë nga vendet e reja që futen. Kjo kuotë garanton një siguri ekonomike të fermerëve të vendeve që futen në BE për të mos u bëre prè e shkatërrimit ekonomik pas anëtarësimit. E njëjta gjë mund të thuhet për kuotat e mishit apo peshkimit.
            Duke mos i kushtuar rëndësi këtij aspekti, Rumania, p.sh, po përjeton një situatë dramatike në disa fusha pas anëtarësimit në BE. Mijëra biznese, sidomos në bujqësi, kanë falimentuar për shkak të konkurrencës dhe mos fiksimit të quotave. Për rrjedhojë, vende të tilla si Rumania, me mbi 21.5 milion banorë (konsumatorë) bëhet një “zonë e artë” për produket europianë dhe një “zonë e trishtueshme” për bizneset rumune. I njëjti rrezik i kanoset edhe Ballkanit nëse nuk bën një politikë agresive në këtë kontekst. Edhe Ballkani do të shndërrohet një një zonë ku shiten mallra europianë, por që nuk do të jetë në gjëndje të shesë shumë çka në Europë duke patur kështu një bilanc pagesash përherë negativ.
            Përkundrazi, Italia, psh, para se të bëhej anëtare e BE-së, kishte fiksuar kuotat e të gjitha produkteve të bizneseve duke i mbrojtur përfundimisht nga rreziku i falimentimit për shkak të BE-së. Pra, të jem më i qartë, kuotat nuk e shpëtojnë një biznes nga falimentimi në përgjithësi, por nga falimentimi për shkak të konkurrencës europiane që në disa raste nuk do të rrespektonte standartet e ndryshme të zonave të ndryshme të BE-së.  
            Gjithë ky debat, që në pamje të parë, duket sikur është ekonomik, në fakt është thellësisht politik dhe social. Vetëm një politikë e fortë dhe e përgjegjshme e vendeve të Balkanit do të bëntë që këta vende të anëtarësoheshin në BE, jo sipas metodës “kuturu” dhe “si lypës” por në mënyrë korrekte dhe dinjitoze. Për këtë arsye parullat “Të shkojmë në Europë” tjetërsohen në bajate dhe të pakuptimta nëse nuk analizohet në detaje çdo dinamikë e anëtarësimit.
            Nga çka thamë më lart, dua të shtjelloj argumentin që përmban titulli i shkrimit, pra atë të rrezikut të periferisë politike. Qytete e bukura mesjetare që kam vizituar në Europë, kanë thuajse të gjitha disa mure të vjetra në periferinë e tyre që përcaktonin kufinjtë realë të “civitas”-it, pra qytetit dhe qëndrës së tij brënda mureve (Intra muros) dhe njëkohësisht e mbronin atë nga ata që nuk i përkisnin qëndrës. Kam frikë se shumë vende të Ballkanit do të anëtarësohen në Europë por nuk do të bëhen kurrë anëtare të BE-së “intra muros”. Termin “intra muros” e kam huazuar nga antroplogu francez Marc Augè i cili duke shpjeguar konceptin e “periferisë” sociale dhe politike që mbetet, në mënyrë metaforike jashtë “qëndrës” brenda mureve të Parisit.
Në të njëtën mënyrë, mendoj se BE-ja sot ka ndërtuar dalë ngadalë, “intra muros”-et e saj që përcaktojnë qëndren e rëndesës politike të kësaj njësie të madhe politike. Periferitë nuk do të kenë kurrë rëndësi me peshë të fortë specifike në vendim-marrje, nëse nuk këmbëngulin për ta patur atë. Si mund të kenë peshë vendet e Ballkanit kur në çdo ligjërim politik fshihet poshtë metafora: “bëjmë çfarë të na thoni ju, vetëm të anëtarësohemi”. Në këtë kontekst BE-ja ndodhet në një pozicion të favorshëm politik dhe është ajo që i dikton rregullat dhe ka përballë interlokutorë krejt të dobët.
Në BE nuk ka vetëm vende “Extra muros”, por edhe zona të tilla brenda një vendi që mund të jetë edhe i rëndësishëm. Kujtoj në këtë kontekst zonat periferike ku banojnë emigrantë e gjeneratave të ndryshme. Provoni të bëni një vizitë në periferi të Tuluzës në Francë dhe nuk do ti besoni syve: do të shikoni një mjerim më të theksuar se në botën e tretë. Kur u ndodha për herë të parë atje mu duk vetja si në ëndërr. Provoni të shkoni në lagjen Scampia në Napoli ku papunësia shkon deri në 75% dhe do të kuptoni se Lazarati ynë është një kopësht me lule përballë atij realiteti të pabesueshëm. Në Scampia nuk mund të hyjë pa leje as policia: atje mbretëron vetëm ligji i xhunglës dhe klanet e drogës. Dhe, e besoni apo jo, kjo lagje është lagje e një qyteti europian!
Të qënurit “Intra muros” nuk ka qënë e nuk mund të jetë kurrë dhuratë. Një status dinjitoz brënda BE-se, në një të ardhme të afërt, do të na e sigurojë vetëm një politikë dinjitoze dhe jo lypëse. Vëndet e Ballkanit e kanë shumë evident rrezikun e të mbeturit periferi brënda BE-së. Për këtë bindje, nuk jam bazuar vetëm në studimet apo njohurite e mia, por edhe në eksperiencëm personale. Që prej tre vitesh punoj në një komision të politikave sociale të Caritas Europa në Bruksel dhe puna atje është e tillë që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e BE-së. Gjuha që ka filluar të përdoret, nga ana semiotike, e pranon realitetin e ndarjes së BE-së në zona qëndrore dhe periferike. Periferike jo në kuptimin gjeografik, sa në atë politik dhe social.
Sigurisht, unë jam ndër ata persona që besojnë se futja në BE është një gjë përgjithësht pozitive për Shqipërin dhe Ballkanin, por kjo gjë do të duhej të bëhej me negociata tepër të detajuara e pa mbetur në pozitat e të “dobëtit” apo “lypësit” pasi një anëtarësim për të qënë periferi do të ishte i panevojshëm. Dhe një pozicion dnjitoz politik fitohet duke mbajtur parasysh faktin se BE-ja nuk është vetëm një njësi e madhe politike dhe ekonmike, por edhe një njësi vlerash. Atëherë pikërisht në saj të përmasës së vlerave duhet theksuar fakti se periferitë janë të papranueshme. Po të lexohet me vëmëndje kushtetuta e BE-së, duket sikur nuk lihet  asnjë hapësirë për “periferi politike”, por ja që politika ka rregullat e saj, që hera herës i tejkalojnë edhe kushtetutat, sado të rëndësishme të jenë. 

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.