e hënë, 26 shtator 2011

BE-ja, predikim për analistët

Ylvi Zenelaj

Integrimi europian është një proçes shumë i ndërlikuar, por që nuk ka shqiptar që të mos ketë dëgjuar për të. Shpesh kur dëgjojmë fjalën integrim europian, gjithçka që na vjen ndërmend është liberalizimi i vizave dhe mundësia e lëvizjes së lirë në gjitha vendet që përfshin Shengen dhe, mbi të gjitha mundësi të shumta punësimi dhe rritje të mirëqenies sociale. Edhe pse ky togfjalësh ka rreth 20 vite që dëgjohet nga qytetarët shqiptarë, ku fillimet i ka që me rënien e regjimit komunist, me sloganin: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjith Europa” akoma nuk është arritur që ky proces të jetë sqaruar dhe kuptuar nga shqiptarët. Në mendjen tonë, është rrënjosur ideja se integrimi europian është vetëm një e mirë për ne. Rrallë mund të na ketë rënë rasti të dëgjojmë ose lexojmë nëpër gazeta dhe televizione për problemet, kushtet dhe vështirësitë që ka vendi ynë përpara për t’u integruar në BE.
Edhe në intervista të bëra me qytetarë të thjeshtë tregohet se shumë pak prej atyre që janë lexues dhe dëgjues të rregullt të gazetave por edhe televizioneve mund të kenë arritur të marrin një informacion të saktë se çfarë i nevojitet Shqipërisë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota e Komunitetit Europian. Disa prej tyre tregojnë se i vetmi informacion i detajuar që mund të kenë dëgjuar janë reklamat e herëpashershme që jepte TV Klan për liberalizimin e vizave, duke treguar avantazhet dhe problemet që mund të dalin nëse nuk zbatohet rregullorja e vendosur nga BE. Kurse përsa i përket integrimit europian,ata shprehen se, nuk kanë marrë ndonjë informacion më të specifikuar. Për këtë, Elona. B, një studente që sapo ka mbaruar masterin për Diplomaci në një nga universitetet private, tregon se gjetja e informacionit për avantazhet dhe disavantazhet e integrimit është shumë e vështirë. Ajo tha se “Për shkak të detyrave dhe të projekteve që kam pasur në shkollë, më është dashur të jem lexuese e rregullt e disa gazetave të përditshme. Kam studiuar shumë analistë,gazetarë në rubrikat e komenteve dhe nuk kam gjetur ndonjë koment ose opinion ku të jetë sqaruar integrimi si proçes, me të mirat dhe të këqijat e saj”. “Ajo që kam arritur të kap nga komentet është se shpesh, flitet për tema që kanë të bëjnë me BE-në, por thjesht si një nga ato komentet që bëjmë në Facebook”- ka shtuar studentja.
Ndërsa Kristaq Zejnati, i cili punon si agjent shitjesh, na tregon se është lexues i rregullt i gazetës Shekulli dhe shpesh edhe i gazetës Panorama. Për të leximi i gazetës është mënyra e vetme e marrjes së informacionit, pasi nuk ka kohë për të parë TV. I pyetur për arsyet pse Shqipëria duhet të integrohet në BE, ai tha: “Po të integrohemi në BE, s’do ta kemi më problem të lëvizim në vendet ku kemi njerëzit tanë dhe do na japi një mundësi të mirë për punësim,arsimim dhe zhvillim të mëtejshëm”. Ndërsa përsa i përket pasqyrimit të problemeve dhe disavantazheve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ai na tregon se nuk i ka ndodhur të ketë lexuar ndonjë artikull ku të jetë shkruar për anët negative të integrimit, por vetëm pozitivisht.

Sondazhi

Kristaqi dhe Elona janë vetëm dy nga të intervistuarit të cilat na tregojnë për njohuritë e tyre për integrimin e Shqipërisë në BE, por sondazhet e bëra në lidhje me integrimin europian kanë qenë të shumta nga shumë organizata joqeveritare ku të intervistuar kanë qenë një numër i madh personash, në mosha dhe zona të ndryshme të vendit.
Një anketim të tillë ka bërë edhe Instituti EUNACAL në tetor të 2010-ës me seli në Tiranë, ku ka kryer një anketim që ndër të tjerat përfshin edhe perceptimin që kanë qytetarët shqiptarë mbi politikat publike në Shqipëri. Një vend të veçantë e kanë zënë temat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe tema të tjera, Perceptimet ndaj Bashkimit Europian dhe aderimit të Shqipërisë, Pritshmërinë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Perceptimi mbi ritmin e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimin në BE, Perceptimi mbi sfidat e biznesit shqiptar gjatë dhe pas procesit të anëtarësimit të vendit në BE, Perceptimi mbi sfidat e të rinjve shqiptarë gjatë dhe pas procesit të anëtarësimit të vendit në BE, Vetëvlerësimet e qytetarëve mbi informacionin e përvetësuar në lidhje me udhëtimin dhe qëndrimin afatshkurtër pa viza në vendet e zonës Shengen, etj.


Përfundimet e nxjerra nga ky sondazh janë: 87% e të intervistuarve mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është diçka positive dhe 40% e të intervistuarve janë të pakënaqur me ritmin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, përkundrejt 30 % që janë të kënaqur me ritmin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE. Pjesa dërrmuese e të intervistuarve e shohin anëtarësimin e vendit në BE si diçka që do të ndikojë në përmirësimin e jetesës në Shqipëri dhe jo si një mundësi për shqiptarët që të largohen nga Shqipëria për të jetuar e punuar në një vend tjetër të BE. Të rinjtë e grupmoshës 18 – 29 vjeç rezultojnë të jenë më të painformuarit mbi rregullat e udhëtimit & qëndrimit afatshkurtër pa viza. Banorët e zonave rurale janë më të painformuar mbi rregullat e udhëtimit dhe qëndrimit afatshkurtër pa viza. Gjithashtu ka një prirje për dyfishim të numrit të qytetarëve shqiptarë që do lëvizin drejt vendeve të zonës Shengen, krahasuar me lëvizjet e 6 muajve të fundit. Për gjysmën e tyre kjo do jetë hera e parë që udhëtojnë drejt vendeve të zonës Shengen
8. 44% e tyre do të udhëtojnë për të takuar të afërmit, 34% për turizëm, 9% për biznes, 8% për studime dhe 4 % për të kërkuar punë. Ekziston një prirje e lehtë e të rinjve shqiptarë për të udhëtuar drejt vendeve të BE për të kërkuar punë dhe një prirje e fortë për t’u larguar nga Shqipëria në rast të sigurimit të punës në një nga vendet e BE. Kjo është më e theksuar për të rinjtë e zonave rurale.Ndwrsa 70% e të intervistuarve nuk ndihen të përfshirë në politikë-bërjen e pushtetit vendor dhe 76% nuk ndihen të përfshirë në politikë-bërjen e pushtetit qendror.


Ku qëndron problemi?

Elona, studente dhe njekohesisht lexuese e rregullt tregon se shpesh i ka ndodhur qe ne komentet e kërkuara për detyrat dhe projektet të ketë lexuar komente që më së shumti i dedikohen liberalizimit të vizave. Duke e bërë këtë të fundit një nga arritjet më të mëdha për Shqipërinë, gjë që në të vërtetë, starti është integrimi i Shqipërisë në BE. Ajo thotë se: “ Një pjesë e madhe e gazetarëve ose e analistëve që kanë shkruar komentet dhe opinionet në lidhje me BE-në japin thjesht një mendim të vetin për çështjen për të cilën flasin dhe jo një informacionë me interes, ku të ketë analiza, statistika, avantazhet dhe disavantazhet ”.
Pikërisht për këtë arsye shpesh shkrimet e gazetarëve apo dhe të analistëve janë thjesht shkrime të llojit përshkrim më shumë, sesa shkrime që arrijnë në përfundime dhe nxjerrin konkluzione. Prandaj, për arsyen se një pjesë e madhe e gazetarëve nuk japin informacion në interes për publikun por thjeshtë janë predikues në çdo aspekt të integrimit në BE sidomos kur flitet për liberalizimin e vizave, analisti Alban Daci tha: “Në lidhje me këtë argument ka disa këndvështrime. Së pari në shumicën e rasteve në Shqipëri kemi të bëjmë me mungesë profesionalizmi në media. Kjo ndodh për mënyrën se si rekrutohen gazetarët. Ashtu si në çdo sektor të jetës edhe në sektorin e medias shqiptare nuk respektohet kriteri i meritokracisë, por nepotizmi, servilismi politik. Bashkimi Europian në përgjithësi dhe procesi i integrimit europian në vecanti janë kompleksitet aksionesh, reformash, idesh dhe vizionesh që përfshijnë çdo fushë të jetës. Prandaj, që të jesh gazetar që mund të të trajtosh argumente që lidhen me këto proçese duhet të jesh i specializuar dhe e dyta, duhet të jesh më koherent në kohë sepse proçesi është shumë kohësh dhe evolutiv”. “Ndërkohë një arsye e dytë është edhe monopolizimi nga politika pothuajse i çdo sektori në Shqipëri për të cilën ai shpjegon se: “për fat të keq politika ka monopolizuar cdo sektor në Shqipëri, edhe oksigjenin. Është krijuar një sistem i tillë tipik shqiptar, ku çdo gjë duhet të lindë nga politika, duhet të kalojë nga politika dhe duhet të miratohet nga politika. Kjo është aq shumë e prekshme sa mjaftojme të përmendim vetëm rastin e liberalizimit të vizave. Liberalizmi i vizave është një hap shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, sepse stilumon dhe mbron nje ndër të drejtat themelore, atë të lëvizjes së lirë. Ky proçes mjaft i rëndësishëm për të gjithë qytetarët është trajtuar nga media vetëm në optikën e interesave politike. Për shembull, kam lexuar shumë artikuj në gazetat me orientim të majtë, të cilët proçesin e liberalizimit të vizave nuk e konsideronin një arritje historike vetëm për faktin se ky proçes ishte bërë i mundur gjatë qeverisjes të së djathtës. Ndërsa gazetat me orientim të djathtë e konsideronin vetëm si arritje të qeverisë, pa harrur se një rol të rëndësishëm kishin luajtur të gjithë qytetarët”- tregoi analisti A. Daci. Por i pyetur edhe për rrugën që duhet të ndjekin gazetarët si dhe opinionbërësit, ai u shpreh se: “Rruga e mirë do të ishte një trajtim profesional, i paanshëm dhe që të trajtohej në optikën e interesit të përgjithshëm qytetar dhe jo politik, klanor e personal”.

Megjithatë edhe pse vërehet që në shumicën e rasteve,sidomos në ato ku trajtohet çështja e integrimit të Shqipërisë në BE si dhe nënçështje të saj, kuptimi i fjalës analist duket se po fillon të zbehet. Shpesh kur dëgjojmë fjalën “analist” na vjen në mendje një mori sinonimesh (analizë,zgjidhje problemi,etj), ndërsa tani kjo fjalë duket se po e humbet kuptimin e vërtetë. Pikërisht është kjo arsyeja që komentet ose opinionet në rastin e integrimit europian nuk japin ndonjë informacion me interes për lexuesit ose publikun, pasi gjithçka që paraqitet prej tyre duket thjesht si një predikim. Në lidhje me këtë problematik analisti A. Daci ka treguar se, Në vendet e lira dhe demokratike perëndimore, media konsiderohet pushteti i katërt, sepse ai ka në dorë peshën e fjalës nëpërmjet të së cilës mbrohet e vërteta. Por, duke pasur parasysh se një ndër principet bazë të së drejtës në vendet demokratike është ndarja e pushteteve, ashtu si dhe pushtetet e tjera edhe media është e ndarë dhe e pavarur, por e ndërlidhur. Në Shqiperi, ashtu si ndodh edhe në shumë vende të tjera që janë në tranzicion ndarja e pushteteve shumë jo vetem nuk është e qartë, por është edhe e diskutueshme. Në Shqiperi cdo gjë kontrollohet nga politika. Kjo bën që edhe media të mos jetë e pavarur, por sipas interesave të kalojë sa majtas edhe djathtas.

Komenti dhe analisti?

“Analist” është një term për një individ për të cilin funksioni primar është një shqyrtim i thellë në lidhje me diçka të caktuar që mund të thotë.

Përsa i përket përkufizimit të komentit ose opinionit, një shpjegim të qartë jep edhe Hamit Boriçi në librin e tij, Gazetaria 2(Fq 214-215).Ky është një libër ku ai tregon dhe përmbledh në mënyrë të qartë problemet e mjeshtërisë dhe format e pasqyrimit publicistik. Në këtë libër ai flet edhe për komentin,ku tregon se: “Ndërtimi i komentit ndjek linjën: paraqitje e problemit; zbërthim dhe evidentim i ideve kryesore me të cilat do të merret autori i komentit; argumentim me fakte të dorës së dytë, konkluzione, që sipas rasteve jepen edhe në formën e thirrjes drejtuar lexuesve. Si lloj i veçantë analitik, komenti duhet të synojë të krijojë opinion të drejtë, të ekuilibruar për një ose disa fakte, për një a disa ngjarje, për problemet që rrjedhin prej tyre, duke ushtruar ndikim në vetëdijen e lexuesve, duke i orientuar ata në jetë, në veprimtarinë e tyre politike,kulturore,shoqërore,etj”.
Por më e rëndësishme është ajo, që komenti duhet të jetë i strukturuar qartë dhe duhet të bazohet mbi informacione të sakta. Komentatori duhet të mendojë për lexuesin, shikuesin, dëgjuesin dhe jo vetëm në botimin e një mendimi të vetin subjektiv.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.