e diel, 23 tetor 2011

Kriza e shtetit nacional dhe rendi botëror

Alban Daci

Shteti nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.
Ka gjithnjë e më shumë thirrje etnike, kur flitet për identitetet kulturor, e cila është e lidhur me një territor të caktuar e shpesh herë me karakter rajonal. Ky koncepti i “etnisë” duket të jetë çelësi i mirëkuptimit për proceset në vazhdim, atje ku “identiteti” nuk është vetëm një mirënjohje historike-kulturore, por edhe përkatësi e një “fati” të përbashkët ekonomik, që ka forcën për të kapërcyer kufijtë tradicional të shtetit nacional.
Përballë krizës së shtetit nacional, loja konsiston në formimin e një “nacionaliteti” të ri, që u referohet interesave ekonomike, të prodhimit, interesave financiare, interesave kulturore. Sot, shteti nacional nuk është më kontenitori ekskluziv i strukturave të prodhimit; nuk ka më funksionin e ndërmjetësuesit, siç e kishte më parë shteti fordist keynesian...ai shtet që duhet të ndërmjetësonte mes dy funksioneve të prodhimit, mes forcës së punës dhe kapitalit, dhe për këtë duhet të harxhonte shuma të mëdha me burime sociale, që të bënte të mundur ndërmjetësimin.
Pra, po flasim për një “nacionalitet të ri” të lidhur me “fatin” e përbashkët ekonomik. Prandaj, kemi të bëjmë me një rajonalizëm të ri dhe për këtë do të citojmë Revellin: “Hapet konkurrenca, jo më një konkurrencë mes kapitaleve, por një konkurrencë mes shteteve, për të luftuar për mbijetesë njëlloj si grupet e mëdha industriale”.
Kjo po ndodh edhe në nivele rajonale. Rajoni i Lyon-it, por ju ofron tashmë sipërmarrësve torinez kushtet e privilegjuara nga këndvështrimi fiskal, të infrastrukturës e kështu me radhë, që të shkojnë të lokalizohen në zonën e tyre. Nga kjo lëvizje e rajonit të Lyon-it shumë sipërmarrës piemontez po kalojnë të investojnë dhe të bëjnë biznes atje.
Situata ndërkombëtare jo vetëm për arsyet që thamë më sipër, është shumë më serioze se sa duket në pamje të parë. Sistemi ndërkombëtar po përballet me një krizë të jashtëzakonshme. Ai ndodhet përballë dilemës bipolare dhe multipolare. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare jo vetëm për shkak të vështirësive që paraqet vetë studimi i sistemit, por edhe për faktin se përfaqësojnë interesa të ndryshme, nuk janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë korrekte nëse sistemi aktual ndërkombëtar është bipolar apo multipolar.
Disa studiues jo amerikanë, dhe që janë kundër interesave të kësaj të fundit, që nga vitet ’70 kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po pësojnë një rënie pikiatë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, sipas kësaj rryme rënia e Shteteve të Bashkuara është bërë me e qartë. Sipas tyre, këtë fakt e konfirmuan edhe ngjarjet e 11 shtatori të 2001.
Gjithashtu, sipas këtyre studiuesve, mbarimi i Luftë së Ftohtë shënoi edhe mbarimin e bipolarizmit, sepse Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në pah kanë dalë fuqi të reja të natyrës rajonale, të cilat po pësojnë rritje të madhe. Disa nga këto fuqi rajonale janë: Brazili, India, Kina, Turqia, Afrika e Jugut. Këto fuqi të reja, edhe pse janë rajonale, po përpiqen të fitojnë forcë dhe terren në ato vende ku forca e Shteteve të Bashkuara ka pësuar rënia, ose është vënë në dyshim. Pra, në një mënyrë apo, tjetër, këto fuqi nuk duan të jenë në këto momente kundërshtare në nivel global me Shtetet e Bashkuara, por thjeshtë të mbrojnë shtëpinë e tyre dhe të fqinjëve që i rrethojnë, duke luajtur rolin e kryetarit të shtëpisë në rajon.
Gjithashtu, ajo që mund të vihet re aktualisht në sistemin ndërkombëtar, është fakti se ka tendenca për autonomi nga rajone të ndryshme të botës. Çdo do të thotë kjo? Më parë çdo çështje rajonale, ose jo, në momentin final varej nga pozicion global i sistemit bipolar. Nëse më parë kishte probleme mes palëve në Lindje e Mesme, fati i tyre në fund do të varej nga politikat dhe pozicionet që do të mbanin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, çdo lloj çështje rajonale, ose jo, më parë trajtohej dhe zgjidhej në mënyrë definitive vetëm në nivel global. Ndërsa, sot kemi tendenca autonomiste, ku fuqitë rajonale tentojnë t’i zgjidhin çështjet vetëm, pa pasur nevojë të referohen tek Shtetet e Bashkuara apo tek ish Bashkimi Sovjetik.
Aktualisht kemi një inversion mes dinamikave rajonale dhe globale. Në çdo kontekst rajonal, në fakt, është shkalla gjeografike e marrëdhënieve mes aktorëve që cakton kufijtë e shpërndarjes së fuqive të tyre: dhe vetëm një herë që dihet se çfarë dimensionesh posedojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë mund të përcaktohet, se cila do të jetë edhe zonë e influencës. Dobësimi i penetrimit të sistemit global mbi sistemet e ndryshme rajonale ka një efekt të dyfishtë paralel mbi marrëdhëniet e aktorëve. Nga njëra anë, pa paragjykuar shpërndarjen e fuqisë në nivel global, ajo bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme në nivel rajonal.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, siguria e çdo aktori varej në instancën e fundit nga ballafaqimi mes burimeve dhe qëllimeve të pikërisht nënsistemeve globale të aleancave dhe atyre të nënsistemeve të armikut: siguria e Turqisë, Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Izraelit, për shembull, vareshin në instancën e fundit nga qëndrimi dhe superioriteti i bllokut perëndimor në respekt me atë sovjetik. Në kontekstin ndërkombëtar aktual, liderët dhe qytetarët e vendeve të ndryshme i perceptojnë perspektivat e paqes, ose të luftës, si gjithmonë e më të pavarura me qëllimet e antagonistëve dhe partnerëve të lidhur në rajonin e tyre, e gjithmonë më pak të lidhur me burimet dhe qëllimet e tjerëve jashtë rajonit.
Mekanizmat e garancive të jashtme të së kaluarës – protektoratet, aleancat bilaterale dhe multilaterale, premtimet informate- humbin besueshmëri ose, të paktën, kanë vështirë të jenë të projektuara në mënyrë definitive për të ardhmen, me rezultat për të inkurajuar aktorët, ose për të garantuar sigurinë në mënyrë autonome, ose në konkurs me partnerët lokalë.
Po t’i rikthehemi edhe një herë çështjes nëse sistemi aktual ndërkombëtar është akoma bipolar, multipolar. Siç thash, kemi arsyetime/qëndrime të ndryshme, që ndryshojnë sipas interesave që përfaqësojnë.
Për shembull, Kissinger thotë, se:
“Në botën e pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi që ka mbetur me kapacitetin për të ndërhyrë në cilëndo pjesë të globit. Ai shkon më tej, duke thënë, se mungesa e një ideologjie sunduese, si dhe rreziku strategjik u jep liri kombeve të ndjekin politikën e jashtme, të bazuar gjithnjë e më shumë në interesin e tyre kombëtar imediat. Në një sistem ndërkombëtar të karakterizuar, ndoshta, nga pesë ose gjashtë fuqi të mëdha dhe nga një shumicë shtetesh të vegjël, rendi do të duhet të lind pak a shumë siç ka lindur në shekujt e kaluar, nga një pajtim dhe balancim i interesave kombëtar konkurrues.
Fareed Zakaria shkruan në librin e tij “Bota pas-amerikane”:
“Në planin politiko-ushtarak vazhdojmë të jetojmë në një botë me një superfuqi. Por, në çdo dimension tjetër- industrial, financiar, arsimor, kulturor- shpërndarja e fuqisë po zhvendoset duke iu larguar dominimit amerikan. Kjo nuk do të thotë se tani më po futemi në një epokë anti-amerikane. Por do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj”.
Ndërsa Dominique Moisi në pjesën ‘Bota në vitin 2025’ të librit “Gjeopolitika e emocioneve’, ja si shkruan: “Parashikimi i Pol Kenedit (Paul Kennedy) mbi rënien e perandorisë amerikane, kur ai e publikoi atë në vitin 1987, ishte i parakohshëm. Ai u bë realitet në vitin 2025. Si rezultat, një Amerikë e dobësuar nuk ka më as forcën ushtarake dhe as mjetet diplomatike për të qenë kombi i domosdoshëm, siç ka qenë që nga viti 1941”. Kjo e fundit edhe pse mbetet thjeshtë një parashikim duke analizuar faktet historike, i mbetet po historisë për të na dëshmuar të vërtetën dhe atë që do të ndodh në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.