e mërkurë, 16 nëntor 2011

BASHKIMI I KOSOVES ME SHQIPËRINË KUSHT SINE QUA NON

Muhamed Jashari-Shkup*



"...Për fat të keq, e viktimizuam një popull për ta ruajtur paqen e Evropës"
(deklaratë e ministrit britanik të punëve të jashtme, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i Konferencës së Londrës më 1913,)


PROCESI I NDRYSHIMIT TË KUFIJVE NË EVROPË GJATË SHEK XX

Republika e Shqipërisë është i vetmi shtet në rajon, i cili që nga Kongresi i Ambasadorëve në Londër 1912-13, e deri më sot, nuk i’u nënshtrua procesit të ndryshimit të kufijve. Shqipëria i trashëgoi po ata kufij që u vendosën nga fuqitë e mëdha të asaj kohe.
Po që se marrim parasysh shek. XX, do shohim se ky ishte një shekull ku harta politike e Evropës herë pas herë ndryshoi, edhe pse gjithherë thuhej se kufijtë e Evropës nuk ndryshojnë. Në Konferencën e Versajës më 1919 u krijua Çekosllovakia, por pas 71 viteve, përkatësisht në vitin 1990, Çekosllovakia u nda dhe u formuan dy shtete - Çekia dhe Sllovakia.
Në vitin 1945 ishte pikërisht Konferenca e Jaltës ajo që bëri ndarjen e Evropës në bazë të ideologjive, të asaj Lindore me ndikim ruso-komunist, dhe asaj perëndimore me ndikim kapitalist.
Ngjashëm si kjo mund të konsiderohet edhe Konferenca e Postadimit pra, ku fuqitë e mëdha të dala pas Luftës së II Botërore vendosën ndarjen e Gjermanisë në dy pjesë, në atë Lindore me ndikim po ashtu komunist dhe atë Perëndimore me ndikim kapitalist. Për mos ndryshim të kufijve të Evropës u vendos edhe në Konferencën e Helsinkit në vitin 1975, ku nënshkrues të kësaj ishin të gjitha shtetet e Evropës, madje edhe Jugosllavia.
Në vitet e 90-ta harta politike e Evropës edhe një herë ndryshoi. Kjo është periudha kur komunizmi filli të shkatërrohet rrënjësisht, shtetet e Evropës qendrore dhe lindore pavarësohen nga ndikimi komunist. Për ata fillon një epokë e re, një transformim drejt liberal-demokracisë, pra shuhet marrëveshja e konferencës së Jaltës. Fat të njëjtë pësoi edhe Konferenca e Postdamit, pasi që në vitet e 90-ta u ribashkua Gjermania.
Dikur askujt nuk ia merrte mendja se Jugosllavia do të mund të shkatërrohej, megjithatë pas vitit 1991, sërish ndryshoi harta politike e Ballkanit.
Pra, thuajse kufijtë e Evropës ndryshuan herë pas herë vetëm Shqipëria nuk iu nënshtrua këtij procesi, madje as që u shqyrtua një gjë e tillë në qendrat e vendimmarrjes.


BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË ËSHTË INTERES NACIONAL I SHQIPTARËVE

Interesi vital i çdo shteti në botë është ruajtja territoriale, siguria për qytetarët e vet, ruajtja e qenësisë kombëtare, mirëqenia ekonomike, janë pra këto interesa që shtetet asnjëherë nuk lëshojnë pe. Interesat vitale të kombit shqiptar mund të numërohen edhe këto:
a) të ekzistojë si komb,
b) si komb i konstituuar, dhe
c) të bashkohet.
Çdo ide apo çdo program që do të vepronte drejt realizmit të kësaj çështje mund të cilësohet si politikë mbarëshqiptare.
Në 100 vitet e fundit, populli shqiptar iu nënshtrua një terrori të paparë. Dekada të tëra ai i duroi dhe i bëri ballë asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik, të regjimeve heleno-sllave. Krahas gjitha goditjeve e spastrimeve etnike, dëbimit të tyre nga trojet shekullore, falë rezistencën e sakrificës së dëshmorëve të të gjitha luftërave, ne e kemi ruajtur nukleusin-substancën kombëtare.
Me që Republika e Shqipërisë e ka të përfshirë në preambulën e saj bashkimin, pikërisht brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike, duhet të jetë bartëse e një politike të tillë.
Qëndrimet e politikanëve shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë, në lidhje me atë se bashkim të Kosovës me Shqipërinë do ketë në Bruksel, mendoj se është një gabim që bëjnë politikanët shqiptarë, kjo nuk nënkupton që të bëhemi EuroSkeptik, por në të njëjtën kohë as që duhet të jemi Etnoskeptik.
Sipas një sondazhi të bërë nga një grup ekspertësh të realizuar në fillim të nëntorit 2009, parashikonin se Shqipëria nuk mund që të anëtarësohet në UE para vitit 2020 (deklarata e njërit nga ekspertët, Nigel Rendel).
Kanceralja gjermane Angela Merkel ishte mjaft e qartë në fillim të vitit 2009, e cila duke zbardhur programin e CDU-së, theksoi se “...pas Kroacisë, do të ketë pushim në zgjerimin e UE-së, në Ballkanin perëndimor”.
Shqipëria fatkeqësisht, edhe në raportin e fundit të progresit nuk mori statusin e vendit kandidat për në UE. Në anën tjetër Kosova edhe më tej vazhdon të ngelë, “geto” e Ballkanit nga shkaku se ende nuk ka datë të precizuar për fillim të negociatave për liberalizim të vizave.
Në një organizatë supranacionale siç është UE-ja, interesat nacionale të shteteve nuk mund që të realizohen plotësisht, por vetëm mund të ruhen pjesërisht.



BASHKIMI DO TË SJELLË STABILITETIT NË RAJON

Në literaturën politike ndërkombëtare Ballkani konsiderohet area of potential crisis, zonë potenciale për konflikt (situata ne veri të Mitrovicës e vërteton një pohim të tillë)- në shek. XX kjo zonë ishte zonë e dy luftërave ballkanike, këtu filloi njëra ndër luftërat botërore. Lufta e dytë ballkanike filloi si shkas për ndarjen e “kolaçit” (lexo: territoreve) pas shkuarjes së P. Osmane nga Ballkani.
Pavarësisht se Serbia morri statusin kandidat për UE, edhe më tej Kosovën e trajton si pjesë territoriale të saj, duket se përsëri nuk heq dorë nga idetë e saja megalomane.
Shteti serb edhe më tej synon që ti bashkohet plotësisht Republika Sërpska e Bosnjës,-në një të ardhme të afërt pritet që Republika Serbe në Bosnjë të mbajë referendum që të bashkohet plotësisht me Serbinë , pra, krahas gjithë këtyre rrjedhojave, përsëri Serbia bën përpjeke për UE.!!!
Duke marrë parasysh se Serbia është shteti më i armatosur në rajon, dhe që haptazi kundërshton anëtarësimin në NATO, askush nuk mund të garantojë se do ketë zbutje të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa kisha ortodokse serbe, dhe patriarku Irinej gjithmonë nxjerrin deklarata luftënxitëse, se për Kosovën duhet të luftuar dhe derdhur gjak, nga shkaku se ajo qenka “tokë serbo ortodokse sllave”, Ballkani edhe më tej do ngelë vrimë e zezë e Evropës.
Boshti Athinë-Beograd që dominoi në Ballkan dekadat që lamë pas, nuk ofroi paqe dhe stabilitet përkundrazi, ishte përgjegjëse e shumë luftërave dhe spastrimeve etnike.
Përfundimisht me bashkim të Kosovës me Shqipërinë, i ngushtohet hapësira hegjemoniste këtij Boshti, njëherë e përgjithmonë ndalen pretendimet territoriale të Serbisë mbi Kosovën.
Kështu në Ballkan krijohet edhe një shtet i fuqishëm shqiptar, formohet një baraspeshë fuqie, sipas disa studiuesve në një zonë ku mbretëron baraspesha e fuqisë aty ka stabilitet dhe paqe. Me këtë akt përfundimisht nacionalizmit Serbo-Grek, i bëhet e qartë se dominimi i tyre mbi shqiptarët ka marrë fund.
Andaj, është momenti që dy qeveritë shqiptare të bëjnë një bashkim të tillë, në fund të fundit çdo shtet e ka të drejtën që të hyjë në federatë më një shtet tjetër, në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Paraprakisht Kosovës i duhet që të ndryshon kushtetutën, saktësisht pikën 3 të nenit 1, pra ku i ndalohet që të bashkohen me ndonjë shtet tjetër.
Në kohën kur Shqipëria është në NATO, dhe Kosova është e pavarur, bashkimi i tyre duhet të ndodhet në Ballkan, pas këtij akti Shqipëria e bashkuar me Kosovën, i duhet që të bëj përpjekje maksimale për në Evropë të bashkuar, nga shkaku se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të truallit evropian.


* (Autori vijon studimet post-diplomike në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit)

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.