e premte, 30 dhjetor 2011

Edhe në shtratin e vdekjes, grekët sulmojnë Shqipërinë?!

Salvatore Albelice

17 Maj 10 Të pabesueshme fjalët e një djali helen, i cili në vend që të shprehej i shqetësuar për të ardhmen e atdheut të tij, deklaroi qartë: “Do të përfundojmë më keq sesa Shqipëria” Burimi: Te Tjera Një spektakël aspak i këndshëm. Me këto fjalë, duke kërkuar të zbus paksa inatin dhe pakënaqësinë time, mund ta përkufizoj pjesën finale të emisionit të fundit “Ballaro” në ekranin e një Raitre, tashmë jo vetëm shërbëtor i së majtës dhe "anti-berluskonizmit", por edhe i aftë për të mbështetur sjellje racizmi që fusin rrënjet e tyre në brendësi të historisë, pa mundur t'i dënojë ato. “Ballarò” preku fundin e bashkë me të edhe informacioni i shtetit italian: në specialen që i dedikohej "crak"-ut ekonomik të Greqisë, pjesa finale e emisionit u përqendrua te disa intervista të të rinjve grekë. Të pabesueshme fjalët e një djali helen, i cili në vend që të shprehej i shqetësuar për të ardhmen e vendit të tij, deklaroi qartë: “Do të përfundojmë më keq sesa Shqipëria”. Epo, ka ardhur momenti për të thënë "mjaft". Në cilësinë e koordinatorit të Shqipërisë dhe Kosovës, të supervizorit të PDL për Zonën Ballkanike, por sidomos si sipërmarrës italian që prej vitesh punon në Tiranë në kontakt me shqiptarët dhe si drejtor edotorial i revistes “Vëzhgimi Ballkanik" që prej muajsh lufton për të mbrojtur rolin e Shqipërisë së vogël në Evropë dhe për të mbështetur hyrjen në BE, mund të them se ky sulm, ky dizinformim duhet të përfundojë. Nuk mrekullohem aspak që mentaliteti i grekëve nuk ka ndryshuar. Më dhemb më shumë teksa shoh që brezat e rinj kanë injektuar në ADN-në e tyre urrejtjen e baballarëve të tyre dhe të gjyshërve.. Edhe në shtratin e vdekjes, populli grek vazhdon ende të vjellë vrer racizmi. Në vend që të mendojë si të dalë nga kriza më e zezë e historisë, cfarë bëjnë grekët? Sulmojnë Shqipërinë, një shtet ku qeveria dhe populli i të cilës meritojnë respekt të plotë. Një shtet shumë afër Italisë, jo vetëm gjeografikisht. Një komb, hyrja e të cilit në BE brenda 2014 duhet të jetë një nga objektivat e politikës tonë. Por nëse sjellja raciste e grekëve nuk është ndonjë risi e madhe, mbetem i shokuar përpara qëndrimit të redaksisë së gazetarëve të Raitre, që në përfundim të emisionit nuk ishte e aftë për të thënë një fjalë në mbrojtje të Shqipërisë. Nuk jam një admirues i “Ballarò” dhe as i informacionit të Raitre. Por Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe nuk meriton një trajtim të tillë. Eshtë e turpshme që sërish, për të panumërtën herë, gjendemi përballë një televizioni shtetëror, jo vetëm i paaftë për të informuar në sensin e vërtetë të fjalës, por edhe aspak në gjendje për të dalluar kur disa qëndrime disedukative duhen dënuar. Apo ndoshta prapa kësaj heshtjeje fshihet një marrje e qartë pozicioni kundër Shqipërisë? Nuk guxoj ta mendoj... *Eshte koordinator për Shqipërinë e Kosovën, si dhe supervizor i PDL për zonën e Ballkanit. 

e diel, 18 dhjetor 2011

ËNDRRA E FUQISË

Rexhep Kasumaj


(Paqja e Kantit apo anarkia e Hobsit)

(Kundërshtitë në “kulturën strategjike”, që sikur prodhojnë ndarjen e boshtit euroatllantik në belicistë të pushtuar nga demonët e luftës dhe në pacifistë të prirë nga ëngjëjt e paqes, rrjedhon të mos përcaktohen dot nga mendësia, qytetërimi apo morali kombëtar!
Ndryshmëria s’është veçse një alternim i paprerë i qendërpeshës së Fuqisë, e cila, si dikur në Berlin, Londër a Paris, aktualisht është zhvendosur në mënyrë dramatike në Uashington!)

I. “Kultura strategjike” !

Mijëvjeçari i tretë do të niste me një retorikë të zjarrtë e gjithë shpresë!
Diskursi i përgjithshëm mendimor kishte adoptuar shpejt prefiksin “post” që i vinte gjithkaje të re për të dhënë ashtu mbylljen e një epoke me shkollat e teoritë, armët e doktrinat e saj! Në politikë, që bënte jetën e vet, do të hidhej në qarkullim sintagma për kohën, tashmë të qetë, profane e të squllur, për kohën: post-historike!
Nuk kishte më epikë.
As luftëra, heronj e të mundur.
Por meqë njeriu është peng i natyrës së tij, (bolshevikët u rropaten të krijonin Njeriu e ri!) përplasjet planetare, tashmë në linjat e S.Huntigtonit, si për të shpëtuar atë nga kotnia, do t’i jepnin revan të ri historisë njerëzore! Dhe sërish: luftëra, fitimtarë e të humbur...
Rigrupimet gjeostrategjike interesore pas rënjës së Perdes së hekurt,do të rikonfirmonin fenomenin që, me votën dhe pronën e lirë, mëtonte të ishte një prurje, një rend i avansuar vlerash: Atllantizmin e ri.
Epiqendra e relacioneve të kësaj hemisfere, ndërkaq, është, siç ishte përherë , misioni i Pushtetit ose Fuqisë. Zhurma mediale sugjeronte idenë dhe qarkullonte opinionin se Europa dhe Amerika, dy konstituentët e rivalizuar kolosalë, e shohin njësoj atë: me veprimsinë dhe etikën e tij! Por, më tepër se njëmendësi, ajo dukej një floskulë salloneske e atyre që kujdestarojnë me“ terrorin e bardhë“ dhe një synim intim i popujve për t’i parë komplementarë interesat e tyre.
Kështu thonë, tashmë, të gjithë. Por jo të gjithë i shpjegojnë njësoj arsyet e ndasisë që herë ngjan e thellë, gati një „varr i ftohtë“ ndëratllantik – si në kohën e mbrapshtë të Shirakut e Shrëderit, këtyre miqëve të sprovuar të Putinit të KGB-së dhe herë më pak e vërejtshme – si tash në vitet e mbara të Mërkelit e Sarkozysë!
Robert Kagan është njëri prej tyre.
Në librin e tij „Fuqia dhe pafuqia – Europa dhe Amerika në Rendin e ri botëror“, ai kundërshton orvatjet e rretheve akademikë europianë për t’a kundruar ndarjen si çështje e „kulturës strategjike“: një prirje të natyrshme zhvillimesh të temperamentit luftëbërës amerikan dhe mentalitetit mirëdashës europian!
Intelektualët europianë, duke retushuar kujtesën, jo të largët, historike, nuk ngurrojnë në përfundimin e rëndë se Amerika është e pllakosur nga „kultura e vdekjes“. Ajo, ndryshe nga europianët që hymnizojnë paqen e amshuar të Kantit, i qenkësh dorëzuar përhumbshëm anarkisë së ligë të Hobsit! Botvështrimi amerikan, sipas tyre, bën ndarjen e varfëruar dualiste të botës: në të keqe dhe të mirë, në armiqë dhe aleatë. E, europianët, thonë ata për vete, kanë një pikpamje më të diferencuar me njeriun dhe të drejtat e tij qendër të saj. Për pasojë, amerikanët, gjithnjë sipas kritikëve europianë (midis të
cilëve dhe të tillë, si disidenti bullgar Cvetan Todorov me librin „Superfuqia e shmangur“, që i kishte shijuar vetë në Amerikë vlerat e lirisë), janë skeptikë ndaj së drejtës dhe institucioneve të sigurisë globale!
Por a është, vërtetë, kështu?

II. Arsyet e ndryshmërisë!

Vrojtimi europian, sipas Kaganit, është tepër thjeshtëzues dhe, prandaj, një karikaturë shëmtane e së vërtetës! Portreti europian nuk ka vetë një pamje të përgjithsuar unike.Britët, për dallim nga fqinjtë kontinentalë, koncipojnë Politikën e Fuqisë ngjashëm me amerikanët. Kujtesa koloniale, relacionet e posaçme me Shtetet e Bashkuara, farkuar në Luftën e dytë dhe në Luftën e ftohtë, dhe qëndrimi tradicionalisht i rezervuar ndaj europianëve të tjerë, i kanë dhënë atyre njëlloj “statusi special” në Europën komunitare. Po as gjermanët e francezët, promotorë të Europës së re, nuk mund të hidhen në një amzë vlerësimi hipotetik. Ndërsa të parët lëngojnë ende vetëdyshimin gërryes, të dytët, nga ana tjetër, ndonëse të lirë e krenar, ndjehen çuditërisht të pasigurtë e gjithë frikë iracionale. Eurolindorët, ndërkaq, ose si u quajt së mbrami, ”Europa e re”, analizon mëtej Kagan, kishin një ecje dhe përvojë të veçuar historike, mbytur nga ndjesia inferiore ndanë Rusisë së fortë dhe qasjes amerikane të “realitetit hobsian”! Pas ekspandimit institucional të Europës së bashkuar në Lindje, mozaikut të kundërshtive interesore do t’i shtohej, tutje, dhe një moskuptim tjetër mes dy europash: të vjetrës dhe të së resë! Ishin kanosjet e patakt të Parisit për braktisje të “familjarëve” të rinjë lindorë që kompletonin tabllonë e tillë.
Që këtej ndryshmëritë në “kulturën strategjike” nuk i referohen dot temperamentit, psikologjisë apo karaktereve nacionale, por gjithsesi, reliefit social dhe konteksteve historike!
Herët, dekada e qindvjeçarë më parë, qeveritë dhe popujt europianë besonin me entusiazëm në “Machtpolitik”-ë ( në origjinalin anglisht është përdorur ky nocion gjerman)! Idetë nacionale të shekullit 18 – të e më pas, sendërtoheshin me forcën e armëve nga gjermanët e Bismarkut apo francezët e Napoleonit. Rendi europian i atëbotshëm, ngritur në themelet e Rajhut gjerman, si gjithë pararendësit e tij, ishte, thotë Kagan, pikërisht një “fëmijë i luftës”!
Amerikanët, nga anë e tyre, po në këtë kohë, në kohën e lulëzimit të forcës së verbër në Europë, kur, si thotë urtia antike, e drejta shtrihej në gjatësinë e shpatës, duke qenë “fëmijë të Renesancës”, kultivonin (si europianët tash) idealet egalitare. Rrjedhon, pra, që ata nuk paskëshin qenë gjithmonshëm luftëdashës bastardhë që i kthejnë krahët së drejtës!
Së paku ne shqiptarët e ndjejmë ndryshe njësimin e forcës dhe të së drejtës (si do të donte B.Paskal), në të famshmen politikë intervencioniste amerikane. Ishte koha kur në rrënojat e Luftës së Parë Botërore, katrahura e shpirtit politik europian gatitej të riflijonte një popull në themelet e paqes së re, duke i vënë zgjedhën e skllavërisë që posa e kishte flakur pas qindra vjetësh, apo më vonë në mbarim të rendit të vjetër bipolar të botës, kur fatkeqësia bënte rrethin e saj të dytë, për t’a heshtur atë, si krimin e vet. Ndaj, kujtohen me pietet dy emra të mëdhenj amerikanë – Presidentët e paharruar Vilson e Klinton, që promovuan e mbrojtën të drejtën e kombeve të vegjël për vetëvendosje: i pari për Shqipërinë në fillimshekullin e shkuar, kurse i dyti për Kosovën, në fundin e tij!
Ndërkohë, pra, që europianët përkundeshin lavdishëm në flatrat e politikës së Fuqisë, pasrendësit e tyre tejoqeanikë adhuronin parimet e lirisë e barazisë. ” I forti e i dobëti, nuk rrëfejnë asgjë në të drejtën ndërkombëtare” dhe ”një Republikë e vogël nuk mund të ishte më pak sovrane se një Mbretëri e madhe”, ishte rezoni, koncepti, gati utopik, i përceptimit prej tyre të politikës së Fuqisë, si e huaj dhe e neveritshme...
Por a mund të ishin George Washington, Alexander Hamilton, John Adams apo, mbase, Thomas Jefferson utopistë? Assesi. Përkundrazi. Ata ishin realistë dhe shtrëngoheshin të bënin lojën, rregullat e së cilës i diktonte aherë dikush tjetër: Europa fuqimadhe!
Dhe tani, gati 200 vjet më vonë, shkruan Kagan, pozicionet janë këmbyer. Dhe përspektivat poashtu. Përtej të mirës dhe të keqes. Thjeshtë Europa, është e dobët. Ajo, ç’është e drejta, ka hapur një faqe të re historie pas eksperiencës së mnershme të qindvjetshit të shkuar duke promovuar civilizimin e ri demokratik dhe kjo duhej të mos e ligshtonte, por, përkundrazi, ta bënte më të fortë. Ideja e bashkimit të saj nuk ishte vetëm arkivimi i traumave të armiqësisë mes tyre. Në themel të saj qëndronte gjithsesi dhe intenca për restaurimin e statusit të fuqisë që tani ka mërguar!..”Machtpoliti”-ka, pra, do të nxisë ndryshime dhe atje ku ka ikur për të bërë strehë: në vendin e madh që quhet Amerikë!

III. Ëndrra e Fuqisë!

Më kujtohet ende një shkrim analitik i të përditshmes berlineze “Tages Spiegel” kur Xh.Bush do të shkelte për herë të parë pragun e Shtëpisë së bardhë. Në përpjekje për të vijëzuar skicë-portretin e tij, autori pohonte me cinizëm se Bushi i republikanëve nuk mund të ishte njëkohsisht Jezus dhe Julius.Pra, ai nuk do arrinte të bashkonte në figurën e tij dy shpirtëra kontraversialë: atë të Krishtit, duke mbrojtur vlerat konservative të familjes amerikane në vendin e tij dhe atë të Cezarit, duke përshtrirë hegjemoninë perandorake në botë!
Por si do të lexojmë te “Europa në mëndje” e Edgar Morinit, a nuk ishte tipike për Europën ( pikërisht në kohën kur Amerika i përfalej “madhshtisë së Renesancës”), ndërtimi i një dyzimi të tillë përjashtimor, i të famshmit moral i dyfishtë: ishte demokraci fine në shtëpi dhe diktaturë e gjakosur gjithandej globit! Madje, kjo mendësi sikur nuk është ç’rrënjosur ende sot. Një këshilltar i ish premierit Bler (Robert Cooker), e këshillonte shefin e tij atëbotë që t’a vinte sërish e përherë në përdorim këtë mësim të vyer historie. Pra, ndërsa do të kultivonte devotshëm demokracinë në Atdhe, nuk duhej të hezitonte aspak, saherë që këtë kërkonte interesi i ftohtë shtetëror, të aplikonte dhunën brutale jashtë tokave të Britanisë. Po dhe ish-kancelari Schmidt në librin “Fuqitë e së ardhmes”, ngre me trishtim pledoajenë e nyjëtimit të Europës, të vogël e kërcënuar, nga gogolë në rritje të kohës sonë!
Ç’të jetë, prandaj, ky alarm? Dhe ky gjakim europian fisnikërie? Për kosolidimin e drejtësisë apo për restaurimin e fuqisë? Gjëndje shpirtërash apo mungesë fuqie?
Fundja a nuk kishte këtë mesazh rebelimi simbolik degolian i viteve të hershme, apo, mbase “Ostpolitik”- a e Brantit (ndonëse me kuptim tjetër nxitur nga tmerri rus) dhe, më pas, Peticioni i njohur i intelektualëve francezë drejtuar Presidentit të atëkohshëm F.Miteran (opinioni demokratik mban mend mirë mbrojtjen që i bëri ky serbo-boshnjakëve kriminelë, kurse pasrendësi i
tij Shirak – urave të Beogradit barbar duke shantazhuar aleatët në Luftën e Kosovës!), për të bërë deamerikanizimin kulturor të Europës?
Po, në fakt, kultura ishte ambalazhi që mbështillte aspiratën e vërtetë. ”Europa europianëve” ishte sekreti, pasioni i djegshëm imperial dhe mjeti i pabesë për të mbajtur Kontinentin e tërë, të prerë e gjunjëzuar ( gjermanët qëndronin ende të tkurrur në komleksin e fajit), në duart e tyre.
Madje po në këtë frymë “Liberation”-i parisien, tek komentonte betimet amerikane të kohës së fundmandatit të Bushit , se asgjë mbi tokë s’mund të prishë Aleancën e lirisë, shkruante se, pas rrëzimit të Murit, Pakti Veriatllantik kishte humbur arsyen e ekzistimit të tij, ndonëse përpelitjet ballkanase dhe drama e Kosovës dëshmuan krejtsisht të kundërten duke përligjur këtë sistem sigurie kolektive në epokën e re. Autori kërkonte ethshëm – jo riparimin a përafrimin e sërishëm, por, si një shkas i mirëpritur, hartimin e alternativës europiane ndanë unilateralizmit arrogant amerikan!
Një prelud për Europën e fortë me përmasë e shkëlqim frëng!
Një prelud për Fuqinë!
Por politikbërja europiane e pasluftës së dytë , ishte, të thuash, ambivalente. E pazonja për t’u bërë “Fuqi e tretë” që do të merrte përsipër vetëmbrojtjen unike, si do të donte pa të keq F.Roosvelt, asaj i voliste ombrela bërthamore amerikane, sepse riorientonte investimet në mirëqenien kombëtare – në njërën anë, kurse në anën tjetër, krenaria dhe “ëndrra e Fuqisë” e shtynin atë në aventura infantile ( distanca e De Golit me Naton) të refuzimit amerikan. Këtë komocion ajo do t’a ruajë dhe pas rrokullisjes së armikut të parë të saj, Bashkimit Sovjetik dhe këtu qëndron kundërshtia e saj pozicionale: ruan programet sociale duke mos dhënë më shumë se dy përqind të brutoproduktit të saj për sigurinë e saj të garantuar nga aleati tejoqeanik dhe, njëkohsisht, kërkon statusin e Fuqisë së madhe! Madje Kagan do ta shpjegonte këtë figurshëm kur thotë se skena i përngjet, paksa, një kuadri filmi nga Perëndimi i egër, ku sherifi amerikan ndjekë e xyfet me banditë nëpër sheshin e pluhurosur, ndërkohë që zotërinjtë europianë pijnë uiski me zonja hijerënda në sallon!..
Politikat komunitare, që këtej, nuk mund të mos shihen si hipokrizi dhe lojë e fshehtë në pritje kapërcimi të fazës fillestare, akoma të paqëndrueshme, të projektit të saj politik, për të etabluar e zënë vendrolin e madh të fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përse, prandaj, ”Machtpolitik”-a amerikane të trajtohet si një mëkat kur atë e ëndërrojnë të gjithë?!
Të çarat e thella në “kulturën strategjike”, që sikur prodhojnë ndarjen e boshtit euoatllantik në belicistë të pushtuar nga demonët e luftës dhe në pacifistë të prirë nga ëngjëjt e paqes, rrjedhon të mos përcaktohen dot nga mendësia, qytetërimi apo morali kombëtar!
Ndryshmëria s’është veçse një alternim i qendërpeshës së Fuqisë , e cila, si dikur në Berlin, Londër a Paris, aktualisht është zhvendosur në mënyrë dramatike në Uashington!
Në fund fare, pozicionimi filantropik, kantian i europianëve sikur ngjan i pasinqertë e spekulativ: ngrejnë zërin për paprekshmërinë e regjimeve tiranike, duke identifikuar ata tragjikisht me popujt respektiv në botën e tretë (Irani i mullokratëve apo Koreja dhe Kuba e komunistëve!), për t’a justifikuar ende me shëmbuj dhunimi të lirive kombëtare qenien e trishtuar të “Shoqatës së popujve të rrezikuar të Europës” me seli diku në truallin e tyre!
Para një kohe një pushtetar gjerman do të deklaronte, gati me patos, se politikat e jashtme tashmë vdiqën dhe tani, në vend të tyre, ekziston një e vetme politikë: politika e brendshme planetare! Është kjo, pra, shpallja solemne e teorisë së sovranitetit relativ, të limituar nga korpusi helsinkian. Nëse në këtë sens, të drejtat e njeriut që janë vënë në fillesën e filozofisë së re, nuk i poshtëvihen seleksionit apo darvinizmit etnik, aherë ç’legjitimitet mund të kenë sovranët që i nëpërkëmbin ato bestialisht?
A janë, pra, vallë parimet, apo është pafuqia e saj që determinon moderimin dhe lojalitetin ndërkombëtar?! Nëse përgjigjja favorizon skajin e dytë të dilemës, aherë dualizmi i njëmendtë stolis pikërisht “Machtpolitik”-ën e Europës vetë, të re e të vjetër.
Më parë se të ëndërrojë rikthimin e Fuqisë apo, në mungesë të saj, të lozë merakosjen për fate jashtëeuropiane, ajo, duke arkivuar “Staatsraeson”-in individualist dhe teatrin e gjeopolitikave të vjetra, duhet të ëndërrojë diç tjetër po aq sublime: të çlirojë e bashkojë barazisht popujt e saj! Nëse ajo, themi figurshëm, identifikohet me selinë parlamentare të locuar në Strasburg, aherë pa këtë fillesë jetike do të përfundojë atje ku ka qenë nëpër vite, në gjysmën e dytë fjalës – burg! Në burg të historisë së përgjakur dhe të vetmimit të saj në epokën turbulente të shfaqjes së fizionomisë policentrike të fuqisë në botë.
Kjo është prova e parë e humanizmit dhe udha e sigurtë e Fuqisë!
Poshtë tyre është vetëm zvetnimi i saj i pashpresë!

Shqipëria dhe të huajt

Alban Daci

Kohët e fundi është dëgjuar të flitet se në vendin tonë ka forca të errëta që nuk e duan këtë vend dhe madje në shumicën e rasteve luftojnë kundër tij. Ajo që është për tu shqetësuar është fakti, se në lidhje me këtë argument flasin edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Jo më larg se mbrëmë tek emisioni “Opinioni”, Kryeministri foli, se grupe antishqiptare tentuan ta pengonin ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Në lidhje me këtë çështje dalin në dritë disa problematika serioze. Se pari nëse ka grupe të tilla, a janë ato jashtë sferës së vendimmarrjes së Shtetit, apo tashmë janë pjesë integrale dhe ndoshta shumë herë vendimet e marra prej tyre vendosin edhe fatin e Shqipërisë? Nëse do të flisnin intelektualët, apo shoqëria civile për ekzistencën e grupeve antishqiptare nuk do të ishte shumë shqetësuese, por fakti se vetë Kryeministri flet, do të thotë se edhe një figurë shtetërore si ai është ndjerë ndofta edhe i “kërcënuar” ose nën “presion” për të ndjekur linjat e tyre antishqiptare. Pra, në një far mënyrë këto grupe antishqiptare janë aq të pranishme dhe të fuqishme sa nuk e kanë problem të tentojnë të diktojnë edhe politikat e një Kryeministri.
Edhe pse Kryeministri flet hapur për ekzistencën e tyre dhe për faktin se kanë tentuar ose provuar që Rruga e Kombit të mos ndërtohet, nuk e dimë nëse me të vërtetë nga situatat ose faktorët e ndryshim, Kryeministri të ketë ndjekur edhe nga pavetëdija interesat e tyre që janë hapur kundër interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Së dyti, nëse ekzistojnë këto grupe për të cilat flitet, pse nuk ka një transparencë për të treguar se kush janë dhe çfarë qëllimesh kanë. Pra, përderisa Kryeministri flet për ekzistencën e tyre, do të thotë se ai i ka të gjitha informacionet e nevojshme rreth tyre. Vendet demokratike, në dallim nga vendet totalitare, shquhen për transparencë. Nëse Shqipëria pretendon se është e tillë, atëherë Shteti duhet të jetë më shumë transparent për të informuar qytetarët për rreziqet (nëse ka) që duhet të "luftojnë". Nëse ka grupe antishqiptare, ne si qytetarë kemi të drejtë t’i dimë dhe të marrim masat tona ndoshta edhe modeste për tu mbrojtur.
Së treti, kjo është një çështje edhe me e komplikuar, që ka të bëjë me sovranitetin. A është në gjendje Shqipëria ta ketë nën kontroll sovranitetin e saj? A ka sot Shqipëria një sovranitet të paprekshëm? Në pamje të parë gjithçka duket në rregull. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare mes shteteve ka ndryshuar shumë. Tashmë, sot për shumë faktorë nuk mund të ketë, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, luftëra të nxehta ose thyerje të sovranitetit të një shteti nga një shtet/shtete me anë të një konflikti të nxehtë. Mënyrat më të mira për të nënshtruar një shtet dhe për të cenuar sovranitetin e tij, është ajo që njihet ndryshe “metoda e heshtur”.
Kjo metodë që në pamje të parë është krejt e heshtur, është mjaft efikase dhe korrë suksese pas disa vitesh. E kam fjalën për monopolet ekonomike, të cilat duke qenë jo transparente për nga natyra, janë në të njëjtën kohë edhe jo transparente për interesat që ato përfaqësojnë. Sot pothuajse për të gjithë është thuajse e qartë se në Shqipëri në shumë sektorë ekonomik ekzistojnë monopole, të cilat në ekonominë e tregut janë të papranueshme dhe nëse rregullat e lojës i bën tregu dhe jo pushteti i njeriut nuk mund të ekzistojnë. Megjithatë, kjo është një çështje tjetër që lidhet me faktin nëse në Shqipëri ka me të vërtetë ekonomi tregu të bazuar në rregullat e konkurrencës së ndershme.
Tashmë flitet se në Shqipëri ka monopole ekonomike greke, serbe, të cilat e kanë kapur ekonominë shqiptare për fyti. Duke kapur ekonominë që është motori i shoqërisë dhe shtetit, në të njëjtën kohë kanë kapur edhe vetë vendin tonë Shqipërinë. A ekzistojnë me të vërtetë këto monopole sot në Shqipëri? Unë, konkretisht nuk kam ndonjë provë konkrete dhe kjo ndoshta lidhet me faktin se nuk jam biznesmen dhe për rrjedhojë nuk kam asnjë kontakt apo përplasje me to. Megjithatë, jo shumë kohë më parë një mik që është biznesmen i rëndësishëm në vend dhe që përfaqëson interesa plotësisht kombëtar përmes aktivitetit të tij më tha: “Jam shumë i stresuar, po falimentoj. Këtu është bërë thuajse e pamundur të bësh biznes, sepse ekonominë shqiptare e kontrollojnë monopolet serbe dhe greke”.
Nuk dua ta besoj se kjo është e vërtetë. Megjithatë, duke njohur mirë mikun që është biznesmen, e kuptoj se ai ka të drejtë dhe po më thoshte të vërtetën.
Një fakt tjetër që po më mbush idenë komplotiste të ekzistencës së këtyre monopoleve ishte rasti, kur vizitova panairin tek Pallati i Kongreseve. Ajo që vura re ishte fakti, se aty kishte thuajse vetëm firma greke dhe shumë pak ose fare firma të tjera, për shembull italiane. Gjatë kohës së vizitës po bisedoja me një sipërmarrës italian të cilin e pyeta: çfarë mendon për faktin se këtu në këtë panair ka shumë firma greke dhe shumë pak italiane? Ai më tha: para se të vija në Shqipëri kisha dëgjuar se shqiptarët dhe greket kanë shumë probleme mes tyre, por kur erdha këtu vura re se greket janë shumë të pranishëm në Shqipëri. Gjithashtu ai tha, se greket sjellin këtu në Shqipëri produkte, të cilat kanë kryesisht teknologji italiane. Sipërmarrësit italian po i thosha se si ka mundësi që Greqia, e cila po shkon drejt falimentimit ekonomik, sjellë këtu në Shqipëri, le të themi, prodhime që do të zhvillonin dhe shpëtonin ekonominë tonë. Ai qeshi dhe tha: nuk e di, thjeshtë më duket absurde!
Shqipëria gjithmonë edhe në të kaluarën e saj ka pasur marrëdhënie jo të qarta dhe transparente me aktivitetet e të huajve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Ndoshta ka ardhur momenti që Shqipëria të jetë më e kujdesshme me investitorët që vijnë këtu. Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh kundër hapjes me botën dhe kjo tashmë është e padiskutueshme, por të mbrosh interesat tuaja kombëtarë. Kjo është një e drejtë legjitime e çdo shteti nacional që garantohet edhe në të Drejtën Ndërkombëtare. Ndoshta këtë gjë më mirë se sa Kryeministri dhe Presidenti i Republikës nuk mund ta bëj askush. Shpresoj dhe uroj se këta po e bëjnë një gjë të tillë.

e shtunë, 17 dhjetor 2011

SFIDA E BASHKIMIT KOMBETAR

Nga: Fatos Ashiku

Qe te triumfosh ne realizimin e nje aspirate, mbi nje amanet kaq madhore dhe jetik, qe per Ne Shqipetaret perben bashkimi kombetare ne nje komb dhe qeverisje te vetme, kjo do te thote: te sfidosh…! Po, po, as me shume dhe as me pak, te behet fjale per sterhollime dhe mundime te shumta por drejteperdrejte. Te sfidosh do te thote: te kapercesh me guxim drejt te ardhmes, porsi ai luftetari qe, ne finish te nje beteje te gjate dhe te mundimeshme i hipur maje nje maje triumfalisht valvit flamurin e fitores! Sfiduesi flamurtare nga kendeveshtrimi historik ne ate kala mendje te tije, do te perceptohej dhe pershkruhej ne memorje dhe ne kujtese: si sfiduesi qe hipur maje me nje pirg sfidash ,ja kishte dale me se fudmi duke i buzeqeshur fitores,qe, per te u bene nder shekuj dekada dhe mote , sakrifica sublime, flijime te burrave dhe grave, rinise, ajka dhe nderi i nje populli.
Cdo popull , cdo komb ka , ka patur dhe do kete , kurdohere dallim mbi rrugetimet qe i kerkojne te bejne sikur harakiri per te arritur aspiratat e veta. Por mbase nje dhe nje e vetme per Ne Shqipetaret qendron , nje dhe vetem nje e vetme:
-TE LEME ‘PUSHTET’. PER HIRE TE BERJES KOMB PER HIRE TE BERJES SHTET!
Kjo eshte super sfida e triumfuesit flamurtare .Kjo eshte supersfida jone qe na kerkohet , nese realisht tere perbetimet tona per atedhetari dhe patriotizem jane te verteta dhe, nuk fshehin pas nje mori izmash dhe vete dyzimesh mjerane.
I leme per te pakten nje here te vetme, sikur per te bere nje stard ne nisje, tere qarjet dhe arsyetimet, qe na lidhin me te tjeret, faktore rajonale dhe nderkombetare dhe ,te ndalemi, ne vete vetveten si faktor vendimtare qe duhet tja njohim vetvetes, sikur bejne tere popujt dhe kombet e llira me integritet e sovranitet te plote.
Le te hedhim veshtrimin pak tej ne histori: per te pare veprimet dhe mos veprimet e te pareve tane, per te kuptuar sukseset dhe fitoret si dhe shkaqet e deshtimeve. Ta nisim ne linja te pergjitheshme, me ate qe na sjellin:Beselidhja e Lezhes dhe Lidhja e Prizrenit.
Se pari: duke bere nje pyetje ne lidhje me ate. a kemi nje situate te perbashket me to te cilat si lidhje Shqipetare na bejne te ngjashem? Po pa dyshim qe e kemi , madje disa here me te mbarsur se ato kohe! sepse: Pushtimeve te mepareshme si realitete skllaverije dhe akte barbare ju shtua edhe vete ajo qe kurre nuk e marrim ne kondsiderate ne berjen e analizave.Dhe kjo eshte aresyeja, se per te na mbajtur nen copetim, per te na mbajtur te ndare , u ndertuan platforma po aq barbare dhe te rrezikeshme: sa per ta justifikuar aktin makaber te pushtimeve dhe ndarjeve, aq edhe per te na nenshtruar deri sa te bashkejetonim duke u veteqeverisur nen skllaveri.
Me fjale shkurt: Ne jemi te pranguar, ne idene e te veteqeverisurit ne kushte nenshtrimi dhe skllaverie. Lind pyetja.Bashkesia Euroatlantike drejt te ciles jemi te cfaqur ajo eshte nje vend i bashkimit te te mjereve dhe nje amalgame aspiratash denigruese dhe diferencuese, apo, eshte bashkesi e popujve te lire sovrane dhe me identitet e integritet njerezore?
Mos bejme analize te metejeshme se edhe nese ajo behet mrekulli akush sot nuk ja ka ngene .Por le te pranojme dhe te marrim ne konsiderate prirjen e pergjitheshme :eshte si eshte ajo eshte shtepia jone e perbashket.( ZOTI na falte per sa rriskojme pa vetedije apo te vetedyzuar ne pamundesi). Po si ja beri Gjergj Kastrioti ( Skenderbeu)? Ne ate perballje me te keqen evendit Ai thirri ne Lezhe Kuvendin e princave. Po mjaft mire! nisin e thone nje dyzine menjeheresh: ja fare lehte, princa kemi partite dhe i mbledhim dhe per Skenderbe zgjedhim te parin e tyre ( mbase edhe i vete shpallur i tille dhe rrin e shihet para pasqyres duke kruar zerin per te mbajtur monologun e tij para parave te pista).
Mund te behej dhe fare lehte! por ne more vellezer a motra ngado artikulohen ide te tilla, Ne kemi nje mangesi fare fare te vockel mikroskopike qe nuk e shohim( sa po na zen ngado udhen) Ne ngado nje are me zambake e karafila , kemi te mbire faren e egjeres qe rritet e rritet e lulezon sa po e ben te veten identitet te saj. Ne vellezer dhe motra Shqipetare ne cilesine e patriotit atdhetarit , kemi jo partite por klane te tyre , Ne nuk kemi parlament por nje shpure njerezish pa identitet qe vijne permes farsash dhe jo procesesh normale dhe me standarte votimesh. Ne nuk kemi qeveri por klane qe gjallojne prej ketij realiteti .
NE NUK KEMI SHTETIN VELLEZER DHE MOTRA POR ANTI SHTETIN! Pra ne e kemi te pamundur sikur edhe princa te quanim shtetet ( qe na i servilen ne pjaten e Brankos). Pra lind pyetja . drejt bashkesise Euroatlantike do te shkojmete perfaqesuar permes klaneve ( se as si klan i vetem keta nuk mundet te behen se kane konflikt interesash ne nuk i kane sot i mbartin kur te ‘bashkohen’)apo do mbasim perjete ne hulli shpellare jetese? PRA NE PO LUAJME ABSURDIN KU NE RROLE PERFORMOJNE NJE SERE PARADOKSESH!
‘Princat tane’ ne thojza nese u kerkohet te bashkojne! ata nuk kane asgje te tyre me identitet e cila per produkt perfton nje unitet dhe vlere kombetare, per nje popull me nje te shkuar te lavdishme dhe te kulturuar. E pra! bota e standarteve kurresesi nuk na bashkon por edhe nese do beje’ sikur’ , ndersa sikur nje lebrozi do ti bejne nje shpelle dhe buken do ja hidhnin me lopate! Keta: pasurine e kane te vjedhur dhe te deshmuar: permes shume falsifikimeve sa edhe te fshehur nder banka permes identitetesh te rreme. Keta popull nuk kane pas vetes. vetem sa karieriste e servile dhe te nenshtruar tipa sekseresh..e pra cfare ketyre ju kerkojme te bashkojne?! Ne do kishim te benim me mrekulline : sikur te benin vertet harakiri e para gje e ndereshme dhe akt patriotik e burrerore do te ishte: -TE JEPNIN DOREHEQJE PER HIRE TE KRIJIMIT TE KOMBIT TE BASHKUAR ME NJE QEVERISJE TE VETME.
Pra: te veteterhiqen jo per te shkuar para drejtesise se sot nuk ka drejtesi .Pasi kjo eshte e vetekuptueshme.Por te hapnin udhe, per te lejuar qe shoqeria civile permes Beselidhjes se saje( apo formes qe do perzgjedhi ne menyre demokratike permes perfaqesuesve te saj ) qe te ndermarre nje proces riformatimi teresore te menyres qeverisese .Per ta futur shoqerine Shqipetare ngado trevave( edhe nese ende jane te okupuara por ti ngrohe me kete mendesi dhe perkujdesje) ne nje hulli vertet demokratike dhe me ardhmeri te sigurte. Nese vertet e bejme kete dhe pa bere kete ne nuk kemi nga ja mbajme ( le te harrohet se keshtu do vijohet) bota do na mirekuptoje dhe ne veprimin e tille ajo do shohe realisht interesimin qe i duhet dhe sigurine per partneritet dhe harmoni nderkombtare e rejonale.
-Te nderuar kolege: patriote, atdhetare dhe veprimtare te levisjes kombetare ngado jeni dhe ngado performoni dhe bashkoni vullnetet tuaja Ne para se te mendojme per kufinjte si mendesi bashkimi NE DUHET TE JAPIM SINJALE: SE KETE BASHKIM KOMBETARE PO E BEJME NE INTERES TE POPULLIT SHQIPETARE PAQES DHE SIGURISE SI PROCES UNIK I ZHVILLIMIT UNIVERSAL! Ndryshe rendja dhe humbja kohe pas ‘opsioneve’ ne thojza te seksereve dhe eksperteve te antishtetit anti gjallimit tone atdhetare do rezultionte: nje kohe e humbur dhe nje pune e mund i shkuar dem.
Por pasoja me e madhe do te jete humbja e besimit .Populli tashme qartas, po tregon ftohjen dhe mungesen e besimit me kete menyre qeverisje.Vijimi i retorikes bajate do e conte ta thellonte kete mungese besimi edhe tek organizatoret dhe inspirusit e frymes kombetare derisa te abandenoje teresisht dhe te injoroje levizjen kombetare. Dhe kjo do ishte humbja me e madhe: -Nje populli qe i mungon besimi tek udheheqesia e vet dukeshem shkon drejt humbjes se identitetit dhe asimilohet ne hulli pasivitetesh , izmash dhe pacifizmi mjeran.Mos harrohet: se shume popuj dhe gjuhe jane asimiluar! si mbi rrenoja te tjere kane lindur por te shperfytyruar. Fabula e zgalemit nuk shkon ne kete hulli gjendjesh.
Kujdes. historia perse me tepri behet per te nxjerre mesime!

e premte, 16 dhjetor 2011

Fjalën e ka Gjermania

Fjalën e ka Gjermania

Gjermania i vë kushte Serbisë. Ashtu si gjatë vizitë së kancelares Angela Merkel në Beograd, edhe tani Berlini zyrtar është deklaruar qartë se është i interesuar për anëtarësim të Serbisë në BE,  por para se të ndodhë kjo, Beogradi do të duhej të pranonte pavarësinë e Kosovës.  Serbia e hedhë poshtë këtë, ajo angazhohet për ndarjen e Kosovës.

Sylë Ukshini*

Aktualisht Gjermania është shteti evropian që gëzon simpatinë më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës. Roli i Gjermanisë si fuqia më e madhe ekonomike brenda Bashkimit Evropian (BE) dhe motori kryesor i integrimeve evropiane mbetet përcaktues edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si dy shtete të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ndërkaq, në media serbe janë forcuar tonet antigjermane. Meqenëse Kosova dhe Serbia, ashtu si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë një anëtarësim sa më të shpejtë në BE, roli i Gjermanisë vlerësohet vendimtar që ato ta mbajnë të hapur perspektivën evropiane. Kështu do të jetë edhe këtë të premte, kur më 9 dhjetor, do të vendoset nëse Serbia do të marrë zyrtarisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Gjermania kërcënon me një "Jo" nëse Serbia nuk përmirësohet në bashkëpunim me Kosovën dhe nëse nuk heq dorë nga pretendimet ndaj Kosovës. Me këtë qëndrim shteti gjerman, sidomos që nga vizita e kancelares Merkel në Beograd, në gusht të këtij viti, po tregon një rol prijës në politikën evropiane, po bën atë që do të duhej ta bënin të 22 shtete anëtare të BE-së, që e kanë njohur Kosovën, bëri atë që do të duhej ta bënte baronesha Cathrin Ashton. Mjerisht deri më tani  në Bruksel më shumë është dëgjuar zëri i 5 vendeve që kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës sesa ai i 22 vendeve që e kanë njohur atë. Por, për dallim nga shumica e vendeve të BE, Gjermania po sillet si lidere e vërtetë evropiane, po dëshmon lidership të vërtetë përballë sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë, e cila me pretendimin se ne zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë forcat radikale, antievropiane, në rast se ajo nuk fiton statusin e kandidatit, provoj të ushtrojë trysni në qendrat evropiane të vendosjes. Deri më tani selljet e  Serbisë në raport Kosovën me edhe kur në pushtet janë forcat me orientim pro-evropian të kujtojnë kohën e fillimit të viteve nëntëdhjeta, kur në ish-Jugosllavi vendoseshin barrikadat si një mjet për realizimin e politikës hegjemoniste të Milosheviqit.
Prandaj, tani është momenti vendimtar për rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, prandaj më shumë se kurrë BE-ja duhet të tregoj një kohezion në politikën e saj të jashtme dhe të marrë një qëndrim më unik lidhur me kandidaturën e Serbisë, në sjelljet e së cilës ka pasur dallim të madhe mes asaj që është thënë dhe asaj si është vepruar në terren. Pikërisht kjo sjellje e papërgjegjshme e Serbisë ka nxitur Gjermaninë t’ia bëjë të qartë disa herë se anëtarësimi i saj në BE nuk është i mundur pa zgjidhjen e problemeve me shtetet fqinje, përkatësisht, Serbia mundet në BE vetëm pas bashkëpunimit me Kosovën. BE-ja vazhdon ta theksoj fuqishëm se nuk do të lejojë  një Qipro të dytë, domethënë nuk ka gatishmëri që të pranojë në gjirin e saj një shtet që ka probleme me fqinjët. Pra, Serbia duhet të qojë durat Kosova nëse dëshiron BE-në.
Kjo i është bërë e njohur presidentit serb Boris Tadiqit në gusht të këtij viti nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe në Prishtinës zyrtare përmes shefit të saj të diplomacisë Guido Westerwelle. Por duket se Beogradi nuk e mori shumë seriozisht këtë paralajmërim. Por, nuk duhet krijuar keqkuptim sikur Gjermani është kundër Serbisë. Në të vërtetë Gjermania dëshiron ta shoh Serbinë në BE, por, Beogradit i kërkohet të bëjë më shumë në dialog me Prishtinën, të shpërbëjë strukturat paralele të trashëguara që nga koha e Millosheviqit dhe të lejojë misionin e BE-së, EULEX, të shtrijë pushtetin e tij edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Sikur të gjitha vendet e BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të ndiqnin linjën gjermane dhe të disa vendeve të tjera evropiane, që Serbisë t’i bëhej e qartë se nuk mund të shpresonte për  anëtarësim në BE, pa përmirësuar bashkëpunimin me Kosovën, përkatësisht pa përmbushur tri kërkesat kryesore të Angela Merkelit. Beogradi zyrtar do të detyroj të ndiqte një politikë më realiste dhe një politikë pajtimi.  Kjo do të përshpejtonte përfundimin e suksesshëm të çështjes së Kosovës dhe të Ballkanit, duke dëshmuar se politika e jashtme evropiane ka fituar profil dhe se është e aftë të mbyll kapitullin problematik, 12 vjet pas nxjerrjes së Kosovës nga administrimi i dhunshëm i Serbisë.
Që prej gushtit të këtij viti, Gjermani e ka ndjerë peshën e një qëndrimi të vendosur të një shteti evropian, i cili ka qenë ndër të parët që e ka njohur Kosovën. Kancelarja Angela Merkel javën e kaluar në Bundestag tha hapur se Serbia nuk ishte ende e pjekur për të nisur bisedimet e anëtarësimit, duke shtuar se kushtet e vëna para Serbisë për statusin e kandidatit deri më tash nuk janë plotësuar. “Me keqardhje të madhe mund të them se Serbia nuk i ka përmbushur këto pritje, prandaj parakushtet për t’i dhënë asaj statusin e kandidatit nuk janë përmbushur ende”, deklaroi kancelaria gjermane, duke bërë të qartë për Serbinë se “rruga drejt BE-së mund të ndodhë vetëm pasi të normalizohen raportet me Kosovën.”
Pas këtij qëndrimi të prerë të Berlinit zyrtar duket se është mbyllur hapësira manovruese për Serbinë, e cila deklarativisht flet për paqe, ndërsa në praktikë bënë të kundërtën, nxit serbët e veriut të Kosovës dhe vazhdon me pretendimet ndaj Kosovës. Po ashtu, ajo duhet të bëjë më shumë që ta largohet nga Kosovë, në mënyrë që të bëhet i mundshëm afrimi me BE-në.
"Serbia është gjithnjë e më larg statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ne besojmë se ajo duhet të bëjë më shumë", theksoi ditë më parë ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière, në Bruksel. Ai tha edhe këtë se "ata nuk e besojnë që Serbia e ka humbur ndikimin tek serbët në veri të Kosovës", dhe se "ata kanë dalë jashtë kontrolli".
Në anën tjetër, diplomatët në Bruksel kanë shprehur mendimin sipas një deklarate të tillë të kancelares gjermane është bërë pothuajse e pamundur që Serbia ta merr statusin e kandidatit në samitin e BE-së, deri në fund të kësaj jave. Mesazhi për Serbinë është tejet i qartë: Serbia duhet të heqë dorë ndaj Kosovës nëse dëshiron anëtarësim në BE. Këtij sikurse tani i është bashkuar edhe Britania e Madhe, e cila është deklaruar se pret nga Serbia të tregojë “përkushtim më të madh” në dialogun me Kosovën, duke iu bashkuar kështu Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës në kërcënimin për përdorimin e vetos ndaj kandidaturës së Serbisë për në BE.
Ndoshta tani kjo është hera e parë që serbët po e kuptojnë më në fund se më nuk shkon me diskursin e vjetër  “edhe Kosova edhe Evropa”, dhe se më 9 dhjetor është momenti i vendimit që, sërish, përkufizohet mirë me pozicionin parimor të BE-së: Nuk ka afrim me BE-në pa bashkëpunim dhe respektim të tërësisë territoriale të Kosovës.
Me sa duket, incidentet e fundit në Kosovë, kur barrikaduesit serbë patën plagosur ushtarë gjermanë dhe austriakë kanë luajtur rol për Gjermaninë dhe disa vende të tjera evropiane, si Holanda, Austria dhe Britania, por për Spanjën dhe të tjerët jo, që mendojnë se Serbisë duhej t’i jepet statusi i kandidatit.  
Për shtetin gjerman gjendja është ende tepër e pakënaqshme për t'i dhënë Serbisë dritën e gjelbër, pasi Serbia vazhdon të ngrejë pretendim për Kosovën, sikur të jetë provincë e saj. Në negociatat në fundjavë, 3 dhe 4 dhjetor, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan që në të ardhmen ta administronin së bashku kufirin. Por serbët, që jetojnë në Kosovë, e refuzojnë marrëveshjen, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse Beogradi do ta implementojë atë. Për diplomacinë gjermane një pengesë serioze janë sjelljet e serbëve lokalë ndaj trupave paqeruajtëse. “Incidenti me ushtarët austriakë dhe gjermanë është jashtëzakonisht serioz dhe qeveria serbe duhet ta dijë që kur ajo nuk i shmang gjërat e tilla, të cilat mund t'i shmangte, atëherë kjo është një pengesë që të bën të dështosh," ka vënë në dukje ministri gjerman i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Werner Hoyer
Me kushtet e qarta për Beogradin, të bëra publike, Gjermania,  e vetmja nga shtetet anëtare të BE-së, ka ndihmuar që Kosova të mos ndjehet e vetme përballë agresionit të Serbisë dhe se ka ardhur momenti që gjërat të thuhen troç, në mënyrë që përmes një pozicioni parimor të ndihmohet edhe vetë Serbia, e cila edhe 11 vjet pas përmbysjes së Milosheviqi nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën. Vetëm kështu i ndihmohet konsolidimit të shtetit të Kosovës, dhe jo me nisma në stilit të disa diplomateve   se  në tavolinën e bisedimeve “teknike” Prishtinë - Beograd të hapen negociata edhe për një zgjidhje të re për veriun e Kosovës, duke vënë në pikëpyetje Planin e Ahtisarit, të cilin e ka mbështetur shteti i tij.
Së këndejmi është mirë që Gjermania është një shtet i fuqishëm evropian dhe po ashtu,  me krizën e fundit ekonomike që kërcënon ekzistencialist edhe vetë BE-në, shfaqet si lider i fuqishëm i BE-së, kryesor për të shpëtuar atë idenë e Evropës së bashkuar, del në mbrojtje të Kosovës, me çka mbron edhe rrugën e saj evropiane. Gjermania dëshiron që Kosovës së pavarur, por edhe Serbisë, t’i hapet rruga për në BE, që do të ishte edhe për të mirën afatgjate të rajonit.
Sjellja e Serbisë karshi Kosovës është në kundërshtim me vetë idenë evropiane dhe për më tepër, asaj duhet t’i qartësohet se barrikadat e bllokojnë rrugën e Serbisë drejt Evropës, si dhe  dëmtojnë perspektivën e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe, para së gjithash, për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën e saj kriminale, e cila për dy dekada me radhë e ka penguar ecjen përpara të Kosovë dhe të tërë rajonit.
Me pozicionin e vet, Gjermania, duke mbajtur një qëndrim të drejtë dhe parimor, mbron jo vetëm Kosovën nga agresioni i Serbisë, por edhe ndihmon formulimin e politikave më të qarta evropiane karshi Kosovës, Serbisë dhe tërë rajonit, si dhe mbron rrugën e saj evropiane.
Gjermania po dëshmohet si lidere e vërtetë evropiane në një moment të vështirë për Kosovën dhe për të ardhmen e saj evropian dhe të të gjithë rajonit.

(*Autori është Drejtor për Çështje Rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ky shkrim paraqet pikëpamjet personale te autorit dhe jo të institucionit )