e hënë, 28 shkurt 2011

Shpresa e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Nuri Dragoj

Shpresa e Shqipërisë, të paktën 100 vitet e fundit, kanë qenë dhe mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këshillat që na kanë dhënë përfaqësuesit e këtij shteti të madh demokratik e shpirtgjerë, i cili përherë është bazuar në zgjidhjen e problemeve në të drejtën ndërkombëtare, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe jo në zgjidhjen e çështjeve sipas preferencave dhe interesave, kanë qenë të vlefshme, vazhdojnë të jenë të tilla, ndaj ne duhet t’i vlerësojmë, t’i dëgjojmë dhe t’i zbatojmë me korrektësi ato.
Unë do të thosha se këshillat e SHBA-ve duhen zbatuar në çdo kohë, pasi, sa herë që nuk i kemi dëgjuar, kemi humbur ose kemi qenë shumë të vonuar në kohë. Kështu veproi qeveria e Enver Hoxhës, në vitet e para të pasçlirimit, e cila nuk ishte në gjendje të vlerësonte dhe përfitonte nga oferta e SHBA-ve për t’i hedhur sytë nga perëndimi dhe qeveria komuniste, kur dihet që populli, andej i ka pasur sytë përherë. Dhe dihet përfundimi. Shqipëria që duhet të ishte në Perëndim, mbeti në Lindje, për shkak të përuljes së krerëve të shtetit shqiptarë ndaj politikës fatale nën varësinë e Jugosllavisë. Aktualisht, SHBA-të po këshillojnë për t’u treguar të matura, të heqim dorë nga dhuna, pasi dhuna mund të shoqërohet me pasoja të rrezikshme për demokracinë, por nuk dëgjojnë politikanët. Edi Rama vazhdon të bëjë të kundërtën. A mund të besojmë se Edi është në gjendje të kuptojë se ngjarjet mund të marrin rrugë më të mbarë për Shqipërinë se sa këshilla amerikane? Natyrisht që jo. Por ata shohin karrigen, në radhë të parë, kur amerikanët shohin, në radhë të parë, interesin e Shqipërisë. Do të ishte mirë ta dëgjojmë, sa nuk është vonë. Nuk besoj se ka naivë të mos kuptojnë që çështjet e Dick Marty-t për nëpërkëmbjen e vlerave shqiptare në tërësi dhe ato të luftës çlirimtare të Kosovës në veçanti, janë të shkëputura nga dhuna e 21 janarit. Mbase dhe vrasjet nuk janë të shkëputura nga ky kontekst, pasi ende nuk e kemi të qartë çfarë ka ndodhur, kur dihet që vetëm shteti nuk ishte i interesuar për ngjarje të tilla.
Mesazhet e dhëna nga Ambasadori i SHBA-ve, në Tiranë, Alexander Arvizu, drejtuar politikës shqiptare, duket se nuk janë kuptuar. Aq më tepër, që ato u përforcuan nga nëpunësi i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Thomas Kantrimen, i cili u shpreh qartë se pushteti nuk merret me dhunë në rrugë, as me demonstratë, por me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat arrihen duke debatuar në Parlament dhe duke miratuar atë legjislacion të nevojshëm në dobi të realizimit të zgjedhjeve, sipas standardeve europiane.
Ambasadori amerikan, dje i ka dorëzuar policisë së shtetit raportin e ekspertëve për 21 janarin. Ai përsëriti thirrjen për hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe pa ndërhyrje të jashtme lidhur me ngjarjet e 21 janarit ku mbetën të vrarë katër demonstrues. “Shumë herë kemi theksuar që hetimi të jetë i gjithanshëm dhe i pavarur. Hetimi duhet të përfshijë të gjitha fazat, duke filluar nga organizatorët, protestuesit si dhe nga ato që qëlluan duke çuar në vdekjen e 4 demonstruesve. Hetimi të vazhdojë të çohet pa ndërhyrje të jashtme që të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla”, ka venë në dukje ai.
Sipas numrit një të ambasadës së SHBA-ve,“Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për një demonstratë që do zhvillohej dhe ekzekutuan planin operacional më së miri”. Më tej shtoi:“Gjatë dhunës ekstreme Burgaj inicioni masa të jashtëzakonshme që të mbante në kontroll situatën, duke pasur parasysh burimet shumë të kufizuara. Policia në pjesën më të madhe ishte e pambrojtur. Ata qëndruan pa lëvizur duke u goditur nga gurë, shkopinj e bomba molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke zbatuar urdhrat. Dhe nuk u hakmorën kur u sulmuan”. Ndaj dhe autorët e dhunës duhet të ndëshkohen. Pra, kreu i ambasadës amerikane, ia lë çdo gjë në dorë drejtësisë. Përse të mos presë Edi Rama të mësojë verdiktin e saj dhe më pas të diskutojmë?
Të habit fakti se si nuk thonë një fjalë deputetët e kësaj partie të madhe opozitare, parti me eksperiencë në dy dekada, por gati të gjithë i janë nënshtruar mendimit të njëshit. Sot, duhet patjetër të shkundemi nga kjo përgjumje apo, më mirë të themi, drogimi prej nevojës së ngutshme për pushtet dhe të shohim interesat kombëtare.
Përse, bie fjala, opozita nuk thotë asgjë për deklarimet antishqiptare të konsullit grek për “Korçën greke” apo për ndërrimin e kombësisë në masë, me vendime gjykate nga shqiptare në greke, një ndërrim artificial i origjinës, i cili është jo vetëm i turpshëm, por dhe me rrezik për integritetin territorial të vendit? Mos vallë, këshilla amerikane për të hequr dorë nga dhuna ka të bëjë dhe me këtë çështje?


Të shmangim përpjekjet për helenizimin e Vorio-Epirit


 Kohët e fundit, vihet re një invazion i teorisë se “shqiptarët duhet të ndërrojnë fenë, të kthehen në të krishterë”, çka është fyerje për besimin e shumicës së qytetarëve. Dhe kjo bëhet në një kohë që fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni. Një politikë e tillë favorizon veprimet arrogante të fqinjit jugor, në ushtrimin e presionit për ndërrimin e fesë, shumë emigrantëve shqiptarë, që shkojnë në Greqi për nevoja ekonomike. Tashmë një gjë të tillë po e bën dhe brenda Shqipërisë, natyrisht, duke u “ndihmuar” edhe nga vet ne. Ky fenomen nuk është i ri. Ndaj dhe Edit Durham, dikur, thoshte se “shqiptari, edhe kur duket se u nënshtrohet rrethanave, e bën këtë për t’i detyruar rrethanat t’i binden atij”.1 Me të drejtë, Baleta, pluralizmin e sotëm fetar në Shqipëri, e cilëson: një stoli e çmuar kombëtare. Ai thotë: “Njëfetaria që mbrojnë me fanatizëm kombet dhe shtetet fqinje, në të cilët intoleranca fetare është shumë më e përhapur, frymëzon e paragjykon deri edhe politikën shtetërore”.2
Ish-Kryeministri i Greqisë, në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, ka deklaruar në Lidhjen e Kombeve se “ortodoksët e Shqipërisë së Jugut janë grekë, por të turqizuar dhe të shqiptarizuar në gjuhë”.3
Përpjekjet për të marrë jugun e Shqipërisë, “Vorio-Epirin”, nuk kanë reshtur për asnjë çast. Në vitin 1946, në SHBA, “kryeprifti” grek, Diamantinos, pas një turi antishqiptar, ku kërkonte të bindte amerikanët se të gjithë ortodoksët, në jugun e Shqipërisë, janë grekë, mundi të miratojë në Senat një rezolutë famëkeqe të quajtur Rezoluta Peper (sipas emrit të senatorit që e paraqiti), sipas së cilës, “Vorio-Epiri” t’i aneksohej Greqisë. Departamenti i Shtetit nuk e miratoi këtë rezolutë.4


Presidenti amerikan, Willson, shpëton Shqipërinë në Konferencën e Versajës 1919

Shqipëria mund të ishte copëtuar dhe gjatë shtrimit të çështjes së Adriatikut, ku ndesheshin interesat serbe me ato italiane, por dhe më gjerë. Por ishte Willson ai që shpëtoi çështjen shqiptare, pasi e përjashtoi atë nga “Çështja e Adriatikut” dhe problemet u lanë të zgjidheshin në Konferencën e Ambasadorëve, më 1921.
Kryeministri grek, Venizellos, në prag të Konferencës së Paqes, të vitit 1919, kishte rënë në ujdi me Fuqitë e Mëdha, për aneksimin e trojeve shqiptare në favor të Greqisë, duke mos e parë problemin nën prizmin etnik. Përfaqësuesi britanik dhe ai francez, e shihnin aneksimin e Shqipërisë së Jugut, nga Greqia, si domosdoshmëri ushtarako-strategjike, sa në favor të saj, po aq dhe në favor të aleatëve.5
Memorandumi i qeverisë së Durrësit, dërguar Konferencës së Paqes, vinte në dukje se Shqipëria nuk renditej në anën e të mundurve, por u ndodh e përfshirë nga lufta, për shkak të shkeljes së neutralitetit, garantuar prej Fuqive të Mëdha. Me anë të këtij dokumenti kërkohej rikthimi i tokave shqiptare, sipas vendimeve të 1913-ës, por dhe ndryshimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit, 1878, dhe vetë Konferencës së Londrës, që lanë jashtë kufijve të Shqipërisë një numër popullsie shumë më të madh se ai që mbeti brenda saj. Sipas këtij dokumenti, kërkohen “... territoret që përbëjnë Shqipërinë etnike dhe historike”, pasi vetëm në këtë mënyrë: “... ndreqen padrejtësitë e së kaluarës dhe hidhen themelet e një paqeje të qëndrueshme në Gadishullin Ballkanik”.6
Më 12 shkurt 1919, delegacioni i qeverisë së Durrësit, i dërgon një memorandum Konferencës së Paqes në Paris. Ky dokument u paraqit në Konferencë, më 24 shkurt 1919. Memorandumi kërkonte rikthimin e trojeve shqiptare, dhënë padrejtësisht Greqisë, nga Konferenca e Londrës 1913. Për Çamërinë, ata shkruajnë: “Kjo krahinë që quhet Çamëri, dhe që shtrihet në thellësi prej 30 deri në 40 km, para Luftës Ballkanike përfshinte një popullsi të përgjithshme prej 63 mijë frymësh, nga të cilët 40 mijë shqiptarë myslimanë, 14 mijë shqiptarë të krishterë dhe 9 mijë banorë grekë ose që flasin greqisht në familje”.7
Kryetari i qeverisë së Durrësit, Turhan Pasha, më 7 mars 1919, i paraqet një kërkesë për plebishit, kryetarit të Konferencës së Paqes, Paris, Zhorzh Klemanso. Por, ai propozon që “... më parë, t’i jepet e drejta qeverisë amerikane, për të pushtuar dhe administruar për një ose dy vjet, territoret e rivendikuara prej nesh. Për dijeni, Çamërinë, të pushtuar nga grekët dhe territoret në veri dhe në lindje të shtetit shqiptar”.8 Kjo kërkesë bëhej për shkak se, presioni ndaj shqiptarëve, për të pranuar hegjemoninë greke, ishte shumë i madh. Ndaj ai shton: “Masakrat dhe zjarret që kanë shpopulluar krahinat e Shqipërisë së Jugut (“Epirin e Veriut”), njihen botërisht. Ato synonin detyrimin e një numri të madh të bashkëqytetarëve tanë, që të linin atdheun, për të kaluar, kështu, shumicën në anën e grekëve”.9
Kristo Dako, kryetar i Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, në 13 mars 1919, u drejtohet presidentëve U. Willson dhe ZH. Klemanso, Paris, si edhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha aleate, “...për të insistuar mbi restaurimin e shtetit sovran shqiptar, restaurimin e bashkësisë së saj kombëtare mbi baza etnografike, duke përfshirë brenda kufijve Kosovën dhe Çamërinë, që padrejtësisht u shkëputën prej Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, më 1913”.10
Por, Konferenca e Paqes ngarkoi një komision për të shqyrtuar kërkesat greke, i cili zhvilloi debate nga 12 shkurti, deri më 21 mars 1919, në 12 seanca. Kryetari i seancës, francezi Jules Cambon, u duk që ishte hapur në krahun grek, kur deklaroi se “Kisha është ajo që përcakton kombësinë”. Por ai u kundërshtua prej delegatit amerikan, Day, i cili nuk mund të pranonte “zgjidhjen e propozuar sipas Venezellos për kufijtë”, sepse, në fakt, “... ato nuk përkojnë me kufijtë etnikë”. Në krah të tij u ndodh edhe përfaqësuesi italian, De Martino, i cili tha: “Kombësia shqiptare nuk mund të përcaktohet lehtë. Feja aty nuk është një element përcaktues. Ka në veri katolikë që janë shqiptarë të mirë, sikurse ka në jug të fesë ortodokse”. Aty u argumentua se edhe Konferenca e Londrës e përjashtoi kriterin fetar dhe vuri në plan të parë kriterin e gjuhës, në caktimin e kufijve. Francezi Larche mbështeti çështjen greke, por edhe ky u kundërshtua nga kolonel Castoldi, sipas të cilit, “... qeveria epirote nuk ka qenë asnjëherë shprehje e vullnetit popullor”.11
Amerikani Day, në vijim theksoi: “Në veri të Shqipërisë, shumica dërmuese flasin shqip, kurse në jug, ka 35 mijë grekë, prandaj të mos i jepet Greqisë!”.
Rol mjaft pozitiv, për fatet e vendit tonë, ka luajtur amerikani Charles Telford Erickson. Ai ishte 12 vjet me misionin në Shqipëri dhe 14 vjet si i pavarur. Në vitet 1920­1921, ka qenë komisioner special për Shqipërinë, në SHBA, dhe në vitet 1922-1923, ka asistuar pranë stafit të American Legation, po në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, ai ka dërguar një sërë letrash dhe ka biseduar edhe vetë me presidentë, senatorë dhe të tjerë persona me rëndësi në SHBA, mbi historinë, kulturën dhe, mbi të gjitha, për situatën politike në Shqipëri.
Çështja shqiptare u paraqit përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, të Senatit të Shteteve të Bashkuara, në vitin 1919. Kërkesa u lexua nga Senatori Henry Kobot Lodge, shef i komitetit të marrëdhënieve me jashtë të Senatit. Ajo u përcoll nga konsulli kombëtar shqiptar në Amerikë, pasi ishte hartuar prej delegacionit shqiptar. Komisioni shqiptar, i përbërë nga C. T Erickson,
C. A Çekrezi dhe Kristo A. Dako, u paraqit përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, më 2 shtator 1919.
Erickson iu drejtua zotërinjve të komitetit, se kërkonte të ndalej gjerë e gjatë për problemin shqiptar, pasi ai ishte kyçi i të gjithë situatës në Ballkan. Midis të tjerave, ai tha: “Si ekspert, së pari kam studiuar çështjen dhe së dyti dëshiroj të dëshmoj, se shqiptarët, të zhytur në morinë e pushtimeve të huaja, vandale dhe barbare, siç ishin hungarezët, romakët, bizantinët, serbët, bullgarët, turqit, i bënë ata të ruanin gjuhën, traditën, idetë dhe karakterin etnik. Duhet pranuar që kërkesat e shqiptarëve janë, njëkohësisht, edhe një protestë ndaj racizmit. Bota e qytetëruar duhet të kërkojë falje për zhdukjet masive të fshatrave shqiptare, në prag të fillimit të Luftës i Botërore. Ajo u bë shkak për dëbimin e popullsisë vendëse dhe zuri tokat e tyre. Kjo u pasua me një propagandë të tmerrshme, e cila ka favorizuar diskriminimin e popullit shqiptar, nxitur urrejtjen kundër “barbarëve” dhe “banditëve”...”.12
Ky burrë shteti, i tha komisionit, në mënyrë të prerë, se duhet të kuptonin rëndësinë që paraqiste kërkesa e bërë, ku tregohet se fati i Shqipërisë ka qenë në balancë, përpara Konferencës së Paqes. “Kjo është mundësia e parë dhe e fundit, që ne mund të paraqesim rastin tonë përpara këtij komisioni, me meritat e veta. Delegacionit shqiptar nuk iu dha kurrë një mundësi të paraqitej përpara ndonjë komisioni, si një delegacion më vete, për të shprehur situatën politike, të cilën ishin duke e kapërcyer shqiptarët në Konferencën e Paqes”13
Në këtë opsion, Erickson ndërpritet prej senatorit Moses, lidhur me disa shpjegime që shprehen nëpërmjet dialogut të zhvilluar në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan. Ai i shpjegon atij, me hollësi, situatën reale. Sqaron se qeveria shqiptare, me seli në Durrës, nuk ka funksionuar si duhet, për shkak se Shqipëria ishte e pushtuar në tërësi nga ushtritë italiane, franceze dhe angleze dhe disa territore nga Greqia dhe Serbia. Territori i Shqipërisë ishte ndarë prej këtyre fuqive. Italia do të kishte nën mbikëqyrje të plotë Vlorën, ishullin e Sazanit dhe të gjitha territoret, të shtrira përafërsisht ndërmjet lumit Vjosë, në veri, dhe në lindje e jug nga krahina e Himarës. Në këtë mënyrë, Italia i merr shtetit shqiptar një pjesë të autonomisë së tij, duke e bërë, atë, neutralizues. Natyrisht, për këtë ka pasur mbështetjen e Francës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Qëllimi është për të copëtuar krahinat e veriut dhe të jugut të Shqipërisë, ndërmjet Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Marrëveshja Tittoni-Venizellos, 29 korrik 1919, vendosi që Greqia të mbështeste kërkesat e Italisë në Vlorë e Hinderland, dhe, gjithashtu, kërkesën e saj për të qenë protektore e qeverisë myslimane shqiptare. Në këmbim të saj, Italia i jepte Greqisë pjesën jugore të Shqipërisë, ose “Vorio-Epirin”, siç e quanin grekët. Por Italia kërkonte edhe një pjesë të Sazanit, me qira, për 50 vjet, e cila do të konsiderohej e lirë. Në shtypin grek, kjo u konsiderua si një arritje e madhe e politikës greke.14
Venizellos u përpoq të bindë konferencën, se nuk duhet të jetë gjuha kriter. Faktin që ushtrohej presion, ndaj shqipfolësve, për të mos dalë në prani të të huajve, Venizellos e shtrembëron duke thënë se, meqenëse kombësia nxirrej nga gjuha (sipas Komisionit të Kufirit), gratë që flisnin vetëm shqip, por që nuk e konsideronin veten shqiptare, fshiheshin në shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar pyetjeve të komisionit”. Kështu, ai del plotësisht zbuluar në qëllimin e vet, pasi kur gratë flasin shqip, do të thotë se e gjithë familja flet shqip. Burrat flasin gjuhë të tjera edhe për shkak të kurbetit. Venizellos përpiqet të numërojë edhe shkollat greke, në një kohë që dihet se ato janë hapur me dhunë, nën kujdesin e Perandorisë Osmane dhe Patrikanës së Stambollit. Sipas të dhënave të vitit 1878, në tre sanxhaqet: Vlorë, Berat, Gjirokastër, kishte 80 shkolla turke dhe 163 shkolla greke, por ende asnjë shkollë shqipe.15
Shoqëria kulturore e shqiptarëve të Rumanisë, në një letër drejtuar Konferencës së Paqes, nënvizonte: “Në Shqipërinë e Jugut ka vetëm shqiptarë. Edhe gurët flasin shqip në ato vise”.16
Delegati shqiptar, në Konferencën e Paqes në Paris, Dr. Turtulli, deklaroi: “Dihet, botërisht, se në trevat që grekët quajnë “Epiri i Veriut”,– kurse ne e quajmë Shqipëria e Jugut, – nuk ka asnjë grek. Unë jam prej Korçe, ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak dhe i ndershëm. Unë shpall këtu, në mënyrë të preme, se nuk ka asnjë banor grek, as në qytet dhe as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grekë, ata të fesë ortodokse. Unë jam ortodoks, por nuk jam grek. Bullgarët dhe serbët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Shkollat greke janë, vërtet, shkolla ortodokse shqiptare. Ngjarjet e vitit 1914, të cilat propaganda greke i paraqiti si kryengritje të popullit të Shqipërisë së Jugut për t’u bashkuar me Greqinë, u provokuan dhe u drejtuan nga oficerë grekë. Ata përdorën si mjet andartët e Kretës dhe ushtarët grekë, që nuk kishin hequr as uniformat e tyre”.17
Patriotët shqiptarë e shihnin rrezikun fare afër dhe reagonin me aq forcë sa kishin, por prej tyre dihej fakti, që vendimet merreshin nga të mëdhenjtë. Mithat Frashëri, si delegat i shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, në SHBA, më 30 tetor 1919, ka deklaruar: “Ata që mbajnë në duar fatet e popujve dhe që në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden, se kurrë paqja dhe qetësia nuk mund të vendosen në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve”.18
Në memorien drejtuar Presidentit amerikan Willson, ku i shpjegon përpjekjet e disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, në vijueshmëri, sidomos në vitet 1878, 1913 dhe sërish më 1919, i kërkon ndihmë, si një fuqi jo e interesuar në Ballkan, për të shpëtuar Shqipërinë prej kthetrave të shovinistëve fqinjë. Ne mendojmë, - shkruan ai,- se Republika e madhe amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision”.19


Referencat

1. Abdi Baleta, “Shqiptarët përballë shovinizmit serbo-grek”, Tiranë
1995.f.54
2. Po aty, f.55
3. Po aty, f.67
4. A.Baleta, diskutim në Parlament, 2 shkurt 1992
5. Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës
I Botërore”, vëll.III, Tiranë 2001, f.177
6. A.Puto, “Historia…”, vepër e cituar f.276
7. AQSH. F. 251. V. 1919. D. 10. f.27-37
8. AQSH. F. 251. V. 1919. D. 14. f. 22
9. Po aty
10. AQSH. F.30. V. 1919. D. 7 F.18, Dokumente për Çamërinë, 1912-
1939
11. Historia e Popullit Shqiptar f. 462
12. Greqia dhe Kriza Botërore. Politika Italiane në Lindje, Paris 1926, f,
1. Bulevardi Saint – German (frëngjisht )
13. Driault et Lhëritier “Historia diplomatike de la Grece. Vol.V, f.347.
T. Zavalani, vepër e cituar.
572 Nuri Dragoj
14. Muni Çami, “Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar
në vitet 1918-1920”, f. 93-94
15. Georges Castellam, “Histori e Ballkanit”, botim shqip, f.380
16. Myslim Islami, “Histori e Tjetërsuar”, Tiranë 2005 f.311
17. Uran Butka, “Elita Shqiptare”, Tiranë 2008, f. 169
18. Po aty
19. Po aty

e premte, 25 shkurt 2011

Europa, sot dhe nesër

Dott. ma Alban Daci

Pavarësisht vështirësive aktuale në procesin e integrimit, kur mendohet Europa – në dimensionin e saj gjeopolitik- referimi nuk është për vendet e veçanta, por për Bashkimin Europian në kompleksitetin e tij.
Edhe pse zgjedhjet nacionale të vendeve kryesore europiane dhe pesha e tyre ekonomike mbeten burimet thelbësore dhe përcaktuese në politikat europiane, në bashkësinë e saj, Europa, nuk është më e thjeshtueshme me shumën e vendeve të saj. Nga këtu del vështirësia, pse jo pamundësia, për ta menduar Europën përtej tribunës së institucioneve të Bashkimit Europian.
Aktualisht, jo vetëm procesi i integrimit europian është në vështirësi, por edhe i gjithë kontinenti europian po kalon një fazë të veçantë si në planin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Bashkimi Europian po kalon një krizë të thellë ekonomike për shkak të deficitit të fortë ekonomik të regjistruar në Greqi, Irlandë, Spanjë dhe Portugali.
Situata ekonomike që po kalon Bashkimi Europian është shumë komplekse, e cila është e lidhur me vlerën e Euro-s në këto vende anëtare dhe me vështirësitë që kanë po këto vende për të kontrolluar sistemet e tyre monetare nacionale. Presidenti aktual i Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, e ka komentuar si më poshtë këtë moment të vështirë historik: “Jemi përballë një krize për mbijetesën tonë. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur mbijetesën e zonës Euro. Në fakt, nëse euro nuk do të mbijetoi, as edhe vetë Bashkimi Europian nuk do të mbijetojë”. Këtë janë fjalët që Presidenti i BE i ka lëshuar gjatë një takimi në Bruksel.
Gjithashtu, një ndër çështjet më kritike për Bashkimin Europian përveç situatës ekonomike është edhe mungesa e një lidershipi dhe i një vizioni të qartë për të ardhmen. Pikërisht mungesa e lidershpit është një ndër çështjet më kritike. Europa sot është shumë larg një “qeverie” në kuptimin juridik të fjalës dhe për këtë shkak nuk ka edhe një lidership të fortë dhe të njohur gjerësisht nga të gjithë.
Franca dhe Gjermania, dy vendet që tradicionalisht kanë luajtur një rol të tillë, në varg ose në konkurrencë, për arsye të ndryshme nuk janë më në gjendje të reagojnë si motor të procesit të integrimit ose si guitë për kontinentin europian. Gjermania, me një fushatë nacionale është linçuar për liruar ekonominë më të madhe të kontinentit nga impenjimet e tij me Europën.
Në librin e ri të tij «Shpëtoni lekët tona» (rescue our Money), presidenti i kaluar e federatës për çështjet gjermane, Hans Olaf Henkel, bashkohet me grupin që është në favor të ndarjes së zonës Euro në dy pjesë, me Europën Veriore (Gjermania, Holanda dhe Austria) në një grup dhe në grupin tjetër, le të themi, të Europës Jugore, si Spanja, Italia dhe Franca.
Realizimi i këtij propozimi për ndarjen e zonës së Euro-s në dy pjesë do të thoshte se Europa do të copëtohej dhe nuk do të identifikohej më si një identiteti i vetëm, ashtu siç dëshirojnë dhe preferojnë ta quajnë proeuropianët.
Europa jo vetëm që nuk po identifikohet më si një entitet i vetëm, por ajo duket sot e drejtuar nga disa shtete që janë pak të koordinuar mes tyre, nga opinione publike divergjente ose të fragmentuar dhe nga institucione të dobëta. Në këtë kontest Europa ka vështirësi të gjejë atë këmbëngulje që do të kishte nevojë për të reaguar si aktor global mbi skenën ndërkombëtare dhe, më tepër se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket të rindjejë rritjen në nivel global të vendeve në zhvillim, si Kina, India dhe Brazili.
Kjo që paralajmërohet në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku kanë lindur limitet e rolit të Bashkimit Europian si “fuqi civile globale” dhe janë më të dukshme mosmarrëveshjet me vendet në zhvillim mbi të gjitha në lëndën e tregtisë ndërkombëtare dhe negociatat mbi klimën.
Gjithashtu, ndryshimet e thella në fundin e dy dekadave të fundit dhe sfidat e reja të lindura në sistemin ndërkombëtar kanë pasur në mënyrë të paevitueshme rikthime mbi marrëdhëniet transatlantike, të cilat kanë hyrë në një fazë më të thellë – por në të njëjtën kohë të paqartë- ripërcaktimi.
Në botën e globalizuar post-bipolare është bërë, në fakt, e vështirë për partnershipin transatlantik që të gjej një hallkë sa solide, aq edhe të përfaqësuar nga rreziku sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Pra, “sfidat e mëdha” nuk gjenden vetëm përbrenda Europës, por edhe në nivel global dhe planetar. Sot jemi përballë një sistemi shumë dinamik, në të cilën është ekstremisht e vështirë për të kontrolluar ritmin e ngjarjeve dhe të ndryshimeve të shpejta dhe të papritura që ndodhin.
Kompleksiteti dhe gjerësia e problemeve na bën më të vetëdijshëm nga fakti se duhet një sforcim i përbashkët në nivele të ndryshme (qytetarët, shoqëritë e organizuara, nivelet institucionale të decentralizuara, shtetet) për të krijuar dhe gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe të admirueshme për të krijuar një zhvillim të gjatë në kohë, i cili, natyrisht nuk është fryt i një ngjarje të vetme.
Kur të flasim sot për Bashkimin Europian ose për Integrimin Europian duhet të flasim për vetëdijen europiane dhe ndjenjën e përkatësisë në një “sistem të ekuilibruar”, ku qytetari ndjehet i mbrojtur dhe i aftë të marr pjesë në të gjitha ngjarjet në akt.
Procesi i Integrimit Europian është akoma shumë i gjatë në rrugën e tij. Ky proces është shumë i gjatë, si në aspektin institucional (derisa shtetet e vendeve anëtare do të heqin krejtësisht dorë nga sovraniteti), ekonomik, nëse BE-ja dhe Kontinenti do të jenë në gjendje ta kapërcejnë me sukses këtë situatë të rëndë që po përjetojnë, si dhe faktin se nëse disa vende si ato të Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të plotësojnë kriteret e Copenaghen-it duke realizuar integrimin e tyre të plotë me marrjen e statusit vend anëtar me drejta të plota.
Ja si e përshkruan Dominique Moisi në librin e tij “Gjeopolitika e Emocioneve” në faqen 208 të botimit në shqip në Shqipëri Europën, që do të jetë nesër: “Në procesin e pakundërshtueshëm të divorcit ndërmjet Bashkimit Europian dhe qytetarëve të tij, të paralajmëruar nga votat kundërshtuese franceze, holandeze dhe irlandeze në referendumet e zhvilluara për traktatin kushtetues, luajtën rolin e tyre edhe institucionet e Europës e sidomos Komisioni. Ato u bënë të burgosur të vetvetes, duke mos arritur dot gjithnjë e më tepër të lidheshin me ndjenjat dhe kërkesat e shoqërisë në një botë të tronditur nga thellësia e recensionit ekonomik. Si rezultat i saj, shoqëritë europiane kanë tentuar ta shohin Europën më tepër si pjesë të problemit se sa si pjesë të zgjidhjes së tij”.
Përshkrimi i bëri më sipër nga themeluesi i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IRI), më tepër se sa një parashikim për të ardhmen që është e panjohur është një përshkrim real për të tashmen që po përjeton BE-ja dhe Kontinenti.
Megjithatë, Europa si dhe procesi i Integrimit ka kaluar momente mjaft të vështira nga faza e parë që ishte vetëm në kuadrin e ideve të intelektualëve deri në atë që quhet faza e dytë që është implementimi i tyre me reforma konkrete. Në këto momente, Bashkimi Europian dhe vendet anëtare me të vërtetë po kalojnë një moment të vështirë si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Por, jam i sigurt se Europa i ka të gjitha burimet dhe potencialet e nevojshme që projekti i Bashkimit të saj jo vetëm të mos dështoj, por të shkoj drejt realizimit final.
Realizimi final, që është më i drejti dhe më i suksesshmi, është ai i mendimit federalist që do të kurorëzohej me krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës. Ky është i vetmi opsion, që do të ishte i suksesshëm edhe përballë procesit të globalizimit. Pra, në një të ardhme jo shumë të largët duhet të bëhet i natyrshëm dhe i domosdoshëm kalimi nga Bashkimi Europian në Shtetet e Bashkuara Europiane. Ky do të jetë krijimi i një kontenitori solid, ku të rinjtë e sotëm mund të bëhen nesër protagonistët e vërtetë të demokracisë në Europë dhe mbrojtës të një metode komunitare efikase, legjitime, transparente dhe koherente.

e mërkurë, 16 shkurt 2011

LIBERALIZMI DHE SHQIPËRIA SOT


Dott. mag Alban Daci

****

Benjamin Constant[1], mbështet idenë se njeriu është jo i përsosur, por, ai mund të përsoset; ai është protagonist i një procesi të vazhdueshëm, që akumulohet në kohë. Fakti, se njeriu është jo i përsosur, sjell besimin e lirë se edhe institucionet politike dhe sociale janë jo të përsosura. Ato mund të përmirësohen dhe të përshtaten në një masë më të gjerë të prirjeve njerëzore, por çdo hap përpara duhet të jetë vazhdimisht i mbrojtur nga rreziku i shkatërrimit regresiv, të hapave të bëra mbrapa dhe nga katastrofat e historisë.
Gjejmë rastin të analizojmë rastin e Shqipërisë së pas viteve ’90 deri në ditët e sotme. Le të themi se, ashtu siç u pretendua nga ngjarjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme, ashtu si në shumë vende të Europës Lindore edhe në Shqipëri, u shemb diktatura komuniste dhe u rivendos sistemi liberal (ose demokracia, e njohur ndryshe). Ky sistem i vendosur në fillim të viteve ’90 në Shqipëri është njohur dhe propaganduar kryesisht si një demokraci liberale, e cili vazhdon të cilësohet i tillë edhe sot. A u vendos me të vërtetë në Shqipëri në këtë hark kohor doktrina liberale? Duke u nisur nga hyrja, që bëmë, del se jo. Është e vërtetë se institucionet e reja të formës demokratike që u vendosën në fillim të viteve ’90 ishin jo të përsosura, por, gjithashtu, është po e vërtetë se ato nuk u përmirësuan në kohë. Madje, në shumë raste dhe momente të ndryshme kohore ato kanë bërë hapa të mëdha mbrapa. Ecuria e tyre në kohë ka qenë e formulës “një hapa para dhe dy mbrapa”. Si mund të vërtetohet kjo? Fare thjeshtë! Mjaftojmë të citojmë ngjarjet e vitit ’97, ’98, 2011. Në këto data të cituara ato jo vetëm që nuk u përsosën, siç pretendon Benjamin Constant, por ato ecën me hapa mbrapa, sa u kthyen tek minus infiniti, d.m.th drejt shkatërrimit dhe mos funksionimit të total të tyre.
***
Mendimi liberal tenton të refuzoi dogmat dhe vlerat absolute. Vlerat absolute, duke u nisur nga ato fetare mund të përfshihen në sferën private, por jo në atë publike. Të vetmet vlera që liberalizmi i njeh si absolute, jo si dogma, por si postulate, janë principet e “lirisë” dhe të “dialogut”. Gjithçka tjetër për liberalizmin duhet të jetë e diskutueshme, modifikuar, përshtatur, përmirësuar dhe e dialogueshme. Nuk ekziston një vlerë etike, ose politike, fetare e privilegjuar dhe absolute, që mund të jetë për të gjithë e detyrueshme edhe me forcë. Në Shqipëri, në këto njëzet vitet e fundit, është zbatuar një liri e stilit të veçantë, liri e njëanshme, e cila nuk është pjesë autonome e shoqërisë dhe e dalë po nga vetë shoqëria, por ajo buron dhe varet krejtësisht nga politika. Për shembull, në Shqipëri nuk është e garantuar liria dhe e drejta për të studiuar. Këtë të drejtë dhe liri e përfitojnë jo të gjithë anëtarët e shoqërisë, por vetëm ato që kanë lidhje interesi dhe servilizmi me politikën, nga e cila përfitojnë pushtet politik dhe ekonomik. Sot është shumë e vështirë, ose thuajse e pamundur, të marrësh një provim në universitet vetëm me zotësinë tënde, nëse nuk i falesh në mënyrë materiale, ose servilizmi, pedagogut. Sot, edhe pse ke rezultate maksimale dhe plotëson të gjitha kushtet për ndjekur studimet e doktoraturës, nuk mundesh, sepse kuotat janë vendosur në dispozicion të politikës dhe servilëve të saj, që para se të afishohen dhe publikohen. Kuotat, në fillim, u rezervohen njerëzve të pushtetit, pastaj servilëve të tyre dhe në fund, nëse mbetet, edhe për qytetarin e thjeshtë dhe të përgjithshëm, që nuk ka pushtetin e politikës, por ka talentin dhe meritokracinë e studimeve që ka kryer me sukses. Ngjarjet e njëzet viteve të fundit na dëshmojnë se aspak nuk kemi pasur dhe nuk kemi një doktrinë liberale të zbatuar në vend. Këtë e vërteton fakti, se klasa politike në vend nuk është as përshtatur, modifikuar dhe nuk karakterizohet aspak me karakterin e marrëdhënieve dialoguese ndër veti. Këtë e vërteton fakti, se që nga fillimi ’90 deri në ditët e sotme, kemi të njëjtët personazh politikë, si në krahun e majtë, ashtu edhe në atë djathtë. Për rrjedhojë, duke mos u zbatuar kriteret e rëndësishëm të liberalizmit, siç janë ai i modifikimit, zëvendësimit dhe alternimit ka bërë që edhe institucionet dhe ngjarjet rreth tyre të përsëriten duke zbatuar të njëjtin formulë “një hap përpara dhe dy mbrapa”. Për pasojë të mungesës të këtyre kritereve, kanë ndodhur ngjarjet e viteve ’97, ’98, 2011 dhe nëse ato të vazhdojnë të mungojnë me siguri do të ndodhin të tjera ngjarje me të njëjtën fizionomi.

***
Mendimtarët liberal kanë zhvilluar, në forma të ndryshme, një përjashtim që e kupton shoqërinë jo si një organizëm të gjallë, super individuale, por si një shumë të jetesës së individëve, ku secili përfaqëson një vlerë në vetvete, si person, dhe jo një vlerë të nën varur të kolektivit shoqëror. Vlerat parësore të jetuarit social, janë gjithmonë të fokusuara mbi jetën dhe mbi lirinë e individit, dhe personat e veçantë nuk duhet të jenë kurrë mjete për t’u përdorur dhe sakrifikuar për qëllime sociale, ose për qëllime shtetërore, por, në të kundërt, janë organizime sociale. Edhe ky parim, në njëzet e vitet e fundit, nuk gjen aplikim në Shqipëri. Për të mos shkuar shumë kohë më larg, ngjarja e 21 janarit të vitit 2011, po ta analizojmë me qetësi, dëshmon, se personat (qytetarët) janë përdorur dhe janë sakrifikuar për qëllime sociale ose shtetërore.

***
Individët, të ndryshëm mes tyre, të shtyrë nga egoizmat e tyre, ose më mirë, nga nevoja për t’u mbrojtur dhe për të mbrojtur interesat shpirtërore dhe materiale, jetojnë në një gjendje tensioni, konkurrence, ose rivaliteti të vazhdueshme. Diversiteti dhe konfliktualiteti, për liberalizmin dhe doktrinën e tij, nuk duhet të eliminohen- ato nuk janë të eliminueshëm- sepse përbëjnë vlera. Diversiteti është një pasuri, një stimul për progres, ndërsa konflikti favorizon më të zotët dhe i shtyn të gjithë të japin më të mirën e mundshme. Për disa aspekte konflikti është edhe një e keqe, por një e keqe e nevojshme dhe papërmbajtshme që, e futur në rendin natyror të reagimit njerëzor, prodhon në tërësi më shumë pasoja pozitive sesa negative. Megjithatë, sipas mendimi liberal, konflikti duhet të zvogëlohet në fushën e një dialektike konkurruese, ballafaqimi dhe dialogu, ku format e tij ekstreme, si lufta dhe dhuna, racionalizohen, konvertohen dhe mbahen brenda kufijve të rendit politik dhe juridik. Ky është një argument tjetër që vërteton hapur faktin se në njëzet vitet e fundit në Shqipëri nuk ka pasur doktrinë liberale të zbatuar në institucione dhe në shoqëri. Në Shqipëri diversiteti (kryesisht ai politik) konsiderohet një e keqe e madhe, mbi të cilën aplikohen forma të egra ndëshkuese. Për shembull, nëse je një specialist shumë i mirë, punon në administratën shtetërore gjatë kohës që qeveris PS-ja (ndoshta ke edhe bindje të majta personale, por që nuk influencojnë për ushtrimin e profesionit si profesionist), sapo të humb në zgjedhje PS-ja dhe të vij në pushtet PD-ja, je automatikisht i pushuar nga puna, me të vetmin motivim se ke bindje të majta. Diversiteti nuk konsiderohet një pasuri as në shoqëri. Akoma, sot, në shoqëri shqiptare, nëse shpreh dhe ke bindje politike të ndryshme nga të tjerët, t’i konsiderohesh si një rrezik potencial dhe nuk janë të pakta rastet kur opinioni i tjerëve, që kanë bindje të ndryshme nga ti, të shkojë deri në urrejtje njerëzore ndaj teje dhe ndonjëherë dhe në kërcënim të drejtpërdrejt fizik. Edhe pse në Shqipëri pretendohet se ka demokraci, qytetarët kanë frikë të tregojnë bindjet e tyre politike. Gjithashtu, situata aktuale politike në vend, e cila është kopje e njëjtë për të gjitha situatat politike në njëzet vitet e fundit, tregon se konflikti mes forcave të ndryshme politike nuk është zvogëluar në fushën e një dialektike konkurruese, ballafaqimi apo dhe dialogu, po është në pozicionin e një lufte, ku herë pas herë përdoret edhe dhuna. Marcel Gauchet[2] shkruan: konflikti “me të vërtetë është një faktor thelbësor i shoqërizimit dhe sipas mënyrës së tij prodhues i veçantë dhe i integrimit të kohezionit”. Por në këtë rast, sipas historive të demokracive perëndimore, ky mbetet i lokalizuar vetëm në dialektin e ballafaqimit dhe të debatit përmes ideve dhe projekteve konkrete politike, ku si kusht kryesorë është fakti se ato përmbajnë dhe parashikojnë interesat e përbashkëta të qytetarëve. Në këtë kuptim, konflikti bëhet ai që shpëton demokracinë nga rreziku i homogjenizimit social, të tiranisë së shumicës, ose në mënyrë të thjeshtë nga ajo rrjedhje totalitare, që jo rrallë herë gdhendet në gjenezën e vetë demokracisë.

***
Liberalizmi, nuk predikon barazinë e kushteve sociale, ku shikohet aspekti më negativ i rrafshit ofendues, sesa ai pozitiv të një drejtësie më të madhe. Në të vërtetë, liberalizmi afirmon barazinë politike dhe juridike, pra, barazinë e mundësive, ku futet jeta e individëve dhe jo ajo e efikasitetit të kushteve materiale. Pabarazia mes individëve, në këtë mënyrë, duket se lind nga rasti dhe nga fati. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por, sipas teoricienëve liberal, ajo lind akoma nga merita e individëve të veçantë, pra, bashkësia e kualiteteve të tyre shpirtërore dhe fizike, që i bëjnë të përshtatshëm për të luftuar dhe për të fituar duke kaluar me sukses vështirësitë e jetës. Edhe nga ky këndvështrim, del se në Shqipëri nuk ka liberalizëm, sepse nuk zbatohen kriteret e doktrinës së tij. Për ta vërtetuar këtë mjafton të marrin si shembull videon e fundit të skandalit politik (pa e paragjykuar nëse është origjinale, ose jo). Në këtë video “urdhërohet” punësimi i një individi, edhe pse ai nuk ka një titull akademik, apo universitar, për ta justifikuar. Nga kjo video, del qartë se shqiptarët nuk janë të barabartë përpara mundësive. Këtu, në Shqipëri, në njëzet vitet e fundit nuk respektohet aspak meritokracia, në asnjë fushë publike. Njerëz me inferioritet profesional kanë një start më të fortë në mundësi, vetëm pse janë të implikuar në formë servilizmi, apo interesi me klasën politike në vend.

***
Ligji nuk është shprehje e “vullnetit të popullit” , që e shikon ngushtësisht funksionin e tij me atë të një organi të shtetit, por të “vullnetit popullor”, ku është vendosur burimi origjinal i fuqisë. Prandaj, është “sovraniteti popullor” formula e re që karakterizon Shtetin Kushtetues. Ky princip, me origjinë antike demokratike, është, në konceptin liberal klasik, pak më shumë se një referim, thuajse një metaforë, qoftë sepse “sovran” nuk është i gjithë populli, por vetëm ajo pakicë që gëzon të drejta politike, ashtu edhe për faktin se populli nuk qeveris drejtpërdrejt, si në rastin e demokracive moderne, por përmes delegimit të fuqive tek përfaqësuesit e zgjedhur periodikisht. “Principi i përfaqësimit”, përmes zgjedhjeve të përfaqësuesit të populli, realizohet në formimin e parlamentit, që mban pushtetin legjislativ. Parlamenti, duke bërë ligje, shpreh vullnetin e popullit, edhe nëse ligji është përshtatur me shumicë dhe jo me uninanimitet. Në fakt, ky është një princip tjetër themelor i Shtetit Kushtetues modern, pushteti sovran i popullit, konkretisht realizohet në “qeverinë e shumicës”, ku orientimi informon aktivitetin legjislativ të parlamentit. Principi i “qeverisë së shumicës” nuk është megjithatë absolut, siç tenton të jetë në konceptin demokratik, por është i përkohshëm – pra është një element tipik i liberalizmit – nga principi i “garancisë së të drejtave të pakicës dhe nga ajo e “pa dhunimit të drejtave natyrale, që, për liberalët klasikë, përfshihen thellësisht në të drejtën e jetës, tek liria dhe tek prona private. Qeveria e shumicës, nëse nuk do të ishte nevrike nga garancia e të drejtave politike të pakicës dhe të drejtave natyrale të individëve, mundet që lehtësisht të marr formën e një qeverie despotike, përderisa demokratikisht e zgjedhur, dhe si e tillë të justifikoi përdorimin e mbrojtës ekstra juridike të lirisë dhe të drejtave, tek rebelimi dhe tek rezistenca kundër shtypjes. E drejta e rezistencës kundër shtypjes, është cilësuar nga gjusnaturalistët e ‘700, si një e drejtë natyrale. Modeli i Shtetit Kushtetues dhe sistemi i garancisë së të drejtave plotësohet me doktrinës e “ndarjes së pushteteve” sipas të cilave tri pushtetet e Shtetit[3] (legjislativ, ekzekutiv, juridik) nuk duhet të jenë të bashkuar në një organ të vetëm, por të ndarë, në mënyrë që ndarja dhe shpërndarja e pushtetit të sjell një balancim të tyre dhe të një kontrolli reciprok, duke penguar gënjeshtrën dhe përqendrimin dhe transformimin e pushtetit kushtetues në pushtet despotik. Konkretisht pushteti legjislativ – parë si pushtet origjinal dhe më i rëndësishëm- i është besuar parlamentit të zgjedhur, pushteti ekzekutiv i qeverisë, pushteti juridik magjistraturës. Kushtetuta e parë, ku ndarja e pushteteve është zbatuar në formë të plotë, është ajo e vitit 1787 e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fund, mjet i domosdoshëm për të mbrojtur lirinë dhe produktet e vetë lirisë, është ekzistimi i një “opinioni publik“ të gjallë dhe të pjekur që ushqehet si lirinë mendimi, ashtu dhe shtypin e lirë, që artikulohet në organizim kulturore dhe politike, që jeton në diskutimin e problemeve publike dhe në kritikën e veprimit të klasës politike dhe të organeve të shtetit. Ku nuk ekziston një opinion i pjekur dhe kritik, por konformizmi dhe indiferenca, asnjë formë e organizimit liberal të shtetit mund të qëndroi gjatë në kohë. Sovraniteti popullor, parlamenti, qeveria e shumicës, mbrojtja e të drejtave të pakicës dhe të drejtave të individëve dhe ndarja e pushtetit, janë principet themelore të Shtetit Kushtetues Liberal. Origjina e Shtetit – në konceptin gjusnaturalist – bazohet mbi idenë, ose bindjen, se individët, me një marrëveshje mes tyre, me një “pakt social” , që ka formën e një kontrate, krijojnë shtetin si institucion që ka detyrën kryesore të administroi drejtësinë dhe forcën publike që zëvendëson forcën dhe drejtësinë private (hakmarrjen). E gjithë pjesa tjetër, që ka të bëj me jetën e individëve të veçantë, ose të grupeve të organizuara, është detyrë e vetë individëve në fushën e shoqërisë civile. Shteti, duke garantuar rregullin përmes administrimit të drejtësisë, duhet pikërisht të bëj të mundur ekzistencën e një shoqërie civile nga qartësia e të drejtës. Liberalizmi klasik konsideron, se shteti nuk ka detyra etike, kulturore dhe ekonomike, sepse këto, në ndryshimin e tyre sipas diversitetit me interesa dhe me koncepte, i përkasin sferës të organizimit të lirë të individëve. Shteti duhet të limitohet të bëj të mundur, të gjithë qytetarëve, kënaqësinë e lirisë. Përsëri, nga kjo analizë e fundit del se në Shqipëri nuk ka liberalizëm, sepse një ndër principet bazë të tij është ndarja e pushtetit. Nga deklarata e fundit të bëra publike në media, del qartë se ky princip i “shenjtë” po thyhet. Aktualisht, qytetarët nuk i binden ligjit për të qenë të lirë, dhe gjykata nuk është vetëm goja, nëpërmjet së cilës flet ligji. Aktualisht në Shqipëri ligji flitet nga goja e politikës dhe vetëm nëse del nga kjo e fundit është si e vërtetë absolute. Çdo e vërtetë, që nuk del nga goja e politikës nuk është e pranueshme, përkundrazi, mund të konsiderohet si puçiste. Pas një jave e gjysmë të ngjarjeve të 21 janarit, në një konferencë shtypi[4] të parën pas kësaj ngjarje, presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se politika pengon hetimin nga prokuroria. “Por, fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia dhe të gjithë të heshtin, beteja e gjatë politike, e cila në fakt shkaktoi 21 janarin, vazhdon të prodhojë fajtorë dhe të fajësuar, duke anashkaluar thelbin dhe përgjegjësinë politike dhe duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj, që të ndajë të vërtetën nga e pavërteta. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushteteve të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri”, - deklaroi Topi.

______________________________________________
Bibliografia.
ALBERTONI, Ettore A., Dal costituzionalismo britannico ai liberalismi, in Ettore A. Albertoni e Franco Livorsi, Politica e istituzione, Lessico, Milano, Eured, 1996, pp. 247-261.
BASTIAT E MOLINARI, centro statalismo, Macerata, Liberilibri, 1996.
DEDESCHI, Giuseppe, Storia del pensiero liberale, Roma - Bari, Laterza, 1992.
GRAY, John, Liberalizmi, Tiranë, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit.
BOBBIO, Roberto, Liberalismo e democrazia, Milano, Franco Angeli, 1984.
ZANONE, Valerio, Il liberalismo moderno, in Storia delle idee politiche economiche e sociali, diretta da Luigi Firpo, vol. VI, Torino, UTET, 1979, pp. 191-248.


[1] Henri Benjamin Constant de Rebeque (1767-1830) ka qenë shkrimtar dhe politikan francez, i cili kundërshtoi Napoleonin dhe propozoi një monarki kushtetuese për Francën.
[2] Marcel Gauchet (1946) është historian dhe filozof francez dhe drejtor I Shkollës së studimeve të larta sociale pranë qendrës së studimeve politike.
[3] Në kryeveprën e tij L’Esprit des Lois (Shpirti i Ligjeve, 1748), Monteskjëja u mbështet në kuptueshmërinë e tij jo të plotë të kushtetutës angleze për ta paraqitur si një sistem të kontrollove dhe baraspeshave dhe një ndarje të pushteteve që siguron lirinë e individit.
[4] Marrë nga web-site i kanalit televiziv shqiptar “TOP-CHANNEL” të publikuar me datë 09/02/2011 ora 13:45.

Gjeopolitika


Gjeopolitika Shqiptare, është revistë mujore  shqiptare me karakter akademik dhe shkencor. Kjo revistë do të jetë në dispozicion të studiuesve të afirmuar shqiptarë dhe të studiuesve të rinj shqiptarë, të cilët kanë talentin, dëshirën, nivelin akademik për të trajtuar përmes studimeve të tyre çështjen shqiptare, e cilat në një botë gjithnjë e më globale është e lidhur dhe e ndërthurur me ngjarjet e tjera paralele të Rajonit, Europës edhe më gjerë.
                Nëse ne trajtojmë dhe duam të trajtojmë çështjen shqiptare, nuk mund ta bëjmë atë si të ndarë dhe të izoluar me ngjarjet e tjera që ndodhin në vendet e tjera. Aktualisht, realiteti shqiptar është shumë i varfër përsa u përket revistave të ndryshme shkencore dhe kjo çon që edhe mendimi dhe studimi akademik shqiptar të jetë i varfër. Për këtë arsye, e pamë si domosdoshmëri ta krijojmë këtë revistë të formatit online, ku shumë studiues të afirmuar, ose të tjerë që janë në fazën e studimeve universitare, të kenë mundësinë ku mund të shkruajnë dhe të shprehin vizionin e tyre për çështje të së kaluarës, të tashmes dhe të përpiqen të bëjnë një përshkrim sa më të saktë për të ardhmen.   
                Studiuesit mund të na i dërgojnë shkrimet në adresën e e-amailit gjeopolitikal@gmail.com.     Shkrimet, artikujt apo studimet, rreth kësaj fushe  do të vlerësohen para se të publikohen nga stafi i revistës.