e mërkurë, 25 janar 2012

Albin Kurti: Vullneti i popullit shqiptar, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

 Nga: Redan Bushati 

Albin Kurti Intervistë me Z. Albin Kurti, lideri i lëvizjes Vetëvendosje 
 
U miratua para ca kohësh në Kuvendin e Kosovës me 44 vota pro mocioni i hartuar nga lëvizja Vetëvendosje!. Çfarë efekti po jep sot ai mocion? 
Miratimi i këtij mocioni është një nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë Kuvendi i Kosovës si institucion. Ky mocion e ka vënë në pozitë të vështirë pushtetin. Në fillim thanë se politikat e qeverisë janë në përputhje me vendimin e kuvendit, më pas thanë se vendimi i kuvendit nuk është detyrues. E vërteta është se politikat e Qeverisë së Kosovës, deri më tani nuk janë konform këtij vendimi. Serbia nuk i njeh targat e Republikës së Kosovës, ne i njohim ato të Serbisë, Serbia nuk i njeh dokumentet e shtetit të Kosovës, ne i njohim ato të Serbisë. Edhe më skandaloze bëhet situata kur kryeministri Thaçi thotë se vendimet e Kuvendit të Kosovës janë thjeshtë opinione të Kuvendit. Kosova është republikë parlamentare, dhe duke qenë kështu, Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë vendimmarrës. Lëvizja VETËVENDOSJE! pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ka marrë vendim që t’i mobilizojë të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe materiale që të bllokohen pikat kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, deri në zbatimin e plotë të vendimit të Kuvendit, vendim ky që e detyron Qeverinë e Kosovës të vendosë reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar.

A mundet që vetëm Shqipëria të mbushin hapësirën e mallrave të nevojshme për Kosovën? Bllokimi i kufirit të Kosovës ndaj Serbisë nuk e vë Kosovën në kurrfarë pozicioni të vështirë për furnizimin me mallra. Përkundrazi, ky është shans që prodhimet kosovare të fitojnë më shumë hapësirë, duke qenë se atyre u hiqet konkurrenca jolojale nga produktet e Serbisë që vijnë të subvencionuara nga shteti serb, prandaj edhe me çmime më të lira në Kosovë. Tashmë është provuar (në kohën e vendimit qeveritar që zgjati vetëm 40 ditë) se të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia mund të zëvendësohen dhe janë zëvendësuar.  
A po zhvillon lëvizja Vetëvendosje një opozitë radikale? 
Varet çfarë nënkuptohet me radikalizëm fillimisht. Nëse radikal është ai që e kupton problemin rrënjësisht dhe merret me të aktivisht, atëherë, po, ne jemi radikal. Varet pastaj edhe me kë na krahasoni. Në raport me oportunizmin dhe konformizmin e klasës politike, krahasuar me qëndrimet e qullëta dhe joparimore të partive politike në Kosovë, sigurisht se ne dukemi radikal. Në fakt ne dukemi radikalë sepse të tjerët nuk bëjnë politikë fare. Ne mendojmë se raporti midis Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe partive politike, më parë sesa dallim midis politikës së moderuar dhe asaj radikale, është çështje e ekzistencës ose jo të politikës. 
 
A priten zgjedhje të parakohshme parlamentare? Nëse po, si mund të rrëzohet qeveria aktuale e Kosovës? Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po i kursen kapacitetet e saj për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj qeverie. Ne po organizojmë tubime mobilizuese me qytetarë, po bëjmë aksione protestuese, po ndërmarrim nisma edhe në Kuvend, siç është edhe nisma për mocion mosbesimi ndaj qeverisë. E kemi kërkuar tash sa kohë rrëzimin e kësaj qeverie dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
 
Si mund të realizohet bashkimi mes Tiranës dhe Prishtinës, mes Shqipërisë dhe Kosovës? Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet bërë sepse ky është vullneti i popullit këndej dhe andej kufirit. Mirëpo, vullneti i popullit nuk përputhet me interesat e elitave politike. Konzervimi i pushtetit dhe ruajtja e dominimit të tyre është më i lehtë duke e mbajtur popullin të ndarë. Bashkimi midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vijë si rezultat i shprehjes së lirshme të vullnetit të shqiptarëve përmes referendumit.  

Çfarë qëndrimi mban z. Kurti për çështjen çame? Ne jemi mjaft koshient për tragjedinë e shqiptarëve, vrasjet, dëbimet e masakrat që populli shqiptar ka përjetuar nga shovenizmi grek. Kemi raporte të mira bashkëpunimi me partitë politike, por edhe me organizatat që merren me çështjen çame.
 
Sa përkrahet aktiviteti patriotik i aleancës “Kuq e Zi” nga lëvizja Vetëvendosje? Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të bashkëpunojë jo vetëm me Alencën Kuq e Zi, por edhe me çdo organizatë që e shtron drejt dhe merret aktivisht me çështjen shqiptare. Përveç kësaj, është tejet e rëndësishme që të gjitha organizatat që merren me çështje të kësaj natyre të jenë të qartë politikisht, e më pas konsistent në adresimin e qëllimeve. Çështja e bashkimit kombëtar nuk duhet reduktuar në formë dhe simbolikë, ai duhet zbërthyer në politika konkrete zhvillimore që janë në interes të popullit shqiptar, duke mos qenë në dëm të popujve tjerë.  

Çfarë mesazhi përcjell lideri i Vetëvendosjes për politikën aktuale të Tiranës? Politika në Shqipëri nuk ka pengesa juridike për angazhim rreth çështjes kombëtare, përkundrazi, preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është thirrje për angazhim në këtë drejtim. Çfarë mungon atje është vullneti politik i klasës politike. Shqiptarët duhet t’i kthehen vetes dhe të shikojnë interesat e tyre, përpara çdo retorike që ngjan si universale, por në fakt është totalizim i interesave të pjesshme. E mungesa e universalitetit të organizimeve ku i mbajnë gjithë shpresat shqiptarët, shihen në momentin që këto të fundit janë në krizë.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.