e hënë, 18 qershor 2012

Ne do ta ribëjmë Shqipërinë

Nga Kreshnik Spahiu* 

Të nderuar shkëlqesi ambasador, Të nderuar bashkëkombës kuq e zinj, Tungjatjeta, bij të shqipes, Jemi mbledhur sot së bashku për të realizuar një ëndërr, por edhe për të nisur një udhë të gjatë në çdo pëllëmbë tokë shqiptare dhe për t’u takuar e për të shtrënguar duart me çdo qenie njerëzore, e cila flet shqip, mendon shqip dhe mban emrin shqiptar. Në këtë sallë u valëvitën shumë flamuj blu e rozë, komunistë dhe socialistë, demokratë e socialdemokratë, por u harrua të flitej shqip për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne vijmë sot këtu së bashku me një dëshirë dhe një premtim për më shumë se 10 milionë shqiptarë, duke u betuar para të gjithë popullit dhe brezave që vijnë pas se: Gjer sa t’mundem me ligjrue, Dhe me frym’ gjall’ sa jam, Kurr’, Shqipëri, s’kam me t’harrue, Dhe në varr me t’përmendur kam. Si frymëzim i këtyre vargjeve lindi një vit më parë ajo që i kishte munguar Shqipërisë, një besëlidhje shqiptare e këtij shekulli të ri, e pagëzuar me emrin Aleanca Kuqezi. Një vit më parë, në mes një shoqërie në dëshpërim, rinie në trishtim, popullsie në frustrim, qeverisjeje plot zhgënjim, qeverie gjithë mashtrim, ekonomie krejt mjerim, diplomacie nën gjunjëzim, do të vinte si një pranverë për zemrat e çdo patrioti një lëvizje shqiptare në emër dhe gjenezë, e cila do të merrte me vete amanetin e të parëve. Ajo nuk solli pranverën arabe dhe as pranverën europiane, por një pranverë ndryshe, e cila u kishte munguar për 100 vjet shqiptarëve. Viti 2012 i gjen shqiptarët të jetojnë në trojet e tyre në disa shtete të ndryshme dhe dy shtete shqiptare, njëra quhet Shqipëri dhe tjetra Kosovë. Viti 2012 e gjen kombin në një situatë politike-juridike pa precedent, me disa himne, disa flamurë dhe ku, fatkeqësisht, si asnjë komb tjetër në botë, të mos dihet numri i përgjithshëm i popullsisë. Viti 2012 i gjen shqiptarët kudo që jetojnë si një nga kombet më të varfra në Europë, pavarësisht faktit se ata jetojnë në një pozicion gjeografik mesdhetar, në një tokë dhe nëntokë nga më të pasurat në të gjithë rajonin. Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë dy nga shtetet me nivelin më të ulët ekonomik në Europë, por, fatkeqësisht, edhe shqiptarët e Malit të Zi, Preshevës dhe Maqedonisë jetojnë në qytetet më të varfra në shtetet përkatëse. Viti 2012 i gjen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara në Europë. Viti 2012 i gjen shqiptarët si një geto periferike europiane, si dy vende të cilat janë përjashtuar nga proceset e integrimit në Bashkimin Europian. Viti 2012 i gjen shqiptarët sërish në ndasi politike, ku demokratët urrejnë socialistët dhe anasjelltas, ku BDI dhe PDSH shihen si armike në Maqedoni ndaj njëra-tjetrës dhe ku aktivistët e partive në Kosovë arrestohen e përleshen me policinë. Viti 2012 i gjen shqiptarët me të njëjtët liderë politikë të para dy dekadave, të cilët kanë uzurpuar karriget përpara se shumica e të rinjve kuqezinj të kishin lindur. Në 100-Vjetorin e Pavarësisë këtij kombi iu cenua integriteti territorial, identiteti kombëtar, rendi kushtetues dhe për këtë nuk duhet të fajësojmë fqinjët tanë apo kombet e tjera, por të ndëshkojmë qeverinë, e cila, fatkeqësisht, nuk mund të quhet shqiptare, por thjesht tradhtare. Për këtë arsye Aleanca Kuqezi vjen në këtë Kuvendim popullor dhe gjithëpërfaqësues për të lidhur besën për shpëtim dhe çlirim nga një regjim, i cili po na mjeron dhe poshtëron çdo ditë, që qartazi pengon bashkimin e shqiptarëve dhe, për rrjedhojë, integrimin. Shqiptarët vijnë në këtë 100-Vjetor dhe në fillim të këtij shekulli të ri me një rini tërësisht europiane, mijëra e mijëra prej të cilëve studiojnë në Romë, Londër, Nju-York. Gjithë ky brez ka një kulturë europiane duke filluar nga njohja e gjuhës angleze, italiane, franceze e gjermane dhe deri te sjellja, edukata, kultura, informacioni. Populli më proamerikan në Europë dhe rinia me qasjen më të fortë europiane kanë, fatkeqësisht, qeverisje tërësisht antishqiptare dhe që e urrejnë sistemin perëndimor të një shoqërie të hapur. Imazhi, portreti juaj dhe i rinisë shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me atë të krokodilëve të politikës dhe njeriut, i cili vishet me antiplumb. Përtej kësaj panorame të zymtë Aleanca Kuqezi vjen sot, për herë të parë, si një alternativë qeverisëse më e mira, më profesionalja, më e motivuara, më e shumëpritura, më e përgatitura me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale, të cilave s’duam t’u përmendim as emrin dhe që koha u ka perënduar. Sot në kryeqytetin e shqiptarëve kanë marshuar drejt këtij kuvendi shqiptarë nga gjithë qytetet etnike shqiptare të Prishtinës dhe Prizrenit, Shkodrës dhe Gjirokastrës, Durrësit dhe Elbasanit, Lezhës, Fierit, Vlorës, Kukësit, Sarandës, Lushnjës, Mallakastrës, Tetovës, Kërçovës, Strugës, Shkupit, Rrogozhinës, Kavajës, Preshevës dhe, natyrisht, nuk kanë munguar qindra të tjerë, të cilët kanë ardhur për të mos u kthyer më nga Londra, Nju-Yorku, Roma, Brukseli. Të nderuar shqiptarë, ky është ndryshimi mes kuqezinjve dhe demokratëve. Të gjithë ata që inspirojnë kuqezi, po kthehen dhe të ardhmen e shikojnë në Shqipëri. Po të jesh demokrat apo socialist, mendjen e ke të ikësh nga sytë këmbët një orë e më parë dhe ta braktisësh Shqipërinë. Këto janë dy epoka të ndryshme dhe shoqëri të largëta mes tyre. Demokratët mendojnë me bark dhe me gojë, ndërsa ju, kuqezinjtë, mendoni me zemër dhe mendje, sepse ju keni idealin për një Shqipëri të së ardhmes. Zotit i lutemi që t’jua shndrisë dhe lehtësojë rrugën që keni nisur për të realizuar ëndrrën e miliona shqiptarëve. Aleanca Kuqezi vjen në botën shqiptare me vrullin e një lëvizjeje popullore dhe me një program të suksesshëm, larg urrejtjes dhe përçarjes së një kombi, i cili po lëngon në një shekull ndarjeje, në toskë dhe gegë, të majtë dhe të djathtë, në malokë dhe qytetarë, në të varfër dhe milionerë. 1. Aleanca Kuqezi ofrohet si zgjidhja e vetme protagoniste për një kompromis historik për realizimin e një strategjie mbarëkombëtare. 2. Aleanca Kuqezi në qeverisjen e saj do të garantojë zbatimin e parimit kushtetues “për realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve për bashkim”. Kosova sot është shteti më i izoluar dhe shqiptarët janë të vetmit europianë që nuk lejohen të lëvizin në zonën Shengen. Natyrisht, Shqipëria dhe Kosova janë një precedent sui generis, ku një komb jeton në dy shtete, por edhe i rrethuar nga popullsi fqinje shqiptare. Dy shtetet shqiptare kanë injoruar, kryesisht, shumicën e rekomandimeve të Brukselit në procesin e integrimit. Koha kërkon qeverisje më të mira dhe ku ndryshimi duhet të fillojë në Tiranë. Prioriteti bazë është ndryshimi i qeverisë dhe regjimit antishqiptar si mundësi e vetme që një qeverisje e Aleancës Kuqezi të garantojë prosperitet, zhvillim, siguri kombëtare, rend kushtetues, stabilitet, standarde dhe shtet ligjor, si mënyra e vetme që bashkimi ekonomik, kulturor, shkencor, legjislativ i dy shteteve shqiptare Shqipëri-Kosovë të realizohet. Demokratët dhe socialistët i dhuruan shqiptarëve ndarjen dhe izolimin, kuqezinjtë simbolizojnë bashkimin dhe civilizimin. Të bashkuar ne duhet të jemi modeli i një sistemi të konsoliduar, me standarde të respektimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut dhe garancia se platforma jonë qeverisëse do alternohet me strategjinë e SHBA-ve dhe shteteve të tjera europiane që kanë investuar në pavarësinë e Kosovës. Një qeverisje e Aleancës Kuqezi do të jetë garanti i një partneriteti të fortë lokal për diplomacinë amerikane dhe atë europiane. Aleanca Kuqezi nuk e sheh të keqen te fqinjët, por tek elita politike shqiptare e paaftë, e korruptuar, e inkriminuar, vasale dhe qeverisjet shqiptare si pengesa serioze jo vetëm për bashkimin e shqiptarëve, por edhe si kundërshtare të procesit të anëtarësimit në BE. Në Maqedoni shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe klasa politike shqiptare është tejet e konsumuar me liderët e tyre konservatorë dhe armiqësorë me njëri-tjetrin. Lëvizjet politike shqiptare nuk duhet të mendojnë të ndajnë pushtetin dhe qeverisjen me maqedonët, por të bëhen avokatë të të drejtave të shqiptarëve, duke u tërhequr nga koalicioni qeveritar dhe duke bërë bashkimin e tre partive shqiptare në opozitë, të mbrojnë të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, si dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Klasa politike shqiptare në Maqedoni duhet të pastrohet nga korrupsioni politik dhe të tregojë se është një elitë me mentalitet europian më të lartë se maqedonasit. Shqiptarët dhe shoqëria civile, e cila, disa herë, është tubuar në revoltat për të drejtat e tyre, duhet të mos përdorin flamuj arabë e turq por të udhëhiqen në misionin e tyre nga flamuri ynë kombëtar, pasi ata nuk janë vetëm, por në krah kanë 10 milionë kuqezinj. Aleanca Kuqezi shprehet qartazi se, për çështjen e Mitrovicës në veri të Kosovës, klanet dhe mafia rajonale kanë interesa strategjike për ta shfrytëzuar minierën e Trepçes dhe pasuritë më të çmuara të nëntokës së Kosovës, për këtë arsye jemi dhe do të mbetemi me qëndrimin amerikan të mosndryshimit të kufijve, por edhe kundër këmbimit të territoreve. Ky është një pazar i papranueshëm dhe në dëm të interesave të shqiptarëve në Mitrovicë, por edhe në luginën e Preshevës, qytetarë të së cilës po përballen me reprezaljet dhe burgosjet politike. Aleanca Kuqezi vjen edhe me një plan veprimi të qartë dhe realist për zgjidhjen e çështjes çame, e cila buron nga të gjitha praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, por edhe me realizimin e një censusi të regjistrimit të pronave të shqiptarëve jashtë kufijve aktualë. Të gjitha këto alternativa janë pjesë e një standardi të së drejtës ndërkombëtare dhe që garantojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. 3. Aleanca Kuqezi parashtron para të gjithë opinionit se ëndrra për bashkim dhe, më pas, për integrim janë tërësisht të realizueshme, vetëm nëse rinovojmë elitat politike dhe nëse ndryshojmë regjimin e vjetër politik me votën e shqiptarëve, me zgjedhje të lira e të ndershme. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se pavarësisht se PD dhe PS shahen në Parlament me libër shtëpie ditën,- zgjidhin bashkë çdo gjë natën. PD dhe PS janë nofullat e një goje që bluan vetëm për stomakun e vet. Këta krokodilë brenda natës kanë ndryshuar kushtetutën dhe që nga ajo ditë u kanë thënë shqiptarëve: nuk keni alternativë do zgjidhni ose PD-në ose PS-në dhe i kanë lënë shqiptarët jo të shkojnë në zgjedhje dhe të zgjedhin më të mirin, por të zgjedhin të keqen më të vogël. Zgjidhja nuk është të zgjedhim të keqen më të vogël por të ndahemi nga e keqja. Aleanca Kuq e Zi është që të zgjedhim të mirën më të madhe dhe jo të keqen më të vogël. Ka plot 20 vjet që provohet se pavarësisht se kush ka fituar PD apo PS i humbur ka dalë populli shqiptar. Deri më tani ne kemi parë parti që kanë mbrojtur interesat e grekëve, maqedonëve, serbëve. A nuk ka ardhur koha të kemi një parti që mbron interesat e shqiptarëve?! Për të rinovuar e pastruar “klasën politike” ligji i parë në parlamentin e ri kuqezi do të jetë ligji për “kufizimin e mandateve politike të kryeministrave, ministrave, kryetarëve të partive, bashkive, komunave“. Për rrjedhojë përjashtojmë çdo alternativë hipotetike të një koalicioni me njeriun që vesh antiplumb, por dhe çdo lider që ka kaluar dy mandate. 4. Aleanca Kuqezi do ta ribëjë Shqipërinë nëpërmjet një reforme radikale të modelit amerikan dhe britanik për sistemin e drejtësisë, duke i dhënë mundësinë popullit të votojë për gjyqtarët e lartë ose të marrë pjesë në gjykime si vendimmarrje nëpërmjet sistemit të jurisë. 5. Shqipëria do të ribëhet nga një shtet juridik i hekurt, i cili do t’i shpallë luftë krimit të organizuar, trafikimit, pastrimit të parave, duke krijuar një xhandarmëri operative në luftën kundër krimit, si dhe duke realizuar ndryshim rrënjësor në kodin penal për krimet kundër jetës nëpërmjet dënimit me burgim të përjetshëm për ata që kryejnë vrasje. Jeta e njeriut do të mbrohet me çmimin më të lartë në Shqipërinë e viteve më të rrezikshme për nivelin e kriminalitetit. 6. Shqipëria do të ribëhet sapo Aleanca Kuqezi të hapë dosjet e ish-agjentëve të shërbimeve të huaja antishqiptare. Ne duhet t’u heqim maskat atyre që na qeverisin dhe t’u tregojmë se ka ardhur koha të mbyllen në shtëpi. Shqiptarët kanë të drejtë që kushdo që bën jetë publike, duhet të ketë një të shkuar të pastër! Dosjet duhet të hapen, për t’i dhënë fund lojës së fëlliqur të përdorimit e mbajtjes peng të njerëzve dhe ndotjes së hapësirës publike me bashkëpunëtorë të ish Sigurimit famëkeq. 7. Shqipëria do të ribëhet kur Aleanca Kuqezi të nisë Strategjinë e Rimëkëmbjes Ekonomike Mbarëkombëtare. Sot Shqipëria ka një ekonomi me një zhvillim kaotik, është një ekonomi konsumatore dhe primitive, që pastron pa fund “para të zeza”. Eksporti është pesëfish më pak se importi. Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që jo vetëm nuk njihet për produkte eksporti (përveç kanabisit), por importon edhe ushqimet nga Greqia, Serbia e Maqedonia, duke e lënë tregun nën kontrollin total të klaneve mafioze greke e serbe. Shqipëria do të ribëhet kur të fillojë zbatimi i sistemit të rrugës së tretë, i kombinuar me një nacionalizëm ekonomik. “Rruga e tretë” është kundër socializmit internacional dhe kapitalizmit liberal. Këtë sistem ekonomik ALEANCA KUQEZI do ta zbatojë me ardhjen e saj në pushtet për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare me QËLLIM RRITJEN E PASURISË DHE MIRËQENIES KOMBËTARE, nëpërmjet ndërhyrjeve qeveritare në ekonomi, duke ndryshuar strukturën e ekonomisë shqiptare dhe aftësimin për sfidat e shekullit XXI, duke e kthyer në ekonomi eksporti, duke mundësuar kthimin e emigrantëve, si dhe duke e unifikuar realisht tregun kombëtar Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. INSTRUMENTET më të rëndësishme të zbatimit të këtij programi janë 3: 1. TRURI – ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike’ 2. ZEMRA – ‘Bursa e Tiranës’ ; 3. MUSKUJT – ‘Korporatat e Mëdha Shqiptare’ dhe ‘Politikat Fiskale’. ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike’ do të jetë truri i ekonomisë, i përbërë nga profesionistë vendas e të huaj. Ky institucion do të jetë qendra e mendimit dhe e harmonizimit të interesave ekonomike kombëtare. Sipas këtij Bordi, avantazhi më i madh konkurrues i Shqipërisë është TURIZMI. Me këtë prioritet strategjik ne do të mund të arrijmë rritje dyshifrore të GDP-së dhe ta bëjmë turizmin motorin kryesor të zhvillimit ekonomik kombëtar. Prioritete të tjera do të jenë energjia, tregtia ndërkombëtare, eksporti i trurit (nëpërmjet IT-së), si dhe orientimi ndaj ekonomive eksportuese, si mineralet e përpunuara, duhan- cigaret dhe produktet bujqësore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Një prioritet të madh do të kenë politikat e punësimit sidomos për zonat shumë të varfra. Të gjitha këto do të mbështeten nga politika për përmirësimin e kushteve të biznesit dhe të kushteve të punës. Ne do të zbatojmë politikat tatimore më konkurruese në rajon. Prioritet absolut për ne do të jetë integrimi real ekonomik me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, në mënyrë që të unifikohet dhe të zgjerohet tregu kombëtar. Kapitalet shqiptare do të mblidhen nëpërmjet Bursës së Tiranës dhe do të investohen në ekonomitë më prodhuese në të gjitha trevat shqiptare nëpërmjet Korporatave të Mëdha Shqiptare dhe duke krijuar Kapitalin Popullor Kombëtar. Ky është një revolucion ekonomik mbarëkombëtar, që ne do ta bëjmë tani. Aleanca Kuqezi do ta ndryshojë këtë për të gjithë popullin shqiptar dhe garanton që, me zbatimin e këtij programi ekonomik, të ardhurat e shqiptarëve do të jenë brenda 10 vjetëve më të lartat në Ballkan, trevat shqiptare do të jenë qendra më e rëndësishme ekonomike e rajonit! 8. Shqipëria do të ribëhet kur Aleanca Kuqezi të rivendosë një regjim të ri juridik për çështjen e pronës nën parimin “pa pronë s’ka atdhe dhe pa atdhe s’ka pronë”. Aleanca Kuqezi do të vendosë kontroll të rreptë mbi territorin, i cili është në një kaos dhe masakër urbane, sipas një kalendari të qartë veprimesh, që fillojnë me planet rregulluese urbane, kthimin e plotë dhe të drejtë të pronës dhe vazhdimin e procesit të legalizimit. Drejtësia dhe prona garantojnë dinjitetin njerëzor dhe, për rrjedhojë, janë shtyllat e dinjitetit tonë kombëtar. 9. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të realizojë një reformim të plotë të sistemit arsimor, mbi parimin e një reforme mbarëkombëtare “një komb-një arsim” për përgatitjen e elitave që do të jenë brezi i ardhshëm për drejtimin e shtetit. AK do të revolucionalizojë arsimin edhe përmes teknologjive të reja, por duke orientuar arsimin e mesëm dhe të lartë, drejt edukimit vokacional, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të jenë në një hap me kërkesat e tregut të punës 10. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të ndryshojë rrënjësisht sistemin shëndetësor, mbi parimet e së drejtës së një shërbimi shëndetësor për të gjithë me kualitet, korrektësi, humanizëm, profesionalizëm. 11. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të vlerësojë të gjitha kapacitetet rinore dhe intelektuale. Pasuria më e madhe e kombit është rinia. Për qeverisjen e Aleancës Kuqezi rinia është e sotmja, por edhe e ardhmja, nëse i hapim dyert e jetës, shkollës, punës e perspektivës rinisë shqiptare. Rinia është energji vitale e shqiptarëve dhe inteligjenca është elita e kombit. Vetëm një qeverisje jona do të ndërpresë largimin e trurit jashtë Shqipërisë. 12. Shqipëria do të ribëhet kur axhenda e SHBA-ve dhe rekomandimet e Brukselit të jenë prioritet në qeverisjen, e cila ka si parim “kombi mbi interesat e partive“. Ne jemi e vetmja alternativë konstruktive, e cila siguron një stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon. 13. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të vendosë regjim të fortë juridik për kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit, deri në sekuestrimin e të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të llogarive bankare të Mubarakëve të rinj shqiptarë. Askënd të mos e gënjejë mendja se do të gëzojë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. 14. Shqipëria do të ribëhet pasi shteti të garantojë dinjitet dhe minimum jetik prej 400 eurosh për pensionistët, si dhe ndërtimin me standarde të azileve. Do të përcaktohet një buxhet i veçantë për ish-veteranët e Luftës, ish-të përndjekurit dhe çdo shtresë dhe grupim, të cilët jetën dhe lirinë e tyre i vënë në funksion të atdheut dhe kombit. Një prioritet do të jetë garantimi i statusit të ish-ushtarakëve, si një gjeneratë e cila duhet vlerësuar për kontributin e saj. Patriotët shqiptarë nuk kanë pasur ngjyrim politik të majtë apo të djathtë, ne do t’i respektojmë ata brez pas brezi. 15. Shqipëria do të ribëhet kur institucionet e reja të krijojnë sistemin e ndihmës, trajtimit, rehabilitimit dhe asistencës për paraplegjikët, të verbrit dhe gjithë grupet e invalidëve që janë të paaftë për të punuar. 16. Shqipëria do të ribëhet kur shteti të garantojë votën e panumëruar ndonjëherë të qytetarëve shqiptarë. Votimi dhe numërimi elektronik, përmirësimi i sistemit elektoral kombëtar dhe njohja e votës së emigrantëve atje ku ata jetojnë, janë kushti dhe beteja jonë për një Shqipëri ndryshe. 17. Shqipëria do të ribëhet pasi të mos lejohet ndërhyrja e shtetit te feja dhe qeveria të mos trokasë në dyert e familjeve për të pyetur se çfarë besimi kanë, por duke ndarë institucionet nga kultet dhe duke respektuar besimin e qytetarëve, pavarësisht se cilit besim i përkasin. 18. Aleanca Kuq e Zi do ta ribëjë Shqipërinë kur në iniciativën e parë kushtetuese të mundësojë që presidenti të zgjidhet nga populli pasi kjo klasë politike nuk do kryetar shteti, por kryeshërbëtor. 19. Shqipëria nuk do të ribëhet nga fëmijët e qeveritarëve që sot jetojnë jashtë duke pastruar paratë e etërve të tyre, por nga ju, që prindërit po ju rrisin dhe shkollojnë me shumë sakrifica. Ju jeni krenarë për familjet dhe atdheun tuaj, për prindërit dhe vendin tuaj, për miqtë dhe kombin tuaj. Lërini ata në turpin dhe luksin e parave të përgjakura, se fundi i tyre është destinuar. EDHE SIKUR BOTA TË PËRMBYSET, drejtësia dhe ndëshkimi s’do të vonojnë. Kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozi u premtuan qytetarëve të tyre se është koha për ta ribërë Europën. Edhe ne premtojmë përpara gjithë kombit se është koha që ta ribëjmë Shqipërinë dhe, pasi ta ribëjmë të bashkuar, do të rendim drejt perëndimit si kombi më i lashtë, më i zhvilluar, më i kulturuar dhe më krenar në Europë. Ajo ditë nuk është e largët, ajo është në zemrat e çdo shqiptari të përvuajtur, në sytë e përlotur të nënave shqiptare për fëmijët e tyre në emigrim, në fytyrat e trishtuara të rinisë së braktisur dhe të papunëve, në ëndrrat e shqiptarëve nga Presheva në Çamëri, në mendimet e gjithë intelektualëve të varfëruar, në duart e të gjithë bujqve të harruar. Dita e ribërjes po afron për një komb që nuk arriti të asimilohej, por sërish mbeti i copëtuar. Ajo ditë kërkon të jemi më shumë se sot, për atë ditë lutemi o zot, ajo ditë do të jetë mot, por këtë radhë pa dhimbje dhe lot. Ne ia premtojmë këtë ribërje një populli që i përdhosën dhe i ndërruan flamur, emër, identitet, etni dhe fe, duke na bërë të ndihemi të huaj në atdhe. Dhe ne vijmë si një agim kuqezi për ta ribërë atdheun atje ku filloi shpërbërja: te himni, i cili largoi nga lufta njeriun tradhëtor, që tashmë e njeh çdokush, e, më pas, krejt ndryshe për ju që “jeni krenarë me qenë shqiptarë“ në ato vargje fatkeqësisht të munguara: Se zoti vet’ e tha me gojë, Se kombet shuhen përmbi dhe, Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të jetojmë ne. 

*Fjala e mbajtur nga drejtuesi i Aleancës KuqeZi në Kuvendin Mbarëkombëtar të kësaj partie.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.