e mërkurë, 17 tetor 2012

Me një Platëformë gjithëkombëtare, në këtë Jubile, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Mustafë Krasniqi
Në mes pritjes dhe vlerës, Përvjetori i 100-të i Pavarësisë së Shqipërisë, ka hy dhe është kalitur në shpirtin e çdo shqiptari të cilët e ndien se vetëm Shqipëria e Bashkuar, apo Etnike do t’i sjell fat kombit shqiptar ku padyshim se janë shumicë dhe autokton në trojet e tyre , si në Shqipëri, Kosovës dhe Maqedoni, poashtu edhe pjesë që gjenden të okupuara nga Greqia Fashiste dhe Serbia e Mali i Zi. Sot për fat të keq për shkak të kushteve gjenocidiale, politike më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë Etnike, në Ballkan, ndërsa sipas disa hulumtimeve joshkencore në tërë botën mund të ketë diku përafërsisht mbi 30 milion shqiptar anë e këndë botës.
Ky jubilar do të kishte një veçori të veçantë nga përvjetorët e kaluar, po të ishin të etur dhe ta ndienin në shpirt kombin, e jo karrigen politikanët e sotëm shqiptar. Mu për këto teke dhe epshe karriere apo diçka më të ultë se kjo ka sjell shumë dilema të mëdha dhe të ndërlikuar dhe më se të ndjeshëm për çdo shqiptar dhe për vet studiuesit e historisë. Kjo pritje e madh disi, popullatën e ka vë në huti, ku në vend të shpresës, shfaqet ankthi, ku në vend gëzimit shfaqet dyshimi se si do ta vejnë punët deri më 28 nëntor dhe më tutje, a do të jenë të pranishëm gjithë elita kombëtare dhe ajo intelektual, apo do të refuzohen nga qeveritarët ata që nuk janë përkrahës të qeverisë së Tiranës? Këtë dilemë dhe frikë të shtuar, në vend se të qetësoi popullin dhe ta merre përsipër historia dhe historianët, letrarët dhe shkrimtarët, apo vetë Akademia e Tiranës dhe e Prishtinës, kjo disi po lë përshtypje se si kanë rënë nën ndikimin e politikës ditore, ku për të fat të keq këtë vit jubilar po e keqtrajton në dukje politika ditore dhe shtypi që është në ndikimin e saj.
Kjo hipokrizi ndaj vlerës kombëtare, dhe vitit jubilar, vije me cinizmit të thellë dhe të dukshëm, me një fjalorë të trishtuar duke i dhënë një shtytje të keqes dhe në emër të saj të përfitoi kundërvlera, e siç thoshte Noli: Ku e lam' e ku na mbeti, Vaj-vatani e mjer mileti. Apo, Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi- Migjeni
Kur flasim në veçanti për simbolikën dhe vlerën e këtij viti jubilar, të 100 vjetorit, do të ngërthente në vete një veçori të rëndësishëm mbase edhe do të ishte përfillur e drejta morale dhe ajo njerëzore, gjaku dhe vuajtjet e popullit, e mbi të gjitha vullneti i popullit për të qen ashtu si duhet qenë me të gjitha normat e së drejtës, në çoftë ligjore apo ato zakonore, si përfillja e gjenezës, rruga për të cilën janë flijuar shumë brezëri, për të realizuar të arsyeshmen, pa e cenuar aspak të drejtën e askujt, por mbi parimin e respektit të së drejtës së vet për të qenë i lirë në mesin e të lirëve, e në këtë rast për t’u finalizuar vullneti i kombi Shqiptar dhe e drejta e saj, po që faktori politikë, ai shkencorë e Akademik të ishin angazhuar në një platformë të përbashkët me gjithë elitën intelektuale shqiptare.
Për fat të keq ky nocion i vetëvendosjes në vend se të respektohet dhe të merret si model Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, na shfaqet në skenë një polik mediokër me aktor të përçudshëm të cilët mediokritizmin e tyre e vënë në interesat e ngushta që aq më tepër e bënë të shëmtuar të sotmen dhe vijimin e të së ardhmes. Ndonëse kjo filozofi e mjerë e këtyre mediokërve, apo nocioni mbi vlerën e shtetit të cilët e zhvillojnë në kushte tetë të kundërshtueshme me vullnetin e popullit, jo që është një mençuri por thjesht një çmenduri.
Deri sa dje kemi thënë se në saje të një padrejtësie që iu është bërë kombit shqiptar nga shtriga e vjetër e Evropë, duke i cekur aktorët e lojës, si Sllavët e Ballkanin, Grek, Serb, Malazezë dhe së fundi Maqedonët, sot sikur kemi heshtur dhe në njëfarë forme po e përkrahim vijëzimin e fuqive të atëhershëm që kanë ndërhy në tavolinë, mbi hartën e shteteve, nga karriga. Me këto vijëzime tepër të mjerueshme kanë copëtuar të drejtën e kombit tonë dhe mbi të gjitha me shpatë në dorë na e kanë ndaluar të drejtën për ta kërkuar lirin për të jetuar si jetonin të tjerët. Meqë për këtë të drejtë Lidhja e Prizrenin, Mukja, Bujani dhe ndonjë tjetër kanë ngritur zërin dhe nuk kanë heshtur, por kanë lënë hapur çështjen si të pazgjedhur, në pamundësinë për ta përmbyllur në dobi të së drejtës që i takon një populli dhe konkretisht popullit shqiptarë, kanë lënë të hapur me porosi të caktuar që përpjekjet të mos ndalen deri te arritja përfundimtare e së drejtës që na takon. Mbase edhe e çuditshme, sot sikur politika jonë mbarëkombëtare i ka mbyllur sytë dhe aq më keq ku në këtë kurth të keqe kanë rënë edhe Akademitë, Universitetet, profesorët, shkrimtarët, duke përjashtuar individ, gjë që kjo nuk i bënë nder kombit, por as vet institucionin përkatës, si edhe individit në veçanti, e aq më pak zgjedhjes së përmotshëm të çështjes kombëtare në dobi të vullnetit të kombi.

Ne si popull që dimë dhe flasim e bërtasim, e duartrokasim deri në kupë të qiellit për ata... që na dalin në skenë me maska të llojllojshme, në skenën teatrale, e në atë mediatike, me fjalime pompoz, emocionues sa thua që vërtetë në këtë 100 vjetor, jubileun historik, do të na e sjellin mrekullinë e botës. Ku si “mrekulli” na flasin se si duhet të ndërrohet historia nga foltorja, ndërsa mediet e përkrahin dhe e duartrokasin, ndërsa aktorët me cinizmin e tyre qeshin, ngrehi gishtat, bërtasin fitore, fitore, në anën tjetër populli thyhet shpirtërisht, më nuk e di se kë ta quaj hero apo tradhtarë dhe si ta festoi këtë vit jubilar, 100 vjetorin e Pavarësisë së gjysmës së shtetit Shqiptar. Në vend se shteti dhe politika e saj t’i promovon sukseset dhe të arriturat e saj, na del në sipërfaqe një fenomen krejt tjetër, ndonëse edhe qëllimisht, ndoshta edhe për ta tërhequr vëmendjen nga gabimet, e qëllimta apo të paqëllimta, sikur të bënë të mendosh se diçka po trazohet në oxhakun e shqiptarisë, mbase edhe shtrohet pyetja:

A duhet të ndërrohet pozicioni i tradhtarit dhe i heroit?

Sikur kjo pyetje i ka vë në dilemë dhe siklet tërë shqiptarët, se çka po ndodhë me politikën dhe politikanët e sotëm, ku:- “...të mbytur në anarkinë morale, sociale, fetare, patriotike dhe ideale, në lëmin ku qeni s’njeh të zotin e ku gjithsecili është Zot, ku patriotizmi magjishëm shfaqet me kohë të pjesshme, ku tradhtari bëhet besnik e besniku tradhtar..., ku strukturat sociale janë në tërmet të vazhdueshëm e ku idealizmat dherosen në skuta të turpshme dhe dashakeqëse, ne mbetemi në pritje, në pritje të kolltukofagëve”. Mbase edhe është një lojë e çuditshme ku djalli nuk i bie në fije, zërat trumbetohen prapaskenës, të ndryshëm me atë të popullit se kush duhet ta mbron çështjen kombëtare dhe heronjtë e saj si psh: Hasan Prishtina Noli,Gurakuqi, Avni Rustemi, Bajram Curri e shumë të tjerë, e drejta apo tradhtia, politika poshtëruese, apo ajo që ka për synim që në emër të heronjve ta ngre çështjen e vullnetit të tyre për Shqipërinë Etnike? Apo të mbrohet politika dhe ai “heroizëm i turpesh” që në emër të politikës sllave e pikërisht të Beogradit, ka ekzekutuar shumë figurat eminente të Kombit. Ka rrëzuar dhunshëm me ndihmën e sllave qeverinë e njeriun më të dashur të kombit dhe njeriu që e solli një politik demokratin thua të parën në Ballkan, që deshi një shtet demokratik, një shtet që i ofron shqiptarët dhe ua zgjedhë problemin social, ekonomik, e ato kombëtar?
Me këtë akët makabër dhe rrëzimin e qeverisë së Nolit dhe atë të qeverisë së Hasan Prishtinës, e cila zgjati vetëm 4 ditë, dihet se kush dhe për çfarë qëllime i rrëzoi këto qeveri “mbreti Zog”, për çfarë u ekzekutua Avni Rrustermi e Bajram Curri, Luigj Gurakuqi etj, ndonëse jo që ishin kundër kombit, por përkundër ishin shtyllat kryesore të kombit të bashkuar, për këtë kishte gisht sllavizmi serb në krye me kishën ortodokse dhe akademinë e saj në bashkëpunim me bashkëpunëtorin “mbretin” Zog arriti qëllimin për likuidimin e këtyre figurave dhe vulosjen e turpit. Ku përpos këtij turpi “mbreti” pas vetes la popullin në zjarr, pa armë, bukë dhe liri, ua morri edhe lekët, e nuk i la në shërbim të atdheut, e sot pse të merakoset për të qeveria dhe kllapa e kësaj qeverisë?

Lind pyetja; Pse duhet ta përmendim këtë histori në këtë Jubile të madhe...?

Duke e parë historinë aq të dhimbshme nëpër të cilën ka kaluar dhe po kalon Shqipëria Etnike, vërtet politika shqiptare në përgjithësi, e veçanërisht ajo e Shqipërisë është dashur që për këtë jubile të madh kombëtar t’i heq dilemat ndër shqiptarët dhe të merret me qëllimin madhorë të Lidhjes së Prizrenit, luftës së Don Gjo Lulit, përpjekjeve të atdhetarëve për bashkimin e trojeve shqiptare, më një fjalë pavarësinë e shpallur më 28 nëntor 1912 të përgjysmuar ta plotësojnë të paktën me një platformë politike gjithëkombëtare, e cila do të kishte lënë hapur porosinë e të parëve që të ndjekin rruga e bashkimit të trojeve të copëtuara. Por sa duket në dukje të skenës, kjo jo vetëm që nuk do të ndodhë, po edhe aq më keq do të thellohet një përçarje e pa kuptimtë, ku do të qesh bota demokratike dhe armiqtë e përbetuar të Shqipërisë Etnike. Sepse që nga fillimi i festimit të këtij jubilari kemi hetuar një të pazakonshme në politikën shqiptare, gjë që kjo e vret çdo shqiptar të ndershëm, përpos politikanët e pandërgjegjshëm dhe karrieristët që si qëllim kishin dhe kanë përfitimin, ruajtjen e pushtetit, e aq më keq kanë tërhequr vëmendjen në atë se kujë t’i merret titulli i heroit dhe kujë t’i epet ky titull, me një fjalë ndërrim, prej atdhetari në tradhtar, e prej tradhtari në atdhetar. Ky pazarllëk i mjerë dhe qyqarë ndryshe nuk mund të quhet përpos një turp, nëse e dekoron dhe e venë në maje të piramidës Kombëtare “hero” vrastarin dhe shitësin e kombit, kjo logjikisht të bënë të mendosh se atyre që ju kemi kënduar për aq vite, thurur vargje me epitet duhet të heshtën sipas qeveritarëve të sotëm . Po e them me plotë bindje e padyshim se këto figura që e nderuan dhe e nderojnë kombin do të mbeten të përjetshëm dhe të pavdekshëm sa do të jetë kombi shqiptar, pavarësisht çfarë sehire bënë kjo qeveri, e cila mundohet ta ringjallë të vdekurin e përmotshëm në një “hero”
Me këtë do të ishte sa e ndershme dhe humane, sa burrërore dhe krenare për Akademitë dhe Universitetet tona që të ngrehin zërin kundër lojërave të pista e të paskrupullta të atyre që lozin me figurat eminente të kombit dhe në anën tjetër për interesa të ngushta, figura e zhytura t’i ven aty ku nuk e meritojnë.

Përfund uroi që në këtë jubile, vit madhështor, të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të mbizotëroi arsyeja, dashuria për një platformë gjithë kombëtar të hartuar nga historianët dhe Akademitë në bashkëpunim me atdhetarët e devotshëm, e lus që të heq dorë politika ditore, e të mos bëhet mollë e sherrit, t’i fut turit aty ku nuk i takon dhe futë përçarje.
Uroi që ky Jubile (ndonëse si shihe loja e politikës ditore do ta thyen vullnetin e popullit për qëllimet e ultë) të mbetet si një udhërrëfyese e Rilindësve, Lidhjes së Prizrenit dhe i shumë lidhjeve tjera për një platformë gjithëkombëtare, Për një Shqipëri Etnike. 

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.