e martë, 20 nëntor 2012

Ta festojmë 100 vjetori me pa ndasi politike


Xhuliana Begu

Një përvjetor  shumë i rëndësishëm për Shqipërinë e shqiptarët po afron. Pak ditë na ndajnë nga festa më e madhe e shqiptarëve: 100 vjetori i pavarësisë tonë, i Shqipërisë sonë. Në këto ditë të vjen natyrshëm një gëzim për Atdheun, e njëkohësisht ndjen një dëshpërim për gjendjen e tanishme.
Megjithatë festohet, kujtohen e nderohen të gjithë ata atdhetarë që bënë të mundur pavarësinë, e të gjithë ata burra e trima që luftuan për mëmëdhenë e tyre. Për këtë Shqipëri luftuan pafund patriotë që ta mbanin gjallë, me njërën dorë penën e me tjetrën pushkën, Shqipëria arriti t’u shpëtojë kthetrave të fqinjëve të cilët e donin të ndarë plotësisht.
Atmosfera e festes e ka mbështjellë Shqipërinë që prej fillimit të këtij viti, e veçanërisht në këtë muaj. Jemi në një 100 vjetor ku të gjithë festojnë! Duke nisur që nga nxënësit e shkollave, studentët, tregtarët, shitësit ambulantë. Festojnë shtëpitë e festojnë shkollat.
Jemi ne shqiptarët që po festojmë! Po çfarë vallë? Jemi krenarë që kemi patur 100 vjet pavarësi apo po kaq vite shtet? A e dimë ne ç’po festojmë? Më mirë pse duhet të festojmë? Rëndësi ka që të festojmë!
Festojmë arritjet e këtyre 100 viteve. Festojmë që kemi gjysmën e tokave jashtë, festojmë që kemi drita dhe ujë (?). Festojmë që rrugët janë shtruar e lëvizim më shpejt, festojmë hyrjen në NATO, festojmë hapat e rëndësishëm të bëra në kuadrin e integrimit europian, festojmë rritjen e çmimeve, festojmë kudo! Festojmë në kafene, në ballkone, në rrugë, kudo ka festë. Kryefjala e këtij muaji: Festa!
Po mirë që festojmë, e kemi pavarësinë. Jemi shtet dhe kemi një popull që e meriton të festojë në këto ditë. Me rastin e 100-vjetorit çdo familje shqiptare është ftuar të vendosë  flamurin Kuq e Zi në ballkon, dritare, çati. E ndërsa i janë përgjigjur thirrjes, nëpër pallate vëren tek-tuk ndonjë flamur. Vihet re një mungesë e theksuar e flamujve, por një shtim i pamasë i shitësve të flamujve. E ndërsa mendoj pse nuk ka flamuj në disa shtëpi, ndoshta nuk janë patriotë. Kjo nuk mund të qëndrojë pasi në këtë atmosferë të tillë nuk mund t’i shpëtosh dëshirës e dashurisë për atdheun.
Nuk kanë patur mundësi t’i blejnë, prania e shitësve tregon të kundërtën. Më mbetet dhe një arsye tjetër: Flamurin do ta vënë më 28, me siguri ka nga ata që i lënë punët për ditën e “fundit”. Fjala e dytë më e dëgjuar: Flamuri!
Ka dhe diçka tjetër që  të bën përshtypje në këtë 100 vjetor. Rivaliteti mes qyteteve, ku do të kalohet 28-ta? Ka disa qytete në garë që kryesohen nga Vlora e Tirana. Ka mendime të tjera  që qyteti ku të kalohet festa të jetë Prizreni, e një opsion tjetër dhe domethënës është Morina.
Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë do të udhëtojnë drejt këtyre qyteteve për të festuar me bashkëkombësit e tyre, e një pjesë tjetër do të mbetet në qytetin e tyre, sërish duke gjetur një mënyrë për ta kaluar sa më bukur këtë ditë. Të gjithë do festojnë, me të vërtetë gëzim!
 E të gjithë do festojnë nën ngjyrat e një flamuri. Besoj që kjo është më e rëndësishmja. Të gjithë shqiptarët që nga Mitrovica e në Çamëri do të vishen kuq e zi. Nuk duhet të ketë ndasi partiake, jo për këtë ditë.


Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.