e enjte, 8 nëntor 2012

Të jemi realistë, e të kërkojmë të pamundurën


Xhuliana Begu

Ideja për të hedhur disa mendime të letër të vjen natyrshëm, sheh realitetin mendon, gjykon e vendos të mbledhësh ato ide që gëlojnë në brendësi. Vendos të shprehësh indinjatën e keqardhjen për këtë brez ku bën pjesë, për këtë realitet që të përket e njëkohësisht nuk të përket. 
Student! Të qënurit student në Shqipëri nuk duket të jetë më luks. Të gjithë e gjejnë mundësinë të jenë student në një universitet qoftë privat apo publik. Studentët i gjen ngado, në rrugë, në shtëpitë e tyre, nëpër kafene, e një numër më të vogël në bibliotekë. Ka kaq shumë studentë, sa të krijohet përshtypja se e gjithë rinia shqiptare ka zbarkuar nëpër dyert e universiteteve e qëndron aty e patundur, duke parë sesi kalon para tyre koha pa u shqetësuar për këtë fakt. Rrinë, presin të ndryshojë diçka ose që gjithçka të vazhdojë njësoj, pa kuptuar se mbartin me vete shpirtin rinor, shpirtin e ndryshimit. Pa kuptuar që koha u rrëmbehet ndër sy. Janë të lumtur që janë studentë e kaq u mjafton.
Fakti që je në universitet nuk do të thotë asgjë për aq kohë sa ti nuk e di pse je aty. Shumica prej nesh (studentëve) shkojnë aty pasi u kanë bërë një lavash truri: “Shiko se duhet një diplomë, duhen studimet e larta po e marrin të gjithë një diplomë ti pse jo?” Merre një diplomë se është në modë. Por harrojnë t’i bëjnë vetes pyetjet: ku? Si? Çfarë? Ku do të shkojmë kaq e kaq mijë studentë? Si do të arrijmë të ardhmen për të cilën flitet kaq shumë? Çfarë do të bëhet me të gjithë këta studentë? A do të marrin përgjigjen e duhur investimet e kryera në vite? Të studiosh do të thotë të investosh. Të investosh në kohë, në para e mbi të gjitha në dije. Sa keq që ky sistem po u vjedh kohën të rinjve! Zemra e një vendi të shëndoshë janë punëtorët, artizanët, mekanikët. E ku janë këta? Janë duke studiuar për t’u bërë “askushi”. Sa keq që rinia po mbahet peng e kafeneve deri në 30 vjeç. Sorrollatu rini sorrollatu! Nuk ke faj, duhet një diplomë pasi presupuzohet që kjo diplomë është diçka e vlefshme. Por mendo, gjërat më me vlerë gjenden rrallë, diploma gjen kudo. A ia vlen investimi për një diplomë që e merr kushdo? A ja vlen të shpenzojmë kohën për dicka që i ka humbur vlera? Them se të gjithë e kanë kuptuar që është e lehtë marrja e një cope kartoni të mbiquajtur diplomë, prandaj “leksionet” më së tepërmi zhvillohen në kafene sesa në auditore.
Jemi një rini e humbur, brez që nuk ngrihet të kundërshtoje për asgjë. E nëse ekziston një grup të rinjsh të gatshëm për t’u mbledhur mbetet vetëm aq “një grup”. Pjesa tjetër vijon e pashqetësuar diskutimet nëpër kafene, a thua se nuk i prekin këto probleme. Si të reflektojë kjo rini? Si të zgjohemi e të mos mbetemi më dele që të presim drejtimin nga një bari. Duhet të jemi ne, duhet të kuptojmë se ndryshimi vjen nga ne nga askush tjetër, para kësaj duhet të ndërgjegjësohemi se ka nevojë për një ndryshim! E sistemi nuk po shkon siç duhet, hap sytë student, është kaos kudo. Faturat për t’u pranuar në universitet rriten çdo vit si për të treguar që sistemi funksionon për mrekulli.
Mos bëj të njëjtën gjë siç bëjnë të gjithë, mos prit nga të tjerët. Është koha për të bërë diçka ti vetë, po po Ti vetë! Mos u tremb para asgjëje, bëhu pjesë e ndryshimit që zanafillën e ka tek ti! E do të doja ta mbyllja me një citat: “Të jemi realistë, e të kërkojmë të pamundurën”- Che Guevara. 

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.