e enjte, 28 qershor 2012

Partitë e vogla në mozaikun e politikës shqiptare

 Alban Daci 

Në të gjitha sistemet politike, ka parti të cilat cilësohen të mëdha për shkak të përfaqësimit që arrijnë të kenë në pushtetin legjislativ, por edhe për shkak të koalicioneve qeverisëse që arrijnë të realizojnë për të marrë pjesë në nivelet e ndryshme të ekzekutivit. Gjithashtu, në sistemet demokratike, e drejta për të krijuar subjekte politike, të cilat janë në respektim dhe reflektim të ligjeve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare është e garantuar. Nisur nga kjo, në shumë vende, të cilët në të kaluarën kanë pasur mungesë pluralizmi politik, me ta fituar atë kanë krijuar lloj-lloj subjektesh politike, që herë lidhen me të kaluarat ideologjike dhe doktrinore të historisë politike e ndonjëherë krijohen me filozofi krejt të reja politike. Shqipëria për një periudhë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e gjatë e pluralizimit politik. Për këtë arsye kultura demokratike dhe tradita e partive tradicionale politike u zbehen si në jetën e përditshme politike në vend ashtu edhe në kuptimin e zhvillimit të filozofive të reja politike. Situata e pluralizmit politik u zgjidh me rënien e regjimit politik komunist, i cili për nga forma dhe funksionimi i tij, ndoshta mund të konsiderohet si sui generis në Rajon. Kështu, me të rënë regjimi dhe me t’u aprovuar pluralizmi politik, u krijuan shumë parti, disa prej të cilave kishin ekzistuar para se regjimi te vinte në pushtet dhe disa të tjera u krijuar duke kopjuar në pamje të parë atë të partive perëndimore. U krijuan parti si: Partia Republikane, Partia Demokratike, u bë transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste, Partia Legaliste, e shumë të tjera. Sot Shqipëria pa frikë mund të themi se ka një numër të jashtëzakonshëm partisë, sa mund të krijojnë teorinë, dhjetë shqiptarë= një parti politike. Lind pyetja a i bëjnë mirë shoqërisë dhe demokracisë gjithë këto parti të krijuara. Në pamje të parë patjetër po, se në teori shoqërinë e pasurojnë në alternativa dhe vizione të ndryshme. Në praktikë kam dyshimet e mia. Pse? Shumë parti në Shqipëri nuk janë krijuar për të sjellë ndryshime të mëdha sociale që lidhen me përfaqësinë reale të qytetarëve. Shumë anëtarë të partive të reja që janë krijuar sot, vijnë si drejtues të rëndësishëm të dy partive të mëdha, disa nga PD e disa të tjerë nga PS. Madje disa nga këto drejtues të partive të reja, kanë qenë jo vetëm përfaqësues të lartë të dy partive të mëdha, por kanë pasur edhe poste të rëndësishme drejtuese në institucionet e ekzekutivëve të krijuar ndër vite. Nga, kjo del qartë se shumë prej tyre, kanë krijuar parti të reja, jo sepse kishin me të vërtetë filozofi të reja politike në lidhjet me zhvillimet dhe reformat në vend. Nuk i kanë krijuar as duke u nisur nga dëshira se qytetarët meritojnë më shumë. Ata, i kanë krijuar këto parti (herë parti familjare e herë parti me një anëtarë e një kryetar) thjeshtë, sepse interesat e tyre dhe karriera e tyre për shkak të rrethanave kishte mbaruar në partitë e origjinës. Pra, aktiviteti i tyre politike nuk lidhet me interesat reale të qytetarëve për më shumë demokraci, por për qejfet dhe egoizmat e tyre personale për pushtet. Po ndiqja sot drejtpërdrejt tryezën e rrumbullakët të partive të vogla në lidhje me reformën zgjedhore. Të gjithë dukeshin qesharak. Një pjesë e mirë e tyre ishin ish PD, një pjesë tjetër ish PS, të cilët tashmë e kanë kuptuar fundin e karrierës së tyre politike dhe thjeshtë përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të krijojnë një imazh pozitiv, që tashmë prej vitesh e kanë humbur, ose ndoshta nuk e kanë pasur asnjëherë. Arsye tjetër e qesharakllikut të tyre është fakti, se disa prej tyre kanë 20 vjet që janë në krye të partive të tyre. Nuk kam dëgjuar që të kenë bërë kongrese, apo të kenë bërë zgjedhje apo ndryshime në lidershipet e tyre. Atëherë, është qesharake që këto persona me imazh të konsumuar në 20 vite të kërkojnë demokraci dhe ndryshime në vend, kur në të vërtetë ato nuk e zbatojnë demokracinë as në organizimin e brendshëm të partive që përfaqësojnë. Në këtë tryezë mungonte Aleanca Kuq e Zi. Pse? Së pari Aleanca Kuq e Zi, është parti që nuk rrjedh nga filozofitë e vjetra të doktrinave politike shqiptare. Ajo, nuk është një zgjatje apo një përjashtim i dështuar nga dy partitë e mëdha të vjetra. Aleanca Kuq e Zi, nuk bën pjesë as tek filozofia balliste, as tek ajo legaliste, as tek ajo komuniste, as tek ajo pseudo-demokratike, apo tek partitë familjare. Aleanca Kuq e Zi është Lëvizja e madhe mbarëkombëtare, e cila lind me baza identitare demokratike, me orientim krejtësisht patriotik-demokratik, dhe më përfaqësim mbarëkombëtar. Aleanca Kuq e Zi, ka thithur në gjirin e saj elektoratin e vërtetë shqiptar, i cili pa dyshim përbën shumicën, por që u përjashtuar me pa të drejtë në 20 vite tranzicion. Partitë e vogla aktuale, edhe ato të mëdha që shpejt do të jenë shumë të vogla përballë Aleancës Kuq e Zi, kanë frikë nga forca e madhe elektorale që ka kjo e fundit. Ato e dinë shumë mirë, se për shkak të politikave antikombëtare e anti-qytetare që kanë praktikuar në vitet e tranzicionit e kanë humbur tashmë besimin e shqiptarit të ndershëm që mendon dhe punon me zell për vendin e tij. Aleanca Kuq e Zi, është tashmë një realitet i qartë dhe shume i prekshëm politik. Ajo po rritet nga kontrata e sinqertë dhe dashamirëse që ka realizuar me qytetarin dhe përmes pazareve të turpshme siç kanë bërë partitë e vjetra të tranzicionit. Së dyti, edhe pse nuk ka shumë që është krijuar si parti, Aleanca Kuq e Zi nuk mund të bëj pjesë tek partitë e vogla. Kjo duke i nisur si nga fakti i përfaqësimit mbarëkombëtar, ashtu edhe për nga numri i të anëtarësuarve. Për këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk konsiderohet një parti e vogël dhe nuk mund të marr pjesë në një tryezë të organizuar nga këto parti. Së treti, filozofia e Aleancës Kuq e Zi është krejt e ndryshme dhe bie ndesh si me partitë e vogla ashtu edhe me dy partitë e mëdha të vjetra. Aleanca Kuq e Zi, ka parim të rëndësishëm limitimin e mandatave. Nisur nga kjo, Aleanca Kuq e Zi nuk mund të ulet në një tryezë, ku kryetarët e atyre partive kanë mbi 20 vjet që mbajnë postin e kryetarit, pa respektuar asnjëherë rotacionin demokratik. Së treti, Aleanca Kuq e Zi ka objektiv të madh, real, Bashkimin Kombëtar. Për këtë arsyeje Aleanca Kuq e Zi, nuk mund të ulet në tryezë me parti, të cilat, jo vetëm, nuk e kanë këtë kauzë, por pashkak të kaluarave të tyre, jo rrallë herë janë bërë hapur pengesa që Bashkimi Kombëtar të realizohet. Së katërti, Aleanca Kuq e Zi, ka si filozofi të rëndësishme reformimin e gjithë sistemit politik. Nëse nuk reformohet ky sistem, atëherë vendi do të vazhdojë të lundrojë në ujërat e tranzicionit politik, ekonomik e social. Përsa kohë do të kemi një sistem të vjetër politik, i cili si në filozofi ashtu edhe në terren mendon dhe punon për interesa të ngushta dhe jo për interesat gjithëpërfshirëse të qytetarëve, vendi do të vazhdojë të jetë një dele e zezë, i pa integruar në strukturat e BE, i pa bashkuar dhe me probleme të mëdha ekonomike e sociale. Për Aleancën Kuq e Zi, partitë e vogla apo të mëdha të sistemit të vjetër politik shqiptar, përfaqësojnë tashmë të kaluarën dhe për rrjedhojë nuk mund të jenë më as protagonist e as aktor të rëndësishme për të bërë procese e reforma të mëdha në shërbim të shqiptarëve e Shqipërisë. Ato, i patët të gjitha mundësitë gjatë gjithë tranzicionit, por nuk bënë asgjë, sepse ishin të kapur pas interesave të ngushta klanore. Aleanca Kuq e Zi, kërkon një reformë zgjedhore që nuk diskriminon asnjë subjekt politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kenë shanse të barabarta në garën elektorale. Gjithashtu, duhet të bëhet kujdes që fondet e buxhetit shtetëror të mos përdoret nga koalicioni në pushtet për të bere fushatë elektorale në shërbim të interesave të tyre politike. Duhet të marr fund përdorimi i parave publike për interesa të subjekteve të caktuara politike. Kodi aktual zgjedhor, nuk nxjerrë në pah cilësitë e kandidatëve. Parimi i demokracisë në Greqinë e Lashtë, ishte të zgjidhen me të mirët për të qeverisur sa më mirë në interesin e të gjithëve. Sot, sipas këtij kodi, mund të bëhet deputet edhe një “antikapat”, që nuk din as të shkruaj e as të flasë, por mjafton të jetë në numrat e parë të listave të partive të mëdha. Pra, sipas këtij kodi zgjedhor, nuk kemi një konkurrencë shumë dimensionale demokratike, ashtu siç duhet të ndodh në të vërtetë, por kemi fasada demokratike me fizionomi të brendshme krejt anti-demokratike. Kandidatët nuk paraqiten para zgjedhësve për t’u zgjedhur, por ato thjeshtë delegohen dhe emërohen në të njëjtën kohë. Ka ardhur momenti të bëhet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që ngjall konkurrencën e ndershme demokratike. Gjithashtu, problem tjetër i madh në Shqipëri gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ka qenë fakti, se vota e qytetarit nuk ka shkuar atje ku ai ka vendosur, por ku kanë vendosur subjektet politike ta vendosin. Është koha, që edhe Shqipëria të ketë numërimin elektronik të votës, i cili nuk duhet të menaxhohet nga asnjë subjekt politik shqiptar. Garant të këtij procesi duhet të jenë institucionet ah hoc të BE si dhe organizmave të tjerë perëndimor që kanë një eksperiencë të gjatë e të suksesshme në këtë fushë. Nëse nuk realizohet reforma zgjedhore, Shqipëria do të vazhdojë e dëshpëruar të lundrojë ndoshta pa afat në ujërat e tranzicionit politik, ekonomik e social.

e mërkurë, 27 qershor 2012

VARIANTI TJETËR I ORIGJINËS SERBE SIPAS SHKENCËS SHQIPTARE



VARIANTI TJETËR I ORIGJINËS SERBE SIPAS SHKENCËS SHQIPTARE
Qarqet serbe akoma i shqetëson bomba demografike e shqiptarëve në Kosovë edhe pse Kosova  as me 2012 nuk i ka jo 4,2 madje as 2 milion banore. Pse kur statistikat e nxjerra nga ekspertet ndërkombëtare të FNKK-së, duhej të ishin të sakta! Kjo dëshmon se lufta e fundit nga Kosova ndoq mbi 1. milionë banorë në të katër anët e botës…

Shkruan: Qerim Pllana

Politika e udhëhequr sa më gjatë në histori, me nënshtrime dhe përulje të sovranit, intelektualëve dhe shtresave të përgjumura, mundëson tirani deri në formën skizofrene. Çdo popull ka elitën e cila mësohet për t`u nënshtruar për gjithçka dhe për çdo gjej. Kjo vlen si për pushtuesin njësoi për të nënshtruarin. Dhe sa më gjatë vazhdojnë nënshtrimet okupuese, aq më skizofrene bëhen përuljet, nënshtrimi, bashkë me pasojat, të cilat marrin karakter robi, si gjenezë lindshmërie nga origjina. Prandaj, origjina e çdo populli është përcaktuese e fatit të së ardhmes. Populli ose shuhet, asimilohet dalëngadalë ose zgjohet dhe kthehet atje ku e kishte hapësirën dhe origjinën në parahistori! Kjo vlen si për sllavët, ose avarët serb, aq më shumë për shqiptarët me origjinë autoktone evropiane në Pirineje  dhe  Ballkan.

Shkencat ndihmëse të historisë më rëndësi jetike për t`kaluarën e popujve
Dr. Skender Rizaj pyet dhe jep përgjigje: “Po serbët kush janë”?! “Gjykuar sipas burimeve historike të njohura deri tani, mund të thuhet se serbët me prejardhje “nuk janë sllavë, siç nuk janë autokton në Ballkan, aq më pak në Kosovës. Ani pse për këtë flasin me të madhe thuajse bota, sidomos shkenca nuk i njeh”.Për origjinën e një populli, qofshin ata edhe sllavët, rol të veçantë kanë shkencat ndihmëse të historisë sidomos: Arkeologjia dhe poçaria e filigranologjia, armët dhe mënyra e varrosjes te Ilirët, paleografia çirilike, te sllavët, diplomatika (sidomos dokumentet në latinisht dhe greqisht, kronologjia, seragjistika, heraldika, gjenealogjia, bibliografia, arkivistika, toponimia, fitonomia  etj., në përgjithësi te popujt etj.
“Serbët në të vërtetë kanë origjinë turke. Kanë prejardhje nga fisi turko-avar”.  Rreth shekullit VII, ata me shumë fise tjera turke kaluan lumin Danub dhe u vendosën  në krahun e djathtë  të rrethinës të Smedereves. Ishin si të gjitha fiset turke nomadë dhe kalorës. Z . Rizaj, thekson: “As emri serb nuk ka origjinë sllave”, është emër profesioni me etimologji iraniane-turke”. Ai pastaj shton: “Serbët para se të vendoseshin në Ballkan kanë qenë mercenar në shërbim të sundimtarëve iranian. Prej tyre ishin pagëzuar me emrin “Serbezë, serbazë”, që do të thotë të lirë nga detyrimet (taksat) shtetërore për shkak të shërbimit që bënin në të mirë të shtetit. Ky status i këtyre kalorësve (avar-serbezë, në ambientin e ri të Ballkanit u garantua edhe nga perandorët bizantin. Duket se këta avar erdhën si të krishterë si pjesëtarë të sektit skizmë-atik turq, “Mexhyxh dhe Jexhyxh”, krishterim i sh. IV-VI në (ortodoks dhe krishterë)”. Z. Rizaj vazhdon më shpjegimin e historisë të Dinastisë së Nimanajve, të krijuar në Ras (Rashkë) rreth sh. VII. Më toponimin e emrave shqiptarë të shpërndarë në Kosovë, Dukagjin etj. Gjuhën sllave, sipas z. S. Riza, Perandoria Bizantin e krijoj nëpërmjet misionarëve Qirili dhe Metodi, një gjuhë kishtare të quajtur gjuhë sllave e kombinuar nga sllavishtja, shqipja, hebraishtja, greqishtja, latinishtja e turqishtja etj. Dr. S. Rizaj, “Shqiptarët dhe serbët në Kosovë” f. q. 9-16. Tezë tjetër nga ajo që e shtron  z. M. Maçinska për sllavët prejardhjen dhe lëvizjen e tyre në tokat gjermane dhe ato ilire në jug!

Frika serbe rreth bombës demografike të shtimit të popullit shqiptarë
Shtimi i popullit shqiptarë gjatë shekullit të kaluar, për serbët ishte një si shkas për ndërmarrjen e aksioneve ndjekëse sipas programeve të Naçertanjës famëkeqe serbe.
Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq më 1980, kurse serbët me 1980, 85, 89 mbase dhe sot, tejet të shqetësuar, llogarisnin bombën demografike të shtimit enormë të popullsisë shqiptare në Kosovë. Në dëm të kthimit andej nga ishin dëbuar! Madje jo sall serbët, por edhe OKB-ja, kishte një “telashe të tillë” me shtimin e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por në hapësirën ku shtriheshin atëherë dhe sot shqiptarët. Një llogari e tillë me prapavijë politike doli e gabuar. Shtrohet pyetja, pse shqiptarët aktualisht në Kosovë nuk kanë 4.2 milionë, por as 2. milionë?!
Rreth kësaj çështje nuk ka farë dilemash për spekulimet politike, por edhe të shkaqeve dhe rrethanave, të cilat Serbia me aleatet e saj i shkaktojë Kosovës nëpër shekuj. Sidomos me ndjekjen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Toplica, Vllastenica, Surdulica etj. Gjatë dimrit të vitit 1877-1878, pra para 134-vjet. Pastaj, gjatë vitit 1912-13, kur Kosova u okupua dhe u nda nga Shqipëria Londineze e krijuar para 100-vjet. Kosova u ri-okupua nga aradhet çetnike-partizanë me politikën tradhtare fashiste serbe-titiste-rankoviçiste. Më Marrëveshjen e Jalltës, në vitin 1945 deri më 12 qershori 1999, kur Kosova brenda kufijve të saj  deri tani u pranuar nga 90 e sa shtete dhe nga GJND-ja, pos akoma  s`është sovrane!

Heqja e  autonomisë të Kosovës dhe Vojvodinës me “Jogurt-revolucion”
“Pas 20-vjetësh Kosova do të ketë 4,2 milionë shqiptarë. I propozohej protektoratit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që do të zgjaste dhjetë vjet. “Në vitin 2006 sipas një propozimi të hartuar nga një forcë punuese shqiptare në Kosovë, do të “shpallej referendumi”, me të cilin populli do të vendoste vetë për fatin e tij”. Kështu thuhej sipas një prognozomi fodullë të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq. Kurse pas një studimi të tillë fshihej diplomacia më strategji antishqiptare të kohës makabër. Ku lloji “elaborati” doli nga Gjeneva me 19 tetor të vitit 1997. Në të vërtet ishte sintezë e përpunuar dhe e nxjerrë nga Naçertanja e V. Pellagiqit,  V. Qubrilloviqit, I. Andriqit, për t` vazhduar nga babai i kombit serb D, Qosiqit me komani në “Francuska 5”, duke nxitë dhe duke helmuar popullin serb kundër shqiptarëve, madje kundër të gjithëve jo serbë, në ish-Jugosllavinë titiste, për krijimin e Serbisë së Madhe, nga Adriatiku në detin Egje, nga Subotica në Selanik!
Pra sipas studimit të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe ardhmërisë së Kosovës, thuhet se Kushtetuta e re e Jugosllavi-Serbi e vitit 1990 ishte aprovuar me qellim, duke pasur si objektiv çështjen e Kosovës. Ajo kushtetutë në realitet zëvendësoi Kushtetutën e vitit 1974, të urryer nga klasa politike shovinistet, kisha dhe akademia serbe, duke u mbështetur në filozofinë fashiste të Naçertanjes, dhe duke ringjallur nga babai i kombit serb, D. Qosiq, M. Kapor, V. Kushtunica, V. Sheshel. V. Drashkoviq. T. Nikoliq president aktual i Serbisë, LSHS, Akademia dhe në veçanti Kisha serbe në krye me z. Pavle, instruktor i skizofrenit S. Milosheviqit, (prindërit e të cilit, thuhet se kanë bërë vetëvrasje si edhe i biri në Hagë)! Këta njerëz në krye me kryekriminelin zhveshën Kosovën dhe Vojvodinën, duke ua marrë autonominë që e posedonin nga viti 1974. Kjo babëzi ndodhi me të ashtuquajturin “Jogurt Revolucionin”, në realitet ishte shfaqja fashiste e krerëve nacional fashist serb. Prandaj, Kongresi i VIII i radhës i LHJ, nuk u lejua të mbahej kurrë më, pas të VII, i cili ishte mbajtur në tetor të vitit 1975 në Novi Sad. Ku shpërtheu i ashtuquajturi revolucioni i “Kosit, apo “Jogurt Revulucia”, siç u fut  si emërtim në historianë  e  miteve serbe. Ngase, kundërshtarët në mitingje, sidomos në Novi-Sad, gjuheshin me jogurt, kos e domate..!
S. Milosheviqi në fillim kinse “garantoi”, do farë të drejta për të gjithë qytetarët pa i përcaktuar kombet as kombësitë, komunitetin e as regjionet e caktuara, për të cilat do të përgatit luftën e re për krijimin e Serbisë së Madhe. Nga e cila luftë shkaktohen gjenocid dhe etnocid i paparë mbi popujt jo-serb. Kosova dhe Vojvodina mbetën përcaktim, pra pa status juridik. Shqiptarët u shndërruan në minoritar. Kështu, Kushtetuta e re, u bë burim i nacionalizmit dhe shovinizmit serb dhe fillim i krizës politike i përgatitjes së shkatërrimit te të gjitha ish-jugo-serbo-sllavive, nga MSKS 1918, çështje që kishte të bënte me nënshtrimin e shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve dhe ndjekjen e tyre për krijimin e  Serbisë së Madhe.

Qëllimi i luftës së fundit serbe(1991-1999) krijimi i Serbisë së Madhe
Pas gjithë këtyre ndryshimeve qëndronte Beogradi me gjeopolitikë jo mirë të vlerësuar nga ndërkombëtaret, duke dalë në përpjekje për të shpëtuar Jugosllavinë. Por, në dëm shumë të madh të pësimeve të popujve në gadishull. Ide të tilla nga ndërkombëtarët vonuan ndikimin dhe intervenimin, prandaj pësimi do t`u takojnë popujve të pambrojtur sidomos shqiptarëve në Kosovë. Milosheviqi u armatos, duke bartë tërë armatimin dhe logjistikën ushtarake Jugosllave në vende specifike, nga do të sulmoheshin Kroacia, Bosnja e më pas Kosova. Madje, ai u pajisë me armatim të sofistikuar nga një pjesë e botës arabe, Rusia dhe aleatët tjerë.
Pra përkundër presionit të diplomacisë ndërkombëtare kundër Milosheviqit, që t`u rikthente autonomin Kosovës, më pak flitej për Vojvodinën, Serbia filloi aksionet luftarake nga Sllovenia. Dy republikat veriore shpallën pavarësitë siç i quanin të njëanshme. Serbia marshoj drejt veriut e më pas në Bosnjë. Theksohet nga analist të ndryshëm se Kosovës iu morr autonomia si shkas i demografisë (shtimit “enormë” të popullsisë shqiptare e cila kishte arrit në 90 për qind të tyre në Kosovë)
Kjo nuk qëndron, sepse qëllimi i luftës fashiste serbe, ishte krijimi i Serbisë së Madhe. Mund të ishte vetëm njërin nga shkaqet, por kur sesi kryesorja edhe pse theksohej se vetëm gjatë vitit 1981-1991 numri i shqiptarëve etnik në Kosovë ishte rritur për 41,6 për qind. Në bazë të kësaj statistike, shqiptarët brenda 20 vjet numrin e tyre do ta dyfishojnë në 4,2 milion banorë. Për çudi theksohej nga një studim ndërkombëtar, mbase pas ishte OSBE, duke i nxitur kështu elementet nacional-fashiste serbe në Beograd. Kështu theksohej se serbët janë të vetëdijshëm për faktin e bombës demografike, prandaj u insistua nga regjimi kohës që refugjatet serb të ikur nga luftimet në Kroaci dhe Bosnjë, të dërgohen në Kosovë, si një lloji “baraspeshe”, siç u veprua në mbështetje të teorisë të V. Qubrilloviqit si ministër i migracionit të vendosjes të serbëve në territore në veçanti në Kosovë, Likë e Kordunë, Vojvodinë etj. Kolonizimi i refugjatëve nga Kroacia dhe Bosnja në Kosovë solli reagimet e para, duke u përgatitur për mbrojtje, respektivisht për luftë.

Aty-këtu kishte reagime dhe nga ndërkombëtarët për çështjen demografike
Nga studiues të ndryshëm ndërkombëtar, pat reagime për krijimin e gjendjes dhe ndryshimin demografik më veprim të represionit, forcës dhe pasojave të mundshme, që në të vërtetë ndodhën. Duke i parë këto rrjedhime dhe vlerësime  të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, sidomos për çështjen demografike, shtimin e popullsisë etnike në Kosovë,  atëherë dhe sot, gjendja aspak nuk është vlerësuar  si e saktë, ndonëse frika ishte shtuar tek elementet shoviniste serbe. Ja seç thuhej: “Serbët janë të vetëdijshëm për faktin e shtimit të popullsisë enorme shqiptare si një bombë demografike, prandaj edhe është insistuar nga “regjimi jugosllav”, që refugjatët serbë të ikur nga luftimet në Bosnjë dhe Kroaci, të instalohen në Kosovë për kolonizimin të satin më radhë të banuar me shqiptarë”! Pas kësaj teze fshihet përgatitja për ndjekje përfundimtare të shqiptarëve nga Kosova etnike…
Regjistrimi i fundit i vitit të kaluar, i papërfunduar profesionalisht dhe i sabotuar publikisht u bë edhe nga qarqe ndërkombëtare! Teza se numri i shqiptarëve në 20 vitet e ardhshme, pra pas (6) vjet deri te kjo datë apo vit, do të jetë 4,2 milion, fare nuk ndodhi!. Sepse, llogaritet se Kosovën e kanë braktisë nga skamja, lufta dhe mizorit tjera brenda Kosovës së re, mbi 1. milionë shqiptarë. Në botë sot ky shtet, ka  bashkë më Shqipërinë jo më 1. milionë refugjatë ose të emigruar, por gjysmën e kombit. Mbase ky numër mund të arrijë në 10-15 milionë në të katër anët e rruzullit tokësor. Që do të thotë se regjistrimi i fundit i popullsisë i lejuar dhe i mbikëqyrur nga faktor gjegjës të BE-së, dhe faktorëve vendor në Kosovë edhe për shkaqe spekulative të tatimeve në  qarkullim të pronave të patundshme biznesmenëve dhe politikës miope u sabotua. Për çka të dhënat e publikuara jo zyrtarisht e dëshmojnë katërçipërisht të dështuar! Tri vjet rresht u bënë përgatitjet e regjistrimit të popullsisë, mbase për hir të fqinjëve në rajon, përfitimeve në biznes, pronë të patundshme etj., regjistrimi u falsifikua dhe marrëzisht dështojë! Këso dështime lejon bashkësia ndërkombëtare me shqiptarë në Maqedoni, përzihet në Shqipëri, manipulohet numri i shqiptarëve në e Serbi dhe Mal të Zi!
Kurse analizat dhe studimi Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, (FNKQ) dolën të mos jenë as për së afërmi të vërteta. Jo pse Kosova gjatë luftës humbi diku afro 14.000 viktima, por se Kosova i humbi mbi 1. milion banorë (refugjatë), të cilët sot gjenden në të pesë (5) kontinente e botës. Megjithatë përgjegjësve nuk ju vjen as turp, pse Kosova sot nuk i ka jo 4,2 milion, por as dy milion banorë! Që do të thotë Kosovës iu shkaktuan aq humbje të madhe në njerëz, si Bosnjës dhe Kroacisë së bashku! Prandaj për këto humbje Serbia është fajtore, përgjegjëse dhe si e tillë duhet dënuar dhe ndëshkuar njësoi si me gjenocidin dhe etnocidin që ju shkaktua, jo sall Kosovës.

Programi i Naçertanjës mbetet fund e krye një projekt antinjerëzor!
Naçertania me programin e vet është anti-humane dhe shumë anti-civilizuese. Projekti dhe sinteza e mbështetur në teorinë e cila rrjedhë nga ajo, është politikë e vazhdueshme e mbështetur në program antinjerëzor kundër të gjithëve, në veçanti kundër shqiptarëve. Sepse në mbështetje të projektit shfarosës shqiptarëve u solli dëme të pakthyeshme. Prandaj, më asgjë madje as më dialog apo çfarëdo bisedimesh me Serbinë, pa kushtëzime, përfundimisht pa heq dorë nga hegjemonizmi, fryma antishqiptare, përzierja e saj në territorin e Kosovës së përgjysmuar dhe të penguar për zhvillim, prosperitet dhe ribashkim, nuk duhet të zhvillohet kur farë dialogu. Sepse vetëm bashkimi i ndërprenë  egot famëkeqe të Serbisë hegjemoniste. Kur qeveritë dhe politika e tyre deklarohen tash e 13-14 vjet: “Nuk do ta pranojmë kurrë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Më në fund kjo është nxitje për bashkim-ribashkim të shqiptarëve, Kosova me atdheun e saj Shqipërinë! Fundja këtë e imponon projekti  babëzi e antinjerëzor i Naçertanjës…
Politika shqiptare deshi apo jo, do të jetë e detyruar t`i rikthehet kërkesës së sovranit për sovranitet, siguri, demokraci dhe zhvillim të domosdoshëm ekonomik. Sepse sovrani është ai, i cili vendos për sovranitet, bashkim-ribashkim kombëtar. Kur sesi grupet apo një grusht njerëzish të ardhur në pushtet me ndihmën e politikës demagogjike të Brukselit. I cili mbanë t`njëjtat pozicione ndaj shqiptarëve, si para 134 vjet, si dje dhe sot! Bashkë me fqinjët sllavë, serbët, maqedonasit dhe malazezët. Kjo tani shihet nga qielli, se shqiptarët pothuajse në konditat specifike aktuale politike, diplomatike dhe gjeostrategjike, pothuajse s`kanë përfituar asgjë. Lavdërimet se shqiptarët kanë dy shtete është absurd i llojit të vet historik.
Kjo bëhet sall për t`i mbajtur pozitat e fituara me demagogji, qoftë në Shqipëri, Kosovë, sidomos në Maqedoninë shqiptare. Kështu u heq dorë nga finalja imanente kombëtare për bashkim-ribashkim, zhvillim, simbole, siguri dhe qëndrim në tokën e vetë mira vjeçare dardane-ilire. Kjo s`mund të quhet ndryshe pos politikë skizofrene jo sall aktuale shqiptare! Prandaj, origjina e popujve është përcaktuese e fatit të së ardhmes të çdo populli, dhe të shqiptarëve me historinë e tyre të bujshme. Por akoma të parealizueshme si një tërësi unike, kompakte, bashkuese më një shtet, një komb, një histori, stemë, flamurë dhe himn  etj. si popujt dhe kombet tjera kudo në botë  Së fundi, pa e njohur të kaluarën, pa e respektuar historinë  e qenies dhe origjinës, fare lehtë mund të mos kesh të ardhme. Pa e kuptuar historinë, rrjedhat e saj edhe të popujve fqinjë në rajon, fare lehtë mund të pësosh. Sepse, politika tiranike-skizofrene e papërfillshme bartë rreziqe te çdo komb, pse jo dhe për shqiptarët e rrethuar me sllavë, serbë, malazezë bullgarë-maqedonas dhe grekë. Prandaj, kërkesa imanente e kombit për ribashkim kombëtar është alfa dhe omega!
                                                                 
(Autori i njohur për opinion dhe masmedia kombëtare) Qershor-korrik, 2012

e mërkurë, 20 qershor 2012

Ka ardhur koha për reformim në arsimin e lartë

Alban Daci*

Po qarkullojnë zëra, se edhe presidenti i sapo zgjedhur na paska ble një diplomë masteri false. Nuk dua dhe nuk arrij ta pranojë një gjë të tillë, sepse kjo do të tregonte disa anë negative të nivelit tonë arsimor. Së pari, se marrja e titujve të ndryshëm akademik në Shqipëri është bërë më shumë se një domosdoshmëri për të rritur vlerat personale akademike dhe për të rritur nivelin akademik në shërbim të vendit, një modë e shëmtuar. Në Shqipëri, me përjashtim të çdo vendi të Botës, të duhet apo nuk të duhet, e justifikon apo nuk e justifikon, një master apo një doktoraturë duhet ta kesh, se ndryshe nuk je gjë, dhe nuk futesh në grupin e “elitës” intelektuale. Në Perëndim, duke qenë se i gjithë sistemi arsimor është bazuar vetëm mbi principin e meritokracisë, për çdo titull që merr duhet të djersitësh shumë. Për këtë arsye, çdo diplomë e marrë ka vlerësimin dhe respektin e saj maksimal. Gjithashtu, jeta në Perëndim është shumëdimensionale, si në aspektin e fushave të veprimit jetësor, ashtu edhe në faktin, se është shumë e vështirë që të gjithë të arrijnë të kryejnë studimet universitare, apo pasuniversitare. Në Europë, për shembull, jo të gjithë arrijnë të kryejnë studimet e larta dhe jo të gjithë e kanë të domosdoshme kryerjen e studimeve të larta. Profesionet e mesme janë shumë të domosdoshme dhe efikase. Për shembull, në Itali, shumë të rinj mbarojnë shkolla të mesme për shef kuzhine, për turizëm dhe hoteleri, për mekanik, hidraulik, elektricist dhe gjeometër. Të gjithë, që mbarojnë këto profesione të mesme, jo vetëm ndjehen krenar për titullin e përfituar me djersë e mundë, por arrijnë të sigurojnë një jetë të garantuar profesionale, të respektuar nga qytetarët dhe të mirëpaguar nga punëdhënësit. Pra, nga kjo del e qartë se jo të gjithë duhet të jenë doktorë shkencash për të siguruar një jetë të mirë dhe për të qenë të respektuar në shoqëri. E kundërta ndodh vetëm në Shqipëri, ku shumë persona në letër bëjnë një, dy ose më shumë universitete të larta, të cilat, të gjitha së bashku nuk kanë vlerën as sa një diplomë e vetme me rezultate të dobëta të mbrojtur në një universitet perëndimor. Duke qenë se mbrojtja e një diplome universitare në Shqipëri është bërë qesharake për nga serioziteti akademik dhe për faktin se mjafton pak para për ta blerë, atëherë plot injorantë të pasuruar në mënyrë të paqartë në periudhën e tranzicionit kanë filluar të marrin një, dy, tre diploma dhe t’i vendosin në muret e shtëpive dhe zyrave si trofe të pamerituara. Po të marrim në fjalë rastin e Presidentit Nishani: me sa kam kuptuar ai kishte një karrierë të merituar në profesionin e tij të parë, nga i cili kishte arritur të bënte edhe një karrierë të mirë politike. Atëherë, pse ky qytetar duhet të merrte një diplomë të dytë të panevojshme dhe për më tepër false, të pamerituar? Gjithmonë, e marrin rastin sikur ai të ketë marrë një diplomë masteri false, siç po komentohet në medien e shkruara. Sepse, thashë të kesh sa më shumë diploma, qoftë edhe të pamerituara është bërë modë, në kuptimin nëse nuk i ke nuk je “vip” dhe nuk bën pjesë në grupin e njerëzve të “mençur” të shoqërisë shqiptare. Nuk di ndonjë rast të ndonjë vendi të Botës që mençuria të matet me numrat e diplomave që dikush ka në mur. Çdo njeri matet sigurisht për diplomën që ka marrë me meritë, por më shumë matet nëse ai arrin të lë gjurmë në shërbim të komunitetin në fushën në të cilën ka marr diplomën universitare. Si mund t’i quash njerëz që kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare, persona që kanë titull akademik dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht dhe nuk kanë trajtuar asnjë temë të nxehtë të shoqërisë ose të komunitetit për t’i gjetur një zgjidhje pozitive dhe në shërbim të gjithëve. Ka shumë të rinj shqiptar që kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në Perëndim dhe e dinë shumë mirë se sa e vështirë është dhe sa punë e djersë duhet për të marrë një diplomë të çdo niveli qoftë. Së dyti, se niveli arsimor shqiptar është jashtë çdo standardi dhe krejtësisht informal. Nuk arrij ta shpjegoj faktin se Ministria e Arsimi duke qenë dëshmitare e disa skandaleve si ai i Umberto Boss-it, duke ditur mirë situatën e mjerueshme në të cilën ndodhet arsimit i lartë dhe jo vetëm nuk reagon, por nuk arrin ose nuk dëshiron të paraqes një platformë konkrete për ta nxjerrë nga ky qorrsokak, ku ndodhet aktualisht. Arsimi i lartë shqiptar, si privat ashtu edhe shtetëror, është krejtësisht jashtë çdo standardi. Për shembull, në disa universitete private, në kundërshtim me Kartën e Bolonjës, pedagogët dhe studentët detyrohen nga administratorët të bëjnë botime shkencore si dhe të paguajnë para për çdo botim të realizuar. Si mund të tolerohet një gjë e tillë. Njeriu, pavarësisht nga profesioni që bën, duke përjashtuar rastet e punës vullnetare të vullnetshme, duhet të paguhet për punën që bën dhe jo të paguaj. Gjithashtu, po në universitetet private, dihet tashmë fakti, se të gjithë diplomohen kundrejt pagesave. E mjerueshme është situata edhe në universitet publike, të cilët janë të mbushur me korrupsion. Shumë studentë duhet të paguajnë shuma parash për të kaluar provimet. Problem tjetër i madh është rekrutimi i stafit akademik, i cili është krejtësisht jo profesional, por bëhet mbi bazën e parave, nepotizmit si dhe emërimeve politike ose klanore. Gjithashtu, duhet theksuar se prodhim akademik i profesorëve apo pedagogëve është në limitet e zeros. Kemi plot njerëz që mbajnë mbi supe për vite me radhë tituj akademik dhe që nuk kanë shkruar asnjë libër, asnjë punim shkencor. Problem, tjetër i madh është fakti se shumë persona, të cilët punojnë në mësimdhënie në universitet private ose publike, jo vetëm nuk e meritojnë në bazë të kritereve akademike, por nuk kanë as respektin më të vogël për profesionin e shenjtë që bëjnë. Mungojnë në shumicën e ligjëratave, nuk janë të disponueshëm për konsulenca me studentët. Profesorët në Europë shquhen për horizonte të larta akademike, për thjeshtësinë njerëzore dhe për dashurinë e madhe që kanë për dijen. Ndërsa një pjesë pedagogësh ose profesorësh në Shqipëri, të ngjajnë me rrugaçë të vërtetë, që nuk kanë as etikë e as pamje prej personi që përfaqëson dhe shpërndan dije. Sistemi ynë arsimor ka nevojë për reformim të thellë që të jetë i niveleve dhe standardeve europiane. Së pari, duhet të krijohen pedagog me tre lloj kontratash: - Me kohë të plotë, që duhet t’i dedikohen vetëm mësimdhënies dhe të mos ushtrojnë asnjë profesion tjetër alternativ. - Me kohë të kufizuar (Part -Time), i cili ka një numër të caktuar orësh për të dhënë. - Kërkues shkencor. Persona të cilët kanë të gjithë titujt e domosdoshëm akademik, por merren vetëm me kërkim dhe prodhim akademik. Së dyti, rekrutimi i pedagogëve duhet të bëhet përmes principit të meritokracisë. Duhet të rekrutohen si në universitet private ashtu edhe në shtetërore mbi bazën e CV më të mira dhe të konkurseve të organizuar nga stafet akademike. Duhet të kemi parasysh, pa i paragjykuar të gjithë, se një pjesë e mirë e pedagogëve të vjetër i kanë marr titujt me partishmëri dhe me dyfletëshe. Gjithashtu, kemi plot raste, ku shumë persona kanë mbaruar për diçka dhe japin mësim për diçka tjetër. Nuk mund të lejojmë persona që kanë mbrojtur doktoraturën për muzikë të japin mësim për marrëdhënie ndërkombëtare. Gjithashtu, sot ka plot të rinjtë të diplomuar jashtë me rezultate të larta, të cilët nuk mund të japin mësim dhe të sjellin risi nëpër universitet shqiptare, sepse vendet e tyre janë të zënë nga profesorët e literaturës së vjetër që nuk pranojnë as të dalin në pension. Së treti, problem madhor për universitet publike dhe private është se nuk kanë asnjë potencial të prodhimit akademik. Në universitet shqiptare akoma jepen leksione me fletë dhe paçavure të cilat nuk kanë asnjë vlerë akademike. Ka ardhur momenti që universitet të stimulojnë dhe të investojnë në kërkimin shkencor dhe në prodhimin akademik. Në gjithë universitet perëndimore për çdo argument ka tekste alternative për çdo lëndë, kurse në Shqipëri ndodh që në shumicën e rasteve të kemi libra të kopjuar keq nga pedagogët, të cilët ua japin studentëve mbi bazën e shantazhit për marrjen e provimit. Së katërti, problem i madh është edhe fakti se nuk respektohet aspak e drejta e autorit. Duhet të ndalohet vjedhja e informacionin. Nëse duam të kemi një nivel universitar europian, duhet të kemi si në gjithë botën respektimin e të drejtës së autorit. Së pesti, duhet të rritet mbështetja për studentët më të mirë dhe talentet. Universitetet private dhe universitetet publike duhet të rrisin dhe duhet të vënë në shërbim bursa dhe përkrahje ekonomike për të gjithë ata studentë, ose doktorantë, që kanë rezultate të larta. Së gjashti, duhet të rriten investimet në infrastrukturë, në ngritjen dhe modernizimin e departamenteve të kërkimeve. Nuk ka universitet privat ose shtetëror në Perëndim që të mos ketë departamentet e kërkimeve për drejtimet e ndryshme të kurseve. Së shtati, duhet të rritet autonomia ekonomike e universiteteve. Megjithatë, kjo autonomi ekonomike nuk do të thotë se duhet të përkthehet edhe në autonomi përgjegjësie kundrejt Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit duhet të bëj kontrolle të herë pas hershme në të gjithë universitet për të parë nëse janë respektuar standardet. Së teti, emërimi i dekanëve dhe i rektorëve duhet të jetë kompetencë totale e çdo universiteti. Emërimi i çdo dekani ose rektori duhet të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të lira, ku duhet të votojnë si studentët ashtu edhe stafi akademik dhe administrativ i universitetit. Së nënti, duhet të rritet niveli i aktiviteteve dhe simpoziumeve si mes universiteteve shqiptare ashtu edhe mes universiteteve shqiptare dhe atyre të huaj. Duhet të jetë primar shkëmbimi i docentëve. Gjithashtu, projekti i ERASMUS, që sot në Shqipëri kontrollohet nga Ministria e Arsimit, duhet të kalojë në kompetencë të universiteteve, të cilët në marrëveshjeve me universitet e tjera europiane duhet të merren veshte dhe të bien dakord mbi kuotat me bursa dhe pa bursa. Duhet të rritet përmes marrëveshjeve bilaterale edhe shkëmbimi i studentëve dhe docentëve me universitet e SHBA, Kanadasë dhe Amerikës Latine. Së dhjeti, duhet të rritet buxheti për arsimin e lartë publik si dhe për kërkime dhe inovacion teknologjik. Rrogat aktuale të pedagogëve, janë qesharake nëse i krahasojmë me kolegët e tyre në Europë. Pedagogët me kohë të plotë duhet të kenë një rrogë mesatare prej 1500 eurosh në muaj. Rritja e rrogës së docentëve sipas gradave dhe kontratave do të rriste cilësinë në mësimdhënie. Së njëmbëdhjeti, duhet të krijohet sistemi online i të dhënave, programeve, prenotimet për provimet, për shënimet e ndryshme të kurseve si dhe për konsultime të ndryshme mes studentëve dhe docentëve të gjithë universiteteve. Duhet të krijohet një data base, ku të vendosen të gjithë të diplomuarit sipas niveleve. Kjo do të shmangte mundësinë e punësimit të personave që nuk janë diplomuar ose më keq që janë me diploma false. Së dymbëdhjeti, duhet të stimulohen nga shteti krijimi i akademive shkencore, të cilat të gjithë aktivitetin duhet ta vendos në shërbim të vendit dhe të çështjeve të ndryshme që lidhen me interesat e sfidat e vendit. Aleanca Kuq e Zi, është e vendosur të reformojë arsimin e lartë duke e bërë atë të standardeve europiane. Aleanca Kuq e Zi me të ardhur në pushtet, është vendosur t’i bëj të gjithë këto hapa të sipërpërmendur për të bërë një arsim të lartë arsimor elitar dhe shërbim të interesave kombëtare. Shqipëria bëhet, duke bërë edhe një arsim të lartë Kuq e Zi të nivelit më të lartë europian, i cili është në gjendje jo vetëm të kontribuojë në modernizimin e shoqërisë por edhe të jetë konkurrues njëlloj si të tjerët.

 *Sekretar për Arsimin, Aleanca Kuq e Zi

Tallava-politika e Hashim Thaçit dhe opozita e përgjumur

Besnik Kryeziu 

Pas Ferizajt edhe në Kaçanik fitoi PDK-ja. Në asnjërën nga këto dy komuna nuk u kontestua rezultati përfundimtar, ndonëse ankesat nuk munguan nga partitë tjera që ishin në garën zgjedhore. Nga rezultati i zgjedhjeve në Ferizaj, do të duhej një reflektim i vetë opozitës, duke analizuar shumë seriozisht arsyet që prodhuan humbje dhe të bëheshin ndryshime e assesi të vazhdohej me të njëjtat metoda, sepse metodat e njëjta prodhojnë edhe rezultate të njëjta. Kaçaniku duhet të jetë leksikoni i fundit për opozitën për ndryshime strategjike. Të gjithë e kemi të njohur arsyen e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme të këtyre dy komunave. Fitorja e përsëritshme e PDK-së në këto dy komuna, për mua hap një dilemë të madhe, dilemën se a dimë të reflektojmë si shoqëri për proceset politike dhe shoqërore. Përgjigjja, bazuar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, del JO! Nuk dimë dhe për fat të keq kemi shumë deficit në të menduarin dhe të vepruarin tonë si shoqëri për shumë fenomene që po ndodhin në mesin tonë. Këto fenomene që po vazhdojnë të jetojnë me ne dhe të mbijetojnë nga ne, janë shumë të rrezikshme për të ardhmen tonë politike dhe zhvillimin e shoqërisë sonë. Domosdoshmëria e reflektimit karshi proceseve politike dhe shoqërore është jetike për zhvillimin e demokracisë dhe kulturës politike. Kjo që ndodhi në këto dy komuna nuk duhet parë thjesht si një garë të cilën e fitoi më i miri, por duhet parë dhe analizuar nga të gjitha aspektet, si: politik, sociologjik, psikologjik, social etj. Në të gjitha shoqëritë njëmend demokratike, Partia Demokratike e Kosovës do të duhej të dënohej politikisht për qëndrimin që ka mbajtur e po mban për njerëzit e veshur me pushtet që e kanë shkelur me të dy këmbët ligjin. Dhe këta njerëz nuk janë të pakët. Shikuar nga prizmi i ngushtë partiak dhe interesat e klaneve ekonomike dhe politike, kjo fitore është, siç e tha edhe vetë kreu i PDK- së, barometri matës i skenës politike në vend. Në fakt kjo gjë nuk është dhe nuk mundet të interpretohet në këtë mënyrë, do të thosha manipulative dhe mafioze. Si në Ferizaj ashtu edhe në Kaçanik, Qeveria me tërë kapacitetet e saja u vu në mbështetje të kandidatëve të PDK-së, pra të kandidatëve të vetë Kryeministrit Thaçi. Ajo që për mua është shumë brengosëse në gjithë këtë histori, ka të bëj me proceset demokratike dhe të vetë shtetit ligjor. Të gjithë e dimë dhe e kemi të njohur se si funksionon demokracia dhe transparenca brenda partive tona politike, sidomos të këtyre që e kanë qejf të quhen “të mëdha”. Kishim dhe po vazhdojmë të kemi parti ku liderët vendosin për gjithçka, ndërkohë që organet partiake janë sa për dekor dhe përmbushje e demokracisë në dukje për konsum të publikut. Në dritën e këtyre zhvillimeve duhet të shtrohet edhe një pyetje tjetër. Kush duhet të ndryshoj, ne apo partitë politike? Partitë politike e kanë dëshmuar dhe po vazhdojnë ta dëshmojnë se nuk e kanë aspak ndërmend të ndryshojnë. Me rezultatin e zgjedhjeve në këto dy komuna edhe elektorati po tregon se nuk ka ndryshuar dhe se tendenca për ndryshim nuk duket gjëkundi. Çka paraqet kjo për shoqërinë dhe zhvillimin e saj? Kjo tregon se jemi një krizë të thellë politike dhe në një plogështi të rëndë shpirtërore, sociale dhe ekonomike. Ata që në të vërtetë do të duhej të merren me analiza të drejta, nuk po e bëjnë një gjë të tillë, sepse në një mënyrë apo tjetër janë të varur nga politika. Guximi i tyre për të vepruar dhe menduar karshi fenomeneve të shumta politike, matet me prapanicën e tyre. Sa herë u rrezikohet ajo, ata bëhen të urtë dhe bëhen zëri i qeveritarëve, duke e shkelur identitetin e tyre njerëzor dhe intelektual. E vetmja mundësi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve për të mirë është kritika e argumentuar dhe e shëndosh përbrenda të gjitha partive politike nga vet anëtarësia, duke u munduar që ndryshimi të ndodh qoftë edhe me presione të ndryshme pozitive. Duhet ta kuptojmë nëse nuk e kemi kuptuar deri tani se partitë ekzistojnë për ne dhe jo ne për parti. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do t’i sjellë asgjë të re as Ferizajt e as Kaçanikut, përveçse do ta rrisë diktaturën dhe tallava-politikën e deritanishme të Hashim Thaçit. Krekosja e tij do të vazhdoj duke na thënë se ekipet e mira nuk ndryshohen. Kjo për përditshmërinë dhe jetën tonë do të thotë vazhdim i kriminalitetit, skamjes, papunësisë, nepotizmit, haraçit, mungesës së ujit, mungesës së dritave, mungesës së cilësisë në arsim, mungesës së shëndetësisë minimale, dhe mungesës së shpresës se do të bëhet mirë! Kur njerëzit mbetën pa shpresa, ata s’janë gjë tjetër përveçse kufoma të gjalla mbi tokë. Kam frikën se kjo shoqëri është pajtuar me mjerimin e shkaktuar nga kjo Qeveri. Duhet thuhet shumë drejtpërdrejt se në të gjithë këtë proces, karshi problemeve që na rrethojnë nga të gjitha anët, ankesat nuk janë zgjidhje, por veprimet. Vetëm kur reflektojmë drejt dhe qartazi në mënyrë shumë aktive, do ta ndryshojmë të ardhmen tonë politike dhe ekonomike. Pasiviteti karshi të ardhmes politike, lirisë sonë individuale dhe kolektive duhet zëvendësuar me të qenit aktiv. Kjo sepse liria nuk është dhe nuk do të duhej perceptohej vetëm si heqje e kërbaçit pushtues ndaj nesh. Liria është shumë më gjithëpërfshirëse se sa kaq.

e hënë, 18 qershor 2012

FILOZOFIA E ÇLIRIMIT KOMBËTAR DHE TË DEKOLONIZIMIT TË SHQIPËRISË ETNIKE


FILOZOFIA E ÇLIRIMIT KOMBËTAR DHE TË DEKOLONIZIMIT TË SHQIPËRISË ETNIKE

„Çlirim është të largosh nga burgu dhe të pohosh historinë e asaj që ishte para dhe jashtë burgut prej të cilit don të ikësh”

              ENRIQUE DUSSEL


Mona Agrigoroaiei

Një filozofi politike e çlirimit të kombit shqiptar dhe të dekolonizimit të Shqipërisë Etnike është më i domosdoshme për strukturimin e ndërgjëgjësimit kombëtar shqiptar drejt objektivit të përgjithshëm të çlirimit nga pushtuesi dhe kolonizatori.
Ky studim do të jetë strukturuar në tre nënndarje:
1. Filozofia e Clirimit dhe Enrique Dussel
2.Rrethanat historiko-politike te ceshtjes koloniale shqiptare, duke nisur nga nje citat i Enrique Dusselit: "Çdo lloj të çlirimit duhet të merr në konsideratë burgun prej të cilit don të iket", ku do të analizohet historikun e pushtimit dhe kolonizimit të trojeve shqiptare, rrethanat politike aktuale, si dhe do të argumentohet pse çështja shqiptare është çështje koloniale
3.Kombi shqiptar. Midis etnosit te dominimit dhe praxis-i i clirimit drejt Shqipërisë Etnike, ku të trajtohen konceptet kryesore të vepres së Enrique Dusselit(dominim, represion, etnosi i dominimit, çlirim, praktika e çlirimit, praktika e shtypjes) "Filozofia e Çlirimit" e t'i aplikoj ne rastin konkret i gjendjes ne trojet shqiptare, duke kundervënë gjithnjë sunduesit sllavo-greke e kolaboracionistët shqipfolës me lëvizjen kombëtare që vazhdon veprimtarinë drejt shtetit te vetem kombetar shqiptar. Domosdoshmëria e këtij trajtimi nis gjithashtu nga një citat i Dusselit "Filozofia e çlirimit, si filozofi e të shtypurit dhe për të shtypurin nuk është një detyrë vetëm për mendimtarët e shteteve të Botës se Tretë. Filozofia e çlirimit mund të ushtrohet në çdo vend dhe në situata ku ka shtypje...".


  1. Filozofia e Çlirimit dhe Enrique Dussel


Filozofia e Çlirimit tek frymat e filozofisë postmoderne iu referohet zakonisht autorëve latino-amerikan, por autori themelor është konsideruar Enrique Dussel.
Enrique Domingo Dussel Ambrosini u lind në 24 dhjetor 1934 në La Paz, Mendoza, Argentina dhe është një shkrimtar dhe filozod argjentino-meksikan. Dussel u lind në Argjentinë, por nga momenti që u sulmua me një bombë në shtetinë e tij prej një grupi paraushtarak, ai u detyrua të ekzilohet në Meksikë dhe sot është qytetar meksikan.
Ai është profesor në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Metropolitan Autonom të Meksiko City.
Ai është themeluesi të lëvizjes që quhet Filozofia e Çlirimit.
Filozofia e Çlirimit e pason teologjinë e çlirimit dhe si në rastin e saj, pika e nisjes për të është tensioni midis sunduesit dhe i sunduarit: rritja e të shtypurit rezulton në tjetërsimin të tjerit.
Dussel përcakton clirimin si levizja e ripërcaktimit të alteritetit të atij të shtypur.
Një nga detyrat kryesore të filozofisë së çlirimit është të vëjë në pikëpyetje sistemin për të lehtësuar ndërtimin e një rendi të ri.

2. Rrethanat historiko-politike të çështjes koloniale shqiptare

Kjo nënndarje e studimit tonë frymëzohet nga ky citat i Enrique Dusselit: "Çdo lloj çlirimi duhet të merr në konsideratë burgun prej të cilit don të iket".
Rrethana të njëpasnjëshme historike jo të favorshme kanë qenë shkaku pse trojet shqiptare ndodhën nën sundim dhe kolonizim të huaj sllavo-grek. Sidomos moskokëçarja e Evropës Plake ndaj kombit shqiptar që në dy raste, në Konferencën e Berlinit (1878) dhe të Londrës (1913) e ka lejuar peshqesh viset shqiptare të Toplicës, Kosovës historike (Serbisë), Malësinë e Madhe (Malit të Zi) dhe Çamërisë (nën Greqi), pra më shumë se 2/3 të territorit shqiptar.

Më vonë, kur Tito e ka krijuar „Maqedoninë” si shtet artificial e për të kënaqur orekset e serbomëdhenjve, trualli i Kosovës historike u nda. Kosova Jugore (Lugina e Vardarit apo Ilirida) u përfshi brenda shtetit kolonial sllavo-maqedonas. Tito, ky vizatues i hartës së Jugosllavisë sipas qejfit të vet, kreu edhe një inxhineri tjetër demokrafike: prej trojeve te Kosovës historike shkëputi Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore) me popullatë shumicë shqiptare dhe ia shtoi tre komuna me shumicë serbe (Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi), me qëllim të përgjithshëm uljen e numrit të popullatës shqiptare dhe rritjes së popullatës serbe në Kosovën e ngushtë dhe eventualisht asimilimit të popullit shqiptar nga Kosova Lindore.

Pas luftërave çlirimtare dhe disa vjet të Protektoratit ndërkombëtar, sot populli shqiptar gjendet në dy shtete shqiptare (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, e cila ka një pavarësi të brishtë) dhe brenda shteteve të tjera koloniale si Serbia, FYROM-i, Greqia, Mali i Zi. Sot Republika e Shqipërisë është i vetmi shtet në botë që kufizohet nga populli dhe viset e saja shqiptare, nën pushtim dhe kolonizim të huaj dhe kjo është një padrejtësi të madhe.

Çështja kombëtare shqiptare ka një karakter kolonial për shkak të pushtimit me dhunë të trojeve shqiptare, politikave asimiluese dhe represive antishqiptare gjatë kohës, shfrytëzimit ekonomik të vazhdueshëm të forcës së punës dhe burimeve kryesore natyrore në qendra si Trepça të veriut të Kosovës. Prandaj, populli shqiptar nuk mund të koniderohet minoritet në shtetet ku është i pushtuar, sepse shqiptarët kanë karakterin e popullatës autoktone të kolonizuar që duhet të gëzohen nga të gjitha të drejtat e vetëvendosjes dhe dekolonizimit që gjenden në të drejtën ndërkombëtare.

  1. Kombi shqiptar. Midis etnosit te dominimit dhe praxis-i i clirimit drejt Shqipërisë Etnike

Duke iu rikthyer Enrique Dusselit, ai ka theksuar se:"Filozofia e çlirimit, si filozofi e të shtypurit dhe për të shtypurin nuk është një detyrë vetëm për mendimtarët e shteteve të Botës se Tretë. Filozofia e çlirimit mund të ushtrohet në çdo vend dhe në situata ku ka shtypje...".

Vepra themelore të Dusselit, „Filosofia e Çlirimit” teoretizon koncepte të rëndësishme për kombet të ndodhura në robëri, si: sundim dhe represion, çlirim, ethosi i sundimit, praktika e sundimit dhe praktika e çlirimit, në një mënyrë në të cilin mund të na sistematizojë edhe realitatën në trojet aktuale shqiptare dhe të na bëjë të ndërgjëgjshëm për projektin për të ardhmën e kombit shqiptar, objektivin e Shqipërisë Etnike.

Si në çdo vend të ndodhur nën pushtetin e vendeve tjera, gjendjet themelore në trojet shqiptare janë sundimi dhe represioni.
Dussel thotë: „Sundimi është akti përmes të cilit të tjerët janë të detyruar të marrin pjesë në një sistem që i tjetërson [..] Sundimi është një akt trysnie, force. Shërbyesi nënshtrohet, jashtë çdo frike, prej zakonit” [2.5.7.2.]. Më pas ai vijon: “Sundimi është shëndrruar në represion kur i shtypuri përpiqet të çlirohet prej trysnisë në të cilin vuan. I ballafaquar me gjestin që ka si domethënie qëllimin e largimit prej një situate sundimi, ai që sundon shton trysninë […] Represioni është fytyra e pamaskuar e sundimit”. Shqiptarët janë viktimat e represionit të kolonizuesve të tyre, me arrestime barbare siç janë ato në Kosovën Lindore, me dhunë dhe terror shtetëror siç është në IRJM, jo medoemos si shkak direkt i vëprimtarive çlirimtare, por si pasoje e politikës së skizofrenisë paranoide të pushteteve serbo-sllavo-maqedonase. Ata rrallë maskohen fytyrën e vet terroriste e gjenocidale, para mbulesave të ndryshme manipulative, por vazhdojnë me fushatat e dhunës fizike dhe të dënimit kolektiv ndaj shqiptarëve në mënyrë të pafshehur.

Sundimi dhe represioni lidhën në mënyrë logjike me dy koncepte të tjera: “etosi i sundimit” dhe “praktika e sundimit”.
“Etosi është karakteri moral të një populli apo personi, është tërësia strukturale e qendrimeve që paracaktojnë veprimin. Etosi i dominimit, pavarësisht nëse është imperialist apo i varur kombëtarisht rrotullohet rreth mistifikimit që i shtypuri e sjell mbi vete rreth një vetëhelmimi fizik në përgjigjë të dhunës që e vuan”, duke konisderuar se “është e pamundur për të dobtin të ushtrojë aktin e hakmarrjes kunder të fortit. Asht smira rritet si një ndërhyrje represive të pushtetit që, duke mos e drejtuar kundër sunduesit, helmon atë që është i sunduar. Është zbukuruar si vlerë durimi ose nënshtrimi ose disiplina e besnikëria. Në këtë mënyrë, të shtypurit e së djeshmës bëhen sunduesit e së sotmes, ata prezantojnë si virtyte veset e vjetra të mistifikuara”. Në trojet shqiptare ky tip të etosit të sundimit është i pranishëm për shkak të viteve të shumta të pushtimit dhe kolonizimit: etosi i të varurit të shtypur shqipfolës që vethelmohet dhe bëhet kolaboracionist i sunduesit, duke kultivuar vlera të mistifikuara si “mirëbesim”, “multietnicitet”, gjithsesi bashkëpunim me kolonizuesit sllavo-greke. Këto janë koncepte maskuese edhe pas të cilave maskaxhinjtë e shteteve terroriste sllavo-greke fshihen pas, për të pasur një fytyrë më humane para popullit shqiptar e për ta përcaktuar të qendrojë dhe të pranojë pushtimin dhe kolonizimin.

“I zoti ushtron pushtetin mbi të shtypurin nëpërmjet praktikës së shtypjes. Është një ndërmjetësim (anglisht mediation) të sistemit përmes së cilit struktura duron dhe qëndron”. Praktika e sundimit tek kolonizatorët sllavo-grekë është qeverisja me anë të terrorit shtetëror dhe manipulimi i klasës politike shqipfolëse kolaboracioniste që e ndihmon sistemin e sundimit dhe e bën të qëndrojë. Do të pohojmë se burgu ku gjendet kombi shqiptar është i errët, i thellë, por jo i padepërtueshem dhe i papërmbysshëm.

Koncepti thelbsor dhe jetik i kësaj teorie politiko-filozofike është ai i „ÇLIRIMIT”. „Filozofia e Çlirimit lëvizet në pasazhin dialektik qëe largon prej një sistemi të paravendosur dhe që hyn në një sistem të ardhshëm të çlirimit. Pasazhi dialektik lëvizet prej një rendi në të tjetrin dhe gjithe problematika është e  këputjes brenda (1) rendit të sotëm të sundimit përmes praxis-it së çlirimit (2) të një lëvizje konstruktive të rendit të ri:
(1)     Rendi i vjetër à pasazhi i Çlirimit (2) à rendi i ri (3)
(Horizonte dhe debate të Filozofisë së Çlirimit, Enricque Dussel).

Në studimin „Filozofia e Çlirimit”, autori thekson për këtë term se : „çlirimi nuk është një aksion intrasistemik; çlirimi është praxis-i që përmbys rendin fenomenologjik dhe e shpon atë që ta lejojë në një transcendencë metafizike që ështe kritika absolute e asaj që është e vendosur, e ngurosur, normalizuar, kristalizuar dhe i vdekur”(2.5.6.1.). Pra, çlirimi shkon jashtë sistemit të caktuar dhe krijon një rend të ri dhe nga moment që shtypja është e barabartë me vdekjen, çlirimi është një ringjallje. 

Filozofia e çlirimit të kombit shqiptar duhet të teoretizojë çlirimin si aksionin e domosdoshëm për të ardhmën e saj. “Rendi i vjetër” do të thotë prania e kolonizuesve në trojet shqiptare, ndarja dhe pushtimi i tyre. Në jemi duke kaluar aktualisht nëpërmjet pasazhit të çlirimit. Pas luftës çlirimtare në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë, procesi do të vazhdojë me formimin e Unionit Shqipëri-Kosovë dhe etape të tjera deri në instalimin përfundimtar të “rendit të ri”. “Rendi i ri” është një objektiv i mirë i strukturar, një proyeto (që të përdorim nocionin origjinal të Dusselit) i formimit të një shteti të vetëm kombëtar shqiptar.

Çlirimi arrihet nëpërmjet praktikës së çlirimit, autori duke e dalluar nga praktika e rutinës brenda sistemit. “Praktika e rutinës brenda sistemit është sunduese, sepse konsolidon tërësinë ekzistuese, është një aktivitet ontik ose një ndërmjetësim të thjeshtë të botës. Është praktika e konsolidimit të së vjetrës dhe së padrejtës. Praktika e çlirimit, në të kundërten, e vë sistemin brenda pikëpyetjes, jo si një pyetje të mundshme, por si një pyetje përbërëse që hap një botë. Është një punë e bërë për të tjetrin më përgjigjësi, për çlirimin e të tjerit. Praktika e çlirimit është pjellja e një rendi të ri, e një strukture të re dhe në të njëjtën kohë të funksioneve dhe qenieve që e përbën”. Praktika e çlirimit në trojet shqiptare manifestohet në mënyrë gjallëruese në trojet shqiptare. Lëvizja kombëtare shqiptare përbëhet nga disa organizata kombëtare. Mirëpo jo të gjitha janë të sinqerta, jo të gjitha ndjekin Çlirimin, ka edhe nga ata që vazhdojnë në mënyrë të verbër qëllimet karrieriste të një lideri apo tjetri. Prandaj, çlirimit kombëtar shqiptar nuk mund të përshkojë pasazhin dialektik dhe të arrijë në fund drejt realizimit tëproyeto-s së Shqipërisë Etnike pa bashkim të të gjitha forcave dhe potencialeve kombëtare. Është detyra urgjente e të gjithë udhëheqësve dhe ideologëve kombëtare të bëjnë këtë gjë dhe të eliminojnë mungësën e koordinimit dhe kaosin e bajraktarizmit brenda lëvizjes kombëtare.

Ne do ta ribëjmë Shqipërinë

Nga Kreshnik Spahiu* 

Të nderuar shkëlqesi ambasador, Të nderuar bashkëkombës kuq e zinj, Tungjatjeta, bij të shqipes, Jemi mbledhur sot së bashku për të realizuar një ëndërr, por edhe për të nisur një udhë të gjatë në çdo pëllëmbë tokë shqiptare dhe për t’u takuar e për të shtrënguar duart me çdo qenie njerëzore, e cila flet shqip, mendon shqip dhe mban emrin shqiptar. Në këtë sallë u valëvitën shumë flamuj blu e rozë, komunistë dhe socialistë, demokratë e socialdemokratë, por u harrua të flitej shqip për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne vijmë sot këtu së bashku me një dëshirë dhe një premtim për më shumë se 10 milionë shqiptarë, duke u betuar para të gjithë popullit dhe brezave që vijnë pas se: Gjer sa t’mundem me ligjrue, Dhe me frym’ gjall’ sa jam, Kurr’, Shqipëri, s’kam me t’harrue, Dhe në varr me t’përmendur kam. Si frymëzim i këtyre vargjeve lindi një vit më parë ajo që i kishte munguar Shqipërisë, një besëlidhje shqiptare e këtij shekulli të ri, e pagëzuar me emrin Aleanca Kuqezi. Një vit më parë, në mes një shoqërie në dëshpërim, rinie në trishtim, popullsie në frustrim, qeverisjeje plot zhgënjim, qeverie gjithë mashtrim, ekonomie krejt mjerim, diplomacie nën gjunjëzim, do të vinte si një pranverë për zemrat e çdo patrioti një lëvizje shqiptare në emër dhe gjenezë, e cila do të merrte me vete amanetin e të parëve. Ajo nuk solli pranverën arabe dhe as pranverën europiane, por një pranverë ndryshe, e cila u kishte munguar për 100 vjet shqiptarëve. Viti 2012 i gjen shqiptarët të jetojnë në trojet e tyre në disa shtete të ndryshme dhe dy shtete shqiptare, njëra quhet Shqipëri dhe tjetra Kosovë. Viti 2012 e gjen kombin në një situatë politike-juridike pa precedent, me disa himne, disa flamurë dhe ku, fatkeqësisht, si asnjë komb tjetër në botë, të mos dihet numri i përgjithshëm i popullsisë. Viti 2012 i gjen shqiptarët kudo që jetojnë si një nga kombet më të varfra në Europë, pavarësisht faktit se ata jetojnë në një pozicion gjeografik mesdhetar, në një tokë dhe nëntokë nga më të pasurat në të gjithë rajonin. Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë dy nga shtetet me nivelin më të ulët ekonomik në Europë, por, fatkeqësisht, edhe shqiptarët e Malit të Zi, Preshevës dhe Maqedonisë jetojnë në qytetet më të varfra në shtetet përkatëse. Viti 2012 i gjen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara në Europë. Viti 2012 i gjen shqiptarët si një geto periferike europiane, si dy vende të cilat janë përjashtuar nga proceset e integrimit në Bashkimin Europian. Viti 2012 i gjen shqiptarët sërish në ndasi politike, ku demokratët urrejnë socialistët dhe anasjelltas, ku BDI dhe PDSH shihen si armike në Maqedoni ndaj njëra-tjetrës dhe ku aktivistët e partive në Kosovë arrestohen e përleshen me policinë. Viti 2012 i gjen shqiptarët me të njëjtët liderë politikë të para dy dekadave, të cilët kanë uzurpuar karriget përpara se shumica e të rinjve kuqezinj të kishin lindur. Në 100-Vjetorin e Pavarësisë këtij kombi iu cenua integriteti territorial, identiteti kombëtar, rendi kushtetues dhe për këtë nuk duhet të fajësojmë fqinjët tanë apo kombet e tjera, por të ndëshkojmë qeverinë, e cila, fatkeqësisht, nuk mund të quhet shqiptare, por thjesht tradhtare. Për këtë arsye Aleanca Kuqezi vjen në këtë Kuvendim popullor dhe gjithëpërfaqësues për të lidhur besën për shpëtim dhe çlirim nga një regjim, i cili po na mjeron dhe poshtëron çdo ditë, që qartazi pengon bashkimin e shqiptarëve dhe, për rrjedhojë, integrimin. Shqiptarët vijnë në këtë 100-Vjetor dhe në fillim të këtij shekulli të ri me një rini tërësisht europiane, mijëra e mijëra prej të cilëve studiojnë në Romë, Londër, Nju-York. Gjithë ky brez ka një kulturë europiane duke filluar nga njohja e gjuhës angleze, italiane, franceze e gjermane dhe deri te sjellja, edukata, kultura, informacioni. Populli më proamerikan në Europë dhe rinia me qasjen më të fortë europiane kanë, fatkeqësisht, qeverisje tërësisht antishqiptare dhe që e urrejnë sistemin perëndimor të një shoqërie të hapur. Imazhi, portreti juaj dhe i rinisë shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me atë të krokodilëve të politikës dhe njeriut, i cili vishet me antiplumb. Përtej kësaj panorame të zymtë Aleanca Kuqezi vjen sot, për herë të parë, si një alternativë qeverisëse më e mira, më profesionalja, më e motivuara, më e shumëpritura, më e përgatitura me forcën e duhur për të thyer themelet e partive tradicionale, të cilave s’duam t’u përmendim as emrin dhe që koha u ka perënduar. Sot në kryeqytetin e shqiptarëve kanë marshuar drejt këtij kuvendi shqiptarë nga gjithë qytetet etnike shqiptare të Prishtinës dhe Prizrenit, Shkodrës dhe Gjirokastrës, Durrësit dhe Elbasanit, Lezhës, Fierit, Vlorës, Kukësit, Sarandës, Lushnjës, Mallakastrës, Tetovës, Kërçovës, Strugës, Shkupit, Rrogozhinës, Kavajës, Preshevës dhe, natyrisht, nuk kanë munguar qindra të tjerë, të cilët kanë ardhur për të mos u kthyer më nga Londra, Nju-Yorku, Roma, Brukseli. Të nderuar shqiptarë, ky është ndryshimi mes kuqezinjve dhe demokratëve. Të gjithë ata që inspirojnë kuqezi, po kthehen dhe të ardhmen e shikojnë në Shqipëri. Po të jesh demokrat apo socialist, mendjen e ke të ikësh nga sytë këmbët një orë e më parë dhe ta braktisësh Shqipërinë. Këto janë dy epoka të ndryshme dhe shoqëri të largëta mes tyre. Demokratët mendojnë me bark dhe me gojë, ndërsa ju, kuqezinjtë, mendoni me zemër dhe mendje, sepse ju keni idealin për një Shqipëri të së ardhmes. Zotit i lutemi që t’jua shndrisë dhe lehtësojë rrugën që keni nisur për të realizuar ëndrrën e miliona shqiptarëve. Aleanca Kuqezi vjen në botën shqiptare me vrullin e një lëvizjeje popullore dhe me një program të suksesshëm, larg urrejtjes dhe përçarjes së një kombi, i cili po lëngon në një shekull ndarjeje, në toskë dhe gegë, të majtë dhe të djathtë, në malokë dhe qytetarë, në të varfër dhe milionerë. 1. Aleanca Kuqezi ofrohet si zgjidhja e vetme protagoniste për një kompromis historik për realizimin e një strategjie mbarëkombëtare. 2. Aleanca Kuqezi në qeverisjen e saj do të garantojë zbatimin e parimit kushtetues “për realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve për bashkim”. Kosova sot është shteti më i izoluar dhe shqiptarët janë të vetmit europianë që nuk lejohen të lëvizin në zonën Shengen. Natyrisht, Shqipëria dhe Kosova janë një precedent sui generis, ku një komb jeton në dy shtete, por edhe i rrethuar nga popullsi fqinje shqiptare. Dy shtetet shqiptare kanë injoruar, kryesisht, shumicën e rekomandimeve të Brukselit në procesin e integrimit. Koha kërkon qeverisje më të mira dhe ku ndryshimi duhet të fillojë në Tiranë. Prioriteti bazë është ndryshimi i qeverisë dhe regjimit antishqiptar si mundësi e vetme që një qeverisje e Aleancës Kuqezi të garantojë prosperitet, zhvillim, siguri kombëtare, rend kushtetues, stabilitet, standarde dhe shtet ligjor, si mënyra e vetme që bashkimi ekonomik, kulturor, shkencor, legjislativ i dy shteteve shqiptare Shqipëri-Kosovë të realizohet. Demokratët dhe socialistët i dhuruan shqiptarëve ndarjen dhe izolimin, kuqezinjtë simbolizojnë bashkimin dhe civilizimin. Të bashkuar ne duhet të jemi modeli i një sistemi të konsoliduar, me standarde të respektimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut dhe garancia se platforma jonë qeverisëse do alternohet me strategjinë e SHBA-ve dhe shteteve të tjera europiane që kanë investuar në pavarësinë e Kosovës. Një qeverisje e Aleancës Kuqezi do të jetë garanti i një partneriteti të fortë lokal për diplomacinë amerikane dhe atë europiane. Aleanca Kuqezi nuk e sheh të keqen te fqinjët, por tek elita politike shqiptare e paaftë, e korruptuar, e inkriminuar, vasale dhe qeverisjet shqiptare si pengesa serioze jo vetëm për bashkimin e shqiptarëve, por edhe si kundërshtare të procesit të anëtarësimit në BE. Në Maqedoni shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe klasa politike shqiptare është tejet e konsumuar me liderët e tyre konservatorë dhe armiqësorë me njëri-tjetrin. Lëvizjet politike shqiptare nuk duhet të mendojnë të ndajnë pushtetin dhe qeverisjen me maqedonët, por të bëhen avokatë të të drejtave të shqiptarëve, duke u tërhequr nga koalicioni qeveritar dhe duke bërë bashkimin e tre partive shqiptare në opozitë, të mbrojnë të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, si dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Klasa politike shqiptare në Maqedoni duhet të pastrohet nga korrupsioni politik dhe të tregojë se është një elitë me mentalitet europian më të lartë se maqedonasit. Shqiptarët dhe shoqëria civile, e cila, disa herë, është tubuar në revoltat për të drejtat e tyre, duhet të mos përdorin flamuj arabë e turq por të udhëhiqen në misionin e tyre nga flamuri ynë kombëtar, pasi ata nuk janë vetëm, por në krah kanë 10 milionë kuqezinj. Aleanca Kuqezi shprehet qartazi se, për çështjen e Mitrovicës në veri të Kosovës, klanet dhe mafia rajonale kanë interesa strategjike për ta shfrytëzuar minierën e Trepçes dhe pasuritë më të çmuara të nëntokës së Kosovës, për këtë arsye jemi dhe do të mbetemi me qëndrimin amerikan të mosndryshimit të kufijve, por edhe kundër këmbimit të territoreve. Ky është një pazar i papranueshëm dhe në dëm të interesave të shqiptarëve në Mitrovicë, por edhe në luginën e Preshevës, qytetarë të së cilës po përballen me reprezaljet dhe burgosjet politike. Aleanca Kuqezi vjen edhe me një plan veprimi të qartë dhe realist për zgjidhjen e çështjes çame, e cila buron nga të gjitha praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, por edhe me realizimin e një censusi të regjistrimit të pronave të shqiptarëve jashtë kufijve aktualë. Të gjitha këto alternativa janë pjesë e një standardi të së drejtës ndërkombëtare dhe që garantojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. 3. Aleanca Kuqezi parashtron para të gjithë opinionit se ëndrra për bashkim dhe, më pas, për integrim janë tërësisht të realizueshme, vetëm nëse rinovojmë elitat politike dhe nëse ndryshojmë regjimin e vjetër politik me votën e shqiptarëve, me zgjedhje të lira e të ndershme. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se pavarësisht se PD dhe PS shahen në Parlament me libër shtëpie ditën,- zgjidhin bashkë çdo gjë natën. PD dhe PS janë nofullat e një goje që bluan vetëm për stomakun e vet. Këta krokodilë brenda natës kanë ndryshuar kushtetutën dhe që nga ajo ditë u kanë thënë shqiptarëve: nuk keni alternativë do zgjidhni ose PD-në ose PS-në dhe i kanë lënë shqiptarët jo të shkojnë në zgjedhje dhe të zgjedhin më të mirin, por të zgjedhin të keqen më të vogël. Zgjidhja nuk është të zgjedhim të keqen më të vogël por të ndahemi nga e keqja. Aleanca Kuq e Zi është që të zgjedhim të mirën më të madhe dhe jo të keqen më të vogël. Ka plot 20 vjet që provohet se pavarësisht se kush ka fituar PD apo PS i humbur ka dalë populli shqiptar. Deri më tani ne kemi parë parti që kanë mbrojtur interesat e grekëve, maqedonëve, serbëve. A nuk ka ardhur koha të kemi një parti që mbron interesat e shqiptarëve?! Për të rinovuar e pastruar “klasën politike” ligji i parë në parlamentin e ri kuqezi do të jetë ligji për “kufizimin e mandateve politike të kryeministrave, ministrave, kryetarëve të partive, bashkive, komunave“. Për rrjedhojë përjashtojmë çdo alternativë hipotetike të një koalicioni me njeriun që vesh antiplumb, por dhe çdo lider që ka kaluar dy mandate. 4. Aleanca Kuqezi do ta ribëjë Shqipërinë nëpërmjet një reforme radikale të modelit amerikan dhe britanik për sistemin e drejtësisë, duke i dhënë mundësinë popullit të votojë për gjyqtarët e lartë ose të marrë pjesë në gjykime si vendimmarrje nëpërmjet sistemit të jurisë. 5. Shqipëria do të ribëhet nga një shtet juridik i hekurt, i cili do t’i shpallë luftë krimit të organizuar, trafikimit, pastrimit të parave, duke krijuar një xhandarmëri operative në luftën kundër krimit, si dhe duke realizuar ndryshim rrënjësor në kodin penal për krimet kundër jetës nëpërmjet dënimit me burgim të përjetshëm për ata që kryejnë vrasje. Jeta e njeriut do të mbrohet me çmimin më të lartë në Shqipërinë e viteve më të rrezikshme për nivelin e kriminalitetit. 6. Shqipëria do të ribëhet sapo Aleanca Kuqezi të hapë dosjet e ish-agjentëve të shërbimeve të huaja antishqiptare. Ne duhet t’u heqim maskat atyre që na qeverisin dhe t’u tregojmë se ka ardhur koha të mbyllen në shtëpi. Shqiptarët kanë të drejtë që kushdo që bën jetë publike, duhet të ketë një të shkuar të pastër! Dosjet duhet të hapen, për t’i dhënë fund lojës së fëlliqur të përdorimit e mbajtjes peng të njerëzve dhe ndotjes së hapësirës publike me bashkëpunëtorë të ish Sigurimit famëkeq. 7. Shqipëria do të ribëhet kur Aleanca Kuqezi të nisë Strategjinë e Rimëkëmbjes Ekonomike Mbarëkombëtare. Sot Shqipëria ka një ekonomi me një zhvillim kaotik, është një ekonomi konsumatore dhe primitive, që pastron pa fund “para të zeza”. Eksporti është pesëfish më pak se importi. Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që jo vetëm nuk njihet për produkte eksporti (përveç kanabisit), por importon edhe ushqimet nga Greqia, Serbia e Maqedonia, duke e lënë tregun nën kontrollin total të klaneve mafioze greke e serbe. Shqipëria do të ribëhet kur të fillojë zbatimi i sistemit të rrugës së tretë, i kombinuar me një nacionalizëm ekonomik. “Rruga e tretë” është kundër socializmit internacional dhe kapitalizmit liberal. Këtë sistem ekonomik ALEANCA KUQEZI do ta zbatojë me ardhjen e saj në pushtet për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare me QËLLIM RRITJEN E PASURISË DHE MIRËQENIES KOMBËTARE, nëpërmjet ndërhyrjeve qeveritare në ekonomi, duke ndryshuar strukturën e ekonomisë shqiptare dhe aftësimin për sfidat e shekullit XXI, duke e kthyer në ekonomi eksporti, duke mundësuar kthimin e emigrantëve, si dhe duke e unifikuar realisht tregun kombëtar Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. INSTRUMENTET më të rëndësishme të zbatimit të këtij programi janë 3: 1. TRURI – ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike’ 2. ZEMRA – ‘Bursa e Tiranës’ ; 3. MUSKUJT – ‘Korporatat e Mëdha Shqiptare’ dhe ‘Politikat Fiskale’. ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike’ do të jetë truri i ekonomisë, i përbërë nga profesionistë vendas e të huaj. Ky institucion do të jetë qendra e mendimit dhe e harmonizimit të interesave ekonomike kombëtare. Sipas këtij Bordi, avantazhi më i madh konkurrues i Shqipërisë është TURIZMI. Me këtë prioritet strategjik ne do të mund të arrijmë rritje dyshifrore të GDP-së dhe ta bëjmë turizmin motorin kryesor të zhvillimit ekonomik kombëtar. Prioritete të tjera do të jenë energjia, tregtia ndërkombëtare, eksporti i trurit (nëpërmjet IT-së), si dhe orientimi ndaj ekonomive eksportuese, si mineralet e përpunuara, duhan- cigaret dhe produktet bujqësore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Një prioritet të madh do të kenë politikat e punësimit sidomos për zonat shumë të varfra. Të gjitha këto do të mbështeten nga politika për përmirësimin e kushteve të biznesit dhe të kushteve të punës. Ne do të zbatojmë politikat tatimore më konkurruese në rajon. Prioritet absolut për ne do të jetë integrimi real ekonomik me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, në mënyrë që të unifikohet dhe të zgjerohet tregu kombëtar. Kapitalet shqiptare do të mblidhen nëpërmjet Bursës së Tiranës dhe do të investohen në ekonomitë më prodhuese në të gjitha trevat shqiptare nëpërmjet Korporatave të Mëdha Shqiptare dhe duke krijuar Kapitalin Popullor Kombëtar. Ky është një revolucion ekonomik mbarëkombëtar, që ne do ta bëjmë tani. Aleanca Kuqezi do ta ndryshojë këtë për të gjithë popullin shqiptar dhe garanton që, me zbatimin e këtij programi ekonomik, të ardhurat e shqiptarëve do të jenë brenda 10 vjetëve më të lartat në Ballkan, trevat shqiptare do të jenë qendra më e rëndësishme ekonomike e rajonit! 8. Shqipëria do të ribëhet kur Aleanca Kuqezi të rivendosë një regjim të ri juridik për çështjen e pronës nën parimin “pa pronë s’ka atdhe dhe pa atdhe s’ka pronë”. Aleanca Kuqezi do të vendosë kontroll të rreptë mbi territorin, i cili është në një kaos dhe masakër urbane, sipas një kalendari të qartë veprimesh, që fillojnë me planet rregulluese urbane, kthimin e plotë dhe të drejtë të pronës dhe vazhdimin e procesit të legalizimit. Drejtësia dhe prona garantojnë dinjitetin njerëzor dhe, për rrjedhojë, janë shtyllat e dinjitetit tonë kombëtar. 9. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të realizojë një reformim të plotë të sistemit arsimor, mbi parimin e një reforme mbarëkombëtare “një komb-një arsim” për përgatitjen e elitave që do të jenë brezi i ardhshëm për drejtimin e shtetit. AK do të revolucionalizojë arsimin edhe përmes teknologjive të reja, por duke orientuar arsimin e mesëm dhe të lartë, drejt edukimit vokacional, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të jenë në një hap me kërkesat e tregut të punës 10. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të ndryshojë rrënjësisht sistemin shëndetësor, mbi parimet e së drejtës së një shërbimi shëndetësor për të gjithë me kualitet, korrektësi, humanizëm, profesionalizëm. 11. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të vlerësojë të gjitha kapacitetet rinore dhe intelektuale. Pasuria më e madhe e kombit është rinia. Për qeverisjen e Aleancës Kuqezi rinia është e sotmja, por edhe e ardhmja, nëse i hapim dyert e jetës, shkollës, punës e perspektivës rinisë shqiptare. Rinia është energji vitale e shqiptarëve dhe inteligjenca është elita e kombit. Vetëm një qeverisje jona do të ndërpresë largimin e trurit jashtë Shqipërisë. 12. Shqipëria do të ribëhet kur axhenda e SHBA-ve dhe rekomandimet e Brukselit të jenë prioritet në qeverisjen, e cila ka si parim “kombi mbi interesat e partive“. Ne jemi e vetmja alternativë konstruktive, e cila siguron një stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon. 13. Shqipëria do të ribëhet pasi Aleanca Kuqezi të vendosë regjim të fortë juridik për kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit, deri në sekuestrimin e të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të llogarive bankare të Mubarakëve të rinj shqiptarë. Askënd të mos e gënjejë mendja se do të gëzojë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. 14. Shqipëria do të ribëhet pasi shteti të garantojë dinjitet dhe minimum jetik prej 400 eurosh për pensionistët, si dhe ndërtimin me standarde të azileve. Do të përcaktohet një buxhet i veçantë për ish-veteranët e Luftës, ish-të përndjekurit dhe çdo shtresë dhe grupim, të cilët jetën dhe lirinë e tyre i vënë në funksion të atdheut dhe kombit. Një prioritet do të jetë garantimi i statusit të ish-ushtarakëve, si një gjeneratë e cila duhet vlerësuar për kontributin e saj. Patriotët shqiptarë nuk kanë pasur ngjyrim politik të majtë apo të djathtë, ne do t’i respektojmë ata brez pas brezi. 15. Shqipëria do të ribëhet kur institucionet e reja të krijojnë sistemin e ndihmës, trajtimit, rehabilitimit dhe asistencës për paraplegjikët, të verbrit dhe gjithë grupet e invalidëve që janë të paaftë për të punuar. 16. Shqipëria do të ribëhet kur shteti të garantojë votën e panumëruar ndonjëherë të qytetarëve shqiptarë. Votimi dhe numërimi elektronik, përmirësimi i sistemit elektoral kombëtar dhe njohja e votës së emigrantëve atje ku ata jetojnë, janë kushti dhe beteja jonë për një Shqipëri ndryshe. 17. Shqipëria do të ribëhet pasi të mos lejohet ndërhyrja e shtetit te feja dhe qeveria të mos trokasë në dyert e familjeve për të pyetur se çfarë besimi kanë, por duke ndarë institucionet nga kultet dhe duke respektuar besimin e qytetarëve, pavarësisht se cilit besim i përkasin. 18. Aleanca Kuq e Zi do ta ribëjë Shqipërinë kur në iniciativën e parë kushtetuese të mundësojë që presidenti të zgjidhet nga populli pasi kjo klasë politike nuk do kryetar shteti, por kryeshërbëtor. 19. Shqipëria nuk do të ribëhet nga fëmijët e qeveritarëve që sot jetojnë jashtë duke pastruar paratë e etërve të tyre, por nga ju, që prindërit po ju rrisin dhe shkollojnë me shumë sakrifica. Ju jeni krenarë për familjet dhe atdheun tuaj, për prindërit dhe vendin tuaj, për miqtë dhe kombin tuaj. Lërini ata në turpin dhe luksin e parave të përgjakura, se fundi i tyre është destinuar. EDHE SIKUR BOTA TË PËRMBYSET, drejtësia dhe ndëshkimi s’do të vonojnë. Kancelarja Merkel dhe presidenti Sarkozi u premtuan qytetarëve të tyre se është koha për ta ribërë Europën. Edhe ne premtojmë përpara gjithë kombit se është koha që ta ribëjmë Shqipërinë dhe, pasi ta ribëjmë të bashkuar, do të rendim drejt perëndimit si kombi më i lashtë, më i zhvilluar, më i kulturuar dhe më krenar në Europë. Ajo ditë nuk është e largët, ajo është në zemrat e çdo shqiptari të përvuajtur, në sytë e përlotur të nënave shqiptare për fëmijët e tyre në emigrim, në fytyrat e trishtuara të rinisë së braktisur dhe të papunëve, në ëndrrat e shqiptarëve nga Presheva në Çamëri, në mendimet e gjithë intelektualëve të varfëruar, në duart e të gjithë bujqve të harruar. Dita e ribërjes po afron për një komb që nuk arriti të asimilohej, por sërish mbeti i copëtuar. Ajo ditë kërkon të jemi më shumë se sot, për atë ditë lutemi o zot, ajo ditë do të jetë mot, por këtë radhë pa dhimbje dhe lot. Ne ia premtojmë këtë ribërje një populli që i përdhosën dhe i ndërruan flamur, emër, identitet, etni dhe fe, duke na bërë të ndihemi të huaj në atdhe. Dhe ne vijmë si një agim kuqezi për ta ribërë atdheun atje ku filloi shpërbërja: te himni, i cili largoi nga lufta njeriun tradhëtor, që tashmë e njeh çdokush, e, më pas, krejt ndryshe për ju që “jeni krenarë me qenë shqiptarë“ në ato vargje fatkeqësisht të munguara: Se zoti vet’ e tha me gojë, Se kombet shuhen përmbi dhe, Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të jetojmë ne. 

*Fjala e mbajtur nga drejtuesi i Aleancës KuqeZi në Kuvendin Mbarëkombëtar të kësaj partie.