e martë, 29 janar 2013

Kur demokracia vlerësohet si biotop jonatyral


Delegatët në kongreset e partive do të duhej ta kuptonin se janë zë i antarësisë, zë i një pjese të popullit që kauzën për liri e ka shikuar të ndërlidhur me atë të demokracisë. Ndërkaq kauza politike e popullit tonë për prosperim ekonomik, është e ndërvarur shumëfish nga demokratizimi i partive tona, nga çlirimi i politikës.

Shkruan  Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 29 janar  -  Konventa e gjashtë e Partisë Demokratike dëshmoi se strategjia që ndjek lideri i saj dhe pasuesit e tij, përputhet plotësisht me atë të definicionit popullor që kishte potencuar Maks Veberi për partitë politike. Ajo mbetet tutje formacion politik i lidhur me procesin elektoral dhe përbën një „ndërmarrje politike“,  që rrjedhimisht është ndërmarrje interesash. Konventa gjithashtu përforcoi bindjen e studjuesve se PDK , duke u pozicionuar si parti e qendrës së djathtë, ka përvetësuar mirë leksionin mbi të ashtuquajturin „treg politik“, që ndërlidhet ngushtësisht me ambientin elektoral të abuzuar gjatë tërë procesit të stërgjatur tranziconal (1989-2013), por ajo ka ra ndesh me natyrën e saj. Ndërkaq po të flisnim me gjuhën e Jean Charlot-it, sa më shumë që PDK i largohet rrënjëve të saj, aq më pak organizimi pasqyron natyrën e saj.
Sipas politologëve,  ideja se demokracia mund të funksionojë pa ndihmën e partive deri tani ka mbetur në stadin e utopisë. Ndërkaq idetë se shtetet me demokraci të brishta kanë nevojë për sundimtarë qoftë edhe përkohësisht, në thelb janë reaksionare, antidemokratike. Defekti i madh politik, që u reflektua në Konventën e VI-të të PDK-së,  e që do të mund të cilësohej si abuzim i llojit të vet me natyrën e partisë, reflekton tepër negativisht në vet procesin e ndërtimit të sistemit demokratik. Të këtilla si janë sot, pjesa dërmuese e partive në Kosovë, ato janë shndërruar në pengesë reale për zhvillimin e demokracisë.
Shih për këtë, grupimet anarkiste që mbesin jashtë sistemit, mund të shumëfishohen. Çështja e rritës gjeometrike të të ashtuquajturës lëvizje islamike radikale, të njohur si selefi, ose protesta e „plisave“ (tifozëve të Prishtinës), që kërkonin armë ngjashëm me tifozët e „Partizanit“ dhe „Yllit të Kuq“ të Beogradit, apo dalja në skenë e zjarrëvënësve të makinave të qeverisë e që e cilësuan veten si „të paknaqurit“... pasqyrojnë më së miri se sa mbesin të interesuara qarqet antishqiptare të shfrytëzojnë këtë vakum mes qytetarëve dhe partive politike.

Kur  mungojnë demokratët në skenë del sundimtari
Një javë pasi në sheshin Nëna Terezë forcat e rendit, në fakt pjesëtarë të Njësisë speciale kishin ndërhyrë brutalisht ndaj demonstruesve dhe kishin zvarritur në shesh deputetët e VV, Komisioni për Çështje të Sigurisë i Parlamentit tonë kishte ftuar në interpelancë ministrin e brendshëm. Komisioni e kishte parë të arsyeshme që të marrë informacione konkrete lidhur me ndërhyrjet brutale të policisë ndaj deputetëve, ndërkaq alibive të ministrit për të ashtuquajturat informacione që kishte policia për cenimin e pritshëm të institucioneve, nuk a kishte pas ngenë t` i kullufiste si reale. Ky veprim i Komisionit pretendonte të vinte gjedh mbrojtës demokracisë si sistem, duke pamundësuar  inaugurimin me çdo kusht të shtetit policor, që dukej se ishte çështje e dëshirueshme nga ai që kishte kohë që ishte shndërruar në sundues të partisë së tij.
Ky veprim i Komisionit se si më solli në mendje veprimet e Parlamentit Gjerman në përpjekje për të ndriçuar çështjen e mungesës së masave të sigurisë pas një serie vrasjesh që kishin kryer sektor të specializuar të NPD-së (Partia Nacional Demokrate), që njihet si trashëgimtare e nazizmit gjerman dhe që me të drejtë është shpallur si forcë politike jashtëkushtetuese.
Por nëse në Gjermani fshehja e fakteve që do t` sillnin deri te zbulimi i kësaj strukture, nga segmente të larta të policisë së një Llandi, kishte shkaktuar një varg dorëheqjesh të titullarëve nga ai lokal e deri tek Presidenti i Komisionit për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë, që me të drejtë u cilësua si sukses i Komisionit Hetues Parlamentar, për dhunën e ushtruar ndaj deputetëve askush nuk u kujtua të inicoj krijimin e një komisioni hetues, e mos të flasim për dorëheqjet e pritshme nga kreu i operativës që u identifikua duke shkelur me çizme protestuesit e lidhur, e deri te ministri.  Por vet fakti që ministri i ishte përgjegjur ftesës së Komisionit, linte të besonim se, megjithatë, demokracia po funksionon.
Megjithatë pyetja logjike se çfarë e shtyn këtë ministër të jetë kaq armiqësor ndaj një force politike kundërshtar, ka mbetur pa përgjegje. Ndërkaq sjellja e një lagjeje politikamnësh dhe gjuha e tyre tepër e vrazhdë, që qytetarët patën rastin t` i dëgjojnë pas publikimeve të regjistrimeve që kishte kryer EULEX-i, e bënte të ligjshëm shqetësimin për demokracinë dhe Republikën tonë të brishtë. Këto veprime ishin uverturë e Konventës së „demokratëve“ tanë, që kurorëzuan puçin e vitit 1998, të filluar brenda LPRK-së dhe të bartur tutje në strukturat e larta të UÇK-së. Rrjedhojë krejtësisht e pritshme. 
Shih për këtë një varg pyetjesh që ndërlidhen me mungesën e demokracisë brenda partive tona, në raste si ky që u shpërfaq në Konventën e gjashtë të PDK, janë të pashmangshme.
Si funksionuan partitë tona politike në vitet kur Repubika e shpallur me Kushtetutën e Kaçanikut (1991) ishte e pushtuar?  Pse toleroheshin „zgjedhjet e lira‘  më 22 mars 1998, pak ditë pas masakrës në Prekaz? Me para të kujt u blenë sasi armësh e municioni nga oficerë të armatës serbe në periudha kritike, kur UÇK-së po i mungonin municine e armë, e komandant Ilaz Kodra në Drenicën e Adem Jasharit binte në fushën e nderit, pasi gurët e malit nuk i  bënte dot fishekë, siç do t` i bëjë me të drejtë poeti për ta mbajtur në kujtesë atë dhe djemtë e vajzat më të mira të Kosovës që mbanin me aq krenari uniformën e UÇK-së...  A ka gjasa që segmente të veçanta të mafias serbe, që i kryenin shërbime Shërbimit të Kundërzbulimit ushtarak Serb gjatë luftës dhe pas saj, e që kontrollojnë edhe sot një pjesë të  mirë të Kosovës, përmes impenjimit fiskal të kenë penetruar brenda partive tona politike e për pasojë edhe brenda institucioneve më të larta të Republikës? Prej nga aj mllef i kryeministrave tanë tek i cilësojnë si „vetëfundosje“ e „faqezinjë“ dy nga forcat politike më shpresëdhënëse për bërjen e Shqipërisë? Prej nga kjo gadishmëri për bisedime politike me Beogradin edhe në rrethanat kur strukturat kriminale serbe kontrollojnë një pjesë të Republikës? (...)
Dikujt këto pyetje mund t` i duken të jashtëkohshme, por fakti që, as përgjegjësit e Qeverisësë së ekziluar, që përmes taksës së njohur si 3%, që aplikoi në Diasporën tonë të re,  e që pati mbledhur miliona marka, pastaj pati hapur Bankën Dardania dhe shitur më pas si ta kishte trashëguar nga babai... pastaj as segmenti tjetër i LPRK-së, që mbikqyrte Fondin „Vendlindja thërret“, nuk kanë dhënë raporte institucioneve të Republikës, madje edhe pas 15 qershorit 2008, ndërkaq një rrjet qendrash tregtare dhe lagje të tëra rrokaqiejsh po ngriten si kërpudha në Prishtinë dhe gjithandej në Kosovë, flet shumë për keqpërdorimin e parasë së popullit. Këto dhe tema tjera do të ishin materia për ët cilën do ët duhej të hapej debati në Konventën e gjashtë të PDK, dhe jo vetëm aty. Natyrisht po të kishim demokratë.
Tek mungesa e dhënies së përgjegjësisë, do të duhej kërkuar motivet e skenarit të dafrungës me emrin Konventë,  që iu servirë delegatëve dhe opinionit më 26 janar. Aty në atë moçal të moralit politik e ka  burimin aurola e „shefit“ të shndërruar në sundimtar, por edhe arroganca e ministrit të brendshëm  para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Nëse ministri na patë lënë të kuptojmë  se ai as që e kishte idenë se është ulur para përfaqësuesve të sovranit, këta delegatë, vallë  e kishin idenë se ishin në një Konventë partie, që do të duhej përfundimisht të përmendej dhe të viheshin definitivisht në mbrojtje të vlerave të demokracisë!  Apo janë shndërruar në „xhematë‘ dhe  „shefin“ e tyre e shihin si mëkëmbës të Kalifatit?!  Prandaj rezonimi i tyre politik ishte shterrpë. 

e martë, 22 janar 2013

Serbia sot nuk i ka poshtëruar shqiptarët, por i ka bërë më të fortë se kurrë

Alban Daci 

Serbia dëshmojë edhe njëherë se është ajo që ka qenë dhe po ashtu do të mbetet kundrejt shqiptarëve. Heqja e atij lapidari dëshmojë edhe njëherë se nuk mund të këtë më negocime mes palës shqiptare dhe asaj serbe. Serbia jo vetëm në të kaluarën i ka vrarë shqiptarët, por sot donte të dëshmonte se ajo është e fortë dhe mund ta ribëje edhe njëherë. Sot Serbia ka rihapur një plagë të pa shëruar me shqiptarët. Ajo, sot nuk u ka poshtëruar shqiptarët, por i ka bërë më të fortë se kurrë dhe me të vendosur se kurrë se e ardhmja e tyre nuk mund të jetë më serbët dhe Serbinë. Sot çdo shqiptarë duhet të reflektojë thellë dhe të mendojë seriozisht për të ardhmen e tij. Serbia ka nderuar vetëm fytyrat e politikanëve, por politika serbe me shqiptarët mbetet po e njëjta, barbarizëm, shtypje, gjenocid, shfarosje. Të dashur shqiptarë dita e sotme dëshmojë edhe njëherë se alternativa e jonë e vetme është që ne të bashkohemi me çdo kusht dhe me çdo mjet. Pa bashkim nuk ka të ardhme dhe rrezikojmë të jemi gjithmonë të shtypurit e historisë. Çështja e shqiptare në rajon nuk ka pse të rihapet, ajo nuk është mbyll asnjëherë. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të jenë të shtypur e të mohuar në vendin e tyre. Ka ardhur ndoshta momenti që çështja shqiptare të jetë tema kryesore e të gjithë organizmave ndërkombëtare si BE, NATO, SHBA, të cilët duhet të jenë të bindur që nëse nuk veprojnë shpejt dhe me seriozitet në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve, ndoshta shumë shpejt vetë rajoni e pse jo edhe me gjerë do të ketë problem serioze që lidhen me sigurinë. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të jetë një faktor stabiliteti për fqinjët, kur pikërisht këta fqinjë veprojnë e mendojnë ditë e natë për destabilizuar dhe për të trazuar kujtesën e të kaluarës tek shqiptarët. Sjellja e sotme e Serbisë duhet të bëj të reflektojë të gjithë autoritet pozitiv ndërkombëtarë. Gjithashtu e para që duhet të mendojë është BE, e cila por përshpejton integrimin e Serbisë edhe pse kjo nuk respekton as shtyllat kryesore. Serbia nuk pranon e nuk respekton të drejtën e pakicave, nuk pranon diversitetin, solidaritetin dhe integrimin. BE duhet t’i jap një përgjigje të menjëhershme Serbisë, nëse nuk ndodh atëherë shqiptarët duhet të besojnë se Europa nuk i do në familjen e tyre dhe për rrjedhojë duhet të gjejnë rrugë alternative. Nëse autoritet ndërkombëtare heshtin para aktit barbarë të Serbisë, atëherë situate e rajonit mund të trazohet aq shumë sa nuk do të jetë më e mundur për ta rikthyer përsëri në gjendjen aktuale. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të gënjejnë veten se gjërat e tyre po shkojnë mirë. Gjithashtu, ato nuk mund të ecin më me teorinë: “Të tjerët na dhurojnë diçka tonën e për këtë duhet të heshtim për të gjitha gjërat e tjera që janë po tonat”. Fakti se Kosova është e Pavarur nuk na justifikon të lëmë në harresë shqiptarët e lungës së Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, Malit të Zi, të Shqiptarëve në Maqedoni. Gjithashtu, Serbia po dëshmon hapur duke thënë se: “Strukturat paralele në Kosovë nuk do i largojmë”. Atëherë lind pyetja: Shqiptarët a duhet të jenë të qetë se ato janë në rrugën e duhur?! Kjo është një pyetje retorike, sepse përgjigjen e saj e dimë tashmë për më shumë se 100 vjet.

Me një guri të vriten dy zogj

Mustafë Krasniqi 

Paralajmërimet dhe fryrjet e qëllimta nga regjimi i pushtetit kriminal të Beogradit për heqjen e pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë ishte një pretekst për të çuar mëtutje qëllimin e tyre shoviniste. Me që kjo politikë poshtëruese e Qeverisë së Beogradit synon që përmes mendësisë së errët të saj të arrin pikën kulmore, që përmes politikës së dhunës t’i bind shqiptarët e kësaj treve që të heqin dorë nga kërkesat e tyre më elementare e të qenurit shqiptar. E mu për këtë me një gjakftohtësi regjimi i politikës së Beogradit ka hedhur gurin në pikën e caktuar për të matur durimin e shqiptarëve dhe të Evropës, e siç thotë populli: “ me një guri t’i vret dy zogj”.
 1. Që në mënyrë sistematike, me një dhunë të heshtur, të bëjë spastrimin e këtyre trevave nga popullata autoktone shqiptare dhe përmes kësaj dhune të heshtur t’i bind shqiptarët se nuk do të gëzojnë kurrfarë të drejt, e as atë më elementaren që është edhe e drejtë sipas Konventës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe lirit e saja në Gjenevë. Poashtu përmes kësaj politikës shoviniste e kriminale, Beogradi dhe politika e saj po i vë hi syve Evropës, që më të drejtë për kombin shqiptar kjo Evropë ka qenë dhe ka mbetur shumë naive përball politikës serbe, të mos themi edhe e poshtëruar deri në atë mas që duhet t’i vije turp se çka janë duke vepruar, ku në njërën anë shkruajnë konventa dhe flasin për respektimin e të drejtave të njeriut, kurse në praktikë përkrahin politikën diskriminuese dhe atë kriminale, e sidomos të asaj politike që është dëshmuar që nga paqja e Shten Stefanit 1878, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, e deri te lufta e fundit që mu në sy të kësaj Evrope ushtroi gjenocid mbi popuj të pambrojtur. E mu për këtë në vend se të dënohej dhe të vihet para drejtësisë ndërkombëtare shteti kriminal, ai i Beogradit, kjo disi po përdhelej nga politika Evropiane, gjë që nuk është e ndershme, të paktën për hir të shumë nënave, si në Bosnje, Kroaci dhe më në fund të atyre nënave të Kosovë që ende janë në ankthin e pritjes duke i kërkuar me lot në sy, e plagë në zemër bijtë dhe të afërmit e tyre që janë kidnapuar nga Qeveria kriminale Serb. 
2. Nën dy është qëllimi famëkeq i kryeministrit të Serbisë, Daqiçit, inspirues nga programi famëkeq i Vaso Çubralloviqit , i kolegut dhe paraardhësit të tij, kriminelit Milloshoviqit, që përmes kësaj diplomacie mirë studiuar dhe të prekshme, ta realizon shpërnguljen dhe t’ua futë frikën shqiptarëve të Kosovën Lindore, dhe në anën tjetër ta mban statuskon mbi veriun e Mitrovicës, duke ngrit problemin jetik të Shqiptarëve të kësaj treve dhe përmes lapidarit të arrin qëllimin e një konflikti më të gjer. Për këtë situatë të prekshme dhe të ndjeshme nëse eskalon në përmasa tjera të dhunës përgjegjësia i takon Evropës së Verbuar sepse ajo në asnjë rast nuk ka vepruar për ta eliminuar konfliktin, të paktën në Ballkan, por përkundër kësaj ka heshtur deri në ato momente kur ka kaluar në përmasa gjenocidi. E sa po shihet edhe sot me të njëjtin avaz po vepron me Kosovën Lindore, duke i dhënë përkrahje Ultimatumit të Daqiçit për heqjen e qëndresës kombëtare nga vendi ku e meriton dhe e dëshmon se serbët ishin dhe kanë mbetur si të dhunshëm dhe kriminel. Për këtë një pjesë të fati do ta mban edhe politika retorike e Tiranës e cila përmes retorikës së saj shterpe po e mashtron opinionin e gjerë shqiptar. Për këtë problem tetë serioze dhe fyes për kombin shqiptar, së pari duhet të jenë të matur politika e kësaj treve që të mos bie pre i shovinizmit serb për një konflikt të mundur që mund të jetë me pasoja të mëdha për zbrazjen e këtyre trevave, ndërsa politika retorike e Tiranës le të heqë këtë retorik dhe të vihet në lëvizje konkrete, e t’u dal në ndihmë Shqiptarëve të kësaj treve, sepse edhe me kushtetutën e saj i lejohej një veprim i tillë të mbrojtjes së popullatës së vet. Me këtë do të ishte më se e domosdoshme një konferencë mbarë kombëtare nga politika shqiptare që ta trajtojnë këtë çështje kombëtarisht dhe të një zëshëm t’ia bëjnë me dije Evropës se nuk mund të ketë standarde të dy fishta. Për Serbë të drejta, që në planetin tokësor nuk gëzon të drejta më shumë se sa serbët e Kosovës askund në botën, kurse për shqiptarët e Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc trajtohet një politikë diskriminuese dhe aq më tepër cenohet jeta e tyre dhe ajo më etikja të qenurit shqiptar. Për këtë politika shqiptare duhet të jetë e matur, së pari t’ua bëjë me dije politikës Evropiane se më nuk lejohej një diskriminim i tillë, sepse edhe Shqiptarët janë njerëz si të gjithë të tjerët, madje me një kulturë të lashtë e autokton, ku njeri nuk kishte në këto anë shqiptarët ishin zotë të kësaj treve. Të kërkohet me ngulmë që të realizohen kërkesat më jetike e shqiptarëve me metoda më njerëzore e demokratike, e duke ia bërë me dije Evropës së Verbër dhe të gjithë miqve të kombit shqiptar dhe botës demokratike se më tutje nuk lejohet që të ushtrohet dhunë dhe represion mbi popullatën e pambrojtur të këtyre trevave. Të dënohet veprimi i pamatur i kryeministri serb Ivica Daçiq për ultimatum që dha ditë më parë për heqjen e lapidarit më 20 janar në mënyrë brutale e antinjerëzore, në prani të mese 1000 trupave të policisë pushtuese serbe të cilët kishin ardhur të përgatitur dhe të armatosur deri në dhëmb, për të ushtruar një terror të ri mbi popullatën shqiptare gjatë heqjes së lapidarit të UÇPMB-së . Mëtej nëse eskalon situata çdo shqiptar duhet ta ketë në mendje se dhuna dhe terroi nuk duhej lejuar, por me të gjitha metodat e mundshme politike e demokratike e deri te ato të mbrojtjes të përdoren për hir që të ruhet liria dhe e drejta për të jetuar bashkëkombësve tanë, që edhe ata ta ndiejnë vetën se ka kush do t’u dal zot, sepse Evropa ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë e vonuar, edhe pse ne duhet ta respektojmë edhe kështu çfarë është. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Beogradit dëshiron që të bëj vrasje të dyfishtë kundër atyre që ranë heroikisht duke mbrojtur nderin dhe vatrat e veta kundër politikës shfaruese serbe nga regjimi i Milosheviqit. Me këtë edhe njëherë kjo politik e shfrenuar synon që ta bëjë fushë të gjakderdhjes prapë këtë trevë. Vërtet hoqën një gur të skalitur me emra e gjak të atyre që nderuan atdheun, por jam i bindur se shtuan më tepër një dashuri dhe më tepër do të na bënë të lidhur në besëdhënie për ta ruajtur atë pjesë të historibërjes nga gjaku i paharruar e i skalitur nëpër mendje e zemra të çdo shqiptari ku do qofshin. Ky akt qyqar i kësaj qeverie fashiste në asnjë rast të mos na dekurajoj, por të fortë grusht të gjithnjë për një liri, për Shqipërinë Etnike të qëndrojmë. Lavdi gjithë atyre që nuk e ndalin luftën deri në arritjen e vullnetit të popullit për Shqipërinë Etnike! Lavdi martirëve të kombit!

e shtunë, 19 janar 2013

Dilemat hebreje

Në prag të zgjedhjeve në Izrael fituesi duket të jetë më se i qartë: blloku i djathtë në krye me Benjamin Netanjahun. Arsyeja duket të jetë fare e thjeshtë: opozita vazhdon të mbetet tepër e dobët dhe e shpërndarë.  Bazuar në interesat amerikane paqja në Lindjen e Mesme do të duhej të imponohej. Sidoqoftë, gjasat janë më të mëdha për një Intifadë ët tretë e me këtë zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Afërt shtyhet për kalendrat greke.

Nga Sadri RAMABAJA

Prishtinë,  19 janar – Sipas sistemit politik izraelit i gjithë territori shtetëror paraqet një zonë zgjedhore. Për shkak të rrethanave politike dhe gjendjes së luftës zgjedhjet në Izrael mbesin sekret shtetëror . Në zgjedhje çdo qytetar edhë në kutin e votimit nga dy lista: përmes njërës ai jep votën për partinë e preferuar, ndërkaq me tjetrën për kandidaturën e kryeministrit.
Në çdo legjislaturë në Kneset janë përfaqësuar 10-15 parti politike, duke prezantuar vlera politike të grupimeve dhe shtresave të ndryshme të qytetarëve të Izraelit.
Dy partitë më të mëdha – ajo që prezanton vlerat e socialdemokracisë – Partia e Punës, në njërën anë, dhe ajo që prezanton vlerat nacional-liberale, Likud-Bllok, në anën tjetër, në vetvete prezantojnë historinë dhe vlerat politike izraelite, që zënë fill që me lindjen e shtetit izraelit.
Asnjëra prej partive pjesëmarrëse në Kneset nuk fiton dot më shumë se 50 vende, nga 120 sa ka gjithsejtë  parlamenti. Pjesën tjetër të Knesetit e përmbushin përfaqësuesit e partive më të vogla të një spektri të gjerë politik: spektri i partive konservatore ultra fetare, partitë e majta liberale, partitë e djathta nacionaliste, partitë arabe dhe partitë komuniste.

Zgjedhjet aktuale të një rëndësie jetike
Nuk është e rastësishme përse zgjedhjet aktuale që pritet të mbahen në Izrael gjatë shkurtit si për Knesetin ashtu edhe për kryeministrin, nga vëzhguesit e jashtëm shihen si të një rëndësie jetike. E kundërta, brenda vet Izraelit, një masë e madhe e qytetarëve, zgjedhjet i sheh me një indiferencë të jashtëzakonshme! Ky fakt nuk do të thotë në asnjë mënyrë që shumica e qytetarëve hebre janë të kënaqur me qeverisjen aktuale. Protestat me karakter social që herë me intensitet më ët lartë (siç ishin para dy vjetëve), e herë më ët ultë, siç janë tashti, dëshmojnë se të pakënaqurit mbeten tutje aktiv.
Megjithëkëtë, anketat e zhvilluara së fundmi dëshmojnë se një shumicë të lehtë aktualisht e gëzon krahu i djathtë. Madje në këto anketa rezultati shkon në favor të qartë pro Natanjahut, duke dhënë mundësi të ndjeshme atij për krijimin e një koalicioni qeverisës që angazhohet për një Izrael të fortë,  me një armatë të fuqishme që garanton jo vetëm sigurinë e Izraelit, por edhe shtrirjen e tij tutje në zona arabe përmes politikave koloniale. Ndërkaq, tutje një pjesë e mirë e qytetarëve izraelitë, ka më shumë se 20 vite, gjithnjë e më zëshëm po shprehet për dhënien fund të kësaj politike koloniale dhe krijimin e parakushteve për paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme. Natyrisht se, kjo paqe nënkupton njohjen e shtetit palestinez. Por një rrymë tjetër e qytetarëve izraelitë, pavarësisht se e vogël në numër dhe pa farë peshe politike, nuk  ngurron të shprehet edhe publikisht për një formë bashkëjetese. Ky grupim politik kishte gjasa të forcohej para dy vitesh, kur në qendrat e fuqishme hebreje pati protesta të fuqishme sociale. Gjasat ishin që nga kjo lëvizje sociale të lindte një parti politike e fuqishme, por kjo dështoi. 
 “Etërit izraelitë përherë e kishin përsëritur se, Izraeli do ët duhej të ishte një dritë –fanarë i kombeve, një krijesë model në rrafshin moral dhe social për gjithë botën”, shprehet Eliaz Cohen, poet, lektor, bashkëpunëtor social dhe aktivist që angazhohet kundër një zgjidhjeje që nënkupton krijimin e dy shteteve. Zgjidhja e vetme, sipas tij është konfederata. Diçka e ngjashme me Unionin Evropian: me ekonomi të integruar, një monedhë, me të njëjtat rregulla dhe të drejta për të gjithë qytetarët”.
Por si grupimi që angazhohet për dy shtete, si ky për një konfederatë, që nënkuptojnë një zgjidhje paqësore, por që nuk po gjejnë partner serioz nga pala palestineze. Shih për këtë një shumicë e lehtë voton për të djathtën që në aparencë duket se ofron një lloj sigurie, madje edhe duke qenë në gjendje që lirinë dhe sigurinë ta bëjë nëse është e nevojshme edhe me luftë. Ndërkaq fakti se pothuajse të gjitha luftrat që janë zhvilluar deri sot, që prej vitit 1948, janë udhëhequr pothuajse nga qeveritë e majta.
Partia kryesore opozitare në Izrael, Partia e Punës, tashmë është e vetëdijshme se koalicioni i ekstremit të djathtë ka përzgjedhur si tema qendrore të fushatës pikërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit dhe mbrojtjen. Shih për këtë Partia e Punës, q[ mbetet opozita kryesore, duket se po shmang temat në fjalë, duke u përqendruar tek shpërfaqja e temave që kanë të bëjnë me ekonominë dhe ato shoqërore. Prandaj ajo mbetet duket tutje në opozitë, meqë nuk është në gjendje tutje të bëjë një kombinim të duhur të këtyre çështjeve që ligjërisht i preokupojnë qytetarët.

E ardhmja e SHBA-ve drejt Azisë
Dilemat hebreje duken të turbullojnë perspektivën e rajonit. Në këtë plan rol të ndjeshëm do të luaj politika e jashtme e administratës amerikane, por edhe qasja e re e disa qarqeve politike evropiane.
Pas rizgjedhjes së dytë të Obamës në pozitën e presidentit, udhëtimin e parë jashtë vendit ai e bëri drejt Azisë, pikërisht në Birma. Ky udhëtim nuk ishte krejt i rastësishëm. Madje mund të thuhet se më shumë sinjalizon orientimin e SHBA-ve në këtë legjislaturë të re. E ardhmja e SHBA-ve dhe interesat më jetike janë në Azi.
Pavarësisht kësaj, partneriteti gjeostrategjik më i rëndësishëm për SHBA mbetet Evropa, Gjermania para së gjithash, por edhe Izraeli...
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden (Joe Biden), gjatë shkurtit do të takohet me kancelarin gjermane Angella Merkell. Ky takim do të shërbej edhe më shumë, jo thjeshtë misionit pajtues, por për të dëshmuar peshën e Gjermanisë brenda Unionit Europian.
Në këtë kuadër, qeveria e re izraelite, Netanjahu III, jo rastësisht i ka dhënë përparësi lidhjes më të ngushtë të aleancës së tij qeverisëse me forca të ekstremit të djathtë. Sipas ekspertëve të sigurisë, pikërisht ky fakt, do të prodhojë pashmangshëm kundërefekte në bllokun radikal palestinez, që do të identifikohet si Intifada e tretë. 
Emërimi i Xhon Kerrit (John Kerry) në postin e Sekretarit të Jashtëm dhe Kuk Hagellit (Chuck Hagel) në postin e Ministrit të Mbrojtjes është sinjal i mirë për Izraelin dhe Evropën. Duke qenë se që të dy politikanët në fjalë kanë kaluar tashmë në të ashtuquajturën moshë të tretë, (mbi 65 vjet jetë), ata i takojnë asaj klase politike dhe mendimi politik që ka kultivuar dhe dominuar marrëdhëniet e mira në rrafshin transatlantik që prej mbarimit të Luftës ës Dytë Botërore e deri më 11 shtator 2001, pa përjashtuar edhe aktualitetin e mbarsur me ndeshtrasha ekonomike e politike. Ndërkaq ky i dyti, Hageli, duke qenë edhe njëri prej përfaqësuesve eminent të ekspertëve amerikan dhe koautorëve të politikave të sigurisë, në opinionin e analistëve si në Izrael ashtu edhe në Evropë, paraqet figurën e duhur që i përafrohet konceptit evropian edhe në lëmin e mbrojtjes, që nënkupton kooperimin në raste të pashmangshme të marrjes së vendimeve historike. Ky koncept i vete në ndihmë dilemave hebreje, meqë mesazhi amerikan duket të artikulohet edhe më qartë se sa ishte në vitin 2005, kur presidenti Barak Obama shkruante se bazuar në interesat amerikane paqja në Lindjen e Mesme do të duhej të imponohej.

e shtunë, 12 janar 2013

Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon bashkimin me Shqipërinë


Neni 1 paragrafi 3, i Kushtetutës sonë nënvizon, se: ‘Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti’. 
Ky paragraf, nëse analizohet dhe interpretohet drejt, del se Kosovës nuk i ndalohet bashkimi apriori. Kërkesa për bashkim duhet të vijë nga Republika e Shqipërisë. Referendumi nuk është pengesë Kushtetuese, por ligjore.


Shkruan: Avdylkadër MUÇAJ


Kushtetuta e Kosovës që nga fillet e saj, pra që nga faza e draftimit, është përcjellë me shumë polemika për disa nene të caktuar. Njëri nga nenet më të përfolur të Kushtetutës ka qenë neni 1 paragrafi 3. Kjo për të vetmen arsye se nga shumë kush, qofshin ata qytetarët e rëndomtë apo ekspertë të drejtësisë, është parë si pengesë apo mohim i të drejtës së popullit të Kosovës për tu deklaruar për bashkim me Shqipërinë.

Këto shqetësime kohëve të fundit kanë dalë edhe më shumë në pah, posaçërisht gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësimit së Shqipërisë. Në manifestime të ndryshme të këtij përvjetori të 100-të të shtetit Shqiptar, pothuajse tek të gjithë udhëheqësit shqiptarë dukej qartë dëshira për një bashkim. Por, një lagje syresh, këtë vullnet sikur e bartnin në një terren tjetër, madje dukej se për t` mos ra ndesh me qendrat e vendosjes politike, atë e kamuflonin  ‘me bashkim në BE’!

Pas iniciativës nga Aleanca Kuq e Zi për nënshkrimin e peticionit, i cili bën thirrje për referendum dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë, disa analistë, ekspertë të drejtësisë dhe politikan, shprehën qëndrimet e tyre, duke konkluduar se Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin me Shqipërinë.

Me një vlerësim apo interpretim të këtillë, është e vështirë të pajtohem. Ndërkaq duke marrë në konsideratë në mënyrë eksplicite tekstin e nenit dhe paragrafin në fjalë, e jo qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe konkretisht konkluzën nr 6 të këtij grupi, pranimi me aq lehtësi i konkluzionit të këtillë, më duket në kundërshtim me interpretimin logjik dhe dialektik.

Neni 1 paragrafi 3, i Kushtetutës sonë nënvizon, citoj: ‘Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti’.  Nga ky paragraf, nëse analizohet dhe interpretohet drejtë, del se Kosovës nuk i ndalohet bashkimi apriori. Ky nen Kosovës i ndalon që të kërkojë të bashkohet me ndonjë shtet, por jo bashkimin si vullnet politik. Në këtë situatë, nëse kërkesa për bashkim vjen nga Shqipëria, Kosova nuk ka pengesë Kushtetuese që të deklarohet pro apo kundër bashkimit.

Në anën tjetër, si pengesë për deklarim pro apo kundër bashkimit, është potencuar fakti se gjoja Kushtetuta paraqet pengesë për mbajtjen apo organizimin e referendumit. Edhe në këtë aspekt Kushtetuta e Kosovës, de facto dhe de jure nuk paraqet pengesa. Neni 2 paragrafi 1 i Kushtetutës e përcakton qartazi se ‘sovraniteti i Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit, dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera’. Nga ky nen shihet se sovraniteti i Kosovës mund të jetë subjekt i referendumit. Madje neni 65, paragrafi 3 i jep Kuvendit kompetenca që të shpallë referendum.

Megjithatë, duhet cekur se Kosova ende nuk e ka ligjin për referendum. Mirëpo, kjo nuk mund dhe nuk duhet parë si pengesë kushtetuese, por thjeshtë ligjore, që mund dhe duhet të përmbushet në afat  sa më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, të kenë të drejtën e shprehjes së vullnetit të tyre për çështje të caktuara përmes referendumit. Një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, nuk duhet mohuar qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së ligjit për referendum.

Si përfundim, mund të themi se Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon bashkimin me Shqipërinë, nëse kërkesa vjen nga ajo, dhe referendumi nuk është pengesë Kushtetuese, por ligjore. Kështu vijmë në konkludim pasues se e drejta për të shprehur vullnetin për bashkim me Shqipërinë nuk kërkon doemos ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por për këtë kërkohet miratimi i ligjit për referendum dhe vullnet politik.

(Autori është doktorant në Universitetin e Berlinit në lëmin e Shkencave juridike Evropiane.