e premte, 12 gusht 2011

Ana e errët e Beogradit

Enver Robelli

Në kohën e mobilizimit nacionalist të udhëheqjes serbe nuk dëgjohen zërat e së vërtetës. Në veshët e opinionit përplaset vetëm zhurma e tigrave të politikës dhe diplomacisë si Borislav Stefanoviçi, Goran Bogdanoviçi dhe Vuk Jeremiçi

Një politikan serb klithte para disa ditësh: “Veriu nuk guxon të bjerë”. Zëdhënësi i Qeverisë së Beogradit akuzonte pushtetarët në Prishtinë se “po e fikin zjarrin me benzinë” dhe shprehte dyshimin në mos djegia e pikës kufitare në Jarinjë u organizua nga shqiptarët. Këso dyshimesh shprehu edhe Boris Tadiçi, kryetari i Serbisë dhe aq shumë i lavdëruar dhe i përkëdhelur si properëndimor, jonacionalist, i kulturuar, liberal etj. I ledhatuari i Tadiçit, ish-diplomati në Ambasadën në Ëashington, Borislav Stefanoviç, bërtiste mbi barrikada, mes cungave, zallit, kamionëve: “Askush në këtë botë – as Zoti, as kryetari – nuk mund t’i detyrojë këta njerëz të heqin dorë nga kjo bllokadë”. Për Stefanoviçin kriza ver(i)ore në Leposaviç, Zubin-Potok, Zveçan dhe katundet e këtyre komunave ishte një shans i mirë për një paradë publicistike, një rast për të defiluar para mediave dhe për të shtuar popullaritetin. Në rolin e manekinit politik ai herë fliste kinse përzemërsisht me ushtarët sllovenë të KFOR-it – në stilin “give me five”, herë çirrej me megafon para “serbëve të mllefosur”.
“Speedy Gonzalez”

Stefanoviçi, i lindur më 1974 në Novi-Sad, është një diplomat me ambicie të mëdha. Disa vëzhgues në Beograd e quajnë “dora e djathtë e Tadiçit”. Në karrierën e tij diplomatike Stefanoviçi ka përparuar me shpejtësi të “Speedy Gonzalez-it”, figura e njohur e filmave vizatimorë të prodhuar në Amerikë në vitet ’50. Ai u kyç në radhët e diplomacisë serbe në vitin 2001. Dy vjet më vonë u dërgua në Ëashington si sekretar i tretë. Detyra e tij ishte të përcjellë aktivitetet e Kongresit Amerikan. Në çdo portret të botuar në mediat serbe theksohet se gjatë kësaj kohe Stefanoviçi kishte arritur të krijojë miqësi me kongresmenin Rahm Emanuel, i cili më vonë u bë shef i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë nën presidentin Barak Obama. Emanuel, dikur këshilltar i presidentit Bill Klinton, aktualisht është prefekt i Çikagos. Pas kthimit në Beograd, Stefanoviçi u emërua nga ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, në postin e drejtorit politik dhe të shefit të kabinetit. Pas paraqitjeve të para publike të Stefanoviçit, gazetat serbe filluan ta përqeshin për shkak se e imitonte me mimikë dhe diksion shefin e tij, Vuk Jeremiç.

Mes dy tigrave të diplomacisë serbe tashmë zhvillohet një konkurrencë mbi primatin në politikën e jashtme. Ditëve të fundit në Beograd kishte njoftime se Jeremiç e ka larguar nga funksioni Stefanoviçin. Lajmi u demantua shpejt, por konflikti, me sa duket, është aq i madh saqë në webfaqen e Ministrisë së Jashtme të Serbisë emri i Stefanoviçit nuk figuron fare, edhe pse është drejtor politik dhe shef kabineti, pra njeriu i dytë në ministri; në webfaqe mund t’i gjeni vetëm biografitë e Jeremiçit dhe këshilltarëve, asistentëve dhe ndihmësve të tij. Se Stefanoviçi është njeri i besueshëm i Tadiçit flasin faktet: përveç dy posteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), Stefanoviçi në fillim të vitit u emërua shef i delegacionit për bisedime me përfaqësuesit e Kosovës dhe në qershor u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike në pushtet, duke e zëvendësuar Miodrag Rakiçin, njërin prej këshilltarëve më të afërt të Tadiçit. Të gjitha këto zhvillime dhe ngjitje në poste të Stefanoviçit duket se e kanë alarmuar Jeremiçin, i cili edhe në qarqet ndërkombëtare përqeshet për retorikën shpesh fluturuese dhe agresive sa i përket Kosovës, por edhe rolit të Serbisë në Ballkan. Zakonisht diplomatët serbë e kanë merak të theksojnë se vendi i tyre është më i rëndësishmi në rajon. Por, këtë e thonë edhe shtëpitë botuese serbe kur nxjerrin në treg ndonjë libër të autorëve të huaj: gjithnjë e theksojnë se vepra botohet për herë të parë në Ballkan – dhe këto lavdërime jo rrallë shkaktojnë të qeshura në Zagreb.
Lidhjet familjare

Kur para një viti kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Beogradi synon të ndajë Kosovën, Stefanoviçi tha se ky është “budallallëk”. Por, në cilësinë e negociatorit (muhabetqarit? bisedarit?) me palën kosovare deklaroi se ndarja e Kosovës është njëra nga temat “për të cilën jemi të gatshëm të bisedojmë”. Stefanoviçi rrjedh nga një familje me ndikim. Ungji i tij, Mirko Stefanoviçi, ka qenë diplomat prominent në kohën e Slobodan Milosheviçit. Disa vëzhgues thonë se falë kësaj lidhjeje Stefanoviçi i vogël është katapultuar në shërbimin diplomatik. Mirko Stefanoviçi pas rrëzimit të Milosheviçit më 5 tetor 2000 u largua nga Ministria e Jashtme – dhe u kthye në vitin 2007 si sekretar shteti në MPJ. Aktualisht ai është ambasador i Serbisë në Portugali. Falë lidhjeve familjare, Borislav Stefanoviçi thuhet se është ngarkuar në të kaluarën me dy mandate të rëndësishme: si negociator për shitjen e Industrisë së Naftës të Serbisë firmës ruse “Gaspromnjeft” (në NIS punonte i ati i Stefanoviçit) dhe për zgjidhjen e aferës “Satelit” me Izraelin (në këtë vend në fund të viteve ’90 ishte ambasador ingji i tij Mirko Stefanoviçi). Afera “Satelit” kishte shpërthyer kur Qeveria e Beogradit nuk kishte dashur të paguante një satelit për spiunazh të porositur në Izrael nga një ministër i mëparshëm i Mbrojtjes. Kompania izraelite “Image Sat International NV” kërkonte 40 milionë euro. Borislav Stefanoviçi arriti të merret vesh me palën izraelite që Serbia të paguajë 27,8 milionë euro dhe për këtë shumë nga kompania të marrë 500 xhirime spiunazhi, siç thuhet, të rëndësishme për shërbimet serbe të sigurisë dhe tri fluturake pa pilot.

Presidenti Tadiç nga Stefanoviçi pret që gjatë bisedimeve me Kosovën të arrijë ndarjen territoriale apo së paku një autonomi për veriun, e cila do të bënte edhe më jofunksional shtetin e Kosovës. Nëse ia arrin qëllimit, atëherë Stefanoviçi edhe mund të shpërblehet me postin e ministrit të Jashtëm të Serbisë. Vrapimi i Stefanoviçit nga barrikada në barrikadë lidhet edhe me ambiciet e tij për t’u ngjitur në maje të diplomacisë serbe. Këtu konflikti me Jeremiçin është i pashmangshëm. Në një mënyrë parada e Stefanoviçit në veri është edhe përpjekje për profilizim dhe vardisje ndaj Tadiçit. Ashpërsimi i retorikës sa i përket Kosovës është lehtë i shpjegueshëm: vitin e ardhshëm në Serbi zhvillohen zgjedhjet dhe tema e Kosovës mund të pompohet lehtë me emocione, me fryrje mitesh dhe me skicime të rrezikut. Prandaj Tadiçi po përbetohet: nëse vihemi para alternativës: “Të heqim dorë nga Kosova për të hyrë në BE, atëherë përgjigjja jonë është ‘jo’”.
Varësia narkomane

Edhe më radikalë paraqiten disa komentatorë antievropianë si Gjorgje Vukadinoviçi, i cili para disa javësh tërthorazi shprehte dëshpërimin e thellë pse gjenerali Ratko Mladiç s’e kishte vrarë veten për të mos lejuar të poshtërohet në Hagë. Në lidhje me krizën në Kosovë Vukadinoviçi jep disa propozime, të cilat tregojnë se te një pjesë e publicistëve serbë megalomania është ves i përhershëm. Kështu, ai kërkon që plotësisht të respektohet Rezoluta 1244, KFOR-i dhe EULEX-i të jenë plotësisht neutralë ndaj statusit, pastaj “të flasim në nivelin më të lartë” me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (plus me Gjermaninë, e për Kroacinë as të mos flasim), të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe t’ju themi se Serbia sinqerisht dëshiron marrëdhënie sa më të mira që të jetë e mundshme me ta, por thjesht nuk mund të tolerojë përkrahjen e tyre aktive për pavarësinë e Kosovës. Hapi tjetër, sipas Vukadinoviçit, është “ndërprerja e menjëhershme e tregimit se Evropa nuk ka alternativë”. Sipas tij, Evropa nuk është më alternativë e ndritshme dhe me heqjen dorë nga kandidatura Serbia do të shmangte edhe poshtërimin e mëtutjeshëm. Pastaj duhet të suspendohet Marrëveshja “shumë e pavolitshme” për stabilizim dhe anëtarësim, të ndërpresim “liberalizimin” e dëmshëm dhe politikën ekonomike, e cila udhëhiqet nga qeveritë e ndryshme praktikisht pa ndërprerje tashmë njëmbëdhjetë vjet dhe e cila na sjellë në pozitën e kolonisë ekonomike të Perëndimit dhe e cila për ekonominë ka pasur pasoja më të mëdha sesa sanksionet dhe bombardimet, pra “duhet të ndërpresim varësinë narkomane nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”. Në fund Vukadinoviçi nxjerr nga cilindri i tij kërcënimin final, para të cilit të gjithë do të mbështeten për muri: “Të deklarojmë se Serbia do t’i shqyrtojë dhe do t’i ngrijë marrëdhëniet me ato vende nëse konstatohet se përfaqësuesit e tyre diplomatikë në Kosovë kanë mbështetur dhe trimëruar aksionet e fundit të njëanshme të Prishtinës”. Pas këtyre kërcënimeve duhet të kenë frikë për karrierën e tyre diplomatike sidomos ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ambasadori i Francës Zhan-Fransua Fitu dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.
Dielli dhe qielli serb

Kalërimi retorik i Gjorgje Vukadinoviçit javën që shkoi e nxiti kolumnistin Lubomir Zhvikov të shkruajë një satirë therëse në revistën “Vreme”. Pak a shumë thelbi i tekstit është ky: i mbledh Vukadinoviçi një tufë intelektualësh trima dhe thotë: hajde të shkojmë në Kosovë dhe me shembullin personal të tregojmë se si mbrohet territori. Shqiptarët i vrasin të gjithë anëtarët e grupit, vetëm Gjorgjen e zënë rob. Ndërsa xhelati ia vë lakun e litarit në kokë, e cila tashmë është e mbuluar me një qese të zezë plastike, patrioti nga Beogradi ankohet: “Ende keni dënim me vdekje, e dëshironi të hyni në Evropë...”. Pastaj gjakpirësi e pyet Gjorgjen: “Cila është dëshira jote e fundit dhe cilat janë fjalët e tua të fundit”. Gjorgje përmes gjesteve bën me dije se po i pengon qesja në kokë, kërkon t’i hiqet: “Dua ta shoh vdekjen në sy, dua që dielli serb të përcjellë shpirtin tim në qiellin serb, rroftë Kosova serbe, jo, ky është pleonazëm, rroftë Kosova, rroftë preambula, rroftë Slobodan Samargj...” (Fjala është për ish-ministrin për “Kosovë e Metohi”, Slobodan Samarxhiç, njërin prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish-kryeministrit Vojislav Koshtunica).

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.