Prof .dr.Fadil Maloku, sociolog nga
Prishtina
" Vetmia është më e mirë se
shoqëria e keqe, ndërsa shoku i mirë është më i mirë se vetmia. Marrëveshja për
të mirë është më e dobishme se heshtja, por heshtja megjithatë është më e mirë
sesa marrëveshja për keq...”
Fillet e procesit te
tranzicionit dhe logjika e tij e veprimit social
Në shumicën vendeve të sotme që dolën nga
sistemi etatist (e padyshim edhe ai vetëqeverisës) koncepti i tranzicionit
është detyrimisht pothuajse termi me i përdorur dhe më i përfolur si nga
diskurset politike, ashtu edhe ato ekonomike, sociale e domosdoshmërish edhe
nga ato kulturore. Në këto diskurse na ka rastisë që ky termë nga njerëzit jo
kompetent e do shtoja edhe sish tjerë më shumë përpëliten të fokusojnë
interesimin e tyre ideologjikë, se sa vetë aktin e shpjegimit shkencor. P.sh.
nga ekonomistët, na ka rënë shpesh të dëgjojmë se si përdorimi i këtij termi më
shumë ndërlidhet me periudhën kaluese apo proceset transformuese që evidentohen
me ardhjen e demokracisë në vendet dhe shtetet postsocialiste, ndërkaq nga politikanet
te ndërlidhet me proceset e konsolidimit te pluralizmit, sundimit te ligjit,
lirise se medieve, etj. Gjersa tek sociologët sa kam vënë re termi me tepër u
adresohet fenomeneve dhe dukurive që zakonisht e përcjellin këtë gjendje të
gjithëmbarshme sociale ku sfera e vlerave deviante konsistohet me tepër si
pasojë se sa ndonjë shkak i vetë procesit ne fjale që lind si nevojë dhe
si aspiratë sociale, ekonomike e kulturore e një vendi apo shteti.
Duke mos dashur të krijojë një distancë
mediokrit me këtë dukuri më duhet t’i adresohem shpjegimeve të shumta
sociologjike që lidhur me këtë proces kanë shkruar dhe kanë debatuar
“pamëshirshëm” nga shumë këndvështrime. Pra, do t’i adresohem këndvështrimit të
sociologjisë amerikane, nga e cila mund të kuptojmë shumë çka si nga specifikat
ashtu edhe nga natyra e organizimit shoqërorë, pastaj vlerësimet e ekspertizat
profesionale që dolën nga shoqëritë dhe shtetet që i kanë kaluar apo ende janë
duke i kaluar “ethet” e këtij procesi.
Tranzicioni shoqëror
(social transition) si proces transformues
Atëherë, nëse dëshirojmë të japim ndonjë
diagnozë të bazuar në përvojat e vendeve tjera padyshim që duhet të nisemi nga
një fakt i thjesht, se me këtë proces nënkuptojmë para së gjithash kalimin apo
dukurinë e transformimit prej një gjendje të caktuar apo një status quoje të
caktuar sociale, pastaj sosh politike, ekonomike dhe gjithsesi kulturore, etj.
në një gjendje tjetër të re dhe të panjohur gjerë më tani për atë vend apo
shtet. Ky do të ishte një përkufizim i përgjithshëm dhe në vija të trasha për
tranzicionin. Mirëpo, në ndërkohë në kuadër të këtij procesi të gjithëmbarshëm
transformues shoqërorë, është interesant të identifikohen edhe disa procese
tjera që në nënsisteme të këtij procesi ndodhin apo shfaqën varësisht nga
specifikat dhe mentalitetet e shoqërive që e fillojnë dukurinë e ndryshimit.
Kështu që secili vend apo shtet i udhëhequr sipas kësaj logjike dhe
metodologjie tipike sociologjike, mund të themi se i nënshtrohet një
formatizimi tjetër të “refuzimit” apo “pranimit” të vlerave të reja që i
“ofron” procesi në fjalë. Mundë të ndodhë që vendet apo shtetet postsocialiste
p.sh. që kishin një liri më të kufizuar (si ato staliniste) të shprehjes,
mendimit dhe veprimit social të prodhojnë vështirësi nga më të ndryshmet, por
mund të ndodhë edhe anasjelltas që vendet me një back graund më liberal këto
vlera jo vetëm t’i pranojnë më lehtë, apo edhe t’i “përpijnë” siç po ndodhë
tani rasti me shoqërinë shqiptare në të dy anët e kufirit! Një temë kjo tejet
interesante për t’u elaboruar
Si e percepton
sociologjia amerikane tranzicionin?
Në sociologjinë bashkëkohore amerikane, ky
termë apo ky koncept përdoret kryesisht për të ilustruar vendet dhe shtetet të
cilat akoma se kanë arritur stadin e një vendi apo shteti me plotësi i cili e
fuqizon demokracinë neoliberale. Meqë, dilema e shprehur në përmbajtjen e këtij
koncepti është esenca e të kuptuarit të vetë termit apo vetë dukurisë së
ndodhur në shoqëritë e sipërpërmendura, atëherë kujtoj që me “faktin” Dirkemian
të tranzicionit duhet të nënkuptojmë aludimin në ndryshimin e sistemit
ekzistues totalitar, pra regjimeve jo demokratike që i shfrytëzuan të gjitha
format e mundshme të eksploatimit të qytetarëve të tyre, në sisteme
demokratike, ku: vlerat e pluralizmit, mediave të lira, sundimit të ligjit si
edhe mënyrës së qeverisjes me njerëz ...janë dëshmitë e gjertanishme më të
argumentuara në kuptimin e implementimit në jetën praktike. Tani nëse
kërkojmë ndonjë histori të kësaj dukurie atëherë padyshim duhet pajtuar që ky termë
për herë të parë është përdorur për të shënuar raportet sociale dhe ato
politike në Amerikën Latine e më pas në Evropën Jugore, e pas vitit 1989 edhe
në Evropën e mesme, atë lindore dhe juglindore dhe në fund edhe në të
ashtuquajturin Ballkan Perëndimor (që përfshinte kryesisht ish republikat
jugosllave, tani shtete të pavarura pothuajse të gjitha me radhë).
Kur është fjala tek Ballkani Perëndimor, në
shkrimet e mëhershme kemi theksuar që sociologjikisht dhe padyshim politikisht
ky term tani në gjeostrategjinë dhe në demografinë oficiele rajonale dhe atë
globale, përfshinë plus Shqipërinë e minus Sllovenin. Është kështu, edhe për
shkak të shumë shkaqeve që tani s’është vendi dhe koha t’i elaborojmë, ngase
adresimet pro et contra janë me bollëk në këtë drejtim.
Por karakteristikat më të prekshme që e
fuqizojnë peshën dhe rëndësinë e këtij procesi padyshim që janë edhe ato që
ndodhin apo të paktën kanë ndodhë në ish vendet postsocialiste (nuk po e
përdori termin postkomuniste: shkaku se asnjë vend në bote s’ka qenë në fakt
komunist) që në fakt ishin jodemokratike edhe me formë edhe me përmbajtje, e që
kanë të bëjnë kryesisht me sferën e ekonomisë.
Perceptimi sociologjikë mbi tranzicionin
Pra kalimi nga një formacion
ekonomiko-politik(do e shtoja edhe atë ideologjikë) me një ekonomi tipike
centraliste, së bashku me një ushtri partiake tejet monolite përmes
centralizmit demokratik (siç e shquante p.sh. socializmi vetëqeverisës mënyrën
e vendimmarrjes) në një ekonomi të tregut, ku përmes rregullave të reja të
lojës: instalohet pluralizmi, prona private, ngritën kompanitë e reja të dalura
nga logjika e konkurrencës që i menaxhon shteti në fillim, është një pistë e
duhur shkencore sociologjike për të kuptuar më mirë perceptimin mbi
trazicionin.
Kuptimi më i ndërlikuar apo edhe më
kontrovers në fakt i tranzicionit, mund të elaborohet në rast se skalpeli i një
sociologu të vëmendshëm do të mund të arrinte të zbulonte proceset e
shndërrimeve të thella strukturore të proceseve nënsistemore. Pra, tyreve
proceseve të cilat e ilustrojnë më së miri dhe më së qarti procesin e bartjes
apo ndryshimit edhe të strukturave kompetente të sistemeve sociale, politike,
ekonomike e sidomos atyre kulturore. Ndryshe, të kuptuarit është i mangët dhe
si i tillë edhe mund të sjellë reperkusione të natyrës ideologjike dhe
keqkuptime të ndryshme: si janë ai i improvizimit për gjëja ndërtimin e
kapaciteteve dhe institucioneve tipike demokratike, ashtu siq fitohet
përshtypja e disa vendeve dhe shteteve të rajonit.
Gjithashtu, në këtë “erskuzion sociologjik”
për këtë proces shumëdimensional duhet tërhequr vëmendjen edhe tek sjelljet e
mentaliteteve të vjetra sociale, të cilat nga përvoja e vendeve të Evropës
Lindore dhe të asaj Jugore, gjithnjë janë dëshmuar si një pengesë tejet serioze
në konsolidimin e demokracisë dhe vlerave që i riprodhon ajo me aktin e
instalimit në një vend postsocialist. Reperkusionet e dalura nga këto
mentalitete sot janë bërë një ndër faktorët domethënës në pushtimin e
hapësirave të reja që i ofron fenomeni i globalizimit dhe ai i integrimeve
rajonale e globale.
Tranzicioni në Shqipëri më i dhembshëm
Përvoja na ka dëshmuar në këto vende
(sidomos në ato tipike staliniste, ku edhe Shqipëria padyshim radhitet ndër to)
se procesi i transformimit të aparatit shtetëror psh. nga një Leviatan
“kompetent” për të ushtruar dhunë(ashtu e projektonte diskursi marksist këtë
aparat) ndajë pjestarëve të vetë, në një servis publik për qytetarët e vendit
ka qenë tejet i dhimbshëm dhe tejet i ngarkuar me stereotipi ideologjike. Gjë
që ka bërë që edhe sot e kësaj dite, disa nga këto projeksione e stereotipi të
shfaqën herë pas herë me dimensione camë të sofistikuara edhe në aulën e
parlamentit shqiptar. Kjo dukuri e hijes së stereotipive ideologjike, pa
mëdyshje mund të shpjegohet edhe si pasojë e mungesës së shkatërrimit definitiv
të autoritetit totalitar dhe kujtojë kontestimit të proceseve zgjedhore së
bashku me reformimet në nënsistemet e shprehura në fushat e ekonomisë, ato
sociale dhe padyshim ato në sferën e kulturës. Edhe Kosova, në këtë drejtim do
thosha s’bënë ndonjë përjashtim të theksuar.
Tranzicioni si akt dhe si veprim social,
ekonomik e politik, pa dyshim që ka për mision dhe imperativ edhe përgatitjen e
atyre vendeve dhe shteteve në minimizimin e faktorëve joekonomikë dhe atyre
politik, në mënyrë që faktorët tjerë ekonomike dhe përgjithësisht ata ekonomik
të jenë agjentë vendimtarë në krijimin e mirëqenies së qytetarëve të vetë.
Kësaj periudhe kalimtare gjithsesi i takon
“merita” për vazhdimin e “bashkëjetesës” së mëtejmë me identitetin kombëtarë që
kur të analizohet nga pozicioni ynë na del se kosovarët në mungesë të ndërtimit
të identitetit shtetërorë, identitetin kombëtar e ndjejnë shumë më të natyrshëm
dhe më të freskët se sa bie fjalë vendet dhe shtetet që në një mënyrë ishin
“ngopë” me këtë nevojë!. Produkte tjera të kësaj periudhe padyshim janë edhe
rritja e ksenofobisë, keqpërdorimet dhe korrupsioni në sferën e privatizimit që
po i përcjellë të gjitha vendet me afera dhe skandale të ndryshme, si edhe
ndryshimet thelbësore në sferën e shtresëzimit social (në ,mënyrë tërësisht të
panatyrshme(!)për çka kemi tërhequr vërejtjen në shkrimet e mëhershme) që
katapultuan një shtresë të re të pasurve në mënyrë jo meritore(!?), pra jo duke
hy në një konkurrencë lojale me rregulla dhe parime të njohura dhe të
verifikuara nga përvoja e vendeve dhe shteteve me një traditë të gjatë
demokratike.
Dukuria e tranzicionit meqë tani po
kualifikohet dhe nënkuptohet si një periudhë kalimtare...sipas mendimit të
shumicës së sociologëve merr fund, vetëm me krijimin e parakushteve për: medie
të lira, zgjedhjen e një qeverie të lirë demokratike, pastaj me ushtrimin
e një pushteti ligjdhënës me formacione ekzekutive, si edhe detyrimisht me
instalimin e një gjyqësori të lirë të pavarur nga politika dhe komplekset
ideologjike të së kaluarës.
Protodemokracia Kosovare dhe demokracia
si diktaturë e ligjit
Termi që më së shumti me gjysmë zëri
shqiptohet në qarqet akademike, por jo edhe gjithaq në ato politike është
padyshim ai i shquar dhe i identifikuar si protodemokraci
(proto-democracy). Termi në fjalë më së miri ilustron statusin: social, atë
ekonomikë, e sidomos atë kulturorë të një vendi apo shteti që është në
përpëlitje e sipër në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja
demokratike. Pra, thënë më thjeshtë tentativa për t’i instaluar vlerat e reja
jo vetëm në formë improvizimi ashtu siç zakonisht ndodhi apo të paktën po
ndodhë në disa vende që janë duke përjetuar akoma“ethet” e kësaj periudhe, por
edhe në përmbajtje dhe esencë të përvojës nga vendet me një traditë të dëshmuar
demokratike perëndimore.
Këtë tip mund ta hasim në vendet e Evropës
Lindore dhe ta asaj Jugore, por gjithsesi në këtë kuadër duke përfshirë edhe
pjesën e Ballkanit Perëndimor, pra edhe neve si Kosovë. Do cekur që ani pse
këto vende posedojnë atë“ikonografinë” e nevojshme institucionale siç janë:
kuvendi, sistemi pluralist politik, pastaj bazën e qeverisjes përfaqësuese, së
bashku me mekanizmat e organizimit të zgjedhjeve të lira, dhe procedurat
gjyqësore, së bashku me korpusin e mediave të lira, ato prapëseprapë s'mund të
themi se janë vende apo të paktën që akoma shquhen si vende në kuptimin e plotë
demokratike. Themi s’janë demokratike, apo nuk na bindin se janë tamam tipike
demokratike edhe për faktin se nuk përfaqësojnë akoma limitet e normave dhe të
vlerave, pra parimet fundamentale të mundësive të barabarta të llogaridhënies,
përgjegjësisë dhe transparencës në shumicën e sferave të jetës shoqërore,
politike, ekonomike e sociale. Pra shkurt, demokracinë si një diktaturë të
ligjit që respektohet nga të gjithë, pa hetuar dallime: racore, etnike,
ideologjike, fetare, gjinore, etj.
Demokracia në Kosovë akoma një synim
Kosovës, kur t'i shtojmë edhe mbikëqyrjen
strikte nga ana e faktorit ndërkombëtar apo nga qendrat e vendosjes globale,
kuptojmë se ideja e instalimit të demokracisë së mirëfilltë, në realitet është
apo mbetet akoma vetëm një synim e dëshirë e qytetarëve të saj, edhe për faktin
se shumicën e vendimeve të rëndësishme jo vetëm për sigurinë, gjyqësinë, pastaj
rendin etj. , nuk i bien vetëm qeveritarët e zgjedhur me votën e lirë, por edhe
qendrat tjera globale që janë duke e menaxhuar gjithë procesin e instalimit të
këtij sistemi në këtë pjesë të rajonit.
Kështu që për rastin e Kosovës, për të
ilustruar këtë lloj apo tip demokracisë, termë me adekuat se termi i
protodemokracisë tani për tani unë nuk mund të themi se kemi. Kjo është e
kuptueshme dhe kujtojë e pranueshme edhe për një arsye tjetër, se: Kosova, de
facto dhe de jure në një mënyrë apo si shumica e vendeve të dalura nga ish
sistemi postsocialist, nuk kishin ndonjë përvojë të gjatë dhe të theksuar (e
për të mos thënë asfare) në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja
demokratike.
Gjithashtu, duhet cekur që sot në shumicën
e rasteve në diskurset politike, por edhe ato shkencore sociologjike mund të
dëgjojmë edhe për terma tjerë ilustrativ për gjendjen dhe statusin sociale,
politik, ekonomik e kulturor të vendeve që kanë filluar të ndërtojnë apo
i kanë përfunduar së ndërtuari institucionet e reja demokratike. Më së shpeshti
nga kjo terminologji do shtoja përdorën termat dhe konceptet tashmë të njohur
ndër qarqet akademike, si janë ato mbi një: "demokraci të
brishtë" , "demokraci të kontrolluar" , "demokraci të
pakonsoliduar", "demokraci fillestare", “demokraci e
tranzicionit”, demokraci pa “demokraci” , “demokraturë”...etj.