e mërkurë, 14 nëntor 2012

Shpallja e pavarësisë nuk ishte akt personal e familjar i Ismail Qemalit



Përse nuk zihet as me gojë  Dom Nikollë Kaçorri,  shenjtori i pavarësisë?!

          Nga Fatos DACI, publicist e historian

            Të ndarë, se të ndarë, madje të ndarë kaq keq edhe në ngjarjen më të madhe të historisë së popullit shqiptar, në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.  Tanimë, nuk janë të ndarë vetëm politika e politikanët, por edhe historia e historianët. Jo vetëm që nuk gjen dy historianë të që të thonë e të shkruajnë  të njëjtën gjë, qoftë të vërteta, qoftë të pavërteta, por nuk gjen dhe një të vetëm që t’i thotë të gjitha. Prej muajsh kanë buçitur ekranet televizive, janë mbushur e tejmbushur faqet e gazetave ditore e periodike për këtë ngjarje të rëndësishme nga historianë militantë të partive politike, të cilët historinë janë mësuar ta bëjnë vetëm bardhë e zi. Kam lexuar të gjithë artikujt e shkruar për këtë ngjarje të madhe. Kam ndjekur edhe emisionet televizive në stacione të ndryshme, ku kanë dhënë leksione një apo më shumë historianë, por gjithnjë janë të njëjtët, lajë e thajë vetëm disa, madje edhe dje po ata, edhe sot po ata, se ajo klasë sundon edhe në media, edhe në shtyp, sepse televizionet dhe gazetat janë bërë si klube nate me të njëjtët kodoshë e të njëjtat prostituta. Për më keq, këta  që ende nuk po e kuptojnë se sa të bezdisshëm janë bërë për shqiptarët, shtrembërojnë dhe të vërtetat historike, anashkalojnë protagonistët e  vërtetë të kësaj ngjarje historike mbarëshqiptare.
             E para, në vend që të gjitha komentet të shkojnë për Ismail Qemalin e burrat e tjerë patriotë, të cilët realizuan shpalljen e pavarësisë, ato shkojnë për Ahmet Zogun e  shpurën e tij, a thue se jemi në përvjetorët e monarkisë shqiptare. Ky nuk është çasti i Zogut dhe nuk kemi pse të merremi me problemin në se Ahmet Zogu kishte apo nuk kishte merita, ndërtoi shtet ligjor apo nuk ndërtoi shtet ligjor, edhe pse një gjë dihet: nga viti 1912 deri në vitin 1924, kur Zogu mori në dorë shtetin shqiptar kishin kaluar plot 12 vjet shtet shqiptar, në të cilin ishin zbatuar përvojat më të mira europiane e ndërkombëtare për ndërtimin e një shteti ligjor. Herë të tjera, kur të bëhet fjalë për Mbretërinë, le të flasin çfarë të duan, le të shkruajnë çfarë të duan. Tani, jo, se është dita e Qemalistëve, nuk është dita e Ahmetistëve. Edhe ngritja e përmendores së Ahmet Zogut, në këtë 100 vjetor, është pa justifikuar. Në këtë përvjetor të 100-të duhej të ngriheshin përmendore të tjera. E para përmendore, pas Ismail Qemalit, duhej të ngrihej mu në mes të Tiranës për Dom Nikoll Kaçorrin nga Lura e Dibrës, shenjtorin e pavarësisë së Shqipërisë.  Pas tij, në kryeqytet duhej të ngriheshin edhe  përmendoret e  Vehbi Dibrës, Babë Dudë Karburanës, Aqif  Pashë Elbasanit, Bektash Cakranit  etj..
             Së dyti, pothuajse në unision, të gjithë këta tellallë shpalljen e pavarësisë po përpiqen ta paraqesin jo më vetëm si një akt personal të Ismail Qemalit, por edhe si një akt familjar  e farefisnor, dhe asnjë herë si një akt kolektiv të të gjithë patriotëve shqiptarë. Madje, shkojnë aq larg, sa thonë e shkruajnë, se gjithë përgatitjet për ngritjen e flamurit na i paska bërë Xhemil Bej Vlora, i cili na paska shpërndarë edhe telegramet e ftesat në të gjitha anët e paska marrë masat e duhura organizative, edhe pse ai vetëm 56 ditë më parë, më 3 të vjeshtës II, pra tetor, kishte përzënë nga shtëpia e tij Ismail Qemalin, për arsye që ne i dimë, por mendojmë që të mos i bëjmë publike në këtë prag feste. Prandaj, ky lloj trajtimi është shtrembërim skandaloz i fakteve historike.
            Dita e shpalljes së pavarësisë nuk erdhi si një rrufe nga qielli, as si një dhuratë nga ndokush, as si gjoksfryerje e ndokujt. Për të ardhur deri këtu luftoi Jugu e luftoi Veriu,  të gjithë shqiptarët derdhën lumenj gjaku, dhanë mijëra e mijëra jetë, sakrifikuan e bënë heroizma. Lufta e shqiptarëve për lirie  pavarësi ka qenë një sakrificë e obligim  i kahershëm e shekullor  i shqiptarëve, të cilët nuk e hoqën asnjë herë pushkën nga supet. Por, të ngjeshura, të përgjakshme e sakrifikuese qenë veçanërisht vitet 1900 deri më 1912. Në këto vite shqiptarët, si një trup i vetëm luftuan në Qafë-Prush e Qafë-Duhël, në Prizren e Qafë-Morin, Ulqin e Tivar, në Dibër e Lumë, Gostivar, Shkup e Tetovë, në Vlorë e Shkodër, në Plavë e Guci, në Janinë e Follorinë,  e ku tjetër jo! Luftëtarët patriotë të Veriut luftuan heroikisht kundër taborreve të Durgut Pashës e Xhavit Pashës. Në këtë periudhë të lavdishme e heroike u mbajt dhe një kongres, Kongresi i Dibrës i vitit 1909, ku morën pjesë mbi 300 delegatë nga të katër vilajetet e Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve u shkruan dhe u nënshkruan qindra ultimatume e peticione, u bënë qindra e qindra kërkesa popullore. Në Bukuresht, Sofje, Selanik, Stamboll e gjetkë ishin ngritur, aktivizuar e riaktivizuar klube patriotike, të cilat në përgjithësi shtronin pavarësimin e Shqipërinë dhe arsimin e gjuhën shqipe.
            Në anën tjetër miqtë e kohës e aleatët e Shqipërisë, si Austro-Hungaria, Rusia, Italia etj. ishin ngritur në këmbë e ishin bërë pjesë e rezistencës shqiptare dhe e aspiratës së saj për pavarësi, mbështesnin e furnizonin kryengritësit shqiptarë me armë e me para. Paralel me to, ngrinin shkolla shqipe e ndërgjegjësonin shqiptarët për të drejtat e tyre themelore për gjuhë e arsim amtar. Është fakt se të gjithë kryengritësit shqiptarë të këtyre viteve luftonin me pushkë italiane e ruse dhe merrnin rrogat nga parat e tyre. Po këto shtete, veçanërisht Austria lëshonte paratë lumë për të financuar të krishterët verior. Pse i bënin këto? Se u digjej shpirt për Shqipërinë. Jo! I bënin të gjitha këto, se luftonin për sferat e tyre të influencës. Të gjithë ishin kundër perandorisë turke dhe privilegjeve të saj në Shqipëri e Ballkan. Ndaj, donin me çdo mjete sakrificë të dëbonin turqit dhe sigurisht të mendonin për veten e tyre, ashtu si bëhet dhe sot lufta mes fuqive të mëdha, në kurriz të vendeve e popujve të vegjël. Por, duhet pranuar, synimet e  tyre, puqeshin me synimet e shqiptarëve, që të shporrej Turqia osmane nga Shqipëria e Ballkani.
            Kryengritja më e fuqishme e shqiptarëve në këto vite, qe kryengritja Kurbinit e viteve 1905-1907, të cilën e organizoi dhe e drejtoi Dom Nikollë Kaçorri, kryengritje që lëkundi nga themelet Perandorinë Osmane. Dom Nikolla bashkëpunoi për realizimin e kryengritjes me Dodajt e Reçit, me Mark Doçin në Kthellë të Mirditës, me Shyqyri Koçin në Burgajet të Matit, me Hasan Muglicën në  Okshtun të Gollobordës, me Elez Koçin në Ostren, me Pjetër Ndreun në malësinë katolike të Mbishkodrës, Saida Kertushën në Ishëm  etj. Kryengritja e Kurbinit gjeti mbështetje të fuqishme e të gjerë popullore në shumë krahina të vendit, si në Mbishkodër, Lezhë, Mirditë, Mat, Dibër, Kurbin, Malësinë e Tiranës, Durrës dhe deri në Kosovë. Pra, për të ardhur deri te 28 Nëntori i vitit 1912, janë dashur shekuj, luftë e sakrifica të pafundme të mbarë popullit shqiptarë dhe të të gjithë prijësve të tij popullorë.
             Së dyti, Ismail Qemali erdhi nga Stambolli dhe nga udhëtimi në disa kancelari europiane. Ai zbriti nga vapori në Durrës me shkop në dorë dhe i gjeti gjitha masat e marra. Nikollë Kaçorri, u angazhua me organizimin e njoftimin e delegatëve për pritjen e atyre që vinin prej përtej detit, u interesua dhe siguroi strehimin në shtëpinë e tij, si dhe ndër patriotë e qytetarët e Durrësit, për ushqimin e deri për sigurimin e rrugëtimin e tyre në drejtim të Vlorës, ku do të bëhej mbledhja  për shpalljen e pavarësisë. Pra, mbledhja e parisë shqiptare ishte organizuar më së miri nga Dom Nikollë Kaçorri, i cili e priti në Durrës Ismail Qemalin dhe i raportoi se të gjitha masat ishin marrë. Për këtë fakt ka plot dokumente që mund të sillen për argumentim shkencor.  Flamuri u vendos të mos ngrihej në Durrës, por në Vlorë për shkak të kushteve dhe rrethanave politike të pafavorshme, sepse divizioni i Xhavid Pashës kishte ardhur deri në Fier, serbët kishin ardhur deri në Shkumbin, grekët kishin ardhur deri në Tepelenë e Himarë, ndërsa Janina dhe Shkodra ishin gati të binin. Madje, për shkak të kushteve të pafavorshme në Durrës, ku kishin zbarkuar forcat serbe me Esat Pashën në krye,  u mendua që flamuri  të mos ngrihej në Durrës dhe të mos ngrihej më 28 nëntor, po në një kohë tjetër.  Ishte Nikollë Kaçorri, i cili këmbënguli që flamuri të ngrihej sa më parë. Është e njohur thënia e tij prej një patrioti të madh e trimi të rrallë:”Në qoftë për të vdekë nesër, të vdesim sot! Flamurin, o sot, o kurrë!”. Dhe ashtu u bë.             Përkundër kësaj të vërtete të madhe, mua më habit fakti, pse askush nga këta “historianë” nuk e zë në gojë Dom Nikollë Kaçorrin as si emër e mbiemër? Mbase, se po ta zënë në gojë emrin e tij, diskutimi mbaron, se i vihet vula asaj çfarë ndodhi më 28 Nëntor. Por, kur nuk lënë pa përmendur asnjë nga hyzmeqarët apo nga rojet e të parëve të krahinave të vendit, sikur ishin ata, që organizuan ngritjen e flamurit dhe e realizuan atë, si nuk zënë në gojë as Vehbi Dibrën. Dom Nikollë Kaçorri dhe Vehbi Dibra ishin protagonistë të ngritjes së flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, sepse ata kryesonin edhe dy komunitetet më të mëdha fetare në vend, myslimanizmin dhe katolicizmin. Dhe, kush tjetër mund të ishte më i fuqishëm dhe më i dobishëm se ata?!
            Për shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë, më 1912, nuk kontribuoi vetëm një dominancë fetare, si ka ndodhur në vendet e tjera afër ose larg nesh, ku ka pasur një shumicë të caktuar fetare dhe ishte vetëm akt i kësaj shumice. Edhe në Shqipëri kishte shumicë  e pakicë fetare. Myslimanët shqiptarë përbënin 78% e popullsisë së vendit, ndërsa më pak se një e katërta, ose 22 % e popullsisë ishin pakicë e krishterë, katolike e ortodokse, por në këtë ngjarje kulmore të historisë sonë kombëtare dominoi jo ndasia fetare, por bashkimi dhe toleranca fetare. Ndaj, dy komunitetet ishin bashkë, aktorë  e regjisorë të pavarësisë së vendit. Madje, edhe në hierarkinë e pushtetit të dalë nga kuvendi i Vlorës, të dy komunitetet u përfaqësuan nga kryetarët e tyre, Dom Nikollë Kaçorri dhe Vehbi Dibra, që morën dhe postet më të larta pas Ismail Qemalit.   
             Pastaj, dihet fare mirë se kush ishin më të rëndësishmit e kush ishin më pak të rëndësishëm në këtë ngjarje të madhe. Këtë  e përcaktuan vetë delegatët pjesëmarrës me votën e tyre. Ata që ishin më të rëndësishëm dhe kishin kontribuuar më shumë, morën dhe postet më të larta, ata që kishin më pak rëndësi, ose aspak rëndësi, morën poste të vogla, ose nuk  morën poste fare. Nikollë Kaçorri mori të parin postë të nënkryetarit të parë të një qeverie shqiptare, me 100 % e votave të delegatëve, ndërsa Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Senatit të atëhershëm, i parlamentit të sotshëm. Dhe, si mund të shmangen sot, pas 100 vjetësh këta burra, si mund të kalohet në heshtje kontributi i tyre i madh dhe rëndësia që ata patën në këtë ngjarje, të cilën ne e festojmë tani, përsëri të ndarë e të përçarë?
                 Por, ka edhe plot dokumente që e vërtetojnë këtë gjë. Kush të dojë le të lexojë kronikat nga Vlora  të datës 28 Nëntor të botuara më datë 29 nëntor 1912, ku kronisti i ngjarjes shkruan me të zezë mbi të bardhë, rëndësinë e numrit dy, Nikollë Kaçorrit, sepse menjëherë pas emrit të Ismail Qemalit, rreshton fjalët për Dom Nikollën, pas tij për Luigj Gurakuqin, pastaj për Isa Buletinin, pastaj për Babë Dudë Karbunarën-delegatin e Beratit etj. Kjo kronikë zgjidh një herë e mirë, edhe orën e shpalljes së flamurit dhe orën kur Ismail bej Vlora bëri deklaratën e pavarësisë. Këtë gjë kronisti e saktëson radhë-radhë, por sakt. Ja si e përshkruan kjo kronikë e posaçme këtë ngjarje të madhe:
            “Të gjithë, më 3 vrapojnë t’i zënë fronat rreth sofrës së gjatë, në sallën e jashtme të shtëpisë së Xhemil Beut. Njëri pas tjetrit hyjnë shumë burra të ardhur për këtë ditë nga të gjithë viset e tokës shqiptare, toskë e gegë, muhamedanë e të krishterë, delegatë të Kosovës e të Çamërisë, të Bregut të Detit e të Shkodrës jetike, të Korçës së bukur e të Malësisë së Gjakovës. Gjithë krahinat janë përfaqësuar. Më 3 e gjysmë hapet mbledhja. Salla është plot. Në krye të sofrës rri Ismail Qemali. Kurrë nuk është dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël fiton, me të parë, zemrat dhe nderimin e atyre që e qarkojnë…...Afër tij është Don Kaçorri. Gjithmonë buzëqesh, sytë e tij tepër të lëvizshëm kërkojnë miqtë ndër të gjitha qoshet e sallës për t’u thënë atë “Njatjeta”, për të cilën i nderuari kish një theksim të veçantë. Aty, pranë, gjendet Luigj Gurakuqi.
            Midis të tjerëve që kanë një emër më shumë a më pak të famshëm, tërheq vëmendjen fytyra e Isa Buletinit.... Por askush nuk mund ta shikojë Isa Buletinin, pa vënë re edhe plakun që rri matanë sofrës. Është Babë Dudë Karbunara, delegat i Beratit.
            ...Kish kaluar ora 8 e gjysmë kur u ngrit Ismail Qemali dhe, ngadalë, me kthjellësi, tregoi qëllimin e mbledhjes. Ndër të tjera, ai, tha: “Zinxhiri që e mbajti lidhur Shqipërinë me mbretërinë e Sulltanëve më shumë se 400 vjet, sot është këputur. Kombi shqiptar, që ka dërguar kaq shumë përfaqësonjës të ndershëm, mund të durojë kur të hyjë nën një skllavëri të re, më të keqe se të parën?”
            -“Kurrë” e “kurrënjëherë”!- është përgjigja e shpejtë që del nga goja e gjithë burrave...”
            Pas Ismail Qemalit, shkruan në kujtimet e tij Jahja Ballhysa, fjalën e  mori  Dom Nikollë Kaçorri. Pra, edhe fjala e dytë në atë kuvend burrash të kombit ishte e Dom Nikollës. Ndërsa, Dhimitër Berati, po në kujtimet e tij, shkruan: “ Zemra na u mbush me gaz dhe me shpresë. Qysh të mos lindnin këto ndjenja duke parë skenën e prekshme të vëllazërimit: myftiut të Dibrës, Vehbiut, që u përqafua me Dom Nikollë Kaçorrin, ortodoksi beratas Babë Dudë Karbunara, mjekërgjati që puthi në ballë katolikun shkodran, Luigj Gurakuqin, Isa Buletini i Kosovës me famë trimie e në shumë kryengritje kundër turqve puthi dorën e  Ismail Qemalit.”
             Më vonë, baronesha Amali fon Godin, në librin e  saj”Aus dem neuem Albanian”, shkruan për Nikollë Kaçorrin: “ I mençur, i kulturuar, energjik, i dashur dhe njeri i thellë për botën. Ky burrë punoi gjithmonë për Shqipërinë e bëri ç’mundet….Atdheu i tij qëndronte në zemër më afër se kisha, prelat i së cilës ishte ai.”
            Ky ishte Nikollë Kaçorri, i cili kishte luftuar vite të tëra me armë në dorë kundër Perandorisë Osmane, ai që nga Kongresi i Manastirit e në vijim kishte luftuar si askush për gjuhën e shkollën shqipe, ai që ishte tërhequr zvarrë nga xhandarët e Portës së Lartë dhe ishte burgosur disa herë prej tyre. 
            Po të vështrosh listën e  nënshkrimeve në aktin e shpalljes së pavarësisë, dallon qartë se i pari, pas I.Qemalit,  që ka nënshkruar këtë akt është Dom Nikollë Kaçorri. Dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm se pas Ismail Qemalit, burri numër dy qe Dom Nikollë Kaçorri, i cili u zgjodh me 100 % e votave edhe numri dy i shtetit të ri shqiptar.
            Me rastin e rivarrimit të eshtrave të tij në kishën e Durrësit, ku ai kishte shërbyer për vite  të tëra, Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, në fjalën e  tij, ndër të tjera, tha: “ Sot jemi mbledhur në këtë ceremoni kishtare, për t’u përulur me nderim të madh, për të shprehur së bashku me të gjithë shqiptarët, mirënjohjen më të thellë, ndaj njërit prej burrave më të shquar të historisë sonë kombëtare, ndaj njërit prej personaliteteve, arkitektit  kryesor të pavarësisë  së  vendit, Dom Nikollë  Kaçorrit, burrit që do të zbriste nga kreshtat e Lurës për të mbetur përjetë kreshtë e virtyteve shqiptare, për  të mbetur kreshtë frymëzimi dhe besimi të shqiptarëve tek Zoti, tek vendi i tyre, tek flamuri, tek e ardhmja.” …”Faktikisht ky kishte qenë arkitekti, ndërtuesi i saj në territorin shqiptar dhe e vërteta është, që pavarësia e Shqipërisë, erdhi si një akt konjukturor.”,... “Dom  Nikoll Kaçorri është dhe do të mbetet shenjtori i pavarësisë së kombit shqiptar....”
             Atëherë, si të shmanget ky burrë i madh në bisedat televizive e artikujt e gazetave, si mund të shmanget nga protokolli qeveritar,  si mund t’i lihet harresës arkitekti e shenjtori i pavarësisë së vendit dhe të mos i planifikohet për të qoftë edhe një veprimtari qeveritare e të mos i bëhet as dhe një bust a një shtatore  në Tiranën tonë të dashur?! 
             Ka edhe më. Prej vitesh pasardhësit e Dom Nikollë Kaçorrit kërkojnë me ngul që të sigurojnë nga Qarku i Dibrës një leje për të ndërtuar shtëpinë e tij, pikërisht mbi themelet e vjetra në Fang të Krejë-Lurës. Lodhen e lodhen këta pasardhës të këtij burri të madh të kombit e lejen s’e marrin dot. Pra, ky burrë i madh, ky shenjtor dhe arkitekt i pavarësisë ende vazhdon të jetë i “pastrehë”... ....
             Asgjë nuk mund të bëhet e përsosur, por të arrish gjer këtu, nuk është më vetëm gabim!
           
           


Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.