e hënë, 5 nëntor 2012

Vdekja për ta ringjallur një shoqëri të vdekur


Dimensioni i jetës dhe vdekjes ndërrojnë dhe bëhen hyjnore përballë jetës dhe veprës së Lirak Bekos. Një shoqëri që sot, vetëm pas vdekjes së tij, po zhurmon dhe po mundohet ta thotë atë që nuk e tha dje kur ishte koha dhe momenti i duhur dhe i domosdoshëm për ta thënë, duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se Lirak Beko vdiq në token dhe zemrën e Shqipërisë, pak nga pak në teatrin e vdekjes, ku jeta e njerëzve ka kuptimin e hiçit. 
  
Besnik Kryeziu

Lirak Beko, ndërroi jetë në Bari të Italisë. E vështirë të shkruash dhe t’i përdorësh fjalët për ta thënë atë që duhet të thuhet në këto momente të rënda, sepse vdekja për dinjitet po vazhdon të jetë pjesë e jona, bile shumë më shumë se sa vetë jeta.
Sot dhe në këto momente të rënda nuk dua të shikoj as majtas e as djathtas, dua të shikoj vetëm shqip!
Liraku vdiq nga arroganca e një kryeministri kryeneç dhe tërësisht i panjerëzishëm, i cili ngurroi qëllimshëm për ta shpëtuar jetën e tij.
Liraku vdiq edhe për shkak të heshtjes së një shoqërie të vdekur, e cila, gjallërinë e vet e lidh vetëm dhe vetëm me faktin se frymon dhe asgjë më shumë se sa kaq!
Është e pakuptimtë, tërësisht antinjerëzore dhe antihumane që një kryeministër dhe një qeveri e tërë të rrinë të qetë dhe të akuzojnë edhe për së vdekuri Lirakun. Është e pakuptimtë që një shoqëri përveç që po belbëzon dhe po bën zhurmë pas vdekjes së Lirakut, nuk po bën as më të voglin mund për një reflektim të thellë brenda shpirtit të vet.
Pse nuk e pamë Lirakun sa ishte gjallë dje, bile as që bëmë përpjekje për ta parë?! Po e shohim tani derisa është bërë simbol i flijimit dhe i protestës njerëzore përballë një qeverie dhe kryeministri që vetëm nga pamja duken si raca njerëzore, ndërsa brenda tyre janë të pashpirt dhe ujqër të pangopur për një pushtet që po i ha ditë e më shumë kokat e shqiptarëve.
Nuk e di se çfarë do ketë menduar Liraku ditën kur i djegur ishte nisur për Bari të Italisë?
Do ketë buzëqeshur fytyra e tij? Edhe të kishte buzëqeshur ne nuk do e shihnim, sepse fytyra e tij ishte shkrumbuar nga flaka e një kryeministri që kishte ardhur në emër të drejtësisë dhe rehabilitimit po të këtyre njerëzve si Liraku, por, që, Liraku dhe shokët e tij nuk do e dinin atëherë dhe as që do e besonin se mu nga ky njeri dhe qeveria e tij do e gjenin vdekjen më të keqe dhe krejtësisht të pamerituar.
Dimensioni i jetës dhe vdekjes ndërrojnë dhe bëhen hyjnore përballë jetës dhe veprës së Lirak Bekos. Një shoqëri që sot, vetëm pas vdekjes së tij, po zhurmon dhe po mundohet ta thotë atë që nuk e tha dje kur ishte koha dhe momenti i duhur dhe i domosdoshëm për ta thënë, duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se Lirak Beko vdiq në token dhe zemrën e Shqipërisë, pak nga pak në teatrin e vdekjes, ku jeta e njerëzve ka kuptimin e hiçit.
Liraku në Bari të Italisë nuk vdiq, ai atje rilindi dhe fitoi përjetësinë e lavdisë përballë heshtjes së një shoqërie të shurdhër dhe memece, përballë një kryeministri që vetëm me gjakun e njerëzve të popullit të vet mbetët dhe mbijeton në pushtetin e tij të turpit.
Liraku do të kthehet në Shqipërinë e tij i dinjitetshëm dhe shumë njerëzor, ndërkohë që përsëri do ta presin një shoqëri dhe kryeministër që nuk deshën ta shpëtojnë, sepse menduan se po bënte lojë.
Liraku mund t´i jetë gëzuar vdekjes së dinjitetshme përballë jetës së gjunjëzuar dhe përçmuese. Ai do buzëqeshë si asnjëherë tjetër ditën kur arkivoli i tij do e mbërrijë tokën shqiptare, sepse do i pushojnë plagët e trupit dhe ato të shpirtit. Nuk kemi se pse ta fshehim, duhet ta themi hapur se vdekja e Lirakut është vdekje për ringjallje, të një shoqërie të vdekur për së gjalli, e cila po nuk reflektoj shpejt dhe duhur, do të mbetët spektatore në vazhdimësi në teatrin e vdekjes së Sali Berishës dhe pushtetit të tij. Lirak, na fal që e shikuam vdekjen tënde dhe nuk bëmë përpjekje për të të shpëtuar!
Na fal që ti duhej të shkoje nga kjo jetë për të na ringjallur ne të vdekurit e vërtetë!
Uroj ta kesh arritur misionin tënd historik dhe njerëzor: ringjalljen e reflektimin e një shoqërie memece dhe të shurdhër. Mos ju hidhëro jetës or vëlla Lirak: ky ishte misioni yt që ta përcaktoi ajo, dhe ti e përmbushe si më së miri, sepse shpirti yt ishte në lartësinë e universit.
Lirak, më beso se ka shumë shqiptarë sot që e duan vdekjen tënde, sepse vdekja jote është shumë më madhështore se sa jeta e kryeministrit në teatrin e vdekjes.
Kur ndërrohen rolet, ku jeta bëhet vdekje dhe vdekja bëhet jetë, atëherë edhe unë e dua vdekjen për ta ringjallur popullin tim.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.