e premte, 25 mars 2011

SIMBOLIKA BIZANTINE E DIPLOMACISË RUSE

 SHABAN MURATI

Nuk ka ende njoftim nëse kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij javën e ardhshme në Serbi
do të përsërisë gafën që bëri përfaqësuesi i tij diplomatik në Prishtinë, Andrej Shugurov, i cili mori pjesë në një farsë politiko-rurale të shpalljes së Vladimir Putinit si "qytetar nderi i Kosovës" nga një grup militantësh të minoritetit serb në veri. E themi këtë, sepse shefi i Zyrës së Federatës Ruse në Prishtinë, Andrej Shugurov njoftoi publikisht më 15 mars se dekorata e "qytetarit të nderit të Kosovës" do t'i jepet kryeministrit të Rusisë, Vladimir Putin gjatë vizitës që do të zhvillojë në Beograd më 23 mars. Përfaqësuesi diplomatik i Rusisë bëri një gafë profesionale kur mori pjesë në një tubim të një grupi të ashtuquajtur "Asambleja e Kuvendit të Komunave serbe të Kosovës", i cili e shpalli kryeministrin rus, Vladimir Putin, "qytetar nderi të Kosovës". Së pari, duhet thënë se përfaqësuesi i Federatës ruse mori pjesë në një tubim të paligjshëm të një organizate të paligjshme, të cilën nuk e njeh jo vetëm qeveria dhe institucionet e Kosovës, por nuk e njohin as organizatat ndërkombëtare që ndodhen në Kosovë. Së dyti, kjo e ashtuquajtur asamble nuk ka tagrin dhe nuk mundet dhe as të pretendojë mandatin e institucioneve të ligjshme dhe zyrtare të Kosovës dhe as nuk mund të flasë dhe të kreditojë apo akordojë dekorata e çmime në emër të Kosovës. Përfaqësuesi zyrtar diplomatik i Federatës Ruse, me aktin e tij shkeli si statusin dhe normat diplomatike, ashtu dhe kuadrin ligjor ndërkombëtar, në kuadër të të cilit Federata Ruse ka hapur Zyrën e saj të Ndërlidhjes në Prishtinë. Zyra e Ndërlidhjes është hapur në bazë të mandatit të OKB-së, e cila njeh të ligjshme dhe zyrtare organet e zgjedhura demokratike të Kosovës, që nga qeveria, parlamenti dhe institucionet e tjera. Diplomacia ruse shkel kështu kuadrin legal të mandatit të OKB-së dhe rezolutën 1244 të OKB-së, që sanksionon ligjshmërinë e organeve qeverisëse të Kosovës. Moska vërtet nuk e njeh Kosovën, e cila është shtet i pavarur, i pranuar nga 75 shtete të botës, por çdo diplomat me vizion profesional dhe që sheh përpara, duhet të ketë një minimum formimi sa të parashikojë edhe kohën e ardhme, kur Rusia do të jetë e detyruar ta njohë dikur shtetin e Kosovës.
Është e njohur politika armiqësore e Rusisë ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar. Por ka ca rregulla në diplomaci, dhe sidomos kur je i akredituar (qoftë dhe me leje ndërkombëtare) dhe jeton e punon në një shtet tjetër, rregulla që diktojnë minimumin e kujdesit dhe të vetëpërmbajtjes, për të mos cënuar normat e bashkëpunimit me qeverinë, ashtu dhe ato të mikpritjes. Sepse kryeqyteti i Kosovës është Prishtina, ku edhe ka Zyrën e vet përfaqësuesi diplomatik i Rusisë, dhe nuk është Zubin Potoku, dhe diplomatët ndodhen në Prishtinë për marrëdhëniet me Prishtinën. Diplomacia ruse, dhe sidomos ata që formulojnë politikën ballkanike të saj, mendojnë se kanë gjetur asin nën mëngë të strategjisë së riardhjes në Ballkan, me minoritetin serb në Kosovë. Drejtuesit e diplomacisë ruse kërkojnë të demonstrojnë peshën që synon të marrë Rusia në rajon, duke i mëshuar simbolikës së marrëdhënieve të Federatës ruse me pakicën serbe në Kosovë. Fetishizimi i simbolikës është një karakteristikë tipike e diplomacisë bizantine dhe komuniste, dhe diplomacia ruse, si simbiozë e atyre të dyjave, e ka kthyer këtë simbolikë në një identitet. Diplomati rus shkeli edhe më tej etikën, statusin diplomatik dhe normat ndërkombëtare kur sulmoi Aleancën Atlantike për ndërmarrjen e sulmeve ajrore në Serbi në mars të vitit 1999, që të ndalonte spastrimin etnik dhe genocidin antishqiptar të Serbisë në Kosovë. Përfaqësuesi diplomatik rus në Prishtinë i dha një kuotë të re kësaj simbolike bizantine të diplomacisë ruse në Ballkan, kur u deklaroi minoritarëve serbë se "Rusia ka qenë me ju kur NATO ndërmori sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, dhe nuk është rastësi që kryeministri Vladimir Putin do ta vizitojë Serbinë pikërisht më 23 mars". Pohimi i diplomatit rus jep pamjen e një diplomacie meskine me tipare të së kaluarës, e cila zgjedh qëllimisht datën 23 mars, pra një ditë para datës së bombardimeve ajrore të 24 marsit të vitit 1999, për të zhvilluar vizitën në Beograd. Një simbolikë, që në semiotikën diplomatike bizantine ruse do të thotë një vizitë mbi bazën e nxitjes së armiqësisë ndaj NATO-s dhe ndaj Perëndimit. Kjo rrjedh nga ambicia dhe përpjekja e pareshtur e Rusisë për të penguar me çdo kusht oksidentalizimin e Serbisë, për të bllokuar procesin e ndarjes së Serbisë nga e kaluara kriminale e regjimit të Millosheviçit. Mbështetja që Kremlini i dha regjimit të Millosheviçit, vazhdon sot në formën e përpjekjeve për të inkurajuar në Beograd forcat dhe frymën antiperëndimore dhe anti-atlantike.
Meqë jemi tek simbolika bizantine, nuk duket gjithashtu rastësi që udhëheqja e Serbisë ka refuzuar të marrë pjesë në samitin që do të organizojë Departamenti amerikan i Shtetit më 23 mars në SHBA, me udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe ka vendosur që pikërisht atë ditë të presë kryeministrin rus në Beograd. Nëse gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor shkojnë në SHBA, dhe vetëm Serbia veçohet dhe i bashkohet Rusisë, këtu ka shumë për të reflektuar për këtë karshillëk diplomatik serb, si nga Uashingtoni e Brukseli, ashtu dhe nga të gjitha kryeqytetet ballkanike që do marrin pjesë në samitin e organizuar nga amerikanët. Ka një aktivizim të diplomacisë ruse në drejtim të konservimit të tensioneve dhe të veprimtarisë provokative të minoritetit serb në Kosovë, për të mbajtur të gjallë frymën e konfliktit atje. Konstatohet kjo pas fillimit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, ku shpresat janë për një formë zbutjeje graduale të qëndrimit obstruksionist të Beogradit në raport me Kosovën. Një zbutje dhe një zgjidhje e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës nuk duket se është në interesin e diplomacisë ruse, e cila ka nevojë për një shkak, një pretekst apo lidhje, për të qenë e pranishme në terren dhe për të instrumentalizuar praninë e saj. Ndaj po shohim një fryrje disproporcionale të interesimit të Rusisë për minoritetin serb në Kosovë dhe po shpiken vodevile folklorike me "qytetari nderi" për kryeministrin rus. Nuk ka ende informacion nëse kryeministri rus do ta lejojë veten të bjerë në nivelin e mjerë të sugjerimit të përfaqësuesit të tij diplomatik në Prishtinë, i cili ka raportuar për një dekoratë efemere që mund t'i kujtojë gjithë trupit diplomatik në Beograd rrobat e mbretit lakuriq. Simbolika bizantine dhe sidomos përmbajtja antishqiptare e saj, nuk mund dhe nuk do t'i japë Rusisë atë rol dhe vend që ajo po kërkon në Ballkan, për ringjalljen e gjurmëve imperiale cariste dhe komuniste. Duhet thënë gjithashtu se ajo që ndodh në trasenë e marrëdhënieve Rusi-Kosovë, nuk duhet kundruar si diçka që ndodh në Dagestan apo në ishujt Kurile. Është një çështje jetike kombëtare shqiptare, dhe si e tillë meriton reagime në kanale diplomatike, qoftë nga Tirana, qoftë nga Prishtina, në drejtim të Moskës, për t'i bërë të qartë se duhet të ndërrojë rrugën e gabuar historike, ku vazhdon të ecë në raport me interesat e kombit shqiptar.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.