e mërkurë, 20 qershor 2012

Ka ardhur koha për reformim në arsimin e lartë

Alban Daci*

Po qarkullojnë zëra, se edhe presidenti i sapo zgjedhur na paska ble një diplomë masteri false. Nuk dua dhe nuk arrij ta pranojë një gjë të tillë, sepse kjo do të tregonte disa anë negative të nivelit tonë arsimor. Së pari, se marrja e titujve të ndryshëm akademik në Shqipëri është bërë më shumë se një domosdoshmëri për të rritur vlerat personale akademike dhe për të rritur nivelin akademik në shërbim të vendit, një modë e shëmtuar. Në Shqipëri, me përjashtim të çdo vendi të Botës, të duhet apo nuk të duhet, e justifikon apo nuk e justifikon, një master apo një doktoraturë duhet ta kesh, se ndryshe nuk je gjë, dhe nuk futesh në grupin e “elitës” intelektuale. Në Perëndim, duke qenë se i gjithë sistemi arsimor është bazuar vetëm mbi principin e meritokracisë, për çdo titull që merr duhet të djersitësh shumë. Për këtë arsye, çdo diplomë e marrë ka vlerësimin dhe respektin e saj maksimal. Gjithashtu, jeta në Perëndim është shumëdimensionale, si në aspektin e fushave të veprimit jetësor, ashtu edhe në faktin, se është shumë e vështirë që të gjithë të arrijnë të kryejnë studimet universitare, apo pasuniversitare. Në Europë, për shembull, jo të gjithë arrijnë të kryejnë studimet e larta dhe jo të gjithë e kanë të domosdoshme kryerjen e studimeve të larta. Profesionet e mesme janë shumë të domosdoshme dhe efikase. Për shembull, në Itali, shumë të rinj mbarojnë shkolla të mesme për shef kuzhine, për turizëm dhe hoteleri, për mekanik, hidraulik, elektricist dhe gjeometër. Të gjithë, që mbarojnë këto profesione të mesme, jo vetëm ndjehen krenar për titullin e përfituar me djersë e mundë, por arrijnë të sigurojnë një jetë të garantuar profesionale, të respektuar nga qytetarët dhe të mirëpaguar nga punëdhënësit. Pra, nga kjo del e qartë se jo të gjithë duhet të jenë doktorë shkencash për të siguruar një jetë të mirë dhe për të qenë të respektuar në shoqëri. E kundërta ndodh vetëm në Shqipëri, ku shumë persona në letër bëjnë një, dy ose më shumë universitete të larta, të cilat, të gjitha së bashku nuk kanë vlerën as sa një diplomë e vetme me rezultate të dobëta të mbrojtur në një universitet perëndimor. Duke qenë se mbrojtja e një diplome universitare në Shqipëri është bërë qesharake për nga serioziteti akademik dhe për faktin se mjafton pak para për ta blerë, atëherë plot injorantë të pasuruar në mënyrë të paqartë në periudhën e tranzicionit kanë filluar të marrin një, dy, tre diploma dhe t’i vendosin në muret e shtëpive dhe zyrave si trofe të pamerituara. Po të marrim në fjalë rastin e Presidentit Nishani: me sa kam kuptuar ai kishte një karrierë të merituar në profesionin e tij të parë, nga i cili kishte arritur të bënte edhe një karrierë të mirë politike. Atëherë, pse ky qytetar duhet të merrte një diplomë të dytë të panevojshme dhe për më tepër false, të pamerituar? Gjithmonë, e marrin rastin sikur ai të ketë marrë një diplomë masteri false, siç po komentohet në medien e shkruara. Sepse, thashë të kesh sa më shumë diploma, qoftë edhe të pamerituara është bërë modë, në kuptimin nëse nuk i ke nuk je “vip” dhe nuk bën pjesë në grupin e njerëzve të “mençur” të shoqërisë shqiptare. Nuk di ndonjë rast të ndonjë vendi të Botës që mençuria të matet me numrat e diplomave që dikush ka në mur. Çdo njeri matet sigurisht për diplomën që ka marrë me meritë, por më shumë matet nëse ai arrin të lë gjurmë në shërbim të komunitetin në fushën në të cilën ka marr diplomën universitare. Si mund t’i quash njerëz që kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare, persona që kanë titull akademik dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht dhe nuk kanë trajtuar asnjë temë të nxehtë të shoqërisë ose të komunitetit për t’i gjetur një zgjidhje pozitive dhe në shërbim të gjithëve. Ka shumë të rinj shqiptar që kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në Perëndim dhe e dinë shumë mirë se sa e vështirë është dhe sa punë e djersë duhet për të marrë një diplomë të çdo niveli qoftë. Së dyti, se niveli arsimor shqiptar është jashtë çdo standardi dhe krejtësisht informal. Nuk arrij ta shpjegoj faktin se Ministria e Arsimi duke qenë dëshmitare e disa skandaleve si ai i Umberto Boss-it, duke ditur mirë situatën e mjerueshme në të cilën ndodhet arsimit i lartë dhe jo vetëm nuk reagon, por nuk arrin ose nuk dëshiron të paraqes një platformë konkrete për ta nxjerrë nga ky qorrsokak, ku ndodhet aktualisht. Arsimi i lartë shqiptar, si privat ashtu edhe shtetëror, është krejtësisht jashtë çdo standardi. Për shembull, në disa universitete private, në kundërshtim me Kartën e Bolonjës, pedagogët dhe studentët detyrohen nga administratorët të bëjnë botime shkencore si dhe të paguajnë para për çdo botim të realizuar. Si mund të tolerohet një gjë e tillë. Njeriu, pavarësisht nga profesioni që bën, duke përjashtuar rastet e punës vullnetare të vullnetshme, duhet të paguhet për punën që bën dhe jo të paguaj. Gjithashtu, po në universitetet private, dihet tashmë fakti, se të gjithë diplomohen kundrejt pagesave. E mjerueshme është situata edhe në universitet publike, të cilët janë të mbushur me korrupsion. Shumë studentë duhet të paguajnë shuma parash për të kaluar provimet. Problem tjetër i madh është rekrutimi i stafit akademik, i cili është krejtësisht jo profesional, por bëhet mbi bazën e parave, nepotizmit si dhe emërimeve politike ose klanore. Gjithashtu, duhet theksuar se prodhim akademik i profesorëve apo pedagogëve është në limitet e zeros. Kemi plot njerëz që mbajnë mbi supe për vite me radhë tituj akademik dhe që nuk kanë shkruar asnjë libër, asnjë punim shkencor. Problem, tjetër i madh është fakti se shumë persona, të cilët punojnë në mësimdhënie në universitet private ose publike, jo vetëm nuk e meritojnë në bazë të kritereve akademike, por nuk kanë as respektin më të vogël për profesionin e shenjtë që bëjnë. Mungojnë në shumicën e ligjëratave, nuk janë të disponueshëm për konsulenca me studentët. Profesorët në Europë shquhen për horizonte të larta akademike, për thjeshtësinë njerëzore dhe për dashurinë e madhe që kanë për dijen. Ndërsa një pjesë pedagogësh ose profesorësh në Shqipëri, të ngjajnë me rrugaçë të vërtetë, që nuk kanë as etikë e as pamje prej personi që përfaqëson dhe shpërndan dije. Sistemi ynë arsimor ka nevojë për reformim të thellë që të jetë i niveleve dhe standardeve europiane. Së pari, duhet të krijohen pedagog me tre lloj kontratash: - Me kohë të plotë, që duhet t’i dedikohen vetëm mësimdhënies dhe të mos ushtrojnë asnjë profesion tjetër alternativ. - Me kohë të kufizuar (Part -Time), i cili ka një numër të caktuar orësh për të dhënë. - Kërkues shkencor. Persona të cilët kanë të gjithë titujt e domosdoshëm akademik, por merren vetëm me kërkim dhe prodhim akademik. Së dyti, rekrutimi i pedagogëve duhet të bëhet përmes principit të meritokracisë. Duhet të rekrutohen si në universitet private ashtu edhe në shtetërore mbi bazën e CV më të mira dhe të konkurseve të organizuar nga stafet akademike. Duhet të kemi parasysh, pa i paragjykuar të gjithë, se një pjesë e mirë e pedagogëve të vjetër i kanë marr titujt me partishmëri dhe me dyfletëshe. Gjithashtu, kemi plot raste, ku shumë persona kanë mbaruar për diçka dhe japin mësim për diçka tjetër. Nuk mund të lejojmë persona që kanë mbrojtur doktoraturën për muzikë të japin mësim për marrëdhënie ndërkombëtare. Gjithashtu, sot ka plot të rinjtë të diplomuar jashtë me rezultate të larta, të cilët nuk mund të japin mësim dhe të sjellin risi nëpër universitet shqiptare, sepse vendet e tyre janë të zënë nga profesorët e literaturës së vjetër që nuk pranojnë as të dalin në pension. Së treti, problem madhor për universitet publike dhe private është se nuk kanë asnjë potencial të prodhimit akademik. Në universitet shqiptare akoma jepen leksione me fletë dhe paçavure të cilat nuk kanë asnjë vlerë akademike. Ka ardhur momenti që universitet të stimulojnë dhe të investojnë në kërkimin shkencor dhe në prodhimin akademik. Në gjithë universitet perëndimore për çdo argument ka tekste alternative për çdo lëndë, kurse në Shqipëri ndodh që në shumicën e rasteve të kemi libra të kopjuar keq nga pedagogët, të cilët ua japin studentëve mbi bazën e shantazhit për marrjen e provimit. Së katërti, problem i madh është edhe fakti se nuk respektohet aspak e drejta e autorit. Duhet të ndalohet vjedhja e informacionin. Nëse duam të kemi një nivel universitar europian, duhet të kemi si në gjithë botën respektimin e të drejtës së autorit. Së pesti, duhet të rritet mbështetja për studentët më të mirë dhe talentet. Universitetet private dhe universitetet publike duhet të rrisin dhe duhet të vënë në shërbim bursa dhe përkrahje ekonomike për të gjithë ata studentë, ose doktorantë, që kanë rezultate të larta. Së gjashti, duhet të rriten investimet në infrastrukturë, në ngritjen dhe modernizimin e departamenteve të kërkimeve. Nuk ka universitet privat ose shtetëror në Perëndim që të mos ketë departamentet e kërkimeve për drejtimet e ndryshme të kurseve. Së shtati, duhet të rritet autonomia ekonomike e universiteteve. Megjithatë, kjo autonomi ekonomike nuk do të thotë se duhet të përkthehet edhe në autonomi përgjegjësie kundrejt Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit duhet të bëj kontrolle të herë pas hershme në të gjithë universitet për të parë nëse janë respektuar standardet. Së teti, emërimi i dekanëve dhe i rektorëve duhet të jetë kompetencë totale e çdo universiteti. Emërimi i çdo dekani ose rektori duhet të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të lira, ku duhet të votojnë si studentët ashtu edhe stafi akademik dhe administrativ i universitetit. Së nënti, duhet të rritet niveli i aktiviteteve dhe simpoziumeve si mes universiteteve shqiptare ashtu edhe mes universiteteve shqiptare dhe atyre të huaj. Duhet të jetë primar shkëmbimi i docentëve. Gjithashtu, projekti i ERASMUS, që sot në Shqipëri kontrollohet nga Ministria e Arsimit, duhet të kalojë në kompetencë të universiteteve, të cilët në marrëveshjeve me universitet e tjera europiane duhet të merren veshte dhe të bien dakord mbi kuotat me bursa dhe pa bursa. Duhet të rritet përmes marrëveshjeve bilaterale edhe shkëmbimi i studentëve dhe docentëve me universitet e SHBA, Kanadasë dhe Amerikës Latine. Së dhjeti, duhet të rritet buxheti për arsimin e lartë publik si dhe për kërkime dhe inovacion teknologjik. Rrogat aktuale të pedagogëve, janë qesharake nëse i krahasojmë me kolegët e tyre në Europë. Pedagogët me kohë të plotë duhet të kenë një rrogë mesatare prej 1500 eurosh në muaj. Rritja e rrogës së docentëve sipas gradave dhe kontratave do të rriste cilësinë në mësimdhënie. Së njëmbëdhjeti, duhet të krijohet sistemi online i të dhënave, programeve, prenotimet për provimet, për shënimet e ndryshme të kurseve si dhe për konsultime të ndryshme mes studentëve dhe docentëve të gjithë universiteteve. Duhet të krijohet një data base, ku të vendosen të gjithë të diplomuarit sipas niveleve. Kjo do të shmangte mundësinë e punësimit të personave që nuk janë diplomuar ose më keq që janë me diploma false. Së dymbëdhjeti, duhet të stimulohen nga shteti krijimi i akademive shkencore, të cilat të gjithë aktivitetin duhet ta vendos në shërbim të vendit dhe të çështjeve të ndryshme që lidhen me interesat e sfidat e vendit. Aleanca Kuq e Zi, është e vendosur të reformojë arsimin e lartë duke e bërë atë të standardeve europiane. Aleanca Kuq e Zi me të ardhur në pushtet, është vendosur t’i bëj të gjithë këto hapa të sipërpërmendur për të bërë një arsim të lartë arsimor elitar dhe shërbim të interesave kombëtare. Shqipëria bëhet, duke bërë edhe një arsim të lartë Kuq e Zi të nivelit më të lartë europian, i cili është në gjendje jo vetëm të kontribuojë në modernizimin e shoqërisë por edhe të jetë konkurrues njëlloj si të tjerët.

 *Sekretar për Arsimin, Aleanca Kuq e Zi

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.