e shtunë, 12 janar 2013

Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon bashkimin me Shqipërinë


Neni 1 paragrafi 3, i Kushtetutës sonë nënvizon, se: ‘Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti’. 
Ky paragraf, nëse analizohet dhe interpretohet drejt, del se Kosovës nuk i ndalohet bashkimi apriori. Kërkesa për bashkim duhet të vijë nga Republika e Shqipërisë. Referendumi nuk është pengesë Kushtetuese, por ligjore.


Shkruan: Avdylkadër MUÇAJ


Kushtetuta e Kosovës që nga fillet e saj, pra që nga faza e draftimit, është përcjellë me shumë polemika për disa nene të caktuar. Njëri nga nenet më të përfolur të Kushtetutës ka qenë neni 1 paragrafi 3. Kjo për të vetmen arsye se nga shumë kush, qofshin ata qytetarët e rëndomtë apo ekspertë të drejtësisë, është parë si pengesë apo mohim i të drejtës së popullit të Kosovës për tu deklaruar për bashkim me Shqipërinë.

Këto shqetësime kohëve të fundit kanë dalë edhe më shumë në pah, posaçërisht gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësimit së Shqipërisë. Në manifestime të ndryshme të këtij përvjetori të 100-të të shtetit Shqiptar, pothuajse tek të gjithë udhëheqësit shqiptarë dukej qartë dëshira për një bashkim. Por, një lagje syresh, këtë vullnet sikur e bartnin në një terren tjetër, madje dukej se për t` mos ra ndesh me qendrat e vendosjes politike, atë e kamuflonin  ‘me bashkim në BE’!

Pas iniciativës nga Aleanca Kuq e Zi për nënshkrimin e peticionit, i cili bën thirrje për referendum dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë, disa analistë, ekspertë të drejtësisë dhe politikan, shprehën qëndrimet e tyre, duke konkluduar se Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin me Shqipërinë.

Me një vlerësim apo interpretim të këtillë, është e vështirë të pajtohem. Ndërkaq duke marrë në konsideratë në mënyrë eksplicite tekstin e nenit dhe paragrafin në fjalë, e jo qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe konkretisht konkluzën nr 6 të këtij grupi, pranimi me aq lehtësi i konkluzionit të këtillë, më duket në kundërshtim me interpretimin logjik dhe dialektik.

Neni 1 paragrafi 3, i Kushtetutës sonë nënvizon, citoj: ‘Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti’.  Nga ky paragraf, nëse analizohet dhe interpretohet drejtë, del se Kosovës nuk i ndalohet bashkimi apriori. Ky nen Kosovës i ndalon që të kërkojë të bashkohet me ndonjë shtet, por jo bashkimin si vullnet politik. Në këtë situatë, nëse kërkesa për bashkim vjen nga Shqipëria, Kosova nuk ka pengesë Kushtetuese që të deklarohet pro apo kundër bashkimit.

Në anën tjetër, si pengesë për deklarim pro apo kundër bashkimit, është potencuar fakti se gjoja Kushtetuta paraqet pengesë për mbajtjen apo organizimin e referendumit. Edhe në këtë aspekt Kushtetuta e Kosovës, de facto dhe de jure nuk paraqet pengesa. Neni 2 paragrafi 1 i Kushtetutës e përcakton qartazi se ‘sovraniteti i Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit, dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera’. Nga ky nen shihet se sovraniteti i Kosovës mund të jetë subjekt i referendumit. Madje neni 65, paragrafi 3 i jep Kuvendit kompetenca që të shpallë referendum.

Megjithatë, duhet cekur se Kosova ende nuk e ka ligjin për referendum. Mirëpo, kjo nuk mund dhe nuk duhet parë si pengesë kushtetuese, por thjeshtë ligjore, që mund dhe duhet të përmbushet në afat  sa më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, të kenë të drejtën e shprehjes së vullnetit të tyre për çështje të caktuara përmes referendumit. Një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, nuk duhet mohuar qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së ligjit për referendum.

Si përfundim, mund të themi se Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon bashkimin me Shqipërinë, nëse kërkesa vjen nga ajo, dhe referendumi nuk është pengesë Kushtetuese, por ligjore. Kështu vijmë në konkludim pasues se e drejta për të shprehur vullnetin për bashkim me Shqipërinë nuk kërkon doemos ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por për këtë kërkohet miratimi i ligjit për referendum dhe vullnet politik.

(Autori është doktorant në Universitetin e Berlinit në lëmin e Shkencave juridike Evropiane. 

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.