e martë, 29 janar 2013

Kur demokracia vlerësohet si biotop jonatyral


Delegatët në kongreset e partive do të duhej ta kuptonin se janë zë i antarësisë, zë i një pjese të popullit që kauzën për liri e ka shikuar të ndërlidhur me atë të demokracisë. Ndërkaq kauza politike e popullit tonë për prosperim ekonomik, është e ndërvarur shumëfish nga demokratizimi i partive tona, nga çlirimi i politikës.

Shkruan  Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 29 janar  -  Konventa e gjashtë e Partisë Demokratike dëshmoi se strategjia që ndjek lideri i saj dhe pasuesit e tij, përputhet plotësisht me atë të definicionit popullor që kishte potencuar Maks Veberi për partitë politike. Ajo mbetet tutje formacion politik i lidhur me procesin elektoral dhe përbën një „ndërmarrje politike“,  që rrjedhimisht është ndërmarrje interesash. Konventa gjithashtu përforcoi bindjen e studjuesve se PDK , duke u pozicionuar si parti e qendrës së djathtë, ka përvetësuar mirë leksionin mbi të ashtuquajturin „treg politik“, që ndërlidhet ngushtësisht me ambientin elektoral të abuzuar gjatë tërë procesit të stërgjatur tranziconal (1989-2013), por ajo ka ra ndesh me natyrën e saj. Ndërkaq po të flisnim me gjuhën e Jean Charlot-it, sa më shumë që PDK i largohet rrënjëve të saj, aq më pak organizimi pasqyron natyrën e saj.
Sipas politologëve,  ideja se demokracia mund të funksionojë pa ndihmën e partive deri tani ka mbetur në stadin e utopisë. Ndërkaq idetë se shtetet me demokraci të brishta kanë nevojë për sundimtarë qoftë edhe përkohësisht, në thelb janë reaksionare, antidemokratike. Defekti i madh politik, që u reflektua në Konventën e VI-të të PDK-së,  e që do të mund të cilësohej si abuzim i llojit të vet me natyrën e partisë, reflekton tepër negativisht në vet procesin e ndërtimit të sistemit demokratik. Të këtilla si janë sot, pjesa dërmuese e partive në Kosovë, ato janë shndërruar në pengesë reale për zhvillimin e demokracisë.
Shih për këtë, grupimet anarkiste që mbesin jashtë sistemit, mund të shumëfishohen. Çështja e rritës gjeometrike të të ashtuquajturës lëvizje islamike radikale, të njohur si selefi, ose protesta e „plisave“ (tifozëve të Prishtinës), që kërkonin armë ngjashëm me tifozët e „Partizanit“ dhe „Yllit të Kuq“ të Beogradit, apo dalja në skenë e zjarrëvënësve të makinave të qeverisë e që e cilësuan veten si „të paknaqurit“... pasqyrojnë më së miri se sa mbesin të interesuara qarqet antishqiptare të shfrytëzojnë këtë vakum mes qytetarëve dhe partive politike.

Kur  mungojnë demokratët në skenë del sundimtari
Një javë pasi në sheshin Nëna Terezë forcat e rendit, në fakt pjesëtarë të Njësisë speciale kishin ndërhyrë brutalisht ndaj demonstruesve dhe kishin zvarritur në shesh deputetët e VV, Komisioni për Çështje të Sigurisë i Parlamentit tonë kishte ftuar në interpelancë ministrin e brendshëm. Komisioni e kishte parë të arsyeshme që të marrë informacione konkrete lidhur me ndërhyrjet brutale të policisë ndaj deputetëve, ndërkaq alibive të ministrit për të ashtuquajturat informacione që kishte policia për cenimin e pritshëm të institucioneve, nuk a kishte pas ngenë t` i kullufiste si reale. Ky veprim i Komisionit pretendonte të vinte gjedh mbrojtës demokracisë si sistem, duke pamundësuar  inaugurimin me çdo kusht të shtetit policor, që dukej se ishte çështje e dëshirueshme nga ai që kishte kohë që ishte shndërruar në sundues të partisë së tij.
Ky veprim i Komisionit se si më solli në mendje veprimet e Parlamentit Gjerman në përpjekje për të ndriçuar çështjen e mungesës së masave të sigurisë pas një serie vrasjesh që kishin kryer sektor të specializuar të NPD-së (Partia Nacional Demokrate), që njihet si trashëgimtare e nazizmit gjerman dhe që me të drejtë është shpallur si forcë politike jashtëkushtetuese.
Por nëse në Gjermani fshehja e fakteve që do t` sillnin deri te zbulimi i kësaj strukture, nga segmente të larta të policisë së një Llandi, kishte shkaktuar një varg dorëheqjesh të titullarëve nga ai lokal e deri tek Presidenti i Komisionit për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë, që me të drejtë u cilësua si sukses i Komisionit Hetues Parlamentar, për dhunën e ushtruar ndaj deputetëve askush nuk u kujtua të inicoj krijimin e një komisioni hetues, e mos të flasim për dorëheqjet e pritshme nga kreu i operativës që u identifikua duke shkelur me çizme protestuesit e lidhur, e deri te ministri.  Por vet fakti që ministri i ishte përgjegjur ftesës së Komisionit, linte të besonim se, megjithatë, demokracia po funksionon.
Megjithatë pyetja logjike se çfarë e shtyn këtë ministër të jetë kaq armiqësor ndaj një force politike kundërshtar, ka mbetur pa përgjegje. Ndërkaq sjellja e një lagjeje politikamnësh dhe gjuha e tyre tepër e vrazhdë, që qytetarët patën rastin t` i dëgjojnë pas publikimeve të regjistrimeve që kishte kryer EULEX-i, e bënte të ligjshëm shqetësimin për demokracinë dhe Republikën tonë të brishtë. Këto veprime ishin uverturë e Konventës së „demokratëve“ tanë, që kurorëzuan puçin e vitit 1998, të filluar brenda LPRK-së dhe të bartur tutje në strukturat e larta të UÇK-së. Rrjedhojë krejtësisht e pritshme. 
Shih për këtë një varg pyetjesh që ndërlidhen me mungesën e demokracisë brenda partive tona, në raste si ky që u shpërfaq në Konventën e gjashtë të PDK, janë të pashmangshme.
Si funksionuan partitë tona politike në vitet kur Repubika e shpallur me Kushtetutën e Kaçanikut (1991) ishte e pushtuar?  Pse toleroheshin „zgjedhjet e lira‘  më 22 mars 1998, pak ditë pas masakrës në Prekaz? Me para të kujt u blenë sasi armësh e municioni nga oficerë të armatës serbe në periudha kritike, kur UÇK-së po i mungonin municine e armë, e komandant Ilaz Kodra në Drenicën e Adem Jasharit binte në fushën e nderit, pasi gurët e malit nuk i  bënte dot fishekë, siç do t` i bëjë me të drejtë poeti për ta mbajtur në kujtesë atë dhe djemtë e vajzat më të mira të Kosovës që mbanin me aq krenari uniformën e UÇK-së...  A ka gjasa që segmente të veçanta të mafias serbe, që i kryenin shërbime Shërbimit të Kundërzbulimit ushtarak Serb gjatë luftës dhe pas saj, e që kontrollojnë edhe sot një pjesë të  mirë të Kosovës, përmes impenjimit fiskal të kenë penetruar brenda partive tona politike e për pasojë edhe brenda institucioneve më të larta të Republikës? Prej nga aj mllef i kryeministrave tanë tek i cilësojnë si „vetëfundosje“ e „faqezinjë“ dy nga forcat politike më shpresëdhënëse për bërjen e Shqipërisë? Prej nga kjo gadishmëri për bisedime politike me Beogradin edhe në rrethanat kur strukturat kriminale serbe kontrollojnë një pjesë të Republikës? (...)
Dikujt këto pyetje mund t` i duken të jashtëkohshme, por fakti që, as përgjegjësit e Qeverisësë së ekziluar, që përmes taksës së njohur si 3%, që aplikoi në Diasporën tonë të re,  e që pati mbledhur miliona marka, pastaj pati hapur Bankën Dardania dhe shitur më pas si ta kishte trashëguar nga babai... pastaj as segmenti tjetër i LPRK-së, që mbikqyrte Fondin „Vendlindja thërret“, nuk kanë dhënë raporte institucioneve të Republikës, madje edhe pas 15 qershorit 2008, ndërkaq një rrjet qendrash tregtare dhe lagje të tëra rrokaqiejsh po ngriten si kërpudha në Prishtinë dhe gjithandej në Kosovë, flet shumë për keqpërdorimin e parasë së popullit. Këto dhe tema tjera do të ishin materia për ët cilën do ët duhej të hapej debati në Konventën e gjashtë të PDK, dhe jo vetëm aty. Natyrisht po të kishim demokratë.
Tek mungesa e dhënies së përgjegjësisë, do të duhej kërkuar motivet e skenarit të dafrungës me emrin Konventë,  që iu servirë delegatëve dhe opinionit më 26 janar. Aty në atë moçal të moralit politik e ka  burimin aurola e „shefit“ të shndërruar në sundimtar, por edhe arroganca e ministrit të brendshëm  para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Nëse ministri na patë lënë të kuptojmë  se ai as që e kishte idenë se është ulur para përfaqësuesve të sovranit, këta delegatë, vallë  e kishin idenë se ishin në një Konventë partie, që do të duhej përfundimisht të përmendej dhe të viheshin definitivisht në mbrojtje të vlerave të demokracisë!  Apo janë shndërruar në „xhematë‘ dhe  „shefin“ e tyre e shihin si mëkëmbës të Kalifatit?!  Prandaj rezonimi i tyre politik ishte shterrpë. 

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.