e enjte, 13 tetor 2011

Demokratizimi i sistemit politik është çelësi i Integrimit

Alban Daci

Shqipërisë iu refuzua statusi për në Europë. Progres-raporti i Komisionit Europian vlerëson, se Shqipëria, ka bërë progres të kufizuar në mbushjen e kritereve politike për anëtarësimin në Be. ‘Numërimi i diskutueshëm i votave në zgjedhjet e 8 Majit shtoi polarizimin politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ka pasur shqetësime për pengim të hetimit për 21 Janarin.”
Shkaku kryesor i mospranimit të statusit nga ana e BE-së mbetet, padyshim situata politike në vend, e cila është kapur për gryke nga ngërçi, konflikti. Politika shqiptare në 20 vitet e fundit ka qenë gjithmonë konfliktuale. Jemi të gjithë dëshmitarë në këto 20 vite, se për shkak të politikës konfliktuale, jo vetëm, që nuk kemi ecur përpara, por kemi kaluar momente tragjike. Ky konflikt partiak 20 vjeçar është i simbolizuar nga binomi PD-PS, të cilat kanë qeverisur duke alternuar njëra-tjetër, por pa sjellë asgjë të re në formën e përfaqësimi dhe të qeverisjes.
Gjithashtu, Progres-raporti nënvizon faktin, se Shqipëria nuk ka bërë hapa të rëndësishme në mirëfunksionimin e Parlamentit, reformën zgjedhore, në funksionimin e Ekzekutivit, administratën publike, sistemin Gjygjësorë etj. Me pak fjalë i gjithë sistemi qeverisës dhe përfaqësues shqiptar nuk plotëson kushtet për anëtarësim në BE.
Ashtu si Pozita dhe Opozita janë përpjekur të fajësojnë njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit. Në të vërtetë faji është i të dyjave. Politika ka ekzistuar që kur u shfaqen komunitetet e para njerëzore dhe ajo realizohet nëpërmjet njerëzve për rregullimin e marrëdhënieve të tyre. Njerëzit në shoqëri të caktuara kanë mendime të kundërta, dëshira dhe interesa të ndryshme, dhe nevoja konkurruese, të cilat natyrshëm çojnë në “mosmarrëveshje për rregullat sipas të cilave njerëzit duhet të jetojnë”. Nga ana tjetër, që të ndikojnë mbi këto rregulla ose të sigurohen që këto rregulla zbatohen, njerëzit duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ata duhet të ‘veprojnë në marrëveshje” midis tyre. Pra, domosdoshmëria e politikës lind nga karakteri kolektiv i jetës njerëzore.
Gjithashtu, sipas Aristotelit, politika nënkupton administrimin e qytetit për të mirën e qytetarëve, përcaktimin e një hapësire publike në të cilën të gjithë qytetarët marrin pjesë. Politika shqiptare në njëzet vjeçarin e fundi që nga hapat e para të saj, nuk ka vepruar në formën e një marrëveshje, për një të mirë më të madhe, siç është ajo e qytetarëve dhe e vetë vendit. Kjo nënkupton faktin, se politika shqiptare ka jetuar dhe ka vepruar sikur të ishte një trup i huaj brenda jetës kolektive qytetare të vendit. Këtë e vërteton fare mirë fakti, se politika duke ndjekur vetëm interesat e saja të ngushta për pushtet ka lënë gjithmonë pas dore dhe në shpërfillje jetën qytetare dhe përfaqësimin e interesave të tyre.
Politika Integrimit Europian, duke u nisur nga e kaluara jonë izoluese si dhe nga aktualiteti i proceseve ndërkombëtare, është dhe duhet të konsiderohet politikë kombëtare. Pra, përtej interesit të ngushtë për pushtet të politikës shqiptare, ka diçka më të madhe dhe më të rëndësishme për të mirën e përgjithshme. Kjo padyshim është integrimi i Shqipëri në Europë. Fakti, se ne përsëri morëm një “JO” të madhe për hyrjen në Europë, vërteton edhe njëherë faktin se Politika shqiptare jo vetëm që nuk mbron interesin e përgjithshëm, por është hapur kundër tij për hir të interesit të saj të ngushtë për pushtet.
Për shembull raporti nënvizon ndër të tjera faktin, se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në reformën e administratës publike, ku një ndër problemet me serioze mbetet padyshim rekrutimi pa meritë në shërbimin civili. Mjafton të analizojmë këtë fakt për të kuptuar se sistemi aktual politik shqiptar nuk është në gjendje ta integrojë vendin në BE.
Në njëzet vitet e fundit rekrutimi në administratën politike është krejtësisht mbi baza politike dhe jo në respektim të principit të meritokracisë. Politika shqiptare ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë jo mbi bazën e reformave, vizione dhe programeve, por mbi militantizmin alla shqiptar, të tipit agresiv dhe injorantë.
Për sa kohë politika shqiptare do të jetë në funksionon të parimit të militantizmit injorant dhe jo mbi bazën e profesionalizmit dhe meritokracisë, ne nuk do të kemi kurrë një reformë serioze në administratën shtetërore ashtu siç na e kërkojnë organet e BE-së,
Prandaj, që Shqipëria të hyjë në Europë, duhet të reformojë më parë sistemin politik, duke e bërë atë demokratik dhe transparent. Nuk mund të vazhdohet më me binomin e vjetër dhe të shterur PD-PS, sepse ato kanë vërtetuar në kohë, se nuk mund të reformohen nga brenda dhe nuk mund të realizojnë një politikë në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve. Ne, tashmë kemi nevojë për vizione të reja politike, me protagonist të rinj, të cilët politikën e bëjnë për të përfaqësuar dhe mirë qeverisur të mirën e kolektive të qytetarëve.
Nuk mund të kemi një demokraci të shëndosh, nuk mund të shkojmë në Europë, nëse kemi një sistem politik, i cili jo vetëm që nuk është demokratik, por është edhe qartazi kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Ngërçi politik, i cili pa kuptim që po zgjat prej shumë kohësh, jo vetëm ndalon ashtu siç bëri Integrimin e Shqipërisë në BE, por e paralizon të gjithë vendin në realizimin e reformave dhe në progresin e vazhdueshëm ekonomik. Ngërçi, politik ka rritur shumë tek qytetarët urrejtjen kundrejt politikës, duke i larguar ato gjithmonë e më shumë prej saj. Kjo pakënaqësi e akumuluar, për një kohë të gjatë, pa gjetur rrugë shprese për shpejtim, mund të bëj të mundur rritjen e tensionit qytetarë, që në mënyrë krejt të natyrshme mund të reagojnë edhe me forma të dhunshme dhe jo të pranueshme kundër politikës, pa dallime ideologjike.
Prandaj, sa më shpejt që të jetë e mundur, gjërat duhet të ndryshojnë në politikën shqiptare që gjerat të mos bëhen problematike dhe me pasoja dramatike për të gjithë. Nuk dua ta pranojë, edhe pse pak a shumë situata e ngërçit të politikës shqiptare e shikoj të ngjashme me atë që njihet si periudha e “Plumbit” në Itali. Diku në një të përditshme, lexova se një OJQ kishte bërë thirrje për rekrutim ushtarak kundër “diktaturës’. Nuk e di pse, por kjo më ngjason shumë me Brigadat e Kuqe në Itali, të cilat në emër të proletariatit bënë terror duke marr peng dhe vrarë edhe Aldo Morën, Kryeministrin italian të asaj kohe.
Shpresoj dhe uroj, që gjërat në vendin tonë të mos shkojnë në këtë kah të papranueshëm dhe krejtësisht jo demokratik. Megjithatë, nëse ngërçi do të fillojë të jetë pengesë për të mirën e të përgjithshme të qytetarëve, gjithçka mund të ndodh, sepse është instinkti natyror i mbrojtjes kundër asaj që njihet si e keqe.
Nevojën për reformim e politikës shqiptare e nënvizoj edhe Ambasadori i BE-se Sequi, i cili tha se: Shqipëria ka edhe një shans të fundit në dhjetor për marrjen e statusit. Kjo nënkupton faktin, se para muajit dhjetor parashikohen se në politikën shqiptare do të ndodhim ndryshime të cilat automatikisht do të ndryshojnë edhe ekuilibrat aktual të pushtetit. Le të themi, se thirrja e Ambasadori, nënkupton një “PO” për vazhdimësinë e ndryshimeve në politikën shqiptare. Pra, nëse në politikën shqiptare do të jenë të njëjtët subjekte dhe protagonist edhe në dhjetor e kemi të garantuar “JO-në” për statusin.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.