e diel, 9 tetor 2011

Fatin e kemi në duart tona…

Alban Daci

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, një ditë më parë deklaroi, ndër të tjera, se 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit Shqipëria ndodhet sërish në udhëkryq.
“Është në duart tuaja, të shqiptarëve. I përket Shqipërisë të përcaktojë të ardhmen dhe për këtë duhet të bëjmë zgjedhjet e drejta, në mënyrë që bashkërisht të shpiem përpara integrimin e Shqipërisë në BE”,- u shpreh Arvizu gjatë fjalës së tij të mbajtur gjatë konferencës të organizuar në nder të marrëdhënieve 20 vjeçare shqiptaro-amerikane.. Ai tha se rruga më e mirë dhe e drejtë për nderuar miqësinë tonë është vazhdojmë përpara gjatë rrugës që shtruam në vitin 1991-in.
“Ajo rrugë udhëheq drejt një demokracie të gjallë të patundshme, institucione të forta, dhe të pavarura, një shtet ligjor dhe begati ekonomike. Ajo rrugë udhëheq drejt integrimit të Shqipërisë për në BE” tha Ambasadori i SHBA-ve.
Po të analizojmë me qetësi fjalët e Ambasadorit të SHBA-ve dalin në pah shumë të vërteta. Ai nënvizon, se fati Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve. Çfarë nënkupton kjo? Që ne, shqiptarët, ndoshta deri tani nuk e kemi pasur në dorë fatin tonë dhe perspektivën e vendit tonë. Prandaj, ka ardhur momenti, që të reflektojmë, duke u bërë zotë të vetës dhe të vendit tonë.
Gjithashtu, mund të kuptohet, se fati ynë në këto vite tranzicioni klasa politike jo vetëm nuk na ka përfaqësuar, por nuk na ka pasur as në konsideratë. Kjo, nënkupton se politika duhet të rinovohet përditë, duke respektuar proceset e jetës, të demokracisë dhe të rrotacionit politik dhe duke promovuar persona të rinj, që jo vetëm janë të denjë për të na përfaqësuar, por që kanë një dashuri të madhe për Shqipërinë, vendi i së cilës duhet të jetë vetëm BE.
Gjithashtu, ai nënvizon, se për të forcuar më tej miqësinë mes dy vendeve duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, institucionet e forta, të pavarura, dhe begatinë ekonomike. Nga këto fjalë del në pah qartazi fakti, se ne, deri tani nuk kemi asnjërën nga këto kritere për të forcuar në një fazë akoma edhe më të avancuar marrëdhëniet me SHBA-të.
Shteti ligjor, demokracia dhe begatia ekonomike janë të gjithë elementë që, nëse do të ishin, tashmë të pranishëm, do të bënin që jeta e qytetarëve shqiptarë të ishte më e mirë, me më shumë dinjitet dhe në të njëjtën kohë më e lumtur. Gjithashtu, nëse ato do ekzistonin tashmë, Shqipëria do të kishte jo vetëm një pozicion fortë dhe të denjë me SHBA-të, por do të kishte bërë hapa shumë të rëndësishëm edhe drejt integrimit në BE.
Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët e morën rrugën e demokracisë, të hapjes me SHBA-të dhe të integrimit në BE, në fillim të viteve ’90. Edhe pse starti i shqiptarëve për ndryshime të mëdha në vend ishte shumë entuziast, ai u venit rrugës, derisa arriti në një pikë ngërçi, siç është sot. Pas 20 vitesh tranzicioni, akoma ne dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vend flasin për shtetin ligjor, për begatinë ekonomike, për kryerjen e reformave që do të përshpejtonin procesin e integrimit në BE.
Kjo është jo vetëm absurde, por është edhe e papranueshme. Dihet gjithmonë, se kur ndodhin ndryshimet e mëdha sociale, edhe pse e reja e zëvendëson të vjetrën, nuk arrin ta përjashtojë menjëherë e plotësisht nga çdo aspekt social. Megjithatë, nga vitet ’90 kanë kaluar plot 20 vjet dhe ne, akoma e trajtojmë demokracinë sikur të ishte një foshnjë e sapolindur, pa harruar se ajo tashmë nuk mund të konsiderohet as në moshën e adoleshencës.
Nuk mund të pretendojmë, se Shqipëria sot duhet të jetë si Gjermania, SHBA-të apo vendet e tjera perëndimore, por nuk mund të pranojmë në të njëjtën kohë që vazhdojmë të mbetemi mbrapa edhe shumë vendeve të rajonit të Ballkanit. Pra, ne nuk mund të krahasohemi me atë që historikisht është quajtur Europa Perëndimore, që mbetet jo vetëm një ëndërr, por edhe një model për t’u imituar. Por, ne duhet të pretendojmë dhe të kërkojmë të krahasohemi me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.
Nëse, ne radhitemi edhe pas këtyre vende, duhet të shqetësohemi dhe duhet të ndjehemi keq. Pra, ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes, që të vazhdojmë të radhitemi gjithmonë në vendet e fundit, kur bëhet fjalë për rritjen ekonomike, për demokratizimin e vendit, për plotësimin e standardeve të vendosura nga BE-ja.
Sot, flitet se Shqipëria po humbet shanset e mëdha për integrimin në BE dhe kjo po ndodh vetëm për shkak të politikës në vend. Ëndrra europian ishte ajo që zgjoi në fillim të viteve ’90 ndjenjën tonë për demokraci dhe për të rrëzuar regjimin e vjetër totalitar. Edhe sot, pas 20 vitesh, procesi i integrimit në BE mbetet vetëm një ëndërr për qytetarët dhe një dështim total për politikanët. Disa herë është nënvizuar jo vetëm nga unë, por edhe nga intelektual të tjerë, se qytetarët shqiptarë janë hapa përpara në krahasim me klasën politike. Madje një gjë të tillë e deklarojë edhe presidenti Topi dje gjatë konferencës në nder të marrëdhënieve 20 vjeçare mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Gjithmonë historia ka treguar se është e vështirë të edukosh një popull të tërë drejt një të ardhme më të mirë. Çdo popull ka të kaluarën e vet dhe sistemet apo ndryshimet nuk mund të dalin jashtë kësaj panorama. Ndërsa, në rastin e Shqipërisë, populli është i edukuar me demokraci, me europianizmin dhe amerikanizmin, ndërsa klasa politike, për fatin e keq, nuk ka përvetësuar asnjërën nga këto. Në këtë rast, është më e lehtë për vendin tonë. Pasi, elitat politike ose klasat politike të çdo vendi nuk janë të përhershme. Ato mund dhe duhet të zëvendësohen nëse nuk janë në një linjë me qytetarët e tyre.
Aktualisht klasa politike shqiptare dhe ngërçi i prodhuar prej saj jo vetëm nuk janë në një linjë me qytetarët, por krejt kundër interesave të tyre, sepse në këto çaste shqiptarët dhe Shqipëria kanë interes parësor integrimin e plotë në BE dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-të. Për këtë arsye, ashtu siç thotë edhe ambasadori Arvizu, fatin e kemi në duart tona. Ne thjeshtë duhet ta posedojmë atë për të përfaqësuar interesat tona dhe të vendit tonë. Ne duam një vend demokratik, duhet të luftojmë për ta ndërtuar atë. Ne duam të shkojmë në Europë, duhet të çojmë në shtëpi klasën politike kur ajo është e papërgjegjshme që të ndodh. Duam begatinë ekonomike, duhet të luftojmë për transparencë dhe për reformat të thella. Duam të kemi shtet ligjor, duhet të bëjmë më demokratik sistemin e përfaqësimit dhe të vendimmarrjes.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.