e hënë, 10 tetor 2011

Shqiptarët, ideatorë të konfederatës së parë Evropiane


Beqir Valteri ideoi dhe publikoi, që më 1929, idenë e Konfederatës Ballkanike me 10 shtete

Nga Alban DACI*


Në kujtesën popullore dhe në literaturën historike matjani Beqir Valteri identifikohet si atentatori ndaj Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve. Por, ai s’ishte vetëm kaq....

Kush ishte Beqir Valteri?

 U lind në Mat, në një familje shumë të njohur. Qe deputet në parlamentin e regjimit të Zogut. Ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, që drejtohej nga Avni Rustemi. Udhëtonte shpesh jashtë vendit, veçanërisht në Francë dhe në Austri. Ai, për shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë e tij, në rrethet politike njihej si “djaloshi ekstravangt” dhe “djaloshi i gjesteve heroike”. Për mos pajtim me politikat zogiste ai, megjithëse të dy qenë matjanë,  e qëlloi Mbretin e Shqiptarëve me revolver brenda në Parlament. Kjo ndodhi më 23 shkurt 1924. Pas plagosjes në krah, Zogu dha dorëheqjen si kryeministër dhe këtë detyrë e mori Shefqet Vërlaci. Beqir Valteri u arrestua, por si kushëri i Zogut , që ishte, me ndërhyrjen e Nënës Mbretëreshë, ai u dënua, por u dëbua në Itali.  Atë kohë e sot, analistët thonë e shkruajnë se ai këtë akt e kreu me porosi të Avnit Rustemit, që u vra jo shumë kohë më pas, por vetëm dy muaj më pas, më 23 prill 1924. U dënua dhe u pushkatua nga komunistët më 1945, si eksponent i Ballit Kombëtar dhe kushëri i Ahmet ZogutNë atë kohë, nga analistët stili i tij i të formuluarit konsiderohej si revolucionar.

                    Shqiptarët i përkasin një kombi vital, me një histori të lavdishme, që nga pellazgët e deri më sot. Ky popull ka nxjerr shumë figura të shquara në fusha të ndryshme jo vetëm në vendin e vet, por edhe jashtë tij, nëpër botë.
          Askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend, se edhe ideatorët e parë për federatën e parë evropiane janë shqiptarët, por ja që kjo është e vërteta. Dhe këtë ide e hodhi publikisht Beqir VALTERI.  Kjo gjë ndodhi në vitin e hershëm të 1929-ës.
           Në atë kohë Beqir Valteri ndodhej në Francë. Kishte kontakte me rrethe politike shqiptare e jo shqiptare, përparimtare për kohën.  Në këtë periudhë ai shfaqet jo vetëm si gazetar, por edhe një ideator e predikator.
          Ai dëshiroi dhe kërkoi bashkimin e të gjithë ballkanasve në një organizim të përbashkët, që ai e mendoi si konfederatë.
           Ideja e një federate për ballkanasit ishte hedhur më parë nga Rusia Sovjetike, e cila botonte në Vjenë edhe një gazetë të titulluar “Federacioni Ballkanik”.  Ndërsa Beqir Valteri formën e organizmit të përbashkët, të një “çatie të madhe” ballkanike nuk e konceptoi si federatë, por si një konfederatë, brenda së cilës kompetencat e çdo shteti do të ishin më të madha dhe gjithashtu edhe sovraniteti i tyre do të  ishte më pak i kufizuar, pikërisht ashtu si është sot për çdo shtet anëtar brenda  Bashkimit Europian.
           Kur ishte në Paris, më 1929, ai i drejtoi një memorandum të gjatë presidentit të SHBA, Hooëer, ku i përshkruan idenë e tij për këtë konfederatë dhe kërkon haptazi ndihmën dhe mbështetjen e SHBA për realizimin në praktikë të kësaj ideje të një bashkimi ballkanik.
           Një vit më vonë, më 1930, një memorandum të tillë i dërgoi edhe Konferencës Ballkanike, të mbledhur në Athinë. Edhe kësaj konference ai i shpjegoi idenë e tij dhe mënyrën se si mund të realizohej kjo ide.
          Si presidentit Hooëer, dhe Konferencës Ballkanike, ai u paraqiti edhe një flamur të dizenjuar posaçërisht në bashkëngjitje me idenë e tij të Konfederatës Ballkanike.  Këtë flamur ai e ideoi dhe e realizoi në Paris, në vitin 1929. Në atë vit,  dhe më pas, ky flamur që mbante autorësinë e Beqir Valterit është botuar në të gjithë gazetat ballkanike të kohës.  Flamuri, në atë kohë u cilësua si një sajim i bukur, i qartë dhe i motivuar. Vetë fusha e flamurit u realizua me ngjyrë të kuqe, ndofta duke pasur parasysh se realizimi i kësaj konfederate ishte shumë i vështirë, ashtu si ishte shumë e vështirë edhe mbrojtja e saj, në rast realizimi praktik, i bindur se kjo gjë mund të realizohej me gjak dhe sakrifica të përbashkëta.
           Mbi fushën e  kuqe të flamurit, 10 shtetet pjesëmarrëse në këtë konfederatë i paraqet secilin me një rreth me ngjyrë të kaltër, brenda të cilëve ishte vendosur një yll i bardhë me 5 cepa.  Të gjithë këta rrathë të kaltër,  ngjyra botërore e shpresës, me yjet brenda janë vendos në formën rrethore mbi fushën e kuqe të flamurit, pikërisht ashtu si janë vendosur sot yjet në flamurin aktual të Bashkimit Europian, me të vetmin ndryshim se tani këto yje janë vendosur mbi fushën blu të flamurit.
           Dhjetë shtetet e mundshme pjesëmarrëse në këtë konfederatë ishin :Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilat së bashkua, në atë kohë llogariteshin me rreth 60 milion banorë. 
           Kjo ide e guximshme e Beqir Valterit, në atë kohë e sot, nderon shqiptarët dhe Shqipërinë. Ai ishte i pari ballkanas, që ideoi bashkimin e ballkanasve në një konfederatë dhe i pari që dizenjoi edhe flamurin e kësaj konfederate, pikërisht si ky i sotmi i Bashkimit Europian.

          Ç’ndodhi pa publikimit të idesë së Beqir Valterit për konfederatën ballkanike?
          Një vit më pas, në tetor 1930 u mbajt në Athinë Konferenca e parë Ballkanike, punimet e së cilës përfunduan me krijimin e Lidhjes së Turizmit Ballkanik.
          Një vit tjetër më vonë, në tetor 1931, u mbajt dhe Konferenca e Dytë Ballkanike, në Stamboll. Në këtë konferencë Lidhja e Turizmit Ballkanik mori formë definitive. Gjithashtu, në këtë konferencë u vunë themelet edhe për të tjera marrëveshje ndërballkanike. U krijua Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Ndërballkanike, e cila përmblidhte komunikacionin detar dhe kultivimin e duhanit.      U fol edhe për komunikacion tokësor dhe u vu në udhë edhe kjo çeshtje.
                
          Pse Beqir Valteri e shihte si zgjidhje Konfederatën Ballkanike dhe si  e mendonte atë?

          Në një artikull të botuar në një të përditshme të atyre viteve, Beqir Valteri shkruan: Gjer kur ballkanasit do të jetojnë në grindje e gjakderdhje? Kjo do të marrë fund vetëm kur të bashkohemi me njëri-tjetrin, nën hijen e një flamuri të përbashkët. Duhet të pranojmë: o të gjithë të lirë e të respektuar, ose të gjithë të vdekur me nder. Jo vetëm të respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit, por edhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo rast që lypet.
          Kemi ballkanas, që të dalun nga mentaliteti i një shovinizmi, duen të bahen të mëdhenj në dam të fqinjve.
          ...Popujt e vegjël, në duen indipendencë, mund të quhen indipendentë vetëm tue i bashkue forcat e tyne në një organizim të përbashkët, dhe, në duen me u dallue mbi të tjerët, superioritetin  tyne duhet ta shohin vetëm më sjellje të mira dhe në vepra kulturore të tyne.
          Bashkimi duhet të bahet në formën e një Konfederacioni, ku të gjithë popujt mundin me u rregullue në frymën e ligjet e tyne.”

         
         
* Autori i këtij shkrimi është dhe autori i librave “Europa dhe shqiptarët” dhe “Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare” .        

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.