e martë, 18 tetor 2011

Shqipëria në udhëkryq...

Nga Dr. Jordan DACI*


Kanë kaluar rreth 21 vjet që nga koha kur Shqiptarët u zgjuan nga një gjumë dimëror gati një gjysmë shekulli për të rrëzuar sistemin diktatorial komunist. Ëndrra e Shqiptarëve ishte liri, demokraci dhe ta shohim Shqipërinë si e gjithë Evropa. Megjithatë, përsëri tingëllon si absurditet, por si brezit të vitit 1990, ashtu edhe brezave të sotëm ju duhet ende të bërtasin dhe të kërkojnë përmbushjen e një ëndrre të mbetur pezull për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe si e gjithë Evropa. Sigurisht, shumë njerëz mund të ngrihen e të thonë që kjo gjë nuk ka kuptim pasi sot kemi edhe lirinë edhe demokracinë dhe jemi afruar shumë Evropës, por këtyre njerëzve bashkëkombës të mijë, me duhet t’ju them që është e vërtetë që sot kushtetuta e RSH garanton lirinë tonë dhe vendos bazat për një sistem demokratik qeverisje dhe mundësi zhvillimi të krahasueshme me ato evropiane. Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që liria e demokracia nuk mund të ekzistojnë vetëm ngaqë ato janë të parashikuara në kushtetutë apo në ligje të tjera. Për ekzistencën e tyre duhet të plotësohen edhe një sërë kushtesh të tjera të cilat të gjithë së bashku, bëjnë që liria të jetë e vërtetë dhe lirisht e gëzueshme nga të gjithë qytetarët pa asnjë lloj dallimi dhe bëjnë të mundur që demokracia të mos ekzistojë vetëm si potencial, por të jetë e vërtet dhe funksionale dhe në këtë mënyrë edhe e aftë për të përmirësuar vazhdimisht vetveten. Sado që është shumë zhgënjyese dhe gati i padurueshëm, është fakt që Shqipëria vazhdon të përjetojë një tranzicion të gjithanshëm dhe me pasoja shkatërruese për jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit tonë. Ky tranzicion që duket sikur nuk do të marrë fund kurrë, është ndër të tjera pasojë e keqqeverisjes, shpërdorimit të besimit të popullit, mungesës së respektit ndaj ligjit, lirisë së shfrenuar jashtë çdo lloj kontrolli, korrupsionit që është ulur këmbëkryq, mosrespektimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese etj. Ky tranzicion me efekte dërrmuese për shoqërinë tonë dhe kuadrin institucional ka bërë që Shqipëria të bëj sa hapa para aq edhe hapa mbrapa dhe të mbetet pezull në rrugën e saj për zhvillim dhe modernizim sikurse të gjithë vendet e tjera demokratike perëndimore.

Në këto kushte, me të drejtë çdo kush mund të ngrejë pyetjen se kush janë shkaktarët e këtij tranzicioni të pafund dhe të pashoq në historinë e vendeve të zhvilluara perëndimore, apo vendeve të tjera ish komuniste? Sigurisht, një artikull nuk do të mjaftonte kurrë të përmblidhte të gjithë shkaqet që unë mendoj se kanë bërë që Shqipëria të ndodhet sot në udhëkryq, por do të mundohem të paraqes në mënyrë të përmbledhur disa nga shkaqet më kryesore.

Së pari, mendoj që shkaku kryesor është tradhtia që i është bërë popullit nga përfaqësuesit dhe qeverisësit pa dallim. Është i trishtueshëm fakti që të zgjedhurit me votën e popullit në pjesën më të madhe të tyre me pakëz përjashtime, janë ata që i kanë premtuar popullit mbrojtjen me besnikëri të interesit të tij dhe vetëm të tij, si shërbyes të bindur të tij, por nga ana tjetër, këta përfaqësues në vend që të jenë shërbyes dhe besnik, janë kthyer në zotë të popullit të tyre që nuk pyesin aspak se çfarë mendon dhe dëshiron populli, por si qëllim të vetëm kanë forcimin e pushtetit të tyre dhe pasurimin e vazhdueshëm në kurriz të interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Janë pikërisht këto veprimeve që në thelb kanë cenuar rëndë sovranitetin popullor duke e zhbërë atë dhe në këtë mënyrë pa e kuptuar ata kanë deligjitimuar përfaqësimin dhe pushtetin e tyre. Pasi një pushtet i cili nuk mbron interesin e përgjithshëm të sovranit, nuk mund të jetë kurrë pushtet legjitim. Janë pikërisht, këto përfaqësuesit e sovranit që në emër të tij, shiten, blihen dhe hidhen nga një degë në tjetrën në kërkim të pushtetit dhe në kurriz të popullit. Parlamenti Shqiptar është ndër të paktët parlamente në botë ku shumica e deputete janë milioner apo edhe miliarder, apo nga njerëz që kanë përfunduar universitetin pa përfunduar shkollën e mesme etj etj.

Së dyti, një shkak tjetër është pushteti ekzekutiv, i cili nuk ka pasqyruar asnjëherë drejtë vullnetin e popullit, por ka qenë kryesisht rezultat i pazareve midis forcave politike dhe është përbërë nga njerëz pa vizion dhe që njërën këmbë e kanë ende në sistemin e kaluar komunist. Ekzekutivi, si forca kryesore e planifikimit dhe zhvillimit strategjik të një vendi, nuk ka mundur që ta imunizojë veten e tij nga politikanët e korruptuar dhe mediokër dhe as nuk ka mundur të ndërtojë dhe të modernizojë aparatin shtetëror institucional, por është kënaqur me arnime mbi arnime dhe me modele që janë kopje të paplota dhe shpesh herë të deformuara të modeleve të shteteve të zhvilluara. Nga ana tjetër, ekzekutivi gjatë 21 vjetëve nuk ka mundur të ruaj ekuilibrat e nevojshëm kushtetues me pushtetin legjislativ dhe gjyqësor dhe nuk ka mundur të përmirësojë veten e tij në përputhje me tendencat e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe politik.

Së treti, një shkak tjetër është pushteti gjyqësor, një pushtet i rrënuar tërësisht dhe i paaftë për të përmbushur misionin e tij kushtetues, si dhe të përballojë sfidën e integrimit euro-atlantik. Në vitet 90 gjyqtarët që u larguan pasi i shërbyen regjimit komunist u zëvendësuan me njerëz që u bën gjyqtarë pasi studiuan vetëm gjashtë muaj në një kurs të improvizuar. Sot, këto njerëz janë pjesë e shkallëve më të larta të gjyqësorit Shqiptar. Është i trishtueshëm fakti që pushteti gjyqësor sot në Shqipëri është produkt i një procesi emërimesh aspak transparent dhe aspak të drejtë, është produkt i një sistemi arsimor tërësisht jashtë kohe, është produkt i sistemi karriere që bazohet në gjithçka me përjashtim të meritave dhe konkurrimit të ndershëm dhe publik. Po ashtu, edhe pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë si institucioni i prokurorisë, avokatisë apo noterisë janë në një gjendje të mjerueshme, po të kemi parasysh faktin që prokurorët që vënë në rrezik jetën duke luftuar krimin, paguhen me paga qesharake dhe nuk kanë të siguruar, as veten as familjen dhe as pronën e tyre. Po ashtu, edhe institucioni i avokatit është i përdhosur nga prepotenca abuzive e pushtetit gjyqësor, nga mosrespektimi i institucionit të avokatit, por edhe nga vetë paaftësia e avokatëve dhe institucioneve të tyre përfaqësuese për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të avokatit si institucioni kryesor që garanton një sistem drejtësie demokratik dhe të drejtë. Po ashtu, institucioni i noterit nga një shembull i cilësisë dhe i korrektësisë është kthyer në pjesën më të madhe në një institucion që fotokopjon dhe vulos dokumente dhe që nuk i kushton më rëndësi as formës, as përmbajtjes. Madje është për të ardhur keq, kur merr vesh që ky profesion i lirë fisnik kufizohet nga të ashtuquajturat ekskluzivitete të padrejta apo garantohet trashëgimi i këtij profesioni si në kohën e fashizmit Italian i cili e shpiku për herë të parë këtë praktikë që është harruar nga vendet demokratike që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Së katërti, një shkak tjetër është paaftësia, pamaturia dhe zullumi që karakterizoi klasën politike gjatë gjithë kësaj periudhe. Klasës politike të këtyre 20 viteve i ka munguar vizioni për t’ju garantuar shqiptarëve liri, demokraci dhe prosperitet si çdo vend tjetër i zhvilluar perëndimor. Kjo klasë ngjan më shumë me një kastë sesa klasë dhe në thelb përbën një oligarki të përhershme qeverisëse. Ajo jo vetëm që nuk respekton dhe përfaqëson interesat e popullit, por shpesh vepron në kundërshtim të hapur me këto interesa si pasojë e pengmarrjes së saj nga ish sunduesit komunistë apo trashëgimtarëve të tyre të kudondodhur, si pasojë e paaftësisë dhe qenies dritëshkurtër në hartimin e politikave zhvillimore afatmesme dhe afatgjata, si pasojë e pengmarrjes nga krimi dhe dëshirës për pasurim, si dhe si pasojë e gjithfarëlloj interesash të tjerë të paligjshëm. Është pikërisht, kjo klasë-kastë politike e cila jo vetëm që është përgjegjëse për të gjithë këtë tranzicion të pafund, por është përgjegjëse e paaftësisë së saj të mirëprovuar për të përmbushur misionin e saj politik për t’i siguruar popullit shqiptar liri, demokraci dhe prosperitet kuptimplotë.

Si përfundim, me keqardhje mund të konstatojmë që sot Shqipëria është në një gjendje e mjerueshme dhe në një udhëkryq nga i cili nuk do të dalë kurrë nëse mbarë opinioni publik nuk ndërgjegjësohet për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në të gjithë botëkuptimin që kanë Shqiptarët mbi qeverisjen, të qeverisurit, qeverisësit, ligjvënësit, dhënies së drejtësisë, arsimin, zhvillimin etj. Pra me fjalë të tjera nevojës për një ndryshim të përgjithshëm dhe për një politikë të re vizionare e cila do të mund të shkëputet nga e trashëguara dhe të mendojë e të veprojë në përputhje të plotë me interesin dhe vullnetin e popullit të saj dhe në respektim të plotë të shtetit të së drejtës dhe sistemit demokratik të llogaridhënies.

Profesor i të Drejtave të Njeriut, të Drejtës Publike dhe Evropiane

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.