e mërkurë, 18 janar 2012

Albanianpolitik, Manifesti i Bashkimit

Alban Daci


Albanianpoltik, duhet të jetë një rrymë e politikës shqiptarë që nuk bazohet në bindje partiake, por kombëtar, me njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, që integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët por për gjithë rajonin. Kjo rrymë kaq e domosdoshme për kohën që po kalojmë mund t’iu jap përgjigje efikase të gjithë argumenteve që rreshtuam dhe të atyre që ndoshta i kemi harruar ti rreshtojmë, për të krijuar vizionin pozitiv me plotë shpresë dhe ndriçim për të ardhmen. 

Lindja e Republikës së Kosovës, bën që faktori shqiptar të jetë jo vetëm më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimorë, por vendimtar në implementimin e proceseve integruese në zonën euro-atlantike për gjithë Ballkanin. Megjithatë, lindja është fillimi i një jete, i një procesi të pambaruar. Lindja e Republikës së Kosovës është lindja e një shprese mbarë shqiptare për bashkim, realizimi i kësaj shprese është aspirata e popullit shqiptar ndër shekuj. Po të analizojmë aktualisht në bazë të kriterit hapësinor, demografik, faktori shqiptarë ka një shtrirje të gjerë dhe një prezencë të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, pa lënë mënjanë dhe Diasporën që është e kudo gjendur nëpër botë, ku në pjesën me të madhe ka arritur integrim të plotë shoqëror, ekonomik, kulturor dhe akademik. Kjo situatë e favorshme për shqiptarët, ka nevojë për nisma të reja efikase dhe të shpejta në kuadrin e një forme të re politike që e shikoj të drejtë ta cilësoj “Albanianpolitik” e konceptuar si rrymë e re e politikës shqiptare që duhet të ketë në qendër të vëmendjes krijimin dhe raforcimin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet që kanë politika dhe interesa të përbashkëta me faktorin shqiptar në Ballkan. Një situatë e favorshme, pa mjetet e domosdoshme dhe koherencën e mençur rrezikon të jetë nulë. Albanianpolitik, nuk duhet të jetë e organizuar mbi baza partiake, ideologjike dhe nuk duhet patjetër të jetë e përfaqësuar nga individ që politikën e bëjnë për profesion nevoje si të vetmen mënyrë për të bërë karrierë, por nga intelektual, specialist të fushave të ndryshme, të rinj që besojnë dhe aspirojnë në një politik pro shqiptare, e cila mendon se shqiptarët duhet të mbrojnë në mënyrë legjitime të drejtat e tyre si në politikën e mbrëmshme dhe atë të jashtme, që besojnë se faktori shqiptar ka një forcë të madhe, të cilën mund ta shfrytëzoj për të çuar përpara procesin e integrimit evropian për rajonin e Ballkanit, që mund të jap një kontribut të fortë dhe të rëndësishëm në mbajtjen dhe ruajtën e paqes në rajon. Në situatën aktuale të krijuar në Ballkan, mendoj, se shqiptarët duhet të ndërmarrin disa hapa të rëndësishëm për sa u përket marrëdhënieve ndër veti, sepse premisat e reja në të ardhmen nuk do të jenë vetëm pozitive, por ndoshta herë-herë edhe negative. Nëse nuk veprohet që tani në krijimin e një baze të shëndoshë për të ardhmen e përbashkët dhe të pa ndarë, atëherë ka mundësi që vetëm të mbetemi të ndarë, por të rrezikojmë edhe ndarje të reja të pa drejta. Duhet të analizojmë me kujdes problemin e madh që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, problemin edhe në pamje të parë duket i heshtur mes Shqiptarëve dhe Sllavo-maqedonasve, problemin e vjetër të Çamëve si dhe të drejtat e mohuar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Ndoshta ka ardhur momenti që këto probleme të krijuara padrejtësisht nga të huajt, t’i zgjidhim po ne, në favor të drejtësisë tonë legjitime, duke ushtruar principin e vetëvendosjes. Pavarësia e Kosovës, ishte me të vërtetë një fitore e merituar për faktorin shqiptar, por nëse e studiojmë me gjakftohtësi ecurinë e saj drejt krijimit të Shtetit të ri bashkë me komponentët e tij formues. Mund të shprehemi se kjo mund të çojë në të ardhmen në krijimin e një “kombi të ri” (Kombi Kosovarë) që do të mohonte në simbole kombëtare, në histori, traditë dhe kulturë identitetin e tij të vërtet shqiptar. Disa herë na jepet përshtypja e rreme se në atë vend ka ekzistuar një popull (popull kosovar) me identitetin e vet, me simbolet e veta dhe me historinë e tij. Ky është një imazh qëllimisht i rremë, sepse shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë Shqiptarë, të cilët jo vetëm kanë lidhje gjaku, kulture, historike dhe gjuhe me ato të shtetit amë, Shqipërisë, por janë të njëjtët, të cilët u ndanë padrejtësisht nga rendi botëror i fillim shekullit që tashmë e kemi lënë mbrapa. Një sistem ndërkombëtar që nuk konsiderohet i drejte, herët a vonë do të vihet në rrezik. Por si e percepton një popull drejtësinë e një rendi të caktuar botëror? Varet si nga institucionet e brendshme, ashtu edhe nga gjykimet mbi cështjet taktike të politikës të jashtme. Prandaj, përputhja e institucioneve të brendshme çon në forcimin e paqes. Sistemi aktual ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit nuk është konsideruar dhe as nuk do të konsiderohet si i drejtë nga shqiptarët. Prandaj, shqiptaret herët a vonë do të veprojnë ndryshe derisa ai te ndryshoi ne favorin e drejtësisë se tyre. Institucionet e brendshme shqiptare nuk po bëjnë asgjë për drejtësinë ndërkombëtare të shqiptarëve në Rajon, sepse ato po merren me veten. Prandaj, nuk kemi arsye të besojmë, se politika është ajo që mund të realizojë aspiratat tona të drejta e të merituara. Klasa aktuale e politikës shqiptare, ka kohë që është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Një klasë politike që nuk është në gjendje të krijoi demokracinë në vend, ajo nuk është në gjendje që këtë princip ta mbroj dhe ta forcoi edhe jashtë, aty ku prej shekuj jetojnë shqiptarë, të shtypur dhe të nëpërkëmbur. Duke parë situatën aktuale politike në vend dhe duke kujtuar atë që ka ndodhur në vite, kemi plotësisht të drejtë edhe pse në formë të dëshpëruar të mos besojmë më tek kjo klasë politike, e cila mendon dhe lufton vetëm për interesat vetjake. “Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë”, tha zoti Ëithers. Unë, do të vazhdoja edhe më tej... përderisa kjo klasë politike as nuk e ka në agjendë bashkimin kombëtar (më i mundshëm është ai mes Kosovës dhe Shqipërisë), do të thotë se bashkimi për ata është diçka e huaj. Për këtë arsye ne kemi të drejtë se kjo klasë politike nuk e do bashkimin. Po të shohim historitë e bashkimeve në të kaluarën, si dhe po të analizojmë të drejtën për vetëvendosje të popujve, bashkimin e një populli mund ta bëj vetë popull me iniciativën e tij të lirë duke u bazuar në demonstrimin e vullnetit të lirë që është shenja më e lartë e një demokracie. Gjermania u bashkua, sepse vet populli gjerman (kundër edhe faktorit ndërkombëtar të asaj kohe) vendosi ta shemb murin absurd dhe të padrejtë që ndante qytetin e Berlinit dhe vet Gjermaninë. Prandaj, populli shqiptar, duke u mbështetur edhe në principin ndërkombëtar të vetëvendosje, nuk duhet të pres që bashkimi i tyre të bëhet nga politika, por ato si gjermanët duhet të marrin guxim e legjitimuar ta shembin murin virtual që ekziston në Morinë dhe në pikat e tjera të kalimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëvendosja është një princip drejtësie dhe për këtë arsye as nuk mund të na e ndalojnë ta ushtrojmë dhe as nuk duhet ta harrojmë se është e drejtë e jonë legjitime për ta ushtruar atë. Sipas pikëpamjes së Amerikës, nuk ishte vetëvendosja që shkaktonte luftëra, por mungesa e saj. Duke u nisur kjo analizë, mund të themi me siguri të plotë, se nuk sjell probleme në Rajon, ushtrimi i vetëvendosjes nga Shqiptarët, por mos ushtrimi i kësaj të drejte pikërisht nga Shqiptarët. Mos u shtrimi i kësaj të drejte nga Shqiptarët dhe pengimi i ushtrimit të saj nga popujt e tjerë, do të bëj të mundur që në Rajon të qëndroi gjithmonë gjysmë e hapur dera e telasheve dhe probleme me pasoja të rrezikshme për të gjithë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të ndodh duke bërë bashkëpunime të rëndësishme si më poshtë. Megjithatë, nëse bashkëpunimet e më poshtë janë të parealizueshme për shkak të faktorëve të brendshëm politik. Atëherë shqiptarët duhet të mbaj si alternativë, bashkimin e menjëhershëm dhe demonstrativ, ashtu siç bënë gjermanët e dy Gjermanive duke u paraqitur pasivisht në pikat e kontrollit dhe të kalimit. 

Bashkëpunim Ekonomik 
a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit evropian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese.
 b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkët për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit. 
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlej si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen.
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdha si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve. e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar. Hapi i pari dhe më i rëndësishëm do të ishte krijimi i një kompanie të përbashkët korporuse mes dy vendeve. Këtë rol mund ta bëj shumë mirë KESH (Kompania Energjetike Shqiptare) që mund të veproj si kompani kombëtar. Hap tjetër i rëndësishëm do të ishte investimi i përbashkët për forcimin e rrjetit ekzistues si dhe krijimin e rrjeteve të reja të standardeve moderne të kohës që do të lehtësonin shpërndarjen e energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve si dhe mundësinë e eksportimit të saj më vendet e tjera të rajonit. Mund të ketë projekte të përbashkëta për ndërtimin e hidrocentraleve dhe termocentraleve me aksione te përbashkëta investuese për të pasur një shfrytëzim të përbashkët dhe të barabartë në të ardhmen. 

Bashkëpunim Politik 
a) Të krijohen organizma ndër institucionale si “Këshilli Kombëtar për Integrim”, i cili duhet të përfaqësohet nga nivelet me të larta drejtuese të dy vendeve si dhe në nivel specialistësh që duhet të mblidhet në çdo katër muaj në vit, ku të diskutohen implementimet e politikave të përbashkëta për një integrim të përbashkët dhe uniformë në Bashkimin Evropian. Selia e këtij këshilli mendoj se duhet të jenë Prishtina dhe Tirana. Ky këshill do të bënte që faktori shqiptar të ketë politika të përbashkëta për çështjet e përbashkëta në Ballkan. b) Krijimi i një Politike të jashtme të përbashkët (PJP) që duhet të përfaqësohet nga nivelet e larta drejtuese të dy vendeve dhe të ketë objektiva parësore implementimin e reforma për integrim të shpejtë në zonën euro-atlantike, të jap kontribut dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe të mbroj interesat e faktorit shqiptarë në botë në sintoni më politikat e aleatëve të deklaruar.
c) Mund të krijohen konfederata partiake, ku forcat kryesore partiake të dy vendeve sipas programeve dhe ideologjive që kanë në zbatim mund të bashkëpunojnë duke krijuar organe të përbashkëta këshilluese në realizimin e objektivave të përbashkëta, por gjithmonë duke venë në qendër të vëmendjes interesat kombëtare. Përsa u përket konfederatave politike, si më të mundshme mund të shikojë krijimin e një konfederate me Vetëvendosjes në Kosovë dhe Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri. Këto lëvizje politike, e kanë shprehur në mënyrë të qartë, se bashkimi kombëtar është strategjia kryesore e aktivitetit. 

Bashkëpunim Kulturore 
a) krijimi i një “Komisioni kulturor” të përbashkët, që do të diskutoj çështjet e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës, në mënyrë që të mos krijohen distanca më rryma të ndryshme dhe të largëta. Një rol të rëndësishëm mund të luaj instituti i Albanologji duke operuar në të gjitha nivelet e arsimimit. Nëse Albanologjia si institucion nuk është në gjendje ta bëj një gjë të tillë. Shqipëria dhe Kosova kanë plot intelektualë të nivelit të lartë, të cilët punojnë në mënyrë autonome prej kohësh. Atëherë, këto intelektual duhet të riorganizohen dhe të krijojnë një institucion krejt të pavarur që të përfaqësojë interesat e kulturës tonë kombëtare. 
 b) Krijimi i një “Komisioni Gjuhësie” që duhet të analizojë problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht gjuha shqipe si në aspektin drejtshkrimor, gramatikor si dhe nga huazimet e shumta që po e mbysin. Ky komision besojë, se duhet të përbëhet nga niveli më i lartë i akademikëve të gjuhësisë dhe duhet të mblidhet njëherë në gjashtë muaj. Gjuha shqipe duhet të evoluoj bashkë me proceset e tjera. Kongresit i fundit i gjuhës shqipe pa komentuar rrethanat në të cilat është zhvilluar, është bërë shumë kohë më parë, kurse proceset e tjera jetësore kanë ndryshuar me hapa të mëdha. Kjo ka bërë që gjuha shqipe të përballet me sfidën kohë dhe hapësirë, sepse shtrirja e përdorimit të saj falë ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon është rritur, duke bërë që të mos ketë një harmonizim të plotë dhe uniformë përdorimi si dhe mos koherencë me proceset e tjera si globalizimin. Prandaj, e shikoj të drejtë të punohet dhe të bëhen rishqyrtime që gjuha shqipe të jetë si koherente dhe uniforme në të gjitha zonat shqipfolëse . 

Albanianpolitik mendoj se është shumë e domosdoshme të operojë dhe brenda në Shqipëri, ku me aksionet e saja efikase, demokratike dhe kombëtare mund t’iu jap përgjigje modeleve mesjetare të përfaqësuara dhe ideuar nga sharlatan të servilosur që me aksionet e tyre ksenefobike përpiqen të cenojnë integritetin tonë territorial dhe kombëtar. Në këtë arenë të gjerë që po analizojmë, nuk duhet të harrojmë as Diasporën tonë, e cila është pjesë integrale shpirtërore dhe fizike e botës shqiptare. Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të fortë dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për të përfaqësuar imazhin shqiptar denjësisht, për mbrojtur interesat politike kombëtare të faktorit shqiptar si dhe pa harruar rolin më kryesor atë ekonomik, ku fal kontributeve të derdhura nga emigrantët, Shqipëria ka ecur përpara në reforma ekonomike, duke zbutur varfërinë dhe ndezur shpresën e mirëqenies në familjet shqiptare. Disa forma organizuese politike të sapo krijuar që nuk mund të kenë një emërtim të saktë organizues dhe një klasifikim po të saktë dallues më në fund janë kujtuar se Diaspora shqiptare nuk ka vetëm detyrime por edhe te drejta. Pra, këto forma organizues po mundohen të ndërmarrin fushata për të drejtën legjitime të votimit të emigrantëve. Kjo iniciativë si sipas analizës time është vetëm një hap i dështuar politik në interes të një pakice në dëshira dhe interesa që nuk parashikon dhe përfshin interesat e Diasporës për disa arsye: 
1) Sipas së drejtës kushtetuese nuk ekziston vetëm e drejta të zgjedhësh por edhe të zgjidhesh, jo vetëm të jesh i përfaqësuar por edhe të përfaqësosh, jo vetëm të jesh aktor por edhe autor në vendimmarrje. Prandaj, unë mendoj se nëse duhet të flasim për këtë argument duhet të mendojnë se Diaspora nuk duhet jo vetëm të votoj por edhe të votohet, që do të thotë të ketë përfaqësuesit e saj vendimmarrje.
 2) Aktorët aktual që kanë marrë këtë iniciativë nuk kanë akoma kredibilitet dhe elektorat të garantuar. Prandaj, mendojnë se duke ardhur nga Perëndimi, ku kanë pasur historia të shkurta studimore apo ku ta di unë, mund të sigurojnë votat e mjaftueshme nga emigrantët sa për të pasur një karrige politike. Albanianpoltik, duhet të jetë një rrymë e politikës shqiptarë që nuk bazohet në bindje partiake, por kombëtar, me njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, që integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët por për gjithë rajonin. Kjo rrymë kaq e domosdoshme për kohën që po kalojmë mund t’iu jap përgjigje efikase të gjithë argumenteve që rreshtuam dhe të atyre që ndoshta i kemi harruar ti rreshtojmë, për të krijuar vizionin pozitiv me plotë shpresë dhe ndriçim për të ardhmen.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.