e martë, 17 janar 2012

Dialogu i brendshëm politik

nga Sadri Ramabaj

 Përballja e 14 janarit do të duhej të impononte dialogun e brendshëm politik, si mundësi për të shmangur përplasjen dhe për t`i hapur rrugë një marrveshjeje historike. Dorëheqja e qeverisë Thaçi 2 do të duhej të ishte prologu i këtij dialogu që do të pasohej me krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar. 

Në Kosovë, më 14 janar, u inaugurua publikisht pushteti policor. U rrahën deputetët, ish luftëtarët e UÇK-së, aktivistë të devotshëm të Vetëvendosjes dhe qytetarë, që u vunë në mbrojtje të Republikës dhe demokracisë. U rrahen duarlidhur dhe krejtesisht paqësor. Politika tashmë ndodhet në gjendje kome. Shqiptarët kudo ku janë, ditën e shtunë të 14 janarit 2012 do të duhej ta shënonin në kalendarin e tyre si ditë zie. Uragani i kundërveprimit po fillon. Ky uragan në shpërthim hetohet e vërehet kudo, në reagimet publike, në biseda private dhe sidomos në rrjetin social të komunikimit. Një protestë simbolike në Prishtinë nga 30 organizata joqeveritare, kryesisht qytetarë të Prishtinës, që u zhvillua më 15 janar, kritikat e saj nuk i orjentoi vetëm kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve dhe Vetëvendosjes, por edhe ndaj përfaqësuesve te Bashkësisë Ndërkombëtare, që përmes qëndrimit të tyre, deklaratave të papërgjeshme dhe mbështetjes ku hapur e ku indirekt ndaj qeverisë, po kontribuojnë në kapjen e Republikës nga një rrjet i inkriminuar dhe inaugurimin e pushtetit policor. Mbështetja e këtyre veprimeve nga segmente të Bashkësisë ndërkombëtare ka irituar dhe fyer kujtesën e popullit tonë, meqë nga këto struktura shqiptarët po trajtohen tutje si të padinjitetshëm. 14 janari po hyn në histori edhe si një ngjarje që bëri thyerje në epokën e re të histoorisë politike shqiptare. Nga kjo ditë, shfrytëzimi i legalizuar kolonial i Kosovës nga ana e Serbisë, me tumirjen e një pjese të qendrave politike evropiane, në shenjë të revizionimit të politikave dhe qëndrimeve të tyre ndaj Serbisë në epokën e luftës së UÇK-së, përmes nënshtrimit të Qeverisë së Kosovës të zënë peng, po fillon. Ky fillim po ndodh përkundër vullnetit të palëve, që ndërkohë po rreshtohen kundër Vetëvendosjes dhe vet frymës për një Rilindje të Dytë Kombëtare Shqiptare. Grryerja e shtetit nga Brenda, përmes mbajtjes së Kosovës si koloni ekonomike e Serbisë, me imponimin e gjashtëpikëshit të Ban Ki Munit përmes të të ashtuquajturit dialog teknik, npo vazhdon. Ndërkaq përmes pretendimeve për ta mbajtur në këmbë një qeveri autoritare, po ndihmon në ezaurimin nga brenda të Republikes se dytë shqiptare dhe defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan. Shndërrimi I Shqipërisë në një torzo të mirëfilltë në vitin 1913, nëse pjesërisht u korrigjua më 1999, me ndërhyrjen e NATO-s dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, po pretendohet të rishikohet dhe riktheht mbrapa. Ndërkaq korrigjimi i pjesëshëm i kësaj tragjedie, që është pjesë e programit politik të Vetëvendosjes, duke krijuar predispozitat për funksionalizimin e Republikës dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj, si hap drejt bashkimit kombëtar, ka tmerruar Beogradin dhe miqtë e tij, ndërkaq të ashtuquajturit institucionalistë të Tiranës dhe Prishtinës, i ka sjell në pozicionin që ishte Zogu në dhjetor të vitit 1924. Ky fillim i vitit 2012 po vë në sprovë ndërgjegjen kolektive, vet procesin e domosdoshëm të ndërtimit të shqiptarit modern dhe qytetarit shqiptar dhe evropian njëkohësisht, siç ishte vënë ajo në dhjetorin e largët të 1924-ës, në Tiranë. Rikthimi, qoftë edhe vetëm në kujtesë, i dhjetorit të 1924, flet shumë për periudhën kritike që po kalojmë. Do të mjaftonte kaq, që një strukturë e tërë e veprimtarëve të dëshmuar për çështjen kombëtare në kohë, të rebelohen. Mbetja e tyre ende të strukur brenda PDK, do të mund të arsyetohej vetëm nëse ata do të arrijnë të imponojnë kurs të ri politik, që nënkupton dialogun e bredshëm politik. Ky rebelim i donosdoshëm, ky vullnet i dëshirueshëm politik dhe kjo grishje për gadishmëri qytetare, që po i bëj ish bashkëveprimtarë të mi, në rast se shpërfaqet nga kjo garniturë, në krye me kryeparlamentarin, do të shmangte karikimin e Republikës në monarki dhe kujtimin e hidhur për dhjetorin e 1924-ës. Dialogu i brendshëm politik është një mundësi për të shmangur përplasjen dhe për t`i hapur rrugë një marrveshjeje historike. Fillimi i këtij dialogu të brendshëm politik do të duhej të shoqërohej me dorëheqjen e qeverisë Thaçi 2 dhe të pasohej me krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar, që do të mirrte përsipër pregaditjen e zgjedhjeve të lira dhe me këtë krijimin e parakushteve për një Rilindje të Dytë Kombëtare.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.