e shtunë, 7 janar 2012

Presidenti duhet të zgjidhet nga Populli

Nga Alban Daci 

 Për ne, shqiptarët, tek sa ndjekim me vëmendje ngjarje të tilla të personifikuar me njerëz të mëdhenj, thellë na duket një iluzion i largët që nuk mund të ngroh edhe zemrat tona me shpresë dhe me ëndrra. Sytë tanë nuk janë mësuar të shikojnë njerëz si Obama, Kennedy, Clinton, Lincoln, Roosevelt apo shumë të tjerë që të na drejtojnë në momentet më të vështira për të na larguar nga kriza dhe për ta na çuar drejt rrugës së zhvillimit. Shpresa dhe krenaria e merituar duken se janë akoma të largëta nga horizonte tona, sepse akoma figura më e lartë e Shtetit, Presidenti i Republikës, nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votat tona, por nga pazaret e politikës, që mjaftojnë të kenë të garantuar mazhorancën parlamentare dhe një ditë mund të bëjnë, President, ndonjë figurë që jo vetëm nuk ka cilësi të forta për të justifikuar një rol të tillë, por që ndoshta mund të jetë thjeshtë një kukull që nuk përfaqëson vetën dhe jo më interesin tonë kombëtar, ashtu siç ndoshta mund të ketë ndodhur më parë. Disa vende të Evropës Juglindore që kanë pasur të njëjtën eksperiencë diktatoriale komuniste si e jona, kanë menduar dhe kanë vendosur si shprehje më të lartë të demokracisë në vend, që zgjedhja e figurës së shtetit të jetë në dorën e vetë qytetarëve. Mendoj se nëse edhe neve shqiptarëve do të na ishte lënë një e drejtë e tillë e merituar, jam i bindur se disa presidentët që pazaret e politikës na i kanë bërë peshqesh nuk do të kishin arritur të garantonin konsensusin popullor, për të marr një detyrë kaq të lartë kushtetuese. Mendoj, se edhe populli shqiptar ka të drejtën e tij të përjetojë të njëjtat emocione si ato popullit amerikan duke i dhënë besimin kandidatit që personifikon ëndrrat e të gjithëve dhe që punon për të gjithë. Sot shqiptarët, më shumë se kurdoherë më parë kanë nevojë për një President të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Pas 100 pavarësi dhe pas një 20 vitesh tranzicion mes te kaluarës dhe të ardhmes, ka ardhur moment që vullneti i popullit jo vetëm të dëgjohet, por edhe të jetë vendimmarrës për fatet e veta. Shqipëria dhe shqiptarët janë përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë më situatën e brendshme politike, ekonomike, me procesin e integrimit në BE si dhe me ngjarjet e proceset që po kalon Rajoni. Për këtë arsye, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë dhe duhet të kenë një figurë të përbashkët dhe gjithëpërfshirës siç duhet të jetë ajo e kryetarit të Shtetit. Zgjedhja e kryetarit të Shtetit nga Populli (të kushtëzuar vetëm në dy mandate) jo vetëm do të forconte dhe shëndoshte demokracinë shqiptare, por do të plotësonte shprehjen e famshme “Pushteti vjen nga populli dhe i takon populli”. Është e drejtë e Popullit të zgjedh udhëheqësin e saj. Ka thuajse një shekull që kjo e drejtë i është mohuar Popullit shqiptar. Shqiptarët prej më shumë se një shekull janë drejtuar dhe udhëhequr nga persona për të cilët nuk kanë shprehur vullnetin e tyre.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.