e premte, 25 mars 2011

SIMBOLIKA BIZANTINE E DIPLOMACISË RUSE

 SHABAN MURATI

Nuk ka ende njoftim nëse kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij javën e ardhshme në Serbi
do të përsërisë gafën që bëri përfaqësuesi i tij diplomatik në Prishtinë, Andrej Shugurov, i cili mori pjesë në një farsë politiko-rurale të shpalljes së Vladimir Putinit si "qytetar nderi i Kosovës" nga një grup militantësh të minoritetit serb në veri. E themi këtë, sepse shefi i Zyrës së Federatës Ruse në Prishtinë, Andrej Shugurov njoftoi publikisht më 15 mars se dekorata e "qytetarit të nderit të Kosovës" do t'i jepet kryeministrit të Rusisë, Vladimir Putin gjatë vizitës që do të zhvillojë në Beograd më 23 mars. Përfaqësuesi diplomatik i Rusisë bëri një gafë profesionale kur mori pjesë në një tubim të një grupi të ashtuquajtur "Asambleja e Kuvendit të Komunave serbe të Kosovës", i cili e shpalli kryeministrin rus, Vladimir Putin, "qytetar nderi të Kosovës". Së pari, duhet thënë se përfaqësuesi i Federatës ruse mori pjesë në një tubim të paligjshëm të një organizate të paligjshme, të cilën nuk e njeh jo vetëm qeveria dhe institucionet e Kosovës, por nuk e njohin as organizatat ndërkombëtare që ndodhen në Kosovë. Së dyti, kjo e ashtuquajtur asamble nuk ka tagrin dhe nuk mundet dhe as të pretendojë mandatin e institucioneve të ligjshme dhe zyrtare të Kosovës dhe as nuk mund të flasë dhe të kreditojë apo akordojë dekorata e çmime në emër të Kosovës. Përfaqësuesi zyrtar diplomatik i Federatës Ruse, me aktin e tij shkeli si statusin dhe normat diplomatike, ashtu dhe kuadrin ligjor ndërkombëtar, në kuadër të të cilit Federata Ruse ka hapur Zyrën e saj të Ndërlidhjes në Prishtinë. Zyra e Ndërlidhjes është hapur në bazë të mandatit të OKB-së, e cila njeh të ligjshme dhe zyrtare organet e zgjedhura demokratike të Kosovës, që nga qeveria, parlamenti dhe institucionet e tjera. Diplomacia ruse shkel kështu kuadrin legal të mandatit të OKB-së dhe rezolutën 1244 të OKB-së, që sanksionon ligjshmërinë e organeve qeverisëse të Kosovës. Moska vërtet nuk e njeh Kosovën, e cila është shtet i pavarur, i pranuar nga 75 shtete të botës, por çdo diplomat me vizion profesional dhe që sheh përpara, duhet të ketë një minimum formimi sa të parashikojë edhe kohën e ardhme, kur Rusia do të jetë e detyruar ta njohë dikur shtetin e Kosovës.
Është e njohur politika armiqësore e Rusisë ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar. Por ka ca rregulla në diplomaci, dhe sidomos kur je i akredituar (qoftë dhe me leje ndërkombëtare) dhe jeton e punon në një shtet tjetër, rregulla që diktojnë minimumin e kujdesit dhe të vetëpërmbajtjes, për të mos cënuar normat e bashkëpunimit me qeverinë, ashtu dhe ato të mikpritjes. Sepse kryeqyteti i Kosovës është Prishtina, ku edhe ka Zyrën e vet përfaqësuesi diplomatik i Rusisë, dhe nuk është Zubin Potoku, dhe diplomatët ndodhen në Prishtinë për marrëdhëniet me Prishtinën. Diplomacia ruse, dhe sidomos ata që formulojnë politikën ballkanike të saj, mendojnë se kanë gjetur asin nën mëngë të strategjisë së riardhjes në Ballkan, me minoritetin serb në Kosovë. Drejtuesit e diplomacisë ruse kërkojnë të demonstrojnë peshën që synon të marrë Rusia në rajon, duke i mëshuar simbolikës së marrëdhënieve të Federatës ruse me pakicën serbe në Kosovë. Fetishizimi i simbolikës është një karakteristikë tipike e diplomacisë bizantine dhe komuniste, dhe diplomacia ruse, si simbiozë e atyre të dyjave, e ka kthyer këtë simbolikë në një identitet. Diplomati rus shkeli edhe më tej etikën, statusin diplomatik dhe normat ndërkombëtare kur sulmoi Aleancën Atlantike për ndërmarrjen e sulmeve ajrore në Serbi në mars të vitit 1999, që të ndalonte spastrimin etnik dhe genocidin antishqiptar të Serbisë në Kosovë. Përfaqësuesi diplomatik rus në Prishtinë i dha një kuotë të re kësaj simbolike bizantine të diplomacisë ruse në Ballkan, kur u deklaroi minoritarëve serbë se "Rusia ka qenë me ju kur NATO ndërmori sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, dhe nuk është rastësi që kryeministri Vladimir Putin do ta vizitojë Serbinë pikërisht më 23 mars". Pohimi i diplomatit rus jep pamjen e një diplomacie meskine me tipare të së kaluarës, e cila zgjedh qëllimisht datën 23 mars, pra një ditë para datës së bombardimeve ajrore të 24 marsit të vitit 1999, për të zhvilluar vizitën në Beograd. Një simbolikë, që në semiotikën diplomatike bizantine ruse do të thotë një vizitë mbi bazën e nxitjes së armiqësisë ndaj NATO-s dhe ndaj Perëndimit. Kjo rrjedh nga ambicia dhe përpjekja e pareshtur e Rusisë për të penguar me çdo kusht oksidentalizimin e Serbisë, për të bllokuar procesin e ndarjes së Serbisë nga e kaluara kriminale e regjimit të Millosheviçit. Mbështetja që Kremlini i dha regjimit të Millosheviçit, vazhdon sot në formën e përpjekjeve për të inkurajuar në Beograd forcat dhe frymën antiperëndimore dhe anti-atlantike.
Meqë jemi tek simbolika bizantine, nuk duket gjithashtu rastësi që udhëheqja e Serbisë ka refuzuar të marrë pjesë në samitin që do të organizojë Departamenti amerikan i Shtetit më 23 mars në SHBA, me udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe ka vendosur që pikërisht atë ditë të presë kryeministrin rus në Beograd. Nëse gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor shkojnë në SHBA, dhe vetëm Serbia veçohet dhe i bashkohet Rusisë, këtu ka shumë për të reflektuar për këtë karshillëk diplomatik serb, si nga Uashingtoni e Brukseli, ashtu dhe nga të gjitha kryeqytetet ballkanike që do marrin pjesë në samitin e organizuar nga amerikanët. Ka një aktivizim të diplomacisë ruse në drejtim të konservimit të tensioneve dhe të veprimtarisë provokative të minoritetit serb në Kosovë, për të mbajtur të gjallë frymën e konfliktit atje. Konstatohet kjo pas fillimit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, ku shpresat janë për një formë zbutjeje graduale të qëndrimit obstruksionist të Beogradit në raport me Kosovën. Një zbutje dhe një zgjidhje e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës nuk duket se është në interesin e diplomacisë ruse, e cila ka nevojë për një shkak, një pretekst apo lidhje, për të qenë e pranishme në terren dhe për të instrumentalizuar praninë e saj. Ndaj po shohim një fryrje disproporcionale të interesimit të Rusisë për minoritetin serb në Kosovë dhe po shpiken vodevile folklorike me "qytetari nderi" për kryeministrin rus. Nuk ka ende informacion nëse kryeministri rus do ta lejojë veten të bjerë në nivelin e mjerë të sugjerimit të përfaqësuesit të tij diplomatik në Prishtinë, i cili ka raportuar për një dekoratë efemere që mund t'i kujtojë gjithë trupit diplomatik në Beograd rrobat e mbretit lakuriq. Simbolika bizantine dhe sidomos përmbajtja antishqiptare e saj, nuk mund dhe nuk do t'i japë Rusisë atë rol dhe vend që ajo po kërkon në Ballkan, për ringjalljen e gjurmëve imperiale cariste dhe komuniste. Duhet thënë gjithashtu se ajo që ndodh në trasenë e marrëdhënieve Rusi-Kosovë, nuk duhet kundruar si diçka që ndodh në Dagestan apo në ishujt Kurile. Është një çështje jetike kombëtare shqiptare, dhe si e tillë meriton reagime në kanale diplomatike, qoftë nga Tirana, qoftë nga Prishtina, në drejtim të Moskës, për t'i bërë të qartë se duhet të ndërrojë rrugën e gabuar historike, ku vazhdon të ecë në raport me interesat e kombit shqiptar.

e enjte, 24 mars 2011

Politika ruse në qerthullin e pabesisë

Prof.dr. Eshref Ymeri

Përmes faqes së internetit të datës 21 mars 2011, u njoha me artikullin analitik mjaft interesant të zotit Shaban Murati me titull “Simbolika bizantine e diplomacisë ruse”, në të cilin trajtohet çështja e vizitës së kryeministrit Putin në Beograd, më 23 mars 2011

Sa herë që bie fjala për politikën ruse, atëherë, automatikisht, çdo shqiptari me vetëdije kombëtare, i lind e drejta që atë ta shikojë në optikën e vlerësimit që ajo i ka bërë dhe qëndrimit që ajo ka mbajtur ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë aspekt, nuk ka asgjë për t’u shënuar për ndonjë qëndrim dashamirës të politikës ruse ndaj kombit shqiptar. Në këtë çështje nuk e quaj të arsyeshme të ndalem se atë e kam trajtuar para do kohësh në një artikull-analizë me titull “Rusia, kjo armike e betuar e kombit shqiptar”, të botuar në gazetën “Republika” më 9-10-11 janar 2008. Faktet e paraqitura aty dëshmojnë fare shkoqur se Rusia, fill pas Lidhjes së Prizrenit e deri në ditët tona ka manifestuar një armiqësi shembullore ndaj kombit shqiptar.

Këtu dëshiroj të ndalem në qerthullin e pabesisë, në të cilin është vërtitur tradicionalisht politika ruse, haraçet e rënda të së cilës i kanë paguar njerëzit e thjeshtë rusë.

Krijuesi i artit të pabesisë në politikën ruse ka qenë Pjetri I, i cili breznive të Rusisë u ka lënë si trashëgim një Testament, në bazë të të cilit Rusia duhet t’i hedhë në luftë me njëri-tjetrin shtetet e Evropës dhe pastaj atë ta pushtojë krejt, duke e mbajtur nën sundimin e vet. Ky Testament është botuar i plotë në gazetën “Bashkimi” të datës 8 prill 1994, f. 3-4, dhe shoqërohet me Kujtime të Kalorësit të Eonit, ish-ambasador i Francës në Peterburg, Kapiten i dragonëve, Kalorës i Shën Luigjit, Ministër Fuqiplotë i Francës në oborrin e Anglisë.

Mishërimin e vet konkret, politika e pabesisë e Pjetrit I e gjeti në figurën e carit Aleksandri I, i cili më 07 korrik 1807 nënshkroi në Tilzit një marrëveshje paqësore me Napoleonin dhe një traktat bashkëpunimi që drejtohej kundër Anglisë, me qëllim që asaj t’i bëhej një bllokadë kontinentale. Nuk kaloi shumë kohë dhe Rusia e preu në besë Napoleonin, e shkeli marrëveshjen në fjalë, çka u bë shkak që më pas Napoleoni të niste fushatën e vet kundër Rusisë. Pasojat e asaj lufte me përmasa të gjera i hoqi mbi kurriz populli i varfër rus, i cili ishte i detyruar të përballonte edhe zgjedhën e rëndë të bujkrobërisë cariste.

Por pabesia e politikës ruse u shfaq edhe më lakuriq në prag të fillimit të luftës së dytë botërore. Ajo u kurorëzua me nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop, më 23 gusht 1939. Qëllimin e vërtetë të nënshkrimit të atij pakti e zbulon Juli Aleksandroviç Kuicinski, i cili ka qenë zëvendës i parë i ministrit të punëve të jashtme. Ai ka deklaruar:

“Me nënshkrimin e këtij traktati, Stalini arriti qëllimin që Hitleri ta shpërthente luftën jo kundër nesh, por kundër Perëndimit” (Citohet sipas: “Çfarë solli Pakti Molotov-Ribentrop: paqe apo luftë?”. Marrë nga faqja e internetit në gjuhën ruse. 24 nëntor 2008).

Pabesinë e politikës ruse ndaj demokracive perëndimore e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ai ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, shtjellohet haptazi ideja bazë e Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:

“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Marrë nga faqja e internetit në gjuhën ruse. 23. 07. 2009)

Por Pakti Molotov-Ribentrop fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës ruse: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur atë të vinte nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e Ushtrisë së Kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye.

Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën Perëndimore, dëshmohet edhe në burimin e poshtëcituar:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941…Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).

Kur politika e një shteti të madh, si Rusia, vërtitet përherë në qerthullin e pabesisë, domosdo që ajo nuk mund jetë e imunizuar edhe nga dukuri të tilla negative, si dritëshkurtësia (miopia), diletantizmi, folklorizmi dhe absurditeti.

Le të sjellim ndër mend për një çast fjalimin e udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov në sesionin e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1959. Përkthyesi i tij, Viktor Suhodrjev, një figurë e shquar kjo e artit të përkthimit gojor (interpretimit), kujton:

“Asokohe Bashkimi Sovjetik, në çdo sesion, paraqitej me nismën e radhës, e cila në praktikën tonë të përditshme diplomatike quhej “çështje kryesore”. Këtu reflektohej në radhë të parë qasja konfrontuese e atyre viteve… Nismat që ne parashtronim çdo vit ushtonin me bubullima, por ama u bënin përshtypje vetëm njerëzve të parrahur me problemet e politikës së jashtme. Prandaj edhe këtë herë, para vizitës së Hrushovit, qe përpunuar “një çështje kryesore”. Çështja në fjalë përfaqësonte një program gjigant për “çarmatimin e përgjithshëm dhe të plotë”. Ja shkurtimisht thelbi i programit: brenda katër viteve të realizohej një çarmatim i përgjithshëm dhe i plotë i shteteve, të zhdukeshin të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë armët bërthamore dhe raketat, të shpërbëheshin të gjitha forcat e armatosura, të suprimoheshin ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, në dispozicion të shteteve të liheshin ca kontingjente të pakta policie, që do të kishin si mision ruajtjen e rendit të brendshëm dhe të sigurisë së qytetarëve dhe do t’u liheshin si armatim ca pushkë të lehta.

Mendoj se sot nuk është e nevojshme të komentoj gjithë absurditetin dhe pamundësinë e realizimit të asaj nisme “të madhe”. Por ama të mos harrojmë se programi ynë i çarmatimit të përgjithshëm dhe të plotë, për vite me radhë, shërbeu si gur themeli i politikës së jashtme sovjetike… Shumë vite më vonë, bashkë me kolegët amerikanë, me të cilët atë kohë e patëm përjetuar së bashku, gjatë takimeve që kemi pasur, kemi qeshur me çiltëri kur kujtonim atë “teatër absurd” (V. M. Suhodrjev. “Gjuha ime - mikesha ime. Nga Hrushovi deri te Gorbaçovi…”. Shtëpia Botuese TONÇU. Moskë 2008, f. 81-82).

Ja edhe një fakt tjetër për politikën “largpamëse” ruse. Në prag të sesionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të muajit shtator të vitit 1960, ministria e jashtme ruse ishte në kërkim të një tjetër teme për ta shtruar në sesionin në fjalë si “çëshje kryesore”, që Bashkimi Sovjetik do ta paraqiste si nismë “historike”. Me këtë rast, përkthyesi Suhodrjev shkruan:

“Qe vendosur që të përgatitej një kompleks propozimesh që e vinin theksin mbi likuidimin përfundimtar të kolonializmit në të gjitha format dhe shfaqjet e tij. Asokohe në botë po ndodhnin ndryshime thelbësore: kolonitë po fitoninë pavarësinë dhe po bëheshin anëtare me të drejta të plota të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte në zhvillim e sipër lëvizja e të paangazhuarve. Në atë paketë propozimesh ra në sy edhe një nismë tepër e çuditshme, e cila, sipas mendimit të atyre që e kishin ndërmarrë, duhej të ndryshonte vetë strukturën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nuk e di se kujt konkretisht i lindi në kokë ajo nismë, por vetëm dua të theksoj se Hrushovit ajo i pëlqeu së tepërmi. Thelbi i asaj nisme qëndronte në faktin se, përderisa mbarë bota po ndahet shpej në tre grupe vendesh - kapitaliste, socialiste dhe të pangazhuara - atëherë edhe Sekretariati i Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhet të drejtohet jo nga një Sekretar i Përgjithshëm, por nga tre të tillë… Për këdo që merrte vesh sadopak nga situata politike e asaj kohe, ishte e qartë se ky propozim ishte i dështuar që në embrion. Por Hrushovi bënte si i thoshte koka. Ai vendosi që ta kryesonte vetë delegacionin sovjetik. Mendoj se ai kishte qejf që me forcën e argumentit të vet, t’i bindte anëtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të pranonin dy propozimet tona, që secili, nënkuptohet, drejtohej kundër imperializmit, me SHBA në krye. Hrushovit s’i durohej që të merrej aktivisht me demaskimin e kundërshtarit në territorin e tij” (po aty, f. 112-113).

Nënkuptohet që propozimi rus ishte paradoksal, prandaj edhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e hodhën poshtë me vendosmëri, me përjashtim të satelitëve socialistë të Moskës në Evropën Lindore.

Më 3-4 qershor 1961, në Vjenë, u organizua takimi i Hrushovit me presidentin Kenedi. Ja si i përshkruan përkthyesi Suhodrjev përshtypjet që Hrushovi kishte pasur nga takimi me Kenedin:

“Në mbrëmje, kur po shëtisnim përreth rezidencës së ambasadorit sovjetik, Hrushovi, i shoqëruar nga dy ndihmësit e vet, filloi të na fliste për përmbajtjen e bisedës që kishte pasur me Kenedin, të na shprehte përshtypjet e veta. Në ato fjalë e sipër, më drejtohet mua:

- E kam të qartë se po të fillosh t’i hedhësh në letër shënimet që tani, atëherë në bisedimet e nesërme do të të varet koka për gjumë. Prandaj shënimet hidhi në letër kur të kthehemi në Moskë.

Më në fund, Hrushovi e mbaroi fjalën dhe unë, i shastisur, dëgjova mendimin e tij përmbyllës për Kenedin. Ai tha:

- Vërtet, përderisa amerikanët kanë në krye një president të tillë, mua më vjen keq për popullin amerikan.

Unë, natyrisht, nuk mund të pajtohesha me një mendim të tillë. Deri asokohe unë kisha mundur të merrja pjesë në shumë bisedime dhe kisha parë shumë personalitete shtetërore. Kenedi më pati lënë një përshtypje shumë të mirë… Përgjithësisht, mua m’u duk se populli amerikan nuk të ngjallte kurrfarë keqardhjeje për zgjedhjen që kishte bërë” (po aty, f. 143-144).

Nuk besoj se deklarata e Hrushovit për Kenedin, lexuesve të nderuar mund t’u ngjallë ndonjë emocion të veçantë. Aq më tepër kur Hrushovi ishte arsimuar copa-copa: deri në vitin 1908 mezi kishte mundur të mësonte shkrim e këndim, në vitin 1922 kishte vazhduar mësimet në një teknikum në Donjeck, kurse në vitin 1936 kishte hyrë në akademinë e industrisë në Moskë, ku më shumë merrej me punë partie. Ndërkohë, Kenedi, në vitin 1936, në moshë 19-vjeçare, me medaljen shkëlqyeshëm, kishte përfunduar Universitetin e Harvardit. Hrushovi ishte i bindur se kush ishte Kenedi, por, meqë nuk matej dot me të, në sytë e përkthyesit të vet, si në fabulën e Ezopit, mori përsipër rolin e dhelprës, duke u shprehur me mospërfillje për rrushin që nuk e arrinte dot.

Përkthyesi Viktor Suhodrjev na përcjell edhe përshtypjet e Andrea Gromikos, ministrit të jashtëm sovjetik, për Kenedin, Ai tregon:

“Pas nja tri javësh, Gromikoja e mori fjalën në MPJ, në të ashtuquajturin aktiv partie. Andrea Andrejeviçi foli për takimin e Hrushovit me Kenedin në Vjenë. Foli mjaft gjatë. Po përmend vetëm një frazë të tij:

- Me një fjalë, po të mundohemi të shprehemi në mënyrë figurative, ky ishte takimi i një gjiganti me një xhuxh.

Mendoj se nuk ka nevojë për saktësime se kush nënkuptohej me fjalën “gjigant”, dhe kush me fjalën “xhuxh”. Mua, që të shpreheh ndershmërisht, më erdhi shumë turp për fjalët që nxori nga goja shefi im. Por, për fat të keq, ai kështu u shpreh… Gromikoja shrehte opinionin e vetë Hrushovit” (po aty, f. 144).

Hrushovi, nënkuptohet, nuk mund të shprehej ndryshe për Kenedin, por që të shprehej publikisht po asisoj edhe Gromikoja, një intelektual me formim akademik, kjo lë shteg për shumë përsiatje për mendësinë e bartësve të politikës ruse.

Ngjarjet e pakmëvonshme vërtetuan konkretisht se kush ishte “gjiganti” i vërtetë dhe kush ishte “xhuxhi” i vërtetë. Kjo u duk faqe botës gjatë “Krizës së Karaibeve” të vitit 1962. Politika dritëshkurtër ruse, me qëllim që fitoren e Kastros në vitin 1959 ta shndërronte në një vatër zjarri për shpërthimin e revolucioneve në mbarë Amerikën Qëndrore dhe Jugore, me synimin që atje të fitonin forcat komuniste, vendosi që Kubën ta furnizojë me të gjitha llojet e armatimeve, përfshirë edhe raketat. Dhe këtë lloj furnizimi vendosi ta bënte në mënyrë të fshehtë, larg syve të amerikanëve. Përveç këtyre armatimeve, ajo dërgoi atje edhe një kontingjent prej 40 mijë ushtarësh dhe oficerësh që do të shërbenin si “numëror” të atij armatimi. Këtë kontingjent e komandonte gjenerali Plijev.

Më 18 tetor 1962 ministri i jashtëm rus Andrea Gromiko u nis për në SHBA dhe së bashku me ambasadorin Dobrinin u prit nga presidenti Kenedi. Pyetjes së presidentit Kenedi për vendosjen e raketave në Kubë, Gromikoja iu përgjigj me një refuzim kategorik. Por të nesërmen e asaj dite, një aeroplan amerikan U-2 i lartësive të mëdha, kishte zbuluar praninë e raketave ruse në brigjet veriore të Kubës, të pozicionuara në drejtim të Floridës. Qëndrimi i Gromikos para presidentit Kenedi e nxori zbuluar krejt udhëheqjen sovjetike dhe natyrën e pabesë të politikës së saj në qëndrimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kriza e Karaibeve u mbyll me tërheqjen e bishtit ndër shalë nga ana e rusëve, të cilët bota i pa me sytë e vet se si në ujërat e Oqenit Atlantik ata, në bordin e anijeve të tyre transportuese, gjatë tërheqjes së raketave për në Bashkimin Sovjetik, largonin mbulesat e atyre raketave, që fotoreporterët amerikanë t’i fotografonin lirshëm fare.

Dëshmimtari i drejtpërdrejtë i karrierës politike të Brezhnjevit, si udhëheqësit kryesor të Bashkimit Sovjetik gjatë viteve 1964-1982, përkthyesi Viktor Suhodrjev, vazhdon rrëfimin e tij:

“Sot të duket si e pabesueshme, por në mesin e viteve ’70, Bashkimi Sovjetik u shndërrua sakaq në një luftëtar nga më të flaktët të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Dikur, në vitet e pasluftës, vendi ynë kishte nënshkruar disa akte themelore ndërkombëtare për respektimin e të drejtave elementare që janë karakteristike, apo, siç mund të shpreheshin në SHBA, “janë të dhëna nga Zoti”, për çdo individ. Por ama në vatrat tona ne nuk respektonim kurrfarë të drejtësh të njeriut, dhe kur amerikanët na e vinin në dukje një gjë të tillë, ne u përgjigjeshim: “Kurse andej nga ju përtej oqeanit shtypen zezakët dhe indianët”.

Brezhnjevi kishte shumë dëshirë ta nënshkruante Aktin Përfundimtar (të Helsinkit të vitit 1975 - E.Y.), sepse pikërisht Bashkimi Sovjetik ishte nismëtari i thirrjes së Konferencës së Sigurisë dhe të Bashkëpunimit në Evropë. Kjo ide lindi si një përpjekje për të futur një pykë mes Evropës Perëndimore dhe SHBA dhe madje për të minuar themelet e NATO-s. Bashkimi Sovjetik donte të tregonte se Evropa ekziston më vete, kurse Amerika, ajo është veç, atje tej, matanë oqeanit.

Kjo lojë, që në krye të herës, nuk kishte asnjë shans për sukses. Më pas neve, natyrisht, na u desh të tërhiqeshim” (po aty, f. 395, 396).

Edhe ky hap i politikës ruse ishte një tjetër demonstrim i dritëshkurtësisë së saj, se ajo kishte në themel një pabesi të disafishtë: ndaj Evropës Perëndimore, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj vetë qytetarëve sovjetikë.

Politika ruse, si një politikë, siç u theksua më lart, me një traditë të kahershme pabesie në strukturimin e vet, idenë e përçarjes që kërkon të mbjellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka shndërruar në një ide fikse. Me sa duket, politika ruse e pabesisë, e programuar dhe e ushqyer disa shekuj nga dikatorët që Rusia ka pasur në krye, e ka bërë punën e vet. Me kalimin e kohës, kjo lloj politike vjen e infekton mbarë popullin, duke u shndërruar në pjesë përbërëse të formimit të tij botëkuptimor. Prandaj një njeri i shquar i letrave ruse shkruan:

“Morali i diktatorit u shndërrua në moral të mbarë popullit” (Ferdinand Osendovski. Lenini. “Një histori shokuese”. Shtëpia Botuese “Partizan”. Moskë 2002, f. 412).

Prandaj ja se si pasqyrohet morali i diktatorëve rusë për pushtimin e Evropës në botëkuptimin e një politikani rus të një niveli të mesëm, pushtim ky, që, sipas tij, duhet të realizohet me mjete moderne, tashmë kur Rusia është një shtet pluralist.

Ky politikan është Aleksej Mitrofanov, deputet i Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, zëvendëskryetar i Komitetit të Dumës Shtetërore për legjislacionin konstitucional dhe strukturimin shtetëror, anëtar i fraksionit të Partisë Liberaldemokrate Ruse. Në një artikull me titull“Evropa unike me Rusinë në krye”, ai deklaron si më poshtë:
“Duhet zhvilluar bashkëveprimi kulturor dhe financiar me Kontinentin e Vjetër, t’u japim evropianëve një pjesë në projektet ekonomike ruse, t’i frymëzojmë ata për investime të shumta. Depërtimi i ndërsjellë i kapitalit vendas dhe të huaj do t’i japë mundësi Rusisë ta lidhë Evropën pas vetes, të krijojë një lob të fuqishëm për hyrjen në Bashkimin Evropian. Evropa pa Rusinë është një hiç. Këtë, ndër të tjera, e kuptojnë edhe vetë evropianët, të cilët, sipas anketimeve që janë bërë, neve do të na pranonin në Bashkimin Evropian me më shumë kënaqësi sesa Turqinë. Se ne kemi edhe naftë, edhe gaz, edhe resurse drusore etj. Po të hyjmë në Bashkimin Evropian, atëherë ne do të përbëjmë gjysmën e territorit të saj dhe 25% të popullsisë. Është e kuptueshme se në këtë rast në bashkimin e ri Rusia ka për të luajtur rolin kryesor. Do të krijohet një formacion gjeopolitik gjigant, një mendim mbizotërues (një dominantë) planetar, që do të përbëjë një kërcënim real për Amerikën. Kësisoj do të bëhet realitet ëndrra e Leninit dhe e Stalinit për një Evropë unike, nën komandën e Rusisë. Dhe një gjë të tillë ne do ta arrinim pa ndihmën e ideologjisë komuniste dhe të divizioneve të blinduara, duke shfrytëzuar mjete moderne, të përshtatshme për kohën tonë” (Revista “Politiçeskij zhurnall”, nr. 16 (97), 3 maj 2005, f. 62).
Midis rreshtave të këtij fragmenti mund të lexohet lehtë sikleti që e ka pllakosur politikën ruse të pabesisë tradicionale. Ajo nuk di se si t’ua bëjë “dermanin” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa Evropën s’e ka gjë, veç një “kafe në sabah”.

Santa Barbara, Kaliforni
23 mars 2011

e hënë, 21 mars 2011

Çështja e “Bashkimit Kombëtar” mes Nacionalizmit dhe Integrimit Evropian


Dott. Alban Daci



Siç besoj e keni vënë re, kohët e fundit po trajtohet çështja e “Bashkimit Kombëtar”. Disa me mburrje e quajnë “Shqipëria Natyrale”, disa të tjerë “Shqipëria Etnike”, të tjerët nuk i kanë gjetur asnjë emërtim, por të gjithë së bashku theksojnë, se trojet shqiptare duhet të bashkohen me çdo kusht. Ajo që viret re tek gjithë këta “mendimtarë të mëdhenj”, është fakti, se ato e shikojnë këtë proces të veçuar, sikur të ishte dicka e “vetme” që nuk ka lidhje edhe me proceset e tjera të natyrës ndërkombëtare që po kalon Rajoni i Ballkanit, Evropa dhe e gjithë Bota. Procesin e bashkimit e shikojnë në optikën nacionaliste dhe jo në optikën koherente dhe aktuale të Integrimit Evropian.
Unë, ashtu si një pjesë e konsiderueshme e bashkëkombësve të mi e dua Shqipërinë, i dua shqiptarët kudo që ndodhen, por nuk mendoj dhe nuk jam dakord me këta “mendimtarë të mëdhenj” që kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë të njëjtat gjëra pa sjellë asgjë të re dhe themelore në lidhje me këtë proces mjaft të rëndësishëm dhe të ndërlikuar në të njëjtën kohë.
Mendoj, se çështja e “Bashkimit të Shqiptarëve”, të “Trojeve Shqiptare”, është një çështje që kërkon studime serioze dhe referime shkencore, dhe jo siç bëjnë këta “mendimtarët e mëdhenj” që thjeshtë bëjnë propagandë parahistorike. Ne duhet ta trajtojmë këtë çështje si një: “çështje shkencore” dhe jo si një “propagandë”; duhet trajtojmë si një proces të mundshëm dhe të realizueshëm, por duke e trajtuar në mënyrë të pandarë me bashkësinë e proceseve aktuale që po kalon Ballkani, Evropa dhe Bota.
Para se të filloj të bëj një analizë më të ndërlikuar të natyrës shkencore, do të mundohem ta trajtoj këtë çështje nëpërmjet shembujve të thjeshtë, për ta familjarizuar sa mirë me këtë proces. Le ta konsiderojmë “Shqipërinë natyrore”; “Shqipërinë e Madhe”; “Shqipërinë e Vërtetë”; “Shqipërinë e Merituar”; “Thjeshtë Shqipërinë”; “Arbërinë”; “Ilirinë” si: familje të madhe, ku “Shqipërisë aktuale” le t’i veshim rolin e nënës (simbol i vazhdimësisë, riprodhimit, pjellorisë, krijimit); Kosovën (djali i madh); trojet shqiptare në Maqedoni (djali i dytë), trojet shqiptare në Malin e Zi (djali i tretë) si dhe trojet shqiptare në Greqi si (djali i katërt).
“Familja e madhe shqiptare”, është një “familje moderne”, sepse fëmijët e saj i ka lënë të rriten të lirë, ose në shumicën e rasteve ia kanë marrë për adoptim, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës, me pjesën shqiptare në Maqedoni, pjesën shqiptare në Malin të Zi, ndërsa djalin e katërt (që personifikohet nga zona e Çamërisë) ia morën për adoptim Grekët, që pa kaluar shumë kohë e refuzuan, e torturuan dhe e rikthyen përsëri mbrapsht – na kthyen djalin por na mbajtën tokën – në gjirin e familjes së madhe.
Fëmijët e “familjes së madhe shqiptare”, janë rritur të adoptuar në familje të tjera të huaja, dhe pas shumë përpjekjesh ndër shekuj, më në fund disa nga këta “djem”, kanë fituar lirinë dhe të drejtën për të jetuar të pavarur dhe të lirë (rasti i Kosovës), kurse disa të tjerë, vazhdojnë të bashkëjetojnë me familjet e huaja (rasti i shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Malit të Zi). Ndërsa rasti i djalit të katërt (popullsisë Çame), është rast krejtësisht tjetër dhe më tragjik, sepse kanë humbur përfundimisht tokën e tyre dhe vazhdojnë të jetojnë si mysafirë në gjirin e “familjes së Madhe” (në Shqipërinë aktuale).
Të bësh “Shqipërinë Natyrale”; “Shqipërinë e Madhe”; “Shqipërinë e vërtetë”; “Shqipërinë e merituar”; “Thjeshtë Shqipërinë”; “Arbërinë”; “Ilirinë”, do të thotë të bashkosh djemtë e saj: Kosovën (djali i madh); trojet shqiptare në Maqedoni (djali i dytë); trojet shqiptare në Malin e Zi (djali i tretë) si dhe trojet shqiptare në Greqi si (djali i katërt) me “nënën” e tyre (Shqipërinë).
Dikush mendon, se ky bashkim mund të ndodh në rrugë paqësore duke biseduar me familjet e huaja (Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë), ku janë adoptuar prej shekujsh “djemtë” e “Nënës Shqipëri”. Kjo gjë nuk mund të quhet gjë tjetër veçse se një përrallë e bukur dhe asgjë më shumë. Si mund të mendosh dhe të shpresosh, se duke ju trokitur në derë Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, këta të fundit do të na hapin derë duke na pritur si miq dhe kërkesës tonë për të na rikthyer “djemtë” do i përgjigjen pozitivisht. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një familje kushdo qoftë moderne ose tradicionale, që fëmijët e saj qofshin natyrore ose të adoptuar t’i kenë lëshuar paqësisht pa luftë.
Për të marrë “djemtë tanë” duhet të shkatërrojmë “familjet e huaja” që i kanë adoptuar. Kjo do të thotë, se duhet të bëjmë luftë me ta, dhe pasi të jemi shkatërruar dhe copëtuar të dyja palët në një luftë të përgjakshme, dhe vetëm nëse dalim fitues nga kjo luftë, atëherë do të mblidhnin në gjirin tanë, “djemtë” që kohë më parë i kishim lënë për tu adoptuar nga familjet e huaja. “Mendimtarët e mëdhenj” që kanë dhënë këtë lloj ideje për bashkim, ose kanë parë ëndrra dhe neve na i tregojnë në formën e përrallave ose akoma edhe më keq e shikojnë në optikën nacionaliste duke e realizuar këtë proces përmes një lufte të përgjakshme. A duhet të besojnë shqiptarët sot tek “Bashkimi i Trojeve” përmes një luftë të përgjakshme me fqinjët? Nëse jo, në ç’formë mund të ndodh bashkimi i shqiptarëve?
Para se t’iu përgjigjem këtyre pyetjeve duhet t’iu bëj disa pyetjeve këtyre “mendimtarëve të mëdhenj” që na tregojnë neve përralla: A jeni të gatshëm para se të jepni ide brilante për qytetarët e thjeshtë, të merrni pjesë vetë drejtpërdrejt në luftën që po ideoni dhe po propagandoni nëpërmjet ideve që shprehni dhe shkruani?! A jeni të gatshëm të dërgoni në frontin e parë të luftës fëmijët, nipat dhe të dashurit tuaj?!
Realitetet nacionale tashmë janë të kaluar edhe pse disa politikanë dhe mendimtarë fanatik akoma nuk janë të vetëdijshëm për këtë dhe vazhdojnë të veprojnë dhe të reagojnë në optikën e ngushtë nacionale. Problemet e demokracisë, e zhvillimit ekonomike, globalizimit dhe të paqes nuk mund të zgjidhen më vetëm në këtë lloj optike, por mund të zgjidhen në nivel evropian.
Evropa nuk përbën më si më parë një realitet vetëm me komunitete të ndryshme nacionale që përfaqësonin interesa dhe politika të veçanta, por një projekt të vërtetë dhe konkret politik. Nacionalizmi është një ideal i dënuar nga historia, i cili duhet të zëvendësohet me perspektivën e Evropës së Bashkuar, prosperuar dhe paqësore. Shteti nacional nuk ka qenë dhe nuk është gjë tjetër veçse shteti modern, burokratik dhe i koncentruar, që krijon konsensusin e qytetarëve pikërisht përmes koncentrimit të politikës së brendshme dhe ekspansionist të jashtëm ushtarak.
Nëse bashkimi social i njerëzimit bën të mundur - përkundrazi të domosdoshëm - bashkimin politik të humanitetit, ekziston akoma një forcë shumë fuqishme që është në gjendje ta pengoj këtë proces: shteti kombëtar. Ndërsa, në fakt, evoluimi historik duke thelluar çdo ditë e më shumë ndërvarësinë e jetës ekonomike dhe sociale, i shtyn njerëzit për të bashkëpunuar në interesat reciproke, shteti kombëtar i ndan, duke krijuar barriera psikologjike, politike dhe kulturore që përcaktojnë rëndësinë e interesave nacionale mbi interesat e përbashkëta.
Modeli politik i shtetit nacional është i lidhur me idenë nacionale. Në epokën bashkëkohore është afirmuar bindja që çdo nacion duhet të ndërtoj një shtet nacional dhe detyra e këtij shteti është të vlerësoj në nivel ndërkombëtar, interesat e nacionit.
Federic Chabod nënvizon se: “Ideja nacionale buron dhe triumfon me periudhën romantike, mes fundit të Shtatëqindtës dhe fillimit të Tetëqindtës, kur sensi i individualizmit mbizotëroj mendimin evropian. Ky riafirmim i vlerës së individualizmit përkthehet, mbi planin politik, në idenë nacionale, që bazohet mbi zbulimin e «shpirtit nacional», pra tek mos fshirja e veçorive morale dhe shpirtërore të çdo populli. Për mendimtarët romantik nuk gjen mbështetje supozimi iluminist që ligjet duhet të jenë të vlefshme për të gjithë popujt dhe për të gjitha kohërat: çdo nacion ka historinë e tij, traditat e tij, tendencat morale dhe prandaj është i bashkuar. Afirmimi i parë i shtetit nacional figuron në Zvicër në fillim të Shtatëqindtës, si reagim i hegjemonisë franceze , që kërcënonte për tu shndërruar në hegjemoni politike”.
Ndërsa Guy Hermet thekson se: “Ideja nacionale e ka origjinën në periudhën mesjetare. Por ai nënvizon, se në shoqëritë mesjetare, termi nacion kishte një kuptim të ndryshëm nga ai që është sot. Ai tregon origjinën e një grupi të huaj i perceptuar si një njësi dalluese nga popullata pranë të cilave ishte vendosur (për shembull, në Surbona flitej për studentë të nacionit anglez, ndërsa përmendej pak ose thuajse fare nacioni francez). Vetëm në vijim afirmohet përdorimi i termit nacion për të dizenjuar pikërisht grupin e përkatësisë. Kjo ndodh në koincidencë me ngjarjet si luftërat, që e vendosin grupin në një pozicion të fortë kundërvënie me popujt e tjerë. Kështu, në Mesjetë, lufta për tu liruar nga dominimi arab çimentoj sentimentin e nacionit spanjoll, ndërsa në Anglinë e shekullit të XVI, ndarja nga kisha e Romës si dhe luftërat kundër spanjollëve rrisin shumë që nga origjina e tij ndjenjën e patriotizmit”.
Megjithatë edhe për Hermet, afirmimi historik dhe përfundimtar i idesë nacionale ndodh vetëm me fundin e shekullit të Shtatëqindtë, në koincidencë me revolucionin industrial dhe me atë politik (Revolucioni Francez). Në erën industriale duhej një popullsi me punëtor të ndër-shkëmbyeshëm, të pajisur me një kulturë homogjene që ishte në gjendje t’i vendos në kushte bashkëpunimi për zhvillimin e jetës ekonomike dhe t’i transferonte nga një zonë në një tjetër të vendit sipas nevojave prodhuese. Kjo kulturë homogjene është kultura e re nacionale, që shteti nacional ngarkohet ta hartoj dhe të transmetoj përmes alfabetizimit.
Gjithashtu, Revolucioni Francez, cakton shpërbërjen e bazës dinastike të pushtetit politik duke e shndërruar në konceptimin e sovranitetit nacional. Ky princip përherë të parë teorizohet nga Sieyès, për të cilin nacioni përfaqëson një bashkësi individësh të lidhur nga një vullnet i vërtetë asocimi për të ndërtuar, mbi bazën e të drejtës natyrore, një shoqëri politike. Ai nënvizonte se: “Nacioni përfaqëson origjinën e gjithçkaje, ka një rol ndërtues përballë pushtetit politik dhe atij i përket sovraniteti: është thjeshtë principi i legjitimitetit të fuqisë, që mund të adoptohet nga çdo lloj rendi politik që dëshiron t’i jap një konfigurim demokratik. Raporti mes individit dhe nacionit është ekskluziv.”
Gjatë Tetëqindtës ideja nacionale përhapet në gjithë Evropën dhe gjen vlerën maksimale tek popujt që akoma nuk ishin të bashkuar politikisht, si Italia, Gjermania (edhe pse në dimensione shumë më të vogla në krahasim me dy të parët, kemi edhe rastin e shqiptarëve të cilët në këtë periudhë rrisin shumë ndenjën nacionaliste për t’u çliruar nga pushtimi shekullor otoman). Për shembull në Itali kemi nacionalizmin maxinian (mazziniano) i cili përfaqësonte një ideal universal, në kuptimin që ju jepte të drejtë të gjithë popujve të ndërtonin shtetin e tyre nacional.
Pas kësaj pasqyre të përgjithshme le t’i rikthehemi përsëri temës. Më sipër nënvizuam, se disa “mendimtar të mëdhenj” këto ditë na kanë folur për ndërtimin e “Shqipërisë Natyrale”. Kjo nuk përbën një risi përsa u përket ideve nacionaliste. Ndoshta këta “mendimtar të mëdhenj” nuk e kanë studiuar (jam i sigurt që jo) idenë e nacionit «natyralist» (që rrjedh nga ideja e nacionit gjerman), sipas të cilit nacioni është i bazuar mbi të dhënat natyrale si: raca, gjaku dhe vendi. Një ndër mbështetësi më njohur të kësaj ideje është Herderi, që i konsideronte kombet si një fakt natyror, me karakteristika fizike të përhershme.
Ndërsa mendimi politik italian, tenton të zhvilloj idenë nacionale mbi baza vullnetare. Mjafton të përmendim formulën e famshme të Renanit, se «nacioni është plebishit i përditshëm». Më vonë kjo formulë, rimerret nga Maxini (Mazzini), i cili shikonte tek nacioni një komunitet me mendime, të drejta, vlera dhe ju beson të gjithë anëtarëve të tij një mision për të bërë në emër të humanitetit. Renani, arrin jo vetëm atë që ndoshta mund të jetë përkufizimi më i famshëm që është formuluar ndonjëherë mbi nacionin, me formulën se ai është «plebishit i përditshëm», por shkon edhe më tej duke nënvizuar se: “ Ai përfaqëson vullnetin e një populli për të jetuar së bashku dhe për të ndjekur së bashku objektivat e përbashkëta politike dhe morale”.
Jam plotësisht dakord, që ekzistojnë territore në Ballkan që njihen si territore shqiptare të banuar historikisht me shqiptarë si: në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Malit të Zi, Kosova bashkë territoret e Preshevës dhe Bujanovskit, territoret e Maqedonisë Perëndimore, si dhe zonat aktuale të Greqisë Veriore që njihen ndryshe me emërtimin “Çamëria. Këto zona bashkërisht, mund t’i quajmë me emërtime te ndryshme si ato që kemi përmendur më sipër, por nuk mund ta konsiderojmë “Shqipëri Natyrale”, pasi edhe në të kaluarën këto territore kanë pasur emërtimet e tyre si për shembull: Kosova ka qenë Dardania, Veriu i Greqisë aktuale quhet Çamëri etj. Ndërsa termi Shqipëri është i lidhur ngushtë me shtetin aktual të “Shqipërisë”. Prandaj, nëse ne e mendojmë këtë bashkim nën emrin “Shqipëria Natyrale” bëjmë një akt nacionalist të koncentruar, sepse ju mohojmë këtyre zonave identitetin e tyre lokal që kanë pasur në histori. Ndoshta do të ishte më e drejtë ta quajmë “Iliri”, sepse kështu ka qenë emërtuar e gjithë kjo hapësirë që në Veri kufizohej me dy degët e Danubit, Savën dhe Dravën, në Jug me Gjirin e Ambrakisë, në Perëndim me detin Adriatik dhe Jon, dhe në Lindje me Lumin Vardar.
Megjithatë, mendoj se nuk ka shumë rëndësi emri sesa forma. Të gjithë ata që e kanë menduar deri tani “Bashkimin e Trojeve”, thjeshtë janë shprehur se duhet të bashkohen. Kjo nuk mjafton! Ne duhet të mendojmë, se me çfarë formë shteti mund të bashkohen? Nëse mendojmë t’i bashkojmë me një shtet nacionalist dhe të koncentruar nën emrin Shqipëri atëherë do të thotë: se Kosova që sapo ka dalë nga robërimi serb duhet të hyj në një robërim të ri, atë të Shqipërisë, të drejtuar nga klasa politika shqiptare që përfaqësojnë interesa të çuditshme, të paqarta, të ngushta dhe personale.
Mendoj se: “Bashkimi i Trojeve”, duhet të bëhet përmes formës federative, por jo nga një federate e krijuar më në krye shtetin aktual shqiptar, por në perspektivën e Bashkimit Evropian (“Federatës Evropiane”).
Të gjithë popujt e Ballkanit, por në veçanti shqiptarët duhet të falënderojnë autorët si: Wiston Churchill, Clement Attlee, Lord Lothian, Albertini, Lion Robbins. Altiero Spinelli, Ernest Rossi, Maxini (Mazzini), Eugenio Colorni, Monet etj, që kanë hedhur dhe zhvilluar idenë e Evropës së Bashkuar, sepse falë ideve të tyre më në fund edhe “Trojet Shqiptare” mund të jenë të bashkuara me njëra-tjetrën, si edhe me popujt e tjerë të Rajoni pa barë asnjë luftë. Pra, përgjigja e pyetjes: A mund të bashkohen shqiptarët pa pasur nevojë me bërë luftë me popujt e tjerë? Është po! Po-ja personifikon bashkimin e jo vetëm të popullit shqiptarë, por të gjithë popujve të Ballkanit dhe të Kontinentit Evropian.
Bashkimi Evropian, siç kemi qenë dëshmitar jo vetëm që është vërtetuar si i mundshëm por edhe i domosdoshëm. Nëse shteti nacional përfaqëson një realitet politik të aftë vetëm për të gjeneruar autoritarizëm, mjerim, luftë, është evident që çdo lloj progresi i rëndësishëm në emancipimin human, në termat e lirisë, demokracisë, paqes, drejtësisë sociale, nuk do të mund të gjej aplikim përbrenda tij, por vetëm në fushën e Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian është premtimi dhe jo pasoja e realizimit të vlerave të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë. Evropa e Bashkuar ishte zgjidhje më e mirë, e cila falë interesave të përbashkëta ekonomike dhe politike, bëri që dy vende si Gjermania dhe Franca të shendoheshin nga armiqt të përjetshëm në miq të përhershëm. Ata, e kuptuan se politikat nacionaliste kishin vdekur, sepse në realitetin e ri ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë botërore, popujt evropian duhet të gjenin gjuhën e përbashkët, atë të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak për të mbijetuar në anarkinë ndërkombëtare.
Prandaj, jam plotësisht dakord me faktin se edhe dy popuj ballkanik si ai shqiptar dhe ai serb që kanë qenë armiq të përjetshëm mund të shndërrohen në miq të vërtetë dhe kjo do të ndodh falë interesave reciproke ekonomike, të cilat automatikisht intensifikojnë edhe marrëdhëniet politike. Nuk jam aspak dakord, me ata nacionalistë serb dhe shqiptarët, që mendojnë, se Serbia dhe Shqiptarët duhet të mbeten armiq të përhershëm.
Pavarësisht nga e kaluara, që ne të gjithë e dimë, interesat dhe marrëdhëniet midis dy shteteve mund të ndryshojnë. Mjafton të përmendim një moment caktuar të marrëdhënieve amerikano-kineze, që në fillimin e viteve shtatëdhjetë njihen ndryshe si periudha e “shtensionimit”, sepse pas propozimit të bërë nga ana e palës kineze e cila shprehet, se kishte ardhur momente që një anëtarë i lartë i Shtetit amerikan, qoftë edhe vetë Presidenti mund të vizitonin Kinën. Kissinger, Sekretari i Shtetit i asaj kohen përmes vizitave sekrete përgatiti ambientin dhe organizoj më në fund një vizitë historike në Kinë të presidenti Nixon. Më vonë, Kissinger, do të shprehej duke thënë se: “edhe pse nga ajo vizitë nuk prisnim firmosje marrëveshjes, është e rëndësishme që u takuam dhe që kuptuam, se kemi interesa të përbashkëta si: shmangia e një lufte të përbashkët, përballimi i rrezikut Sovjetik etj”.
Nga kjo optik, mendoj se edhe marrëdhëniet serbo-shqiptare duhet të ndryshojnë, sepse të dyja palët kanë interesa të përbashkëta si: shmangien e një luftë të re, realizimin e Integrimit Evropian, interesa të përbashkëta ekonomike. Ky akt do të ishte një ogur i mirë jo vetëm për Ballkani, por për gjithë Evropën.
Duke konkluduar, e shikoj “Bashkimin e Trojeve” si një proces kozmopolit dhe integrues. Dëshiroj dhe shpresoj shumë, se vetëm me integrimin e plotë të Rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian do të arrijnë më në fund të bashkohen jo vetëm shqiptarët, por të gjithë popujt e këtij Rajoni. Kjo është e vetmja mënyrë që do të garantonte një paqe të qëndrueshme, të gjatë dhe një mirëqenie për të gjithë.

e martë, 15 mars 2011

SHQIPTARËT – NJË GJUHË, NJË HISTORI, NJË KOMB

Xhelal Zejneli

Kohët e fundit në hapësirën shqiptare në Ballkan paraqiten do ide, sipas të cilave shqiptarët nuk qenkëshin një komb por dy a më shumë sish. Fatmirësisht, numri i atyre që thonë se ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë saj, ka dallime të caktuara, është tejet i vogël dhe numërohet në gishta.

Shqiptarët në Ballkan: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, duke përfshirë dhe çamët - janë një popull, flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb. Pjesë e pandarë e kombit shqiptar në Ballkan janë edhe shqiptarët nëdiasporë: në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi...

Midis shqiptarëve, kudo qofshin ata, nuk ka kurrfarë dallimesh të theksuara, madje mbi kurrfarë baze. Shqiptarët janë një.

Ka individë që thonë se ekziston kombi shqiptar në Shqipëri si dhe kombi kosovar – në Kosovë. S’ka komb kosovar. Kosova është term gjeografik. Ka komb shqiptar në Kosovë:

- që përbën 92% të popullsisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës;

- që është trashëguese e shtetësisë;

- që është mbartëse e shtetësisë;

- që posedon kapacitet të plotë shtetformues apo shtetkrijues;

- që ka një histori të lavdishme;

- që ka perspektivë euro-atlantike.

Kosova është shtet i shqiptarëve, me të drejtat e pakicave, të garantuara me ligj, sipas standardeve evropiane. Askush s’mund t’i detyrojë shqiptarët ta ndërrojnë emrin, për hir të 5% serbëve. In ultima linea, a ka forcë në botë që mund t’ia ndërrojë një populli shpirtin, zemrën, mendjen, gjakun, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare. S’ka plan në botë që mund ta bëjë këtë.

Ca individë, që numërohen në gishta, thonë se shqiptarët nuk janë një komb, por dy a më shumë kombe. Këta individë, te shqiptarët vërejnë:

- dallime historike;

- dallime gjuhësore;

- dallime kulturore;

- dallime psikologjike;

- dallime arsimore;

- dallime në pikëpamje të emancipimit.


Asnjë nga “dallimet” e sipërthëna nuk është i bazueshëm.

Shqiptarët kanë një histori - Në vjeshtën e tretë të vitit 1912 Ismail Qemali, të pavarur e shpalli - Shqipërinë. E Shqipëri ishin trojet shqiptare në Ballkan që shtriheshin deri aty ku bukës i thonin bukë, e ujit ujë. Fqinjët grabitqarë – Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të ndihmuar nga Moska, Parisi dheLondra, pushtuan më tepër se gjysmën e trojeve etnike dhe historike shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët e viseve të pushtuara, që nga dita e parë e pushtimit e deri më sot, kurën e kurës nuk e njohën pushtimin. Pushtuesve të egër serbë, bullgarë, malazez, sllavo-maqedonas dhe grekë, u bënë ballë me sakrifica mbinjerëzore.

Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) e deri në ditët tona, shqiptarët e viseve të pushtuara, Shqipërinë e quajnë nënë, e konsiderojnë të shenjtë dhe të shtrenjtë, e kanë në zemër dhe e duan me shpirt. Dhe do ta duan deri në jetë të jetëve. Edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve (1912-1913), shqiptarët në Ballkan, vazhdojnë të kenë një histori.

Pavarësisht nga përkufizimet e kombit që janë bërë nga sociologët borgjez dhe marksistë, kombi është para së gjithash dhe mbi të gjitha: gjaku, zemra, shpirti, dhe mendja.

* * *

Gjuha popullore shqipe përbëhet prej dy dialekteve kryesore, prej disa nëndialekteve dhe prej shumë të folmeve. Përkundër dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve të gjuhës popullore shqipe, shqiptarët në Ballkan dhe kudo në botë, komunikojnë dhe kuptohen ndër vete pa kurrfarë vështirësish. Gjermani i jugut të Gjermanisë, për shkak të dallimeve dialektore vështirë merret vesh me atë të veriut të vendit. Megjithëkëtë, asnjë gjerman nuk thotë se ekzistojnë dy a më shumë gjuhë gjermane dhe se brenda në Gjermani duhet të ketë dy a më shumë kombe.

Më 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në të morën pjesë studiues të gjuhës shqipe nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, përfshi pra edhe intelektualët dhe akademikët nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi si dhe arbëreshët e Italisë. Kanë qenë të pranishëm edhe albanologë të huaj. Ky kongres mbylli periudhën kur gjuha letrare shqipe funksiononte në dy a më shumë variante dhe hapi një periudhë të re, periudhën e një gjuhe letrare të vetme, të njësuar. Kongresi i Drejtshkrimit pati një jehonë të gjerë në jetën shoqërore e kulturore të shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë dhe ndikoi për forcimin e njësisë shpirtërore të tyre. Shqiptarët sot, kudo në botë, flasin në gjuhën letrare shqipe. Dhe kështu do të flasin deri në jetë të jetëve. Shqipja është një. S’ka dy gjuhë shqipe.

Nacionalistët serbë të Beogradit nuk e pritën mirë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të 1972-shit. Sipas inteligjencies serbe, shqiptarët kanë dy gjuhë: gjuhën shqipe që flitet në Shqipëri dhe gegërishten – që flitet në Kosovë. Rrjedhimisht shqiptarët, sipas akademikëve serbë, meqë flasin dy gjuhë, janë dy popuj të ndryshëm.

Këta pak shqiptarë që thonë se ndër shqiptarë ka dallime aq të mëdha saqë bëhet fjalë për dy popuj të ndryshëm, përkatësisht për dy kombe të ndryshme, me vetëdije apo pa të, me pikëpamje të tilla, i shërbejnë ideologjisë antishqiptare serbe dhe greke.

Shqiptarët janë pak, për të qenë dy a më shumë kombe.


* * *

Shqiptarët:

- janë populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik;

- janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve;

- janë popull rrënjës (autokton) i Ballkanit.


Gjuha shqipe:

- është bijë e ilirishtes;

- është degë e parë e familjes së gjuhëve indo-evropiane.


Me fjalë të tjera, prejardhja e përbashkët e shqiptarëve dhe e gjuhës së tyre është një prej shumë faktorëve që i bashkon shqiptarët.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzullin tokësor, kanë një krye-hero dhe mbi-hero – Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, krenarinë, nderin dhe lavdinë e kombit. Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzullin tokësor, i bashkon epoka e madhe e kryezotit të mesjetës – e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në rruzull, e kanë në zemër epokën e madhe të Rilindjes Kombëtare (1840-1912). Kombi shqiptar sot, përulet me nderimin më të thellë para rilindësve, q u flijuan për dritën tonë të sotme. Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon njëra nga periudhat më të lavdishme të historisë politike të kombit – ajo e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).

Shqiptarët sot, si dikur, i bashkon Vlora e pavarësisë e vitit 1912.

Shqiptarët, sot e një mijë vjet i bashkon himni dhe flamuri kombëtar – shqiponja me dy krerë, në hapësirë të kuqe, që e përdori Skënderbeu në luftërat për mbrojtjen e atdheut. Çdo shqiptar në rajon dhe kudo në botë, e ka në zemër flamurin kombëtar. Në luftë, në beteja, në fitore, në paqe, në ceremoni mortore, në dasma shqiptarët shkojnë me një flamur të vetëm që e kanë në shpirt, në zemër, në gjak dhe në mendje – shqipen me dy krerë. Flamuri dhe himni kombëtar janë një. Para tyre dhe vetëm përballë tyre qëndron hijerëndë çdo shqiptar në Ballkan dhe kudo në botë.

Shqiptarët në Ballkan dhe kudo në rruzull, i bashkon virtyti: besa, bujaria, fisnikëria, mikpritja, trimëria dhe mendjemprehtësia.

Shqiptarët në rajon dhe kudo në botë, shquhen për vitalitetin e racës.



Shqiptarët pra krenohen:

- me prejardhjen ilire, me lashtësinë, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me vitalitetin e racës, me historinë e lavdishme, me personalitetet historike, me virtytet etnike;

- me gjuhën e tyre që Gjergj Fishta e quajti gjuhë e Perëndisë.


Shqiptarët janë popull solidar dhe human. Në asnjë periudhë të historisë së vet, nuk janë paraqitur kundër fqinjëve të tyre.


* * *

Ata individë që thonë se kombi kosovar dallohet nga ai shqiptar në Shqipëri, duhet të dinë se shqiptarë – në troje të tyre – ka edhe në Kosovën lindore(Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Greqi, edhe në diasporë. Po qe se shqiptarët e Shqipërisë do të quhenshqiptarë, e këta të Kosovës – kosovarë, si do të quhen vallë shqiptarët në Kosovën lindore, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi dhe në diasporë?!

Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia janë të gatshëm për t’i quajtur serbë, maqedonas, malazezë, grekë. Ose më saktë: serbë me prejardhje shqiptare, maqedonas me prejardhje shqiptare, malazezë me prejardhje shqiptare etj.

Ku shpie kjo?! Ku shpie ideja e dy gjuhëve shqipe dhe e dy kombeve shqiptare?!

Pikëpamja: “Për të pasur shtet të pavarur dhe sovran është e domosdoshme të kesh edhe komb të veçantë” është absolutisht e gabuar. Për hir të askujt, as edhe të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë emrin, shpirtin, zemrën, gjakun dhe mendjen. Edhekoreanët kanë dy shtete por kurrë nuk thonë se janë dy popuj apo dy kombe.

Solidariteti vëllazëror - Gjatë pastrimit etnik të Kosovës që e ndërmori Serbia me forcat e saj militare në vitin 1999, u detyruan të largohen prej vatrave të veta rreth 1 milionë shqiptarë. Rreth 600 mijë sish u strehuan në Shqipëri, nga veriu deri në jug. Ndërkaq, rreth 350 mijë u vendosën në viset shqiptare në Maqedoni. U strehuan pra te vëllezërit e gjakut dhe nuk vajtën as në Greqi, as në Bullgari. Përse?!

Shqiptarët:

- i bashkon fati tragjik i përbashkët, armiku dhe rreziku i përbashkët, gjatë historisë dhe sot;

- i bashkon kënga popullore që e mbajti gjallë ndër shekuj;

- i bashkon krijimtaria gojore e përbashkët, që nga këngët e djepit deri te epika legjendare;

- i bashkon qëndresa e përbashkët ndaj pushtuesve dhe sundimtarëve të huaj;

- i bashkon krijimtaria letrare-artistike, që nga Buzuku e deri në ditët tona dhe pas nesh.

- i bashkon ideali i përbashkët – miqësia me SHBA-në dhe integrimi në familjen perëndimore;

Shqiptarët i bashkon ideali i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës martire, e cila, pas një shekull gjenocidi, kolonializmi dhe politike të aparteidit të ndjekur nga Serbia, doli nga ferri dhe terri për të ecur drejt shtigjeve të përparimit dhe të demokracisë.

Shqiptarët nuk u ndanë shpirtërisht ndër vete, as atëherë kur boshti i krimit Shkupi-Beogradi-Titogradi, vendosën ndër shqiptarë kufij të hekurt.



* * *

Ndër shqiptarë sot s’ka kufij. Edhe këta pak kufij që kanë mbetur një ditë do të hiqen. Në hapësira ndër-shqiptare të caktuara, shqiptarët qarkullojnë tanimë, jo me pasaporta, por me letërnjoftime. Janë edhe detet - Joni dhe Adriatiku – bashkues të shqiptarëve. Shqiptarët i bashkon dhe rëra e plazheve, dielli i korrikut dhe i gushtit, ekskursionet e nxënësve, muzeu i Krujës dhe i Vlorës, kalaja e Shkodrës.

Sot shqiptarët kanë mundësi komunikimi, si kurrë në histori. Bashkimin ua mundëson zhvillimi i mediumeve, sidomos i atyre elektronike si dhe programet televizive satelitore apo kabllovike. Në saje të rrugës së kombit një ditë do të rritet akoma më shumë qarkullimi i njerëzve, i mallrave, i kapitalit dhe i vlerave kulturore.

Gjermanët, vërtet kanë më shumë se një shtet kombëtar, siç janë Austria dhe Zvicra Mirëpo duhet ditur se:

- Gjermania jashtë kufijve të vet ka një përqindje të përballueshme të popullsisë dhe të territorit gjermano-folës, ndërkaq në rastin e Shqipërisë, më tepër se gjysma e popullsisë dhe e territoreve shqiptare, kanë mbetur jashtë saj;

- Nacionalistët gjermanë, si në Gjermani ashtu edhe në Austri, kurrë nuk janë pajtuar me ekzistimin e dy shteteve gjermano-folëse. Ata gjithmonë kanë synuar bashkimin;

- Në rastin e Gjermanisë dhe të Austrisë, mund të flitet për dy histori të ndryshme, por në rastin e shqiptarëve kemi vetëm një histori – atë të çlirimit nga zgjedha osmane, të krijimit të Shqipërisë së pavarur si dhe atë të krijimit të Shqipërisë etnike dhe natyrale;

- Shqipëria është e brishtë, pikërisht pse është e ndarë dhe e copëtuar;

- Shqipëria do të jetë më stabile kur t’i rikthehet gjysma që iu shkëput në Londër (1912-13);

Derisa popuj të tjerë, brenda kufijve të shteteve të veta, mbajnë territore të popujve të huaj, për ca shqiptarë që numërohen në gishta, ndërmjet shqiptarëve paskësh dallime historike, gjuhësore, psikologjike dhe kulturore...

Derisa Serbia, me Vojvodinën, me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) dhe me Sanxhakun (të banuar me popullsi myslimane) krijon shtetin e madh serb, shqiptarët në anën tjetër, jo vetëm që s’arrijnë të krijojnë Shqipëri të madhe apo Shqipëri etnike dhe natyrale, por akoma më keq. Ca individë gjurmojnë dallime midis shqiptarëve për të shkaktuar ndarje dhe përçarje ndër-shqiptare dhe për të krijuar deri edhe dy popuj dhe dy kombe shqiptare.

Shqiptarët kanë nevojë të bashkohen. Së paku shpirtërisht. Të bashkojnë tregjet, kapitalin, pasuritë materiale dhe vlerat kulturore. Të qarkullojnë të lirë në hapësirat brenda-shqiptare. Të paktën këtë sot s’ua ndalon kush.


* * *

Çështja shqiptare në Ballkan përkufizohet si çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Me çlirimin e Kosovës (1999) nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga alenca e NATO-s, padrejtësia ndaj shqiptarëve nisi të korrigjohet. Konstelacioni në rajon, në kontinent dhe në planin global sot - është i favorshëm për shqiptarët. Ndaj shqiptarët nuk kanë përse të formojnë dy kombe, por një komb të bashkuar.

A është e mundur kjo?!

Shqiptarët janë i vetmi popull i Ballkanit që nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare. Ndonëse ende s’e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare, shqiptarët janë i vetmi popull i gadishullit që nuk kanë të ndërtuar një platformë kombëtare. Paradoks! Popull me çështje kombëtare të pazgjidhur dhe pa projekt kombëtar.

Rrjedhimisht, shqiptarët janë populli më jo-nacionalist i Gadishullit Ballkanik. Mirëpo, nuk mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë vetëdije kombëtare të lartë. Mungesa e ideologjisë kombëtare apo e një platforme nacionaliste te shqiptarët është pasojë e mungesës së kapaciteteve të përgjithshme të kombit shqiptar në Ballkan.

Në anën tjetër, pothuajse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, nacionalizmin e kanë të inkorporuar në politikën shtetërore. Nacionalizmi turk, serb dhegrek manifestohet në çdo pore të jetës.

Ideologjia kombëtare nuk është çështje individësh, por e shtetit dhe e institucioneve shkencore të kombit. Kur troket ora e madhe e historisë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, me atë rast nuk pyeten individët apo segmentet anacionale dhe antikombëtare të një shoqërie. Po ta kishte përfillur Bizmarku pjesën e pavetëdijshme të popullit gjerman, bashkimi i principatave gjermane do të zvarritej deri në mbarim të shekullit XIX. Zgjidhja e çështjes kombëtare varet prej determinantëve historikë dhe sociologjikë dhe jo prej vullnetit të lirë të individëve


Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.





e diel, 13 mars 2011

PSE DUHET TË RIBASHKOHEMI NE SHQIPTARËT?!


 Mr. Gafurr Adili 

- Shqiptarët dhe trojet e tyre etnike duhet të ribashkohen për shumë arësye historike, politike, ekonomike dhe mbi të gjitha edhe për arësye morale..!
- “Trepça punon, Beogradi ndërton..!”
- Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael..!
- Një njëri i gjymtuar (sakat), pa gjymtyrët e trupit të tij, qoftë ajo edhe mungesa e një dore apo e një këmbe, nuk mundet as të zhvillohet dhe e ka shumë të vështirë edhe të mbijetojë..!

- Vetëm popullit shqiptar i është mohuar dhe vazhdon t'i mohohet e drejta për Vetëvendosje!
- Republika eShqipërisë një rast "sui generis" i të drejtës ndërkombëtare, sepse nga të gjitha anët e saj ajo kufizohet me popullin dhe trojet e veta etnike shqiptare..!
- Ka ardhur koha e fundit që të korrigjohet padrejtësia historike ndaj shqiptarëve !

Arësyet historiko-politike tanimë dihen nga të gjithë, jo vetëm nga ne shqiptarët, por edhe nga të huajtë, sepse të gjithë ne e dimë se si trojet etnike të Shqipërisë, të katër vilajetëve: të Vilajetit të Kosovës, me kryeqendër Shkupin, të Vilajetit të Manastirit, të Vilajetit të Janinës dhe të Vilajetit të Shkodrës, u pushtuan dhe u kolonizuan nga pushtuesit sllavo-grekë, pushtim dhe aneksim që miratoi edhe Konferenca e Ambasadorëve të Londres .

Gjithashtu të gjithë, edhe ne shqiptarët dhe edhe të huajtë, tanimë e dijmë se çfarë dhune dhe çfarë maskrash janë ushtruar, për gjatë gati një shekull, mbi popullin shqiptar të Vilajetit të Shkodrës, të Vilajetit të Kosovës dhe të Vilajetit të Manastirit, të njohur si shqiptarë ( kosovarë) të Kosovës, jo vetëm nga pushtuesit e kolonizatoret sllavë (serbë, malazezë dhe sllavo-maqedonas), por edhe nga pushtuesit e kolonizatorët grekë mbi shqiptarët e Vilajetit të Janinës, të njohur si shqiptarë (camë) të Çamerisë, prandej edhe as nuk e shof të arësyeshme që, në këtë shkrim, t i përshkruaj të gjithë ato vrasje dhe masakra të ushtruara mbi popullin shqiptar, sepse tanimë historiografia shqiptare dhe ajo e huajë i ka pasqyruar në mijëra libëra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

“Trepça punon, Beogradi ndërton !”

Tridhjetë vite më parë, në demostratat e “Pranverës së Kuqe”, siç Dëshmori Nuhi BERISHA i ka quajtur demostratat e mars-prillit të vitit 1981, pjesëmarrës aktive i të cilave isha edhe unë, rinia heroike (studentore) e Prishtinës, krahas shumë parullave të tjera hodhi edhe parullën “Trepça punon, Beogradi ndërton!”, parullë kjo që kundërshtonte shfrytëzimin kolonial të Kosovës nga Serbia dhe bandat e saj kriminale.

Republika e Kosovës, ashtu si nëna e saj, Republika e Shqiperisë, vazhdon të rënkojë nga varfëria dhe mjerimi, sepse krahinat e saj: Kosova Lindore (Preshava, Medvegja dhe Bujanoci) dhe Kosova Veriore (SANXHAKU), si dhe Kosova Veri-Lindore (TOPLICA) vazhdojnë të mbahen të pushtuara e të kolonizuara nga Serbia, ashtu siç Shqipëria Veriore (Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia), Shqipëria Lindore (Shkupi, Komanova, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Prespa, Manastiri, Përlepi dhe Velesi), që mbahen të pushtuara e të kolonizuara nga pushtuesit malazezë dhe sllavo-maqedonas, po ashtu mbahet e pushtuar dhe e kolonizuar edhe Shqipëria Jugore (ÇAMËRIA) nga pushtuesit e kolonizatoret greke te Greqise "Evropiane".

Pasuritë mbitokësore e nëntokësore të këtyre krahinave të Shqipërisë Etnike nuk shfrytëzohen as nga Tirana dhe as nga Prishtina, por ato edhe sot e kësaj dite, në Shekullin XXI, vazhdojnë të shfrytëzohen nga Beogradi, nga Podgorica, nga Shkupi (Skopje sllavo-maqedonas) dhe edhe nga Athina.

Një njëri i gjymtuar (sakat), pa gjymtyrët e trupit të tij, qoftë ajo edhe mungesa e një dore apo e një këmbe, nuk mundet as të zhvillohet dhe e ka shumë të vështirë edhe të mbijetojë.

Vetëm Shqipëria jonë e rrudhosur dhe e sakatosur ka mundur të mbijetojë, dhe kjo është arrijtur vetëm falë vitalitetit dhe vendosmërisë së popullit shqiptar për të mbijetuar.

Shqipëria e Rrudhosur (Shqiperia Londineze) dhe as krahinat e saj, ndër të cilat është edhe Kosova, nuk kanë mundur të zhvillohen ekonomikisht për shumë arësyje, por më kryesorja ka qenë se, pasuritë e tyre nëntokësore i kanë shfytëzuar pushtuesit sllavo-greke të Shqipërisë.

Pavaresia ekonomike e çdo individi apo shteti ka qenë dhe mbetet përcaktimi kryesor i pavarësisë politike të çdo individi apo të çdo shteti, prandaj nëse vërtetë ne shqiptaret dëshirojmë që të integrohemi në familjen evropiane me integritet kombëtar këtë do të mundemi ta arrijmë vetëm duke u ribashkuar në një komb-shtet të vetëm, në një Shqiperi të Ribashkuar prej 78 kilometer katroresh dhe me popullsi të përafërt sa kanë edhe fqinjët tanë, Greqia, Bullgaria dhe Serbia. Republika e Shqiperisë (Shqipëria e Rrudhosur) është një rast “sui generis”, sepse nga të gjitha anet e saj ajo kufizohet vetëm me trojet e saj etnike dhe me popullin e saj shqiptar.

Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael..!

Në tetor të vitit të vitit të kaluar (2010) pata deklaruar: "Kosova Palestina e Re e Ballkanit", të cilin do te mundeni ta rilexoni edhe permes: www.fdbk-online.org dhe tash po rideklaroj edhe: "Bisedimet Kosovë-Serbi, si bisedimet Palestinë-Izrael..!", dhe po vazhdoj, si më poshte vijon:

- Bisedimet e filluara në Bruksel, për gjoja bisedime teknike, midis delegacionit të nivelit më të lartë të Kosovës, të kryesuara nga Zv. Kryeministrja e Zotit Hashim Thaci, Zonja Edita Tahiri, dhe delegacionit shumë të ulët të Serbisë së Zotit Boris Tadic, është edhe një dëshmi tjetër e rradhës se, bashkësia ndërkombëtare (OKB, BE dhe SHBA) vazhdojne që Kosovën ta trajtojnë si Palestinën, që ashtu si Palestina dhe Izraeli, që për dekada të tëra kanë zhvilluar bisedime, edhe "teknike", në pambarim, por që gjithashtu, ashtu si Izraeli që asnjëherë nuk e ka njohur dhe as nuk e njeh Palestinën si shtet të pavarur e sovran, ashtu si Serbia që nuk e ka njohur dhe as nuk e ka në plan që ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, por përkundrazi, në Preambulën e Kushtetutës së saj "Kosova e Metohija", si e ka quajtur dhe vazhdon ta quaj Sërbia Kosovën, sanksionohet si pjesë territoriale dhe integrale e Serbisë.

Pra, bisedimet Kosovë-Serbi, që do të zgjasin pafundësisht, si kanë zgjatur dhe ende po zgjasin edhe bisedimet Palestinë-Izrael, dhe nga këto bisedime do të përfitojë vetëm Serbia dhe jo Kosova, e cila vetëm do të humbasë shumë nga këto bisedime të ashtuquajtura "teknike", por që në fakt kanë qenë, janë dhe do të jenë bisedime edhe poltike, ashtu si gjithmonë që ka përfituar Izraeli nga të gjitha bisedimet e zhvilluara me Palestinen.

Prandej, edhe forcat patriotike shqiptare, të përfaqësuara në Kuvendin e "Republikës" së Kosovës, Lëvizja për Bashkim dhe Lëvizja Vetëvendosje!, me të drejtë i kundërshtuan bisedimet Kosovë-Serbi, prandej ky veprim kombëtar i LB-së dhe LV! duhet të përkrahet nga të gjithë patriotët shqiptarë kudo që ata ndodhen, në trojet etnike të Shqipërise Historike apo në mërgim.


Gjithashtu, edhe përpjekjet e qarqeve antishqiptare sllavo-greke dhe të aleatëve të tyre që, edhe Republikën e Shqipërisë, ashtu si "Republikën" e Kosovës, ta shëndrrojnë në një shtet multietnik, ne e kemi shfaqur si një rrezik permanent dhe e kemi bërë publik që në vitin 2007, përmes shkrimit: "Gjaku i shqiptarit 300 euro!", të publikuar te Revista "KUVENDI", Revistë e Këshillit Organizativ të Kuvendit Mbarëkombëtar, sepse ne kishim informacione të detajuara se, Greqia me borxhet që ajo merrte nga Bashkimi Evropian ndante pensione për qytetarët në Jug të Republikës së Shqipërisë.

Përgjëzimet tona shkojnë te Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), atdhetari Kreshnik Spahiu dhe te të gjitha shoqatat patriotike, ndër të cilat është edhe "Aleanca Kuq e Zi", në Republikën e Shqipërisë për të parandaluar regjistrimin e popullsise mbi baza fetare dhe etnike, si dhe edhe për të abroguar Ligjin (antishqiptar) për regjistrimin e popullsisë në Republikën e Shqipërisë.

Pra, për sa kohë ne shqiptarët nuk jemi të ribashkuar në një komb-shtet të vetëm shqiptar, Republika e Shqipërisë do të jetë e rrezikuar nga Greqia, kurse Kosova nga Serbia dhe shqiptarët nën IRJM, nën Mal të Zi dhe nën Serbi do të vriten sikur të jenë shalqinj në fushat e bostanit të Serbisë, Malit të Zi dhe "Mqedonisë".

Edhe ne shqiptarët, më në fund, duhet të fillojmë të zbatojmë devizën sllavo-greke: "Sulmi është mbrojtja më e mirë!" të cilën historikisht e kanë zbatuar dhe vazhdojnë ta zbatojnë sllavo-grekët kundrejt ne shqiptarëve.

Kam deklaruar dhe rideklaroj se as Shqipëria nuk mundet të mbrohet në Himare, por ajo mbrohet në Cameri, dhe as Kosova nuk mbrohet në Mitrovicë, por edhe ajo mbrohet vetem në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanocin), në Krahinen e Sanxhakut dhe edhe në Krahinën e Toplicës.

Ka ardhur koha e fundit që të korrigjohet padrejtësia historike ndaj shqiptarëve !

Prandej, le të punojmë bashkarisht për ribashkimin kombëtar shqiptar të Shqipërisë Historike, sepse vetëm atëherë me Greqinë, me Bullgarinë dhe me Serbinë ne shqiptarët do të jemi të barabartë dhe do të mundemi kundër tyre edhe të zbatojmë bashkëpunimin mbi parimin e reciprocietit, edhe për pakicat kombëtare brenda Shqipërisë Etnike, të Bullgarisë Etnike, të Greqisë Etnike (Arvanitasve në Athinë) dhe edhe të mbi 200 mijë shqiptarëve në Beograd të Serbisë Etnike.

Tiranë, (në 30 vjetorin e demonstatave të mars-prillit 1981), më 11 mars 2011

e enjte, 10 mars 2011

Ndjenja e poshtërimit mund të jetë shkak destabiliteti në vend

Dott. Alban Daci

Vendi ynë, kohët e fundit, po kalon një moment të vështirë që, ndoshta, mund të ketë pasoja shumë të rënda sesa mund të na e parashikojë imagjinata jonë. Sot, në Shqipëri, flitet për luftë të ashpër politike dhe për mundësinë e cenimit të sigurisë shqiptare për shkak të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e vetë deklarimit të popullsisë dhe të besimit fetar.
Lufta politike është e shkaktuar nga vet klasa politike dhe nga mënyra se si ajo e mendon dhe zbaton aktivitetin politik. Kahet politike shqiptare, si e Majta ashtu edhe e Djathta e kanë bërë politikën e njëzet viteve të fundit, duke e menduar si një betejë të ashpër, ku nuk përjashtohet as përdorimi i dhunës dhe as denigrimi i personit.
Politika shqiptare, në njëzet vitet e fundit, është përqendruar vetëm tek konflikti i nxehtë politik dhe ka harruar dhe mënjanuar krejtësisht qytetarin dhe rolin e tij konstruktiv në shoqëri. Politikanët merren aq shumë me veten dhe me betejat e kota dhe të panevojshme politike saqë, tashmë, janë kthyer vetëm në ushtarë të betejave politike, duke harruar krejtësisht rolin përfaqësues dhe drejtues me parime demokratike, që duhet të kenë kundrejt qytetarëve.
Për rrjedhojë, në Shqipëri, çdo ditë që kalon po rritet një ndjenjë e lartë poshtërimi mes klasës politike dhe qytetarëve. Qytetarët ndjehen të shtypur dhe të nëpërkëmbur në çdo kontakt që kanë me klasën politike. Ekzistenca e qytetarit shpërfillet hapur sikur të mos ekzistonte, sikur këto fundit të ishin një shumë e madhe skllevërish në shërbim të politikës.
Qytetari, sot, ndjehet i nëpërkëmbur në çdo kontakt që mund të ketë me institucionet, të cilat në teori janë të zgjedhura prej tyre për të qenë në shërbimin e tyre dhe mbahen në këmbë po nga taksat që qytetarët paguajnë. Ministritë, apo institucionet e ndryshme të shtetit, janë të mbushura me nepotizëm, me njerëz që nuk janë në gjendje të bëjnë punën e tyre dhe mbi të gjitha që nuk kanë asnjë lloj forme respekti (të obliguar me ligj) kundrejt qytetarëve.
Sot mund të thuhet pa frikë më mirë të jesh një qen i klasës politike sesa të jesh një qytetar i lirë. Po të jesh qen i politikës dhe nëse leh sa herë që ajo dëshiron dhe ka nevojë, ke mundësi të arrish gjithçka në jetë, mund të zësh çdo lloj pune në çdo lloj niveli. Ndërsa, nëse je qytetari i lirë, i talentuar, që dëshiron të punosh për familjen tënde dhe vendin, jo vetëm që nuk arrin asgjë në jetë, por rrezikon të humbësh edhe veten në varfëri, mjerim dhe poshtërim njerëzor.
Një gjë është e sigurt se, nëse je qen i politikës, edhe pse mund të arrish gjithçka, përsëri do të mbetesh një qen që leh me komandim dhe që jetoni i lidhur me zinxhirë të kapur fort pas dorës së politikës dhe pushtetit të saj abuzues. Të jesh qeni i politikës do të thotë të jesh servil, militant, pa sy, pa identitet dhe besnik i klasës politike dhe në të njëjtën kohë të jesh i mbushur fort me ndjenjën e poshtërimit, e cila të detyron të përulesh dhe të mposhtësh moralin tënd aq shumë, sa ti të zvogëlohesh, duke u bërë i vogël dhe i padukshëm përballë klasës politike që duket si një e keqe e madhe e fuqishme dhe e paprekshme.
Sot qytetari shqiptar ndjehet inferior dhe i poshtëruar në çdo lloj kontakti dhe takimi, që mund të ketë me klasën politike. Sot qytetari shqiptar\ ndjehet totalisht i poshtëruar, i nëpërkëmbur në çdo kontakt që mund të ketë me institucionet. Sot është shumë e vështirë për një qytetar të takoj një punonjës shtetëror për të zgjidhur një hall sesa mundësia që kishin egjiptianët e lashtë për takuar faronin e tyre, cili ish mbret, zot dhe gjithçka.
Ndjenja e poshtërimit e klasës politike shqiptare kundrejt qytetarëve të saj në njëzet vitet e fundit është bërë shumë e prekshme saqë çdo ditë që kalon vetëm rritet në nivele shqetësuese. Sot, qytetarët e thjeshtë, të talentuar, që duan të punojnë për familjen e tyre dhe për vendin e tyre, ndjehen të braktisur nga politika, e cila i ka shfrytëzuar aq shumë në formë barbare derisa po ju heq edhe shansin e dhënë nga perëndia për të jetuar.
Qytetari i thjeshtë jo vetëm është dhe ndjehet i poshtëruar nga politika, por ai është krejt i pambrojtur i zhveshur nga të mirat minimale për të jetuar. Sot nuk janë të pakta ato raste, kur persona të talentuar, jetojnë me qira sepse nuk kanë një shtëpi, paguajnë fatura të çmendura të energjisë elektrike, nuk kanë asnjë mundësi punësimi. Për këto persona jeta e tyre vetëm vështirësohet duke shkuar deri në limitin ekstrem të ekzistencës së saj.
Sot, në Shqipëri, ka plot djem të talentuar, të cilët kanë kryer shkolla të larta universitare me rezultate të shkëlqyera që nuk janë të punësuar, sepse nuk janë pjesë e asaj klike personash, të cilët kanë pushtuar dhe monopolizuar çdo fushë të jetës. Gjithashtu, ka edhe persona të tjerë të cilët janë bijë dhe të afërm të klikës politike, që edhe pse nuk kanë asnjë diplomë universitare, ose kanë diploma të blera dhe false janë të punësuar në disa vende njëherësh dhe marrin disa rroga në fund të muajit.
Kjo situatë nuk bën gjë tjetër, veçse rrit ndjenjën e poshtërimit mes të parëve kundrejt të dytëve. Rrit dëshpërimin dhe pamundësinë e qytetarëve për të bërë një jetë normale edhe pse për shkak të karakteristikave që kanë e meritojnë plotësisht. Të jesh i poshtëruar do të thotë, të mos kesh më në kontroll jetën tënde, qoftë si popull, si vend ashtu edhe individualisht, si njeri në vete.
Ndjenja e poshtërimi mund të shërbejë si nxitje që dikush të përmirësojë jetën e tij duke punuar fort dhe duke mposhtur nepotizmin, padrejtësinë dhe frikën për të jetuar i barabartë dhe i respektuar. Në këto kushte, ku sot qytetari ka vite që ndjehet krejt i poshtëruar dhe i përulur kundrejt klasës politike, ka shumë mundësi që punojë fort dhe të ngrihet për të mbrojtur vetën dhe dinjitetin e tij.
Qytetari i thjeshtë, pas shumë viteve mundimesh dhe mospërfilljeje, ka mundësi dhe probalitet t’i thotë klasës politike se unë do të ngrihem kundër jush dhe do të fitojë mbi ju në emër të dinjitetit tim individual, familjar dhe kombëtar të nëpërkëmbur nga ju. Në Shqipëri mundësia është më e madhe që të shfaqet një ndjenjë poshtërimi negative, e cila do të nxis ndjenjën e hakmarrjes së qytetarëve të thjeshtë kundër klasës politike të papërgjegjshme.
Nëse qytetarët nuk do të arrijnë nivelin ekonomik dhe të jetesës me ato të klasës politike, atëherë të parët do të detyrojnë këto të fundit të kthehen në nivelin e tyre. Qytetarët do të bëjnë të pamundurën që t’u tregojnë politikave çdo të thotë të vuash dhe mos të kesh mundësitë minimale për të jetuar.
Të gjithë jemi dëshmitarë të ashtuquajturve revolucione që po zhvillohen në Tunizi, Algjeri, Egjipt, Libi, Jemen etj. Por, pak persona mund ta kuptojnë se këto revolucione po ndodhin për shkak të ndjenjës së lartë të poshtërimit që kanë pësuar qytetarët e këtyre vendeve nga udhëheqësit e tyre.
Për vite me radhe qytetarët e këtyre vendeve janë ndjerë të poshtëruar, të shtypur dhe shpërfillur nga udhëheqësit e tyre tiranë. Mjafton të marrin vetëm një shembull, për të kuptuar ndjenjën e poshtërimit të qytetarëve të Libisë. Udhëheqësi i tij tiran, Gadafi, sa herë që ka ardhur për vizitë zyrtare në Itali, ka ndërtuar tendën e tij të madhe, të cilën e ka mbushur me femra, duke e kthyer në harem. Ndërsa shumë qytetarë libianë, që kanë emigruar në Itali për shkaqe politike edhe ekonomike kishin vite me radhë pa u kthyer në vendin tyre.
Si mund të ndjeheshin libianë që kishin emigruar në Itali, tek sa shikonin rais-in e tyre, që bënte jetë prej sulltani në tendën e tij të ndërtuar në mesin e qytetit të Romës. Ato nuk mund të ndjeheshin ndryshe veçse të poshtëruar. Si mund të ndjehen qytetarët e thjeshtë shqiptarë tek sa përpiqen për të mbijetuar, kur shikojnë jetën përrallore dhe luksoze që bëjnë politikanët. Ato nuk do të ndjehet ndryshe veçse të poshtëruar dhe të nëpërkëmbur.
Shqipëria, po bën gabimin që kanë bërë vendet arabe të përmendura më sipër. Po liberalizon shumë sistemin e arsimit, ku shumë të rinj, me meritë apo pa meritë, po pajisen me diploma universitare dhe pasuniversitare. Në Shqipëri, vitet e fundit, është liberalizuar sistemi universitari jashtë çdo logjike, duke mos respektuar asnjë kriter perëndimor. Kjo po bën që shumë të rinj të diplomohen.
Po çfarë po ndodh në vend? Po ndodh që shumë diploma po jepen dhe asnjë vend punë apo strategji punësimi nga shteti nuk po ndërmerret. Kjo do të bëj që të rinjtë të kërkojnë të punësohen dhe punë nuk do të gjejnë. Kjo do të çojë në rritje ndjenjën e poshtërimit të këtyre të rinjve që do të ndjehen të shpërfillur nga klasa politike dhe për rrjedhojë do të grihen kundër të këtyre të fundit për të fituar nderin e merituar.
Rritja e poshtërimit që duket në horizontin e jetës shoqërore civile na bën të mendojmë se vendi ynë mund të përfshihet në konflikte sociale, ku qytetarët do të kërkojnë identitetit e mohuar dhe të shtypur dhe politikanët do të përpiqen të mbrojnë statusin e tyre të privilegjuar. Historia na ka treguar, se qytetarët e çdo vend qoftë demokratik, ose jo, ka fituar gjithmonë kundër politikanëve të papërgjegjshëm dhe shtypës. Le të jemi dëshmitarë të kohës se çfarë do të ndodh në të ardhmen e afërt në Shqipëri, nëse gjerat nuk ndryshojmë. Një gjë është e sigurt, qytetarët gjithmonë do të fitojnë.

e mërkurë, 9 mars 2011

Mario Albertini dhe kritika mbi konceptin e nacionit


Dott. Alban Daci

Albertini, me librin e tij të titulluar “Shteti nacional” botuar në vitin 1958-të, analizon bazat e idesë së nacionit duke hedhur poshtë si konceptin natyralist të bazuar mbi identifikimin e lidhjeve biologjike ose kulturore mes individëve, ashtu edhe konceptin vullnetar të Renanit. Përsa i përket konceptit të parë, autori pavez, merr para së gjithash në konsideratë ato teori që e përforcojnë nacionin tek koncepti i racës.
Siç është theksuar, këto teori «pseudoshkencore» ishin tashmë të përhapura dhe popullore para se nazizmi t’i vendoste në praktikë me një koherencë të jashtëzakonshme. Në shekullin e XX-të, antropologët i ndanin qeniet njerëzore në tre raca kryesore (mongolit, negrit dhe kaukaziane), të cilëve ju vishnin jo vetëm karakteristika të veçanta fizike, por edhe karaktere të caktuara morale dhe intelektuale. Natyrisht, kjo teori, që mbështeste superioritetin moral dhe intelektual të racës së bardhë (kaukaziane) mbi dy të tjerat, ndërtonte një legjitimitet ideologjik efikas të kolonializmit dhe imperializmi, dhe kjo shpjegon suksesin e tyre të madh. Edhe në Nëntëqindtën, pjesa më e madhe e koncepteve të nacionit bazoheshin në një far mase, tek ideja e racës. Për shembull Meinecke për të përcaktuar fenomenin nacional, privilegjonte në mënyrë të qartë elementin kulturor në respekt me atë biologjik.
Ai nuk heq dorë nga ideja, se nacioni për të qenë me të vërtetë i tillë, duhet të posedojë një nyje intime natyrale, të ndërtuar nga lidhja e gjakut. Studimet e antropologjike fizike në vitet e fundit kanë hedhur poshtë gjerësisht teoritë raciste, duke treguar sesi grupet racore përbëjnë më shumë një çështje të perceptimit social sesa një realitet biologjik. Në fakt, ndarja tradicionale e njerëzve në tre raca, bazohet mbi kritere morfologjike (ngjyra e lëkurës, forma e kokës, gjatësia, karakteristikat e flokëve, etj.) që, me një hetim të thellë, nuk duken në gjendje të përforcojnë asnjë konkluzion të njëkuptimshëm.
Para së gjithash, zgjedhja për tu veshur disa elementëve morfologjik një peshë të spikatur, në respekt me të tjerët, në klasifikimin e racave, rezulton arbitrar: sepse, për shembull, të privilegjosh ngjyrën e lëkurës në kurriz të gjatësisë trupore? Gjithashtu, karakteristikat fizike janë shumë të varijueshme për të mundësuar dhe për t’u siguruar cilësi individëve, në grupime të ndryshme raciale.
Raca «kaukaziane» për shembull, përfshinë skandinavët që e kanë ngjyrën e lëkurës mjaft të qartë (të bardhë), italianët që e kanë fytyrën ngjyrë ulliri (zeshkane) dhe indianët e Jugut që e kanë ngjyrën e lëkurës shumë të errët (që është shumë e ngjashme, në çdo lloj aspekti me afrikanët, të cilët rigrupohen tek raca ngroide).
Në çdo rast, asnjë kërkim serioz shkencorë nuk ka arritur kurrë të dimostroj hipotezën e lidhjes mes përkatësisë raciale dhe karakteristikave intelektuale dhe morale. Mario Albertini në vlerësimin e tij të koncepteve të nacionit të bazuar mbi racën, ka pasur parasysh kërkimet që ka bërë shkenca antropologjike.
Ai e ka kritikuar faktin, se konceptet e nacionit duhet të bazohen mbi racën. Ai e hedh poshtë teorinë raciale përmes tre argumenteve: 1. mbi bazën e studimeve shkencore ekzistuese, duket tashmë e dyshimtë që mund të identifikohen grupe racore që kanë kufij të mirëpërcaktuar; 2. gjithashtu shkencërisht është dimostruar që nuk ekzistojnë lidhje mes karaktereve fizike të qenieve njerëzore dhe karakteristikave të tyre psikologjike; 3. në fund në masën, ku është arritur të izolohen në linja të mëdha, grupet njerëzore me karakteristika të jashtme fizike të përbashkëta, është parë se këto grupe nuk koencidojnë në asnjë mënyrë me kombet moderne.
Albertini, nuk është më pak kritikë edhe përballë doktrinave që shikojnë tek nacioni një «organizëm të gjallë», pra një organizëm të vetëm, me pikërisht jetën e tij, të ndryshme nga ajo e individëve që e përbën atë. Sipas kësaj teorie, nacioni ndërton një lloj «personi kolektiv», të karakterizuar nga disa elementë specifik, si gjuha, feja, territori, kostumet, traditat, historia, që e dallon atë nga të gjitha nacionet e tjera. Kritikat e bëra nga Albertini mbi një koncept të tillë janë dy: kriteret e dallimit të propozuara për të identifikuar nacionet e veçanta, nuk përcaktojnë grupe njerëzore që koencidojnë me komunitetet e sotme nacionale; preteksti për t’i veshur sjellje një entiteti kolektiv si «organizëm i gjallë», sesa individëve të veçantë që e përbëjnë, nuk duket i mbështetshëm.
Përsa i përket kritikës së parë, Albertini vlerëson sesi nuk ekziston, në realitetin aktual, asnjë shtet nacional, ku zgjerimi mund të koençidoj në mënyrë perfekte me atë të grupeve njerëzore të përcaktuar nga posedimi i përbashkët i një gjuhe, i një feje, i një territori, të kostumeve të caktuara, të traditave dhe të një historie. Ai nënvizon, se gjuha nuk është një kriter i vlefshëm për të identifikuar grupet nacionale, nga momenti që ekzistojnë nacione që flasin shumë gjuhë (për shembull Zvicra, Kanadaja, Belgjika) dhe gjuhët e folura në shumë nacione (si spanjishtja dhe anglishtja). Gjithashtu, të njëjtat nacione që aktualisht janë monolinguistik (që kanë vetëm një gjuhë zyrtare) nuk kanë qenë të tillë në origjinë. Gjuha «nacionale» është përhapur ose më mirë është vendosur nga aksionet e pushtetit politik qendror përmes shkollave shtetërore, burokracisë dhe ushtrimit të dhunës.
Në Francë, para revolucionit, fliteshin, me përjashtim të frëngjishtes, të paktën tre gjuhë të tjera si: oçitanja, baskja dhe bretonja. Në Itali, në momentin e bashkimit nacional, italishtja ishte vetëm gjuhë e literaturës (kryesisht e letërsisë së shkruar), ndërsa njerëzit e zakonshëm flisnin dialekte shumë të ndryshme lokale.
Përsa i përket besimi fetarë, autori nënvizon se në Gjermani praktikohen shumë besime fetare. Gjithashtu, ai thekson se katolicizmi është i praktikuar në shumë nacione që janë krejtësisht të ndryshëm. Megjithatë, nuk duhet harruar, se edhe brenda një nacioni, jo të gjithë individët praktikojnë të njëjtin besim fetar. Bashkimi fetar shpesh është realizuar përmes frikës dhe masakrave të minoriteteve fetare (mjafton të kemi parasysh rastin e Francës).
Albertini, nga ana tjetër thekson se: territoret e shteteve që kanë arritur një lidhje nacionale nuk kanë konservuar asnjëherë të njëjtat dimensione gjatë kursit të historisë. Jo vetëm kaq, por variacionet e ndryshme që ato kanë pësuar në kohë, nuk kanë qenë të përcaktuara nga nevojat nacionale, por nga interesat dinastike të sovranëve dhe më në përgjithësi, nga ngjarjet politike dhe ushtarake të kohës. Për këtë arsye, as historia nuk ndërton një kriter të vlefshëm për identifikimin e nacionit dhe kjo vlen jo vetëm nëse i referohemi historisë së shteteve, por edhe nëse i referohemi historisë së kostumeve dhe traditave. Përbrenda nacioneve, kostumet dhe traditat nuk janë uniformë, sepse mund të verifikohen fare lehtë diferenca që i kundërvihen njëra-tjetrës.
Albertini, kritikon edhe një aspekt tjetër të teorisë së «organizmit të gjallë»: ideja se nacioni mund të jetë i konsideruar si një lloj «personi kolektiv», me karakteristika dhe sjellje të veçanta që dallohet me ato të individëve që e përbëjnë. Në realitet, nënvizon autori pavez, përdorimi i koncepteve që shpjegon subjektet kolektive janë shumë të përhapur, por korrespondon tek nevoja për të përdorur mjetet joperfekte për të shprehur njohuritë joperfekte.
Në fakt: nga një këndvështrim empirik, aksioni është gjithmonë individual, sepse ku ka një aksion është gjithmonë një individ që e kryen, kurrë një shumë me individ që reagon si i tillë në vend të çdo individi të veçantë. Megjithatë aksionet e çdo individi kryqëzohen në shumë mënyra (të rregulla ose jo) me aksionet e individëve të tjerë, dhe për pasojë shpesh gjendet përballë fakteve të ndërtuara nga raporte të tilla, fakte që mund të jenë të vështira për t’u njohur me precizon ose pothuajse të pamundur për t’u njohur pa posedimin e nocioneve të specializuara. Në këto raste nuk është e thjeshtë (ose nuk është e mundur) të zgjidhet «subjekti kolektiv», që qëndron për shumë individë të implikuar, tek këta individë: nuk është e thjeshtë (ose nuk është e mundur) të zgjidhet «aksioni kolektiv» me subjekte të tilla në aksionet e veçanta të individëve të veçantë.
Ta konsiderosh nacionin si subjekt, na shpie tek ideja e racës, e cila na jep një shembull shumë të thjeshtë të një grupi të ndërtuar me individë që kanë karaktere të përbashkëta. Natyrisht, thekson Albertini, se shpjegimi i nacionit përmes teorisë së racës është shumë i përhapur, sepse korrespondon tek zakoni njerëzor i konsoliduar për ta shpjeguar realitetin përmes përdorimit të formulave pseudoracionale.
Duke marrë në konsideratë nacionin nga këndvështrimi i aksionit që ai kryen, përderisa subjekt kolektiv, arrihet tek ideja e «organizimit të gjallë». Kjo ide nuk ka asnjë kuptim dhe na sjell të njëjtin rezultat, atë për t’i veshur disa fakte njerëzore me subjekte inekzistuese, përreth të cilëve zhvillohen konsideratat fantastike. Megjithatë, është e kuptueshme që njerëzit ndonjëherë, përdorin ide të tilla. Ata dinë, për shembull, se «nacioni gjerman» përfitoj koshencën e tij gjatë periudhës së napolonit por, duke mos qenë në gjendje të ndërtonte lëvizjet dhe karakteristikat e aksioneve individuale të implikuara në këtë ngjarje historike, ishte i detyruar të përdorte idenë e «organizimit të gjallë».
Të lidhur në mënyrë të ngushtë me doktrinën e «organizmit të gjallë» janë dy koncepte, që Albertini kritikon në mënyrë të ashpër: teoria e «karakterit nacional» dhe «histografia nacionale». Sipas mbështetësve të teorisë së «karakterit nacional», ekzistojnë karakteristika psikologjike që ju referohen jo individëve si të tillë, por përderisa ata janë anëtarë të një nacioni. Kështu, për shembull, mbështesin faktin se Gjermanët janë autoritar, Francezët mendjelehtë e kështu me radhë.
Kjo teori është absolutisht pa baza shkencore dhe mbi të gjitha raciste dhe është kritikuar nga Kohn.Edhe Shafer rihedh në mënyrë të vendosur idenë, se ekzistojnë karaktere nacionale, edhe pse, vëzhgon se të gjitha tentativat e bëra nga kërkimi historik për të gjetur karaktere të tilla kanë falimentuar. Në realitet, karakteret e shpirtit dhe të koshencën janë pjesë e individëve dhe kurrë të një entiteti kolektiv.
Duke studiuar kritikat e Kohn-it dhe Shafer-it, Albertini hedh poshtë teorinë e «karakterit nacional». Ai vëzhgon, se nuk është e mundur në asnjë lloj mënyre të gjendet një kompleks me karakteristika psikologjike që i përkasin një nacioni. Albertini pranon: është e mundur në një nacion se gjatë një moment të caktuar historik, të mbizotëroj një far qëndrimi, por ai shkon më tej duke thënë se ne nuk mund ta shpjegojmë një përshtypje të tillë, thjeshtë duke përdorur «karakterin nacional», sepse jemi përballë një problemi historik më kompleks dhe duhet të kërkojmë të gjithë faktorët, të cilët në atë situatë specifike, e kanë bërë të mbizotërojnë sjellje të caktuara përbrenda një grupi nacional.
Për shembull, është padyshim e vërtetë se në Gjermani, në vitet Tridhjetë, ka mbizotëruar qëndrimi autoritar. Por, për ta shpjeguar sesi ka ndodhur nuk është e mjaftueshme të themi, se kjo bën pjese tek karakteri i përgjithshëm autoritar i gjermanëve. Albertini konkludon, se për të shpjeguar ngjarjet e Gjermanisë naziste, duhet të kemi parasysh kryqëzimin e faktorëve politik (të brendshëm dhe të jashtëm), ekonomik dhe social që kanë favorizuar në atë moment historik marrjen e pushtetit nga individ më karakteristika autoritare (Autoritarë, sepse ashtu ishte formimi i ideve dhe bindjeve të tyre, por jo pse ishin gjerman).
Një koncept tjetër i kritikuar nga Albertini është i ashtuquajturi «histografia nacionale», pra tendenca e përbashkët e shumë historianëve, për t’i konsideruar ngjarjet e të kaluarës, të zhvilluara në territorin e brendshëm të një nacioni, si të referueshëm tek nacioni. Sipas këtyre historianëve, fakti se në ngjarjet e të së kaluarës është e pamundur të krahasohet ekzistenca e një sentimenti nacional, kështu si të atyre lidhjeve dhe atyre qëndrimeve që janë tipike të nacioneve moderne.
Megjithatë, nuk duhet të kemi parasysh se në shekujt e kaluar nacionet nuk ekzistonin. Në realitet, nacionet gjithmonë kanë ekzistuar edhe pse shpesh vetëm në formë të pavetëdijshme. Pra, me lidhje natyrore që nuk janë të përvetësuara nga koshenca e individëve (Kjo është teza e mbështetur edhe nga Meinecke, përsa i përket nacionit kulturor tek shteti «vegjetativ»).
Historiani zviceran, Werner Kaegi, ka vënë në dukje sesi nacionet nuk përbën një të dhënë të jashtme të historisë njerëzore, por janë rezultat i një procesi të gjatë historik, gjatë të cilit ka luajtur një rol të rëndësishëm, vullneti ekspansionues i sovranit në periudhën moderne. Sovranët kanë bashkuar me forcën e armëve, popuj dhe territore të karakterizuar në të kaluarën nga ligje, tradita, kostume, gjuhë të ndryshme, duke ju imponuar atyre gradualisht një unitet të rremë politik, gjuhësor dhe kulturor. Prandaj, nacionet e sotme nuk mund të mbështesin asnjë pretekst të ekzistencës natyrale dhe pluri-shekullore. Për Kaegi, tentativa për të projektuar ekzistencën e nacioneve mbi historinë e kaluar, duke interpretuar të gjithë ngjarjet në dritën e këtij elementi, është një zgjedhje e spiruar nga ngulmimi ideologjik.
Albertini që ndanë plotësisht tezat e Kaegit, ndalohet në mënyrë të veçantë mbi karakterin ideologjik, funksional, tek interesat politike të shteteve të ndryshme nacional, tek «histografia nacionale». Me këtë qëllim, ai citon si shembull ankimimin e mirënjohur mes historianëve francez dhe gjerman, i shpërthyer pas aneksionit të Gjermanisë, pas luftës të 1870/71, të Aslancës dhe Lorenës, që në të kaluarën i përkisnin Francës. Gjatë diskutimit, ku marrin pjesë historian si: Fustel de Coulanges, Mommsen, Renan e Treitschke, Francezët mbështesin teorinë «zgjedhëse» ose «vullnetare», sipas së cilës nacioni është i ndërtuar nga ata që zgjedhin të bëjnë pjesë (Renan dhe autorë të tjerë Francez e dinin, se me plebishit, pjesa më e madhe e banuesve të dy rajoneve do të votonin për t’u rikthyer tek Franca).
Ndërsa, gjermanët mbështesnin teorinë «natyrale», pra të drejtën e një nacioni për të shtrirë pikërisht autoritetin politik mbi të ata që për arsye etnike e kulturore, bëjnë pjesë tek ajo (banorët e dy rajoneve ishin me gjuhë dhe me etni gjermane). Natyrisht komenton Albertini, të dyja palët propozojnë në mënyrë koshente ose jo, të legjitimojnë pikërisht pretekstet e shtetit dhe, për të arritur këtë qëllim, bëjnë ndonjë aspekt ideal të historisë së tyre akoma të pranishme në shpirtin e popullatave të territoreve të përbashkëta: ndjenjën e përkatësisë tek nacioni francez ose pranimin e kostumeve dhe traditave tipike të nacionit gjerman. Në mënyrë të tillë afirmohen dy teori të ndryshme të nacionalitetit: ajo gjermane, «natyrale», që përfundon për të përfunduar tek «organizmi i gjallë»; ajo francez, «zgjedhëse», e bazuar mbi formulën jo më pak fantastike të «plebishitit të përditshëm».
Tek sytë e Albertinit, teoria vullnetare e Renanit, bazuar pikërisht mbi idenë e «plebishitit të përditshëm», nuk duket më pak e rreme sesa koncepti natyralist. Para së gjithash, të mbështesësh faktin se baza e nacionit ndërtohet nga vullneti i individëve për jetuar së bashku, mund të duket një formulë brilante, por nuk zgjidh problemin se çfarë është, efektivisht, një nacion.
Në fakt, për të dalluar nacionin nga të gjithë grupet e tjera njerëzore që bazohen mbi vullnetin e lirë të bashkuesve, do të duhej të specifikohej në ç’mënyrë duhet të jetohet bashkërisht dhe si kjo mënyrë e të jetuarit së bashku diferencohet nga llojet e tjera të asociacioneve mes individëve? Për një pyetje të ngjashme, thekson Albertini, teoria e Renanit nuk është në gjendje të na jap asnjë përgjigje. Vullneti, në kuptimin më të thellë të terminit, implikon mundësinë për të zgjedhur lirisht, në bazë të një vlerësimi të plotë autonom të alternative ekzistuese.
Teoria vullnetare e Renanit, duke e bërë nacionin shprehje të vullnetit të anëtarëve të grupit nacional, përfundon për të konfiguruar fushën e eksperiencave nacionale si fushë të zgjedhjeve të lira të individëve. Në këtë mënyrë, ajo përjashton mundësinë për të sjellë rreth fakteve të nacionit, të gjithë ato aksione që individët bëjnë, përderisa janë anëtarë të nacionit, por që përfaqësojnë gjithçka tjetër sesa frytin e zgjedhjeve të tyre të lira.
Në të kundërt, koncepti i besnikërisë konsiston për të vlerësuar fenomenin nacional në të gjithë aspektet e tij, përfshirë ato që nuk janë kryer nga vullneti i të posaçmit.
Në bazë të këtij vlerësimi, Albertini arrin ta përcaktoj nacionin si një grup të ndërtuar nga individë, ku sjellja është nacionale dhe gjen tek «besnikëria» e nacionit, karakterin specifik që lidh një sjellje të tillë.
Megjithatë, mbetet për të sqaruar mekanizmin që ka përcaktuar lindjen e kësaj përshtypje të besnikërisë që lejon riprodhim konstant në koshencën e njerëzve. Me qëllimin për të arritur një sqarim të tillë, studiuesi pavez ndalet pak, mbi epokën në të cilën, sipas gjykimit të tij, ideja e nacionit ka filluar të konfirmohet. Duke konsistuar me Kohn dhe me orientimet sunduese në histografinë mbi nacionin, ai mendon se lindja e ideologjisë nacionale mund të jetë e lidhur më ngjarjet e fundit të Shtatëqindtës, në veçanti tek revolucioni i dyfishtë, industrial dhe politik, që karakterizoj atë periudhë historike.
Në fakt, para një periudhe të tillë historike nuk është e mundur të krahasohet përhapja e sjelljeve nacionale. Në Mesjetë lidhjet e tipit nacional janë të papërfytyrueshëm, meqë caqet konkrete të jetës së individëve ishin shumë më të limituara sesa të atyre që karakterizojnë nacionet e sotme. Njeriu i thjeshtë mesjetar e kalonte pikërisht ekzistencën tij në komunitete shumë të vogla, brenda të cilëve zhvilloheshin të gjitha aktivitetet ekonomike dhe politike që e përfshijnë edhe atë.
Këto mikrokozma nuk komunikonin mes tyre dhe, për pasojë, çdo komunitet lokal kishte kostume, gjuhë dhe tradita kulturore të ndryshme nga të tjerët. Nga ana tjetër, i vetmi dimension i jetës që krijon lidhje më të gjera sesa ato lokale, rajoni, identifikon një komunitet më të gjerë sesa ai i nacioneve, «res republica christiana». Me fjalë të tjera, sipas gjykimit të Albertinit, në Mesjetë mungonte akoma, ajo ndërvarësia socio-ekonomike, kulturore dhe politike që, duke lidhur mes tyre komunitete të ndryshme lokale, përcaktonte formimin e identitetit kolektiv mbi shkallën nacionale.
Megjithatë, duke u nisur pikërisht nga «Mesjeta e vonshme», fillojnë të krijohen kushtet ekonomike dhe politike të bashkimit nacional. Mbi planin ekonomik, lindja dhe përhapja e ekonomisë së tregut caktoi formimin e një klase të re borgjeze, sepse kultura dhe interesat e saja kaluan caqet e jetës lokale.
Tregjet e reja filluan të merrnin formë dhe të funksiononin mbi bazën e ligjeve ekonomike dhe të operonin mbi hapësira shumë më të gjëra sesa ato tipike të jetës ekonomike që kishin karakterizuar fillimin dhe pjesën më të madhe të periudhës Mesjetare. Ato, arritën të vendosnin në kontakt popullata që më parë kishin qenë të izoluara, duke promovuar kështu një proces të homogjenizimit kulturor dhe të bashkimit të kostumeve.
Nga ana tjetër, këto tregje, që shpesh herë operonin në territore që ishin subjekt i autoriteteve të ndryshme politike, filluan të kuptonin se për të realizuar aktivitetin e tyre ekonomike me efikasitet, duhet të realizonin edhe një bashkimit politik të këtyre territoreve. Mbi baza të ngjashme, në këto shtresa shoqërore të sapo krijuara, formohet një embrion i ndjenjës nacionale. Në disa vende, si Italia, kërkesat e klasës tregtare kishin dështuar nga këmbëngulja e veçantë shtetërore, ndërsa tek të tjerët, si Anglia dhe Franca, ato takoheshin me interesat ekspansioniste të monarkive.
Është ky, mbështet Albertini, faktori më i rëndësishëm i bashkimit nacional: vullneti politik i qeveritarëve. Në realitet, thekson autori, shtetet nacionale evropiane nuk kanë pasur gjithmonë dimensionet aktuale. Ato janë rezultat i një vepre ekspansioni që nis nga një bërthamë origjinale shumë më e limituar, i realizuar me ndihmën e forcës ushtarake. Ky proces ekspansioni ka ndodhur në periudhën që përfshin «Mesjetën e vonshme» deri në ditët e sotme. Ngjarjet e formimit të shteteve nacionale nuk kanë qenë caktuar, siç pretendon histografia, nga lindja e koshencës nacionale tek popullatat, por nga faktorët politik, diplomatik dhe ushtarak.
Procesi i bashkimit politik të territoreve të ndara më parë ka sjellë - shpjegon Albertini- edhe bashkimin në planin kulturor. Nja rast tipik, është ai i gjuhës. Sot, ne jemi mësuar të konsiderojmë natyral karakterin monolinguistik të shteteve tona nacionale, pra faktin, se në një nacion të gjithë flasin të njëjtën gjuhë. Në origjinë, të territoreve aktuale të shteteve tona nacionale fliteshin gjuhë të ndryshme. Me kalimin e kohës, pak e nga pak mbivendoset gjuha nacionale mbi gjuhët lokale të komuniteteve, derisa ajo më vonë i zëvendëson plotësisht. Në fillim, ky proces ndodh në mënyrë spontane, pa pasur një projekt apo një qëllim të mirëfilltë politik për ta realizuar. Sovranët më kalimin e kohës fillojnë të formulojnë komandat e tyre në një gjuhë të vetme, dhe për këtë arsye nënshtetasit fillojnë ta mësojnë për ta përdorur.
Në vazhdim, qeveritarët bëjnë sforcime edukuese për të realizuar bashkimin gjuhësor të territoreve. Një bashkim i tillë përfaqëson një nevojë jo vetëm politike, por edhe sociale, gjithmonë i paralajmëruar, nga momenti që rritja e ndërvarësisë ekonomike e lidhur edhe me zhvillimin e tregtisë vënë në kontakte popullsitë që më parë ndodheshin në distanca të mëdha, nxiste adoptimin e instrumenteve të komunikimit të përbashkët.
Procesi i formimit të nacionit, në aspektet e tija politike si dhe në ato ekonomike, arrin tek një kthesë përcaktuese, në gjykimin e Albertinit, në fund të Shtatëqindtës. Duke u nisur nga kjo periudhë, në fakt, me revolucionin industrial, sjelljet ekonomike marrin me shpejtësi një dimension korrispondues me atë të nacioneve aktual. Nevoja për të rregulluar jetën ekonomike shpejton formimin e një autoriteti politik, i cili është mbi hapësirat e dimensionit të shtetit «nacional».
Mbi planin politik, merr një rëndësi parësore, kalimi epokal i ndërtuar nga Revolucioni Francez. Në Francën e Shtatëqindtës ishte në akt evolucioni nga monarkia me të drejtën hyjnore tek shteti modern burokratik dhe i përqendruar, i bazuar mbi aktivitetin e «burokratëve», funksionarëve shtetëror, ku sjellja ishte potencialisht nacionale. Hyrja e një evolucioni të tillë qëndron në procesin shekullor, me të cilin monarkia me të drejtë hyjnore ka shtrirë autoritetin e saj politik nga unitetet e vogla feudale tek dimensionet aktuale të shtetit francez.
Revolucioni Francez përbën një etapë themelore në caqet e këtij procesi. Ngjarjet e brendshme të Francës revolucionare më parë, luftërat e napolonit pastaj, në fakt, përcaktojnë për herë të parë në histori, përfshirjen në jetën politike të gjithë popullsisë së një shteti të madh. Vihet re atëherë, për klasën drejtuese franceze, problemi për të orientuar këtë pjesëmarrje aktive të masave në formë korrisponduese pikërisht me nevojat e pushtetit. Ka të bëj me fjalë të tjera, për të shpejtuar pjesëmarrjen e shtresave popullore përreth zgjedhjeve të politikës së brendshme dhe, mbi të gjitha, për të promovuar, pjesëmarrjen entuziaste të këtyre shtresave në luftërat e bëra kundër armiqve të jashtëm. Në kontekst të tillë, shpjegon Albertini, shefat revolucionar francez gjejnë tek ideja nacionale një instrument ideologjik themelor.
Ajo, në fakt, krijon një psikologji të thellë mes njerëzve, që ndjehen pjesë të një organizmi të madh të vetëm, ku jeta kapërcen jetët e individëve që e ndërtojnë atë. Ky organizëm, nacioni, posedon vlera, aspirime, nevoja dhe interesa, që u përket qeveritarëve t’i interpretojnë dhe t’i vlerësojnë si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ndërsa qytetarëve duhet të binden, të luftojnë si dhe të sakrifikojnë pikërisht jetën, nëse nevojat vitale të «atdheut» e kërkojnë.
Efikasiteti i ideologjisë së nacionit shpjegon, përse gjatë Revolucionit Francez ndryshoj përshtypja e shefave revolucionar. Kështu, ndërsa Asambleja Nacionale në 1789 themelon pikërisht aksionin e «largimit të provincave franceze» dhe miraton ligje dhe dekrete në të gjitha gjuhët e folura në vend, vetëm pak vite më vonë, tek Konventa ndryshon plotësisht strategjinë, duke vendosur t’i miratoj ligjet dhe dekretet vetëm në frëngjisht dhe vendos një mësues të gjuhës francez në çdo qark, ku ajo nuk flitej.
Tek përhapja e gjuhës franceze, ashtu si me edukimin primar, vihet në mënyrë të qartë objektivi për të promovuar objektivin nacional. Revolucioni Francez, komenton Albertini, edhe nëse nuk arrin menjëherë objektivat e tij të nacionalizmit të vendit, shënon linjat e atij programi që shteti i përqendruar do të zhvillonte në të ardhmen me kalimin përfundimtar të diferencave gjuhësore dhe kulturore, duke përvijuar modelin e bashkimit nacional.
Nëse, në epokën e monarkisë absolute, procesi i bashkimit nacional kishte një karakter ekskluzivisht politiko-ushtarak, me Revolucionin Francez shtohet edhe elementi ideologjik. Në momentin që ju kërkohet qytetarëve të vrasin ose të vdesin në një konflikt, siç ndodhi në luftërat e napolonit, nuk mund të kalohet nga pjesëmarrje e tyre sentimentale tek «shkaku» i nacionit. Ideologjia nacionale duhet pikërisht për të promovuar këtë lidhje sentimentale.
Ajo transfiguron realitetin e nacionit, që është thjeshtë rezultati i një procesi të përcaktuar historik dhe për të përcaktuar zgjedhjet politike, në një fakt natyror, të përhershëm, lidhur me ekzistencën e lidhjeve natyrale dhe të nevojshme si: biologjike ashtu e kulturore, mes individëve që e ndërtojnë. Në këtë mënyrë, kjo ideologji kërkon të përhap bindjen, se nacioni përbën një entitet organik, një qenie kolektive superiore kundrejt çdo grupi tjetër social, tek i cili të gjithë duhet të ndjehen të nënvarur, dhe gjithçka duhet të sakrifikohet për të.
Albertini, kur flet për nacionin si ideologji të shtetit nacional, nuk kupton vetëm referimin në faktin se qeveritarët përdorin në mënyrë të qëllimshme idenë nacionale si instrument të propagandës dhe të integrimit politik. Albertini, insiston në mënyrë të veçantë mbi faktin, se nacioni përbën një ideologji në kuptimin marxist (marksist) të «koshencës false», pra të automistifikacionit që përfshin si qeveritarët ashtu edhe të qeverisurit.
Automistifikacioni ideologjik, për shembull i bind francezët të besojnë se janë francez për nga natyra, pra në bazë të lidhjeve biologjike dhe kulturore spontane. Por, këto lidhje natyrore nuk ekzistojnë: është fuqia politike, përbrenda pikërisht territorit, që uniformizon kostumet, traditat dhe gjuhët, duke i bashkuar kështu grupet njerëzore - që më parë ishin të ndara- në një komunitet tendencialisht të bashkuar përsa i përket planit kulturor.
Është ky konkluzioni që arrin Albertini në reflektimin e tij mbi nacionin, refleksion për të cilin ai ju referohet kontributeve që kanë dhënë studiuesit e njohur. Rindërtimi historik i procesit të formimit të nacioneve hartohet nga federalisti pavez mbi bazën e analizave histografike të Shafer-it dhe Kaegit, të cilët vendosin pikërisht në dukje origjinën politike të komuniteteve të sotme nacionale. Albertini shkon megjithatë, përtej konkluzioneve të këtyre autorëve, duke e bërë nacionin një reflektim ideologjik të shtetit nacional. Është kjo, në fakt, një raport origjinal i teorisë së nacionit që federalisti pavez harton, duke thelluar dhe zhvilluar disa parandjenja që ishin të pranishëm tek Meinecke dhe Weber, dy nga studiuesit që kanë influencuar më shumë mbi formimin e tij intelektual.
Procesi historik i formimit të shteteve nacionale ve në dukje, sipas gjykimit të Albertinit, dallimin mes «nacionalitetit spontan» dhe «nacionalitetit të organizuar», dallim që autori pavez e rimerr nga Proudhon. «Nacionaliteti spontan», që zakonisht e përcakton etnia, përbën një ndjenjë që i përket një grupi me specialitete historike dhe kulturore.
Ka të bëj me një ndjenjë spontane, sepse, në ndryshim me sjelljen që karakterizon «nacionalitetin modern të organizuar», nuk është e realizuar në mënyrë artificiale nga aksioni i pushtetit politik, por është prodhim i natyrshëm i historisë së një kolektiviteti. Procesi i afirmimit të shtetit nacional, argumenton Albertini, ka sjellë shkatërrimin e nacionaliteteve spontane.
Në fakt, përbrenda çdo shteti, aksioni i pushtetit politik ka krijuar një model uniform kulturor përmes vënies të një «nacionaliteti spontan homogjen» mbi gjithë të tjerët. Për shembull: aksioni i pushtetit politik francez ka krijuar «nacionalitetin e organizuar francez» duke shtrirë me forcë, karakteret etnik-kulturor pikërisht të popullsisë së zonës rreth Parisit në gjithë territorin francez. Ky karakter dalë nga dalë fshiu nacionalitetet spontane si: breton, baskë, oçitan, etj.
Dallimi mes «nacionalitetit spontan» dhe «nacionalitetit të organizuar» e shtyn Albertinin të ndajë çështjen e nacionit, të kuptuar jo në kuptimin e sotëm sundues, pro si grup etnik me karakteristika kulturor spontane, nga ajo e shtetit. Nacioni në kuptimin etnik nuk duhet domosdoshmërish të ketë shprehjen shtetërore.
Ai kapërcen, pra, idenë e koincidencës së domosdoshme mes nacionit kulturor dhe nacionit territorial, që kemi parë për shembull të dal tek Meinecke. Në realitet, nacioni-kultura, i kuptuar si homogjenitet nacional i shtetit ose nevojë për çdo etni që të ndërtohet në shtet të ndarë, përfaqëson një mit shkatërrues. E rëndësishme, thekson autori nuk është që çdo grup etnik të ketë shtetit e tij, por që përbrenda çdo shteti, etnitë e ndryshme mund të gëzojnë të drejtat e barabarta dhe që çdo të minoritet të jetë i respektuar.