e mërkurë, 24 gusht 2011

Fundi i botës bipolare dhe Europa Bashkuar


Dott. mag Alban Daci

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë mbaroi edhe bipolarismi thuajse 50 vjecare, i cili e kishte ndarë botën në dy blloqe të mëdha influence, Perëndimore të udhëhequr nga SHBA dhe Lindore të përfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik. Ngjarjet ndodhën aq shpejt, sa udhëheqësit e Europës Perëndimore u gjetën në befasi, por të vendosur për të vazhduar më vendosmëri ëndrrën europiane si një alternativë të tretë në rendin e ri pas bipolar.

Në Këshillin e Europës të mbledhur në Madrid (26-27 qershor 1989) Delors prezanton raportin mbi bashkimin ekonomik dhe monetar. Plani i Delors zhvillohet sipas tre fazave: koordinim i forcuar i politikave ekonomike e monetare dhe integrimi i tregjeve financiare; transaksionet drejt institucioneve të reja; vendosja e barazisë dhe transferimi i kompetencave të përbashkëta në institucionet komunitare. Në Madrid vendoset që faza e parë e bashkimit ekonomik të fillonte me datë 1 korrik 1990. Një Konferencë ndërqeveritare do të vendoste për etapat e mëvonshme. Plani i Delors do të ri dimensionohej në ambiciet e tij dhe do të shtyhej në kohë, siç kishte ndodhur me planin Werner. SMS-ja përfaqësonte për Gjermaninë një zgjidhje më komode të monedhës së përbashkët, sepse i lejonte të mbante autonominë e plotë të politikave monetare. Për vendet si Italia e Franca rregullat e SME-së nuk përjashtonin aftësinë, të cilën e kanë përdorur disa herë, atë të rregullimeve periodike të barazive. Ndërsa kundërshtimi anglez për monedhën e përbashkët ka ardhur nga fakti se nuk donin të hiqnin dorë nga sovraniteti i tyre. Nxitjet për të ndërmarrë hapa gjigant dhe të rëndësishëm për ecurinë e integrimit europian erdhën përsëri nga jashtë. Rënia e Murit të Berlinit në 1989, perëndimi i hegjemonisë së Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishin faktor të rëndësishëm që rritën besimin tek vendet europiane për të vazhduar rrugën e tyre të përbashkët drejt edhe një bashkimi monetar.
Presionet popullore, të cilat u bënë gjithnjë e më të pranishme dhe të fuqishme duke nisur nga ato polake dhe hungareze, provokuan rënien e regjimeve komuniste. Këto të fundit përfaqësonin një dobësi strukturore. Zhvillimi i madh e i fuqishëm i telekomunikacionit i bënë globale krizat dhe revoltat, nga Kina tek Europa Lindore. Revolucioni paqësor, në fund fitoi edhe për shkak të zemërgjerësisë të Gorbaçovit, i cili ishte i vendosur për të mos përdorur forcën për të zgjidhur krizën e thellë ekonomike dhe politike që po përjetonte vendi i tij. Gorbaçov u përpoq të shpëtojë të shpëtuarin, duke hequr dorë nga përdorimi i forcës ushtarake. Ai gjithashtu le të themi se hoqi dorë nga dëshira e një revolucioni komunist në nivel ndërkombëtar dhe mbështeti idenë e një bashkëpunimi bipolar pse jo dhe mundësinë e një aleance me Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me sfidat e reja që po përjetonte bota. Gorbaçov vazhdoi idenë e rikonstruktimit demokratik të komunizmit, i cili do të vazhdonte të drejtohej nga një parti e vetme, por me kushtin se kjo duhet të ishte koherente dhe ndriçuar. Ka një koincidencë mjaft të rëndësishme, sepse pothuajse në të njëjtën kohë, kur fillon Presidenca e Dolors në Komision, fillon edhe mandati i Gorbaçov si Sekretar i Përgjithshëm. Bashkimi Sovjetik u zhduk katër ditë para se të firmosej Traktati i Maastricht. Kjo lloj koincidence bën të reflektosh edhe mbi ecurinë e rëndësishme të procesit të integrimit europian të Europës Perëndimore si dhe të ngjalljes të shpresës se edhe Europa Lindore mund të bashkohej me atë perëndimore në një familje të përbashkët, por këtë here demokratike dhe jo të detyruar shtypëse e totalitare.
Edhe pse transformimet e para për aspirata demokratike siç thamë nisin në Poloni dhe Hungari, rënia e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989, bëri të mundur zhdukjen e kufijve të brendshëm të Gjermanisë, e cila tashmë jo vetëm u bashkua duke realizuar ëndrrën e një gjysmë shekulli, por do të bashkohej në një diçka më ta madhe se sa edhe vetë bashkimi i saj, në familjen e madhe europiane. Edhe pse viti 1989 nuk mund të krahasohet për nga rëndësia me atë 1945, ai përfaqëson një ëndërr të madhe dhe të hershme të kontinentit europian, atë të bashkimit, sepse konferenca e Jaltës fatkeqësisht e kishte ndarë si fizikisht, ekonomikisht ashtu edhe politikisht.
Bashkimi i Gjermanisë lindi kryesisht edhe nga kontributi mjaft i rëndësishëm që kishte dhënë Adenauer që 40 vjet më parë në zemrën e Europës Perëndimore duke hedhë bazat e bashkimit të kontinentit. Megjithatë, edhe pse në pamje të parë fuqitë e tjera europiane si Franca, Anglia dhe Italia ishin dakord për faktin se Bashkimi Sovjetik po binte dhe se Europa Lindore kishte mundësi të bëhej pjesë e asaj Perëndimore, ato nuk ishin shumë të qetë për faktin se shumë shpejt dhe në formë të pakontrolluar po ndryshonin ekuilibrat në Europë dhe Botë. Mbi të gjitha, si Anglia dhe Franca ishin të shqetësuar me faktin se Gjermani po bashkohej. Si për Anglinë ashtu edhe për Francën do të ndryshonin ekuilibrat e forcës në Europë. Në kontinent, Franca nuk do të vazhdonte të ishte më fuqia e parë, duke pasur parasysh edhe simbolin që kishte marr pas mbarimit të luftës. Gjithashtu, Anglia, kishte frikën e vjetër se nuk do të ishte më një fuqi e rëndësishme detare në ujërat përreth kontinentit. Në Itali, Andreoti ishte dyshues për tranzicionin që po përfshinte të gjithë ekuilibrat ekzistues, mbi të gjitha në ato zona që nuk ishin nën kontrollin e plotë të Paktit Atlantik dhe të Planit europian. Mes partnerëve europian, vetëm Kryeministri i Spanjës, Gonzalés, ishte dakord pas asnjë dyshimi për bashkimin e Gjermanisë.
Kancelari Kohl, edhe pse në arenën ndërkombëtar nuk ishte shumë i mirëpritur për të realizuar ëndrrën e bashkimit të Gjermanisë si edhe për faktin se edhe brenda vendit të tij kishte shumë skeptik për një hap të tillë historik, ai nuk u tremb, por vazhdoi i sigurt rrugën e tij drejt objektivit final. Në takimin e Krerëve të Komunitetit dhe të ministrave të jashtëm të realizuar më 18 nëntor në Paris, Thatcher i kujton Kancelarit gjerman se deklaratat e përsëritura të fuqive perëndimore në favor të bashkimit të Gjermanisë kishin ndodhur duke u nisur nga ideja se ai nuk do të ndodhte kurrë. Ky takim i Kohl me Thatcher e bind më fort se kurrë se bashkimi i Gjermanisë duhet të ndodh dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, para se të ndodhte ndonjë ndryshim i radhës në ekuilibrat e fuqisë në Europë. Ai takohet me Andreotin, të cilit më në fund arrin t’i shuaj dyshimet dhe ta bëj që të jetë në favor të bashkimit Gjermanisë. Andreoti sapo kthehet nga takimi i Parisit, në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave shpreh dëshirën e tij për të realizuar bashkimin e Gjermanisë, i cili duhet të ndodhte për faktin se Italia e Gjermania kishin pasur lidhje të hershme historike si dhe për faktin se të dyja vendet kishin të njëjtin qëllimin, forcimin e procesit të integrimit të Kontinentit.
Më 28 nëntor të 1989, tre javë pas rënies së Murit të Berlinit, Kancelari gjerman lançon një plan për një konfederatë mes dy Gjermanive, brenda një shtëpie të përbashkët europiane, e cila do të respektonte të drejtat e njeriut dhe do të bazohej mbi principin e vetëvendosjes. Shpejtësia me të cilën po rridhnin ngjarjet e gjetën Mitterrand të papërgatitur më shumë për lindjen e “Gjermanisë së madhe” se sa me faktin se Bashkimi Sovjetik po binte. Mitterrand ashtu si De Gaulle në vitin 1944, merr rrugët e Lindjes për të ndalur bashkimin e Gjermanisë. Ai në dhjetor takon në Kiev Gorbaçovin, dhe me datë 20 po të njëjtit muaj shkon për vizitë në Gjermaninë Lindore. Gjithashtu, vite më vonë do të deklaronte Thatcher se në atë periudhë kishte pasur tre takime sekrete me Presidentin francez, të cilat kishin pasur për qëllim të ndalonin aspiratat e Kohl për të bërë bashkimin e Gjermanisë. NATO mblidhet në Bruksel në dhjetor të 1989. Bushi në këtë takim flet për një atlantizëm të ri. Ndërsa Kohl refuzon të marr impenjime për njohjen e kufijve dhe të heq dorë nga arma atomike e Gjermanisë së bashkuar. Ai nuk flet për bashkimin e dy Gjermanive në nocionin e dy shteteve, por për bashkimin e një populli. Në këto momente Thatcher i ulërin Kohl-i në fytyrë duke i thënë: doni armën nukleare për të rimarr pozicionin dhe territoret e humbura!
Njeriu i momentit i Europës ashtu siç kishte qenë shumë vite më parë Monnet, ishte Delors, i cili kishte një mbështetje të rëndësishme të Italisë në lidhje me bashkimin e Gjermanisë brenda një Europe të bashkuar. Koincidenca e prezantimit të raportit të Delors me atë të rënies të Bashkimit Sovjetik është thjeshtë rastësore, por mundësia e një projektit të madh europian për të kaluar me sukses këtë fazë transitore ishte diçka më shumë e nevojshme se sa rastësore.
Kalimi nga bashkimi i Gjermanisë në atë europian do të ndodhte vetëm nëse do të realizohej një rikonstrukturim i ndërtimit komunitar, i cili nuk duhet të ishte vetëm ekonomik, por step by step edhe politik. Këto ishin ambiciet e Gjermanisë e Italisë, të cilat gjithmonë që nga lufta kishin shprehur si zgjidhje më të mirë për kontinentin, bashkimin e tij si ekonomik ashtu edhe politik.
Mitterrand si njeri me eksperience të fortë europiane e kupton shumë shpejt bashkimin e Gjermanisë si mundësi për të forcuar më tej mundësinë reale të bashkimit politik të kontinentit. Ndërsa e palëkundur kundrejt këtij fakti duket se qëndronte Thatcher, e cila kishte frikë se mos dështonte iniciativa gjermane. Mitterrand nënvizon: “De Gaulle kishte nevojë për Moskën për të shkuar në Uashington. Për mua rruga për Moskë kalon nga Uashingtoni dhe ajo për Bruksel kalon nga Boni”. Marrëveshja mes Mitterrand e Kohl lindi edhe për shkak të ngjashmërive personale: ishin të dy provincial dhe ndjeheshin krenar; ishin të dashuruar pas historisë; ishin më shumë europian se sa atlantik.
Në takimin e 12 krerëve në Strasburg më 8 dhjetor 1989, realizohet mirëkuptimi mes një Francë që nuk kundërshton më bashkimin e Gjermanisë dhe të një Gjermanie që mbështeste fort Francën në realizimin e një bashkimi monetar. Komunikata e Strasburgut, e cila bëhet e mundur edhe falë ndërmjetësimit të Andreotit dhe të ministrit të tij të jashtëm De Michelis, ndër të tjera nënvizon: Populli gjerman mund ta rigjejë bashkimin përmes vetëvendosjes në perspektivën e integrimit komunitar. Sinkronia është perfekte. Këshilli vendosi përsëri me votën e shumicës, thirrjen e një konference ndërqeveritare nën Presidencën italiane në mesin e 1990. Më 31 dhjetor Presidenti francez lançon idenë e një Konfederate Europiane. Në të njëjtën kohë edhe ministri De Michelis, propozon dhe realizon një shoqatë danubiane e ballkanike, sepse disa vende të asaj zone duhet të kalonin vite tranzicioni para se të pranoheshin në familjen e madhe europiane.
Në mars të 1990 organizohen zgjedhjet e para të lira në Gjermaninë Lindore. Demokristianët marrin shumicën relative. Qeveria e re më 18 maj firmosi Traktatin mes dy Gjermanive. Zgjedhjen pan-gjermane u përcaktuan më 2 dhjetor. Më 2 korrik u vendos shkëmbimi i barabartë i dy monedhave, i asaj perëndimore me atë lindore. Më 12 dhjetorin e ardhshëm në Moskë mes Kohl dhe Gorbaçov realizohet takimi dhe bëhet e ashtuquajtura marrëveshja e “dy plus katër”, sipas të cilës, Gjermanisë i njihej sovraniteti i plotë dhe në këmbim kjo e fundit hiqte dorë nga aspirata për të pasur armën nukleare. Më 1 tetor i gjithë komuniteti i shteteve europiane merr akt në New York për sistemuar në mënyrë definitive çështjen e Gjermanisë. Po në të njëjtën kohë ministri i jashtëm i San Marino-s, presidenti i radhës i OSBE-së, nga një pallat i madh me xhama ndriçuese të Hudson shpall fundin e Luftës së Ftohtë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë mbaroi edhe bipolarismi thuajse 50 vjecare, i cili e kishte ndarë botën në dy blloqe të mëdha influence, Perëndimore të udhëhequr nga SHBA dhe Lindore të përfaqësuar nga Bashkimi Sovjetik. Ngjarjet ndodhën aq shpejt, sa udhëheqësit e Europës Perëndimore u gjetën në befasi, por të vendosur për të vazhduar më vendosmëri ëndrrën europiane si një alternativë të tretë në rendin e ri pas bipolar.

e martë, 23 gusht 2011

Mbi nacionalizmin shqiptar

ALFRED ÇAKO

Ka disa muaj që me rastin e regjistrimit të përgjithshëm (i kërkoj ndjesë z. Pollo që s’jam mësuar ta quaj “census”) të popullsisë, janë hapur disa debate rreth nacionalizmit shqiptar. Përveç z. Berisha, i cili kujton se me staturën e vendosmërinë e tij si patriark i politikës, në mbrojtje të kauzës qeverisëse mbi regjistrimin, ai mund t’i bindë shqiptarët se dielli lind nga Adriatiku. Në këtë debat “antinacionalist” janë përfshirë në shtyp edhe disa “profesorë” të tjerë, si z. E. Hasimja, ish-këshilltar i tij. Duket se z. Berisha e sheh këtë problem sa në prizmin pragmatist të jashtëm për të realizuar një angazhim institucional apo të kulisave, aq edhe në prizmin politik të brendshëm, pasi ai ka droje se PD-ja, e cila po vjen duke u tkurrur, mund të marrë një krisje tjetër në elektorat nga lëvizja “Kuq e Zi” dhe nga PDIU. Personalisht nuk bëj pjesë te dy lëvizjet e reja, përkundrazi, jam votues i PD-së, por dëshiroj t’i qasem temës për të disatën herë publikisht, pasi e ndiej edhe unë veten të përfshirë indirekt nga disa etiketime të Kryeministrit. “Të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë shprehje e një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj, duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre”, do të theksonte Kryeministri para disa ditësh. Thelbi i debatit mbi regjistrimin qëndron vetëm mbi vetëdeklarimin fetar e etnik, dhe jo mbi pasuritë, siç përpiqet të sulmojnë “penguesit kuq e zinj” të kësaj vepre stërmadhore të Kryeministrit dhe gjithë antinacionalistëve të tjerë të trimëruar nga Doktori. Ç’kuptim kanë përçartje të tilla, që duan të tërheqin vëmendjen ndaj thelbit etniko-fetar të konfliktit mbi regjistrimin, kur Kryeministri thotë se “ky është një interes madhor kombëtar, sepse në regjistrat dhe në database-t e këtij vendi duhet të ekzistojë realiteti shqiptar i vitit 2011? Ky realitet, natyrisht, është i kundërt me atë që e nxijnë çdo ditë kollagjerë dhe çakej që shfrytëzojnë lirinë për qëndrime nga më absurdet. E kundërshtojnë këtë sepse ky regjistrim do të nxjerrë të gjitha pasuritë e patundshme që krijuan shqiptarët, duke derdhur lumenj djerse në këto 20 vjet”? E cili “nacionalist” shqiptar është kundër këtij lloj regjistrimi të pasurive? Askush. Në fakt, “nacionalistët“ bazohen në kundërshtimin e tyre edhe në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 10.2, ku deklarohet laiciteti i shtetit, ndërsa thuhet se “shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes”. Pra, shteti nuk merr pjesë në problemet e regjistrimit shpirtëror, por vetëm zyrtarizon superstrukturën institucionale të tij, duke njohur fe të caktuara zyrtare. Pra, me laicitetin e vet kushtetues, shteti distancohet nga punët e fesë dhe, pa dyshim, edhe të regjistrimeve fetare. Po kështu, në pjesën e dytë të Kushtetutës, neni 20.2, thuhet se pakicat etnike “kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore…”. Sipas kësaj pike, pakicat kombëtare kanë të drejta (dhe në fakt i kanë gëzuar këto të drejta pa u penguar) të organizohen e tubohen sipas origjinës së tyre në parti politike, institucione fetare a gjuhësore, institucione të cilat kanë qenë nën mbështetjen apo mbrojtjen e shtetit gjatë aktiviteteve të tyre. Përsëri nuk e kuptojmë se ç’punë ka shteti në regjistrimet e masës së tyre sasiore, kur këtë punë e ndan Regjistri i Gjendjes Civile, ku njerëzit regjistrohen sipas ligjeve në fuqi mbi etninë e tyre. Pra, ç’hyn këtu vetëdeklarimi fetar dhe etnik nga një shtet laik? A e di Kryeministri se Haxhi Qamili ishte turkoshak e u var se donte fenë mbi shqiptarët? A e di Kryeministri se pika e vetme ku bashkohen haxhiqamilët dhe dhespotfotët e vrarë nga nacionalistët shqiptarë është prevalimi i identitetit fetar mbi atë nacional? A e kupton Kryeministri ynë se po del kundër parimeve të Pashko Vasës, të cilat u bënë themeli i shtetit kombëtar e laik shqiptar në tri periudhat kryesore qeverisëse të vendit, nga vitet 1920-1939; 1944-1990-2011? A e kupton ai se nëse të parët tanë do të kishin pikëpamjet haxhiqamiliste e dumbabiste të turkoshakëve, z. Berisha nuk do të ishte Kryeministër i Shqipërisë? A kanë kuptim emocional fjalët e rralla që “tregojnë poliedrizmin” e Kryeministrit, kur ai huazon nga Kushtetuta e vendeve të panjohura si “Cape Verde” me etiketime “antinacionaliste” si fjala “apatrid” apo fjalë të shpikura nga Kryeministri, si fjala pa kuptim “kollagjer”? Eh! Çfarë të bëjmë? “Jetojmë në Zulluland”, do të thoshte Konica i famshëm në këtë rast. Pasi ka hequr kostumin e internacionalistit, Kryeministri ynë u përpoq ta vishte mbas viteve ’90, vetëm në festa të rralla e intime, kostumin e nacionalistit; ndërsa tash duket se ai ka veshur kostumin e globalizmit (shpresojmë të mos kemi lajthitur nga sytë e s’është ndonjë kostum i qepur me penj blu e të bardhë). Ndoshta Kryeministri e ka kryer regjistrimin prej kohësh me ekspertët e huaj që qëndrojnë në Institutin e Statistikave dhe kjo do të ishte gjysma e së keqes, pasi regjistrimet dhe këndvështrimi zyrtar i historisë së çdo shteti janë thellësisht politike e jo aq transparente. Gjithsesi, kjo do të dukej si një mollë e kalbur nga brenda e me shkëlqim nga jashtë. Por, për kuriozitet, nga burimet e mia, po i them se në qarkun e Korçës, me 180 mijë banorë, pa as edhe një qytetar grek, zotit Berisha mund t’i regjistrohen 32 100 qytetarë grek. Kryeministri ynë duhet të koordinojë pak edhe me SHISH-in për këto punë, gjë që është e vështirë të ndodhë. Ndoshta Kryeministri ynë nuk e di se shumica e këtyre 32 mijë të vetëdeklaruarve mund të jenë myslimanë korçarë, ashtu siç mund të ndodhë që edhe në Pukë e Laç, të Vaut të Dejës, do të ketë “grekë” sa të duash. Kryeministri, me minoritarët nga Konispoli, që ka lënë për të drejtuar degën e vet të PD-së në Korçë e me disa drejtorë (që përveç se janë kopilë të hierarkëve ish-komunistë, janë edhe shumë progrekë), as që ka për ta marrë vesh se këto kohë, në ndonjë kishë të Korçës, njerëzit e N. Gaxojanit kanë ngritur edhe aparatura përgjimi të sofistikuara dhe njerëz të ndryshëm që nga shërbimet sekrete greke, në bashkëpunim edhe me terroristët e organizatës “17 Nëntori”, janë mobilizuar ethshëm në shërbim të kauzës së tyre të madhe “Pollo”, duke hyrë e dalë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Pas pranimit indirekt të “fajit shqiptar“ për luftën italo-greke të vitit 1940, duke paguar tokat nga shteti ynë dhe pas Marrëveshjes së ujërave, me këtë regjistrim realizohet faza e parë e planit “Janullatos” me Shqipërinë, para largimit të tij nga kjo botë fizike.
Të shohim pak se ç’është nacionalizmi, natyrisht jo në dritën zyrtare e sipas trushpëlarëve të universiteteve, kozmopolitëve krenarë e servilë. Nacionalizmi u frymëzua nga bankierët dhe financierët e mëdhenj, kryesisht jahudinj, kur ata dështuan në dy raste për të zhdukur papatin, të cilin e kishin pasur gjatë mesjetës një armik të hidhur. Në fillim ata financuan Napoleonin për të shkatërruar Vatikanin dhe ai iu sul Italisë e gati sa s’e kreu këtë punë, por mendoi se punët e shpirtit kanë rrënjë të thella e s’janë të lidhura vetëm me ngrehinën e Shën Pjetrit. Kur Napoleoni u rimartua me një vajzë nga dera më e krishterë katolike e Habsburgëve, më 1810-n (Maria-Luizën), ai u konsiderua një “puppet string” që s’i duhej besuar nëse bëhej sundimtar i gjithë Europës. Ndaj u sponsorizuan anglezët, rusët, prusianët dhe habsburgët, me shpresën që këta do të pranonin skemën e ndërtimit të perandorive laike, sipas parimeve të Iluminatit bavarez, të krijuar më 1770-n nga Moses Mendelsoni dhe Adam Waitshaup, emisarë të bankierëve jahudinj. Laicizmi i shtetit ishte parë si një mundësi nga bankierët jahudinj, me qëllim që atë të kishin të drejta të barabarta me gjithë besimtarët e tjerë e të mos shtypeshin prej këtyre. Kur projekti i laicitetit u kundërshtua nga familja ortodokse e Aleksandrit I të Rusisë në Koncertin e Vjenës, kjo familje u dënua me vdekje së bashku me familjen Habsburgase. Këto parime i pranoi kurora angleze me përfaqësues Viscount Castlereagh, si dhe organizatori i saj, austriaku Princ Meternihu, që kontrollohej nga zëvendësi i vet, baroni Wessenberg. Car Aleksandri dhe Frederiku III i Prusisë dëgjuan fatalisht këshillat e gabuara të ministrave të vet, Naselrod dhe princit Hardenberg, duke u armiqësuar me maniatët financiarë për çështjen e laicitetit. Nëpërmjet laicitetit, bankierët synonin të krijonin Europën Federale. Por, pas këtij dështimi, bankierët e kuptuan se nuk bëhej stan me “lepujt-perandorë”, ndaj hodhën kartën e nacionalizmit, me qëllim që me këtë të shkatërronin perandoritë dhe perandorët. Kulmi i nacionalizmit arriti në Luftën e Parë Botërore, e cila synonte, përveç shkatërrimit të perandorive e ngritjen e shteteve nacionale, ngritjen e Lidhjes së Kombeve, të cilën synonin ta manipulonin drejt Rendit të Ri Botëror apo thënë ndryshe, Qeverisë Botërore. Para Luftës së Parë, emëruesi i përbashkët i të gjithë mendimtarëve trushpëlarë ose të paguar, ishte nacionalizmi, derisa u arrit shkatërrimi i dyerve shekullore e të mëdha perandorake dhe i rendit të vjetër. Bota hyri nën sundimin e ideve të iluminizmit, të cilat kishin bazë të drejtat e kombeve dhe të individit brenda perandorive si dhe laicitetin e shteteve e mospërzierjen e shtetit në punët e feve, pikërisht atë që kërkonin vëllezërit Bauer (hegelianët e rinj) dhe Karl Marksi, qysh më 1840-n. Por, tani, mbas Luftës së Dytë dhe krijimit të Izraelit, armiqtë më të mëdhenj të Qeverisë Botërore kanë dalë fetë e ndryshme dhe kombet. Tani po flitet në të gjitha drejtimet kundër nacionalizmave. Teoricienë si, H. Arendt, filluan të shkruajnë kundër nacionalizmit. Natyrisht që ne shqiptarët jemi në një varkë me më të fortët dhe të bësh politikë do të thotë të mos zbresësh nga varka në det, por hapat hidhen me faza. Hasimja thotë te gazeta “Panorama” (dt.16 gusht), se “të gjithë nacionalistët së bashku nuk mund të bëjnë për këtë vend më tepër sesa një pastruese e përgjegjshme e rrugëve të Tiranës. Madje, mund të bëjnë të kundërtën: mund të na çojnë në greminë”. Natyrisht që ky “profesor“ nuk është në rregull nga logjika që flet kështu, e s’ia vlen t’i bësh koment, por ajo që duhet thënë është fakti se Ballkani është një pyll me ujqër dhe të blegërish me zërin e Hasimjes si komb do të thotë që shumë shpejt je në stomakun e ujkut. Shyqyr që s’ka pasur kaq shumë dele në kohën e Rilindjes, pasi emri “shqiptar” do t’i kishte mbetur historisë. Hasimja të shkul së qeshuri me trushpëlarjen e vet antinacionaliste kur thotë se, “e, meqenëse është gjellë e turmave, nacionalizmi luan në fushën e vet: është ideologjia më e kapshme nga turmat dhe më e vështirë për t’u përballuar me argumente, sepse jo gjithkush ka studiuar teoritë e nacionalizmit në nivel universitar. Aq më tepër në vende me nivel arsimi mediokër”. Në këtë vend me arsim mediokër të gjithë ne kemi faj, vetëm “profesor” Hasimja s’ka faj, e vetëm ai nuk është mediokër. Por, Hasimja as e kupton se kjo ideologji dhe këto turma që ndoqën prusianët dhe Bismarkun e bënë të madhërishëm emrin e gjermanit; Hasimja nuk e kupton se kjo ideologji mbisunduese e kohës, e udhëhequr nga Kavuri dhe Garibaldi, edhe pse derdhi gjakun e italianëve (dhe francezëve) në Solferino me kova, bëri që italianët sot të jenë komb dhe një nga 7 vendet më të forta të botës. Ermali thotë se është patriot dhe harron se ligjësia maltusiane e kombeve s’e njeh këtë fjalë të shpikur nga oportunistët me armikun. Amerika, shteti që u krijua mbi parimet e “patriotizmit” antikolonial britanik, u bë menjëherë nacionaliste kur u bë superfuqi. Është e vërtetë që nacionalizmi, me kalimin e kohës, do të ngelet në muzetë e historisë dhe kombet do të shkojnë me dashje ose pa dashje drejt ëndrrës së Demostenit dhe Hegelit, për një qeverisje të vetme botërore, por ne s’kemi pse ngutemi. Aq më tepër që antinacionalizmi dhe heqja e brekëve para kohe nuk u vlen as aleatëve tanë, të cilët duan ta balancojnë me nacionalizmin shqiptar sado pak nacionalizmin ortodoks (europianët duan të përmbajnë me të, sado pak, edhe nacionalizmin neootoman) grek e serb. Kur lexova Hasimjen, në fakt e kuptova se përse ai ka qenë edhe këshilltar i Kryeministrit.

e hënë, 22 gusht 2011

“Skënderbeu i vërtetë” i autorit Fatos Daci, një libër me vlera të mëdha për historinë tonë mbarëkombëtare



Nga Prof.Dr. Hasan Çipuri



Fatos DACI ,autori i shquar dibran, publicisti, shkrimtari dhe historiani Fatos Daci, botoi librin e tij më të ri të titulluar “Skënderbeu i vërtetë”, një libër me vlera të jashtëzakonshme për historinë tonë mbarëkombëtare.

Ky autor paraqitet para publikut shqiptar me këtë vepër të madhe, pasi gjatë 10 vjetëve të fundit ka botuar 11 vepra të tjera letrare e historike, përfshirë veprën madhore “Enciklopedia e Dibrës”, në vitin 2006, duke botuar në të njëjtën periudhë tri gazeta “Dibra”, “Zëri i Lirë” e “Trojet Shqiptare” dhe duke shkruar intensivisht artikuj në më shumë se 12 organe të tjera publicistike të vendit tonë.

Kjo veprimtari kaq e frytshme letrare e shkencore e z.Fatos Daci është për t’u admiruar dhe lipset vlerësuar siç duhet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, nga Akademia e Shkencave, nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dhe nga e gjithë shoqëria shqiptare, veçanërisht ajo dibrane.

Në librin “Skënderbeu i vërtetë” shkrimtari Fatos Daci mbron me mençuri, atdhetarizëm dhe guxim e burrëri një nga figurat më të mëdha e më të shquara në të gjithë historinë e popullit shqiptar, madje në shkallë botërore, që është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilin në planin ndërkombëtar, Evropa e quan shpëtimtarin e saj nga thonjtë e Perandorisë Osmane, ndërsa Krishterimi e quan shpëtimtar të tij nga Islamizmi. Ashtu, siç shkruan dhe vetë autori, për një çerek shekulli Ai qe mburoja e Perëndimit kundër sulmit brutal të Lindjes, e cila synonte të thyente tabu të kufijve shtetërorë, fetarë e ideologjikë të të dy kontinenteve.

Shkrimtari e historiani Fatos Daci iu ndërmor studimit dhe realizmit të kësaj vepre dinjitoze, duke mos duruar dot falsifikimet monstruoze të disa autorëve të huaj, por sidomos atyre vendas lidhur me origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut të Madh, të cilit i “nxjerrin” kështu tri origjina tepër absurde.

Pastaj, me këtë rast, u kundërvihet edhe disa autorëve të huaj, sidomos këtij të fundit, zviceranit Oliver Jens Schmitt, me librin e tij “Skënderbeu”, i cili, tërthorazi e denigron figurën e madhe të Skënderbeut, si dhe të servilëve të tij shqiptarë, që e mbrojtën me zjarr në disa gazeta e televizione shqiptare në vitin e kaluar, duke u rreshtuar në anën e të huajve, pa vlerësuar dëmin që i bëhej figurës së Skënderbeut. Sidomos kjo u duk qartë në intervistën e Schmitt-it.

Për të sqaruar dhe argumentuar të vërtetën mbi origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut, autori ka përmendur në libër mbi 28 studiues të huaj dhe mbi 40 historianë e studiues shqiptarë nga më të spikaturit, duke filluar që nga Marin Barleti e Gjon Muzaka, te Fan Noli, Naim Frashëri, Marin Serdari, Dhimitër Frengu, e deri tek Aleks Buda, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Mustafa Kruja, Injac Zamput, Kasem Biçoku, Luan Maltezi, Shahin Leka etj. Gjatë hulumtimit të burimeve të nevojshme, autori ka pasqyruar 110 referenca të shënuara sipas çështjeve të renditura në libër.

[Skenderbeu i Vertete] Libri “Skënderbeu i vërtetë”, ose e thënë ndryshe e vërteta për origjinën, vendlindjen dhe datëlindjen e Skënderbeut, ka një vëllim prej 250 faqesh. Ai fillon me pjesën hyrëse, ku autori shkurtimisht paraqet figurën e madhërishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në plan kombëtar e ndërkombëtar dhe meritat e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Evropën. Ky libër u promovua me datë 21 mars 2009 në sallën e Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në prani të qindra pjesëmarrësve.

Pasi pasqyron të gjithë studiuesit dhe historianët më të shquar të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar me respekt të madh për figurën e Heroit tonë Kombëtar, autori numëron tre autorë vendas, të cilët paraqitën tri origjina për Skënderbeun, gjë që s’mund të ndodh kurrë në botë.

Atëherë autori thotë me të drejtë se “arma” e së vërtetës është analiza historike! Kush bën analizën historike ka zgjidhur dilemat rreth figurës madhështore të Skënderbeut.

Dhe pas kësaj, autori, fillon përmbajtjen e librit me krerë. Në kreun e parë, që emërtohet “Polemika”, ai i kundërvihet me argumente të padiskutueshme autorit të librit “Tedeli i Kastriotëve është Hasi” me kapitujt :” Skënderbeu, Heroi Kombëtar, nuk mund të privatizohet lehtë”, “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër”, “Sajesat nuk përcaktojnë origjinën e Gjergj Kastriotit”.

Pas tij u kundërvihet autorëve matjanë me çështjet: “ Rreth “shakave” matjane për origjinën e Gjergj Kastriotit”, “Jo thjeshtë resto”, “Edhe shakatë duhen marrë seriozisht”, “Ka toponime e toponime”, “Gjon Kastrioti shkoi nga Dibra në Mat dhe shtroi edhe Matin”, “Kufijtë dhe çeshtja “Stelush”, “Si e “harruat “ Ballabanin?!”, “Ja që edhe betejat nuk janë zhvilluar në Mat...por, janë zhvilluar në Dibër” , “Rreth Aemathias”, “Po, ku lindi Heroi?” , “ Përçartjet e Ferit Këputës”, “Skënderbeu dhe Kastriotët nuk kanë asnjë lidhje të veçantë me Matin”.etj.

Së treti autori i kundërvihet autorit Fehmi Kaloshi me çështjet: “Me përralla e andrralla nuk bëhet historia e Skënderbeut” dhe “Kaloshët kanë origjinën e tyre, e cila nuk ka asnjë lidhje të veçantë me Kastriotët”

Debatet mbi librin e Schmitt-it për Skënderbeun, të zhvilluara kohët e fundit në medie janë në kapitujt e mëposhtëm të librit:” Skënderbeu nuk mund të tjetërsohet; Realiteti i dhimbshëm shqiptar”, “Skënderbeu është realitet historik”, “Kush ishte Skënderbeu”, “Skënderbeu u kthye në shtëpinë e tij”, “Betejat e Skënderbeut në Dibër”, “Skënderbeu dhe Dibranët luftuan për Shqipërinë”, “Skënderbeu ka marrë vlerësimet e merituara”, “Simbioza e shoqërisë pa standarde”, “E vërteta dhe të pavërtetat e Schmitt”.

Më pas, në libër, vjen kreu i dytë i titulluar “Përfundime”, i cili ka këto kapituj: “ E vërteta historike dhe realiteti te filmi artistik me ngjyra “Skënderbeu”, “Edhe Mazrekët janë në Dibër”, “Barleti asnjëherë nuk ka thënë e nuk ka shkruar se Kastriotët janë nga Mati”, “Toponimia vërteton lidhjet e vetme të origjinës së Kastriotëve në Dibër”, “Hasi i Kastriotëve është në Çidhën të Dibrës”, “Ç’thotë trashëgimia dibrane për origjinën e Kastriotëve dhe të Skënderbeut”, “Origjina e Kastriotëve është zyrtarizuar nga Akademia e Shkencave e RSH, në vitin 1985”, “Gjergj Kastrioti lindi në Dibër, më 6 maj 1405”, “Skënderbeu vdiq më 1466”, “Rreshtohuni përkrah shqiptarëve, zotërinj të medies”.

Në pjesën përmbyllëse (Epilogu), autori me të drejtë thotë se nuk e ka pasur aspak të lehtë të arrijë në idetë dhe përfundimet kushtuar kësaj figure madhore, më përfaqësuese të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Por është krejtësisht i qetë se atë që ka bërë e ka bërë me seriozitetin maksimal të mundshëm, pa bërë asnjë përpjekje për manipulim apo abuzim me të vërtetën historike, pa deformuar e pa anashkaluar rezultatet që kanë arritur të tjerët para tij, pa i rënë askujt “në qafë” për idetë dhe mendimet që ka shfaqur publikisht deri më sot.

Vlerat e këtij libri ia rrit më shumë edhe fakti që autori e ka shkruar librin me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme, të kuptueshme e bindëse. Autori, analizën dhe faktin historik nuk i ka veshur me letrarizma dhe komente mërzitëse. Edhe pse ka debatuar me disa autorë e historianë, në një kohë kur bindjet e tij janë standarde dhe të njëjta për të gjitha çështjet, ka ditur të shmangë përsëritjen, gjithnjë është shfaqur origjinal dhe racional, natyrshëm. Gjithashtu, autori ka ditur t’i largohet emocionit dhe komentit të panevojshëm. Në asnjë rast nuk ka rënë në amulli e pështjellime dhe as në euforizëm e egoizëm. Ndërkohë, autori ka përdorur të gjithë mjetet stilistike publicistike dhe figurat letrare më të goditura, si një mjeshtër i vërtetë i fjalës së shkruar, me një përvojë të gjatë. Të gjithë këto elemente e bëjnë këtë libër një botim të mirëfilltë shkencor me shumë vlera, që botohet në kohën e mënyrën e duhur, për figurën më përfaqësuese të shqiptarëve në të gjithë kohërat.

Unë e përgëzoj autorin e këtij libri të madh shkencor në interes të mbrojtjes me mençuri e guxim të figurës më madhore mbarëkombëtare të të gjithë kohërave, Gj.K. Skënderbeut dhe i uroj shëndet e mbarësi për vepra të tjera të mëdha edhe në të ardhmen.

e shtunë, 20 gusht 2011

E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkup

Prof. Kristo Frashëri

Akademia e Shkencave e Republikës së Maqedonisë vuri në qarkullim në shtatorin e kaluar "Enciklopedinë e Maqedonisë", Shkup 2009, botuar nën kryesinë e akademikut të saj, Blazhe Ristovski. Në zërin kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë tërhoqën vëmendjen disa formulime të vjetruara, të cilat opinioni publik shqiptar kishte shpresuar se nuk do t‘i dëgjonte më, për faktin se ato kanë qenë gatuar në të kaluarën nga mendje të zhuritura nacionaliste maqedone dhe si të tilla atyre u kishte kaluar koha. Ne nuk do të merremi me përmbajtjen e mbarë zërit "shqiptarët e Maqedonisë", pjesë e Enciklopedisë së përmendur, e cila vuan gjithandej nga pasaktësi, pasi debati do të shkonte gjatë. Do të përqendrohemi vetëm në formulimet historike që ka Enciklopedia e përmendur mbi të ashtuquajturën vendosje e shqiptarëve në Maqedoni, pasi këto formulime krejtësisht të pasakta, pra antishkencore, na kthejnë në shekullin XIX. Aty lihet të kuptohet se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në viset e sotme të Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë. Aty ngulet këmbë se:
"Kolonizimet shqiptare në Maqedoni janë regjistruar kryesisht pas shekullit XVI. Janë dyndur heshturazi (sic!) kur tashmë ishin të islamizuar. Dyndjet përfituan nga tollovia e shekullit XVIII, kur feudalët shqiptarë vepronin për pavarësinë e tyre nga pushteti qendror dhe përpiqeshin për zgjerimin e tyre edhe në Maqedoni. Ali Pashë Janina (në fillim të shekullit XVIII) e kishte zgjeruar pushtetin e vet edhe në pjesët jugperëndimore të Maqedonisë, pas së cilës filloi kolonizimi me nga një apo më shumë familje në rreth 30 fshatra. Të gjithë ata arritën nga Shqipëria e Veriut dhe i takonin fisit geg (pra, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte nga jugu, qenkan dyndur në Maqedoni shqiptarët e veriut !!! - K.F.). Në Tetovë, Gostivar dhe në vende të tjera, thuhet aty, tashmë kishin dalë pashallarë gjysmë të pavarur me prejardhje shqiptare, të cilët kishin nxitur kolonizimet. Ata përdornin banda kaçakësh të cilat e terrorizonin popullatën maqedone dhe e detyronin të shpërngulej. Nëpër shtëpitë dhe fshatrat maqedone vendoseshin familje shqiptare. Numri i tyre deri në fillim të shekullit XIX ishte rreth 20 mijë veta (sic!!!). Që nga viti 1780-1800 të ardhurit ishin nga fisi Krasniqi dhe Shalë dhe një fis nga Shqipëria e Jugut (sic!). Ata u vendosën në Manastir, në Gostivar (Sërbinovë, Gradec, Recan dhe Cegran), në Kërçovë (Zajas, Arangjel dhe Popovjan, Oriziare, Sebice dhe Celopek), në Kumanovë (Likovë), në Përlep (Desovë, Zhitoshë dhe Debresht), në Shkup (disa fshatra të Dervenit, Gumalevë, Novo Sellë dhe Brezë), në Strugë (Belicë e Poshtme) dhe në Tetovë (Tearcë, Poroj, Gajre, Recicë e Vogël, Shipkovicë, Tetovë, Kalishtë dhe Lisec)".

Sipas autorëve të "Enciklopedisë së Maqedonisë", periudha e dytë e kolonizimeve të dhunshme shqiptare në viset maqedone, ndodhi në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, pra në vitet e Tanzimatit. Këtë radhë "ardhacakët" shqiptarë erdhën nga Elbasani, Luma dhe Mati, por edhe nga Korça e gjetkë.
Vala e tretë e kolonizimit paska ndodhur në fillim të shekullit XX, kurse vala e fundit, pra vala e katërt e kolonizimit shqiptar të Maqedonisë paska ndodhur pas vitit 1944.
Burimi kryesor për këtë zë ku janë mbështetur akademikët e Maqedonisë duket se është, siç e cilësojnë vetë, vepra e historianit maqedon, Hristo Andonov Polljanski, Shtojcë mbi marrëdhëniet maqedone-shqiptare në të kaluarën, "Vepra të zgjedhura", V.3, Shkup 1981.
Nuk është hera e parë që dalin nga qarqet nacionaliste maqedone fyerje dhe shtrembërime në dëm të shqiptarëve. Më se një herë argumentet e tyre të ngjizura me hamendje dhe me pasione janë hedhur poshtë nga kritika historike. Megjithatë, ata vazhdojnë akoma të përsërisin refrenin e tyre të konsumuar se gjoja shqiptarët në Maqedoni janë ardhacakë të zbritur nga skërkat malore të Shqipërisë së sotme.
Synimet që kanë autorët e këtyre formulimeve nuk janë të njëjta me ato që kishin paraardhësit e tyre nacionalistë para se të formohej shteti maqedon. Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, gjyshërit e nacionalistëve të sotshëm maqedonë synonin të bindnin diplomacinë e madhe europiane se viset e sotme të Maqedonisë veriperëndimore dhe perëndimore nuk u takojnë shqiptarëve ardhacakë, por banorëve autoktonë maqedonë. Tani që e kanë, si të thuash, tapinë në xhep, kanë synime me qitje të largët. Duan të tregojnë se shqiptarët janë ardhacakë, pra emigrantë ose azilantë. Si të tillë, shqiptarëve nuk u takon e drejta e "isopolitisë", pra e drejta që të marrin pjesë njësoj si maqedonët në drejtimin e shtetit të tyre. Duket se ata përpiqen të spekulojnë aktet ndërkombëtare të kohëve të reja, që flasin për emigrantët, të cilët edhe kur fitojnë të drejtat e qytetarisë nuk gëzojnë të drejtën e formimit të një shteti të veçantë, as pjesëmarrjen si trup i veçantë në shtetin e tyre nacional. Këto janë pa dyshim ëndrra kimerike që i shohin nacionalistët me sy hapur, të cilët flenë akoma në djepin e shekullit XIX.
Të trajtosh shqiptarët që banojnë në atdheun e tyre që nga agimi i historisë si ardhacakë apo emigrantë, apo azilantë, është një fyerje e rëndë për ta. Ashtu siç pritej, sapo "Enciklopedia e Maqedonisë" doli në qarkullim shpërthyen kundër saj protestat e lexuesve shqiptarë brenda dhe jashtë Maqedonisë. Si pasojë e këtyre protestave krejtësisht të natyrshme, "Enciklopedia e Maqedonisë" u tërhoq shumë shpejt nga qarkullimi, pastaj u vendos që të korrigjohej zëri kushtuar shqiptarëve dhe më pas akoma ky zë të shkruhej nga e para.
Kur këto gërr-mërre dalin nga pena ordinere as që ia vlen të merresh me to. Këtë radhë puna ndryshon, mbasi me gërr-mërre po merren disa "akademikë" maqedonë. Duke marrë parasysh nivelin shkencor tepër të ulët që ka zëri kushtuar shqiptarëve në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Shkupit, ne do të përgjigjemi veçse shkurt.
Shpresojmë se formulimet fyese, absurde, provokatore që përmban zëri i përmendur jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për pjesëtarët e mbarë kombit shqiptar - tani që Akademia e Shkupit u detyrua ta tërheqë "Enciklopedinë" nga qarkullimi për ta rishkruar - këto formulime fyese duhet të fshihen nga faqet e saj. Meqenëse historinë e kombit shqiptar ne e kemi temë qendrore të punës sonë shkencore dhe jo kujdes anësor, siç e kanë disa akademikë maqedonë të Shkupit, le të kenë durim dhe ta lexojnë këndvështrimin tonë për historinë e shqiptarëve të republikës së tyre.

Gabime metodike dhe faktologjike

Para se të hyjmë në temën e mirëfilltë e ndiejmë për detyrë të nënvizojmë disa kritere të gabuara që përmban sinteza mbi shqiptarët në "Enciklopedinë e Maqedonisë", të cilat nuk tregojnë shkencë, por amatorizëm dhe nacionalizëm.
Gabimi i parë i palejueshëm për historianët, madje edhe për mësuesit e shkollave të mesme, është shkelja e parimit më elementar të metodologjisë shkencore të historiografisë, e cila kërkon që ngjarjet historike të shihen në kohë dhe në hapësirë. Është pikërisht ky gabim që vihet re në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në bazë të këtij parimi, Maqedonia antike nuk duhet të identifikohet as për nga shtrirja gjeografike, as për nga etnikoni i banorëve me Republikën e Maqedonisë së ditëve tona. Para së gjithash se shtrirja gjeografike e emërtimit Maqedoni, gjatë shekujve nuk ka qenë kurdoherë e njëjtë. Kohë pas kohe, kufijtë e saj territorialë kanë pësuar luhatje. Madje, ka pasur raste kur emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur krejtësisht jashtë kufijve të sotshëm të saj. Kështu për shembull, në shekujt I-II të erës sonë ekzistonin dy provinca romake me të njëjtin emër - Maqedonia e Parë (Macedonia Prima) me qendër Selanikun dhe Maqedonia e Dytë (Macedonia Secunda) me qendër Durrësin. Te vepra e gjeografit Aleksandrin të shekullit II Klaud Ptolemeu (Geographia, Libri 12), Maqedonia e Dytë, pra provinca e Durrësit shtrihej në veri deri në derdhjen e lumit Drin, në Lindje përtej Liqenit të Ohrit deri te qyteti Heraklea i Lynkestëve, kurse në Jug, përtej Vlorës deri në malet Akroceraune të Himarës. Më vonë, Maqedonia e Dytë u quajt provinca e Epirit të Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin dhe përfshinte, sipas njoftimeve që ndeshim në Notitia Dignitatum (III, 13) edhe një pjesë të Maqedonisë historike (Epirus nova et pars Macedonia Salutaris). Për këtë arsye, shpeshherë në burimet historike mesjetare, savante europiane, Arbëria është identifikuar me Maqedoninë (Albania sive Macedonia) dhe shqiptarët e provincës së Durrësit, janë quajtur maqedonë. Përkundrazi, banorët sllavë pasi u vendosën në Maqedoni në fillim u quajtën skllavinë dhe më vonë bullgarë, kurse vendi i tyre në fillim Skllavini dhe më vonë Bullgari. Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt Lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë.
Në pragun e dyndjeve sllave ekzistonin, sipas njoftimeve që përmban vepra e udhëpërshkruesit të shekullit V, Hierocles (Synecdemus, 655, XVI, 7), përsëri dy provinca që mbanin emrin Maqedoni - njëra Macedonia Prima (Maqedonia e Parë), me qendër Selanikun, tjetra Macedonia Secunda (Maqedonia e Dytë) me qendër Stobin.
Me një fjalë, në shekullin VI e.s. kur filluan dyndjet sllave në Ballkan, emërtimet gjeografike-administrative antike, Dardani dhe Maqedoni, vazhdonin të ishin ende në përdorim. Në shekullin VI ato ishin shndërruar në njësi administrative perandorake bizantine me po ato emra - në provincën e Dardanisë dhe në provincën e Maqedonisë së Dytë. Ato ishin përsëri fqinje me njëra-tjetrën. Provinca e Dardanisë vazhdonte të kishte kryeqendër Shkupin. Përkundrazi, provinca e Maqedonisë së Dytë, tani e ngushtuar, kishte për kryeqendër përsëri Stobin. Kufiri i tyre kalonte midis Shkupit dhe Stobit, afër fshatit të sotshëm Kozhle poshtë lart në veri të qytetit Bylazora, sot Velesh, e cila kjo e fundit i takonte Pajonisë. Tjetër pikë kufitare ishte qyteti dardan, Sintia, të cilën Tit Livi e quan shkoqur "urbs dardanorum" (T. Livi XXVI, 253), diku në luginën e lumit Strimon, midis Shkupit dhe Përlepit, nga të cilat kjo e fundit i takonte Maqedonisë. Sikurse shihet, në shekullin VI viset shqiptare të Maqedonisë së sotme nuk bënin pjesë në asnjë nga dy provincat bizantine maqedone.
Përfshirja nga shumë historianë maqedonë e viseve veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, sot të banuara në shumicën dërrmuese nga popullsi shqiptare, - që nga rrethet e Ohrit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, Kumanovës - në kufijtë e Maqedonisë historike, është pra një shkelje e kritereve të historiografisë shkencore. Me këtë hartë gjeografike të shekullit VI, Bjeshkët e Sharrit kanë përbërë për mijëra vjet, si më parë edhe më vonë, deri më 1913, boshtin kurrizor të provincës së Dardanisë apo të Vilajetit të Kosovës dhe jo siç përbëjnë sot kufirin politik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.
Gabimi i dytë ka lidhje me cilësimin që akademikët e Maqedonisë u bëjnë shqiptarëve si banorë të dikurshëm të maleve të Shqipërisë, të cilët më vonë qenkan dyndur "heshturazi" në fushat e Maqedonisë, duke ia ndryshuar karakterin etnik sllav që këto vise kanë pasur më parë. Ky cilësim ka brenda saj një varg pasaktësish, madje absurditetesh.
Para së gjithash, termi që ata përdorin për dyndje të heshtur të shqiptarëve është një abuzim letrar. Historia nuk njeh dyndje të heshtura. Dyndjet kryhen kurdoherë me dhunë. Ato që zhvillohen në mënyrë të heshtur janë emigrime apo shtegtime. Përdorimi i termit dyndje të heshtura.
Provinca e Dardanisë me kryeqendër Shkupin, provinca e Maqedonisë së Dytë (Macedonia Secunda) me kryeqendër Stobin, provinca e Maqedonisë së Parë (Macedonia Prima) me kryeqendër Selanikun në shekujt V-VI të erës sonë. Hartë e fotokopjuar nga botimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë: Izvori za Bëllgarskata Istorija. Fontes Latini, vëll.I, Sofia 1958.

Është përdorur mbasi nuk ka fakte të dokumentuara. Deri sot asnjë historian nuk ka ndeshur në burime historike dokumentare, që të vërtetojnë shtegtime në masë të hapura, ca më pak të "heshtura" banorësh nga malësitë e Shqipërisë nëpër fushat e Maqedonisë. Në të vërtetë, në Maqedoninë historike, fqinjë e Dardanisë, ka disa enklava shqiptarësh në rrethin e Manastirit, të Përlepit apo të Veleshit, të cilat mund të thuhet se janë krijuar nga shtegtime të mëvonshme. Por shqiptarët që përbëjnë shumicën në rrethet veriperëndimore dhe veriore të Republikës së sotme të Maqedonisë, që nga Ohri deri në Kumanovë, kurrsesi nuk mund të quhen enklava, pasi ata përbëjnë shumicën e këtyre krahinave, aq më tepër që këto krahina kanë vazhdimësi territoriale me njëra-tjetrën dhe me viset shqiptare të Shqipërisë së ditëve tona. Përveçse këto krahina nuk kanë bërë pjesë në provincën e Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë, as në periudhën osmane, sikurse do të shohim, banorët e tyre janë pasardhësit e stërgjyshërve të tyre, të cilët kanë banuar për shekuj në viset jugore të Dardanisë dhe në viset lindore të provincës së Durrësit, pra në atdheun e tyre historik. Shqiptarët janë pra, banorë autoktonë, kurse ardhacakë janë banorët sllavo-maqedonë, paraardhësit e të cilëve janë vendosur në Gadishullin Ballkanik në shekullin VII të erës sonë. Me këtë pohim, as që na shkon ndër mend të lëvrojmë te shqiptarët pasione nacionaliste, as t‘ua mohojmë sllavo-maqedonëve atdheun që krijuan pas shekullit VII të erës sonë. Qëllimi ynë është vetëm të respektojmë saktësinë historike dhe t‘u vëmë ledh fyerjeve dhe synimeve politike që fshihen prapa këtyre fyerjeve.
E treta, çështja më serioze e debatit, ka lidhje me identitetin etnik, apo kombëtar, apo kulturor të maqedonëve të sotshëm.
Të gjithë popujt apo kombësitë kanë një identitet pak a shumë të përcaktuar etnik, apo kombëtar, apo kulturor, një identitet të formuar me ngjyrime të ndryshme sipas kohëve, por që në çdo kohë ai i dallon nga kombësitë dhe kombet e tjera. Në komponentët e identitetit bëjnë pjesë, jo vetëm gjuha, doket, zakonet, mentalitetet, në disa raste feja, por edhe prejardhja gjenetike. Me sa dimë ne, të gjitha kombësitë e kanë formuar prej kohësh identitetin e tyre etnik apo kulturor. Të gjithë e dinë se cila është prejardhja e tyre gjenetike. Vetëm maqedonët e sotshëm, siç po del nga pena e tyre, duket se nuk kanë ende një identitet të përcaktuar. Ata janë ende në kërkim të identitetit të tyre kulturor dhe historik. Në përgjithësi pranojnë se i përkasin familjes së madhe etnolinguistike sllave dhe se procesi i formimit të kombësisë tek ata nisi me vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik. Deri në fund të shekullit XIX, madje edhe deri në pragun e Luftës së Dytë Botërore, banorët sllavë të Maqedonisë e mbanin veten në përgjithësi si pjesëtarë të kombësisë bullgare. Që nga fundi i shekullit XIX, lindi tek elitat e tyre politike ideja se ata padrejtësisht kanë qenë përfshirë në kombin bullgar. Në qoftë se ata e veçuan veten e tyre nga kombësia bullgare dhe vunë themelet e kombësisë maqedone, kjo është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të ndërgjegjes së tyre. Sigurisht, që nuk na u duk e arsyeshme kur me themelimin e Republikës së Maqedonisë ata filluan të pretendojnë se ishin pasardhësit e etnisë maqedone të kohës antike dhe se Aleksandri i Maqedonisë ishte figurë e ndritur e historisë antike të maqedonëve sllavë.
Te kjo tezë e re ne shohim një nonsens, për të mos thënë një absurditet. Por, disa akademikë sllavë të Shkupit duket se nuk duan të dinë fare për saktësi historike. Për ta, maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgarëve apo kushërinjtë e serbëve, kur e do puna janë sllavë, kur nuk e do puna nuk janë sllavë. Kur flitet për autoktoni ata nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Filipit të Maqedonisë e të Aleksandrit të Madh. Përkundrazi, kur takohen me vëllezërit e familjes së tyre etnogjuhësore me rusë, bullgarë, serbë, ata shndërrohen në sllavë.
Rreth 30 vjet më parë, erdhi në Tiranë profesori maqedon, Hristo Andonov Poljanski, i cili mbajti në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë një ligjëratë mbi marrëdhëniet shqiptaro-maqedone. Ai e nisi ligjëratën afërsisht me këto fjalë: Marrëdhëniet maqedone-shqiptare kanë rrënjë të lashta në histori. Ato fillojnë, tha ai, që në kohën e Aleksandrit të Madh. I nderuari profesor i Shkupit kujtoi se me këtë lashtësi që ai na atribuoi, ne, shqiptarët e Shqipërisë së sotme duhej të krenoheshim, sepse duke na trajtuar si fqinjë të lashtë nuk ishim ardhacakë, por banorë të viseve tona të paktën që në kohën e Aleksandërit të Madh. Në të vërtetë, gjithë auditori u step kur e dëgjoi këtë profesor të nxirrte nga goja xhevahirin e padëgjuar se maqedonët e sotshëm ishin stërnipër të Lekës së Madh. Ca më tepër, auditori u çudit kur profesor Poljanski tha se Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, nuk ishte shqiptar, por maqedon, sidomos kur shtoi se në ushtrinë që ai udhëhoqi në luftë kundër Perandorisë Osmane bënin pjesë kryesisht luftëtarë maqedonë dhe pak shqiptarë. Ne e përmbajtëm veten, por e pyetëm: Profesor, për cilët maqedonë flisni, sepse për ne historianët, në kohën e Aleksandërit të Madh, juve bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandërit të Madh ju keni ardhur dhjetë shekuj më vonë. Ai u përgjigj afërsisht në këtë mënyrë: Kam respekt, tha, për kulturën tuaj dhe për dijenitë tuaja. Por ju, ende nuk e keni mësuar historinë e vërtetë. Ne, tha ai, maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë, por edhe gjenetikë. Ne kemi të drejtë të krenohemi me Aleksandërin e Madh dhe të përdorim flamurin e tij. Pranojmë, i thamë, se nuk e dimë mirë historinë, prandaj u pyesim të na sqaroni çfarë do të thoshit ju nëse turqit osmanë, të cilët u vendosën në viset e Perandorisë Bizantine dhe patën të njëjtin kryeqytet, Stambollin, do ta quanin veten e tyre pasardhës gjenetikë të bizantinëve dhe shtetin e tyre do ta emërtonin në bazë të kriterit tuaj, jo Perandori Osmane, por Perandori Bizantine? Deri sot nuk kemi marrë ende përgjigje.
Ne kujtuam se profesor Poljanski ishte një pjellë e rrallë e nacionalizmit maqedonomadh, por tani po shohim se paskemi qenë të gabuar. Paskemi qenë të gabuar, sepse më 1991, kur ish-Republika maqedone e Jugosllavisë u bë republikë e pavarur në Ballkan, udhëheqësit e saj adoptuan për flamur kombëtar të tyre flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë. Të adoptosh emrin e lashtë të Maqedonisë si emër kombëtar të republikës së krijuar në shekullin XX dhe të adoptosh për këtë republikë të re flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë, kjo përsëri është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë kundër vullnetit të një kombi. Megjithatë, si qytetarë të një vendi që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe ca më tepër, si historianë që përpiqen të përvetësojnë standardet e metodologjisë moderne të historiografisë, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje se këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rremë, fals të identitetit kombëtar. Ja, në veprën e këtij profesori të mbushur me "madhërinë e vet" (shprehje e Migjenit) është mbështetur zëri shqiptarët e Maqedonisë, që botoi Akademia e Shkupit. Si mund të ndryshohet tri herë identiteti kombëtar brenda një shekulli? Çfarë kombi është ky, pjesëtarët e të cilit janë sllavë dhe si të tillë një shekull më parë quheshin bullgarë, pastaj e shpallën veten maqedonë, por përsëri sllavë, kurse pas vitit 1991 e quajnë veten maqedonë antikë, pra jo sllavë? Na vjen me të vërtetë keq që fqinjët tanë janë ende në kërkim të një identiteti përfundimtar kombëtar, kërkim i cili nuk dimë se ku do t‘i çojë më tej.
Tani le të kthehemi në faktet historike.

Struktura etnike në Maqedoninë e sotme në
shek. VI, në pragun e dyndjeve sllave

Para se sllavët të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik, pra para Mesjetës së hershme, maqedonët e sotshëm, si pjesëtarë të etnive sllave, banonin në stepat e Rusisë. Nuk dimë të ketë historianë që ta kenë ndriçuar parahistorinë e sllavëve, pra historinë kur ata jetonin në atdheun e tyre të hershëm, e cila është ende thellësisht e errët. Në fakt, etnogjeneza e maqedonëve të sotshëm fillon me dyndjet e tyre nga stepat ruse dhe me ngulitjen e tyre në trevat ballkanike. Pra, fillon kur ata u bënë fqinjë me popullatat ilire, të cilat banonin në Gadishullin Ballkanik që nga agimi i historisë e këtej. Megjithatë, procesi i formimit të etnisë maqedone apo i paraardhësve të tyre bullgaro-sllavëve nuk u krye menjëherë pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik. Ai pushton shekujt e Mesjetës së hershme.
Mesjeta e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së kombësive të Gadishullit Ballkanik. Si kudo në kontinentin europian, edhe këtu, gjatë kësaj periudhe ndodhën shndërrime të thella në fushën ekonomike dhe shoqërore, politike dhe kulturore. Shkakun themelor këto shndërrime e patën te kriza që mbërtheu rendin skllavopronar dhe te vala e gjatë e dyndjeve barbare që pësoi Gadishulli Ballkanik në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës së hershme. Në kuadrin e këtyre dy fenomeneve, shoqëria antike skllaviste në këto troje u përmbys. Mbi gërmadhat e saj lindi shoqëria feudale e Mesjetës së hershme. Në të njëjtën kohë, në përfundim të dyndjeve barbare në Gadishullin Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme edhe në hartën etnike të Europës Juglindore. Disa kombësi antike u zhdukën, disa rezistuan. Vendin e kombësive që u zhdukën e zunë popullata të reja që u dyndën nga veriu dhe nga verilindja e gadishullit.
Dihet se Mesjeta e hershme është jo vetëm për trevën shqiptare, por për mbarë Europën Juglindore, një periudhë thellësisht e varfër nga pikëpamja e burimeve dokumentare. Këtë varfëri të burimeve historike e kanë shfrytëzuar historianët e interesuar sllavë për të krijuar përshtypjen fiktive, sikur në Antikitetin e vonë, në fillim të dyndjeve barbare, trojet e Maqedonisë dhe të Dardanisë kishin mbetur pa banorë dhe se ato u mbushën, sipas tyre, me banorë të rinj sllavë, të cilët vërshuan në këto vise në pjesën e parë të shekullit VII. Me një fjalë, sipas tyre, banorët sllavë nuk janë uzurpatorë, por popullata që mbushën toka të zbrazura pa banorë, duke fituar kështu të drejtën e pronësisë mbi këto vise. Por, për të dyja këto çështje me rëndësi kapitale - për asgjësimin e popullatave të mëparshme ilire dhe për vendosjen e popullatave të dyndura sllave - historianët që përkrahin këtë tezë të re nuk kanë sjellë për asnjërën prej tyre argumente historike.
Me këtë rast dua të përsëris atë që kam pohuar në konferencën organizuar në Shkup në dhjetor të vitit 1991, me titull "Shqiptarët e Maqedonisë". Aty kam thënë:
"Nuk është e fshehtë se është mohuar prania e shqiptarëve në viset e tyre të Ballkanit gjatë kësaj periudhe (gjatë Mesjetës së hershme - K.F.). Kjo ka krijuar atë interpretim të shtrembër sikur shqiptarët në trojet e tyre historike nuk janë të zotët e shtëpisë, por të ardhur. Është temë e vështirë sigurisht. Mungojnë materialet dhe burimet e shkruara janë shumë të varfra. Por, burimet mungojnë edhe për ata (maqedonët - K.F.) që pretendojnë se janë të zotët e shtëpisë". (Shqiptarët e Maqedonisë, botim i Meshihati i BI në RM, Shkup 1994, f.634).

Ndërkohë, rezultatet e hulumtimeve të mëvonshme kanë hedhur nga pikëpamja dokumentare mjaft dritë mbi strukturën etnike që kishin viset shqiptare të Maqedonisë së sotme në pragun e dyndjeve sllave. Në trajtesën "Historia e Kosovës, vëll.I, Dardania (Kosova antike), përgatitur nga Kristo Frashëri, botuar nga "Dudaj", Tiranë 2008, janë sjellë me sa e ka lejuar vendi dëshmi që provojnë se treva e gjerë e Dardanisë ka qenë që nga agimi i historisë vazhdimisht e banuar nga popullatat e etnisë ilire. Kjo për të treguar se kur filluan dyndjet e popullatave sllave, Dardania nuk ka qenë një provincë e shkretuar, siç pretendojnë historianët sllavë, por një vend me popullsi të dendur ilire, pa mohuar se krahas tyre ka pasur dhe popullata ilire të romanizuara ose thjesht banorë romakë-latinë. Ato provojnë jo vetëm se kjo pjesë e Dardanisë, e cila është e përfshirë në Republikën e sotme të Maqedonisë ka qenë e ngjeshur me banorë ilirë, por edhe faktin tepër të rëndësishëm se kjo popullsi ilire ka qenë në atë kohë shumë dinamike në jetën ekonomike, shoqërore, politike të Perandorisë Bizantine. Më tej akoma, provinca dardane ka qenë kaq dinamike dhe kaq e populluar me banorë ilirë sa nga gjiri i saj dolën gjatë shekullit VI, tre perandorë të Bizantit me origjinë ilire. Ata qenë: i pari, Justini (518-527) nga Bederiana pranë Shkupit, në Dardani, të cilin kronisti bizantin i kohës së tij, Prokopi i Cezaresë e cilëson në veprën e tij - me prejardhje ilire (Historia quae dicitur Arcana, Lipsiae, B.G. Teubner, 1913, vëll. III, 6,2); I dyti, Justiniani (527-565), i mbiquajtur i Madh, nipi i Justinit, i cili lindi, sipas Prokopit të Cezaresë, në Tauris, fshat pranë Bederianës së Dardanisë, në afërsi të Shkupit, edhe ky ilir; i treti, Justini II (565-578), i cili ishte dardan, pra ilir, posa që ishte nipi i Justinianit të Madh (Menandri, Historici Graeci Minores, edidit Ludovicus Dindofias, fr.25-26).
Fakti që Justiniani ndërtoi dhe rindërtoi në Dardani në mes të shekullit VI më shumë se 158 kala, pra shumë më tepër se në provincat e tjera (në Epirin e Ri 58 kala; në Epirin e Vjetër 36 kala; në provincën maqedone 46 kala), tregon se këtu popullsia vazhdonte të ishte e dendur dhe jo e rralluar, siç pretendojnë jo pak historianë. Edhe dekreti që nënshkroi Justiniani më 18 tetor 532 mbi vështrimin juridik të institutit të familjes drejtuar prefektit të prefekturës së Ilirikut dëshmon për një jetë shoqërore dhe sllaviste tepër aktive te dardanët. Jetën shoqërore aktive të Dardanisë e dëshmon dhe novela XI pjesë e "Codex Justinianus", që Justiniani shpalli në vitin 535, me të cilën ai krijoi në trevën dardane, madje në vendlindjen e tij, pranë Shkupit, një kryepeshkopatë të re nën ombrellën e Romës, pa përfshirë provincën e Maqedonisë, pra një institucion kishtar që nuk do të kishte më lidhje me kryepeshkopatën e Selanikut, e cila mbeti e varur nga Kostandinopoja. Për më tepër, edhe pse nën ombrellën e Romës, institucioni i ri nuk do të ishte mitropoli, siç ishte ajo e Shkupit, por një kryepeshkopatë në një shkallë më të lartë, me statusin e ekzarkatit, e cila nënkuptonte se do të gëzonte një autoqefali kishtare. Vetë ngritja e një ekzarkati nënkupton një popullsi më me peshë se sa kishte një kryepeshkopatë në atë kohë. Fakti që kjo kryepeshkopatë kishte në vartësinë e vet disa peshkopata, është një dëshmi më tepër që provon popullsinë e dendur të krishterë të Dardanisë.
Në kundërshtim me historianët kryesisht sllavë, të cilët mohojnë karakterin etnik ilir të banorëve që popullonin brezin jugor të trevës dardane, me qendër Shkupin, nuk mungojnë historianë jugosllavë, të cilët nuk pajtohen me kolegët e tyre të politizuar. Midis tyre, vlen të përmendet një nga penat më të njohura të historiografisë bashkëkohore jugosllave, Fanulla Papazoglu. Ajo ka shkruar se Dardania ishte "një nga krahinat ballkanike më pak të romanizuara" dhe se "popullsia e saj vendase duket se e kishte ruajtur më mirë se gjetiu individualitetin dhe vetëdijen e saj etnike". Pastaj "nuk duhet pra, përjashtuar mundësia që dardanët, të cilët i shpëtuan romanizimit, të kenë mbijetuar, përfundon ajo, edhe pas migracionit sllav dhe të kenë dalë në Mesjetë me emrin shqiptar". (F. Papazoglu, Les royaumes d‘Illyrie et de Dardanie. Origines et developpement. Structures, hellenisation et romanisation. Në: "Iliri e Albanci", Beograd 1988, f. 19). Po ashtu, gjuhëtari i shquar serb, Henrik Bariç, pranon se shqiptarët banonin në hapësirën e Dardanisë dhe të Peonisë, para se në këto vise të dyndeshin sllavët. Në mungesë të njoftimeve historike, shkruan ai, praninë e shqiptarëve në këto vise në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës e vërtetojnë jo vetëm emrat ilirë të personave që ndeshen në mbishkrimet e varreve, por edhe toponimitë antike të kësaj treve, siç janë Scupi, Naissus, Astibos, Lychnis, shndërrimi i të cilëve në trajtat e mëvonshme Shkup (Scupi), Nish (Naissus), Shtip (Astibos), Ohër (Lychnid), etj., shpjegohet me anën e ligjeve fonetike jo të sllavishtes, por të shqipes (H. Bariç, Hymje në historinë e gjuhës shqipe. Prishtinë 1955, f. 49-50).
Nga sa u tha deri këtu dalin dy konkluzione, të cilat akademikët e Maqedonisë duhet t‘i kenë parasysh: e para, se në pragun e dyndjes së barbarëve në Gadishullin Ballkanik provinca e Dardanisë nuk ishte rralluar për nga popullsia, por kishte banorë ilirë aktivë dhe, e dyta, se këto vise ilire ku dhe sot e kësaj dite banojnë shqiptarë në shumicë, të cilët në shekullin VI vazhdonin ta kishin fytyrën të kthyer nga Roma, nuk kishin asnjë lidhje me provincën maqedone, e cila kishtarisht mbeti e lidhur me Kostandinopojën. Mohimi i këtyre konkluzioneve është një spekulim pa shije.
Të dy këto konkluzione na bindin se, teza e përhapur në historiografinë ballkanistike se në fund të Antikitetit, pra para ngulimeve sllave në Ballkan viset e sotme të Maqedonisë ishin pa banorë, mbështetet në pohime aprioristike pa dëshmi dokumentare. Kundërshtarët e këtyre dy konkluzioneve citojnë jo burimet dokumentare të Antikitetit të vonë, por njëri-tjetrin ose shumë-shumë toponimet sllave që ndeshen në viset shqiptare të Maqedonisë. Toponimet sllave, të cilat sot janë tepër të përhapura jo vetëm në viset shqiptare të Maqedonisë, por edhe në mbarë Gadishullin Ballkanik, nuk ndeshen në shekujt e hershëm mesjetarë. Ato dalin në fushën e burimeve dokumentare më vonë, duke filluar nga shekulli XI e këtej. Nuk është pa vend të përmendim këtu njoftimin që na jep kronisti bizantin me origjinë ilire, Marcelin Komesi, sekretari i perandorit Justinian, me origjinë dardane në veprën e vet "Chronicon". Shkupin ai nuk e vendos në asnjë nga të dyja Maqedonitë, por në provincën e Dardanisë (Marcellinus Comes, Chronicon, ad An. 518). Po ashtu, edhe Hierokli e quan Shkupin "Skupimetropolis", domethënë kryeqendrën e Dardanisë (Synecdemos 655, XVI, 8).
Si përfundim, nuk është e drejtë orvatja e disa historianëve, të cilët kur ngjarje që kanë ndodhur në brezin jugor të Dardanisë antike i përfshijnë si ngjarje që i takojnë Maqedonisë antike dhe mesjetare.

Të shpëtojmë gjuhën shqipe

Nga Fatos DACI
Publicist, historian 

Është koha për të dhënë kushtrimin për mbrojtje qytetare e ligjore të gjuhës shqipe. Shqipja nuk po lëngon nga mungesa e rregullave drejtshkrimore, por nga moszbatimi i tyre.



Është ende i njohur një lloj debati për rishikuar ose për të mos rishikuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Gjuhëtarët dhe historianët janë ndarë në dysh. Madje njëra palë u mbledh kohë më parë në një mbledhje të posaçme me mendimin për ta rishikuar Kongresin e Drejtshkrimit dhe për të revizionuar rregullat e tij drejtshkrimorë. Por, me shumë keqardhje, vërejmë se gjuha shqipe nuk lëngon nga mungesa e rregullave drejtshkrimore, por nga mos zbatimi i këtyre rregullave, nga gjymtimi i përditshëm që po i bëhen kësaj gjuhe kaq të bukur e të ëmbël, e cila nuk ka shoqe tjetër. Si gjymtohet dhe nga kush po gjymtohet?
Deri në vitin 1972, kur më 20 deri më 25 nëntor u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, shqipja nuk ishte e njësuar, nuk ishte e unifikuar në të gjithë territorin shqipfolës e as në territorin e shtetit shqiptar. Deri në këtë kohë përdoreshin në mënyrë krejt të zakonshme si e folmja dhe e shkruara në gegërisht, si e folmja dhe e shkruara në toskërisht. Secili përdorte atë gjuhë që e kishte të nënës. Shteti kishte qëndruar si asnjanës në përdorimin e një shqipeje të njësuar në të folur dhe në të shkruar. Pranoheshin të dy variantet njëherësh dhe secili variant përdorej edhe zyrtarisht.
Zogu bëri një përpjekje për të shqipëruar emrat e fshatrave dhe të krahinave. Për këtë qëllim ai ngriti komisione në çdo prefekturë e qark dhe pasi u krye studimi dhe u dha mendimi shkencor bëri një ligj të posaçëm që, mjerisht, nuk u zbatua asnjëherë. Nuk u zbatua gjatë regjimit të Zogut, se ai i pati ditët e numëruara. Por askush nuk di përse as sot prej askujt nuk po bëhen përpjekje të tilla, më qëllim që këtë gjë të bërë mirë e të lënë në udhë asokohe, ta kthejnë në ligj e normë juridike.
Ndërsa, me Kongresin e Drejtshkrimit mori fund anarkia në përdorimin e përditshëm dhe zyrtar të shqipes. Shqipja u njësua dhe u unifikua për të gjithë shqipfolësit. Përdorimi i kësaj shqipeje të njësuar u bë normë ligjore në shkolla, në institucione zyrtare, në shtypin e kohës, në radio e televizione, në botime etj.; kudo ku përdorej gjuha shqipe. Kështu, zbatimi i këtyre normave drejtshkrimore u bë normë juridike. Ndërkohë, edhe anarkia në vendosjen e emrave të sapolindurve mori fund me një vendim shtetëror, ku të interesuarit dhe zyrat e gjendjes civile ishin të detyruar t’u vinin të sapolindurve emra burimor ilir, duke shmangur në këtë mënyrë emrat me prejardhje nga gjuhë të huaja. As kjo tani nuk zbatohet askund, por edhe të gjithë emrat e mëparshëm me prejardhje ilire janë kthyer në emra grekësh, italianësh, gjermanësh e amerikanësh me vendime të posaçme gjyqësore. Ja sa larg shkon marrëzia vetëm shqiptare! Si duket, një pjese të shqipfolësve, sot u interesojnë vetëm gjëra çasti, para e turp bashkë, e jo vlerat kombëtare, ndër të cilat gjuha shqipe është themeltarja.
Nëse në këto rregulla drejtshkrimore mbizotëroi e folmja dhe e shkruara toskërisht, nëse këto rregulla duhen rishikuar, kjo është një çështje tjetër. Nëse duhet të mbizotëroj e folmja dhe e shkruara gegërisht, edhe kjo është një çështje me të cilën duhet të merren shkencëtarët e gjuhës, të cilët janë ngërthyer me tituj e grada, si askush. Nëse me prishjen e kufijve dhe të raporteve ideologjikë e politikë kanë ndryshuar raportet demografike dhe a duhen marrë në vlerësim këto raporte dhe në favor të cilit komunitet shkojnë, dhe kjo le të jetë çështje e gjuhëtarëve. A është tejngopur gjuha shqipe e shkruar nga “ë”-të vend e pa vend dhe mes të fjalës, le ta gjykojnë gjuhëtarët tanë. Ajo që na shqetëson është fakti i njohur nga të gjithë se shqipes sonë nuk i mungojnë rregullat standarde të të folmes dhe të shkruarit, por mungon vullneti qytetar e institucional për t’i zbatuar këto rregulla.
Gjuha shqipe në këto njëzet vjet është gjymtuar, dhunuar e masakruar aq rëndë, si në të folur dhe në të shkruar. Kur themi në të folur nuk është fjala thjeshtë e vetëm për televizionet e radiot. Këto, po se po, por dhe në të folmen e përditshme. Jo vetëm fëmijët e emigrantëve po mësojnë si gjuhë nëne gjuhën e vendeve, ku jetojnë sot, por edhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri përbëjnë një çudi, deri në marrëzi, në përdorimin vend e pa vend të fjalëve të huaja, si për të treguar se kush jemi e se kushedi çfarë dimë. Në të gjithë mjediset publike, në familje e jashtë saj, dëgjon kaq rëndom fjalët “okej” në vend të fjalës “në rregull” , “yes” në vend të fjalës “po”, “ciao” në vend të fjalës “mirupafshim” etj. Si këto, dhe shumë të tjera, janë futur në mënyra parazitare si huazime në të folmen e shqiptarit, ndërkohë që të gjithë kombet dhe shtetet e tjera flasin vetëm gjuhën e tyre zyrtare, të cilën e ruajnë me fanatizmin më të madh të mundshëm. Kush ka dëgjuar që ata të flasin në shqipen tonë? Askush nuk ka si të dëgjoj, se ata nuk janë kthyer në “majmunë”, që veç dinë të imitojnë të tjerët, ata janë serioz, prandaj kanë bërë e bëjnë dhe shtet, punë e realizime serioze në të gjithë fushat.
Keqpërdoruesi më i madh i gjuhës shqipe është shteti me strukturat e tij. Është me të vërtetë torturuese të lexosh një dokument apo një shkresë zyrtare të hartuar e shkruar në çdo zyrë apo institucion shtetëror. Të gjithë letrat shkruhen pa zbatuar normat më elementare drejtshkrimore, letrare e shkencore; tejmbushjen fund e krye me fjalë të huaja vetëm të dëgjuara, që s’ua dinë as kuptimin ata që i përdorin, por që i përdorin vend e pa vend. Në asnjërën prej tyre nuk përdoret zanorja “ë”, por në vend të saj përdoret zanorja “e”, nuk përdoret bashkëtingëllorja “ç” , por “c”.
Kjo është mënyra e parë. Mënyra e dytë është ajo e tjetërsimit të shqipes sonë me gjuhë të huaja nga shtetarët tanë, qofshin dhe më të lartët e këtij vendi, të cilët, duke shkelur hapur protokollet zyrtare, edhe pse pas kurrizit të tyre kanë flamurin kombëtar shqiptar, flasin në gjuhë të huaja, si në konferenca shtypi, në deklarata, në bisedime ndërshtetërore etj. Dhe, më e keqja është këtë e quajnë si gjënë më të mirë që bëjnë, madje dhe gufosen, se kushedi çfarë bënë. A nuk e shohin me sytë e tyre e nuk dëgjojnë me veshët e tyre se asnjë udhëheqës apo shtetar i lartë i vendeve të tjera nuk flet në gjuhën shqipe?Po këta pse e ndërrojnë, apo e nënvlerësojnë, aq lehtë gjuhën e nënës së tyre?!
Institucioni i parë zyrtar që duhet të mbrojë gjuhën shqipe është Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Por, si mund ta ruaj e ta forcoi gjuhën e pastër shqipe kjo ministri, kur fjalori zyrtar i saj është mbytur egërsisht nga fjalë të vjedhura nga gjuhët e huaja. Këto fjalë përdoren përditë në mënyrë zyrtare dhe kanë zëvendësuar fjalët e bukura të shqipes. Ja disa prej tyre:”Curricula” , “Extra curricula”,” Module”, “claster” etj., kur shumë mirë mund të përdoren në vend të tyre fjalët shqipe “programe”, “jashtëshkollore” ose “jashtëprogramore” , “modele”, “hartë mendimesh” etj.
Gjuhën e bukur shqipe po e gjymtojnë politika dhe politikanët. Dhe kjo ndodh në takime me qytetarët e votuesit, në parlament e jashtë tij, në mbledhja e aktivitete partiake etj. Vërtetë si mish i huaj janë futur në shqipen tonë të pastër e të mirë fjalët” “maxhorancë”, kur shumë mirë mund të përdoret fjala “shumicë”; “minorancë”, kur shumë mirë mund të përdoret fjalë “ pakicë”; “përformancë”, kur shumë mirë mund të përdoren fjalët shqipe “formë” ose “paraqitje”; “votim nominal” kur mund të thuhet e të shkruhet fare lehtë në shqip “votim një nga një”, “suport” kur mund të përdoret fjala “mbështetje”, “kaos” kur mund të përdoret fjala shqipe “rrëmujë”.
Si përdoruesit më të këqij të gjuhës shqipe sot paraqiten gazetarët e radiove, televizioneve dhe gazetave, si dhe autorët e librave të ndryshëm, të cilët në vend të fjalës së ëmbël shqipe, të saj fjale që e kanë dëgjuar veshët e tyre për herë të parë dhe e kanë shqiptuar buzët e tyre po për herë të parë, përdorin pa asnjë kriter fjalë të huaja, huazime e barbarizma, që s’kanë asnjë lidhje as me ilirishten e as me shqipen. Këto gazeta e gazetarë pëlqejnë të përdorin fjalët e huaja si një tentativë për të bërë interesantin a të diturin, ashtu si dhe politikanët e shtetarët. Jo vetëm që ka në vendin tonë dhe gazeta e televizione që as emrin nuk e kanë në shqip, por ka dhe prej atyre që nuk tregojnë interesin më të vogël për të përdorur drejt e me vend fjalën e bukur shqipe. Kushdo dëgjues e lexues ka dëgjuar e ka parë se sa fjalë të huaja janë futur si molës a si glasa pule në fjalorin e përditshëm të shkruar e të folur të këtyre operatorëve. Le të rreshtojmë disa të tilla: “Supliment”, “event”, “eveniment”, “show” etj.në vend që të përdorin fjalët shqipe “shtesë” apo “shtojcë”, “ngjarje” ose “ndodhi”, “shfaqje” etj.
Vetëm sot, duke shfletuar gazetat e përditshme, pamë se sa shumë fjalë të huaja janë futur në vend të fjalëve shqipe në faqe e tyre, madje dhe në titujt e mëdhenj të gazetave, në tituj normal, në mbi tituj, në nëntituj etj. Të tilla fjalë mund të rreshtojmë: “ambjent”, “ aplikim”, “aplikant” ‘emergjente”., “negociata”, “evakuim”, “filial”, “alokim”, “implementim”, “inaugurim”, “draft”, “set”, “evolutiv”, “doping”, “kontestim”, “prioritet”, “axhendë”, “kapitali human”, “probalitet”, “menaxhuese”, “lider”, “heterogjene”, “’kryqëzatë”, “taskë force”,”asimilim”, ‘staf”, “akse rrugore”, “investigim”; kur shumë mirë e shumë lehtë mund të përdoren respektivisht fjalët shqipe: “ “mjedis”, “kërkesë”, “kërkues”, “urgjente” ose “me ngut”, “ bisedime”, “largim”, “degë”, “lëvrim”, “zbatim”, “përurim”, “program” ose ”plan”, “pjesë” “ndryshues”, “drogë”, “kundërshtim”, “përparësi”, “kapital njerëzor“, “qëndrueshmëri”, “drejtuese” ose ”organizuese”, “udhëheqës”, “ndryshme”, “furtunë” “forca speciale”, “përvetësim” , “grup pune”, “rrugë” ose “degëzime rruge”, “hetim” etj. dhe këto keqpërdorime të fjalës shqipe janë nxjerr vetëm për një ditë pa hetuar tekstet e artikujve. E shihni se ç’po ndodh me gjuhën tonë!
Shqiptari nuk e ndjen vetën si në Shqipëri as në Kryeqytet e as në qytetet e tjera. Ai përditë po përballet me një trysni të jashtëzakonshme të gjuhëve të huaja, të cilët veç stresit të zakonshëm po i shkaktojnë një lloj terrorizmi. Të gjitha reklamat janë shkruar në gjuhën e huaj, se të tilla janë emrat e firmave e të bizneseve, fatkeqësisht të miratuara dhe të regjistruara edhe në gjykata e nuk bëhet fjalë thjeshtë për reklama të shkruara në gjuhë shqipe e të përshtatura njëkohësisht edhe në gjuhë angleze, apo në gjuhë të huaja. Të gjithë e shohim për ditë këtë gjendje skandaloze e askush nuk ngre zërin, aq më keq askush nuk ndërhynë për ta ndryshuar këtë mjedis shqiptar, mbytës për shqiptarin. Këtu nuk është fjala as për ksenofobi e as për fobi, nuk mbivlerësojmë e as nuk nënvlerësojmë gjuhën e vlerat e të tjerëve, por kërkojmë që komunikimi i përditshëm dhe zyrtar të bëhet në shqip, se jemi shqiptar dhe jetojmë në Shqipëri. Edhe Maqedonia, e sapodalë shtet më vete nga ish Jugosllavia, më 1995, brenda natës i ndryshoi të gjithë reklamat me një ndërhyrje ligjore dhe ato i ktheu në gjuhë maqedonase. Shembull shumë i mirë është edhe Kosova, ku të gjitha reklamat janë shkruar në gjuhën shqipe të pastër e burimore. Po ne, që aq shumë na pëlqen të themi se duhet të bëjmë si bota, në këtë rast përse vlerat tona të mëdha nuk ruajmë si bota?
Nisur vetëm nga këto konstatime, mendojmë që ka ardhur koha për të dhënë kushtrimin atdhetar në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të pastërtisë saj. Kjo luftë patriotike nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin qytetar. Kjo po, por duhet të ndërhyjë shteti me mekanizmat e tij, duhet të bëjë ligje për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe pa droje gjymtimi dhe keqpërdorimi i gjuhës shqipe duhet të mbrohet dhe me ligj dhe sipas rastit të konsiderohet vepër penale, jo vetëm të konsiderohet kundërvajtje administrative. Duhet të ngrihet urgjentisht një institucion shtetëror që të mbrojë ligjërisht gjuhën shqipe, që të kontrolloi pa ndërprerje gjatë 24 orëve gazetat, televizionet, radiot, shtëpitë botuese, zyrat e shtetit se si e ruajnë ose e dhunojnë gjuhën tonë shqipe dhe t’i ndëshkojnë dhunuesit e saj pa mëshirë. Vetëm kështu do të shpëtoj shqipja jonë e dashur, shqipja jonë e nënës, e cila nuk vuan për mungesë rregullash, por për mungesë të vullnetit për t’i zbatuar rregullat e normat, tashmë të vendosura.

PERËNDIMI NUK E KA HUMBUR TURQINË


Alban Daci

Pasi lexova artikullin e Soner Cagaptay me titull “Modelimi i Turqisë nga Ataturku tek Erdogan”, edhe pse pjesën e parë mund të pajtohem deri diku, nuk pajtohem në pjesën e fundit të artikulli, që ka të bëj me politikën e jashtme të Turqisë. Autori thotë: “Turqia e kënaqur me identitetin e vet islam, do të ndalet së konsideruari veten perëndimore, sidomos duke pasur parasysh rezonancën e një “bote myslimane” të përcaktuar politikisht nga sulmet e 11 shtatorit të 2001, Kjo do të thotë një marrëdhënie gjithnjë e më e tensionuar midis Turqisë e NATO-s”.
Turqia po përjeton një rritje ekonomike shumë të kënaqshme, renditet e treta në Botë pas Kinës dhe Indisë. Paradoksi i Turqisë është fakti, se pikërisht tani që po përjeton një lulëzim ekonomik, ka marrë një mesazh të qartë nga BE-ja që nuk ka asnjë qëllim ta mirëpres në gjirin e saj.
Për shkak të rritjes ekonomike të vendit, ndoshta me të drejtë Erdogan e ka cilësuar vetën si lider historik që simbolizon këtë ndryshim të madh të vendit. Erdogan si dhe Ministri i Jashtëm janë të vetëdijshëm se rritjes ekonomike duhet t’i korrespondojë edhe një politikë e jashtme më aktive dhe ambicioze. Edhe pse Europa herë pas herë është përpjekur të shpjegoi se Turqia nuk mund të jetë pjesë e BE-së, për shkak se ajo nuk ka një realitet social europian. E vërteta është krejt ndryshe. Europa nuk ka guxim ta pranojë në gjirin e saj Turqinë, sepse është shumë e madhe dhe shumë ekzotike. Pra, me pak fjalë, për shkak të anëtarësimit të Turqisë, në BE do të ndryshonin ekuilibrat e forcës. Franca nuk do të ishte më fuqia e dytë si është tani, por me siguri pas anëtarësimit të Turqisë do të kalonte në vendin e tretë.
Megjithatë, Turqia është një vend i fuqishëm dhe për këtë arsye ka në dorë alternativa të tjera të mundshme për politikën e jashtme. Njëri opsion është që Turqia të rikthehet dhe të bëjë rolin e urës mes Perëndimit dhe Lindjes. Strategu kryesor i politikës së jashtme të Turqisë në periudhën Erdogan është Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Ai i ka dhënë jetë politikës “zero probleme” me fqinjët. Këtë princip të rëndësishëm duke qenë në rolin e Ministrit të Jashtëm e ka aplikuar edhe në marrëdhëniet diplomatike me Armeninë, që ka qenë armikja tradicionale e Turqisë. Për shkak të kësaj politike, Turqia nuk ka pasur asnjëherë me parë një imazh kaq pozitiv sa ka sot me fqinjët si dhe në Rajon. Kësaj performance pozitive i bashkëngjitet edhe performanca personale e Erdogan në rolin e një Nasser-i të ri, hero i shesheve arabe, duke sfiduar në pamje të parë Izraelin në lidhje me politikën e tij që aplikon në Palestinë.
Edhe pse vendet e BE-së nuk duan ta anëtarësojnë Turqinë, aktualisht kjo e fundit mbetet një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik dhe burimi kryesor i investimeve të jashtme të Turqisë. Erdogan duke luajtur herë pas herë letrat e nacionalizmi i ka lejuar Turqisë një pozicion të ri dhe të dyfishtë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Turqia e Erdogan është e lidhur me Perëndimit, por qëndron jashtë tij dhe është e lidhur me Lindjen e Mesme, por në pamje të parë qëndron po jashtë edhe pse në të vërtetë luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Politika ambicioze e Ahmet Davutoglu i dhuron Turqisë më shumë aleatë se çdo vend tjetër. Duke qenë në marrëdhënie të mira me tre nga katër miqtë e mundshëm të zonës (duke përjashtuar Izraelin), Turqia ka më shumë opsione se çdo vend tjetër në Rajon dhe kjo bën që të ketë një pozicion qendror dhe të fortë.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është fakti se Erdogan nuk ka aplikuar në vend një ndryshim të menjëhershëm dhe drastik, por ndryshime të rëndësishme të bëra sipas modelit step by step. Një ndër sukseset më të mëdha të Erdogan ka qenë ridemensionimi i rolit të ushtrisë në politikën turke. Me një miks premtimesh (anëtarësimin në BE, demokratizimin e vendit dhe zhvillimin ekonomik), Kryeministri ka arritur le të themi të mënjanojë gjeneralët. Procesin e nisur 20 vjet më parë nga Kryeministri Ozal, më në fund po e kryen Erdogan. Ky është një fakt historik që premton një të ardhme ndryshe për Turqinë.
Edhe pse autori i shkrimit “Modelimi i Turqisë nga Ataturku tek Erdogan”, përpiqet të bëj dallimin mes këtyre “dy epokave”. Megjithatë, Omer Taspinar ka nënvizuar faktin se, kemalizmi dhe neo-otomanizmi (që shumë analistë e simbolizojnë me periudhën e Erdogan) mund të përmblidhen në një paradigmë të re që ai e përcakton si “neo-golizëm”. Pra, Turqia sot nuk është as kemaliste dhe as neo-otomaniste, por neo-goliste. Kjo do të thotë, se edhe pse në vend janë realizuar reforma të rëndësishme, ushtria vazhdon të mbetet institucioni më i rëndësishëm për çështjet e sigurisë.
Erdogan nuk mendon aspak të ketë marrëdhënie diplomatike me vende jo perëndimore si përgjigje kundër Perëndimit. Aktualisht nuk ka asnjë dyshim që për shkak të rritjes ekonomike si dhe politikët së saj më ambicioze, Turqia posedon një soft power më të fuqishme se kushdo tjetër në zonë duke e bërë një fuqi rajonale gjithmonë e në rritje.
Ahmet Davutoglu autor i librit “strategjia e thellë”- deri tani i përkthyer vetëm në greqisht, shqip dhe arabisht- është i mendimit se roli i një vendi në politikën e jashtme përcaktohet nga pozicioni gjeografik dhe nga “thellësia historike”. Ministri i Jashtëm nënvizon faktin, se përderisa Turqia është vend qendror për shkak të pozicionit gjeografik si trashëgimtare për nga ekselenca e Perandorisë Otomane, mund të thyej zinxhirët që deri tani e kanë mbajtur të lidhur dhe të jetë fuqia e parë rajonale e aftë të shtrijë influencën në gjithë zonën euro-aziatike. Davutoglu nënvizon një sferë të re influence që përfshin 9 zona: Ballkanin, Detin e Zi, Kaukazin, Gjirin Persik, Detin e Kuq, Lindjen e Mesme, Mesdheun Lindor dhe Adriatikun Lindor.
Do të ndalesha pak tek zona e Ballkanit. Turqia duhet të intensifikojë marrëdhëniet me “botën shqiptare”. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe “bota shqiptare” me Turqinë. Shqiptarët janë i vetmi populli në rajon që nuk ka një “vëlla”. Shqiptarët janë të rrethuar nga popujt jo miqësor, për këtë arsye duhet të bëhet “vëlla” me Turqinë. Aktualisht Turqia është një vend i madh dhe më një zhvillim të lartë ekonomik. Duhet të theksohet fakti se ajo nuk ka më asnjë pretendim të mirëfilltë territorial në lidhje me shqiptarët, por përkundrazi të dyja palët mund të kenë përfitime të mëdha në interesa ekonomike dhe politike nëse bashkëpunojmë akoma edhe më fort se sa aktualisht. Forcimi i lidhjeve me Turqinë do të fuqizonte rolin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe do të zvogëlonte peshën e rivalëve të saj në këtë zonë.
Nuk është aspak e vërtetë se Turqia po i kthen shpinën Perëndimit. Ahmet Davutoglu ka thënë se: “Partnership turko-amerikan nuk është vetëm “strategjik” por edhe “unik”, nga momenti që unike janë dhe karakteristikat gjeografike të dy vendeve”. Shtetet e Bashkuara duke qenë super fuqia e parë e historisë dhe duke qenë larg zonës euro-aziatike, mund ta mbajnë super fuqinë e tyre globale vetëm duke ndërtuar aleanca mbi përgjegjësin gjeopolitike me fuqitë rajonale të Euro-Azisë dhe në veçanti me Turqinë, e cila për shkak të pozicionit të saj gjeografik është e përfshirë në të gjitha sfidat kryesore të pranishme në agjendën e politikës amerikane.
Rritja e përfshirjes së Turqisë në shahun euro-aziatik, përforcon lidhjet turko-amerikane. Bashkëpunimi me një fuqi globale si Shtetet e Bashkuara përfaqëson për Turqinë një mënyrë për të rritur përfitimet që rrjedhin nga adoptimi i një politike të jashtme aktive në thellësinë e saj strategjike.
Në fakt, objektivat e ndjekura nga Ankaraja janë plotësuese – ose më mirë të themi identike- me ato të Shteteve të Bashkuara, në veçanti me atë që ka të bëj me konfliktin izralian-palestinez, Irakian e Iranian. Në thelb Ankara dhe Uashington ndajnë të njëjtin objektiv strategjik: të pengojnë Iranin të zotërojë bombën atomike.
Perëndimi nuk e ka humbur Turqinë. Siç thekson F. Stephen Larrabee, në skenarin aktual “nuk mund të pritet se Turqia do të reagojë si në periudhën e Luftës së Ftohtë, është e nevojshme që marrëdhëniet turko-amerikane të riorganizohen mbi baza më të ekuilibruara. Amerika nuk duhet më vetëm t’i jap urdhra Turqisë, por duhet t’i lerë më shumë hapësirë për evoluimin e saj në Lindjen e Mesme.

e enjte, 18 gusht 2011

Shqipëria duhet të flas shqip

Nga Fatos Daci
Publicist, historian


Shqipëria duhet të flas shqip

Ahmet Zogu i shqipëroi për herë të parë e të vetme të gjithë emërvendet, Ja emrat e rinj të fshatrave, një për një për të gjithë Shqipërinë

Pak ditë më parë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik, u njoha me shqetësimin që emrat e fshatrave tona janë me ndikime e trajtë të huaj. Kur është fjala për shqetësime e interesa kombëtare për mua nuk ka rëndësi se cilët janë ata që shtrojnë çështje e probleme të karakterit kombëtar, se të gjithë këta ia duan të mirën vendit të vet. Ndaj, kushdo qofshin meritojnë respektin tim.
Më erdhi mirë që një problem kaq serioz e shqetësues për kombin tonë u artikulua botërisht. Shqetësimi i ngritur tani nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët, por një problem kombëtar, i akumuluar ndër vite për t’u bërë një ditë publik. Plot 74 vite më parë ky problem, që ngrihet sot, nuk qe problem OJQ-sh e individësh, por një problem shtetëror e qeveritar, që mori zgjidhje.
Por nuk mund të mos shpreh keqardhjen që ky shqetësim nuk u ngrit asnjëherë nga institucione të specializuara te shtetit shqiptar, si dhe as nga një mori institutesh të “pavarura” (që të gjithë të varur te politika), që kanë mbirë si kërpudha për të zhvatur para nga donatorë vendas e të huaj, por, që pak ose aspak po u shërbejnë interesave kombëtare.
Tani më nuk është i panjohur fakti që shumica e emërvendeve;të fshatrave, lagjeve, qyteteve, lumenjve janë me prejardhje e ndikime nga gjuhë të huaja të shteteve fqinje. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të pushtimeve afatgjata e afatshkurtra të vendit tonë nga shumë shtete e kombe të tjera, të afërt e të largët.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë njohur sulmet e pushtimet e fiseve barbare të gotëve, astrogotëve, visigotëve, hunëve, avarëve, maqedonasve etj. Shqipëria e shqiptarët kanë njohur tri pushtime rreth 500-vjeçare secili prej tyre- të romakëve, bizantëve dhe osmanëve. Vetëm në periudhën 1912-1944, gjatë 32 viteve, Shqipëria ka njohur invadimet e pushtimet serbe, bullgare, austro-hungareze, malazeze, greke, italiane e gjermane; plot 8 shtete e tetë kombe të tjerë.
Të gjithë këta pushtues barbarë shkatërruan e plaçkitën çfarë gjetën mbi tokë. Ata vranë e masakruan mijëra atdhetarë shqiptarë, që nuk duronin zgjedhën e pushtimit dhe luftuan kundër tyre, të gjithë ata që mbrojtën vatanin, gjuhën e flamurin. Por dëmi më i madh që i sollën këtij vendi qe shkatërrimi i kulturës iliro- shqiptare dhe injektimi në vend të saj i kulturave të tyre.
Nga pushtuesi i parë e deri tek më i fundit e dinin mirë se sa më shumë të pushtonin shpirtin e mendjet e shqiptarëve, aq më rehat sundonin dhe më shumë zgjasnin pushtimin e tyre. Ndaj e filluan nga kjo anë. Të gjithë fuqitë pushtuese punuan për këtë qëllim me laps e me program. Fillimisht goditën ndjenjat fetare. Të krishterët ndërtuan pafundësisht kisha e objekti të tyre të kultit. Myslimanët ndërtuan me po aq zell xhami e tyrbe. Ekspansioni fetar qe në plan të parë të tyre, sepse shumica e pushtuesve nuk qenë shtete laikë, por qenë shtete ideologjikë fetarë. Ky ekspansion fetar vazhdon edhe sot me të gjithë format e mënyrat dhe konstatohet lehtësisht nga kushdo, herë si një përpjekje tinëzare e herë e hapur e antishqiptarëve për të përmbysur raportet reale fetare, ashtu si ethshëm po tentojnë të ndryshojnë raportet etnike.
Të mos harrojmë, atë që e bënë në shekuj e mijëvjeçar, po e bëjnë edhe sot qetë-qetë, pa i trazuar askush. Dhe ngushëllohemi, se, po “globalizohemi”, po “evropianizohemi”! Po në cilin shtet fqinj, mund ta kenë bërë dhe mund ta bëjnë shqiptarët, atë që të tjerët po e bëjnë kundër nesh? Në asnjë prej tyre, se edhe pse ato vende e ata qytetarë “globalizohen” e “evropianizohen”,ashtu si ne, po guxove të bësh në vendet e tyre atë që ata bëjnë këtu, ta shkurtojnë gjuhën e t’i presin këmbë e duar!
Të gjithë pushtuesit, me po aq zell sa punuan për të përpunuar mendjet e besimtarëve, punuan edhe në fushën e etnokulturës, duke futur elementë të veshjes, zakoneve, kuzhinës e të gjuhës së tyre. Ndër këta elementë ata si më të rëndësishmin konsideruan emrat e vendeve në gjuhën e tyre, të cilat në planin afatgjatë ishin për ta piramida të vërteta territoriale në brendësi të vendit tonë. Të gjithë e shohin se, edhe sot, këto piramida të vëna prej tyre në kohë pushtimesh, shovinistët po i përdorin si alibi në luftën e ethshme të tyre për të ndryshuar raportet etnike në Shqipëri, me synimin e vetëm për ta kthyer vendin tonë, ashtu si nuk është, në një shtet multietnik.
Po t’u hedhësh një vështrim të gjithë emrave të fshatrave, lagjeve e qyteteve dhe të lumenjve, të parcelave e të ngastrave të tokës, të shumtët janë me ndikime e huazime nga vendet pushtuese fqinje.
Emërvendet e Lindjes, Verilindjes dhe të Veriut janë me prejardhje sllavo-maqedonase-bullgare, të Veriperëndimit me prejardhje malazeze, pjesa bregdetare perëndimore me prejardhje romake, të Jugut e Juglindjes me prejardhje greke.
Në këtë rast nuk kam si qëllim të pasqyrojë vlerat e padiskutueshme shtetformuese të regjimit të Ahmet Zogut, por mbreti Zog ishte ai që bëri tentativën e parë dhe të vetme për t’i shqipëruar të gjithë këto emërvende me prejardhje nga gjuhët dhe ndikimet gjuhësore të pushtuesve. Një përpjekje e tillë nuk u bë as gjatë regjimit të gjatë komunist e as në këto njëzet vite që ne, shqiptarët, i quajmë rëndom vite të tranzicionit.
Ishte mbreti Zog që këtë fenomen nuk e la vetëm si shqetësim qytetar e atdhetar. Në pranverë të vitit 1937 shqetësimi për emrat me ndikime të huaja e të imponuar nga të huajt u ngrit në Parlamentin Shqiptar, i cili votoi për ndryshimin e tyre. Me dekretin e datës 5 maj, Zogu I, Mbret i Shqiptarëve vendosi për ndryshimin e emrave dhe autorizoi qeverinë për të vepruar. Qëllimi i këtij dekreti shprehet qartë në Nenin 1, ku shkruhet: “Autorizohet qeveria për të zëvendësuar me emra të përshtatshëm ato të disa prej qyteteve, katundeve, lagjeve, lumenjve të Mbretërisë, të cilat kanë humbur në kohën e shkeljeve dhe okupacioneve të huaja emrat origjinalë të tyre për të marrë emra të imponuar nga të huajt”.
Në zbatim të ligjit mbi “Ndryshimin e emrave të disa katundeve, qyteteve, lagjeve, lumenjve etj” në të gjithë prefekturat e mbretërisë u ngritën komisione shtetërore, të cilat do të bënin studimin e konvertimin e të gjithë emërvendeve të deriatëhershme. Ndërkohë, në çdo komunë apo bashki u ngritën komisione të tjera vendore. Në krye të komisionit qeveritar ishte Ajet Libohova. Pas 14 muajve pune intensive komisionet shtetërore vendore të komunave, të bashkive dhe të prefekturave të vendit kryen studimet e duhura dhe morën vendimet përkatëse, të cilat ia paraqitën komisionit qendror. Komisioni qendror, në gusht të vitit 1938 ia paraqiti komisionit të posaçëm të qeverisë për miratim. Në përbërje të Këshillit të Ministrave që vendosi për ndërrimin e emrave morën pjesë Faik Shatku-zv.kryeministër e ministër i Drejtësisë (që drejtoi edhe mbledhjen), Ekrem Libohova-ministër i Jashtëm, Musa Juka-ministër i Brendshëm, Kolë Thaçi-ministër i Financave, Abdurrahman Dibra-ministër i Arsimit, Rrok Gera-ministër i Ekonomisë. Siç shihet dy (të dy ministra) nga 6 anëtarët, madje njëri dhe kryetari i këtij komisioni, qenë dibranë.
Në përfundim të shqyrtimit Këshilli i Ministrave me një vendim të posaçëm vendosi që emrat e katundeve, qyteteve, lagjeve e lumenjve të ndryshohen siç do t’i bëjmë të ditura më poshtë. Për ilustrim po marrim disa nga prefekturat, ku ndikimet e huaja kanë qenë më të mëdha e për të cilat pretendimet shoviniste janë akoma më të mëdha. Këto prefektura janë në skajet e kufijve të sotëm shtetëror, por i njëjti fenomen ka ndodhur edhe në të gjithë prefekturat e tjera, edhe pse ata ndodhen në brendësi të vendit.
Le të fillojmë me emrat e vendeve, ku pretendimet shoviniste sllavo-maqedono-bullgare janë ngritur në sistem nëpërmjet shoqatave dhe të partive të tyre antishqiptare të ngritura mbi baza të pretendimeve etnike “të pakicave” të tyre kombëtare.
Prefektura e Dibrës: Nga 153 fshatra (pa nënprefekturën e Burrelit) nuk ndryshuan emrat e 34 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 119 fshatrave (80 % e të gjithë fshatrave), si më poshtë: Bellovë-Bardhushe, Cerjan-Kërrabaj, Çetush-Bregasi, Dohoshisht- Hysenaj, Grevë-Grindushë, Ilnicë-Kreshtë, Melan-Miellaj, Pejkë - Bishtore, Pjeçë-Kurrizaj, Pollozhan-Kuqelinë, Rabdishti-Lugina, Rrashnapojë - Rrafshinë, Staravec-Shëngjergj, Tomin-Dëshmoraj, Trepça-Vjeshta, Ushtelenza-Begata, Zagradi-Qytetëza, Zimuri-Dimnori, Hoteshi-Tejdrini, Lishani-Ledhaj, Luznia-Petritaj, Allajbegi-Draguoni, Bllata e Epërme-Burimi i Epër, Bllata e Poshtme-Burimi i Poshtëm, Çernena-Zheshkorja, Dovolani-Lëndina, Grazhdani-Moisiu, Kërçisht i Epër-Gur i Epër, Kërçisht i Poshtëm-Gur i Poshtëm, Kllobçisht-Lisi i Madh, Kovashica-Farkëtorja, Oboku-Bujkaj, Pesjaka-Rranxa, Pocesti-Ujmira, Popinara-Pjeshkorja, Vojnika-Brrakaj, Bahutaj-Mallasi, Bulaçi-Kulaçi, Blliçaj-Shalësi, Borovjani-Përpjekasi, Brest i Epër-Brezi i Epër, Brest i Poshtëm-Brez i Poshtëm, Berzhdani-Karahasanaj, Deshati-Gjylaj, Kishavec-Kishaj, Limjani-Lymaj, Sohodolli-Thatina, Shimshani-Shëmria, Vranjt-Pishaj,Kalla-Kallëza, Sllatina-Floriri, Shumbati-Dushkaj, Venishti-Vëneshta, Ratkaj-Rrathaj, Selishta-Shpatinaj, Bulqiza-Bylmetaj, Dushaj-Njomëza, Vajkal-Vrapkali, Krajka-Krekëza, Lubaleshi-Pjellorja, Safraçani-Tryezgjana, Strikçani-Thatushi, Zerqani-Arta, Boçeva-Kuqlashi, Çereneci-Sukthi, Gjorica e Epër-Bukuroshi i Epër, Gjorica e Poshtme-Bukuroshi i Poshtëm, Homeshi-Skënderaj, Kovashica-Guramira, Mazhica-Kështenjasi, Okshatina-Miroshi, Stushaj-Dushkaja, Topojani-Ura, Borova-Brinjasi, Gjinoveci-Gjinaj,Klenja-Theknore, Sebishti-Trimaj, Strebleva-Shllinëza, Trebisht Çelepi-Treanas i Mesëm, Trebisht i Epër-Treanas i Epër, Trebisht Muçinë-Treanas i Poshtëm, Zabzun-Ushtima, Lejçani-Gurakuqi, Lladomerica-Djegas, Okshtuni-Hoxhëmuglli, Ostren i Madh- Plakasi i Madh, Ostren i Vogël-Plakasi i Vogël, Radoveshi-Ranga, Smolliku-Shkoza, Tërbaçi-Thakas, Tuçepi-Kumbulla, Golevishti-Shpatllasi, Izvira-Bushaj, Sepetova-Gropaj, Mireshi-Miraj etj.
Prefektura e Kosovës (Kukësit):
Për nënprefekturën e Qendrës nga 28 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 9 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 19 fshatrave (rreth 70 % e tyre), si më poshtë: Brruti-Thupra, Gostili-Gushtaj, Myçi-Rrasa e Lekës, Dobruca-Ujmira, Peraj-Bardhoshaj, Perollaj-Lugina, Vranishta-Malishta, Zaharishta-Trojëza, Nikoliqi-Nikolaj.
Për në prefekturën e Lumës, nga 76 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan 29 prej tyre dhe ndryshuan emrat e 47 fshatrave (ose 60 % e tyre), si më poshtë: Bardhoc-Bardhoshi, Bela-Bardhaj, Borja-Lulëzimi, Brekinja-Bregina, Cernaleva-Pyllishta, Kollovozi-Kodraj, Kasharishta-Kepaj, Novosej-Katund i Ri, Oreshka-Rreshka, Orgjosta-Burimaj, Shishtaveci-Fushaj, Zapodi-Pikllimaj, Bushtrica-Ranishte, Kllasi-Kalisi, Ploshtani-Plotaj, Radomira-Bukuroshi.
Për nënprefekturën e Malësisë së Gjakovës, nga 145 fshatra gjithsej nuk ndërruan emër 41 prej tyre dhe i ndërruan emrat 104 fshatra (70 % e tyre), si më poshtë: Myhejani-Mehaj, Vladi-Fusha, Leniçi-Lendishti, Zharka-Brezdaja, Bratoshnica -Vllaznija, Koçanaj-Kallishta, Tepla-Pla, Peraj-Bjeshka, Raja-Shkambi, Dushaj-Dushkaja, Dojane-Kuvendi, Resuj-Rreth Uji, Viliq-Leka i Zi, Radogosh-Dëshira, Visoç-Sukthi, Vatoc Vidric-Fangu i Vogël etj.etj.
Prefektura e Elbasanit: Nga 180 fshatra, nuk ndryshuan emrat e tyre 92 fshatra dhe i ndryshuan 88 fshatra, pra, rreth 50 % e tyre, si më poshtë: Bradasheshi-Bregsheshi, Godoleshi-Pemëza, Jagodina-Oriza, Jateshi-Trashi, Karakullaku-Mbikusha, Kozani-Edhëza, Kuqani-Arrasi, Meliza-Mbleta, Murriqani-Uriqaj, Petreshi-Gjurmasi, Reçani-Lisaj, Shushica-Rraza, Martaneshi-Kaptina, Fenarsi-Flaka, Kostenja-Gështenja, Zdrajsha-Muzhagja, Biçakaj-Briskaj, Broshka-Shkumiza, Kajani-Shkëmbi, Budini-Bletëza, Dushkani-Dushkaja, Koçani-Koçaj, Isufmuçani-Muçani, Terbsaçi-Rrushnaja, Viskiqi-Vendkeqi, Babja-Shulorja, Dragostunja-Melqiza, Gizaveshi-Lajthiza, Hotolishti-Balldrethi, Kokreva-Kokrraj, Letmi-Verasi, Vulçani-Gjemthi, Bezeshta-Qyteta, Oraka-Uraka, Rashtani-Ballkuqi, Raica-Suta, Somotina-Bardhaj, Skroska-Shtresa, Straniku-Shqiponja, Vehçani-Shpatza, Jeronishti-Lana, Zavalina-Maskartha, Bejliku-Prona, Bizhdeni-Dafinëza, Gostima-Ujza, Shtermeni-Shkozet, Serica-Verriza, Terepsenishti-Bliza etj. etj.
Vazhdojmë me emërvendet e Juglindjes, tek të cilat konstatohen ndikime maqedone e greke.
Prefektura e Korçës:
Nga 137 fshatra gjithsej nuk ndryshuan emrat e 35 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 102 fshatrave (ose 75% e tyre), si më poshtë: Barçi-Bardhi, Belartoja-Mesi, Biranji-Niraj, Boboshtica-Manëza, Bellovoda-Ujë i Bardhë, Bulgareci-Arbëri, Çiflik Shemoll-Fushëkuqi, Dersniku-Lakthi, Dishnica-Mullias, Drenova-Thanëza, Dvorani-Kurtaj, Kamenica-Mulçija, Orman Çiflik-Gjashtë Dëshmorët, Polena-Pullazi, Porodina-Rushaj, Pulaha-Pulaj, Ravoniku-Rafshaj, Rembosi-Drithas, Vashtemija-Vashëza, Vinçani-Vinjolli, Voskopi-Vreshtëza, Nikolica-Nikaj, Sinica-Mollëza, Kolaneci-Kalaji, Liboniku-Shelgasi, Pirku-Prika, Plovishti-Plepaj, Pocesta-Prita, Vloçishti-Reza, Zvirina-Burimasi, Brozdoveci-Degaj, Peshtani-Brinjari, Rosoveri-Rosaj, Toroveci-Koroziu, Varvara-Varrëza, Vrepcka-Harabeli, Xerja-Kryebardha, Doberçani-Shkrepaj, Copeli-Kopshti, Moglica-Liresi, Zemblaku-Zembraj, Podgorija-Temali, Zvezda-Gelqerasi, Posteci-Shen Pali, Gjergjevica-Gjergjaj, Kushova-Pishaj, Lozhani-Vreshtari, Osoje-Bredhasi, Tresova-Hijëza, Grabocka-Kueba, Leshnje-Lathias, Lubonja-Dashasi, Panariti-Dashamiri, Stratoberdha-Ushtriza, Treska-Arishta, Trebicka-Tribigasi etj. etj.
Tani vijojmë me Jugun e Shqipërisë, ku hasen ndikime greke.
Nënprefektura e Leskovikut: Nga 32 fshatra, nuk i ndryshuan emrat e mëparshëm 12 prej tyre, ndërsa i ndryshuan emrat 20 fshatra, si: Cercka-Bukëz, Çarshova-Mazaraku, Hosecka-Shpati, Leshova-Ripas, Pobickë-Vashëza, Postenan-Morriza, Radanj-Rradha, Radat-Rrodhëza, Rodohova-Punmira, Sarandopori-Vehaj, Vrepcka-Pjeshkëza, Izgar-Shkoza, Kovaçisht-Farkaj, Kreshova-Dardhas, Melani-At Stathaj, Mbreshtani-Breshta, Toranik-Ahishta, Zguraleci-Guraleci.
Nënprefektura e Kolonjës:Nga 50 fshatra gjithsej, 22 fshatra nuk i ndryshuan emrat, ndërsa 28 fshatra i ndryshuan emrat e mëparshëm, si: Bejkova-Bujarasi, Borova-Pishaj, Gostivishti-Rrushkaj, Kodra-Kreshniku,Mesiçka-Mshikza, Psari-Peshkasi,Rehova-Bubullina, Vodica-Shenkolli, Zharkanji-Zezaka, Gozhdarazhde-Çmershi, Kamniku-Gurishtë, Leshnja-Lajthia, Radimishti-Gurëza, Bezhani- Grykaj, Koseli-Kedhasi, Skorovoti-Shendelli, Mileci-Kroj i Madh, Lencka-Gurë i Bardhë, Orgocka-Pendari, Selinicë e Pishës-Pyllasi.
Prefektura e Gjirokastrës:
Në komunën e Qendrës, nga 80 fshatra, nuk ndryshojnë emër vetëm 22 fshatra dhe e ndryshojnë emrin 58 fshatra (75 % e gjithë fshatrave), si më poshtë: Derviçan-Kukel,Dhoksat-dushka, Dhuvjan-Pronjat, Frashtan-Arbëri, Goranxi-Gur i Zi, Gorice-Bregu, Grapshi-Gravë, Hashova-Drague, Kakozi-Miraj, Nokova-Visi, Palokastra-Kështjella, Sofratika-Shufrati, Saraqinishta-Gjerni, Tranoshishta-Trandaj, Vanista-Vëneshta, Cepuna-Çepaj, Zhulat-Shulaj, Dropull-Fusha e Drinit, Deshnica-Dërrasa, Hoshtova-Kodra, Nivani-Nënmali, Sheperi-Sipër, Topova-Lajthiza, Konispoli-Çamëria, Çuçat-Cuca, Aligat-Trilagje, Dishat-Vishëza, Ninat-Nënëza, Perdhihor-Fëllenza, Çiflik-Fushaj, Grave-Lajthizë, Grazhdan-Drizë, Kakat-Kalaj, Kullurice-Kulperi, Qeburja-Rinia, Soponiku-Botkuqi, Zmineci-Dimnori, Theollogo-Rapëza, Vagalati-Vlaga, Vrina-Vrima.
Nënprefektura e Delvinës:
Nga 41 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat 3 fshatra dhe i ndryshuan emrat 38 fshatra, si më poshtë:Brailat-Brrylaj, Kokodhiq-Merinoti, Kardhikaq-Kërthias, Kalase-Rebesh, Karakaxh-Pemza, Kopaçe-Ferras, Kongoc-Kungaj, Lefterhor-Liria, Mavropulli-Zezar, Mesopotam i Poshtëm-Meslumaj i Poshtëm, Mesopotam i Sipërm-Meslumaj i Sipërm, Palavli-Pallati, Senica-Kullosaj, Vergo-Purteka, Dhrovjani i Sipërm-Kastrioti i Sipërm, Dhrovjani i Poshtëm-Kastrioti i Poshtëm, Leshnica e Sipërme-Lajthiza e Sipërme, Leshnica e Poshtme-Lajthiza e Poshtme, Çerkovica-Rrethina, Valahove-Vllazeri, Ardhosova-Ardhas, Dhivri-Dibri, Ymer Efendi-Omertaj etj.
Nënprefektura e Tepelenës: nga 54 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrin e mëparshëm 18 fshatra dhe 36 fshatra (60 % e tyre) e ndryshuan emrin e mëparshëm, si më poshtë: Breçishta-Fatosi, Berça-Grykëza, Hormova-Hardhija, Kashishta-Zallishta, Labovë e Madhe-Laborë e Madhe, Labovë e Vogël-Laborë e Vogël, Memaliaj-Sharkaj, Mexhgorani-Merguraj, Peshtani-Qyteza, Veliqoti-Veliaj, Kalivaçi-Donije, Kamshishti-Mesari, Koshtani-Gershtanizi, Levani-Luani, Qesarati-Qeshaj, Lapmartallozi-Qafëza, Mahmut Gjinaj-Gjinaj, Matoha Sanaj-Mataj, Salarija-Shpati, Gllava-Çukëza, Zvori-Burimi, Komari-Kodrina, Maricaj-Merjani, Rabije-Lisi, Selcka-Kopshtina, Zhabotika-Majasi etj.
Prefektura e Beratit: Nga 137 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 84 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 53 fshatrave, si më poshtë: Bistovica-Kështjellëz, Dobroniku-Bukuranje, Gjoroveni-Mali Plak, Kulalakut-Lahut, Mbolan-Bajames, Uznova-Fushgjata, Velobishti-Defrimi, Vetoniku-Dardhanj, Kuçova-Vajguri, Qereshniku-Qershajn, Çoragjaf-Qafaj, Plashnik-Kreshnik, Drenovica-Drithas, Sllanica-Shenjas, Velmishti-Fatmiri, Malishova-Karaflanj, Poliçani-Rosanjë, Hallvaxha-Kodras, Polozhani-Pëllumbas, Skrevani-Shkrepaj, Vokopola-Kryegregas etj.
Prefektura e Vlorës:
Nënprefektura e Himarës: nga 7 fshatra, nuk ndryshuan emrat 4 prej tyre dhe i ndryshuan emrat 3 fshatra, si më poshtë: Qiparo-Gjinovleshi, Dhërmi-Gjolekaj, Vuno-Malaj, ndërsa Himara, Palasa, Kudhësi dhe Piluri nuk ndryshuan nga forma e parë.
Nënprefektura e Vlorës: Nga 91 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat për 56 fshatra dhe ndryshuan emrat e 35 fshatrave si më poshtë:Tophana-Lagjja e Flamurit, Varosh-Kaçanik, Drashovicë-Drangaj, Kropisht-Fjerza, Movrovë-Fitorja, Budina-Verri, Golimbas-Pellambas, Ploça-Amantina, Sevaster-Kunorë, Velçe-Shpellaj, Brataj-Shkambi i Kuq, Gumenicë-Bigaj, Vranishtë-Zallishtë, Ramicë-Ramaj, Smokthinë-Zhgabaj, Brusja-Limaj, Gerneci-Arza, Karbunari-Thengjillas, Treshovë-Kështjellë, Bestrovë-Plepaj, Hoshtimë-Ushtimë, Kerkove-Shkrepaj, Zvernec-Rrethujëza, Bunavi-Verore, Aliban-Aliasi, Grabian-Gropaj, Novoselë-Katund i Ri, Sofratinë-Sopi.
Nënprefektura e Sarandës:
Nga 24 fshatra gjithsej, nuk ndryshuan emrat e 10 fshatrave dhe ndryshuan emrat e 14 fshatrave (60 % e fshatrave), si më poshtë: Saranda-Zogaj, Metoq-Metaj, Trembull-Tremburi, Gjiashte-Gjashte, Karalibaj-Likaj, Kalive Shushi-Sheshi, Bredan-Brija, Çaush-Rreshteri, Vermero-Kalina, Çiflik Vana-Vena, Ksamili-Mulliri, Hundecovë-Hundaj.
Emrat e këtyre njësive vendore të marra në analizë kishin ndikimet më të mëdha dhe pësuan ndryshime dërrmuese. Nga gjithsej 1233 fshatra, nuk i ndryshuan emrat e mëparshëm vetëm 471 fshatra, ndërsa 762 fshatra ( 62 % e totalit) i ndryshuan emrat e mëparshëm.
Por kemi dhe nënprefektura, ku ndikimet qenë më të vogla dhe për rrjedhojë edhe ndryshimet pati fare pak. Këto nënprefektura në brendësi të vendit dhe në periferi pothuajse nuk kanë rënë nën pushtim ndaj dhe kanë pasur dhe ndikime të më pakta.
Nënprefektura e Burrelit: Nga 164 fshatra gjithsej ( se atëherë Burreli kishte në juridiksion edhe fshatrat komunave Lurë dhe Selishtë, si dhe disa fshatra të Mirditës) ndryshimi përmbajtësore pësuan vetëm 10 fshatra, si: Bishkashi-Pishkashi, Klosi-Dullinjasi, Bejni-Shkreptima, Derjani-Derëgjani, Boshiqi-Krismajt, Kome-Këmbaj, Midha-Millëz, Karica-Karriza, Fsheti-Fshati, Shlliu-Shenllija.
Nënprefektura e Mirditës: Nga 45 fshatra gjithsej asnjërit nuk i ndryshoi emri.
Nënprefektura e Pukës:Nga 50 fshatra gjithsej, ndryshuan formën e parë vetëm dy fshatra: Spas -Shpëtimi dhe Vau i Spasit-Vau i Shpëtimit.
Nënprefektura e Lezhës: Nga 83 fshatra gjithsej, ndryshoi emri i vetëm një fshati: Krajmi-Skaj.
Nënprefektura e Malësisë së Madhe: Nga 94 fshatra gjithsej, vetëm 14 fshatra morën emër të ri, si: Dobre-Nënkodër, Potgore-Rranxë, Bogiq-Trojë, Kamice-Vau, Llazan-Vneshtë, Zhupa-Tregu, Okol-Rrethi, Stare-Katund i Vjetër, Goraj-Malishtë, Gradec-Qytezë, Bratosh-Vllaznia, Rahovica-Kodra, Vermoshi-Orajt, Vrata-Grykë.
Nga 436 fshatra të këtyre 5 nënprefekturave morën emra të rinj vetëm 27 fshatra, ndërsa 409 fshatra ruajtën emrat e mëparshëm. Pra, ndryshuan emrat e mëparshëm vetëm 7 % e fshatrave të tyre.
Siç e konstatoni për disa fshatra bëhet shqiptimi i drejtpërdrejt i emrit të huaj në shqip. Sigurisht, kur përkthimi i drejtpërdrejt na jep një emër jo fort të këndshëm e të dëshirueshëm, duhet menduar për të gjetur një formë tjetër më të pranueshme. Disa fshatra të tjerë i morën emrat e rinj duke pasur parasysh pamjen fizike të tyre, relievin dhe pozicionin gjeografik, si p.sh. Pishaj, Kërrabaj, Bregasi, Kreshta, Rrafshorja, Bishtorja, Kurrizaj, Lëndina, Lisi i Madh, Lisi, Shkoza, Gropaj, Lugina, Kodraj, Bregorja, Shkambi, Shpatinaj, Shpati, Zallishta, Verriza, Pishaj, Driza, Shkrepaj, Dimnori, Hijëza, Qyteza,Lajthia, Fushgjata, Mali Plak, Qafaj, Kodras, Verri, Shkamb i Kuq, Plepaj, Shkoza, Ahishta, Pyllasi etj.. Të tjerë fshatra i morën emrat e rinj duke pasur parasysh vlerat prodhuese të fshatit, si p.sh. Pjellorja, Burimi, Thatina, Thatushi, Kumbulla, Gështenja, Kështenja, Vreshtëza, Vëneshta, Kullosaj, Kopshti, Kungaj, Bajamas, Drithas, Arza, Pjeshkëza, Dardhas, Hardhija etj. Të tjerë duke pasur parasysh vlerat etiko –qytetare të atyre fshatrave dhe të banorëve të tyre, si p.sh. Shqiponja, Trimaj, Tryezëgjana, Dashamiri, Dëshira, Dafinëza, Ushtima, Ujmira, Bukuranje, Vashëza, Defrimi, Morrina, Pellambas, Lagjeja e Flamurit, Fitojra,Kreshniku, Kështjellë, Verore, Bukëz, Punmira, Rrodhëza, Mshkiza, Pendari etj. Sigurisht, në të gjithë këtë mori emrash ka edhe gjetje jo të përshtatshme, si p.sh. Bukuroshi, Floriri, Bukuroshi i Epër e Bukuroshi i Poshtëm, Miroshi, Thëllenza, Miraj, Vashëza, Defrimi, Morrina, Mshkiza, Punmira, Rrodhëza, Rreshteri, apo Kastriot i Poshtëm dhe Kastriot i Epër në Gjirokastër, kur ishte dhe u listua përsëri fshati Kastriot i Dibrës etj. Mangësi të tilla janë të pashmangshme, por të korrigjueshme. Megjithatë kjo ishte një punë shkencore e vërtetë e serioze, që duhet konsideruar si bazë nisje. Ndaj, pikërisht këtu duhet të nis edhe starti i sotëm.
Të gjithë ata shtete e kombe që janë patriotë të mëdhenj për vendin e tyre janë në ballë të zhvillimit, mirëqenies e të politikës botërore. Ndaj, mendojmë se ka ardhur koha që kjo punë shkencore e nisur në kohën e mbretërisë së Zogut të zyrtarizohet edhe një herë nga qeveria e sotme shqiptare. Dhe jo vetëm të lihet në letër, por të zbatohet me rreptësi. Ky do të ishte fillimi i të folmes shqip nga shqiptarët.