e diel, 29 janar 2012

Sovraniteti i kontestuar

Heqja e emërtimit Republikë, në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, është kontestim i shtetësisë, kompromis dhe eventurë e pacipë me vullnetin politik të popullatës shumicë shqiptare, të cilët jetojnë në trojet e veta etnike e autoktone. Çdo lëshim i mundshëm qe cenon autorësinë e sovranitetit të Kosovës, është sindromi i parë i “virusit” për rrënimin e fleksibilitetit të shtetësisë. Shenjat e para të “pazarit” me shtetin, tashmë janë dhënë, se cili do të jetë çmimi i kësaj gare, kjo varet nga komprimisi qe “patriotët” tanë mund të bëjnë për sovranitetin në shkëmbim të pushtetit. GJND-ja nuk e mbrojti shtetësinë tonë, për ta dhënë me koncesion institucionalistët e retarduar.  

Shkruan: Ramiz BOJAJ

Atë qe Kosova e fitoi në betejën ushtarake (NATO-UÇK) kundër Serbisë ish-pushtuese, po e humbë në tavolinën e bisedimeve. Lëshimet, qe Republika e Kosovës po i bënë Serbisë fqinje në rrugën e integrimeve evropiane, len përshtypjen e pafajësisë së shtetit serb, për luftën dhe krimet e saja kundër popullit tonë. Në shumë raste, vet ndërkombëtart, janë shumë më të zëshëm, (kundër praktikës milosheviqiane të politikëbërjes se Serbisë), se sa vet politikanët tanë, të cilët më të puqur me pushtetin, u bënë të “urtë” e të “butë”. GJND-ja, BE-ja (Gjermania zyrtare, Franca, Anglia etj.) dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, i treguan vendin e duhur qeverisë serbe për integrimet (kërkesat për heqje dorë nga Kosova dhe shpartallimi i bandave kriminalo-politike të Serbisë). Por, ndryshe nga këto, qeveria jonë e paaftë për qeverisje fleksibile, me koncepte të retarduara, po e kthen sovranitetin e shtetit në shkallën zero të ekzistimit. Në këtë kontekst rrjedh edhe fillimi i dialogut për vizat (një konferencë shtypi rreth dailogut për vizat) dhe rruga e integrimeve ndërkombëtare, (pa shtrirjen e plotë të shtetësisë në tërë territorin e vendit), do të qojë në bisedime të reja, Kosovë-Serbi, (për çështje të kontestuara, sigurisht edhe territoriale). Kjo do të thotë futje e Kosovës në garë me këmbën e thyer (pa autoritet unikat në tërë vendin), me qëllim të pranimit të kompromiseve të reja në dëm të shtetit tonë. 
Hapi parë i zhbërjes së sovranitetit

 Kontestimi i sovranitetit të Kosovës (heqja e emrit Republikë) në përfaqësimet rajonale, është hapi i parë i zhbërjes së autorësisë së sovranitetit të shtetësisë, i cili bartë rreziqe reale për krijimin e minishtetit etnik sllav brenda vendit tonë (nga autonomia në veri si fazë e parë deri në shkëputje si fazë e vonshme). Në fakt kjo është zhbërje dinake e shtetësisë. Duket se pavarësia e “mbikqyrur”, po e len edhe bishtin prapa, mgase pavarësia e plotë e Kosovës( territori), as nuk u mbikqyr kurrë nga bashkësia ndërkombëtare (tri komunat veriore të Kosovës), e duket se keto, nuk do të mbikqyren denjësisht as nga autoritetet vendore. Të paktën edhe për një kohë relativisht të gjatë. Këtë po e ndihmojnë, aventurat politike qeverisëse, pa strategji të qartë, pa veprime konkrete dhe paaftësi për të menaxhuar tërësinë territoriale. Referimi si ploblem politik në veri (dhe jo si problem i zhbërjes së bandave), po qon në hapjen e dialogut të ri në mes të Kosovës, Brukselit e Serbisë, për arritjen e një “ujdie qe do t’i kënaqte të gjithë”, me preteks të “dhënies” fund, problemit 13-vjeçar të kësaj pjese delikate të territorit tonë. Në fakt “marrëveshje” të tilla do të hapin probleme afatgjate në mes të dy shteteve Republikës së Kosovës dhe Serbisë fqinje. Çdo përulje e sovranitetit të Kosovës, do ta bënte shtetin tonë jo funksional (gjithmonë të cënueshëm nga fqinjët), të pa qëndrueshëm politikisht dhe të atakuar ekonomikisht. Pra, çdo tejkalim përtej Planit Ahtisari, në veriun e vendit tonë, do të thotë hapje “pazar” me autoritetin e shtetësisë së Kosovës, ose dhënie me koncesion të sovranitetit (ani pse nga qeveritarët tanë quhen marrëveshje të përkohshme). Duket tejet absurde koncepti i shefes së ekipit negociator të Kosovës,znj. Edita Tahiri, duke konfirmuar se Kosova është “pajtuar” qe të prezantohet në rajon pa fjalën Republikë dhe me një fusnotë. Sipas znj. Tahiri dhe kryeministrit tonë, Hashim Thaçi, një kompromis i tillë nuk demton shtetësinë e as sovranitetin e shtetit të Kosovës, por, ky është vetëm një “bisht” qe bëhet për “hatër” të Serbisë dhe atyre shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë. Por, nuk e kam të qartë se çfarë do tu thonë qeveritarët tanë atyre shteteve që na kanë njohur, si të pavarur e sovran, me emërtimin Republika e Kosovës!  

Aventurat me shtetësinë 

Nëse realisht Kosova nuk humb asgjë nga sovraniteti (me fusnotën në bisht), atëherë përse nuk prezantohemi me variantin e parë, Republika e Kosovës. Zonja jonë e “madhe”, Edita Tahiri na del edhe e mençur kur thotë se ajo ka hedhur poshtë insistimin e palës serbe për përfaqësim të Kosovës, sipas Rezolutës 12 44. Kjo na jep të kuptojmë se vetëm 1244 qenka e tejshkuar, ndërsa përfaqësimi i Kosovës, pa emrin Republikë qenka realitet! Kjo deshmon se proklamimi i gjertanishëm i znj. Tahiri se kjo përfaqëson dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, na del gënjeshtër e kulluar. Nëse dialog teknik është edhe heqja e emërtimit të Republikës, atëherë edhe dhënia me koncesion e territoreve qenka problem teknik. Si zgjidhje tjetër kompromisi, po kaq absurde, znj. Tahiri shtron idenë e re, qe si shëmbull precedent të merret rasti i Maqedonisë me Greqinë (kontesti për emrin). Pothuajse, Maqedonia dhe Greqia, kanë bërë “mrekulli” në raport të ndërjellët. Me këtë hidhen poshtë të gjitha teoritë që e mbronin parimin e shtetit tonë, se Kosova është rast “sui generis”. Vet shtrimi i tezës së problemit në fjalë, është koncept tejet i turbullt, i palogjikshëm dhe i quditshëm, ngase Greqia e konteston vetëm emërtimin Maqedoni, ndërsa Serbia nuk e konteston emrin Kosovë, por e konteskton shtetësinë, pavarësinë dhe sovranitetin, me tendencë territoriale (bllokimi i rrugëve dhe menaxhimi i bandave në veri nga Serbia). “Ne nuk pranojmë përfaqësimin e Republikës së Kosovës në bashkëpunimet rajonale sipas rezolutes 12 44, sepse kjo është tashmë e tejkaluar – si në kuptimin juridik, ashtu edhe në atë politik. Ne mendojmë që Kosova duhet të përfaqësohet si shtet ku mund të ketë një fusnotë të modelit të Maqedonisë”. Përse znj. Tahiti nuk merr ndonjë shembull më të mirë, psh. krijimin e raporteve të Serbisë me Kroacinë, Slloveninë, ose me Maqedoninë a Malin e Zi. Realitete këto, të cilat i kontestonte në fillim, por më vonë i njohu shtëtësinë. Kam vetëm një sugjerim për znj. Tahiri: shteti bëhet për tu përfaqësuar në instanca ndërkombëtare, e jo për ti hedhur valle a për ti kënduar këngë patriotike. 
Mbyllja e pavarësisë me bishtin prapa 

Heqja e emërtimit të Republikës, shemb imazhin shtetëror të Kosovës, dhe kthen në pikën zero, kredibilitetin e gjertanishëm si një vend i pavarur, i qendrueshëm dhe funksional. Me një fjalë Kosovës nuk i duhet kurrfarë përfaqësimi në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, nëse “detyrohet” të heqë dorë nga Republika. Me la përshtypje, koncepti i ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hysenit, duke shprehur drojën se “Kosova do të shndërrohet në një Palestinë të dytë, nëse pala vendëse pranon të hyjë në koncesione për shtetësinë e saj. Fusnota, betonon njohjet e mëtejme të shtetit të Kosovës. Bota do të mësohet me Kosovën si një shtet që ka status gjysmak. Prandaj, Kosova nuk guxon të pranojë asnjë zgjidhje gjysmake”. Përpos qeverisë sonë, të gjitha institutet, OJQ-të, etj., shprehin dronë e tyre për heqjen e emërtimit Republikë, në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Njëherësh ky koncept është vlerësuar si lojë me shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Deputeti i VV, Visar Ymeri, thekson se ky veprim është kontestim i Republikës së Kosovës. “Natyrisht që është kthim prapa dhe e konteston Republikën. Republikë duhet të jesh ndaj secilit dhe çdo gjëje. Nëse je, je, po nëse nuk je, nuk je. Nuk ka gjysmë Republikë, apo gjysmë pavarësi. Nuk ka pavarësi të shpallur tash e të realizuar në të ardhmen”. Veprimet kryeneqe dhe pa koncepte të qarta të QK-së, po dëmtojnë tej mase profilin shtetëror të Kosovës. Këtë bindje e forcon edhe z. Behlul Beqaj, kur thotë se kompromiset e kryeministrit Thaçi, po rrezikojnë interesat tona kombëtare e shtetërore. “Kryeministri Thaqi, me veprimet e tija, qe një kohë të gjatë është në kundërshtim me vetë kushtetutën, dhe shkon në vazhdën e rrezikimit të interesave kombëtare e shtetërore”. Por, për kryeministrin tonë, Hashim Thaqi, heqja e emrit Republikë në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, përsëri mbetet prezantim “dinjitoz” i shtetit tonë, respektim të autoritetit shtetëror dhe vet Kushtetutës. “Marrëveshja nënkupton respektimin e plotë të sovranitetit, integritetit territorial, të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”. Duket se kryeministrin tonë e impresionon mbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë nga ndërkombëtarët, por jo edhe izolimi i Kosovës (regjimi i vizave për kosovarët), as cenimi i shtetësisë e as referendumi serb për pavarësinë pjesës veriore të vendit tonë. “Viti 2012 do të jetë viti i Kosovës evropiane, viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, viti i fillimit të funksionimit real të pavarësisë së plotë të shtetit të Kosovës”. Mbyllja e pavarësisë me bishtin prapa! Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e vendit. Ndryshe, zgjedhjet serbe janë provokim i rëndë, me pasoja tejet të rrezikshme për institucionet tona dhe atentat politik kundër shtetit të Kosovës. Shtetit të Kosovës, i duhet angazhim imediat dhe strategji e kthjellët për mbrojtjen e asaj qe e kemi arritur gjer më sot (sovranitetin dhe shtetësinë), për të vazhduar rrugën e integrimeve evropiane e Euro-atlantike. Në të kundërtën, Kosova mund të rreshqasë në kthim në shkallën zero të eksistencës së shtetësisë së saj, në kontekst të të cilit mund të hapen teori të reja të ndarjes së Kosovës, nëse jo në formën juridike, në atë faktike gjithsesi. Paaftësitë për politikëbërje fleksibile, nuk mund të justifikojnë hedhjen e fajit tek ndërkombëtaret, sepse sa më shumë qe jemi sovran aq më shumë jemi edhe përgjegjës për shtetin dhe sovranitetin. Heqja e emërtimit Republikë, në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, është kontestim i shtetësisë, kompromis dhe eventurë e pacipë me vullnetin politik të popullatës shumicë shqiptare, të cilët jetojnë në trojet e veta etnike e autoktone. Çdo lëshim i mundshëm qe cenon autorësinë e sovranitetit të Kosovës, është sindromi i parë i “virusit” për rrënimin e fleksibilitetit të shtetësisë. Shenjat e para të “pazarit” me shtetin, tashmë janë dhënë, se cili do të jetë çmimi i kësaj gare, kjo varet nga komprimisi qe “patriotët” tanë mund të bëjnë për sovranitetin në shkëmbim të pushtetit. GJND-ja nuk e mbrojti shtetësinë tonë, për ta dhënë me koncesion institucionalistët e retarduar. Se ku do ta ndalin degjenrimin e shtetësisë pinjolët e papërgjegjshëm, një Zot e di?!

(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

e shtunë, 28 janar 2012

Vizita e Ramës në Preshevë është thjeshtë çështje votash

Alban Daci

Vizita e Ramës në Preshevë ka dy anë të së njëjtës medalje. E para padyshim është pozitive, për faktin se kryetari i Opozitës shqiptare viziton për herë të parë një zonë krejtësisht shqiptare, e cila me dashje ose pa dashje, le të themi, se kohët e fundit është harruar nga bota tjetër shqiptare. Kjo vizitë bëhet në një moment të vështirë si për Kosovën ashtu edhe për banorët e Preshevës. Vetëm pak kohë më parë u ndalua një ministër i Republikës së Kosovës që të bënte një vizitë në këtë zonë. Ministrit ndër pengesat e tjera burokratike ju kërkuar nga autoritet kufitare serbe që të hiqte targën e makinës me logon e Republikës të Kosovës dhe të vendoste atë serbe. Banorët e Preshevës i kam parë gjithmonë me keqardhje dhe i kam konsideruar të tradhtuarit e fillimit të shekullit të XXI. Them kështu, sepse Kosova dhe shqiptarët e kësaj zone fituan pavarësinë pas një beteje shumë shekullore. Ndërsa Presheva dhe krahinat përreth u tradhtuan si nga bota shqiptare ashtu edhe nga autoritet ndërkombëtare duke i lënë përsëri padrejtësisht nën sovranitetin e Serbisë. Pra, Nëse për botën shqiptare pati një tradhti të madhe të ndodhur në 1913, për Preshevën dhe krahinat përreth pati një tradhti të dytë të ndodhur në fillim të këtij shekulli të sapo nisur. Aktualisht, duke parë rendin e ri të vendosur në Rajon pas pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjes së ish Jugosllavisë, duket se është shuar padrejtësisht ëndrra për pavarësi nga Serbia e shqiptarëve të Preshevës, e cila është po aq legjitime sa ajo e shqiptarëve të Kosovës, ose të republikave të tjera të ish Jugosllavisë. Ka pak gjasa që banorët e Preshevës, ose të krahinave përreth të marrin pavarësinë nga Serbia. Në këtë momente, as autoritetet e Kosovës e as ato të Shqipërisë nuk e dua një gjë të tillë dhe nuk duan t’u hynë telasheve me autoritet ndërkombëtare. Megjithatë, vizita e Ramës nuk është krejt aq e rastësisht sa mund të duket. Rama, gjithmonë është kritikuar si një lider që nuk ka politikë të jashtme dhe për këtë arsye nuk mund të qeveris. Ai është konsideruar një lider i mirë lokalist dhe vetëm kaq. Për ta vërtetuar këtë mjaftojnë të analizojmë fjalorin politik të përdorur në të kaluarën nga Edi Rama. Në fjalorin tij është e vështirë të gjesh shprehje si: Bashkim Kombëtar, Çështja e Kosovës, Çështja e shqiptarëve në Maqedoni, të drejtat e shqiptarëve në Rajon. Rama, falë edhe këshilltarëve të tij të rinj, me sa duket e ka kuptuar këtë mangësi të tij dhe po përpiqet ta korrigjojë. Pra, ai bëri vizitën në Kosovë dhe tani në Preshevë e ndoshta jo shumë larg do e bëj edhe në Maqedoni për të përmisuar imazhin e tij politik si një lider me vizione jo vetëm për politikën e brendshme, por edhe për politikën e jashtme. Rama vizitën e tij në Preshevë e justifikoi me prezantimin e librit të tij “Kurban”. Jam shumë kureshtar të di se sa hapësirë i ka kushtuar në këtë libër ai çështjes së shqiptarëve në rajon? Librin ai e ka shkruar tani vonë duke qenë lider i Opozitës shqiptare. Kjo do të thotë, se zakonisht librat e liderëve të mëdhenj politik duhet të jenë manifeste të mirëfillta, ku shkruhen vizionet e të ardhmes të një kombi. Banorët e Preshevës janë shqiptar e për pasojë janë edhe ato pjesë natyrale e kombit shqiptar. Pra, Edi Rama si një lider i Opozitës i projektuar ndoshta për të qenë një ditë Kryeministër i Shqipëri, nuk duhet të linte në librin e tij pa trajtuar dhe ndoshta edhe pa hedhë alternative për kauzën shekullore të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Pra, nëse libri i tij rrotullohet kryesisht tek skemat dhe problematikat e politikës së brendshme, prezantimi i këtij libri tek banorët e Preshevës nuk ka asnjë lloj vlerë. Jam i sigurt se gëzimi i madhe i banorëve të Preshevës për vizitën e Ramës do të mbaroi sapo ta lexojnë librin dhe të kuptojnë se fati i tyre nuk ka zënë asnjë rresht apo paragraf. Ato ndoshta do të kuptojnë se nëse Rama do të bëhet Kryeministër, ky fakt nuk do t’i ndihmojë ata që të jenë të pavarur, sepse kjo e fundit nuk bën pjesë në formën e të menduarit dhe të vepruarit nga kryetari Opozitës në Shqipëri. Arsyeja e vërtetë e vizitës së Ramës në Preshevë është thjeshtë arsye politike për të pasur avantazhe elektorale. Pra, edhe pse në pamje të parë vizita e tij të jep përshtypjen se po riorganizon vizionet e tij në lidhje me politiken e jashtme, ajo është krejtësisht brenda dhe në funksion të politikës së brendshme. Në Shqipëri, ekuilibrat politike po ndryshojnë dhe kjo po ndodh, sepse përtej subjekteve tradicionale politike të këtyre 20 viteve po dalin në horizont subjekte të reja që trajtojnë ndoshta me guxim çështje për të cilat më parë as nuk ishte guxuar të flitej. E kam fjalën për lëvizjen “Kuq e Zi”, e cila është forcë me natyrë politike, me fizionomi patriotike dhe me objektiv kryesor të shpallur atë të bashkimit të shqiptarëve. Forcat klasike politike në vend si PS dhe PD, por tronditen nga shfaqja e kësaj lëvizje politike. Dihet se shqiptarët janë populli më i ndëshkuar nga padrejtësia dhe autoritetet ndërkombëtare për gjatë historisë. Nëse ka një plagë të hapur dhe të pashëruar tek çdo shqiptarë. Kjo është padyshim copëtimi i trojeve dhe i kombit. Për këtë arsye ndjenja e nacionalizmit e cila mbështet në të drejtën për vetëvendosje është shumë e madhe tek çdo shqiptarë. Për këtë arsye, PS dhe PD po mendojnë seriozisht se në zgjedhjet e 2013 do të ketë rrjedhje votash dhe elektorati. Se sa do të jetë kjo rrjedhje nuk është e sigurt. Megjithatë, ekuilibrat politikë mes minorancës dhe mazhorancës janë aq të ngushta sa edhe një rrjedhje e vogël votash mund t’iu prish shumë punë. Edi Rama, e bëri këtë vizitë sikurse edhe atë të Kosovës, për të dëshmuar se edhe socialistët janë patriot, se mendojmë e punojmë për shqiptarët kudo që janë. Kjo dëshmon më së miri se Rama po përpiqet të përdor nacionalizmin për qëllime politike. Megjithatë, Rama ndoshta harron se nacionalizmi dhe patriotizmi nuk konsiderohen si vlera të së majtës. Marksi dhe Lenini e konsideronin nacionalizmin si armik të socializmit. Ato mendonin se luftërat bëhen nga borgjezët, të cilët duhet të përfshijnë edhe proletariatin për të realizuar interesat e tyre personale. Pra, këta të dy mendonin se pas nacionalizmit fshiheshin realisht interesat politike dhe ekonomike të borgjezisë. Për këtë arsye ato kërkonin që proletariatit e gjithë botës të bashkoheshin pa dallim racor e nacional kundër borgjezisë.

e premte, 27 janar 2012

Në BE të çon vetërespekti

Nga Albin Kurti

Asnjë shtet, popullsia e të cilit ka qenë gati 100% për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk ka hyrë në BE. Vetëm atëherë kur ekziston një përqindje e konsiderueshme e kundërshtarëve të aderimit në BE, disi piqen kushtet për të hyrë në BE. Kësisoj, nëse e gjithë popullsia jonë është për inkuadrim të Kosovës në BE, kjo vetëm sa paraqet një garanci shtesë që nuk do të inkuadrohemi në BE. Në vitet e ’90-ta, thuajse të gjithë kroatët ishin për anëtarësimin e Kroacisë në BE. Por, atëbotë Kroacia ishte aq larg prej BE-së. Kroacisë iu deshën më shumë se dy dekada pavarësi të shpallur dhe mbi 16 vjet prej se përfundoi lufta atje, që t’i bashkohet familjes së Bashkimit Evropian. Të dielën që shkoi, në referendumin e organizuar, 66% të qytetarëve të Kroacisë u deklaruan PËR anëtarësim në BE. Megjithatë, kjo shumicë prej dy të tretave ishte shumicë e pakicës prej 44% që dolën në referendum. Rrjedhimisht, PËR anëtarësimin e Kroacisë në BE votuan më pak se 30% të trupit elektoral që do të thotë se as çdo i treti qytetar i moshës madhore në Kroaci nuk votoi PËR hyrjen e shtetit të tyre në BE. Ngjashëm është situata edhe me shtetet që më herët u bënë anëtare të BE-së. Kështu, Finlanda votoi PËR anëtarësim në BE me 57% të 71% të trupit të vet elektoral, Estonia me 67% të 64%, Austria me 67% të 82%, Çekia me 77% të 55% etj. Pra, referendumet janë mbajtur atëherë kur kishte debate jo të lehta rreth anëtarësimit në BE, e në të cilat subjektet e ndryshme politike e shoqërore kanë argumentuar për e kundër anëtarësimit të vendit të tyre. Në ato debate publike e parlamentare janë shoshitur gjerë e gjatë përparësitë e mangësitë, dobitë dhe dëmet e anëtarësimit në BE. Pra, këto shtete në prag të anëtarësimit të tyre e kanë trajtuar Bashkimin Evropian si interes të kalkulueshëm dhe jo thjesht si vlerë të padiskutueshme. Prej çështjeve të sigurisë kombëtare dhe sovranitetit shtetëror e deri te ndikimet në degët më të ngushta të industrisë janë trajtuar nga pikëpamja e asaj që fiton ose humbet shteti i veçantë atëherë kur anëtarësohet në BE. Qytetarët i kanë përcjellë ato diskutime dhe kanë marrë edhe vetë ata pjesë në to në forma të ndryshme para se t’i drejtohen kutive të votimit në referendum. Të rralla janë rastet, e ndoshta edhe nuk ka ndonjë shembull tjetër përpos Sllovenisë, kur për një shtet mund të thuhet që më shumë se gjysma e trupit elektoral të tij ka votuar PËR anëtarësimin e atij vendi në BE. Mbase edhe s’mund të jetë ndryshe. Vetëm një shoqëri që e ka të zhvilluar mendimin kritik, vetëm një qytetari dhe shtet ku opozita për asnjë çështje, qoftë ajo edhe për atë të inkuadrimit në BE, nuk është as e margjinalizuar dhe as e vogël, arrin të inkuadrohet në Bashkimin Evropian. Përderisa dëshirohet në mënyrë absolute anëtarësimi në BE, ai shtet dhe populli i tij do të presin e dëshirojnë edhe shumë gjatë një anëtarësim të tillë. Filozofia moderne konsiderohet se nis pikërisht me Rene Dekartin, i cili na mëson që rruga për tek e vërteta është ajo e metodës së dyshimit sistematik. Ky është edhe gurthemeli i filozofisë kontinentale evropiane, i cili e ngrit në piedestal kritikën përmes racionalistëve dhe mandej vetëm sa e përforcon atë duke ua kundërvënë atyre empiristët. Tash duket që kjo shprehet mu te rezultatet e refrendumeve për anëtarësim të shteteve të veçanta në Bashkimin Evropian, popullsitë e të cilave vazhdimisht dyshojnë derisa dakordohen në fund për t’iu bashkangjitur BE-së. Anëtarësimi në BE rreshtohet gjithsesi në anën e mendimit kritik përkundrejt uniformitetit të konsensusit. Ata pajtohen sepse ka jo pak prej atyre që nuk janë pajtuar. Mungesa e mbështetjes absolute për anëtarësim në Bashkimin Evropian është dëshmi edhe e një lloj vetërespekti të shteteve që i bashkohen BE-së. Një lloj vetëpërmbajtje para anëtarësimit është treguar si shenjë e pjekurisë për anëtarsim dhe e ka përshpejtuar anëtarësimin. Në BE nuk hyn pse e do BE-në, por pse e respekton veten. Vetëm kur ta respektosh veten të do BE-ja. Vetërespekti na shfaqet si kusht për respekt të ndërsjelltë. Dhe, vetëm atëherë, me rastin e anëtarësimit të një shteti në BE, kemi edhe interesin e dyanshëm. Nga respekti e dashuria e njëanshme ka interes të njëanshëm që s’mund të shndërrohet në marrëveshje të përbashkët me BE-në dhe as anëtarësim në BE. Kosova nuk mund të anëtarësohet në BE duke e dashur e respektuar më shumë BE-në sesa vetveten. Kjo është në kundërshtim me idenë e BE-së dhe mënyrën e zgjerimit të saj. Prandaj, fakti se ne himnit tonë ia vëmë emrin ‘Evropa’ tregon se sa larg jemi anëtarësimit në BE. I gjithë investimi i Kosovës për anëtarësim në BE konsiston te përmirësimi i imazhit. Fjalët që thuhen, tekstet që shkruhen, sjelljet që praktikohen dhe paratë që harxhohen vihen në funksion të imazhit sa më të mirë të Kosovës, ndërkohë që krejt këto nuk bëjnë as 1% të përshtypjes që krijojnë korrupsioni, kontrabanda e kriminaliteti, varfëria, papunësia e arsmimi i dobët, bisedimet vetëposhtëruese me Serbinë, moskontrollimi i kufijve e mungesa e integritetit territorial. Ne përpiqemi të dukemi ashtu qysh besojmë se është mirë të dukemi për syrin e Brukselit, teksa vetëzbrazemi nga vullneti dhe pajisemi me sytë e tjetrit që duam të na pranojë. E, qasje më të sigurt për të mos na pranuar s’besoj të ketë. Nga Albin Kurti Mendojmë që nëse nuk ka protesta e greva, atëherë në Bruksel do të thonë që ky vend s’paska probleme dhe, rrjedhimisht, do të na ftojnë të anëtarësohemi. E shpërfillim faktin që Brukseli shikon shifrat tona socio-ekonomike, politike, administrative e ato të sigurisë, e të cilat rrëfejnë për një realitet krejt tjetërfare prej atij që e portretizojnë qeveritarët e buzëqeshur. Dhe, kur kihen parasysh ato shifra, atëherë ne dukemi shumë keq mu pse nuk protestojmë e nuk bëjmë greva. Një gjendje si kjo e Kosovës me këtë mjerim social, pasiguri politike e stagnim ekonomik, nëse kombinohet me mungesë të reagimit aktiv qytetar, shoqëror e institucional, do të na e spostojë madje edhe të shumëpërfolurin liberalizim të vizave. Thjesht, kur zyrtarët nga Brukseli e shohin heshtjen kosovare ndaj realitetit të zymtë në vend, ata kurrë s’do ta bëjnë as liberalizimin e vizave për Kosovën se lëre diç më shumë: mendimi i vetëm që atyre do t’u sillet në kokë është që qytetarët e Kosovës janë të qetë sepse po përgatiten ta braktisin vendin me shansin e parë që do t’ua japë liberalizimi i vizave. Janë protestat, peticionet, grevat e demonstratat në Kosovë si shprehje e pakëkaqëisë së qytetarëve që duan ndryshime ajo që do ta përshpejtonte liberalizimin e vizave për Kosovën. Sepse, asisoj, sinjali që do të dërgohej do të ishte ai i një qytetarie që ka vendosur të jetojë në Kosovë dhe për këtë arsye dëshiron që ta përmirësojë Kosovën dhe jetën në të. Le të mos harrojmë që Kosova nuk e fitoi pavarësinë pse dukej bukur por pse dukej keq. Lufta që u zhvillua, vuajtjet e humbjet tona, janë rruga e gjatë që u kalua drejt pavarësisë. Mandej, pavarësia që u shpall para katër vjetësh ishte veçse zbritje prej pavarësisë, e cila edhe ishte e drejtë jona por edhe e meritonim. Ata që s’janë më, dëshmorët e martirët e kombit, e sollën pavarësinë e Kosovës, kurse qeveritarët e ndryshëm e zvogëluan atë në llojin dhe nivelin e pavarësisë të tillë çfarë ajo u shpall në vitin 2008. Zbritja nuk ka mbaruar. Ajo s’do të përfundojë pa u ngritur qytetaria. Në shtetin e pavarur të Kosovës nuk kemi as liri të Republikës dhe as liri brenda Republikës. Madje, liria brenda Republikës po shtypet në mënyrë që liria e Republikës të zvogëlohet. Qeveria lufton me aq zell të madh protestat paqësore dhe lirinë për to brenda Republikës, ashtu që pastaj në bisedime me Serbinë ta zvogëlojë lirinë e Republikës dhe vetë Republikën.

e mërkurë, 25 janar 2012

Albin Kurti: Vullneti i popullit shqiptar, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

 Nga: Redan Bushati 

Albin Kurti Intervistë me Z. Albin Kurti, lideri i lëvizjes Vetëvendosje 
 
U miratua para ca kohësh në Kuvendin e Kosovës me 44 vota pro mocioni i hartuar nga lëvizja Vetëvendosje!. Çfarë efekti po jep sot ai mocion? 
Miratimi i këtij mocioni është një nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë Kuvendi i Kosovës si institucion. Ky mocion e ka vënë në pozitë të vështirë pushtetin. Në fillim thanë se politikat e qeverisë janë në përputhje me vendimin e kuvendit, më pas thanë se vendimi i kuvendit nuk është detyrues. E vërteta është se politikat e Qeverisë së Kosovës, deri më tani nuk janë konform këtij vendimi. Serbia nuk i njeh targat e Republikës së Kosovës, ne i njohim ato të Serbisë, Serbia nuk i njeh dokumentet e shtetit të Kosovës, ne i njohim ato të Serbisë. Edhe më skandaloze bëhet situata kur kryeministri Thaçi thotë se vendimet e Kuvendit të Kosovës janë thjeshtë opinione të Kuvendit. Kosova është republikë parlamentare, dhe duke qenë kështu, Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë vendimmarrës. Lëvizja VETËVENDOSJE! pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ka marrë vendim që t’i mobilizojë të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe materiale që të bllokohen pikat kufitare në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, deri në zbatimin e plotë të vendimit të Kuvendit, vendim ky që e detyron Qeverinë e Kosovës të vendosë reciprocitet të plotë ekonomik, politik dhe tregtar.

A mundet që vetëm Shqipëria të mbushin hapësirën e mallrave të nevojshme për Kosovën? Bllokimi i kufirit të Kosovës ndaj Serbisë nuk e vë Kosovën në kurrfarë pozicioni të vështirë për furnizimin me mallra. Përkundrazi, ky është shans që prodhimet kosovare të fitojnë më shumë hapësirë, duke qenë se atyre u hiqet konkurrenca jolojale nga produktet e Serbisë që vijnë të subvencionuara nga shteti serb, prandaj edhe me çmime më të lira në Kosovë. Tashmë është provuar (në kohën e vendimit qeveritar që zgjati vetëm 40 ditë) se të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia mund të zëvendësohen dhe janë zëvendësuar.  
A po zhvillon lëvizja Vetëvendosje një opozitë radikale? 
Varet çfarë nënkuptohet me radikalizëm fillimisht. Nëse radikal është ai që e kupton problemin rrënjësisht dhe merret me të aktivisht, atëherë, po, ne jemi radikal. Varet pastaj edhe me kë na krahasoni. Në raport me oportunizmin dhe konformizmin e klasës politike, krahasuar me qëndrimet e qullëta dhe joparimore të partive politike në Kosovë, sigurisht se ne dukemi radikal. Në fakt ne dukemi radikalë sepse të tjerët nuk bëjnë politikë fare. Ne mendojmë se raporti midis Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe partive politike, më parë sesa dallim midis politikës së moderuar dhe asaj radikale, është çështje e ekzistencës ose jo të politikës. 
 
A priten zgjedhje të parakohshme parlamentare? Nëse po, si mund të rrëzohet qeveria aktuale e Kosovës? Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk po i kursen kapacitetet e saj për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj qeverie. Ne po organizojmë tubime mobilizuese me qytetarë, po bëjmë aksione protestuese, po ndërmarrim nisma edhe në Kuvend, siç është edhe nisma për mocion mosbesimi ndaj qeverisë. E kemi kërkuar tash sa kohë rrëzimin e kësaj qeverie dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
 
Si mund të realizohet bashkimi mes Tiranës dhe Prishtinës, mes Shqipërisë dhe Kosovës? Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet bërë sepse ky është vullneti i popullit këndej dhe andej kufirit. Mirëpo, vullneti i popullit nuk përputhet me interesat e elitave politike. Konzervimi i pushtetit dhe ruajtja e dominimit të tyre është më i lehtë duke e mbajtur popullin të ndarë. Bashkimi midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të vijë si rezultat i shprehjes së lirshme të vullnetit të shqiptarëve përmes referendumit.  

Çfarë qëndrimi mban z. Kurti për çështjen çame? Ne jemi mjaft koshient për tragjedinë e shqiptarëve, vrasjet, dëbimet e masakrat që populli shqiptar ka përjetuar nga shovenizmi grek. Kemi raporte të mira bashkëpunimi me partitë politike, por edhe me organizatat që merren me çështjen çame.
 
Sa përkrahet aktiviteti patriotik i aleancës “Kuq e Zi” nga lëvizja Vetëvendosje? Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të bashkëpunojë jo vetëm me Alencën Kuq e Zi, por edhe me çdo organizatë që e shtron drejt dhe merret aktivisht me çështjen shqiptare. Përveç kësaj, është tejet e rëndësishme që të gjitha organizatat që merren me çështje të kësaj natyre të jenë të qartë politikisht, e më pas konsistent në adresimin e qëllimeve. Çështja e bashkimit kombëtar nuk duhet reduktuar në formë dhe simbolikë, ai duhet zbërthyer në politika konkrete zhvillimore që janë në interes të popullit shqiptar, duke mos qenë në dëm të popujve tjerë.  

Çfarë mesazhi përcjell lideri i Vetëvendosjes për politikën aktuale të Tiranës? Politika në Shqipëri nuk ka pengesa juridike për angazhim rreth çështjes kombëtare, përkundrazi, preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është thirrje për angazhim në këtë drejtim. Çfarë mungon atje është vullneti politik i klasës politike. Shqiptarët duhet t’i kthehen vetes dhe të shikojnë interesat e tyre, përpara çdo retorike që ngjan si universale, por në fakt është totalizim i interesave të pjesshme. E mungesa e universalitetit të organizimeve ku i mbajnë gjithë shpresat shqiptarët, shihen në momentin që këto të fundit janë në krizë.

e martë, 24 janar 2012

Uidhers: Në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbegë

Intervista e plotë e ish-ambasadori të SHBA-së në Tiranë John L. Withers II 

Ambasador Withers mirëseerdhët. Le të flasim pak për mendimet tuaja për Shqipërinë sot pothuajse dy vjet pasi ju jeni larguar… Unë e kujtoj vazhdimisht Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam kthyer në vendin tim, por me merr malli për Shqipërinë, më merr malli për shumë gjëra sidomos të lidhura me miqtë e shumtë atje. Si ta shpreh me pak fjalë: më merr malli të pi një kafe, një kafe me gjithë kuptimin që ka ky ritual në Shqipëri, përfshirë bisedat dhe miqësitë. Më merr malli për malet, për qiellin e Shqipërisë. 

Si e shihni vendin sot, për aq sa e keni ndjekur këto kohë? 
Është e vështirë ta ndjek aq afër sa ç’e ndiqja më parë. Tani unë nuk kam më pozitë zyrtare, jam thjesht një qytetar amerikan, por jam i shqetësuar për Shqipërinë, jo përsa i takon energjisë dhe talentit, apo vullnetit të mirë të popullit shqiptar. Unë kam besim të plotë në gjenialitetin e popullit shqiptar, por shqetësohem për mënyrën sesi po shkon demokracia në Shqipëri. Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës, që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, ashtu siç ne presim që t’i ketë një demokraci e zhvilluar. Këto gjëra më shqetësojnë.  

Në kabllogramet që ju dërgonit nga Shqipëria në Departamentin e Shtetit, ju ngrinit pikërisht këto shqetësime, për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia, për korrupsionin në vend, problemet të tilla të rrënjosura në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Pse mendoni se nuk ka qenë në gjendje Shqipëria t’i zgjidhë këto probleme?
  Më vjen keq ta them, por mendoj se ky është problem i udhëheqjes politike. Për Shqipërinë kjo është diçka për të ardhur keq, por edhe ironike njëkohësisht sepse Shqipëria ka një nga shembujt më të mëdhenj të udhëheqjes në gjithë historinë, që ishte Skënderbeu. Mjafton t’i hedhësh një sy modelit që ai ka lënë pas: ai ishte një udhëheqës që solli bashkimin, në Besëlidhjen e Lezhës në vitin 1444. Ai i bashkoi të gjitha palët rivale për interesin kombëtar. Udhëheqësit e sotëm nuk janë bashkues, janë përçarës. A përfaqësojnë ata interesin kombëtar? Mua më duket se ata përfaqësojnë interesat e fraksioneve dhe partive, përfaqësojnë interesin e ngushtë të mbajtjes së pushtetit, jo të qeverisjes në shërbim të popullit. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbegë dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë.
 
A mendoni se udhëheqësit që ka Shqipëria nuk janë në gjendje ta çojnë vendin përpara, apo është mjedisi që ushqen këtë lloj fryme? 
Nga ajo që kam parë unë, nuk besoj se është mjedisi. Ajo që pashë unë në Shqipëri, ishte një dinamizëm i madh, aftësi krijuese, njerëz që përpiqen për shanse dhe mundësi të shumta, për mënyra për përmirësimin e tyre. Unë mendoj se sistemi politik – ta them shumë hapur – po dështon. Nuk është në gjendje të krijojë konsensus, nuk është në gjendje të identifikojë atë që do publiku dhe të punojnë për publikun. Më lejoni përsëri t’ju sjell një shembull të historisë. Një nga shprehjet më të famshme të Skënderbeut ishte: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”. Ai i kuptonte aspiratat e publikut dhe këtij synimi ju përkushtua për ta arritur. Në Shqipërinë e sotme, një frymë e tillë është ende e pranishme: aspiratat e shqiptarëve për liri, për përparim. Pyetja ime është: Pse ata që janë në pushtet nuk e përqafojnë këtë frymë dhe ta çojnë përpara, pse pothuajse në çdo veprim që bëjnë, ata e thyejnë këtë frymë, që është kaq e qartë mes shqiptarëve në përgjithësi.  

Cila mendoni ju se është përgjigjia ndaj kësaj pyetjeje? 
Mendoj se bëhet fjalë për polarizim, për udhëheqës që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për ta demokracia është diçka jashtë tyre, është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, demokracia nuk u vjen nga zemra. Mendoj se ky është problemi më i madh. Abraham Lincolni ka bërë përkufizimin më të thjeshtë dhe të përmbledhur për demokracinë: “Demokracia është qeveria e popullit, që buron nga populli dhe për popullin”. Dhe pyetja që i drejtoj popullit shqiptar është: “A e shihni ju një gjë të tillë tek udhëheqja juaj? A shihni një qeveri të popullit, apo shihni një qeveri të grupeve të vogla klanore, që votohet për të mbajtur vetveten në pushtet? A shihni një qeveri të dalë nga populli, apo një qeveri që është e shkëputur nga populli, që ndjek interesat e veta, apo të partisë së vet dhe jo të gjithë popullit? Dhe a shihni një qeveri për popullin, një qeveri që punon për çfarëdo partie që përfaqëson një udhëheqës politik, apo një qeveri që thjesht i dedikohet ruajtjes së pareshtur të pushtetit dhe jo një angazhim të fortë dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes?”  
Nuk është sekret që gjatë mandatit tuaj, ju e keni kritikuar qeverinë dhe kryeministrin e saj zotin Berisha. Çfarë mendoni për stilin e tij të udhëheqjes? 
Më lejoni të them në fillim se kam dëgjuar që kryeministri ka pasur një rast kur nuk është ndjerë mirë me shëndet kohët e fundit dhe dua të përfitoj nga rasti t’i uroj të jetë mirë. Shpresoj që ta marrë veten shpejt dhe plotësisht. Ai ka një përgjegjësi të madhe dhe duhet të ketë të gjitha forcat për t’i kryer ato. Do ta riformuloja pyetjen tuaj. Nga këndvështrimi im nuk ishin kritika ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndaj ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri. Bëhej fjalë për politikat e tyre, bëhej fjalë për temën më të gjerë të parimeve të demokracisë, kjo ka rëndësi. Dhe nuk bëhet fjalë për të veçuar një individ as andej as këtej, sepse nuk është asgjë personale. Bëhet fjalë për të analizuar veprimet që nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë. Mbështetja ime është për parimet demokratike në Shqipëri, gjë që mendoj se pasqyron si interesat e popullit shqiptar, ashtu edhe atij amerikan. Ne duam të shohim një demokraci të shëndetshme në Shqipëri. Pra nuk është fjala tek individë të caktuar, por tek strukturat, parimet, është fjala për krijimin e institucioneve të shëndetshme.
 
Por dikush është në krye të qeverisë dhe dikush është në krye të opozitës, dhe mënyra sesi dikush e drejton një qeveri, apo parti politike ka ndikim në drejtimin që marrin gjërat? 
E kuptoj por doja ta bëja të qartë dallimin që dikush mund të mos jetë dakord me një mendim dhe një qëndrim, pa a humbur respektin për personin që e ka këtë mendim apo qëndrim. Përsa i takon qëndrimit të qeverisë aktuale, unë do ta këshilloja që ta mendonte edhe një herë se Shqipëria ka mundësi dhe nevoja, një të ardhme për të cilën duhet menduar, jo vetëm për qytetarët e sotëm të Shqipërisë por për fëmijët e tyre. Kur qeveria sulmon institucionet e demokracisë dhe kur injoron parimet e demokracisë, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht. Më lejoni t’ju jap një shembull: Jemi shumë pranë një vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit. Katër vetë vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh. Të shkon mendja që në rrethana të tilla, qeveria do të ishte e para që do të donte të zbulonte se çfarë ndodhi në të vërtetë, që do të donte t’u jepte gjithë mbështetjen e mundshme hetuesit dhe prokurorëve për të zbuluar të vërtetën e asaj që ndodhi atë ditë. Por në vend që të bënte këtë, qeveria i sulmoi prokurorët dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores së Përgjithshme, një gjuhë, e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet t’i bëjë gjëra të tilla. Por çka është më e rëndësishme pse duhet të sulmonte kryeministri ata që kishte emëruar dhe u kishte dhënë forcë, në vend që të përpiqej t’i ndihmonte për të zbuluar të vërtetën. Kush i dha ato urdhra? Në gjithë botën policisë i jepet fuqi e madhe. Kush e dha urdhrin për të hapur zjarr? A po i mbahet ndonjë gjë e fshehtë publikut shqiptar lidhur me arsyet që e bëjnë qeverinë që të sulmojë ata që mund ta zbulojnë të vërtetën në vend që të bëjnë të kundërtën? Presidenti i Francës (Nicolas) Sarkozy foli për këtë. Ai po fliste për veprimet e qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin mes sirianëve dhe shqiptarëve, përsa i takon incidentit të hapjes së zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër. Pse është Presidenti i Francës më i shqetësuar për gjakun e shqiptarëve sesa udhëheqja e Shqipërisë?  

Kryeministri ju ka akuzuar për qëndrime të personalizuara. Cila është përgjigjia juaj? 
Kjo është absurde. Pasi dola në pension, Sekretarja Clinton më dërgoi një certifikatë vlerësimi për punën time dhe vetëm para disa ditësh, në një ceremoni për diplomatët, që sapo kanë dalë në pension, shtrënguam duart dhe ajo më falenderoi për shërbimin tim. Mendoj se është gabim kur udhëheqësit përpiqen të bllokojnë mendimet e ndryshme dhe kritikat duke bërë lojra, ose manipulojnë të vërtetën për mënyrën sesi funksionon qeveria amerikane. Në gjithë botën qeveria amerikane punon në të njëjtën mënyrë, në gjithë botën ambasadorët amerikanë funksionojnë njëlloj. Ne përfaqësojmë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, ne jemi përfaqësuesit e tij personalë dhe përfaqësojmë interesin e popullit amerikan, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Por toni i pasuesit tuaj, ka qenë i ndryshëm për sa i takon qeverisë dhe megjithë kritikat tuaja nga qeverisë, ka pasur një mospërputhje mes qëndrimit tuaj të fortë dhe mënyrës sesi Departamenti i Shtetit është shprehur për Shqipërinë si mike dhe jo vetëm ndaj vendit, por edhe qeverisë që ka bashkëpunuar me qeverinë amerikane… Kjo është diçka tjetër, shumë e ndryshme. Çdo ambasador ka personalitetin e vet, mënyrën e vet të të shprehurit… Pra personaliteti ka rëndësi… Po ka rëndësi kur bëhet fjalë për formën e të shprehurit. Kryeministra të mëparshëm të Shqipërisë kanë qenë shumë të afërt me Shtetet e Bashkuara, mënyra e tyre e të shprehurit ishte shumë e ndryshme nga ajo e tanishmja. Ambasadorja Ries, që ishte para meje, një ambasadore e mrekullueshme, kishte mënyrë të ndryshme të shprehuri nga unë dhe ambasador Arvizu, që po bën një punë të mrekullueshme, që është një ambasador shumë i mirë, toni i tij, mënyra e tij të shprehurit është shumë e ndryshme nga e imja dhe ai që do të vijë pas tij do të jetë ndryshe, por pika themelore është kjo: nëse ambasadorët Ries dhe Arvizu do të ishin këtu pranë meje tani, ne do të ishim absolutisht në një zë për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe sjelljes demokratike në Shqipëri. Nuk do të kishte asnjë mospërputhje në këtë drejtim. Pra cilado qoftë mënyra jonë e të shprehurit, politika është njëlloj dhe nuk ka ndryshuar. Por nëse ju jeni aq i shqetësuar për nivelin e demokracisë, korrupsionin, siç jeni shprehur edhe për njerëz që janë afër kryeministrit Berisha, për nepotizëm në qeveri, nuk mendoni që nga këto shqetësime kaq të mëdha qeveria amerikane do të kishte marrë masa, por nuk duket se ka pasur ndonjë gjë të tillë. Më besoni, qeveria ka shumë mënyra për të shprehur këndvështrimet dhe opinionet e veta. Megjithëse Wikileaks ishte diçka negative, sepse diplomacia nuk mund të funksionojë pa besimin e ndërsjelltë të shkëmbimeve tona diplomatike, një gjë që treguan shumë qartë dokumentat e bëra publike. Si kur unë isha atje, apo kur ambasadorja Ries ishte atje dhe tani që është ambasadori Arvizu – të jeni të sigurt që ne themi të vërtetën, ashtu siç e shohim. Ne nuk kemi njerëz të preferuar, ne nuk lejojmë çështje personale që të ndërhyjnë tek ajo që shohim në realitetin e vendeve për të cilët jemi përgjegjës. Dhe përsa i takon marrëdhënieve me kryeministrin, ajo që tregojnë (këto dokumenta) është se kishte plot mosmarrëveshje edhe me udhëheqës të tjerë, me udhëheqësin e opozitës, me ata të partive të vogla…  

Ku konsistonin këto mosmarrëveshje? Ju u larguat sapo filluan mosmarrëveshjet për zgjedhjet lokale. A patët atëherë bisedime me udhëheqësin e opozitës për klimën e konflikteve të vazhdueshme politike? 
Diskutimet që unë kisha me opozitën për strategjinë e tyre për bojkot të përhershëm, ishin shumë të hapura. Këto nuk janë aq të njohura, thjesht sepse natyra e opozitës është e ndryshme nga ajo e qeverisë, por të jeni të sigurt që unë nuk jam ndryshe kur flas me këto për ato që unë i konsideroj praktika dhe sjellje themelore në demokraci. 
 
A pati një transformim në qëndrimin tuaj pas ngjarjes së Gërdecit, sepse vetë kryeministri e ka pranuar që më parë marrëdhëniet ishin të mrekullueshme dhe diçka ndryshoi pas kësaj ngjarjeje. Si do ta karakterizonit këtë ndryshim? 
Pa dyshim që diçka ndryshoi, por nuk isha unë që ndryshova. Mendoj se ai incident ishte një pikë kthese për këtë qeveri, sepse deri atëherë, ndoshta ngaqë anëtarësimi në NATO nuk kishte marrë fund, por deri atëherë qëndrimi i qeverisë ndaj institucioneve, veçanërisht atij të drejtësisë, kishte qenë shumë më pozitiv. Menjëherë pasi ndodhën shpërthimet e Gërdecit, qeveria ndryshoi qëndrim. Sulmet ndaj gjykatave, ndaj prokurorëve, kundër medias u bënë dominuese dhe për një person si unë, që nuk isha mësuar me një gjë të tillë, të pamundura për ta kuptuar. Letrat që Kryetarja e Parlamentit i dërgonte Prokurores së Përgjithshme, shkelnin në mënyrë flagrante kufirin mes dy pushteteve: atij legjislativ dhe gjyqësor, që në thelb, ishte një përpjekje për të imponuar se ç’duhet të bënte prokuroria. Sulme si ato ndaj Prokurores së Përgjithshme nuk i kisha parë kurrë. Dhe që nga ai moment përpjekjet për të kontrolluar se kush do të bëhej anëtar i gjykatës së lartë, sulmet ndaj asaj pjese të medias që thjesht po përpiqej të bënte punën e vet për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Pastaj ishte situata e pazakontë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, për të cilin u gjykua që duhet të linte postin, u risoll në qeveri me një portofol tjetër. Pra përsëri mendja të shkon që këto veprime bien ndesh me mënyrën sesi funksionon demokracia. Po pse duhet ta bëjë një qeveri një gjë të tillë, pse nuk duhet të jetë organizmi kryesor, që të jetë i interesuar të zbulojë se çfarë ndodhi. Ne të gjithë pamë me tmerr pamjet, ambulancat, njerëzit, të mbuluar me gjak, të rinj, të moshuar u transportuan në spital, me ato plagë të tmerrshme dhe të gjithë shtruan pyetjes: Si ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë? Por në vend që të fillonte një përpjekje të pareshtur për të zbuluar të vërtetën, qeveria u kthye kundër institucioneve që kishin detyrën të zbulonin të vërtetën. Dhe të lind pyetja: Çfarë nuk donin ata të zbulonte publiku? Kur vizitova Gërdecin, unë takova një grua që mbante një varëse me një medalion ku kishte vënë fotografinë e të birit që kishte humbur jetën nga shpërthimi dhe më tha: “Zoti Ambasador, a do ta shoh drejtësinë të vënë në vend?” Dhe unë i detyrohem asaj një ndjesë të thellë dhe nëse do të mund ta takoja, do t’i kërkoja falje sepse unë i thashë: “Po, drejtësia do të vihet në vend”. Por kaq vjet më pas, nuk ka pasur drejtësi për këtë zonjë, apo për të tjerët që u dëmtuan, apo u plagosën dhe kjo është diçka shumë e trishtueshme. Më vjen keq që i premtova një gjë të tillë. Kisha më shumë besim tek qeveria dhe institucionet, sesa ishte e justifikueshme.  

Gjykata e lartë mori vendimin për pafajësi për ish-kryeministrin Ilir Meta. Keni ndonjë koment? Nuk e kam parë vendimin dhe tani këtu po e dëgjoj prandaj nuk mund të komentoj konkretisht. Por ajo që mund të them është se përtej anës ligjore, është e rëndësishme që perceptimi për politikanët në udhëheqje të jetë në një standard më të lartë se gjithkush tjetër dhe shpresoj që perceptimi për këtë përfundim të mos jetë negativ as për veprimet e zotit Meta, dhe as për gjykatën. Parimi që duhet aspiruar është: a janë udhëheqësit vërtet të angazhuar ndaj demokracisë. A është ajo pjesë integrale e tyre? Një provë e kësaj do të jetë votimi për presidentin. Sipas Kushtetutës, kjo mund të bëhet me një shumicë të thjeshtë. Por me shpirtin e demokracisë, një udhëheqës nuk do të fshihej pas anës ligjore, por do të ishte i pari që të dilte dhe të thoshte se në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe miqtë tanë amerikanë janë aq të shqetësuar për ndasitë e thella politike, unë do të jem i pari që të këmbëngul për një president konsensual. Kjo do të ishte udhëheqje. * * * Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John L. Uithers II ka hequr për herë të parë dorashkat diplomatike dhe ka folur hapur për qeverinë shqiptare dhe të ardhmen e vendit, e cila nuk duket fare e ndritur. Në një intervistë të dhënë për edicionin shqip të “Zërit të Amerikës” (Voice of America), Uidhers ka shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Intervista e plotë do të transmetohet sot, por “Shekulli” ka siguruar disa pjesë të saj. Madje ambasadori amerikan e ka krahasuar vendin tonë me dy nga vendet e tjera të Europës që kanë bërë hapa pas në lidhje me demokracinë dhe janë bërë shembulli negativ i dhunës shtetërore. “Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria, e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demokraci e zhvilluar”, tha ambasadori Uithers në intervistën e parë që jep që kur përfundoi mandatin në Shqipëri. Në Hungari qeveria ka përdorur gjykatat për të mbyllur dhe sulmuar mediat opozitare; në Ukrainë është arrestuar kryetarja e opozitës dhe një sërë përfaqësuesish të tjerë ndërsa në Rusi zgjedhjet u manipuluan dhe Putin ka shtypur përdhunisht protestat e opozitës duke kërkuar që të marrë vetë një mandat tjetër në krye të shtetit. Një situatë të ngjashme me këto tre vende, Uidhers po e shikon edhe në Shqipëri. Në intervistën për VOA, ish-ambasadori amerikan në Tiranë thotë se fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend që i quan përçarës dhe jo bashkues. “Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra”. Kryeministri Berisha dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës i kanë vlerësuar qëndrimet e ambasadorit amerikan si personale dhe jo si politika zyrtare të SHBA-së, por Uidhers i ka hedhur poshtë këto zëra duke shpjeguar se qëndrimet e tij ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri, nuk ishin personale por një analizë për veprimet që nuk ishin në përputhje me parimet e demokracisë.

e mërkurë, 18 janar 2012

Albanianpolitik, Manifesti i Bashkimit

Alban Daci


Albanianpoltik, duhet të jetë një rrymë e politikës shqiptarë që nuk bazohet në bindje partiake, por kombëtar, me njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, që integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët por për gjithë rajonin. Kjo rrymë kaq e domosdoshme për kohën që po kalojmë mund t’iu jap përgjigje efikase të gjithë argumenteve që rreshtuam dhe të atyre që ndoshta i kemi harruar ti rreshtojmë, për të krijuar vizionin pozitiv me plotë shpresë dhe ndriçim për të ardhmen. 

Lindja e Republikës së Kosovës, bën që faktori shqiptar të jetë jo vetëm më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimorë, por vendimtar në implementimin e proceseve integruese në zonën euro-atlantike për gjithë Ballkanin. Megjithatë, lindja është fillimi i një jete, i një procesi të pambaruar. Lindja e Republikës së Kosovës është lindja e një shprese mbarë shqiptare për bashkim, realizimi i kësaj shprese është aspirata e popullit shqiptar ndër shekuj. Po të analizojmë aktualisht në bazë të kriterit hapësinor, demografik, faktori shqiptarë ka një shtrirje të gjerë dhe një prezencë të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, pa lënë mënjanë dhe Diasporën që është e kudo gjendur nëpër botë, ku në pjesën me të madhe ka arritur integrim të plotë shoqëror, ekonomik, kulturor dhe akademik. Kjo situatë e favorshme për shqiptarët, ka nevojë për nisma të reja efikase dhe të shpejta në kuadrin e një forme të re politike që e shikoj të drejtë ta cilësoj “Albanianpolitik” e konceptuar si rrymë e re e politikës shqiptare që duhet të ketë në qendër të vëmendjes krijimin dhe raforcimin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet që kanë politika dhe interesa të përbashkëta me faktorin shqiptar në Ballkan. Një situatë e favorshme, pa mjetet e domosdoshme dhe koherencën e mençur rrezikon të jetë nulë. Albanianpolitik, nuk duhet të jetë e organizuar mbi baza partiake, ideologjike dhe nuk duhet patjetër të jetë e përfaqësuar nga individ që politikën e bëjnë për profesion nevoje si të vetmen mënyrë për të bërë karrierë, por nga intelektual, specialist të fushave të ndryshme, të rinj që besojnë dhe aspirojnë në një politik pro shqiptare, e cila mendon se shqiptarët duhet të mbrojnë në mënyrë legjitime të drejtat e tyre si në politikën e mbrëmshme dhe atë të jashtme, që besojnë se faktori shqiptar ka një forcë të madhe, të cilën mund ta shfrytëzoj për të çuar përpara procesin e integrimit evropian për rajonin e Ballkanit, që mund të jap një kontribut të fortë dhe të rëndësishëm në mbajtjen dhe ruajtën e paqes në rajon. Në situatën aktuale të krijuar në Ballkan, mendoj, se shqiptarët duhet të ndërmarrin disa hapa të rëndësishëm për sa u përket marrëdhënieve ndër veti, sepse premisat e reja në të ardhmen nuk do të jenë vetëm pozitive, por ndoshta herë-herë edhe negative. Nëse nuk veprohet që tani në krijimin e një baze të shëndoshë për të ardhmen e përbashkët dhe të pa ndarë, atëherë ka mundësi që vetëm të mbetemi të ndarë, por të rrezikojmë edhe ndarje të reja të pa drejta. Duhet të analizojmë me kujdes problemin e madh që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, problemin edhe në pamje të parë duket i heshtur mes Shqiptarëve dhe Sllavo-maqedonasve, problemin e vjetër të Çamëve si dhe të drejtat e mohuar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Ndoshta ka ardhur momenti që këto probleme të krijuara padrejtësisht nga të huajt, t’i zgjidhim po ne, në favor të drejtësisë tonë legjitime, duke ushtruar principin e vetëvendosjes. Pavarësia e Kosovës, ishte me të vërtetë një fitore e merituar për faktorin shqiptar, por nëse e studiojmë me gjakftohtësi ecurinë e saj drejt krijimit të Shtetit të ri bashkë me komponentët e tij formues. Mund të shprehemi se kjo mund të çojë në të ardhmen në krijimin e një “kombi të ri” (Kombi Kosovarë) që do të mohonte në simbole kombëtare, në histori, traditë dhe kulturë identitetin e tij të vërtet shqiptar. Disa herë na jepet përshtypja e rreme se në atë vend ka ekzistuar një popull (popull kosovar) me identitetin e vet, me simbolet e veta dhe me historinë e tij. Ky është një imazh qëllimisht i rremë, sepse shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë Shqiptarë, të cilët jo vetëm kanë lidhje gjaku, kulture, historike dhe gjuhe me ato të shtetit amë, Shqipërisë, por janë të njëjtët, të cilët u ndanë padrejtësisht nga rendi botëror i fillim shekullit që tashmë e kemi lënë mbrapa. Një sistem ndërkombëtar që nuk konsiderohet i drejte, herët a vonë do të vihet në rrezik. Por si e percepton një popull drejtësinë e një rendi të caktuar botëror? Varet si nga institucionet e brendshme, ashtu edhe nga gjykimet mbi cështjet taktike të politikës të jashtme. Prandaj, përputhja e institucioneve të brendshme çon në forcimin e paqes. Sistemi aktual ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit nuk është konsideruar dhe as nuk do të konsiderohet si i drejtë nga shqiptarët. Prandaj, shqiptaret herët a vonë do të veprojnë ndryshe derisa ai te ndryshoi ne favorin e drejtësisë se tyre. Institucionet e brendshme shqiptare nuk po bëjnë asgjë për drejtësinë ndërkombëtare të shqiptarëve në Rajon, sepse ato po merren me veten. Prandaj, nuk kemi arsye të besojmë, se politika është ajo që mund të realizojë aspiratat tona të drejta e të merituara. Klasa aktuale e politikës shqiptare, ka kohë që është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Një klasë politike që nuk është në gjendje të krijoi demokracinë në vend, ajo nuk është në gjendje që këtë princip ta mbroj dhe ta forcoi edhe jashtë, aty ku prej shekuj jetojnë shqiptarë, të shtypur dhe të nëpërkëmbur. Duke parë situatën aktuale politike në vend dhe duke kujtuar atë që ka ndodhur në vite, kemi plotësisht të drejtë edhe pse në formë të dëshpëruar të mos besojmë më tek kjo klasë politike, e cila mendon dhe lufton vetëm për interesat vetjake. “Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë”, tha zoti Ëithers. Unë, do të vazhdoja edhe më tej... përderisa kjo klasë politike as nuk e ka në agjendë bashkimin kombëtar (më i mundshëm është ai mes Kosovës dhe Shqipërisë), do të thotë se bashkimi për ata është diçka e huaj. Për këtë arsye ne kemi të drejtë se kjo klasë politike nuk e do bashkimin. Po të shohim historitë e bashkimeve në të kaluarën, si dhe po të analizojmë të drejtën për vetëvendosje të popujve, bashkimin e një populli mund ta bëj vetë popull me iniciativën e tij të lirë duke u bazuar në demonstrimin e vullnetit të lirë që është shenja më e lartë e një demokracie. Gjermania u bashkua, sepse vet populli gjerman (kundër edhe faktorit ndërkombëtar të asaj kohe) vendosi ta shemb murin absurd dhe të padrejtë që ndante qytetin e Berlinit dhe vet Gjermaninë. Prandaj, populli shqiptar, duke u mbështetur edhe në principin ndërkombëtar të vetëvendosje, nuk duhet të pres që bashkimi i tyre të bëhet nga politika, por ato si gjermanët duhet të marrin guxim e legjitimuar ta shembin murin virtual që ekziston në Morinë dhe në pikat e tjera të kalimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëvendosja është një princip drejtësie dhe për këtë arsye as nuk mund të na e ndalojnë ta ushtrojmë dhe as nuk duhet ta harrojmë se është e drejtë e jonë legjitime për ta ushtruar atë. Sipas pikëpamjes së Amerikës, nuk ishte vetëvendosja që shkaktonte luftëra, por mungesa e saj. Duke u nisur kjo analizë, mund të themi me siguri të plotë, se nuk sjell probleme në Rajon, ushtrimi i vetëvendosjes nga Shqiptarët, por mos ushtrimi i kësaj të drejte pikërisht nga Shqiptarët. Mos u shtrimi i kësaj të drejte nga Shqiptarët dhe pengimi i ushtrimit të saj nga popujt e tjerë, do të bëj të mundur që në Rajon të qëndroi gjithmonë gjysmë e hapur dera e telasheve dhe probleme me pasoja të rrezikshme për të gjithë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të ndodh duke bërë bashkëpunime të rëndësishme si më poshtë. Megjithatë, nëse bashkëpunimet e më poshtë janë të parealizueshme për shkak të faktorëve të brendshëm politik. Atëherë shqiptarët duhet të mbaj si alternativë, bashkimin e menjëhershëm dhe demonstrativ, ashtu siç bënë gjermanët e dy Gjermanive duke u paraqitur pasivisht në pikat e kontrollit dhe të kalimit. 

Bashkëpunim Ekonomik 
a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit evropian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese.
 b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkët për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit. 
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlej si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen.
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdha si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve. e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar. Hapi i pari dhe më i rëndësishëm do të ishte krijimi i një kompanie të përbashkët korporuse mes dy vendeve. Këtë rol mund ta bëj shumë mirë KESH (Kompania Energjetike Shqiptare) që mund të veproj si kompani kombëtar. Hap tjetër i rëndësishëm do të ishte investimi i përbashkët për forcimin e rrjetit ekzistues si dhe krijimin e rrjeteve të reja të standardeve moderne të kohës që do të lehtësonin shpërndarjen e energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve si dhe mundësinë e eksportimit të saj më vendet e tjera të rajonit. Mund të ketë projekte të përbashkëta për ndërtimin e hidrocentraleve dhe termocentraleve me aksione te përbashkëta investuese për të pasur një shfrytëzim të përbashkët dhe të barabartë në të ardhmen. 

Bashkëpunim Politik 
a) Të krijohen organizma ndër institucionale si “Këshilli Kombëtar për Integrim”, i cili duhet të përfaqësohet nga nivelet me të larta drejtuese të dy vendeve si dhe në nivel specialistësh që duhet të mblidhet në çdo katër muaj në vit, ku të diskutohen implementimet e politikave të përbashkëta për një integrim të përbashkët dhe uniformë në Bashkimin Evropian. Selia e këtij këshilli mendoj se duhet të jenë Prishtina dhe Tirana. Ky këshill do të bënte që faktori shqiptar të ketë politika të përbashkëta për çështjet e përbashkëta në Ballkan. b) Krijimi i një Politike të jashtme të përbashkët (PJP) që duhet të përfaqësohet nga nivelet e larta drejtuese të dy vendeve dhe të ketë objektiva parësore implementimin e reforma për integrim të shpejtë në zonën euro-atlantike, të jap kontribut dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe të mbroj interesat e faktorit shqiptarë në botë në sintoni më politikat e aleatëve të deklaruar.
c) Mund të krijohen konfederata partiake, ku forcat kryesore partiake të dy vendeve sipas programeve dhe ideologjive që kanë në zbatim mund të bashkëpunojnë duke krijuar organe të përbashkëta këshilluese në realizimin e objektivave të përbashkëta, por gjithmonë duke venë në qendër të vëmendjes interesat kombëtare. Përsa u përket konfederatave politike, si më të mundshme mund të shikojë krijimin e një konfederate me Vetëvendosjes në Kosovë dhe Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri. Këto lëvizje politike, e kanë shprehur në mënyrë të qartë, se bashkimi kombëtar është strategjia kryesore e aktivitetit. 

Bashkëpunim Kulturore 
a) krijimi i një “Komisioni kulturor” të përbashkët, që do të diskutoj çështjet e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës, në mënyrë që të mos krijohen distanca më rryma të ndryshme dhe të largëta. Një rol të rëndësishëm mund të luaj instituti i Albanologji duke operuar në të gjitha nivelet e arsimimit. Nëse Albanologjia si institucion nuk është në gjendje ta bëj një gjë të tillë. Shqipëria dhe Kosova kanë plot intelektualë të nivelit të lartë, të cilët punojnë në mënyrë autonome prej kohësh. Atëherë, këto intelektual duhet të riorganizohen dhe të krijojnë një institucion krejt të pavarur që të përfaqësojë interesat e kulturës tonë kombëtare. 
 b) Krijimi i një “Komisioni Gjuhësie” që duhet të analizojë problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht gjuha shqipe si në aspektin drejtshkrimor, gramatikor si dhe nga huazimet e shumta që po e mbysin. Ky komision besojë, se duhet të përbëhet nga niveli më i lartë i akademikëve të gjuhësisë dhe duhet të mblidhet njëherë në gjashtë muaj. Gjuha shqipe duhet të evoluoj bashkë me proceset e tjera. Kongresit i fundit i gjuhës shqipe pa komentuar rrethanat në të cilat është zhvilluar, është bërë shumë kohë më parë, kurse proceset e tjera jetësore kanë ndryshuar me hapa të mëdha. Kjo ka bërë që gjuha shqipe të përballet me sfidën kohë dhe hapësirë, sepse shtrirja e përdorimit të saj falë ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon është rritur, duke bërë që të mos ketë një harmonizim të plotë dhe uniformë përdorimi si dhe mos koherencë me proceset e tjera si globalizimin. Prandaj, e shikoj të drejtë të punohet dhe të bëhen rishqyrtime që gjuha shqipe të jetë si koherente dhe uniforme në të gjitha zonat shqipfolëse . 

Albanianpolitik mendoj se është shumë e domosdoshme të operojë dhe brenda në Shqipëri, ku me aksionet e saja efikase, demokratike dhe kombëtare mund t’iu jap përgjigje modeleve mesjetare të përfaqësuara dhe ideuar nga sharlatan të servilosur që me aksionet e tyre ksenefobike përpiqen të cenojnë integritetin tonë territorial dhe kombëtar. Në këtë arenë të gjerë që po analizojmë, nuk duhet të harrojmë as Diasporën tonë, e cila është pjesë integrale shpirtërore dhe fizike e botës shqiptare. Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të fortë dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për të përfaqësuar imazhin shqiptar denjësisht, për mbrojtur interesat politike kombëtare të faktorit shqiptar si dhe pa harruar rolin më kryesor atë ekonomik, ku fal kontributeve të derdhura nga emigrantët, Shqipëria ka ecur përpara në reforma ekonomike, duke zbutur varfërinë dhe ndezur shpresën e mirëqenies në familjet shqiptare. Disa forma organizuese politike të sapo krijuar që nuk mund të kenë një emërtim të saktë organizues dhe një klasifikim po të saktë dallues më në fund janë kujtuar se Diaspora shqiptare nuk ka vetëm detyrime por edhe te drejta. Pra, këto forma organizues po mundohen të ndërmarrin fushata për të drejtën legjitime të votimit të emigrantëve. Kjo iniciativë si sipas analizës time është vetëm një hap i dështuar politik në interes të një pakice në dëshira dhe interesa që nuk parashikon dhe përfshin interesat e Diasporës për disa arsye: 
1) Sipas së drejtës kushtetuese nuk ekziston vetëm e drejta të zgjedhësh por edhe të zgjidhesh, jo vetëm të jesh i përfaqësuar por edhe të përfaqësosh, jo vetëm të jesh aktor por edhe autor në vendimmarrje. Prandaj, unë mendoj se nëse duhet të flasim për këtë argument duhet të mendojnë se Diaspora nuk duhet jo vetëm të votoj por edhe të votohet, që do të thotë të ketë përfaqësuesit e saj vendimmarrje.
 2) Aktorët aktual që kanë marrë këtë iniciativë nuk kanë akoma kredibilitet dhe elektorat të garantuar. Prandaj, mendojnë se duke ardhur nga Perëndimi, ku kanë pasur historia të shkurta studimore apo ku ta di unë, mund të sigurojnë votat e mjaftueshme nga emigrantët sa për të pasur një karrige politike. Albanianpoltik, duhet të jetë një rrymë e politikës shqiptarë që nuk bazohet në bindje partiake, por kombëtar, me njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, që integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët por për gjithë rajonin. Kjo rrymë kaq e domosdoshme për kohën që po kalojmë mund t’iu jap përgjigje efikase të gjithë argumenteve që rreshtuam dhe të atyre që ndoshta i kemi harruar ti rreshtojmë, për të krijuar vizionin pozitiv me plotë shpresë dhe ndriçim për të ardhmen.

e martë, 17 janar 2012

Haxhi Qamili; një Pugaçov, apo një hallduk shollvarëgjërë?!

Kurani: Kërkoje dijen që nga lindja e gjer në vdekje!
 Albert Einstein: Jam i mençur sepse nuk di asgjë. 

Nga Prof. Neki Babamusta-Londer 

Historia ndryshon me doktrina të reja, me platformën: “kështu ka ndodhur”! A duhet ndryshuar historia e Kombit tonë? Po, sipas mendimit tim. Në disa ngjarje kulmore, nuk duhet të kalojmë në ekstreme, sepse kështu prekim bazën arkitekturore të kështjellave tona mijëra vjeçare. Me veprime të tilla, do të mohonim vetveten, duke mbetur Komb pa histori, gjë që bie në kundërshtim me argumenta, që e rradhit popullin tonë, ndër më të vjetërit dhe më të qytetëruarit në botën e lashtë. Diktatorët e periudhave historike, i kanë atribuar vetvetes “mençuri shekullore”, “të shenjtëruar”, etj. Bëmat e tyre gjakatare, kanë rënë ndesh me dëshirat dhe interesat e popujve. Prandaj, në historinë e shoqërisë njerëzore kanë mbetur demonë vrasës, duke lënë pas shijen e tyre të hidhur. Hitleri, në librin e tij “Mein kampf” shpalosi idetë e Nazizmit për vendosjen e rendit të ri në botë. Ndër të tjera, ai theksonte: “pas fitores së luftës ndaj Aleatëve, unë do të ndryshoj historinë, duke e bërë Gjermaninë sundimtare të popujve.” (Mein Kampf, 1926) Kështu proklamonin edhe klasikët e Marksizëm-Leninizmit, se me triumfin e diktaturës së proletariatit mbi gërmadhat e kapitalizmit, do të vendoset rendi i ri “Socializmi”. Kam mendimin, i bazuar në bindjet e mia patriotike se historia duhet të ndryshojë, duke edukuar në ndërgjegjen tonë, dhe duke skalitur në mënyrë objektive rendin e ri “Demokracinë”, me vlerat jetike perëndimore, ku vlerësohet personaliteti i njeriut. Natyrisht, këto ndryshime, nuk bëhen me një të rënë të shkopit magjik, me ndërrim kostumesh popullore, nga oratorë me doktoraturë, por me zbatim reformash duke transformuar bazën dhe superstrukturën ekonomike dhe politike të vendit. 

Ku bazohet historia në ndriçimin e saj? Historia, si Poetesha e kohërave, e mbështet vërtetësinë e saj në zbulimet arkeologjike, në arshiva, me dokumentet e kohës, në libra historikë, në muzeume historike, në marrëdhëniet diplomatike, me foto historike, me këngë e vargje, shkruar dhe kënduar nga populli, në dëshmi e deklarata si autorë ngjarjesh, në vendngjarje historike, kështjella, trofe luftarake, shtypi i kohës, etj. Në vendin tonë kemi vendburime historike dhe kulturore, që e ndriçojnë historinë e popullit shqiptar. Ato ruhen ndër muzeume, siç ruhen në Muzeumin e Londrës, sopatatat që u pritej koka e kundërshtarëve të mbretit, që në shekullin IX. Ndërsa në Muzeun e Parisit ekziston Gijotina, që preu edhe kokën e Robes Pierit, drejtuesit të Revolucionit Borgjez Frances, v. 1789. Çfarë sygjeroi Ömer Dinçer, Ministri i Arsimit Turk në Kosovë? Ministri i Arsimit të Turqisë, z. Ömer Dinçer, gjatë vizitës me zyrtarët e lartë të qeverisë së Kosovës, me 19 gusht 2011, shfaqi dëshirën dhe rekomandoi që raportet e historisë së kombit shqiptar me Turqinë duhen ndryshuar. Kur nuk gjeti miratimin e kësaj kërkese absurde, bëri këtë deklarim diplomatik: “Turqisë i vjen keq që Shqipëria ka vuajtuar nga diktatura komuniste dhe Kosova nga sundimi gjakatar serb!” (Alsat TV, 20 gusht 2011). Siç duket, z. ministër, duke na kthyer një shekull pas, do të ndjehej i nderuar, që Skënderbeut t’i vihej shallma turke, me flamurin gjysëm hënëz, që Arbërit, me Kryetrimin e tyre, nuk ia lejuan që t’i vihej edhe Papës së Romës. Turqia, për kombin shqiptar, ka mbetur pushtuese, me sundim gjakatar. Bukur e thotë kënga popullore: “Nizamë e xhelep s’ka, jemi popull fukara!... O halldup shallvarëgjerë në të zënça dot gubërë, do ta bëj si t’jatër herë” Konica thotë: “Shqipëria mbeti kopësht shkëmbor, edhe më vonë,” si pasojë e sundimit të egër turk. (Faik Konica, Vepra I, 2001). Me Turqinë jemi dy popuj miq. Sot, në Turqi jetojnë 2-3 milion shqiptarë, dhe akoma nuk i lejohet shkollimi në gjuhën amëtare. Ishte elita inteligjente e popullit shqiptar, e cila ka drejtuar Turqinë për disa shekuj. Do të jetë lajthitje mendore, t’i quash turqit “administratorë” gjatë sundit shekullor. Veç grabitjes dhe prapambetjes që na la Turqia është vajtuese të kujtojmë se pashallarët dhe sulltanët turk, skllavëruan mijëra vajza shqiptare, për orgjitë e tyre ndër hareme, duke i vrarë dhe mbytur në detin Bosfor, siç vepronte edhe Sulltan Hamiti. Dihet qëndrimi i lartë moral i vajzave shqiptare. Nora e Kelmendit vrau pashanë turk, për të mos u bërë skllave e tij. Në Kavajë, kur unë isha mësues në fshatin Zhabiak, në vitin 1954, të moçmit më tregonin: “I sheh këto toka? E kanë emrin “Tokat e Sulltaneshës Nënë”! Sulltani dhe pashallarët turq rrëmbenin me forcë vajzat tona. Për të ulur zemërimin e familjeve që iu grabiteshin vajzat, pashallarët u jepnin atyre peshqesh një copë tokë.”

Vlerësimi i Rilindasve 
Rilindasit janë të shkëlqyerit e kombit tonë, që punuan dhe u sakrifikuan për të ruajtur bazat e identitetit shqiptar për liri, me pendë dhe pushkë. Vepra e tyre është e paçmuar. Figurat madhore të kombit tonë, si Ismail Qemali, baca Isa Boletini, duhen të shpallen pasardhës të denjë të Skënderbeut, se e tillë ishte jeta dhe veprat e tyre. Duhet vlerësuar kontributi i familjeve të dëgjuara patriotike, në fshatra e qytete, që punuan në të mirë të kombit tonë. Sipas njoftimit që dha televizori shtetëror, TVSH, më 3 janar 2012, tek rubrika njerëz të humbur, në Pejë të Kosovës gjendet familja Viktor Gashi, familje që prej shtatë brezash prodhonte armë stolisur me argjend që nga shekulli XVI. Edhe në Prizren dhe Gjakovë janë zbuluar armë të hershme, me zbukurime argjendi. Këto fakte hedhin poshtë, kërkesat absurde të serbëve se serbët janë banorë të hershëm në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Tadic, në vizitën që bëri më 8 janar 2012 në kishën serbe në Fushë-Kosovë, me rastin e Pashkëve, deklaroi se serbët kurrë nuk do të heqin dorë nga pushteti paralel. Kjo nënkupton se Serbia akoma pretendon se Kosova është e Serbisë. Kombi shqiptar, një popull flori, ka me dhjetëra e qindra familje, të dëgjuara, që janë simbole patriotizmi. Fiset “Toptani” dhe “Vrijoni” kanë vlera të larta historike në të mirë të kombit duke i shërbyer ndër brezni atdheut. Duhet vënë në vend kontributi historik i Shqipërisë se Mesme në historinë tonë kombëtare për lirinë dhe arsimin kombëtar.

Cili ishte Haxhi Qamili?
Haxhi Qamili ishte një fshatar i paditur nga krahina e Tiranës. Pse histeriografia, diktuar nga regjimi komunist, e quajti Haxhiun “Pukaçovi Shqiptar”? Ky i paditur, me ca pasues si vetja e tij, në shërbim të xhonturqëve, për t’u bërë i besuar tek fshatarësia e varfër shqiptare dhe me ëndrrën për t’u bërë si kryetar i tyre, dogji kulla të pasurish, përfshi edhe atë të Toptanëve në Tiranë gjatë viteve 1914-15. Por, është qesharake të mendosh e të pranosh, se një fshatar anadollak, si Haxhiu, do të përfaqësonte interesat e fshatarësisë. Një inskinim i tillë nga regjimi komunist, ishte sfidë dhe përbuzje ndaj figurave patriotike, që drejtonin lëvizjet fshatare anekënd Shqipërisë, duke kundërshtuar me armë edhe çmenduritë e Haxhi Qamilit. Haxhi Qamili, propagandonte në popull me parrullën: “Duam – duam Babën, Turqinë!” Ai kërkonte që shkronjat e alfabetit tonë latin të zëvëndësoheshin me hiroglife turke-arabe. Haxhi Qamili filloi të persekutojë dhe vrasë mësues patriotë. Sipas dëshmisë të patriotit Thimi Mitko, pas shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1887, shkolla të tjera shqipe, menjëherë pas Korçës, u hapën në Berat, Pogradec dhe Kavajë. (Arshiva e Shtetit). Për këtë qëllim, Haxhi Qamili, me pasuesit e tij, të shtunave, ditë pazari, vinte në Kavajë. Arrestonte mësuesit e gjuhës shqipe, i lidhte dhe i torturonte. Pas torturave, i hipte mbi gomar, me fytyrë kthyer mbrapsht. Vetë bërtiste para turmës qytetare: “Shikojini kaurrët, duan të na ndajnë nga Turqia!?” Haxhi Qamili mbante një pistoletë, me mulli shtatëplumbëshe. Në folenë e armës fuste 1-2 fishekë, duke mbajtur mend rradhën. Pasi e afronte mësuesin përballë tij, i inatosur çirrej: “Robin e Zotit, njeriun e shenjtë, nuk e kap plumbi!” duke e drejtuar pistoletën ndaj vetes dhe tërhiqte këmbëzën tek foleja pa fishek. Pastaj ia drejtonte pistoletën mbi kokë mësuesit duke e shkrehur tek foleja me fishek. Duke u argëtuar, ky kriminel sërish u drejtohej të pranishmëve: “Robin e keq, kaurrin, nuk e do as Zoti!” dhe i vriste në vend. (Sipas dëshmisë së mësuesit disident Myslim Sedja, v. 1965, marrë nga gjyshi i tij, Mehmet Kavaja (Sedja), i cili ishte përfaqësues i Kavajës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me 10 qershor 1878. Edhe dëshmisë nga i ati i Myslimit, Avdurrahim Sedja, i cili ishte shok banke dhe lufte i Ataturkut të Turqisë). Edhe Patriarkana Greke e Stambollit, shkronjat e alfabetit shqiptar i quante të mallkuara. Për qëllime shoveniste kisha greke helmoi mësuesin e gjuhës shqipe Petronini Luarasi, vrau Papa Kristo Negovanin, etj. Natyrisht, regjimit komunist i duhej një “Sanço Panço”, për eleminimin e vlerave patriotike, që s’i pëlqenin regjimit komunist dhe për realizimin e reformës agrare, që çvishte fshatarët duke ua hequr të drejtën mbi pronësinë e trashëguar. 

Koha e Mbretërisë së Zogut
Personalitetet historike dhe vlerat politike, duhen parë, sa veprimtaria e tyre, i ka shërbyer kombit. Edhe shtypi i kohës, duhet vlerësuar në përshtatje me kushtet historike. Pushteti mbretëror i Zogut, funksionoi kur, në arenën ndërkombëtare boshti “Berlin-Tokio-Romë”, ishte bërë kërcënim real për botën që po përflakej nga nazi-fashizmi. Njëkohësisht, në arenën ndërkombëtare, vepronte “Kominterni”, qendra drejtuese ndërkombëtare e cila përhapte idetë komuniste nëpër botë. Në Shqipëri, në vitet 1930 filluan veprimtarinë e tyre celulat komuniste. Orginazata Kominterni dhe komunistët shqiptarë, ende të paorganizuar, drejtoheshin nga Moska. Fuqitë perëndimore, të zëna me problemet e tyre, nuk u angazhuan me çështjen shqiptare. Po ashtu, diplomatët shqiptarë të asaj kohe jashtë vendit, nuk bënë përpjekjet e duhura për ta lidhur Shqipërinë me perëndimin. Situata kaotike politike dhe ekonomike, si dhe tradhëtia që iu bë Mbretit Zog nga disa ish-bashkëpunëtorë të tij, feudalë të mëdhej, bënë të mundur që Italia fashiste të okuponte Shqipërinë me 7 prill 1939. 

 E vërteta e pushtimit fashist sipas Kostë Çekrezit
Kostë Çekrezi ishte udhëheqësi i Lëvizjes Antizogiste në vitin 1935, e cila dështoi. Mbështetur tek Ditari i Konti Çianos, dhëndri i Musolinit dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, në atë kohë, Kosta shkruan kujtimet e tij me titull “E vërteta e Pushtimit Fashist”. Ditari është botuar në anglisht në vitin 1946. Pa diskutuar bindjet dhe frymën e tij anizogiste, dhe pa i paragjykuar ato ngjarje të shtjelluara në kujtimet e tij, shkurt ndër të tjera z. Çekrezi shkruan: “Dhjetor 1938: Marrëveshja e fshehtë – Qeveria e Romës në marrëveshje me “të Parët e Vendit” i priste ndihmën Zogut për rrëzimin e tij. Duka d’Aosta, do të ishte një mbret më i mirë. Musolinit (Duçja) nuk donte pavarësinë e Shqipërisë, por okupimin e Shqipërisë me një nënmbret italian, duke përdorur si vegla të parët e vendit. Pra Duçja, kishte si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë… 5 prill 1939: Qeveria e Romës i dërgon ultimatum qeverisë së Tiranës, që të pranojë trupat ushtarake në Vlorë, Durrës, Sarandë. Parlamenti shqiptar i hodhi poshtë këto kërkesa, përfshi Shefqet Verlacin dhe Mustafa Merlikën, që në fakt ishin përfaqësuesit e bejlerëve, për marrëveshjen e fshehtë… Duçja (që thoshte “Shqipëria është në zemrën time”) refuzoi çdo marrëveshje me Zogun sepse nuk i hynte më në punë. Në këtë rast të vështirë Zogu bëri një gjest trimërie: Shqiptarët t’u përgjigjen me armë italianëve. Me 7 prill 1939, 400 aeroplanë fluturuan mbi qiellin e Tiranës. Duçja shpalli bashkimin e Shqipërisë me Italinë. Bejlerët, bajraktarët, dhe arhondët u bënë çirakë të Duçes. Në pallatin mbretëror në Romë u pranua nga paria bashkimi i Shqipërisë me Mbretërinë Italiane, ku si mëkëmbës i Duçes u caktua Jakomani.” (Gazeta Dielli, Qershor 2011) Kjo nënkupton se paria e Shqipërisë që dikur solli në front Zogun, për hir të interesave të saj, u bë kundërshtare e fortë e mbretit Zog, duke rënë në kurthin e Duçes. Qëndrimi i P.K.Sh-së ndaj regjimit të Zogut. Ky ishte preteksti i zmadhuar i P.K.Sh-së (Partia Komuniste Shqiptare), e cila duke çkurorëzuar regjimin e Zogut, do të celebronte barbarinë komuniste. Pushtuesit italianë, populli shqiptar nuk i priti me lule. Të parët që i kthyen pushkën okupatorit italian ishin patriotët, forcat atdhetare të Ballit Kombëtar, dhe forcat patriotike ushtarake me Abaz Kupin në krye. Abaz Kupi komandoi mbi 1000 forca ushtarake dhe vullnetare kundër pushtuesve. Por, e keqja nuk mund të ndalej më. Pushtimi italian u realizua. David Smileu, kronist dhe politikan anglez e quan Abaz Kupin hero shqiptar (Gazeta Dielli, janar 2011). 

Në ç’këndvështrim duhet vlerësuar periudha e Zogut? 
Çezarit jepi atë që i takon! Asnjë regjim nuk është i përsosur në Botë, sado demokratik të jetë. Shqipëria e ndarë në krahina, Zogu arriti që t’i bashkoi, duke ngritur një shtet funksional, të çentralizuar. Zogu formoi administratën e re në Shqipëri, me veprimtari të kontrolluar. Gjithashtu, themeloi ushtrinë e re, drejtuar nga kuadro, që ishin shkolluar dhe trajnuar në perëndim. Drejtësia bazohej në ligje bashkëkohore, me gjykata dhe prokurori me kuadro profesioniste. Zogu forcoi pushtetin administrativ bazuar në ligj dhe rend. Si dhe dërgoi kuadro për sektorët e ekonomisë, duke i arsimuar në perëndim. Ndërsa regjimi komunist, shumicën e tyre i burgosi dhe i pushkatoi, duke eleminuar inteligjencën shqiptare, e përgatitur me sakrifica. Në përshtatje me kushtet ekonomike, Zogu zhvilloi arsimin. Arsimtarët paguheshin 25-30 napolona ari në muaj. Njëkohësisht, ai forcoi monedhën vendase, frankun, duke e barasvlerësuar me arin. Forcat opozitare, me Fan Nolin, Konicën, Gurakuqin, Bajram Currin, Aqif Pashë Elbasanin, Ramazan Canin, Bajram Xhanin, Nano Gjoni, duhen të shikohen dhe vlerësohen sepse veprimtaria e tyre kundërshtonte regjimin feudal (përkrahës të oborrit mbretëror). Programi i opozitës, ishte një program më pranë vegjilisë (shtresave të varfëra), prandaj me pa të drejtë elementët feudalë eliminuan disa figura të shquara politike të kohës. Kur erdhi Zogu në pushtet, në janar 1925, një pjesë e opozitarëve u arratis jashtë vendit. Duhen vlerësuar dhe t’u jepet vendi i merituar dy partive më të vjetra të vendit tonë: 1) Ballit Kombëtar me Mit-hat Frashërin, ish-kryetar i Kongresit të Manastirit (9-14 nëntor 1908) dhe ish-ideologu kryesor i formimit të Ballit Kombëtar, dhe 2) Legalitetit, organizatë politike kombëtare, që u themelua nga Abaz Kupi. Duhen rivlerësuar figurat e mëdha patriotike të kombit tonë: rilindasit dhe pasuesit e tyre, Atë Gjergj Fishta, Konica, Kasem Trebeshina, Ali Podrinja, Ismail Kadare. Duhet të zërë vend nderi veprimtaria patriotike e klerit katolik si mbrojtës të pavarësisë dhe përhapës të gjuhës shqipe. Duhet vlerësuar veprimtaria e drejtuesve të fesë islame si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dolliu, Myfti Vehebi Dibra, kreu i Kryegjyshetës Botërore të Bektashijve Baba Reshit Bardhi, si dhe përhapësit e gjuhës shqipe, si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, hirësia e tij Atë Nikollë Marku i Kishës Autoqefale Kombëtare. Veprimtaria e Diasporës dhe Zërit të Amerikës Diaspora shqiptare jashtë vendit, dhe veçanërisht në Amerikë, nën drejtimin e Zërit të Amerikës, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare. Zëri i Amerikës dhe diaspora, kanë qenë dhe janë ura ndërlidhjeje midis Amerikës, Shqipërisë dhe Perëndimit. Ato kanë ngritur të parin zërin për çështjen shqiptare për çdo problem madhor, si për luftën kundër komunizmit, për procese demokratike dhe për fitoren e pavarësisë së Kosovës. Vend nderi duhet të zejë figura e nderuar e Elez Biberaj, ish-drejtues i misionit të Zërit të Amerikës. Për të ruajtur identitetin kombëtar, patriotë shqiptarë me vendbanim në Amerikë kanë hapur një seri shkollash shqipe, si shkolla shqipe në Staten Island, themeluar nga familja Ruci dhe familja Zylo (z. Rrape Ruci, president i Institutit “Gjergj Kastriot Skanderbeg”, Mislim Ruci zv/president, drejtori i shkollës z. Qemal Zylo dhe znj. Kozeta Zylo, mësuese), si dhe shkollat shqipe në Uaterberi të Konektikës, Bronks, Neu Jork, dhe Uarçestër, Maseçutës. Gjithashtu duhet vlerësuar veprimtaria e Federatës Panshqiptare “Vatra” themeluar nga Fan Noli dhe Konica në 1912, me organin e saj gazeta “Dielli”. Çështja Kosovare Historia e kombit shqiptar duhet shikuar e pandarë. Kosova mbijetoi në saj të luftës heroike të popullit të vet kundër pushtuesve turq, serb, për liri, pavarësi dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Vend nderi duhet të zënë veprimtaria e presidentit Rrugova, me politikën e tij paqësore. Mbi të gjitha duhet të çmohet lart lufta çlirimtare e UÇK-së, me Hashim Thaçin, që me ndihmë të NATO-s dhe SH.B.A.-së arritën të fitojnë lirinë. Dëshmitarë të pavarësisë janë gjaku i dëshmorëve me legjendarin Adem Jashari. Për çështjen shqiptare, shqiptarët kanë qenë gjithmonë të bashkuar. Kjo u tregua edhe me pritjen e ngrohtë që i bëri Shqipëria vëllezërve të Kosovës, kur Millosheviçi shpërnguli me dhunë 800,000 shqiptarë.

Periudha e Komunizmit 1945-1990 
Sundimi i komunizmit është periudha më ogurzezë për popullin shqiptar. Ideologjia Marksiste-Leniniste, me diktaturën e proletariatit, nëpërmjet luftës së klasave, e vuri shqiptarin kundër shqiptarit. Duhet bërë ç’është e mundur që kjo periudhë të çrrënjoset nga ndërgjegja e popullit, sepse vrau, burgosi, interrnoi, persekutoi mbi 400,000 shqiptarë. Periudha e socializmit duhet shikuar si kohë e nënshtrimit me forcë për të ndërtuar gjoja sistemin e ri politik, socializmin. Socializmi, mbështetej mbi kolektivizimin e mjeteve të prodhimit, por që kolektivizoi edhe njerëzit. Ky sistem ekonomik, krijoi një shtet të korruptuar dhe dobësonte interesat vetiake të individit. Për këtë qëllim, pas çlirimit për të realizuar këto synime, P.K.Sh.-ja zbatoi reformën agrare, duke ua marrë tokën pronarëve të ligjshëm. Pastaj, P.K.Sh.-ja krijoi sistemin e ekonomisë kolektive në bujqësi, kooperativat, sipas sistemit rus. Ky sistem përfundoi me “tufëza dhe arëza”, ku ekonomia pësoi shkatarrim total dhe varfëroi fshatarësinë, ku mungonte qumështi dhe gjiza për fëmijët. Nuk duhet harruar rrëmbimi i pasurive të tregtarëve, toka, shtëpi, flori, duke i mohuar edhe triskën e bukës dhe të Frontit (organizatë ndihmëse e partisë komuniste për edukimin politik). Duhet theksuar se lidhja me Beogradin dhe Moskën i shkaktuan dëme kolosale ekonomisë të Shqipërisë. Izolimi total me Perëndimin vendosi perden e hekurt, që pati pasoja fatale për vendin në të gjitha fushat e jetës. Lidhjet e fshehta midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe me ato të Partisë Komuniste Sovjetike duhet të dalin në dritë për të rrëzuar të ashtëquajturin “rreziku Anglo-Amerikan” për Shqipërinë. Planet pesëvjeçare ku tumbetohej ngritja e veprave industriale, sollën përfundime tepër negative për ekonominë e Shqipërisë. Këto vepra që u ngritën me mundin e popullit dhe me punën e detyruar të burgosurve, me vendosjen e demokracisë rezultuan joefikatëse. 

Holokausti Komunist – Të Persekutuarit Politikë
Në historinë shqiptare, të persekutuarit duhet të zenë një vend nderi, duke i pasqyruar në një muzeum kombëtar. Të burgosurit politik: të pushkatuarit, të dëbuarit me forcë, të internuarit, “ish-kulakët” (fshatarët e pasur) dhe “armiqtë e popullit”, të shpallur nga diktatura komuniste. Jeta dhe vepra e tyre, nuk peshohen as me arin e gjithë botës. Babë Dudë Karbunara dhe i biri, at Zef Pëllumbi këta janë Mandela të Shqipërisë që tërë jetën e tyre luftuan për liri e pavarësi dhe regjimi komunist i mbajti përjetë në burg. Pavarësisht se lufta çlirimtare përfundoi në luftë civile pas tradhëtisë së Konferencës së Mukjes (2 gusht 1943), e bërë nga komunistët, partizanët që derdhën gjakun e tyre për atdhe kundër okupatorit të huaj duhen vlerësuar si dëshmorë të kombit. Veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, që ishte syri dhe veshi i partisë, duhet parë me sy kritik, sepse ishin zbatuesit e parë të partisë, në dëm të popullit. 

Proçeset demokratike në vitin 1990 e pas 
Proceset demokratike me vlerat e tyre politike, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, ishin forcat kryesore opozitare që u vunë në krye të popullit për rrëzimin e komunizmit. Dëshmorët e Demokracisë me legjendarin Azem Hajdari, janë simbole heroike për popullin shqiptar. Populli shqiptar me klasën politike bëri shumë arritje pozitive gjatë 22 viteve të demokracisë. Mbi të gjitha populli shqiptar fitoi lirinë dhe u vendos ekonomia e tregut. Grekët e lashtë kanë një fjalë të urtë që përcjell humanizëm: “Dashuria është çelësi i parajsës”. Në Shqipëri, ndërrimi i sistemit u arrit me rrugë paqësore. Megjithëse anekënd Shqipërisë revoltat antikomuniste filluan me lëvizjet studentore në vitet 1990, në Kavajë me filloi Lëvizja Antikomuniste nga populli më 26 mars 1990 dhe në Shkodër në prill 1990, ku u rrëzua busti i Stalinit. Këto manifestime, u përhapën në të gjithë Shqipërinë, dhe momenti kulmor ishte rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në sheshin Skënderbej në Tiranë me 20 shkurt 1990. Kavaja dhe Shkodra dha dëshmorët e parë për Demokraci. Figurat opozitare të kohës, me në krye të pavdekshimin, Azem Hajdarin dhe z. Sali Berisha, u vunë në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ishin këto figura opozitare që u vunë në krye të popullit gjatë kohës së proceseve demokratike dhe sollën në Shqipëri Demokracinë. Gjatë periudhës së demokracisë, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha, duke u bërë pjesë e NATO-s, dhe së shpejti do të arrijë synimin për hyrjen në Bashkimin Evropian. Duhet bërë më shumë përpjekje për mirëqenien e popullit.

Dialogu i brendshëm politik

nga Sadri Ramabaj

 Përballja e 14 janarit do të duhej të impononte dialogun e brendshëm politik, si mundësi për të shmangur përplasjen dhe për t`i hapur rrugë një marrveshjeje historike. Dorëheqja e qeverisë Thaçi 2 do të duhej të ishte prologu i këtij dialogu që do të pasohej me krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar. 

Në Kosovë, më 14 janar, u inaugurua publikisht pushteti policor. U rrahën deputetët, ish luftëtarët e UÇK-së, aktivistë të devotshëm të Vetëvendosjes dhe qytetarë, që u vunë në mbrojtje të Republikës dhe demokracisë. U rrahen duarlidhur dhe krejtesisht paqësor. Politika tashmë ndodhet në gjendje kome. Shqiptarët kudo ku janë, ditën e shtunë të 14 janarit 2012 do të duhej ta shënonin në kalendarin e tyre si ditë zie. Uragani i kundërveprimit po fillon. Ky uragan në shpërthim hetohet e vërehet kudo, në reagimet publike, në biseda private dhe sidomos në rrjetin social të komunikimit. Një protestë simbolike në Prishtinë nga 30 organizata joqeveritare, kryesisht qytetarë të Prishtinës, që u zhvillua më 15 janar, kritikat e saj nuk i orjentoi vetëm kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve dhe Vetëvendosjes, por edhe ndaj përfaqësuesve te Bashkësisë Ndërkombëtare, që përmes qëndrimit të tyre, deklaratave të papërgjeshme dhe mbështetjes ku hapur e ku indirekt ndaj qeverisë, po kontribuojnë në kapjen e Republikës nga një rrjet i inkriminuar dhe inaugurimin e pushtetit policor. Mbështetja e këtyre veprimeve nga segmente të Bashkësisë ndërkombëtare ka irituar dhe fyer kujtesën e popullit tonë, meqë nga këto struktura shqiptarët po trajtohen tutje si të padinjitetshëm. 14 janari po hyn në histori edhe si një ngjarje që bëri thyerje në epokën e re të histoorisë politike shqiptare. Nga kjo ditë, shfrytëzimi i legalizuar kolonial i Kosovës nga ana e Serbisë, me tumirjen e një pjese të qendrave politike evropiane, në shenjë të revizionimit të politikave dhe qëndrimeve të tyre ndaj Serbisë në epokën e luftës së UÇK-së, përmes nënshtrimit të Qeverisë së Kosovës të zënë peng, po fillon. Ky fillim po ndodh përkundër vullnetit të palëve, që ndërkohë po rreshtohen kundër Vetëvendosjes dhe vet frymës për një Rilindje të Dytë Kombëtare Shqiptare. Grryerja e shtetit nga Brenda, përmes mbajtjes së Kosovës si koloni ekonomike e Serbisë, me imponimin e gjashtëpikëshit të Ban Ki Munit përmes të të ashtuquajturit dialog teknik, npo vazhdon. Ndërkaq përmes pretendimeve për ta mbajtur në këmbë një qeveri autoritare, po ndihmon në ezaurimin nga brenda të Republikes se dytë shqiptare dhe defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan. Shndërrimi I Shqipërisë në një torzo të mirëfilltë në vitin 1913, nëse pjesërisht u korrigjua më 1999, me ndërhyrjen e NATO-s dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, po pretendohet të rishikohet dhe riktheht mbrapa. Ndërkaq korrigjimi i pjesëshëm i kësaj tragjedie, që është pjesë e programit politik të Vetëvendosjes, duke krijuar predispozitat për funksionalizimin e Republikës dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj, si hap drejt bashkimit kombëtar, ka tmerruar Beogradin dhe miqtë e tij, ndërkaq të ashtuquajturit institucionalistë të Tiranës dhe Prishtinës, i ka sjell në pozicionin që ishte Zogu në dhjetor të vitit 1924. Ky fillim i vitit 2012 po vë në sprovë ndërgjegjen kolektive, vet procesin e domosdoshëm të ndërtimit të shqiptarit modern dhe qytetarit shqiptar dhe evropian njëkohësisht, siç ishte vënë ajo në dhjetorin e largët të 1924-ës, në Tiranë. Rikthimi, qoftë edhe vetëm në kujtesë, i dhjetorit të 1924, flet shumë për periudhën kritike që po kalojmë. Do të mjaftonte kaq, që një strukturë e tërë e veprimtarëve të dëshmuar për çështjen kombëtare në kohë, të rebelohen. Mbetja e tyre ende të strukur brenda PDK, do të mund të arsyetohej vetëm nëse ata do të arrijnë të imponojnë kurs të ri politik, që nënkupton dialogun e bredshëm politik. Ky rebelim i donosdoshëm, ky vullnet i dëshirueshëm politik dhe kjo grishje për gadishmëri qytetare, që po i bëj ish bashkëveprimtarë të mi, në rast se shpërfaqet nga kjo garniturë, në krye me kryeparlamentarin, do të shmangte karikimin e Republikës në monarki dhe kujtimin e hidhur për dhjetorin e 1924-ës. Dialogu i brendshëm politik është një mundësi për të shmangur përplasjen dhe për t`i hapur rrugë një marrveshjeje historike. Fillimi i këtij dialogu të brendshëm politik do të duhej të shoqërohej me dorëheqjen e qeverisë Thaçi 2 dhe të pasohej me krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar, që do të mirrte përsipër pregaditjen e zgjedhjeve të lira dhe me këtë krijimin e parakushteve për një Rilindje të Dytë Kombëtare.