e shtunë, 14 janar 2012

SHTETI DHE INTERESAT VITALE TE KOMBIT -I

Marrë nga FILOZOFA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE me autor Mr. Ukshin HOTI 

 Teoritë e proveniencës së Perëndimit
 Politika e jashtme si realitet është pjesë e politikës në përgjithësi, ndërkaq si shkencë, është degë e shkencave politike. Teorikë të ndryshëm definimit të saj i qasen në mënyra të ndryshme. Në Jugosllavi definimi i saj mbështetej më tepër mbi botëkuptimin për dykahshmërinë e proceseve politike: "Proceset politike janë dykahëshe, -shkruan N.Pashiq, -ato shprehen në njërën anë përmes formave të ndryshme të veprimit të vetëdijshëm dhe të ndikimit të shoqërisë në ...shtetin dhe në politikën e shtetit, dhe nga ana tjetër, përmes ndikimit retroaktiv të shtetit në shoqëri dhe në të gjitha raportet shoqërore." (shih N.Pashiq, op.cit.f.29.30) Botëkuptimi i tillë reflektohet në definimin e politikës së jashtme si art ose mjeshtëri apo kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit. Vladimir Ibler, psh. politikën e jashtme e definon si politikë "e cila tenton të gjejë dhe të zbulojë rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që në kushtet konkrete të bashkësisë ekzistuese ndërkombëtare shtetit të vet t'i sigurohet një pozitë sa më afatgjatë dhe sa më e mirë si dhe përparësi tjera llojesh të ndryshme" (Shih Vladimir Ibler, Medjunarodni Odnosi, Hrestomatija Politicke Znanosti, Zagreb, 1971, f.17). Kujdesi që të theksohet realizimi i interesave të shtetit e jo të kombit është veti e përbashkët për shumicën e definicioneve që mbështeten mbi botëkuptimin dualist të proceseve politike. Jugosllavia, si shtet multinacional, ngritej mbi principin e proklamuar të barazisë së kombeve, andaj nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e intersave të kombit, meqë automatikisht do të shtrohej pyetja se për interesat e cilit komb ishte fjala. Theksimi i realizimit të interesave të shtetit e jo të kombit, siç do të shihet pak më vonë, ishte gjithashtu veti e teorive që buronin nga vendet e ish-socializmit real. Këtu poashtu ndikonte përbërja multinacionale e shtetit (sidomos e BRSS), por edhe orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti ishte në funksion të klasës e jo të kombit. Përderisa në Jugosllavi vetëqeverisja socialiste, logjikisht e barazonte klasën me kombin, andaj shteti duhej të funksiononte mbi raportin dialektik të këtyre dy komponentave, në vendet e real-socializmit shteti ideologjikisht duhej të funksiononte si instrument i klasës. Politika e jashtme e shtetit të tillë nuk mund të ishte tjetër përveçse instrument (art, kompleks metodash) praktik në funksion të ideologjisë dominante shoqërore -komuniste. Kategoria e klasës esencialisht shtrihet në përmasa botërore. Për këtë shkak, politika e jashtme e kuptuar në këtë kontekst (d.m.th. të klasës) në esencë ishte ekspansioniste, prandaj ajo në Perëndim konsiderohej si e rrezikshme për interesat e tyre, sidomos për shkak të faktit se shteti sovjetik, si një fuqi e madhe, realisht mund ta rrezikonte pozitën e vendeve perëndimore. Mendimi politik i botës perëndimore, siç e tregon Roj Mëkridis (Roy C. Macridis), por edhe shumë të tjerë, me kohë i kristalizoi dy qasje ndaj politikës së jashtme: a) qasjen personaliste, ndonjëherë të emërtuar si qasje ideologjike, e cila politikën e jashtme e konsideronte shprehje ose refleksion të politikës së brendshme, "thjesht, shprehje të bindjeve dominante politike, sociale dhe religjioze". Kjo ishte një qasje tradicionale e botës së Perëndimit, e cila raportet e shtetit me botën i shihte në suaza psikologjike, i "konsideronte motivet ose ideologjitë e udhëheqësve ose të qeverive si përcaktues qenësorë, nëse jo edhe të vetëm, të politikës". Nga kjo gjë nuk është e vështirë të konstatohet, së bashku me Roj Mëkridisin, se politika e jashtme "konsiderohej funksion i sistemit politik në veprim ose të preferencave apo të bindjeve të liderëve politikë që e zbatonin programin e tij" (të sistemit politik). Është interesant se një botëkuptim i tillë tradicional mbi politikën e jashtme, për të cilin tani lirisht mund të thuhet rudimentar, nëse jo edhe primitiv, ishte mjaft i përhapur në disa qarqe me rëndësi politike në Jugosllavi, por edhe në Kosovë. Ndoshta për shkak se kjo u përgjigjej ambicjeve lideriste në të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtësuar bajraktarist, i cili ndër ne akoma sundon në mënyrë të papenguar. Kjo, natyrisht, i dha krahë kritikës serbe të na akuzojë për voluntarizëm në raportet me Shqipërinë, veçse kritika e tillë nuk ishte e sinqertë, meqë mbështetej pikërisht mbi premisa të një bajraktarizmi shqiptar, që mund të arsyetohej me pazhvillueshmerinë e mendimit politik ndër ne e madje edhe me një lloj të fetishizmit të këtij lëmi të veprimtarisë politike. Mirëpo mendimi politik serb gjithsesi nuk i ka këto justifikime. Ai shpjegohet me ambiciet dhe me synimet që kombit të vet (serb) t'i sigurohet një pozitë e privilegjuar dhe jo e barabartë me të tjerët, ose ndoshta edhe për ta eliminuar sindromin e të vetmuarit. Mirëpo qasje të tilla në politikë rezultojnë në konsekuenca të padëshiruara. Mëkridis do të thoshte se i bëjnë padrejtësi elementeve kontinuitive të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera, ato, d.m.th. qasjet ideologjike ndaj politikës së jashtme, nuk mund t'i shpjegojnë kontradiktat objektive të pranishme në praktikën politike. Ato, psh., nuk mund ta shpjegojnë faktin se përse partitë opozitare, kur vijnë në pushtet, në shumicën e rasteve, (pothuajse rëndom), e ndjekin të njëjtën politikë të jashtme si edhe garniturat e mëparshme politike? Përse nuk mund të dalin jashtë suazave të përcaktuara politike të definuara si interesa themelore të shtetit? Për këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera, b) qasja e dytë, analitike, e zhvilluar gjatë tre shekujve të fundit (XVIII,XIX dhe XX) e pretendon plotësimin e së parës. Sipas botëkuptimit analitik, politika mbështetet mbi një shumë të caktuar të determinantave "duke përfshirë traditën historike të shteit, lokacionin gjeografik, interesat dhe qëllimet nacionale dhe nevojat e sigurimit". Determinantat e theksuara në të vërtetë janë elemente që e përcaktojnë kontinuitetin e politikës së jashtme. Andaj çdo burrështeti që kërkon t'i formulojë qëllimet e politikës së jashtme dhe t'i realizojë ato në praktikë, doemos duhet t'i marrë parasysh "disa kufizime të palëvizshme" që i nënkuptojnë determinantat në fjalë. Pavarësisht nga bindjet filozofike, politike apo religjioze të individëve "ekzistojnë interesa të gjerë strategjikë të lidhur intimisht me pozitën gjeografike të kombit dhe me rolin ndërkombëtar që duhet ruajtur". Këto interesa me kohë kristalizohen si pjesë e mendimit kolektiv "të mendjes nacionale" e cila pastaj edhe vetë shndërrohet në determinantë të veçantë të politikës së jashtme. Interesat e shtetit në këtë mënyrë paraqesin "suazën brenda së cilës doemos duhet të zhvillohet kontesti i brendshëm politik rreth politikave të jashtme". Disa nga faktorët determinantë ndikojnë në ndryshimin e perceptimit të interesave ose të qëllimeve të politikës së jashtme. Faktori teknologjik, p.sh. "mund të kërkojë rivlerësim të vazhdueshëm të sigurimit nacional" (shih për këtë Roy C.Macridis, Foreign Policy in World Politics, fifth edition, Engelood Cliffs, New Jersey, 1976, f.3-5). Ndryshimi i situatës politike në Evropë poashtu e kërkon rivlerësimin e interesave dhe të qëllimeve strategjike të shteteve, të mëdha e të vogla, por edhe të kombeve brenda tyre, në kontinentin e Evropës. Ky është edhe njëri nga qëllimet e këtyre artikujve.

 Shteti si subjekt ndërkombëtar 
 Politika e jashtme si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit është shprehje e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit. Me norma juridike të së drejtës së brendshme, dhe me norma të veçanta të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, përcaktohen organet të cilat i kanë në kompetencë disa sfera më të rëndësishme të politikës së jashtme. Në të vërtetë, me normat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike precizohen organet titullare të komunikimit ndërkombëtar (shefi i shtetit, ministria apo ministri i punëve të jashtme, organet e përfaqësimit diplomatik), dhe shteti si i tillë njihet si subjekt më i rëndësishëm i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por edhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Politike. Aty-këtu, njësitë federale të shtetit federal e gëzonin të drejtën e përfaqësimit në OKB, si p.sh. Bellorusia dhe Ukraina e BRSS, por ato nuk mund të merreshin me aktivitete ndëkombëtare të cilat nuk do të ishin në harmoni me kushtetutën e federatës sovjetike. Njësitë federale në Jugosllavi, sipas kushtetutës së vitit 1974, nuk ishin subjekte të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por të tilla nuk ishin as Kuebeku në Kanada, Skotlanda apo Uellsi në Britani, Baskia në Spanjë e Francë, Flandria në Belgjikë apo Bretanja në Francë. Njësitë federale në Jugosllavi mund të merreshin me "realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar", "të vendosnin, të mbanin dhe të zhvillonin" raporte, por vetëm me "organet dhe organizatat e shteteve tjera" dhe brenda suazave të politikës së jashtme unike të vendit. Pozitë të ngjashme, me një volum më të vogël, kishte edhe Kosova. Ndryshimet në Evropë natyrisht edhe në këtë plan kërkojnë rivlerësime të cilat megjithatë akoma nuk mund të jenë kategorike, ndonëse dëshirat janë të qarta. E Drejta Ndërkombëtare Publike i rregullon, përmes normave juridike, raportet midis shteteve, ndërkaq vetë këto raporte paraqesin aktivitetin e shtetit në ambientin ndërkombëtar. E Drejta Ndërkombëtare Publike e synon formalizimin total të raporteve midis shteteve, përderisa motivi kryesor i veprimtarisë së shtetit është forcimi i pozitës së tij në relacionet ndërkombëtare. Këto dy tendenca mund të jenë kongruente, por jo gjithmonë: në qoftë se logjika e brendshme e normave juridike shprehet si tendencë e vazhdueshme për rregullimin total të sjelljeve politike të shteteve, ato nuk mund të përmblidhen të tëra me norma juridike: aktiviteti informativ, i spiunazhit, i kontraspiunazhit; lufta psikologjike, monopoli teknologjik etj. janë esenciale për politikën e jashtme të çdo shteti, por ende nuk janë krijuar mundësitë për rregullimin e tyre ndërkombëtar juridik. Me fjalë të tjera, kufiri midis së drejtës së shtetit që të veprojë për realizimin e interesave të veta në ambientin ndërkombëtar dhe normave juridike ndërkombëtare nuk është tërësisht i precizuar. Duket qartë se e tërë veprimtaria e jashtme e shtetit nuk mund të rregullohet me norma juridike. Andaj pyetjes se a janë shtetet tërësisht sovrane në veprimet e veta politike nuk është lehtë t'i jepet përgjigje e plotë dhe kategorike. Do të kalojë edhe shumë kohë, në qoftë se do të bëhet fare e mundshme, që bashkimi i Evropës ta eliminojë nevojën e dhënies së përgjigjeve të tilla. Sovraniteti, siç dihet, është koncept politik që shënon raportin themelor midis bartësit të pushtetit dhe pushtetit, princip i pushtetit suprem dhe të pakufizuar të individit, kur është fjala për monarkinë (diktaturën personale), të popullit, kur është fjala për demokracinë, të shtetit, kur është fjala për raportin me shtetet tjera. Shteti konsiderohet sovran në raport me shtetet tjera sepse, tek e fundit, për realizimin e interesave të veta, mund të zhvillojë edhe luftë. Megjithatë, edhe në luftë ato nuk janë tërësisht sovrane. Janë të kufizuara në veprimet e tyre, qoftë me norma juridike, për të cilat janë marrë vesh mes vete, qoftë me ato morale, të cilat gjatë shekujve janë kristalizuar si të tilla. Me fjalë të tjera, sovraniteti i shtetit (subjektit ndërkombëtar juridik dhe politik) nuk është absolut. Kufiri i sovranitetit në kohë lufte është ajo që përgjithësisht cilësohet si jo njerëzore (p.sh. kanibalizmi ose trajtat tjera të keqtrajtimit të robërve të luftës, janë të ndaluara edhe me norma morale në luftë, e jo vetëm me norma të së drejtës së luftës). Në kohë paqeje kufiri i tij (i sovranitetit) në njërën anë ndodhet tek sovraniteti i shtetit tjetër dhe nga ana tjetër, në atë që zakonisht konsiderohet e pranueshme në relacionet ndërkombëtare politike (p.sh. dënimi i veprimtarisë agresive). Shteti (subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare Publike), vepron në ambientin ndërkombëtar të cilin e përbën tërësia e raporteve ndërkombëtare të shteteve dhe të subjekteve e të faktorëve të tjerë politikë. Mirëpo ambienti i tillë ndërkombëtar, ose bashkësia ndërkombëtare, i krijon edhe ligjshmëritë e veta objektive të zhvillimit. Hulumtimin e tyre e ka për detyrë Shkenca mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike ose edhe Politika Ndërkombëtare. Është me rëndësi se analiza e ligjshmërive objektive që ndikojnë në zhvillimin e bashkësisë ndërkombëtare i ndihmon ndriçimit të faktorëve që ndikojnë në veprimin e shteteve dhe anasjelltas, analiza e motiveve dhe faktorëve të veprimit të caktuar të shteteve, subjekteve individuale, i ndihmon perceptimit më të drejtë të tërësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Shteti është subjekt më i rëndësishëm edhe i Politikës Ndërkombëtare, por nuk është i vetëm dhe as unik. Në rrethanat e ndryshuara të Evropës, megjithatë duhet pritur ta vazhdojë rolin e vet si të tillë, ndonëse mund të pritet (në kushtet e Evropës së Bashkuar) edhe folklorizimi i këtij roli (të shteteve të vogla).

 Shteti në funksion të kombit 
 Botëkuptimi se vetëm shtetet (subjektet ndërkombëtare) mund të bëjnë politikë, dhe se nuk ka politikë jashtë tyre, mbështetet në kuptimin hegelian të shtetit si një e mirë supreme, ose edhe si një inkarnacion organizativ i shoqërisë. Politikisht, kjo do të thotë se shteti ndodhet në "funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve" (shih Joseph Frankel, The Making of Foregn Policy, Oxford University Press, London, 1967, f.55). Nisur nga një aspekt idealist, vërtetë do të duhej të ishte ashtu. Siç do të thoshte Frankeli, njerëzit "e shpikën" shtetin për t'i plotësuar nevojat e veta. Dhe shtetet rëndom, së paku ato regjime që e gëzojnë legjitimitetin e pjesës më të madhe të popullsisë, përpiqen t'i plotësojnë nevojat elementare të popullsisë. Mirëpo problemi në nivel teorik paraqitet së bashku me pyetjen se çka konsiderohet nevojë elementare në kohën e dhënë dhe çfarë është plotësimi i tyre në raport me mundësitë ekzistuese të shtetit? Nga ky aspekt edhe Frankeli detyrohet të konstatojë se "shtetet mbeten rojtarë të kulturave nacionale, por tani janë të paafta të ofrojnë siguri, dhe në shumicën e rasteve nuk mund ta sigurojnë mirëqenien ekonomike"(vep.cit, f. e njëjtë). Ndërkaq teorikë të tjerë e vënë seriozisht në pyetje edhe funksionin e mbrojtjes së vlerave kulturore (p.sh. nga imperializmi kulturor) por jo edhe nga aspekti parimor, nga i cili zhvillohet kjo analizë. Nga ky aspekt, Xhon Stësinger (John G. Stoessinger) e bën identifikimin e plotë të shtetit me kombin: "Bota jonë, -shkruan ai, -është e përbërë prej më tepër se 100 shteteve-kombe". Ndërkaq, "...ajo që në kohën tonë e përbën kombin mund të cilësohet si vijon: e para, dhe më e qenësishmja, kombi është njësi sovrane politike; e dyta, është populli, i cili, meqë disponon me një identitet të theksuar kolektiv, të krijuar me përfytyrimin e përbashkët mbi të kaluarën dhe të ardhmen e vet, e përjeton një shkallë më të lartë ose më të ulët të nacionalizmit. Dhe më në fund, kombi është popullsi e cila e banon një territor të caktuar, e njeh qeverinë e përbashkët, dhe zakonisht, ndonëse jo gjithmonë, e ka një gjuhë dhe një kulturë" (shih J.G.Stoessinger, The Might of Nations, Random House, N.Y. 1967, f.7-8). Kombi, sipas këtij botëkuptimi, është popullsi e mishëruar me shtetin dhe jo kategori historike dhe as instrument i klasës. Ato (kombet) janë vetëm abstraksione që synohen përmes nacionalizmit të kuptuar si tendencë e vazhdueshme e emancipimit. Ndërsa vetë emancipimi nuk është tjetër pos "forcë kohezive" kundër dominacionit të huaj ose edhe "forcë lëvizëse" për emancipimin dhe pavarësimin e kombeve (shih vep.cit.f.83-89). Në identifikimin e kombit me shtetin edhe më i përcaktuar është teoriku zulmëmadh amerikan Hans J.Morgenthao, për të cilin "kombi si i tillë, nuk është entitet empirik". Nga kjo premisë gjenerale ai e nxjerr përfundimin se kombi është abstraksion i numrit të individëve të cilët i kanë disa karakteristika të përbashkëta". Ajo që i bashkon këta individë është tendenca për fuqi në plan të brendshëm apo ndërkombëtar. Kombin e përbën pozita e tij gjeografike, pasuritë natyrale, kapacitetet industriale, teknologjia, morali dhe elemente tjera të ngjashme. Në të vërtetë, kombin e përbëjnë të gjitha elementet që e përbëjnë shtetin (shih Hans J. Morgenthao, Politics Among Nations, A.A.Knopf, N.Y.1967, f.97-100). Njësoj decidiv si edhe Morgentao në identifikimin e kombit me shtetin është edhe profesori i shquar i politikës ndërkombüëtare në Universitetin En Erbor (Ann Arbor) në Miçigen, i cili mund të quhet lirisht anatomist i politikës: "Kombi, në rend të parë dhe mbi të gjitha, -thotë ai,-është njësi politike ("a potencial unit"). A.F.Organski, siç quhet ky profesor, natyrisht e ka të qartë se kombi dhe shteti nuk janë pikërisht një. Andaj ai shpjegon më tutje: "Thënë në mënyrë më specifike, kombi është njësia më e gjerë politike që nuk njeh asnjë superioritet politik. Anëtarët e të njëjtit komb mund të kenë, dhe zakonisht kanë të përbashkët, më tepër gjëra se sa qeverinë dhe territorin e njëjtë. Ata poashtu mund të kenë ekonomi, gjuhë, kulturë, religjion, ideologji politike dhe histori të përbashkët. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se këto karakteristika të tjera, ndonëse janë të zakonshme, nuk janë universale. Njeriu, faktikisht, mund të mendojë për përjashtime gati në çdo rast. E vetmja cilësi të cilën e ndajnë të gjithë anëtarët e kombit dhe për këtë nuk mund të ketë përjashtime, është ajo se ata të gjithë ndodhen nën jurisdiksionin e së njëjtës qeveri" (shih: A.F.K. Organski, World Politics, A.A.Knopf, N.Y.1968, ed.II i reviduar, f.18/7). Në kontekst të përbërjes multinacionale të shtetit, sipas botëkuptimeve të theksuara, shqiptarët në Jugosllavi do t'ishin vetëm "nationality (nacionalitet -shtetas), kuptimi i së cilës te anglosaksonët nxirret nga identifikimi i theksuar i kombit me shtetin, andaj, në instancën e fundit, kuptohen si jugosllavë! Insistimi për t'i paraqitur si të veçantë, si komb më vete e jo si jugosllavë, në frymën e botëkuptimeve të këtilla do t'i nxirrte si grup etnik, për të cilin do të ishte i kuptueshëm nacionalizmi si formë e luftës për ndonjë copë më të madhe të pushtetit, por jo edhe për t'u ndarë nga pushteti i vendosur një herë. Në thelb të teorive anglosaksone mbi kombin dhe identifikimin e tij me shtetin qëndron e vërteta e kohëshme (kohësisht e përcaktuar) e shkencës e Theodor Adornos, për të cilën u fol më heret (shih artikullin "Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë", DEA, nr.4.1991) dhe e kuptuar si e vërtetë e krijuar së bashku me kohën: shtetin multinacional nuk e përbën një komb, por me kohë mund ta përbëjë një komb; Evropën e përbëjnë shumë kombe dhe shumë shtete, por proceset integrative të mbështetura nga politika e planifikuar e qeverive, me kohë do t'a shndërrojë në një komb-shtet. Po Kosova? 

 Shteti në funksion të demokracisë 
 Për kombet jugosllave, duke i përfshirë edhe shqiptarët në Jugosllavi, problemi qëndron tek mënyra e integrimit në Evropë, së bashku apo individualisht? Për shqiptarët në Jugosllavi problemi është edhe më specifik: së bashku me Shqipërinë apo me jugosllavët? Dhe përgjigja varet nga rëndësia që i jepet qëllimit, bashkimit të Evropës; nga vlerësimi i rëndësisë dhe i kapaciteteve të faktorëve të veçantë (kombeve individuale) dhe nga vendosmëria për ruajtjen e paqes në këto treva. Karakteristika kryesore e teorive në fjalë është rezonimi në suaza të fuqisë. S'ka dyshim se forcat politike në prapavijë të teorive të shtruara janë fuqimisht të interesuara për bashkimin e Evropës pikërisht edhe për shkak të këtij rezoni. Pikësynim ideal i këtij bashkimi do të ishte një Evropë e bashkuar pa kufij të brendshëm të shteteve, por ky tani për tani është vetëm një pikësynim ideal, jo edhe realitet i mundshëm. Për këtë shkak, pavarësisht nga shembulli gjerman, ato mund ta përkrahin në këtë fazë një bashkim të shteteve ekzistuese të Evropës, por jo dhe të kombeve të tyre individuale. Jugosllavia, si shtet multinacional, dikur shtet-tampon i drejtpeshimit të forcave, tani sërish i nënshtrohet ndikimit të raporteve globale. Me fjalë të tjera, dekompozimi i saj eventual nuk mund të jetë çështje e raportit vetëm me njërin nga polet e dikurshme të bipolaritetit të forcave. Një gjë e tillë do të ishte hyrje në dekompozimin e BRSS, e kjo ka pak gjasa të ngjajë pa trazira të mëdha, dhe aq më tepër, për shkak se rezonimi i tillë i fuqisë është prezent edhe tek pala tjetër. Po qe se sipas teorive në fjalë, lufta e kombeve për pushtet, (fuqi), është imanente në vetë natyrën e kombit, autorët e tyre nuk janë naivë që të mos e dijnë se shqiptarët janë komb ashtu si dhe kombet tjera të formuara, dhe se është poashtu në natyrën e këtij kombi, ashtu si dhe te kombet tjera, synimi për t'u shtetëzuar, për të pasur pushtet dhe për ta maksimalizuar fuqinë. Ato forca natyrisht do të mund ta përkrahnin Shqipërinë e demokratizuar (është në natyrën e gjërave në Perëndim që shtetet ta përkrahin shtetin) në funksion të "përmirësimit" të "gabimeve" historike, pos nëse nuk ekzistojnë interesa tjera më të mëdha. Në një rast të tillë kjo gjë do të ishte kundër logjikës së tyre dhe është e kotë të shpresohet, pasiqë shteti, në kontekst të këtyre botëkuptimeve, njeh interesa dhe jo emocione. Një përkrahje e tillë doemos do të haste në kundërshtimin e serbëve në funksion të pararojes së interesave ruse (sovjetike) dhe përsëri do të varej nga interesat për bashkimin e Evropës, nëse një përkrahje e tillë do të ishte efikase. Në funksion të përkrahjes së Kosovës për t'u bashkuar me Shqipërinë përsëri do të hasnin në kundërshtimin e njëjtë. Ndërkaq, në funksion të përkrahjes së Kosovës për ta bashkuar Shqipërinë me veten, për shqiptarët shtrohet pyetja se ku do të mbetej Kosova, brenda Serbisë apo brenda një republike të shtatë shqiptare në Jugosllavi? Ne kemi qenë gjithmonë të mendimit se Shqipëria duhet ta ruajë pavarësinë e vet dhe se Kosova duhet të jetë Republikë e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është dashur të zhvillohet brenda suazave të proceseve integruese të Evropës, përderisa vetë integrimi i Evropës nuk mund të imponohet pa luftë. Ajo mund të akceptohet si bashkim i vullnetshëm i të gjitha palëve të interesuara, dhe jo si imponim i njërës palë ndaj tjetrës. Mendonim se përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta: 1. Nuk do ta shkaktonte acarimin tejmase të raporteve ndërnacionale, 2. Do të ishte solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara pos për shovenizmin serbomadh, dhe 3. Nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve në funksion të interesave të huja globale apo regjionale. Mirëpo, tani një kohë të gjatë është duke ngjarë e kundërta: më parë refuzimi, e pastaj edhe okupimi serb i Kosovës u parapri me mos-deklarimin e qartë të partive politike shqiptare në favor të Republikës së Kosovës. Solucionin e këtij mat-pozicioni të tanishëm do ta bjerë padyshim koha, por është detyrë e jona të theksojmë se instrumentalizimi, çfarëdo qoftë dhe i kujtdoqoftë, nuk është bërë ndonjëherë në histori në të mirën e popujve, por vetëm në të mirë të interesave afatshkurtra (jo afatgjata) të nomenklaturave të tyre, të brendshme apo të jashtme. Dhe meqë vetëm popujt janë të përjetshëm dhe jo nomenklaturat e tyre, atëherë është e qartë se në plan të përgjithshëm, tehu i luftës duhet të shkojë drejt ndërtimit të raporteve të njëmendëta demokratike në kuptimin e autenticitetit të kushteve konkrete të Republikës së Kosovës, në drejtim të konfrontimit të njëmendët ideor dhe teorik me ata që Kosovën e pandehin oborr eksperimentimi dhe sprovimi të raporteve gjithëjugosllave dhe gjithëballkanike me qëllim të konstatimit se a është e mundur që të çlirohen nga "sindromi i vetmisë" së tyre, nga mbështetja në vëllezërit e mëdhenj dhe nga instrumentalizimi i vetes në interes të politikave të huaja; me ata që atë e pandehin si parcelë ekzotike të përzjerjes së kulturave dhe të qytetërimeve në truallin e Evropës për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale e me qëllim të konstatimit se a do të ishte i mundshëm respektimi i aspiratave legjitime shqiptare, dhe me ata që me shekuj u mësuan të peshkojnë në ujëra të turbullta. Kosova ka shumë kundërshtarë, jo vetëm të drejtpërdrejtë (se askujt nuk ia pati zënë rrugën), por edhe të tjerë, që e provojnë drejtpeshimin e forcave. Po qe se Inteligjencia e Kosovës (në radhë të parë ajo shqiptare, por edhe të tjerët) tregohet sterile në perceptimin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do të bjerë në provim. Gjer kur? Përse akoma po zgjat injorimi i heshtur dhe bllokimi i "Demokracisë Autentike"? A thua njëmend pritet të mos dihet se heshtja është e lidhur me inteligjencinë dhe bllokimi me shtetin? Proceset demokratike të Evropës e nënkuptojnë emancipimin e inteligjencisë nga shteti dhe instrumentalizimin e shtetit në funksion të demokracisë. Përse kjo gjë akoma nuk po ngjet dhe a ekziston vërtet bindje e njëmendët se është duke u vepruar drejt, në kongruencë me qëllimet që i nënkupton Evropa dhe që i synon Kosova, Jugosllavia dhe Ballkani? 

 Shteti në funksion të interesave vitale të kombit 
 Shteti i identifikuar me kombin, shteti-komb, sipas teorikëve të botës perëndimore, ndodhet në funksion të interesave kombëtare, në funksion të kombit dhe jo të klasës. Në përcaktimin e interesave kombëtare, pjesa dërrmuese, por jo edhe të gjithë teorikët e politikës, nisen nga një paralelizëm me botëkuptimin darvinist apo Hobsian mbi natyrën e njeriut të cilësuar si agresive. H.J.Morgentao mendon se përmes agresivitetit njeriu i realizon qëllimet e veta të cilat mund të konsiderohen si interesa. Morgenthao është përfaqësuesi më eminent i drejtimit realist në teorinë politike. Në thelb të botëkuptimit realist mbi interesin ndodhet kategoria psikologjike e aspiratës së njeriut për t'u bërë i fuqishëm, me qëllim të sigurimit, më parë të jetës së vet, pastaj edhe të mundësive të tjera që shkojnë bashkë me zhvillimin e njeriut. Morgentao në të vërtetë, e bën zgjerimin e kësaj kategorie (të interesit) duke e aplikuar te shteti dhe duke e ngritur në raportet midis shteteve: "Indikacioni kryesor që i ndihmon realizmit politik për ta gjetur rrugën në panoramën e politikës ndërkombëtare është koncepti i interesit të definuar si fuqi". Sepse, interesi i definuar në këtë mënyrë, mendon Morgentao, "...e jep lidhjen midis arsyes që përpiqet ta kuptojë politikën ndërkombëtare dhe fakteve që duhen kuptuar. E përcakton politikën si një sferë autonome të aksionit dhe të kuptimit, të ndarë nga sferat tjera, siç është ekonomia (e kuptuar në suazat e interesit të definuar si pasuri) etika, estetika apo religjioni. Pa këtë koncept, teoria e politikës ndërkombëtare apo të brendshme, do të ishte tërësisht e pamundshme (vep.cit.f.5). I preokupuar tërësisht me kategorinë e interesit, Morgenthao konstaton kategorikisht se "Ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira". Për ta plotësuar argumentimin e kësaj teze të shtrirë në kohë dhe në hapësirë ai shërbehet me pohimin e Tuqididit se lidhja e interesave është lidhja më e sigurt, qoftë midis shteteve, qoftë midis individëve" (koha antike); të Dizraelit: "shtylla e vetme e bashkimit që zgjat midis kombeve është mungesa e interesave të kundërta"(shek.XIX) apo të Georg Washingtonit: "Interesi është princip sundues i gjithmbarshëm". Dhe Morgentao përfundon me tezën se "Politika ndërkombëtare, si çdo politikë, është luftë për fuqi"(vep.cit.f.25). Në shpjegimin e këtyre koncepteve ataviste dhe të ligjit të xhunglës është edhe më i vrazhdët psikologu amerikan Kristiën Bej (Christian Bay) i cili gjithashtu niset nga premisa të ngjashme mbi natyrën e njeriut. Ai niset nga një fakt banal i jetës që thotë se çdo individ esencialisht lind për të jetuar, dhe se prandaj interesi i tij esencial (vital) është të mundësuarit e jetës përmes ndikimit në kushtet e dhëna objektive ose në rrethin shoqëror. Frojdi këtë tezë do ta ilustronte me reaksionet instinktive të foshnjave ndaj rrethit (së ëmës) si dhe ndaj nevojave dhe kërkesave të saj. Mirëpo këtë tezë frojdiste K.Bej e ngriti në nivelin e parimit: "Interesat më vitale të individëve brenda kombit janë mbrojtja e jetës dhe e rrënjës së saj, si edhe ruajtja e lirisë nga lloje të tjera të dhunës". Po si shpjegohet atëherë gadishmëria e njerëzve-individë që ta flijojnë jetën e tyre për një ideal ose për atdhe? Si shpjegohet ndjenja e patriotizmit tek njerëzit, individët apo në shoqëri? Gjithnjë psikolog politik, K.Bej edhe për këto pyetje ka shpjegime të ngjashme: interesi vital i kombit-shtet, ose i kombit të organizuar si shtet, është sigurimi nacional i cili te ai reduktohet në ruajtjen e jetës së kombit apo të kombit shtet. Ndërkaq, preokupimi më vital i sigurimit nacional (këtë do të duhej ta mbanin mend forcat e armatës dhe të policisë) është të penguarit e luftës ose të vëllimeve të ngjashme të shkatërrimit që rezultojnë nga shtypja. Dhe preokupimi i dytë vital është evitimi i situatave ku shoqëria në masë të madhe do t'i nënshtrohej dhunës, qoftë përmes dominacionit të huaj, qoftë përmes diktaturave autoktone. Me fjalë të tjera, interesi i dytë vital për Bejin është i lidhur me ruajtjen e lirisë dhe me demokracinë brenda shtetit të dhënë. Ndjenja e patriotizmit andaj shpjegohet me interesin e njerëzve që t'i evitojnë situatat rrënuese të cilat mund të rezultojnë në shkatërrime të mëdha të jetës dhe të sigurisë së lirisë, si suazë e autokreacionit, vetëkrijimit ose të vetëzhvillimit të njeriut në shoqëri, të shoqërisë në shtet dhe të shtetit në ambientin ndërkombëtar. Mirëpo siguria, qoftë individuale, qoftë kolektive, nuk është absolute. Për këtë shkak, sipas K.Bejit, "qëllimet tjera të sigurimit nacional konsistojnë nga arritja e mëvehtësisë për nxjerrjen e vendimeve unilaterale të qeverisë nacionale dhe nga maksimalizimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke i zgjeruar format instituciuonale të mbrojtjes së tyre". Në thelb, ai e identifikon interesin me të drejtën, nga e cila rrjedh se e drejta e jetës është elementare dhe e para (krahaso: K.Bay, The Structure of Freedom, Stanford University Prss, California, 1970). Në qoftë se pra, do të shtonim ne, e drejta është tendencë e vazhdueshme e rregullimit normativ të jetës politike të demokracisë, dhe nga ky aspekt, demokracia është politikë e rregulluar me të drejtën, ose që mbështetet në norma juridike, interesi i shtetit andaj realizohet në realitetin objektiv përmes metodave të lejueshme, legale: në kohë paqeje -përmes diplomacisë, ndërsa në kohë lufte -përmes luftës.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.