Mendësia monoetnike e kosovarëve është importuar nga Beogradi e jo nga Tirana
“Na e ke përzier, na e ke bërë çorbë” – ky ishte komenti më i shpeshtë në dy shkrimet e mia të fundit: “Kombi shqiptar, a është multietnik?” dhe “Kombi kosovar nuk është multietnik”, ku unë konstatoja se kombi shqiptar i nisur si komb monoetnik tashmë është një komb multietnik, kurse kombi kosovar, përkundër këshillave të miqve të Kosovës, është larg të qenët multietnik.
Kombi shqiptar shumetnik & kombi kosovar njëetnik
Bindja e opinionit kosovar është krejt e kundërt. Kombin shqiptar pakkush mund ta ketë menduar më parë, pos si një komb monoetnik, kurse për kombin kosovar opinioni ka mjegull dhe zakonisht e lidh me fjalën multietnicitet. Njëri prej politikanëve të Tiranës më tha se nuk mund të jemi komb multietnik kur 98% të banorëve të Shqipërisë janë me etni shqiptarë.
Multietnicitetin e një kombi e tregon atituda e jo përqindjet e grupeve etnike
Multietnicitetin e një kombi nuk e tregon përbërja e ndryshme etnike e popullsisë e as fakti se sa është e madhe përqindja e etnisë shumicë dhe sa e vogël është përqindja e etnive pakicë, por e tregon atituda (qëndrimi, qasja) në këtë çështje: integruese apo përjashtuese. Qasja integruese shpie në komb shumetnik, ajo përjashtuese në komb njëetnik.
Në botë ka shembuj ekstremë në këtë drejtim. Jo të gjitha kombet i kanë të integruara pakicat etnike. Madje në Afrikë e Azi ka vende me popullsi të ndryshme etnike, ku kombi nuk përbëhet nga etnia shumicë, po nga etnia pakicë. A nuk ishte kështu deri vonë në Afrikën Jugore, ku kombin e përbënte pakica e bardhë, ndërsa shumica e banorëve zezakë të Afrikës Jugore nuk ishte pjesë e këtij kombi. Ironia ishte se kombi afrikano-jugor ishte komb multietnik, po ama multietnik vetëm nga të bardhët. U desh presioni publik nga mbarë bota që ky komb të zhvillohet në një komb multiracor.
Po kështu ishte edhe puna e Irakut para se të zbarkonin amerikanët aty. Kombin nuk e përbënte shumica fetare shiite, po pakica sunite. Amerikanët po përpiqen që në Irak të ndërtojnë një komb multifetar e multietnik mes arabëve shiitë e sunitë dhe kurdëve, por sa do t’ia dalin mbetet të shohim.
Sot në botë ka kombe monofetare dhe multifetare, ka kombe monoetnike dhe multietnike, ka kombe monoracore dhe multiracore.
Kombi amerikan: multifetar, multietnik dhe multiracor
Kombi më i zhvilluar i botës, kombi amerikan, është komb multifetar, multietnik dhe multiracor. Në fillimet e veta kombi amerikan nuk ishte i tillë. Deri para gjysmë shekulli nuk mund të thuhet se zezakët e Amerikës ishin pjesëtarë të kombit amerikan, por sot ata janë.
Edhe pse komuniteti i zezakëve amerikanë nuk përbën as 1/3 e qytetarëve amerikanë, njeriu i parë i kombit (presidenti Obama) dhe dama e parë (Michael Obama) janë nga ky komunitet. Sigurisht që këtë e ka bërë të mundur atituda e kombit amerikan, e cila është e ndryshme nga ajo e para 50 vjetëve, e akoma më e ndryshme se ajo e para kohës së Abraham Linkolnit (para 150 vjetëve), ku zezaku mund të ishte vetëm një skllav.
Kombi serb: njëfetar, njëetnik, njëracor
Kombi serb, zgjimi i të cilit ka më shumë se 200 vjet që ka filluar dhe i cili po mbush gati një shekull e gjysmë jete si komb është akoma një komb njëfetar dhe njëetnik.
Ky komb, i cili gati për një shekull zotëroi gjithë Ballkanin Perëndimor nga Trigllavi deri në Vardar, nga Adriatiku deri në Gjerdap, nuk arriti të shndërrohet në një komb multietnik. Çfarë ndodhi më pas?
Komunitetet etnike, edhe pse kishin afri gjaku me serbët (të gjithë sllavë të Jugut, përjashto këtu shqiptarët e Kosovës, hungarezët, italianët, turqit e romët) u ndërgjegjësuan kombëtarisht dhe u shkëputën nga Serbia (Jugosllavia).
Nacionalizmi kosovar & nacionalizmi shqiptar - ndjenjë komuniteti e jo ndjenjë shteti
Nacionalizmi kosovar është një refleksion i nacionalizmit serb në këtë drejtim. Mendësia monoetnike e kosovarëve është e importuar nga Beogradi e jo nga Tirana.
Por nacionalizmi kosovar dhe nacionalizmi shqiptar dallojnë thellësisht nga nacionalizmi serb në shkallën e tyre të zhvillimit. Nacionalizmi serb është tamam një nacionalizëm kombi d.m.th është ndjenjë shteti, kurse ai kosovar dhe ai shqiptar është më tepër një ndjenjë komuniteti.
Nacionalizmi kosovar, sot kur shteti i Kosovës po mbush gati 4 vjet, nuk dallon nga nacionalizmi kur Kosova nuk ishte shtet.
Kur Kosovën e kontrollonte Serbia, nacionalizmi kosovar ka luftuar që shqiptarët të barrikadohen nga etnitë e tjera që të mos topitet tehu i agjendës për shtetin e Kosovës, gjë që ka qenë normale. Vazhdimi i kësaj atitude, kur Kosova është shtet, është vetëvrasje. Nacionalizmi kosovar tani duhet të luftojë për integrimin e etnive që jetojnë në Kosovë dhe të mos lejojë barrikadimin e tyre.
Po pse po ndodh e kundërta?
Shqiptarët nuk e kuptojnë shtetin si krijesë të tyre organike, po si diçka të imponuar
Nuk po ndodh sepse shqiptarëve në Kosovë si etni shumicë njësoj sikur edhe shqiptarëve në Shqipëri u mungon agjenda për shtet. Ndihma shumë e fuqishme e Austro-Hungarisë në rastin e Shqipërisë dhe e Amerikës në rastin e Kosovës kanë bërë që shqiptarët si komunitet etnik ta kuptojnë shtetin jo si një krijesë të tyren organike, po si diçka të imponuar nga jashtë.
Kjo është arsyeja që shqiptarët (sidomos ata në Kosovë) ta kenë të vështirë të kuptojnë se çfarë është kombi. Shumë më thjesht u vjen ta kuptojnë kombin si etni, pra si një komunitet dhe asgjë më shumë se kaq.
Kombi është komunitet i kualifikuar
Natyrisht, kombi është një komunitet njerëzish, por është edhe shumë më shumë se një komunitet i thjeshtë. Është një komunitet i kualifikuar që është i aftë të krijojë shtet. Por shqiptarët kanë problem me fjalën kualifikim. Shqiptarët duan ta kenë titullin inxhinier, por pa marrë mundimin për ta mësuar zanatin e inxhinierit. Shqiptarët duan të kenë titullin mjek, por pa marrë mundimin për ta mësuar zanatin e mjekut.
Shqiptarët, si në Kosovë si në Shqipëri, mendojnë se mund të jenë komb vetëm pse flasin gjuhën shqipe. Harrojnë se për të qenë komb i duhet bërë hyzmet kësaj pune: duhet të ndërtohet shteti. Madje-madje edhe shqiptarët që bëjnë jetën e pakicave etnike (Luginë e Preshevës, Mali i Zi, Maqedoni) u pëlqen ta quajnë vetën komb. Shpesh më akuzojnë se po ua mohoj kombin, të cilin, në fakt, nuk e kanë. Unë nuk po ua mohoj etninë (gjuhën, gjakun), por si mund të jesh komb kur nuk e ke shtetin tënd?
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.