Kryeministri Thaçi është në panik të thellë. Ai eshte shpërfytyruar si diktatoret arab ne prag te revoltave gjithepopullore. Duket e ka kuptuar se Pranvera shqiptare po nis me 14 janar në Prishtinë, per te vazhduar marrshin drejt Tiranes.
Besnik Kryeziu
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi po bëhet çdo ditë e më agresiv dhe shumë i ngjashëm me Berishën e Tiranës. Ai jo vetëm me emrin e partisë të cilës i përket po i ngjanë Berishës, por edhe me fjalorin e tij politik kërcënues dhe shumë banal kundër opozitës në Kosovë.
Kryeministri Thaçi është në panik të thellë, gjykuar nga deklaratat e dhëna këto ditët e fundit. Ai si kurrë më parë po e ndjen fundin e merituar të pushtetit të tij të pamerituar. Ky siklet me panik dhe çoroditje deri në absurditet, nuk është parë edhe në ditët mbase shumë të rënda që ka kaluar Kosova dhe po vazhdon të kaloj për të ndërtuar shtetësinë dhe shtrirjen e plot dhe pa kushtëzime të sovranitetit të saj në Veri.
Kryeministri Thaçi deklaroi në një medium se, nuk do ta lejojë përsëritjen e 21 janarit të Tiranës!
Çfarë është kjo Z. kryeministër?! Çfarë ka të bëj demonstrata paqësore e Vetëvendosjes me 21 janarin e Tiranës?! Ç’është kjo deklaratë ogurzeze për Kosovën dhe qytetarët e saj?!
Ne i dimë sikur që dua të besoj që e dini edhe ju Z. kryeministër se, në 21 janarin e acartë të Tiranës u derdh gjak, u morën jetë njerëzish. A doni të thoni se edhe ju do të jepni urdhër për vrasje, për gjakosje të një demonstrate që do të jetë tërësisht paqësore dhe thellësisht në shërbim të qytetarëve që ju do të duhet t’ju shërbenit ndryshe nga kjo që realisht po e bëni?!
Pse dhe si e ndërlidhni aksionin e 14 janarit me demonstratën e 21 janarit, nuk po ju kuptoj dhe as që po përpiqem të ju kuptoj, sepse logjika e shëndosh dhe e qetë nuk do të vinte në konkluzione të tilla.
Frika ime z. kryeministër ka të bëj me 10 shkurtin. Në një demonstratë tërësisht paqësore u derdh gjaku dhe u vranë dy djem të rinj, që donin të na mbronin nga kjo që po përballemi sot, që donin Juve dhe të gjithë klasën politike të atëhershme t’ju mbronin të koritur te pragu e jo te balli i oxhakut. Mos mendoni z. kryeministër se kemi harruar atë deklaratën e “famshme” se fajtori ishte Albin Kurti. Atëherë pati një pakt të heshtur dhe të fshehur për ta goditur përfundimisht Vetëvendosjen si forcë e re politike. Edhe sot po flisni ashtu me një ndryshim të taktikës dhe të qenit kryeministër. Edhe nga Ju z. kryeministër si dhe gazetarët e pagur nga ju, po vihet Vetëvendosja në bankën e të akuzuarve pa fakte dhe me tendenca të qarta politike.
Dihet qartazi se kjo përballje do të mund të evitohej shumë lehtë dhe pa pasoja në qoftë se Qeveria juaj do ta zbatonte mocionin e votuar nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Çfarëdo që mund të ngjajë (uroj dhe lutëm për më të mirën) dijeni se ju Z. kryeministër do ta mbani përgjegjësinë politike dhe morale, sepse ju keni dalë mbi Kuvendin si organin më të lartë shtetëror. E ky veprim nuk mund të quhet ndryshe në gjuhen politike, përveç se marrje e të gjitha pushteteve politike, e që rrjedhimisht do të thotë diktaturë e pa shpallur.
Parulla e juaj dhe e partisë që drejtoni ju (të cilën e keni uzurpuar si më së keqi) “Së pari Kosova”, po del të ketë qenë një parullë jo e devotshme dhe tërësisht manipuluese.
Ju në vend se të qeverisni me vendin po e sundoni atë, po e shkatërroni deri në substancën, e cila edhe ashtu është e brishtë fare.
Dua ta them publikisht se nuk pajtohem me Vetëvendosjen nëse me këtë demonstratë paqësore nuk e ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë suaj nga pushteti. Sepse jam thellësisht i bindur se ju jeni problemi kryesor dhe assesi ata që po importojnë mallra, apo edhe ata që nga varfëria e skajshme ku i katandisur me keqqeverisjen tuaj, po i shtyn te blejnë këto mallra.
Hapësira politike gjithëshqiptare ka nevojë për një rend të ri politik, ku ju dhe Berisha i Tiranës nuk do të bënit pjesë. Ne kete hapesire lerjuani vendin forcave te reja politike, atyre që kanë dije dhe guxim për t’i bashkuar të gjitha hapësirat shqiptare, për t’i zhvilluar dhe bërë pjesë të familjes së madhe evropiane.
Po e fillojmë z. kryeministër nga Prishtina dhe me siguri se do të mbërrijmë edhe në Tiranë. Mos të mendoj më kush se ajo që do të ndodh në Prishtinë nuk do ta prekë Tiranën dhe anasjelltas.
Shqiptarët ishin, por nuk do të jenë kurrë më Tragjikët e Evropës, sikur se nuk do të mbesin kurrë të vjedhurit e Thaçit dhe të Berishës.
Pranvera shqiptare po nis me 14 janar ë Prishtinë për tu shtrirë në tërë hapësirën shqiptare.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.