e diel, 30 tetor 2011

Demokracia, pushtet i popullit

Alban Daci

Një sondazh i bërë në 2005 nga Gallup International mbi 50. 000 persona në 60 vende të botës, ka zbuluar se 63% e qytetarëve mendojnë se liderët politikë janë të pandershëm, 60% mendojnë se ato kanë në dorë shumë pushtet, 52% mendojnë se liderët politikë sillen në mënyrë jo etike dhe rreth 39% mendojnë se ato nuk kanë vizione dhe nuk janë konkurrues në aktivitetin e tyre si përfaqësues të qytetarëve.
Demokracia përfaqësuese, ose forma me të cilën qeveriset në pjesën më të madhe të Botës, po shfaqet gjithnjë e më shumë me limitet e saja. Mbështetësit e kësaj formë jo të drejtpërdrejtë të demokracisë, nënvizojnë se problemi është i përkohshëm, i shkaktuar nga disa rryma politike që u krijuan pas rënies së Marksizmit në vitin 1989.
Ndoshta, edhe kjo mund të jetë një ndër arsyet. Megjithatë, arsyeja kryesore ndoshta qëndron në ndryshimet e mëdha që kanë pësuar kushtet ekonomike e sociale gjatë gjysmë të shekullit që lamë mbrapa. Edhe në demokracinë e drejtpërdrejt qytetarët votojnë herë pas herë për të zgjedhur parlamentarët dhe Presidentin, të cilët pastaj i lënë t’i përfaqësojnë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës. Ekzaktësisht si tek demokracia përfaqësuese.
Duhet theksuar se në Shqipëri, Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarit. Pra, ai nuk zgjidhet nga populli. Gjithashtu, me ligjin elektoral që ka sot Shqipëria, ku nuk garojnë kandidatët, por subjektet politike. Mund të themi pa frikë se Presidentin nuk e zgjedh Parlamenti, si institucioni më i lartë përfaqësues, por partitë politike. Pra, edhe këtë të drejtë themelore nuk e kanë në dorë qytetarët, por elitat politike, të cilat ndoshta jo vetëm nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por mund të shfaqen edhe kundër tij.
Në demokracinë e drejtpërdrejtë ashtu si në demokracinë përfaqësuese qytetarët votojnë për të pasur përfaqësuesit e tyre. Por, në demokracinë e drejtpërdrejt, një grup zgjedhësish, nëse e shikojnë të arsyeshme një ligj të aprovuar nga Parlamenti ose që mund të pengohet për aprovim po nga Parlamenti e vendosin përmes referendumit popullor para gjykimit të qytetarëve.
Duhet të bëjmë dallimin mes referendumit dhe plebishitit. Plebishitet janë instrumente që përdoren nga diktatorët (Hitler, Pinochet…) dhe nga njerëz që janë të dashuruar pas pushtetit të fortë (Napoleoni, de Gaulle) të cilët e përdorin plebishitin për të legjitimuar pikërisht pushtetin. Referendumi i vitit 1978 në Kili, pas protestës së OKB ndaj regjimit të Pinochet. Në atë kohë klika, ushtarake në qeverisje gjoja pyeti popullin në se e mbështet këtë lloj qeverisjeje dhe rezultati doli 94-95% pro saj. Një plebishit kushtetues, që preku kushtetutën e vitit 1925, u organizua po aty, në vitin 1980 dhe përsëri me një votë pro prej 68.5% iu zgjat mandati Pinochet-it deri në vitin 1989. Tentativë për të forcuar një formë absolute të pushtetit në Shqipëri ishte edhe referendumi i vitit 1994 për ndryshimin e Kushtetutës, por që u hodh poshtë pasivisht nga qytetarët.
Referendumet dhe iniciativat popullore (ose qytetare) janë të shkruara dhe të iniciuara pikërisht nga qytetarët pas pasur nevojë për mbështetjen e qeverisë ose të politikanëve. Është një instrument që qëndron fort dhe i palëkundur në dorën e qytetarëve për të kontrolluar aktivitetin e qeveritarëve në veçanti dhe të vetë sistemit politik në përgjithësi.
Kampion në lidhje me referendumet është Zvicera, e cila që nga kushtetuta e 1848 deri në vitin 2006 ka organizuar 540 referendume federale dhe në nivel kantonal ka një shifër prej 10 referendume të organizuara për çdo vit. Duhet të theksuar, se jo vetëm Zvicera që me të drejtë mund të konsiderohet piedestali i referendumit, por të gjitha demokracitë perëndimorë, duke përfshirë në dekadat e fundit edhe vendet e Amerikës Latine, e kanë përdorur referendumin si një instrument popullor, për të zgjidhur çështje të rëndësishme në nivel lokal e kombëtar.
Edhe pse në këto vende referendumi po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument çelës për demokracinë e drejtpërdrejt. Në Shqipëri, referendumi jo vetëm që nuk praktikohet, por është edhe i panjohur. Kjo na bën të mësojmë, se demokracia e drejtpërdrejt në Shqipëri nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston.
Koncepti bazë i demokracisë është: Të gjithë njerëzit, duhet të kenë pjesë të barabartë për të vendosur se si duhet të qeveriset vendi. Disa janë të pasur, disa të tjerë janë të varfër, disa janë të zgjuar, disa të tjetër me pak, disa e duan Zotin, disa të tjerë mund të duan një njeri të veçantë po sa Zoti. Nuk kanë rëndësi diferencat mes tyre, që të gjithë gëzojnë të drejta.
Po ta ballafaqojmë këtë koncept teorik me realitetet e vendeve demokratike të botës, ku të gjithë, përveç disa qindrave, nuk kanë funksione demokratike. Sistemi i demokracisë përfaqësuese është një sistem i lindur në shekullin e XIX dhe ishte i përshtatur për shoqërinë e saj kohe.
Në atë kohë shoqëria ishte e ndarë në mënyrë të qartë mes të pasurve dhe të fuqishme dhe një mase të madhe të varfërish që e kalonin kohën e tyre në fshatra e fabrika, ku fitonin sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Kishin pak mundësi të dinin se çfarë ndodhte në Botë. Edukimi ishte i rezervuar vetëm për të pasurit dhe gazetat ishin shumë të kushtueshme dhe kishin qarkullim të limituar për të informuar opinionin publik.
Sot britanikët janë sipas termave real 5 herë më të pasur se sa një shekull me parë. Amerikanët janë 6 herë më të pasur. Italianët 13 herë më të pasur. Kjo rritje reale e pasurisë bën të mundur që qytetarët të keni më shumë para për të kursyer. Kështu, shumë njerëz kanë më shumë mundësi të investojnë në aksione, të kenë një shtëpi, një makinë e kështu me radhë. Persona, që kanë pasuri të mëdha ndjehen më të pavarur, të cilët janë të prirur të kenë edhe ide fikse për politikat e tyre personale.
Edhe për sa i përket edukimit, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në shumë vende të Botës studimi i detyruar ka arritur deri në moshën 16 vjeç. Në Francë ka 60 herë më shumë studentë në shkollat e mesme se sa një shekull më parë. Në linja të përgjithshme numri i studentëve është rritur 50 herë më shumë se sa një shekull më parë. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 33 herë më shumë studentë nëpër shkollat e mesme se sa një shekull më parë.
Një ndër ndryshimet më të jashtëzakonshme kanë ndodhur falë zhvillimit të teknologjisë digjitale. Me kompjuterin, internetin, celularin, aparatet fotografike dhe kamerat digjitale, pjesa me e madhe e popullsisë mund të njoh e të dijë sekondë pas sekondi atë që ndodh në Botë. Të gjithë këtë informacion jo vetëm mund ta kenë të disponueshëm në formë pasive, por edhe mund të jenë vetë krijues të tij, mund ta ndajnë si dhe ta komentojnë me një masë sa më të gjerë personash.
Këto tre faktor, pasuria, edukimi, informacioni bëjnë të mundur që qytetarët të japin një gjykim të arsyeshëm për çdo argument të caktuar. Nuk ka më asnjë lloj diference mes cilësi të një vlerësimi të bërë nga qytetarët dhe të një vlerësimi të bërë nga përfaqësuesit e tyre për një çështje të caktuar. Përkundrazi, nëse mendojmë në një botë reale, qytetarët zgjedhin më mirë se sa përfaqësuesit, sepse vendimet e tyre nuk mbështeten mbi korrupsionin, forcën e lobeve, në dëshirën për të bërë karrierë politike, në faktin se mund t’i përkasin një kaste të privilegjuar, që jo rrallë herë kanë shumë influencë për ato pak përfaqësues të zgjedhur.
Një faktor tjetër ka ndryshuar qartësisht gjatë epokës tonë. Për më shumë se një shekull, pjesa më e madhe e demokracive kanë pasur përplasje mes një partie marksiste dhe një liberale. Diferenca ideologjike ishte e dukshme: nga socializmi tek individualizmi, nga ekonomia e tregut tek ajo e përqendruara.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e të indologjisë komuniste, edhe partitë kanë ndryshuar emër e kanë modifikuar, le të themi, programet e tyre. Ideologjitë janë bërë më pak radikale, dhe diferencat janë më pak të qarta. Zbehja e ideologjisë ka pasur dy pasoja:
- Partitë po bëhen organizata gjithmonë e më të fuqishme;
- Personat kalojnë më shpesh sa në një parti tek një tjetër;
Partitë me kalimin e kohës, jo vetëm që nuk e mbështesin formën e demokraci së drejtpërdrejt, por e luftojnë atë, sepse ajo u kufizon pushtetin. Shembull tipik i kësaj sjellje është Shqipëria gjatë 20 viteve tranzicion. Nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm, ku një parti politike të ketë marrë qoftë edhe një iniciativë të vetme referendumi për një çështje të rëndësishme që prek interesat e qytetarëve. Ky është një argument më shumë për të vërtetuar, se partitë shqiptare dhe sistemi politik shqiptar nuk është demokratik.
Demokracia e drejtpërdrejt i bën zgjedhësit të jenë më efikas. U jep qytetarëve më shumë përgjegjësi komunitare dhe i ndihmon të sillen edhe në mënyrë më të përgjegjshme. Demokracia e drejtpërdrejt i bën më të mirë qytetarët, duke i shndërruar në të njëjtën kohë edhe në zgjedhës më të mirë.
Një ndër referendumet e para është ai konfederal i zhvilluar në vitin 1866, që u kërkonte qytetarëve nëse hebrenjtë duhet të kishin të drejta të barabarta për rezidencë. Qytetarët i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetje. Ka shumë analistë, që mendojmë se demokracia për gjatë shekullit të kaluar është zhvilluar në një gjendje të bllokuar. Ka ardhur momenti që i gjithë procesit të riformohet duke përmbushur principin bazë të demokracisë: Demokracia është qeveria e popullit.

e premte, 28 tetor 2011

Demokracia është e të gjithëve dhe duhet të ndërtohet me kontributin e çdo kujt

Fjalim i mbajtur nga dot. mag Alban Daci gjatë prezantimit të platformës së Partisë Socialiste nga z. Arben Malaj.

Sot, sistemi politik shqiptar ndodhet në një krizë identiteti dhe funksionimi. Gjithmonë e më shumë po thellohet distanca mes politikës dhe qytetarit, ku ky i fundit jo vetëm ndjehet i braktisur, por edhe i marr peng nga njerëz që politikën e bëjnë për interesa të ngushta personale dhe jo për të mirën e përgjithshme.
Kush beson se kështu mund të demokratizohemi, do të thotë, se nuk ka kuptuar aspak se si funksion një shoqëri demokratike, ku protagonistët e saj nuk janë të përjetshëm, sepse vetë shoqëria është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm dhe ka nevojë për ide të reja që i përshtaten kohës.
Në fillim të viteve ’90 shqiptarët kërkuan që Shqipërinë ta bëjnë demokratike dhe si Europa. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet tranzicion, ne duhet të bërtasim fort njëzëri Shqipërinë e duam demokratike dhe në Europë, sepse ajo nuk është e tillë.
Demokracia nuk ofrohet vetëm nga një pakicë dhe vetëm nga një formë mendimi. Alternativat e mendimit dhe pluraliteti i personave vetëm e shëndoshin më shumë demokracinë duke e bërë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë.
Nuk mund të ketë demokraci të njëanshme dhe për disa ose pak persona. Demokracia është e të gjithëve dhe duhet të ndërtohet me kontributin e çdo kujt duke formuar atë që quhet kontenitori qytetar i demokracisë.
Nuk mund të ketë demokraci pa respektimin e principit të meritokracisë. Sot, për shkak të politikës, meritokracia është një term i huaj.
Sot, për të bërë karrierë mjafton të kesh një mik, të kesh para, por jo vlera njerëzore, vizione për të ardhmen dhe dëshirën për të mbrojtur të mirën e përbashkët.
Shumë të rinjtë të talentuar sillen rrugëve nëpër Tiranë, ose edhe me keq largohen fare nga vendi, vetëm për faktin se nuk janë bërë pjesë e pazareve të rëndomta politike.
Ka ardhur momenti të bërtasim të gjithë njëzëri. Stop injorancës politike dhe po talenteve dhe njerëzve me vizione!
Të talentuarit kanë nevojë për Shqipërinë, por edhe Shqipëria ka nevojë për ta që të behet demokratike dhe Europiane.
Realiteti, shqiptar ka ndryshuar nga momenti, kur qytetarët dëgjuan për herë të parë parullën "rroftë demokracia", që pa e ditur dhe pa e studiuar asnjëherë më parë e morën të gatshme si diçka themelore që përfaqësonte lirinë e të vepruarit, të menduarit dhe të organizimit të jetës vetjake në raport me komunitetin ku jeton.
Format e komunikimit të shpejtë dhe modernë, si interneti e ka ndërgjegjësuar brezin e ri për t’i kuptuar, diskutuar dhe kritikuar shumë fenomene që ndodhin në shoqëri që kanë të bëjnë me jetën e secilit nga ne.
Kohët e fundit janë krijuar shumë site dhe mail-lista individuale apo kolektive, ku diskutojnë se si mund të qeveriset drejt prosperitetit një vend dhe si mund të drejtohet me ndershmëri dhe me efikasitet shoqëria për të qenë e denjë dhe kompetitive.
Një lëvizje e tillë për demokratizimin e Shqipërinë, do ta quaj unë, është kjo për të cilën ne jemi mbledhur këtë.
Është forca e kësaj lëvizje të udhëhequr nga z. Arben Malaj, që na rrit besim, se Shqipëria meriton dhe do të bëhet demokratike.
Forca e kësaj lëvizje është guximi ynë për të ndërtuar të ardhmen që meritojmë.
Vlera e kësaj lëvizje, është demokracia, forma më e lartë e mirëqeverisjes në botë.
Prandaj, duke marr guxim edhe nga prania jonë sot këtu, duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të marrin fatin në duart tona.
Vetëm kështu do të jemi në gjendje të plotësojnë aspiratat tona demokratike dhe të plotësojnë obligimet që kemi kundrejt qytetarëve duke i përfaqësuar sa më drejt dhe mirë siç e kërkon edhe vetë demokracia.
Ka vite që flitet për reformim në institucionet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes politike, por në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë.
Gjithçka ka mbetur si më parë dhe e pa ndryshueshme, sepse ky reformizëm është përfaqësuar dhe ndërmarrë nga ato që risinë dhe reformën nuk e duan.
Si mund të ndodh reformimi, kur ai kontrollohet, drejtohet ose mund të orientohet nga lart për poshtë.
Si mund të presësh reformim të orientuar për nga risia, kur protagonistët janë me ide të vjetra dhe vizione të pa reforumuara.
Ne të rinjtë do të jemi zot të vetës dhe të vendit, vetëm kur të përfaqësojnë aksionet dhe idetë tona.
Të rinjtë do të jenë të vlefshëm jo vetëm për vetën e tyre, por për gjithë qytetarët dhe vendin, vetëm në momentin, kur të arrijnë të përfaqësojnë vetveten, kur të prezantohen vetë me formimin e tyre intelektual dhe jo të prezantuar vetëm për imazh nga të vjetrit nëpër mbrëmjet gala.
Vendi dhe shoqëria shqiptare ka nevojë për të renë, për ndryshimin, për prosperitetin, sepse këta janë elementët që garantojnë koherencën dhe të ardhmen e merituar, ndryshe nga ajo që kemi përjetuar deri tani.
Ne, përfaqësojmë rininë, jemi rritur duke studiuar demokracinë, kemi dashuri dhe përgjegjësi për vendin tonë.
Prandaj, duhet të jemi zot të aksioneve tona për të realizuar reformimin e duhur që ka për objekt realizimin e shoqërisë demokratike.

e diel, 23 tetor 2011

Kriza e shtetit nacional dhe rendi botëror

Alban Daci

Shteti nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.
Ka gjithnjë e më shumë thirrje etnike, kur flitet për identitetet kulturor, e cila është e lidhur me një territor të caktuar e shpesh herë me karakter rajonal. Ky koncepti i “etnisë” duket të jetë çelësi i mirëkuptimit për proceset në vazhdim, atje ku “identiteti” nuk është vetëm një mirënjohje historike-kulturore, por edhe përkatësi e një “fati” të përbashkët ekonomik, që ka forcën për të kapërcyer kufijtë tradicional të shtetit nacional.
Përballë krizës së shtetit nacional, loja konsiston në formimin e një “nacionaliteti” të ri, që u referohet interesave ekonomike, të prodhimit, interesave financiare, interesave kulturore. Sot, shteti nacional nuk është më kontenitori ekskluziv i strukturave të prodhimit; nuk ka më funksionin e ndërmjetësuesit, siç e kishte më parë shteti fordist keynesian...ai shtet që duhet të ndërmjetësonte mes dy funksioneve të prodhimit, mes forcës së punës dhe kapitalit, dhe për këtë duhet të harxhonte shuma të mëdha me burime sociale, që të bënte të mundur ndërmjetësimin.
Pra, po flasim për një “nacionalitet të ri” të lidhur me “fatin” e përbashkët ekonomik. Prandaj, kemi të bëjmë me një rajonalizëm të ri dhe për këtë do të citojmë Revellin: “Hapet konkurrenca, jo më një konkurrencë mes kapitaleve, por një konkurrencë mes shteteve, për të luftuar për mbijetesë njëlloj si grupet e mëdha industriale”.
Kjo po ndodh edhe në nivele rajonale. Rajoni i Lyon-it, por ju ofron tashmë sipërmarrësve torinez kushtet e privilegjuara nga këndvështrimi fiskal, të infrastrukturës e kështu me radhë, që të shkojnë të lokalizohen në zonën e tyre. Nga kjo lëvizje e rajonit të Lyon-it shumë sipërmarrës piemontez po kalojnë të investojnë dhe të bëjnë biznes atje.
Situata ndërkombëtare jo vetëm për arsyet që thamë më sipër, është shumë më serioze se sa duket në pamje të parë. Sistemi ndërkombëtar po përballet me një krizë të jashtëzakonshme. Ai ndodhet përballë dilemës bipolare dhe multipolare. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare jo vetëm për shkak të vështirësive që paraqet vetë studimi i sistemit, por edhe për faktin se përfaqësojnë interesa të ndryshme, nuk janë në gjendje të përgjigjen në mënyrë korrekte nëse sistemi aktual ndërkombëtar është bipolar apo multipolar.
Disa studiues jo amerikanë, dhe që janë kundër interesave të kësaj të fundit, që nga vitet ’70 kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po pësojnë një rënie pikiatë. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, sipas kësaj rryme rënia e Shteteve të Bashkuara është bërë me e qartë. Sipas tyre, këtë fakt e konfirmuan edhe ngjarjet e 11 shtatori të 2001.
Gjithashtu, sipas këtyre studiuesve, mbarimi i Luftë së Ftohtë shënoi edhe mbarimin e bipolarizmit, sepse Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në pah kanë dalë fuqi të reja të natyrës rajonale, të cilat po pësojnë rritje të madhe. Disa nga këto fuqi rajonale janë: Brazili, India, Kina, Turqia, Afrika e Jugut. Këto fuqi të reja, edhe pse janë rajonale, po përpiqen të fitojnë forcë dhe terren në ato vende ku forca e Shteteve të Bashkuara ka pësuar rënia, ose është vënë në dyshim. Pra, në një mënyrë apo, tjetër, këto fuqi nuk duan të jenë në këto momente kundërshtare në nivel global me Shtetet e Bashkuara, por thjeshtë të mbrojnë shtëpinë e tyre dhe të fqinjëve që i rrethojnë, duke luajtur rolin e kryetarit të shtëpisë në rajon.
Gjithashtu, ajo që mund të vihet re aktualisht në sistemin ndërkombëtar, është fakti se ka tendenca për autonomi nga rajone të ndryshme të botës. Çdo do të thotë kjo? Më parë çdo çështje rajonale, ose jo, në momentin final varej nga pozicion global i sistemit bipolar. Nëse më parë kishte probleme mes palëve në Lindje e Mesme, fati i tyre në fund do të varej nga politikat dhe pozicionet që do të mbanin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, çdo lloj çështje rajonale, ose jo, më parë trajtohej dhe zgjidhej në mënyrë definitive vetëm në nivel global. Ndërsa, sot kemi tendenca autonomiste, ku fuqitë rajonale tentojnë t’i zgjidhin çështjet vetëm, pa pasur nevojë të referohen tek Shtetet e Bashkuara apo tek ish Bashkimi Sovjetik.
Aktualisht kemi një inversion mes dinamikave rajonale dhe globale. Në çdo kontekst rajonal, në fakt, është shkalla gjeografike e marrëdhënieve mes aktorëve që cakton kufijtë e shpërndarjes së fuqive të tyre: dhe vetëm një herë që dihet se çfarë dimensionesh posedojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, atëherë mund të përcaktohet, se cila do të jetë edhe zonë e influencës. Dobësimi i penetrimit të sistemit global mbi sistemet e ndryshme rajonale ka një efekt të dyfishtë paralel mbi marrëdhëniet e aktorëve. Nga njëra anë, pa paragjykuar shpërndarjen e fuqisë në nivel global, ajo bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme në nivel rajonal.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, siguria e çdo aktori varej në instancën e fundit nga ballafaqimi mes burimeve dhe qëllimeve të pikërisht nënsistemeve globale të aleancave dhe atyre të nënsistemeve të armikut: siguria e Turqisë, Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Izraelit, për shembull, vareshin në instancën e fundit nga qëndrimi dhe superioriteti i bllokut perëndimor në respekt me atë sovjetik. Në kontekstin ndërkombëtar aktual, liderët dhe qytetarët e vendeve të ndryshme i perceptojnë perspektivat e paqes, ose të luftës, si gjithmonë e më të pavarura me qëllimet e antagonistëve dhe partnerëve të lidhur në rajonin e tyre, e gjithmonë më pak të lidhur me burimet dhe qëllimet e tjerëve jashtë rajonit.
Mekanizmat e garancive të jashtme të së kaluarës – protektoratet, aleancat bilaterale dhe multilaterale, premtimet informate- humbin besueshmëri ose, të paktën, kanë vështirë të jenë të projektuara në mënyrë definitive për të ardhmen, me rezultat për të inkurajuar aktorët, ose për të garantuar sigurinë në mënyrë autonome, ose në konkurs me partnerët lokalë.
Po t’i rikthehemi edhe një herë çështjes nëse sistemi aktual ndërkombëtar është akoma bipolar, multipolar. Siç thash, kemi arsyetime/qëndrime të ndryshme, që ndryshojnë sipas interesave që përfaqësojnë.
Për shembull, Kissinger thotë, se:
“Në botën e pas Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi që ka mbetur me kapacitetin për të ndërhyrë në cilëndo pjesë të globit. Ai shkon më tej, duke thënë, se mungesa e një ideologjie sunduese, si dhe rreziku strategjik u jep liri kombeve të ndjekin politikën e jashtme, të bazuar gjithnjë e më shumë në interesin e tyre kombëtar imediat. Në një sistem ndërkombëtar të karakterizuar, ndoshta, nga pesë ose gjashtë fuqi të mëdha dhe nga një shumicë shtetesh të vegjël, rendi do të duhet të lind pak a shumë siç ka lindur në shekujt e kaluar, nga një pajtim dhe balancim i interesave kombëtar konkurrues.
Fareed Zakaria shkruan në librin e tij “Bota pas-amerikane”:
“Në planin politiko-ushtarak vazhdojmë të jetojmë në një botë me një superfuqi. Por, në çdo dimension tjetër- industrial, financiar, arsimor, kulturor- shpërndarja e fuqisë po zhvendoset duke iu larguar dominimit amerikan. Kjo nuk do të thotë se tani më po futemi në një epokë anti-amerikane. Por do të thotë që po shkojmë drejt një bote post-amerikane, drejt një bote të përcaktuar dhe të drejtuar nga shumë vende e shumë popuj”.
Ndërsa Dominique Moisi në pjesën ‘Bota në vitin 2025’ të librit “Gjeopolitika e emocioneve’, ja si shkruan: “Parashikimi i Pol Kenedit (Paul Kennedy) mbi rënien e perandorisë amerikane, kur ai e publikoi atë në vitin 1987, ishte i parakohshëm. Ai u bë realitet në vitin 2025. Si rezultat, një Amerikë e dobësuar nuk ka më as forcën ushtarake dhe as mjetet diplomatike për të qenë kombi i domosdoshëm, siç ka qenë që nga viti 1941”. Kjo e fundit edhe pse mbetet thjeshtë një parashikim duke analizuar faktet historike, i mbetet po historisë për të na dëshmuar të vërtetën dhe atë që do të ndodh në të ardhmen e afërt dhe të largët.

e shtunë, 22 tetor 2011

Veqilharxhi, mesazhet europiane të arkitektit të Rilindjes Kombëtare

Prof. FEDHON MEKSI

Qarkorja e vitit 1846 për t’iu bashkuar botës së qytetëruar përtej ndasive fetare, etnike e krahinore

GJUHA SHQIPE EDHE NË RRAFSHIN POLITIK

Naumi ishte i bindur se shqiptarët, ashtu të ndarë siç ishin, mund të zhdukeshin si komb. Veçse, sipas tij, mjeti parësor për bashkimin e tyre mbetej gjuha shqipe, e cila duhej të lëvrohej dhe të njësohej paraprakisht. Pra, ishte e nevojshme që ajo të shkruhej e të lexohej me një alfabet të vetëm e të veçantë. Për Naum Veqilharxhin, gjuha shqipe, vendosja e një alfabeti të njëjtë për të gjithë shqiptarët, lëvrimi i saj në letërsinë e shkruar dhe përhapja e shkrimit shqip me anë të shkollave amtare, nuk duheshin trajtuar vetëm si çështje kulture, por edhe në rrafshin politik, si veprime patriotike që do të ndihmonin në njësimin e kombit shqiptar. Jo rastësisht kërkesat kulturore kombëtare, midis të cilave një vend të veçantë zinte edhe liria e gjuhës dhe e shkollës shqipe, që nga koha e veprimtarisë së Naum Veqilharxhit, u bënë pjesë e pandarë e programeve politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

EVOLUCION, JO REVOLUCION

Evolucionizmi, doktrina sipas së cilës historia e shoqërisë zhvillohet në mënyrë progresive dhe pa ndërprerje, është një tjetër koncept filozofik i Naum Veqilharxhit. Si ideologu i parë i lëvizjes kombëtare shqiptare, ai kërkon që mendimet dhe konkluzionet e tij të asimilohen shkallë-shkallë nga gjithë populli shqiptar. Ai shkruante: “Njerëzimi që në kohët më të lashtë filloi lëvrimin e gjuhëve dhe i zhvilloi ato dora-dorës”. (Letra dërguar Jani Calit, 1846). Bazuar edhe në përvojën e tij si pjesëmarrës në kryengritjen rumune, përveçse në gjendjen e prapambetur ekonomike, politike, kulturore dhe arsimore në atdheun e tij, në atë periudhë Naum Veqilharxhi e shikonte pa vend transferimin në Shqipëri të lëvizjeve kryengritëse të vendeve të tjera ballkanike, që përfunduan me pellgje gjaku dhe koka të prera shqiptarësh. Në Shqipëri ishte e pamundur të nxitej një kryengritje, ndërkohë që shqiptarët ishin thellësisht të ndarë. Prandaj, Naum Veqilharxhi, komandanti trim i shqiptarëve në kryengritjen e popullit rumun kundër pushtuesve turq, ku ranë për liri i vëllai, Kostandini pesëmbëdhjetëvjeçar, së bashku me babanë e tyre Panajotin, (Gj. Cacaj-Shushka, “Dokumente të arkivit të Odesës”, cituar nga vepra: Gjuha në veprën e N. Veqilharxhit, 2000, f. 20), mbështeste një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit. Këtë qëndrim të Naumit, për të rrokur sa më parë librat e penat dhe jo menjëherë armët, që mund ta quajmë evolucionizëm, teksti i Historisë së popullit shqiptar e vështron, mendojmë pa të drejtë, si pavendosmëri të Naumit dhe shpreh rezerva për të. Në këtë tekst shkruhet se Naumi “nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë.” (Historia e popullit shqiptar, V II, f.100-101). Këtu do pasur parasysh se dokumentet e shkruara që kemi nga Naumi (Ëvetaret, Qarkorja, letra për të nipin) u përkasin viteve 1844-1845, kurse kërkesa për vetëqeverisje mori formë sidomos me Kryengritjen e vitit 1847 (kuvendi i Mesaplikut), pra dy vjet më vonë. Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë, ajo nuk është trajtuar asnjëherë në shkrimet e Naumit.

MESAZHE PËR SHQIPTARËT E DJESHËM, POR…. EDHE TË SOTËM

Rilindësi i madh gjen rastin dhe u dërgon mesazhe të vlefshme shqiptarëve të djeshëm, por që kumbojnë aktuale edhe për shqiptarët e sotëm. Me dashurinë, mençurinë dhe çiltërsinë e tij, ai krijoi portretin e shqiptarit patriot, duke përdorur fjalët më të bukura dhe më të goditura, që rrallë i gjen në letërsinë shqipe. Ai u paraqet shqiptarëve një shëmbëlltyrë patrioti që karakterizohet nga morali i shëndetshëm dhe nga nënshtrimi i interesit vetjak ndaj atij shoqëror. Naumi i këshillon shqiptarët se “vetëm me punë mund të dalin nga gjendja e mjeruar, por gjithmonë duke vënë theksin mbi arsyen si parimin themelor që karakterizon njeriun”. Duke folur me respekt për punën, ai përmend në Qarkoren e tij edhe koncepte të reja për kohën në fushën ekonomike-shoqërore, si për shembull termat industri, shkencë, arte të bukura dhe politikë, dhe jep porosinë që të ruhen me kujdes dhe të zhvillohen më tej nga shqiptarët. Ëvetari (1845) përfshin edhe pjesë të ndryshme nga letërsia klasike, të cilat, krahas vlerës narrative dhe gjuhësore të tyre, plotësonin mungesën e librave edukativo-arsimorë me përmbajtje laike në gjuhën shqipe. Nëpërmjet këtyre kapitujve që predikojnë qëndresën, durimin, besnikërinë, fisnikërinë dhe virtyte të tjera dhe dënojnë dobësitë njerëzore, autori dëshironte të përcillte te djemtë e rinj shqiptarë pastërtinë dhe përsosjen morale, duke ngjallur tek ata etjen për dije, dashurinë për njeriun dhe atdheun. Ata, thekson Naumi, duhet të punojnë vetëm për lulëzimin e kombit tonë, duke kultivuar gjuhën dhe shkrimin e tij, që janë thelbësore për botën e qytetëruar (Qarkorja, 1846).

NAUM VEQILHARXHI DHE EUROPA E RIGJETUR

N. Veqilharxhi përcaktoi programin politik në shkallë kombëtare, me anë të sw cilit aspiratat e popullit shqiptar, deri atëherë të turbullta dhe të pandërgjegjshme, u sqaruan dhe u pajisën me pikësynime konkrete. Ai e përshpejtoi dhe e shtyu më tej lëvizjen kombëtare shqiptare, duke shënuar fillimin e një periudhe të re historike. Në këtë mënyrë, me pikëpamjet e tij që i paraqiti në Qarkoren drejtuar patriotëve shqiptarë, filloi ajo periudhë e re që i përket Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila kishte për qëllim zgjimin e popullit nga prapambetja, formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe çlirimin nga zgjedha turke. “Ka ardhur koha, shkruante Naumi, që t’i flakim gjithë paragjykimet e vjetruara, të çohemi me pjekuri dhe guxim që të këmbejmë udhë, duke marrë si shembull kombet e përparuara në tokë, për t’u rreshtuar në sërën e kombeve të qytetëruara” (Qarkorja, 1846). Në atë periudhë historike, kombet e qytetëruara ishin Franca, Anglia, Austria, Prusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aspak Turqia, Rusia, Greqia etj. Në letrën e falënderimit që patriotët korçarë i dërguan N. Veqilharxhit, pasi e njoftuan “për gëzimin dhe kënaqësinë që ndien shqiptarët nga Korça, Kolonja, Berati, Përmeti dhe krahinat rreth tyre, kur panë shkronjat prej të cilave kombi ynë ka qenë privuar ndër shekuj, shprehën bindjen se me trimërinë dhe guximin që tregoi N. Veqilharxhi, duke botuar abetaret në gjuhën tonë amtare, kombi ynë do të numërohet në radhë të popujve të ndritur të Europës”. Si fryt i një malli tepër të zgjatur, shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut shprehën të njëjtin mendim: Shqipëria ka nevojë për “europianizim”. Rilindësi ynë ushqente shpresa të mëdha për të ardhmen e ndritur të shqiptarëve, ngaqë sipas tij: “Shqiptarët jo vetëm mendjen e kanë të hollë dhe të mprehtë, por edhe më tepër, ata janë gjithë sedër”. Naum Veqilharxhi me idetë iluministe dhe me programin e tij politik, hapi një rrugë të re, që e ndoqën më pas të gjithë rilindësit e tjerë, të cilët krijuan Rilindjen Kombëtare Shqiptare, lëvizjen më europianiste në gadishullin e Ballkanit. Ai gjithashtu kishte përcaktuar Europën, si modelin e vetëm për Shqipërinë e lirë e të pavarur. Ishte viti i largët 1846!

FUNDI I NAUMIT…

Vitet 1844-1846 ishin vitet e kurorëzimit të veprimtarisë 20-vjeçare të N. Veqilharxhit, që u përshkua nga një frymëzim i zjarrtë patriotik. Gjatë kësaj periudhe u botuan abetaret me alfabetin origjinal, që bënë të mundur hapjen e shkollave të para shqipe, si dhe u përgatitën e u shpërndanë për bashkatdhetarët kudo që ishin, qarkorja dhe letra dërguar J. Calit, në të cilat patrioti ynë i madh shpalos programin e tij të qartë dhe largpamës kombëtar, program që manifestoi fort, në të njëjtën kohë edhe antihelenizimin e tij, duke përcaktuar gjithashtu edhe antidotin përkatës: bashkimin e shqiptarëve rreth gjuhës së tyre amtare, të njësuar dhe të lëvruar, që do të shkruhej me një alfabet të veçantë dhe që do të luante edhe rolin e flamurit tonë kombëtar. Aktiviteti patriotik i N. Veqilharxhit gjeti pritje entuziaste ndër shqiptarët kudo që jetonin, por edhe kundërshtarë të egër në kishën greke dhe grekomanët shqiptarë. Krahas teksteve shkollore në gjuhën amtare, që tashmë ishin botuar dhe shpërndarë, N. Veqilharxhi kishte hyrë në kontakt me Shoqërinë Biblike Angleze për të shqipëruar librat e shenjtë, në mënyrë që shqipja të dëgjohej edhe në shërbesat fetare, aty ku Patrikana dhe kleri grek e konsideronin greqishten të pazëvendësueshme. Kisha greke ndjeu rrezikun e veprës së N. Veqilharxhit dhe aktivizoi të gjithë mekanizmat që kishte, duke përfshirë edhe Jani Calin, nipin e Naumit, si dhe ata që fshiheshin pas tij. Por, ai nuk u praps para kërcënimeve dhe shpifjeve, madje, i sfidoi ata dhe shkoi në Stamboll për të ndjekur vetë nga afër botimin e gramatikave që kishte hartuar. Veçse ky ishte udhëtimi i tij i fundit. Naumi mbylli sytë në Stamboll. Sipas të thënave, që qarkullonin në mjediset e veprimtarëve shqiptarë, ai është helmuar me porosi të Patrikanës ose të qarqeve greke. Gazeta Drita e shqiptarëve të Brailës, qyteti ku banonte N. Veqilharxhi, sipas informacioneve të dhëna edhe nga e shoqja e tij, shkruante: “Gjendja shëndetësore e Naumit u keqësua në mënyrë të menjëhershme, ai shtrohet në spital dhe vdes po ditën e shtrimit, pa një diagnozë të përcaktuar” (Dh. S. Shuteriqi, “Mbi Veqilharxhin”, Studime filologjike, 1976, f. 146). Studiues të shumtë kryesisht shqiptarë (S. Ollani, N. Naçi, M. Duçi, Sevasti Qiriazi, S. R. Dine, K. Luarasi, S. Luarasi, Dh. S. Shuteriqi, M. Islami) edhe ballkanikë ( P. R. Sllavejkov, Gr. H. Grandea, T. Kapidan, S. Jankoviç), madje edhe europianë e amerikanë (Th. Krei, Th. Brandi, A. Dozon, E. Legrand, N. Klejer), janë të bindur se N. Veqilharxhi ka vdekur në Stamboll, i helmuar nga agjentët e Patrikanës.
Kush urdhëroi për helmimin e N. Veqilharxhit? Dijetari i njohur rumun T. Kapidan mendon se “krimi ka mundësi të jetë kryer në bashkëmarrëveshje midis Fanarit dhe Jelldizit” (Dh. S. Shuteriqi, po aty). Në të vërtetë, vrasja e N. Veqilharxhit ndodhi në kulmin e një fushate të egër të organizuar nga kisha dhe nga disa grekomanë. Me siguri, nuk qe vepër e ndonjë ekstremisti të veçantë, mbasi eliminimi i N. Veqilharxhit u shoqërua me syrgjynosjen në Kretën e largët të patriotit Athanas Paskali, sekretar i Mitropolisë së Korçës, që u mor me shpërndarjen e abetareve dhe u kujdes për ngritjen e shkollave shqipe, si edhe me transferimin në Durrës të Mitropolitit të Korçës, Qirili, i akuzuar ndoshta për mungesë vigjilence. Në vazhdim, duhet shtuar gjithashtu edhe gjendja e frikës dhe terrorit që u vendos në Braila të Rumanisë, ku jetonte familja e Naumit dhe shumë shqiptarë patriotë, dashamirë të Naumit, që kulmoi me djegien e shtëpisë të Naumit, bashkë me librat që prisnin të shpërndaheshin. Vite më parë (1805), të njëjtin fund pati edhe Theodor Haxhifilipi, edhe ai autor i një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të cilin u përpoq ta fuste në kisha e shkolla. Fundin e N. Veqilharxhit patën më vonë edhe Pandeli Sotiri (1891), drejtori i parë i Mësonjëtores së Korçës, Papa Kristo Negovani (1906) dhe vëllai i tij Harallambi, që çelën shkollën në Negovan, Petro Nini Luarasi (1911), mësonjës i vjetër i shqipes, Panajot Kupitori (1884) dhe Anastas Kullurioti (1887), të helmuar në burgun e Athinës, meqenëse u mësonin gjuhën amtare arbëreshëve të Greqisë. Pa dyshim edhe Jelldizi (shteti turk) ka pasur pjesën e tij, të paktën për ideimin, përgatitjen dhe mbulimin e këtij krimi. Dihet tashmë se, sipas një marrëveshje me Patrikanën, autoritetet qendrore dhe vendore duhej të ruanin monopolin e Patrikanës dhe gjuhën greke në kishat dhe shkollat e ngritura për ortodoksët shqiptarë. Për më tepër, helmimi i N. Veqilharxhit ndodhi në një periudhë kur lëvizja e armatosur në Shqipëri kishte filluar të organizohej, duke shfaqur shenjat e para dhe të shumëpritura të bashkimit kombëtar. Vetëm një vit pas Qarkores dhe Letrës së Naumit, u organizua Kuvendi i Mesaplikut (qershor 1847), ku u morën vendime me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, mysliman e të krishterë, një dhe të pa ndarë. Kuvendi, gjithashtu, bëri thirrje për pjesëmarrje pa përjashtim në luftë kundër pushtuesit dhe kërkoi t’ju sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga feja. Në këto kushte, qeveria osmane nuk mund të linte gjallë Naum Veqilharxhin, që prej kohësh u dërgonte bashkatdhetarëve mesazhe për t’u bashkuar pa dallim feje dhe krahine.

NAUM VEQILHARXHI DUHET RIVLERËSUAR

Pas shkatërrimit të shtetit, faktikisht të pavarur të Ali pashë Tepelenës, si dhe të ëndrrave që u thurën për një shtet monarkik shqiptar, dëshpërimi dhe pesimizmi që pasoi u shoqërua me frikë dhe pasiguri, veçanërisht pas formimit të shtetit grek dhe, për më tepër, kur në fillim të vitit 1844, kryeministri grek Koleti shpalli programin ekspansionist që u quajt Megali Idhea (Ideja e Madhe), sipas të cilit Greqia, si trashëgimtare e Bizantit, duhet të përfshinte edhe Shqipërinë e Jugut, që të paktën për shovinistët e moderuar, do të shtrihej deri në lumin Shkumbin. Protagonistët e Megali Idhea-s në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre dasitë fetare, mungesën e shkollave në gjuhën shqipe, si edhe vonesën e lindjes së një lëvizje patriotike shqiptare të organizuar. Nga ana e tyre sundimtarët turq prej shekujsh përpiqeshin të fanatizonin dhe turqizonin shqiptarët myslimanë, duke i lënë dorë të lirë kishës, për helenizimin e shqiptarëve ortodoksë. Si rezultat i këtyre presioneve të gjithanshme asimiluese, shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin si komb. Naum Veqilharxhi, njohës i thellë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që gjatë pjesëmarrjes në kryengritjen rumune të organizuar nga Filiqi eteria, njohu edhe grekët si dhe planet e tyre, hartoi programin kombëtar dhe përpunoi platformën ideologjike që do shërbenin për të penguar helenizimin e Shqipërisë së Jugut që nxitej dhe nxitet nga qarqe të caktuara të shovinistëve në shtetin grek. Në këtë mënyrë, ai përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar dhe specifikën e tij, që do të mbështetej mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fenë, si nacionalizmat e tjerë ballkanikë. Në këtë mënyrë, Naum Veqilharxhi vuri gurin e parë për rikonstruksionin ose rilindjen e kombit shqiptar që do përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë. Populli shqiptar e pranoi porosinë e Naumit. Tashti ekziston kombi shqiptar i njësuar dhe shteti i tij amë, që dora-dorës po plotësohet dhe forcohet.
Jeta e Naum Veqilharxhit është një varg i gjatë përpjekjesh dhe vetëmohimi. Patriotin e madh e shohim me armë në dorë gjatë kryengritjes së popullit rumun (1821) dhe më pas, kur i vihet punës për shkronjat e veçanta shqipe (1824-1825) dhe abetaret e para, që i botoi me mbështetjen financiare dhe ndihmën e Vangjel Zhapës (1844-1845). E shohim gjithashtu edhe kur shpalli Qarkoren dhe Letrën (1846), që u bënë programet e punës të lëvizjes kombëtare shqiptare, për të mbaruar në një mot që s’dihet, i helmuar prej kishës greke midis viteve 1846-1866, në kulmin e punës për botime të tjera dhe për organizimin e shqiptarëve në shoqata kulturore-patriotike. E nëse gjëma nuk do të ndodhte, me siguri pavarësia e popullit shqiptar do të afrohej dhe 100-vjetorin e saj do ta festonim jo vitin që vjen, por të paktën 50 vjet më parë, bashkë me kombet e tjera të Ballkanit. Naumi nuk arriti të realizonte programin e tij të qartë dhe me synime konkrete, mbasi sfida e tij ndaj pushtetmbajtësve ishte e fortë dhe akoma më e fortë ishte lufta që i bënë, gjer edhe ta vrasin. Veçse puna dhe sakrifica e tij vetëmohuese u bënë një shembull i ndritur për lëvizjen patriotike shqiptare, që vijoi në gjurmët e tij dhe me emrin e tij si flamur.
Jeta e Naum Veqilharxhit njihet pak, në krahasim me veprën e tij aq atdhetare dhe sublime. Ne, shqiptarët e sotëm, nuk mund t’ia përkujtojmë as ditën e vdekjes, që sillet nga viti 1846 deri në vitin 1866, ndërsa pjesa më e madhe e veprave të tij nuk dimë se ç’fat pësoi. Të gjithë sa kam pyetur këto ditë në Tiranë për veprimtarinë e Naum Veqilharxhit, e njihnin, përfaqësuesin më të shquar të mendimit politik shqiptar, vetëm si autor të alfabetit dhe abetareve të para shqipe. Për ta ishte i panjohur fakti se lëvrimi i gjuhës shqipe paraqiste vetëm një aspekt të veprimtarisë të tij, në kohën kur helenizimi i Shqipërisë së Jugut po rrezikonte kombin shqiptar. Fushata e frikshme helenizuese nëpërmjet shkollave greke, që u ngritën disa qindra në mesin e shekullit XIX, për të arritur 1000 në fund të atij shekulli, kishin për qëllim ngulitjen e një konstruksioni të tjetërsuar gjuhësor e kulturor, si dhe shpëlarjen e mendjeve të fëmijëve shqiptarë për të përfunduar si nipi i Naumit, Jani, i cili duke mos njohur traditat, historinë dhe kulturën shqiptare, të cilat nuk mësoheshin as edhe mësohen në shkollat greke, arrinte deri në mohimin e tij (Letra dërguar Jani Calit,1846). Naumi kuptoi se shqiptarëve rreziku kryesor u vinte nga vetë ata, ashtu të ndarë siç ishin, dhe u bë nismëtar për rilindjen e kombit shqiptar. Nëpërmjet Qarkores dhe Letrës, në mënyrë të qartë, racionale dhe bindëse, paraqiti një program funksional, që patriotët shqiptarë të mëvonshëm e quajtën rruga e re për zgjidhjen politike të çështjes kombëtare. Sipas këtij programi, gjuha shqipe, tashmë e lëvruar dhe e pastruar nga fjalët e huaja, dhe krahas saj shqiptarizmi, duhej të kishin përparësi ndaj feve të ndryshme që praktikoheshin në Shqipëri. Gjuha shqipe, në këtë mënyrë, do të ishte faktori themelor i njësimit kombëtar dhe i mëvetësisë kombëtare. Porositë prej profeti të Naum Veqilharxhit dhe idetë e tij në shërbim të njësimit të popullit shqiptar, çlirimit kombëtar dhe kundër synimeve helenizuese, çuditërisht, zënë shumë pak vend për të mos thënë aspak në tekstet shkollore dhe në veprën akademike Historia e popullit shqiptar. Duket qartë se për autorët e këtyre teksteve, Naumi ishte vetëm një idealist, iluminist, racionalist dhe, për fatin e tij të keq, edhe evolucionist. Naumi, edhe pse kishte qenë një nga drejtuesit kryesorë politikë të revolucionit rumun dhe për më tepër, i ati dhe vëllai i tij ishin vrarë gjatë luftimeve (këto fakte nuk përmenden në H. P. Sh.), mendonte se në atë periudhë historike që kalonte vendi ynë, revolucionet do të përfundonin si në Rumani. Në këtë mënyrë lind e drejta të aludosh arsyen prej nga janë shtyrë autorët e librave të historisë, që e kanë injoruar veprimtarinë politike të Naumit. Në fakt, figura e Naumit të madh, në një farë mënyre, është zbehur gjatë këtyre viteve. Në veprën Historia e popullit shqiptar II edhe kur flitet për alfabetin e tij (f. 99), ai cilësohet si “i vështirë për t’u përvetësuar”, por, nga ana tjetër, pohohet se “abetarja ngjalli entuziazmin e bashkatdhetarëve”. Ndërsa mësuesit dhe patriotët e kohës, midis tyre dhe patrioti korçar Anastas Paskali, i shkruanin Naumit: “… nxënësit kanë mësuar të shkruajnë gjuhën amtare me lehtësi dhe shpejtësi” (Korçë, 22 prill 1845).
Bashkëpunimi, edhe pse i frytshëm dhe i dokumentuar i Naumit me Vangjel Zhapën, është anashkaluar plotësisht. Mjaftoi botimi në Studime historike, 1965, nr. 2, i kumtesës “Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare…”, në bazë të serisë së plotë të gazetave Pellazgos, të cilat, çuditërisht për periudhën, arritën në Shqipëri “falë mirëdashjes së disa kolegëve historianë të Athinës”, që aktiviteti i Vangjel Zhapës të konsiderohej armiqësor, pavarësisht se ai edhe pas vdekjes së Naumit, mbështeti financiarisht Anastas Bykun për botimin e gazetës Pellazgu, gazeta e parë në gjuhën shqipe, si dhe gramatikën Gramë për shqiptarët, që u përdor në shkollat e tij ku mësohej edhe shqipja, përveç greqishtes. Aktiviteti patriotik i Vangjel Zhapës është konkret, i qartë dhe i dokumentuar, por “milioneri shqiptar”, shtyrë nga urrejtja klasore, por më tepër edhe si rezultat i kombinacioneve financiare-diplomatike, pas vitit 1965 është konsideruar armik dhe sipas logjikës së asaj kohe, edhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij kanë pësuar trajtimin përkatës, ndër ta edhe Naum Veqilharxhi. Kundërvënia ndaj veprës së rilindësit të madh del edhe më hapur lidhur me qëndrimin ndaj shkollave shqipe të Naumit, të cilat duket se u ngritën me dhjetëra në Shqipërinë Juglindore, 43 vjet para Mësonjëtores së Korçës, në vazhdë të idesë së “mësuesit të mësuesve”, që shkollat të ishin për të gjithë fëmijët shqiptarë dhe ku mësimet zhvilloheshin me “abetaret e abetareve “. Ka qenë një zgjedhje e pëlqyeshme që njëri nga gjimnazet e Tiranës të mbajë emrin e Petro Nini Luarasit, dëshmor i gjuhës shqipe. Emrin e Naum Veqilharxhit e mban vetëm një shkollë 9-vjeçare në Korçë dhe një rrugë në Prishtinë. Në Tiranë, fare mirë mund të kishte një nga rrugët kryesore emrin e Naum Veqilharxhit, të ideologut, gjuhëtarit dhe politikanit largpamës që 170 vjet më parë, u tregoi shqiptarëve rrugën për në Europë. Me nismën e disa dashamirëve dhe vlerësuesve të Naum Veqilharxhit, është hedhur ideja për formimin e një shoqate patriotike-kulturore, që do të promovojë figurën e plotë dhe veprën e patriotit të madh. Objektivat e shoqatës do të jenë të shumtë, duke filluar nga gjetja e datës së saktë të vdekjes, deri në organizimin e një konkursi për realizimin e një vepre skulpturore, kushtuar dëshmorit të parë të Rilindjes, që duhet të vendoset në Tiranë gjatë festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë.

e martë, 18 tetor 2011

Shqipëria në udhëkryq...

Nga Dr. Jordan DACI*


Kanë kaluar rreth 21 vjet që nga koha kur Shqiptarët u zgjuan nga një gjumë dimëror gati një gjysmë shekulli për të rrëzuar sistemin diktatorial komunist. Ëndrra e Shqiptarëve ishte liri, demokraci dhe ta shohim Shqipërinë si e gjithë Evropa. Megjithatë, përsëri tingëllon si absurditet, por si brezit të vitit 1990, ashtu edhe brezave të sotëm ju duhet ende të bërtasin dhe të kërkojnë përmbushjen e një ëndrre të mbetur pezull për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe si e gjithë Evropa. Sigurisht, shumë njerëz mund të ngrihen e të thonë që kjo gjë nuk ka kuptim pasi sot kemi edhe lirinë edhe demokracinë dhe jemi afruar shumë Evropës, por këtyre njerëzve bashkëkombës të mijë, me duhet t’ju them që është e vërtetë që sot kushtetuta e RSH garanton lirinë tonë dhe vendos bazat për një sistem demokratik qeverisje dhe mundësi zhvillimi të krahasueshme me ato evropiane. Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që liria e demokracia nuk mund të ekzistojnë vetëm ngaqë ato janë të parashikuara në kushtetutë apo në ligje të tjera. Për ekzistencën e tyre duhet të plotësohen edhe një sërë kushtesh të tjera të cilat të gjithë së bashku, bëjnë që liria të jetë e vërtetë dhe lirisht e gëzueshme nga të gjithë qytetarët pa asnjë lloj dallimi dhe bëjnë të mundur që demokracia të mos ekzistojë vetëm si potencial, por të jetë e vërtet dhe funksionale dhe në këtë mënyrë edhe e aftë për të përmirësuar vazhdimisht vetveten. Sado që është shumë zhgënjyese dhe gati i padurueshëm, është fakt që Shqipëria vazhdon të përjetojë një tranzicion të gjithanshëm dhe me pasoja shkatërruese për jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit tonë. Ky tranzicion që duket sikur nuk do të marrë fund kurrë, është ndër të tjera pasojë e keqqeverisjes, shpërdorimit të besimit të popullit, mungesës së respektit ndaj ligjit, lirisë së shfrenuar jashtë çdo lloj kontrolli, korrupsionit që është ulur këmbëkryq, mosrespektimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve kushtetuese etj. Ky tranzicion me efekte dërrmuese për shoqërinë tonë dhe kuadrin institucional ka bërë që Shqipëria të bëj sa hapa para aq edhe hapa mbrapa dhe të mbetet pezull në rrugën e saj për zhvillim dhe modernizim sikurse të gjithë vendet e tjera demokratike perëndimore.

Në këto kushte, me të drejtë çdo kush mund të ngrejë pyetjen se kush janë shkaktarët e këtij tranzicioni të pafund dhe të pashoq në historinë e vendeve të zhvilluara perëndimore, apo vendeve të tjera ish komuniste? Sigurisht, një artikull nuk do të mjaftonte kurrë të përmblidhte të gjithë shkaqet që unë mendoj se kanë bërë që Shqipëria të ndodhet sot në udhëkryq, por do të mundohem të paraqes në mënyrë të përmbledhur disa nga shkaqet më kryesore.

Së pari, mendoj që shkaku kryesor është tradhtia që i është bërë popullit nga përfaqësuesit dhe qeverisësit pa dallim. Është i trishtueshëm fakti që të zgjedhurit me votën e popullit në pjesën më të madhe të tyre me pakëz përjashtime, janë ata që i kanë premtuar popullit mbrojtjen me besnikëri të interesit të tij dhe vetëm të tij, si shërbyes të bindur të tij, por nga ana tjetër, këta përfaqësues në vend që të jenë shërbyes dhe besnik, janë kthyer në zotë të popullit të tyre që nuk pyesin aspak se çfarë mendon dhe dëshiron populli, por si qëllim të vetëm kanë forcimin e pushtetit të tyre dhe pasurimin e vazhdueshëm në kurriz të interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Janë pikërisht këto veprimeve që në thelb kanë cenuar rëndë sovranitetin popullor duke e zhbërë atë dhe në këtë mënyrë pa e kuptuar ata kanë deligjitimuar përfaqësimin dhe pushtetin e tyre. Pasi një pushtet i cili nuk mbron interesin e përgjithshëm të sovranit, nuk mund të jetë kurrë pushtet legjitim. Janë pikërisht, këto përfaqësuesit e sovranit që në emër të tij, shiten, blihen dhe hidhen nga një degë në tjetrën në kërkim të pushtetit dhe në kurriz të popullit. Parlamenti Shqiptar është ndër të paktët parlamente në botë ku shumica e deputete janë milioner apo edhe miliarder, apo nga njerëz që kanë përfunduar universitetin pa përfunduar shkollën e mesme etj etj.

Së dyti, një shkak tjetër është pushteti ekzekutiv, i cili nuk ka pasqyruar asnjëherë drejtë vullnetin e popullit, por ka qenë kryesisht rezultat i pazareve midis forcave politike dhe është përbërë nga njerëz pa vizion dhe që njërën këmbë e kanë ende në sistemin e kaluar komunist. Ekzekutivi, si forca kryesore e planifikimit dhe zhvillimit strategjik të një vendi, nuk ka mundur që ta imunizojë veten e tij nga politikanët e korruptuar dhe mediokër dhe as nuk ka mundur të ndërtojë dhe të modernizojë aparatin shtetëror institucional, por është kënaqur me arnime mbi arnime dhe me modele që janë kopje të paplota dhe shpesh herë të deformuara të modeleve të shteteve të zhvilluara. Nga ana tjetër, ekzekutivi gjatë 21 vjetëve nuk ka mundur të ruaj ekuilibrat e nevojshëm kushtetues me pushtetin legjislativ dhe gjyqësor dhe nuk ka mundur të përmirësojë veten e tij në përputhje me tendencat e zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe politik.

Së treti, një shkak tjetër është pushteti gjyqësor, një pushtet i rrënuar tërësisht dhe i paaftë për të përmbushur misionin e tij kushtetues, si dhe të përballojë sfidën e integrimit euro-atlantik. Në vitet 90 gjyqtarët që u larguan pasi i shërbyen regjimit komunist u zëvendësuan me njerëz që u bën gjyqtarë pasi studiuan vetëm gjashtë muaj në një kurs të improvizuar. Sot, këto njerëz janë pjesë e shkallëve më të larta të gjyqësorit Shqiptar. Është i trishtueshëm fakti që pushteti gjyqësor sot në Shqipëri është produkt i një procesi emërimesh aspak transparent dhe aspak të drejtë, është produkt i një sistemi arsimor tërësisht jashtë kohe, është produkt i sistemi karriere që bazohet në gjithçka me përjashtim të meritave dhe konkurrimit të ndershëm dhe publik. Po ashtu, edhe pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë si institucioni i prokurorisë, avokatisë apo noterisë janë në një gjendje të mjerueshme, po të kemi parasysh faktin që prokurorët që vënë në rrezik jetën duke luftuar krimin, paguhen me paga qesharake dhe nuk kanë të siguruar, as veten as familjen dhe as pronën e tyre. Po ashtu, edhe institucioni i avokatit është i përdhosur nga prepotenca abuzive e pushtetit gjyqësor, nga mosrespektimi i institucionit të avokatit, por edhe nga vetë paaftësia e avokatëve dhe institucioneve të tyre përfaqësuese për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të avokatit si institucioni kryesor që garanton një sistem drejtësie demokratik dhe të drejtë. Po ashtu, institucioni i noterit nga një shembull i cilësisë dhe i korrektësisë është kthyer në pjesën më të madhe në një institucion që fotokopjon dhe vulos dokumente dhe që nuk i kushton më rëndësi as formës, as përmbajtjes. Madje është për të ardhur keq, kur merr vesh që ky profesion i lirë fisnik kufizohet nga të ashtuquajturat ekskluzivitete të padrejta apo garantohet trashëgimi i këtij profesioni si në kohën e fashizmit Italian i cili e shpiku për herë të parë këtë praktikë që është harruar nga vendet demokratike që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Së katërti, një shkak tjetër është paaftësia, pamaturia dhe zullumi që karakterizoi klasën politike gjatë gjithë kësaj periudhe. Klasës politike të këtyre 20 viteve i ka munguar vizioni për t’ju garantuar shqiptarëve liri, demokraci dhe prosperitet si çdo vend tjetër i zhvilluar perëndimor. Kjo klasë ngjan më shumë me një kastë sesa klasë dhe në thelb përbën një oligarki të përhershme qeverisëse. Ajo jo vetëm që nuk respekton dhe përfaqëson interesat e popullit, por shpesh vepron në kundërshtim të hapur me këto interesa si pasojë e pengmarrjes së saj nga ish sunduesit komunistë apo trashëgimtarëve të tyre të kudondodhur, si pasojë e paaftësisë dhe qenies dritëshkurtër në hartimin e politikave zhvillimore afatmesme dhe afatgjata, si pasojë e pengmarrjes nga krimi dhe dëshirës për pasurim, si dhe si pasojë e gjithfarëlloj interesash të tjerë të paligjshëm. Është pikërisht, kjo klasë-kastë politike e cila jo vetëm që është përgjegjëse për të gjithë këtë tranzicion të pafund, por është përgjegjëse e paaftësisë së saj të mirëprovuar për të përmbushur misionin e saj politik për t’i siguruar popullit shqiptar liri, demokraci dhe prosperitet kuptimplotë.

Si përfundim, me keqardhje mund të konstatojmë që sot Shqipëria është në një gjendje e mjerueshme dhe në një udhëkryq nga i cili nuk do të dalë kurrë nëse mbarë opinioni publik nuk ndërgjegjësohet për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në të gjithë botëkuptimin që kanë Shqiptarët mbi qeverisjen, të qeverisurit, qeverisësit, ligjvënësit, dhënies së drejtësisë, arsimin, zhvillimin etj. Pra me fjalë të tjera nevojës për një ndryshim të përgjithshëm dhe për një politikë të re vizionare e cila do të mund të shkëputet nga e trashëguara dhe të mendojë e të veprojë në përputhje të plotë me interesin dhe vullnetin e popullit të saj dhe në respektim të plotë të shtetit të së drejtës dhe sistemit demokratik të llogaridhënies.

Profesor i të Drejtave të Njeriut, të Drejtës Publike dhe Evropiane

e diel, 16 tetor 2011

Europa, shqiptarët dhe nacionalizmi provincialë

Alban Daci *

Situata aktuale e Europës për shkak të krizës ekonomike është jo kritike, por e lëkundur. Nuk them kritike, sepse duke pasur parasysh të kaluarën e saj, ajo ka treguar se është në gjendje të kapërcejë momente edhe më të vështira, se sa kriza ekonomike. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë dy konfliktet e mëdha botërore. Nga këto konflikte Europa doli e shkatërruar materialisht, e rrënuar ekonomikisht dhe humbi shumë jetë njerëzish, por shpresa e saj për të siguruar një të ardhme më të mirë jo vetëm nuk u shua, por u forcua edhe më me shumë bindje përballë realiteteve të reja të shfaqura nga koha dhe të përfaqësuar nga hapësira.
Gjithashtu, nga ekstremet e majta dhe të djathta europiane po shfaqen rrezikshëm nacionalizmat rajonal, ose të themi më mirë “patriotizmat provincial”, të cilat edhe pse tani nuk janë në nivele shqetësuese ndërkombëtare, nëse do të tolerohen, ashtu siç ndodhi edhe me aventurën e Hitlerit, do të jenë një kërcënim real për të ardhmen e gjithë Europës. Nacionalizmat provincialë janë shumë të pranishme në gjithë Europën dhe për shkak të krizës ekonomike që po përjeton ajo, mund të përfitojnë terren gjithnjë e më shumë.
Për shembull, një formë e ekstremizmit provincial është partia dhe lëvizja “Lega Nord” (në shqip “Lidhja e Veriut”) në Itali. Kjo, lloj lëvizje mbi burime të deformuar historike, beson në ekzistencën e një populli padan. Lideri historik i kësaj force, Umberto Bossi, i cii është një model modern i Hitlerit, herë pas herë ka shfaqur ide të ndryshme, duke ofenduar herë pas here elementet përbërëse të shtetit nacional italian. Vetëm pak kohë më parë, duke shfrytëzuar krizën e aktuale ekonomike të Italisë dhe të vetë Europës, ka kërkuar se ka ardhur momenti që populli padan të vetëvendos për vetën dhe nuk mund të mbajë më në shpinë italianët e Jugut.
Pra, mjaftojmë të analizojmë radikalizmin e deklaratave të Bossi-t, për të kuptuar se lëvizja e tij dhe të tjera si ajo, po përfitojnë shumë terren në Europës, për shkak të situatës kritike ekonomike. Nacionalizmat provincialë po shfaqen fuqishëm edhe në Ballkan, të cilët, në ndryshim nga vendet e tjera të Europës Perëndimore, nuk përfaqësohen nga lëvizje të vogla të disa pakicave qytetare që mendojnë ndryshe, por nga vetë shtetet nacionale.
Në Ballkan, ndryshe nga Europa, nacionalizmin provincial e bëjnë shtetet nacionale përmes politikave të tyre të brendshme dhe të jashtme. Në Ballkan, përfaqësuesit më të mirë të kësaj politike provinciale, janë serbët dhe shteti i tyre nacional, të cilët përmes politikës së tyre të jashtme agresive po përpiqen të rifitojnë kohën e humbur në Kosovë. Ata, mendojnë akoma sot që përmes barrikadave dhe bojkotit të bëjnë invazione ekonomike dhe politike mbi Kosovën.
Nuk mungojnë edhe raste të tjera, ku shtete nacionale të Rajonit, përmes konjukturave dhe grupeve të interesit, të besojnë mbi nacionalizmin provincial dhe ta përdorin atë me shpresën se mund të gllabërojnë përsëri territore të huaja. Kjo është një mendësi jo vetëm e vjetër, por edhe shumë e rrezikshme. Pra, çdo lëvizje politike, apo edhe shtetet nacional që pretendon, se mund të përfitojë territore apo influenca në Ballkan duke përdorur në formë të deformuar kartën nacionaliste, është jashtë kohe dhe rrezikon të zhytet në reaksione zinxhirë që ofron vetë historia.
Duke pasur parasysh këtë lloj panorame, që shfaqet në Europë, duhet t’i rikthehemi dhe t’i referohemi Federalizmit Europian. Më të famshmit dhe më të rëndësishmit e Federalizmit Europian, janë padyshim intelektualët italian, si: Spinelli, Rossi, Albertini. Është e rëndësishme të theksojmë që qëllimi dhe impenjimi i federalistëve italian ishte dimensioni mbinacional i federalizmit. Ato luftuan për një Europë ndryshe, jo të mbyllur në kafazet e shteteve nacionale, por të hapur duke krijuar një sentiment të ri që do t’u përkiste të gjithëve, i cili do të emërtohej “Europianizëm”. Europianizmi i Spinelli-t, nënkuptonte krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës përmes një asambleje kushtetuese europiane. Në terma më të thjeshtë, përkthehej, se për shkak të kaluarës së përgjakshme, vendet europiane duhet të bashkoheshin në një shtet të vetëm dhe të përbashkët europian nën formën federaliste.
De Gasperi, në kohën e tij, shkruante: “Nuk është e vërtetë që limitimi i mjeteve që ne disponojmë na shtyn neve të jemi në favor të krijimit të Europës së Bashkuar”. Të integrohesh në Europë, para së gjithash do të thotë krijimi i një projekti të mirëfilltë politik, që duhet të ketë një valencë të rëndësishme, si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Vendosja e lidhjeve më të ngushta mes vendeve të Europës, do të thotë se Europa do të jetë më e bashkuar nga brenda dhe më e fortë nga jashtë. Ne, shqiptarët, duhet të bëhemi pjesë e këtij projekti të madh politik nëse nuk duhet të margjinalizohemi brenda një strofulle të ngushtë dhe të pasigurt, siç është shteti nacional, ose forma e deformuar e tij “nacionalizmi provincial”.
Ballkani dhe Shqipëria kanë shumë nevojë për federalizmin europian dhe doktrinën e tij. Federalizmi, që në formën e tij të parë të realizuar konkretisht me krijimin e shteteve të Bashkuara të Amerikës, u krijua si një kundërreaksion ndaj despotizmit, si një liri kundër nacionalizmit agresiv; formë bashkëpunimi mes shteteve kundër formës konfliktuale dhe të përgjakshme, që kishte prodhuar shteti nacional me format e tij; pushteti të ishte sa më pranë qytetarëve dhe jo në dorën e burokratëve, siç ndodhte tek shteti nacional.
Amerika është karakterizuar tradicionalisht, mbi të gjitha, nga shpresa. Historia e saj mbështetet në një shpresë pothuajse mesianike; një besim te Amerika si toka e shpëtimit, çlirimit dhe fillimeve të reja. Ndërsa Europa e shek. XX u ndërtua mbi idenë e kapërcimit të historisë. Ne, shqiptarët, duke mbështetur fort europianizmin modern, duhet të ringjallim shpresën tonë, e cila është anëtarësimi me të drejta të plota në Europë. Ndërsa, vetë Europa duhet të punojë dhe të shpresojë jo vetëm për të harruar të kaluarën, sepse kjo tashmë është arritur, por për të formuar të ardhmen, që janë Shtetet e Bashkuara të Europës.

* Autori është anëtar i "Lëvizjes Federaliste Europiane"

e enjte, 13 tetor 2011

Demokratizimi i sistemit politik është çelësi i Integrimit

Alban Daci

Shqipërisë iu refuzua statusi për në Europë. Progres-raporti i Komisionit Europian vlerëson, se Shqipëria, ka bërë progres të kufizuar në mbushjen e kritereve politike për anëtarësimin në Be. ‘Numërimi i diskutueshëm i votave në zgjedhjet e 8 Majit shtoi polarizimin politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ka pasur shqetësime për pengim të hetimit për 21 Janarin.”
Shkaku kryesor i mospranimit të statusit nga ana e BE-së mbetet, padyshim situata politike në vend, e cila është kapur për gryke nga ngërçi, konflikti. Politika shqiptare në 20 vitet e fundit ka qenë gjithmonë konfliktuale. Jemi të gjithë dëshmitarë në këto 20 vite, se për shkak të politikës konfliktuale, jo vetëm, që nuk kemi ecur përpara, por kemi kaluar momente tragjike. Ky konflikt partiak 20 vjeçar është i simbolizuar nga binomi PD-PS, të cilat kanë qeverisur duke alternuar njëra-tjetër, por pa sjellë asgjë të re në formën e përfaqësimi dhe të qeverisjes.
Gjithashtu, Progres-raporti nënvizon faktin, se Shqipëria nuk ka bërë hapa të rëndësishme në mirëfunksionimin e Parlamentit, reformën zgjedhore, në funksionimin e Ekzekutivit, administratën publike, sistemin Gjygjësorë etj. Me pak fjalë i gjithë sistemi qeverisës dhe përfaqësues shqiptar nuk plotëson kushtet për anëtarësim në BE.
Ashtu si Pozita dhe Opozita janë përpjekur të fajësojnë njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit. Në të vërtetë faji është i të dyjave. Politika ka ekzistuar që kur u shfaqen komunitetet e para njerëzore dhe ajo realizohet nëpërmjet njerëzve për rregullimin e marrëdhënieve të tyre. Njerëzit në shoqëri të caktuara kanë mendime të kundërta, dëshira dhe interesa të ndryshme, dhe nevoja konkurruese, të cilat natyrshëm çojnë në “mosmarrëveshje për rregullat sipas të cilave njerëzit duhet të jetojnë”. Nga ana tjetër, që të ndikojnë mbi këto rregulla ose të sigurohen që këto rregulla zbatohen, njerëzit duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ata duhet të ‘veprojnë në marrëveshje” midis tyre. Pra, domosdoshmëria e politikës lind nga karakteri kolektiv i jetës njerëzore.
Gjithashtu, sipas Aristotelit, politika nënkupton administrimin e qytetit për të mirën e qytetarëve, përcaktimin e një hapësire publike në të cilën të gjithë qytetarët marrin pjesë. Politika shqiptare në njëzet vjeçarin e fundi që nga hapat e para të saj, nuk ka vepruar në formën e një marrëveshje, për një të mirë më të madhe, siç është ajo e qytetarëve dhe e vetë vendit. Kjo nënkupton faktin, se politika shqiptare ka jetuar dhe ka vepruar sikur të ishte një trup i huaj brenda jetës kolektive qytetare të vendit. Këtë e vërteton fare mirë fakti, se politika duke ndjekur vetëm interesat e saja të ngushta për pushtet ka lënë gjithmonë pas dore dhe në shpërfillje jetën qytetare dhe përfaqësimin e interesave të tyre.
Politika Integrimit Europian, duke u nisur nga e kaluara jonë izoluese si dhe nga aktualiteti i proceseve ndërkombëtare, është dhe duhet të konsiderohet politikë kombëtare. Pra, përtej interesit të ngushtë për pushtet të politikës shqiptare, ka diçka më të madhe dhe më të rëndësishme për të mirën e përgjithshme. Kjo padyshim është integrimi i Shqipëri në Europë. Fakti, se ne përsëri morëm një “JO” të madhe për hyrjen në Europë, vërteton edhe njëherë faktin se Politika shqiptare jo vetëm që nuk mbron interesin e përgjithshëm, por është hapur kundër tij për hir të interesit të saj të ngushtë për pushtet.
Për shembull raporti nënvizon ndër të tjera faktin, se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në reformën e administratës publike, ku një ndër problemet me serioze mbetet padyshim rekrutimi pa meritë në shërbimin civili. Mjafton të analizojmë këtë fakt për të kuptuar se sistemi aktual politik shqiptar nuk është në gjendje ta integrojë vendin në BE.
Në njëzet vitet e fundit rekrutimi në administratën politike është krejtësisht mbi baza politike dhe jo në respektim të principit të meritokracisë. Politika shqiptare ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë jo mbi bazën e reformave, vizione dhe programeve, por mbi militantizmin alla shqiptar, të tipit agresiv dhe injorantë.
Për sa kohë politika shqiptare do të jetë në funksionon të parimit të militantizmit injorant dhe jo mbi bazën e profesionalizmit dhe meritokracisë, ne nuk do të kemi kurrë një reformë serioze në administratën shtetërore ashtu siç na e kërkojnë organet e BE-së,
Prandaj, që Shqipëria të hyjë në Europë, duhet të reformojë më parë sistemin politik, duke e bërë atë demokratik dhe transparent. Nuk mund të vazhdohet më me binomin e vjetër dhe të shterur PD-PS, sepse ato kanë vërtetuar në kohë, se nuk mund të reformohen nga brenda dhe nuk mund të realizojnë një politikë në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve. Ne, tashmë kemi nevojë për vizione të reja politike, me protagonist të rinj, të cilët politikën e bëjnë për të përfaqësuar dhe mirë qeverisur të mirën e kolektive të qytetarëve.
Nuk mund të kemi një demokraci të shëndosh, nuk mund të shkojmë në Europë, nëse kemi një sistem politik, i cili jo vetëm që nuk është demokratik, por është edhe qartazi kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Ngërçi politik, i cili pa kuptim që po zgjat prej shumë kohësh, jo vetëm ndalon ashtu siç bëri Integrimin e Shqipërisë në BE, por e paralizon të gjithë vendin në realizimin e reformave dhe në progresin e vazhdueshëm ekonomik. Ngërçi, politik ka rritur shumë tek qytetarët urrejtjen kundrejt politikës, duke i larguar ato gjithmonë e më shumë prej saj. Kjo pakënaqësi e akumuluar, për një kohë të gjatë, pa gjetur rrugë shprese për shpejtim, mund të bëj të mundur rritjen e tensionit qytetarë, që në mënyrë krejt të natyrshme mund të reagojnë edhe me forma të dhunshme dhe jo të pranueshme kundër politikës, pa dallime ideologjike.
Prandaj, sa më shpejt që të jetë e mundur, gjërat duhet të ndryshojnë në politikën shqiptare që gjerat të mos bëhen problematike dhe me pasoja dramatike për të gjithë. Nuk dua ta pranojë, edhe pse pak a shumë situata e ngërçit të politikës shqiptare e shikoj të ngjashme me atë që njihet si periudha e “Plumbit” në Itali. Diku në një të përditshme, lexova se një OJQ kishte bërë thirrje për rekrutim ushtarak kundër “diktaturës’. Nuk e di pse, por kjo më ngjason shumë me Brigadat e Kuqe në Itali, të cilat në emër të proletariatit bënë terror duke marr peng dhe vrarë edhe Aldo Morën, Kryeministrin italian të asaj kohe.
Shpresoj dhe uroj, që gjërat në vendin tonë të mos shkojnë në këtë kah të papranueshëm dhe krejtësisht jo demokratik. Megjithatë, nëse ngërçi do të fillojë të jetë pengesë për të mirën e të përgjithshme të qytetarëve, gjithçka mund të ndodh, sepse është instinkti natyror i mbrojtjes kundër asaj që njihet si e keqe.
Nevojën për reformim e politikës shqiptare e nënvizoj edhe Ambasadori i BE-se Sequi, i cili tha se: Shqipëria ka edhe një shans të fundit në dhjetor për marrjen e statusit. Kjo nënkupton faktin, se para muajit dhjetor parashikohen se në politikën shqiptare do të ndodhim ndryshime të cilat automatikisht do të ndryshojnë edhe ekuilibrat aktual të pushtetit. Le të themi, se thirrja e Ambasadori, nënkupton një “PO” për vazhdimësinë e ndryshimeve në politikën shqiptare. Pra, nëse në politikën shqiptare do të jenë të njëjtët subjekte dhe protagonist edhe në dhjetor e kemi të garantuar “JO-në” për statusin.

e hënë, 10 tetor 2011

Shqiptarët, ideatorë të konfederatës së parë Evropiane


Beqir Valteri ideoi dhe publikoi, që më 1929, idenë e Konfederatës Ballkanike me 10 shtete

Nga Alban DACI*


Në kujtesën popullore dhe në literaturën historike matjani Beqir Valteri identifikohet si atentatori ndaj Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve. Por, ai s’ishte vetëm kaq....

Kush ishte Beqir Valteri?

 U lind në Mat, në një familje shumë të njohur. Qe deputet në parlamentin e regjimit të Zogut. Ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, që drejtohej nga Avni Rustemi. Udhëtonte shpesh jashtë vendit, veçanërisht në Francë dhe në Austri. Ai, për shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë e tij, në rrethet politike njihej si “djaloshi ekstravangt” dhe “djaloshi i gjesteve heroike”. Për mos pajtim me politikat zogiste ai, megjithëse të dy qenë matjanë,  e qëlloi Mbretin e Shqiptarëve me revolver brenda në Parlament. Kjo ndodhi më 23 shkurt 1924. Pas plagosjes në krah, Zogu dha dorëheqjen si kryeministër dhe këtë detyrë e mori Shefqet Vërlaci. Beqir Valteri u arrestua, por si kushëri i Zogut , që ishte, me ndërhyrjen e Nënës Mbretëreshë, ai u dënua, por u dëbua në Itali.  Atë kohë e sot, analistët thonë e shkruajnë se ai këtë akt e kreu me porosi të Avnit Rustemit, që u vra jo shumë kohë më pas, por vetëm dy muaj më pas, më 23 prill 1924. U dënua dhe u pushkatua nga komunistët më 1945, si eksponent i Ballit Kombëtar dhe kushëri i Ahmet ZogutNë atë kohë, nga analistët stili i tij i të formuluarit konsiderohej si revolucionar.

                    Shqiptarët i përkasin një kombi vital, me një histori të lavdishme, që nga pellazgët e deri më sot. Ky popull ka nxjerr shumë figura të shquara në fusha të ndryshme jo vetëm në vendin e vet, por edhe jashtë tij, nëpër botë.
          Askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend, se edhe ideatorët e parë për federatën e parë evropiane janë shqiptarët, por ja që kjo është e vërteta. Dhe këtë ide e hodhi publikisht Beqir VALTERI.  Kjo gjë ndodhi në vitin e hershëm të 1929-ës.
           Në atë kohë Beqir Valteri ndodhej në Francë. Kishte kontakte me rrethe politike shqiptare e jo shqiptare, përparimtare për kohën.  Në këtë periudhë ai shfaqet jo vetëm si gazetar, por edhe një ideator e predikator.
          Ai dëshiroi dhe kërkoi bashkimin e të gjithë ballkanasve në një organizim të përbashkët, që ai e mendoi si konfederatë.
           Ideja e një federate për ballkanasit ishte hedhur më parë nga Rusia Sovjetike, e cila botonte në Vjenë edhe një gazetë të titulluar “Federacioni Ballkanik”.  Ndërsa Beqir Valteri formën e organizmit të përbashkët, të një “çatie të madhe” ballkanike nuk e konceptoi si federatë, por si një konfederatë, brenda së cilës kompetencat e çdo shteti do të ishin më të madha dhe gjithashtu edhe sovraniteti i tyre do të  ishte më pak i kufizuar, pikërisht ashtu si është sot për çdo shtet anëtar brenda  Bashkimit Europian.
           Kur ishte në Paris, më 1929, ai i drejtoi një memorandum të gjatë presidentit të SHBA, Hooëer, ku i përshkruan idenë e tij për këtë konfederatë dhe kërkon haptazi ndihmën dhe mbështetjen e SHBA për realizimin në praktikë të kësaj ideje të një bashkimi ballkanik.
           Një vit më vonë, më 1930, një memorandum të tillë i dërgoi edhe Konferencës Ballkanike, të mbledhur në Athinë. Edhe kësaj konference ai i shpjegoi idenë e tij dhe mënyrën se si mund të realizohej kjo ide.
          Si presidentit Hooëer, dhe Konferencës Ballkanike, ai u paraqiti edhe një flamur të dizenjuar posaçërisht në bashkëngjitje me idenë e tij të Konfederatës Ballkanike.  Këtë flamur ai e ideoi dhe e realizoi në Paris, në vitin 1929. Në atë vit,  dhe më pas, ky flamur që mbante autorësinë e Beqir Valterit është botuar në të gjithë gazetat ballkanike të kohës.  Flamuri, në atë kohë u cilësua si një sajim i bukur, i qartë dhe i motivuar. Vetë fusha e flamurit u realizua me ngjyrë të kuqe, ndofta duke pasur parasysh se realizimi i kësaj konfederate ishte shumë i vështirë, ashtu si ishte shumë e vështirë edhe mbrojtja e saj, në rast realizimi praktik, i bindur se kjo gjë mund të realizohej me gjak dhe sakrifica të përbashkëta.
           Mbi fushën e  kuqe të flamurit, 10 shtetet pjesëmarrëse në këtë konfederatë i paraqet secilin me një rreth me ngjyrë të kaltër, brenda të cilëve ishte vendosur një yll i bardhë me 5 cepa.  Të gjithë këta rrathë të kaltër,  ngjyra botërore e shpresës, me yjet brenda janë vendos në formën rrethore mbi fushën e kuqe të flamurit, pikërisht ashtu si janë vendosur sot yjet në flamurin aktual të Bashkimit Europian, me të vetmin ndryshim se tani këto yje janë vendosur mbi fushën blu të flamurit.
           Dhjetë shtetet e mundshme pjesëmarrëse në këtë konfederatë ishin :Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilat së bashkua, në atë kohë llogariteshin me rreth 60 milion banorë. 
           Kjo ide e guximshme e Beqir Valterit, në atë kohë e sot, nderon shqiptarët dhe Shqipërinë. Ai ishte i pari ballkanas, që ideoi bashkimin e ballkanasve në një konfederatë dhe i pari që dizenjoi edhe flamurin e kësaj konfederate, pikërisht si ky i sotmi i Bashkimit Europian.

          Ç’ndodhi pa publikimit të idesë së Beqir Valterit për konfederatën ballkanike?
          Një vit më pas, në tetor 1930 u mbajt në Athinë Konferenca e parë Ballkanike, punimet e së cilës përfunduan me krijimin e Lidhjes së Turizmit Ballkanik.
          Një vit tjetër më vonë, në tetor 1931, u mbajt dhe Konferenca e Dytë Ballkanike, në Stamboll. Në këtë konferencë Lidhja e Turizmit Ballkanik mori formë definitive. Gjithashtu, në këtë konferencë u vunë themelet edhe për të tjera marrëveshje ndërballkanike. U krijua Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Ndërballkanike, e cila përmblidhte komunikacionin detar dhe kultivimin e duhanit.      U fol edhe për komunikacion tokësor dhe u vu në udhë edhe kjo çeshtje.
                
          Pse Beqir Valteri e shihte si zgjidhje Konfederatën Ballkanike dhe si  e mendonte atë?

          Në një artikull të botuar në një të përditshme të atyre viteve, Beqir Valteri shkruan: Gjer kur ballkanasit do të jetojnë në grindje e gjakderdhje? Kjo do të marrë fund vetëm kur të bashkohemi me njëri-tjetrin, nën hijen e një flamuri të përbashkët. Duhet të pranojmë: o të gjithë të lirë e të respektuar, ose të gjithë të vdekur me nder. Jo vetëm të respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit, por edhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo rast që lypet.
          Kemi ballkanas, që të dalun nga mentaliteti i një shovinizmi, duen të bahen të mëdhenj në dam të fqinjve.
          ...Popujt e vegjël, në duen indipendencë, mund të quhen indipendentë vetëm tue i bashkue forcat e tyne në një organizim të përbashkët, dhe, në duen me u dallue mbi të tjerët, superioritetin  tyne duhet ta shohin vetëm më sjellje të mira dhe në vepra kulturore të tyne.
          Bashkimi duhet të bahet në formën e një Konfederacioni, ku të gjithë popujt mundin me u rregullue në frymën e ligjet e tyne.”

         
         
* Autori i këtij shkrimi është dhe autori i librave “Europa dhe shqiptarët” dhe “Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare” .        

e diel, 9 tetor 2011

Bisedimet politike me Serbinë ‘aventurë’ e rrezikshme

Ramiz Bojaj 

Republika e Kosovës mund të hyjë në bisedime, qoftë edhe politike me Serbinë, vetëm duke u bazuar në interesa bilaterale (ndërshtetërore), ku paraprakisht Beogradi duhet të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë dhe të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste. Ndryshe, dialogu politik për veriu, (ose protektorat të ri ndërkombëtar në këtë pjesë), do të thotë përgatitje dinake për ndarje të re territoriale, për të cilat Serbia e ka plan të ‘zier’ që nga dëbimi i saj nga Kosova.
Duket tejet i çuditshëm gatishmëria e zyrtarëve tanë politikë për nismën e një aventure të re bisedimesh politike, Kosovë-Serbi.

Dështimet e bisedimeve teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me bllokada rrugësh dhe proklamime haptas për ndarje territoriale të Kosovës. Veçmas shkëputjen e veriun dhe bashkëngjitjen e kësaj pjese Serbisë. Edhe disa marrëveshje tjera të ashtuquajtura për qarkullim mallrash, vula doganore etj., duket të jenë vetëm spektakël medial. Edhe pas disa ‘marrëveshjeve’ teknike (për vulat, qarkullim mallrash etj), vetëm se kanë shtuar probleme për çështje të tilla, për faktin se vet doganierët e Kosovës luftohen dhe pengohen në kryerjen e detyrave shtetërore (RKS). Pavarësisht bisedimeve e nënshkrimeve, (marrëveshjeve e bashkëpunimeve) Serbia vazhdon përpjekjet e saj me të gjitha forcat, në mënyrë qe të realizojë planin për ndarjen e Kosovës. Ngjitas kësaj, Serbia kërkon bisedime politike për të vizatuar hartën e re të Kosovës, me veriun e ndarë. Kosova, gaboi kur hyri në bisedime teknike me Serbinë, sepse edhe pse të emërtuara si të tilla, ato ishin bisedime krejtësisht politike. Ose Serbia gjithnjë pas çdo raundi bisedimesh, ose edhe marrëveshjeve të arritura, i kundërvihej politikisht, duke mohuar statusin dhe vet ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës. Prandaj, Kosova me të gjitha forcat duhet t’i kundërshtojë përpjekjet e Serbisë, në mënyrë që dialogu teknik të mos bartët në karakterin politik, dhe me temën e veçantë për veriun e Kosovës. Ne mund të bisedojmë me Serbinë fqinje në forma të ndryshme dhe në interes bilateral, por jo për kufij ose për territore te veçanta duke specifikuar edhe vet veriun. Kjo në një farë mënyrë vetvetiu po e tjetërson çështjen e veriut, e cila është penalizuar si rajon specifik. Gjendja në veri të Kosovës është tensionuar tej mase, duke kërkuar (pala serbe) që atje të bisedohet edhe për pikat doganore 1 dhe 31. Strukturat kriminale janë pararojë të politikës së Beogradit, (ngase për atë pikë që insiston Serbia për ta shkëputur nga Kosova), elementet kriminale krijojnë bllokim rrugësh dhe sulmojnë autoritetet e shtetit të Kosovës: (djegia e pikave kufitare 1 dhe 31, dhe luftimi i autoriteteve të RKS). Kjo ka për qëllim që në këto zona kufitare të mos ketë farë prani të institucioneve të Kosovës. Serbia insiston qe kjo pjesë të hiqet dorësh nga qeveria e Kosovës, e të mbetët edhe për pak kohë nën protektorat ndërkombëtar, në mënyrë qe më vonë të fillojë një raund i ri bisedimesh për autonomi për serbët.

Bisedimet politike ‘kuzhinë’ e Serbisë

Serbia faktikisht vazhdon ta penalizojë veriun e Kosovës, për një trajtim më ndryshe me pjesët tjera të shtetit të Kosovës. Ky penalizëm ka për qëllim mbajtjen e hapur të kartës së ndarjes në proceset e mëvonshme të bisedimeve. Vet, Tadiç e Jeremiç, daullexhinjtë më të njohur të lajthimit të tezave për ndarjen e Kosovës, kërkojnë qe veriu i vendit tonë mos të administrohet nga institucionet e Kosovës, por nga ndërkombëtarët. Duke përkufizuar pjesën veriore si çështje dite, po përgatit planin përfundimtar për bashkëngjitjen e tri komunave, Mitrovicën veriore, Leposaviqin dhe Zubin Potoku, Serbisë së madhe. Serbia ende vuan nga komplekset e prapambeturisë në mentalitetin e shekullit të kaluar. Këtë e dëshmon vet kryetari i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenand Çanak, duke shtuar se “meqë nuk është ndriçuar terri i viteve të ’90-ta, helmi i nazizmit dhe klerofashizmit po bartet te gjeneratat e reja të Serbisë. Ky është terrori, i cili në një kohë të shkurtër do të marrë prapë jetë njerëzish. Çka tjetër duhet të ndodhë që të shihet se fashizmi përmes dyerve të mëdha po futet në jetët tona të përditshme dhe është pyetje dite kur banditët dhe vrasësit do të kërcasin në dyert e secilit që kundërshton”. Këtë e forcon edhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kërkon ndarjen e Kosovës, përmes bisedime politike. “Duhet konferencë ndërkombëtare për çështjet kontestuese dhe se këto çështje, kurrë nuk do të zgjidhen pa një konferencë të tillë. Zgjidhja e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet në nivelin vendimmarrës politik”. Kjo jep të kuptojmë se qëllimet e Serbisë për zhvatje territoresh ndaj Kosovës nuk kanë mundur të arrihen përmes bisedimeve teknike,(as terrorit millosheviqian) por, një gjë e tillë kërkohet të realizohet përmes marrëveshjeve politike.

Ku mbeti autoriteti i sovranit?

Kryeministri ynë, Hashim Thaçi, sikur ‘miraton’, kërkesat e Serbisë duke theksuar se “takimet në mes të lidershipit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhin herët e vonë”. Ne e dimë se duhet të ndodhin, por pse pikërisht tash kur veriu është në udhëkryq dhe pse pikërisht për veriun. “Ne duhet të kemi një zgjidhje, mund të them historike të përmbylljes së problematikës Kosovë-Serbi. Komuniteti ndërkombëtar është pajtuar që të ketë çështje teknike, pastaj në nivele politike. Jemi pajtuar të gjithë. Kjo po shihet se pa një angazhim të lidershipit vendimmarrës është vështirë të shtyhen çështjet përpara”. Çështjet nuk mund të shtyhen para duke biseduar për çështje të brendshme territoriale të Kosovës. Ky është kthim prapa. Ku mbetet, autoriteti i sovranit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008. Përfundimi për autonomi në veri, do t’i shtyjë serbët nëpër enklava të kërkojnë edhe ata autonomi sikur në veri. Në këtë mënyrë krijohet enklavizimi i Kosovës, si rajon me territore të veçanta etnike. Kjo krijon lidhje horizontale për komunat etnike me bashkim vertikal me Serbinë. Këtë ‘specie’ nuk do ta proklamojë Thaçi në fillim të bisedimeve, por fundi nuk mund të ketë tjetër bilanc, edhe për shkak të ndikimit ndërkombëtar. Këtë e din Serbia, prandaj edhe kërkon bisedime shtesë politike. Por duken krejtësisht të pakuptimta qëndrimet tepër naive të elitizmit tonë politik.

Bllokimet e rrugëve, invazion politik i Beogradit

Beteja për planit të ndarjes, janë edhe bllokimet e rrugëve dhe pengimi i vendosjes së institucioneve tona shtetërore atje. Këto janë bllokime krejtësisht politike. Duke goditur qeverinë e Kosovës në veri, Serbia kërkon që gjendja të hyjë në një protektorat të ri, i cili më vonë vetvetiu do të shërbejë si zonë e veçantë për të cilën duhen bisedime të veçanta për status, po ashtu të veçantë. Kësaj ideje i fryu së fundi edhe vet nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, duke u shprehur në favor të bisedimeve politike me Serbinë, për zgjidhjen e problemit të veriut. Jo vetëm kaq. Z. Shala ka propozuar “administrim të përkohshëm ndërkombëtar, derisa rajoni të integrohet plotësisht në kudër të institucioneve të shtetit të Kosovës”. Por, z. Shala nuk e di sa e ka të qartë se edhe protektorat ndërkombëtar edhe integrim të institucioneve tona atje nuk ka. Nëse duhet të ndodhë integrimi, pse nuk duhet të ndodhë tash, ose pse nuk ka ndodhur qe 3 vjet. “Situata e krijuar në veri e ka vënë në përparësi palën kosovare përballë faktorit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë në procesin drejt anëtarësimit në BE, për shkak të rolit të saj destruktiv në dialog, si dhe për mbështetjen e trazirave në veri”. Situata në veri, e kanë vënë në përparësi Kosovën, për t’i dhënë protektorat Serbisë, dhe për të përjashtuar qeverinë e Kosovës nga atje!- Vërtet qëndrime të tilla dëshmojnë se sa të papërgjegjshëm mund të jetë politikëbërësit tanë. Nëse duhet biseduar, atëherë po flasim në bazë të interesave bilaterale, përse pikërisht për veriun. “Pakoja e Ahtisarit duhet të mbetet zgjidhja e vetme për veriun”. Sipas, planit të Ahtisarit, nuk mund të ketë bisedime për statusin dhe kufijtë, ndërsa z. Shala, në njërën anë mbron PA-në e në anën tjetër hapë temë të re për dhënien me koncesion të territorit tonë. Bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj absolutisht bisedime në këtë drejtim nuk duhet të ketë. Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka mohuar çdo ‘ize’ për dialog politik me Serbinë. “Bisedimet me Serbinë kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nëse Serbia duhet të reformohet së paku si shtet, ajo duhet të pranojë të gjitha fajet që i ka bërë mbi Kosovën”.

Bisedimet rrezikojnë veriun

Qëndrim më të pjekur në këtë rast ka dhënë anëtari i VV-së, Glauk Konjufca, duke mohuar çdo nismë për dialog politik me Serbinë. Ndryshe, veriu rrezikohet të shkëputet nga Kosova, e kjo është edhe taktika e Serbisë.
“Zëra të ndryshëm ndërkombëtarë, po kërkojnë nismë të re për dialog politik Kosovë-Serbi. E ne mendojmë që në këtë rast do të mund të rrezikohej veriu i Kosovës, në formë të ndonjë plani-Ahtisari plus”. Një rrezik të tillë e ka proklamuar edhe kryenegociatorja Edita Tahiri duke thënë “se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe po përgatitet për t’i dhënë fund prezencës ndërkombëtare”. Planet qeveritare edhe ashtu kanë mbetur në tavolinë si të parealizueshme, e tash na dalin zëra për administrim e prani të re ndërkombëtare në Kosovë. Kosovës nuk i duhet bisedime të pafundshme me Serbinë. Republika e Kosovës, realisht ka nevojë për marrëveshje ndër fqinjësore me Serbinë, duke u mbështetur në parimet e praktikave bilaterale, pa konteste politike e territoriale. Nostalgjikët e Ahtisarit, le të kërkojnë fat diku tjetër, jo të trumbetojnë ide e terma që janë kundër interesave të popullit tonë. Republika e Kosovës mund të hyjë në bisedime qoftë edhe politike me Serbinë, vetëm duke u bazuar në interesa bilaterale (ndërshtetërore), ku paraprakisht Beogradi duhet të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste ndaj vendit tonë dhe të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste. Ndryshe, dialogu politik për veriun, (ose protektorat të ri ndërkombëtar në këtë pjesë), do të thotë përgatitje dinake për ndarje të re territoriale, për të cilat Serbia e ka si plan të ‘zier’ që nga dëbimi i saj nga Kosova.

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).