e mërkurë, 23 nëntor 2011

FISHTA DHE KONFERENCAT NDËRKOMBËTARE

Populli shqiptar në përballje historike, të frymëzuar nga heronjtë e luftërave dhe të kulturës kombëtare, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, kishin arritur, hap pas hapi, të ndërgjegjësoheshin duke rikrijuar programe të reja, për kundërshtime ndaj perandorisë së egër osmane.

Ky fakt dëshmohet dhe me rastin e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe të Konferencës së Londrës 1913, kur Fuqitë e Mëdha europiane dhe Perandoria Osmane, duke i identifikuar shqiptarët të islamizuar në masën 70% me turqit, i bënë plaçkë tregu tokat shqiptare, ndërmjet Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Shqiptarët, të mbledhur tok rreth flamurit kuq e zi, u shprehën ashpër kundër këtyre vendimeve të padrejta, duke organizuar peticione, protesta, lëvizje dhe konferenca kombëtare, si: Lidhja e Prizrenit 1678, Kuvendi i Pejës 1899, Kuvendi i Ferizajt 1910, Kryengritjet e Malësisë së Madhe 1911, ato të 1912-s etj. Vendimet e lartpërmendura nuk i mbrapsën shqiptarët në kërkesat e tyre legjitime, por përkundrazi ishte një nxitje edhe më e theksuar e atdhetarëve dhe intelektualëve për të ngritur zërin e arsyes, për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Në mesin e atyre të shumtëve, që kontribuuan në këtë drejtim, me këtë rast, do veçonim poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishta.

Letërsia diplomatike e Fishtës

Situata problematike e këtyre viteve në Ballkan, e në veçanti në trojet shqiptare, nuk kishte si të mos e shqetësonte shpirtin, që në moshë të re të poetit Fishta. Fishta, i lindur më 22 tetor 1871, në Fishtë të Zadrimës, gjatë kohës studentore në Bosnjë, në vitet 1886-1893, nuk kishte si të mos e shprehte para studentëve boshnjakë dhe eprorëve të tij, krenarinë dhe njëherazi dhimbjen për atë çfarë po ndodhte me popullin e tij, i cili akoma dergjej nën pushtimin e perandorisë e osmane.  Gjatë studimeve teologjike në Livno, duke qenë vazhdimisht i përbuzur, nga një grup studentësh si dhe eprori i tij, Augustin Çengiq, si zgjim i rilindjes sllave, në kushtet e përjetshme të Urdhrit Françeskan, në vitin 1890, në shenjë krenarie dhe heroizmi për popullin që i takonte, mori emrin Enea Silvio Giorgius Fishta. Dy emrat e parë ishin të Papa Pio II, i cili në vitin 1464 qe nisur nga Roma për në Ankona për ta kurorëzuar Skënderbeun, si mbret të ushtrisë aleate, për çlirimin e atdheut nga perandoria osmane, dhe emri Giorgius, personifikimi i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Fishta, që nga ky moment nisi epopenë mendore dhe shkrimore, për ndërgjegjësimin e shqiptarëve, për idealin e lartë, siç është mbrojtja e atdheut dhe gjuhës shqipe, më çdo kusht, madje deri në flijimin e jetës.
Rikthimi i tij në atdhe në vitin 1893, nga një vend i çliruar nga Perandoria Osmane dhe ballafaqimi drejtpërsëdrejti me pushtuesit osmanë dhe më vonë, serbët e malazezët, qenë faktorë përcaktues për Fishtën, që në programin e tij jetësor, krahas detyrave shpirtërore, ta ketë dhe çështjen kombëtare. Ngjarjet politike nëpër të cilat merrte shtat Shqipëria jetime, e shtynin Fishtën të rrinte përherë i zgjuar me pendë në dorë, e cila herazi shndërrohej në shigjetë të ngrehur, sipas modelit të ngjarjes biblike të Judës së Makabeve, për “pro aris et focis”, për altar dhe vatër, e cila në gjuhën e Fishtës përkthehej: “për fe e atdhe”, moto e cila gjithë jetën e ka shoqëruar poetin tonë kombëtar. Me shkrimet e tij të botuara në të përkohshmen ‘Albania’ (1900-1905), si: “Shcypja e burrit”; “Ma i madhi kob i shcyptaris”, “Mali i Zi” etj., “Hylli i Dritës” nga viti i themelimit të saj 1913 e në vazhdim, “Posta e Shqypnis” (19176-1918) “Grueja Shqyptare” (1920), “Leka”, (1929-1944) të paraqitura në formë proze, poezie, lirike, satire dhe dramaturgjike, Fishta, arrinte t’i shtrinte idetë e veta gjithmonë dhe gjithkund, në funksion të mbrojtjes dhe përparimit të atdheut.Duke bërë letërsi, publicistikë, apologji, kritikë dhe mbi të gjitha polemikë, ka ndezur shkënditë e zjarrit në zemrat e shumë shqiptarëve, për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit njerëzor në tokën arbërore, të mbë shtetur në parimet biblike: “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria”. Me pendën e tij të artë dhe të zjarrtë, të mbështetur në drejtësi e liri, kulturë dhe përparim, arrinte t’i ndërgjegjësonte shqiptarët nga indiferentizmi i kohës, dhe njëherazi të vërë në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare për zgjidhjen sa më objektive të çështjes së shqiptarëve në Ballkan.
Prodhimi më i arritur letrar, më anë të të cilit shpreh shqetësimin e thellë ndaj diplomacisë europiane për diskriminimin e bërë ndaj shqiptarëve, është përmbledhur në veprën jetësore: “Lahuta e Malsisë”.
Me këtë vepër, me vargjet kushtuar Kuvendit të Berlinit, Lidhjes së Prizrenit, Luftës Ballkanike dhe Konferencës së Londrës, diplomati Fishta ngre, madje drejtpërsëdrejti, akuza të rënda ndaj konferencave europiane, për mosrespektimin e vullnetit të popullit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë territoriale të trojeve stërgjyshore, të shprehur me protesta, peticione, kryengritje e forma të tjera.

Fishta, diplomat i pashpallur

Fishta, krahas punës së tij shkrimore me sfond politik dhe diplomatik, shqetësimet me popullin i ndante duke marrë pjesë në mënyrë aktive në protestat dhe kryengritjet e tyre.
Me rastin e shpërnguljes së popullatës së paarmatosur nga Malësia në Podgoricë, Mali i Zi, kur Turgut pasha, në vitin 1910-1911 dogji dhe poqi Malësinë e Madhe, figura qendrore e nxitjeve popullore dhe bisedimeve me ndërkombëtarët në Podgoricë, krahas Imzot Jak Serreqit, si përfaqësues zyrtar i Kishës së Shkodrës, pa dyshim ishte Atë Gjergj Fishta.
Qëndrimi i tij dhe i Luigj Gurakuqit, i prerë ndaj perandorisë osmane, sollën si rezultat miratimin e 12 kërkesave nga ana e malësorëve të njohur si Librin e Kuq, më 10-25 qershor 1911, në Kuvendin e Gërçës, ku malësorët, me këmbëngulje kërkonin krijimin e një province autonome shqiptare, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm.
Në kohën kur Shkodra, më 9 tetor 1912 deri më 22 prill 1913, mbahej e pushtuar nga malazezët, në këto ditë të zymta, kur pushka dhe çizmja e ushtarit fliste më tepër se diplomacia, Fishta, edhe pse i mbyllur në Kuvendin tek Arra e Madhe, pati kurajë t’i fliste popullit për rrezikun që i kërcënohej nga serbët dhe malazezët, nëpërmjet provincialit të tij në Rubik, Atë Pal Dodaj.
Pas largimit të ushtrisë malazeze nga qyteti dhe ardhjes së ushtrisë ndërkombëtare, më 14 maj 1913, në kambanoren e kishës së Gjuhadolit, me kërkesën e Fishtës, u valëvit flamuri kuq e zi. Me këtë rast, nga zemra e poetit të ngujuar buroi teksti i himnit kombëtar: “Porsi fleta e Engjillit t’ Zotit/ Po rreh Flamuri i Shqypnisë”.
Ky veprim heroik i Fishtës, pas shumë debateve diplomatike, me kërkesën e kolonelit britanik, Gordon Philips në Shkodër, solli largimin e tij nga Shkodra për në Asizi, të Italisë, për t’u kthyer përsëri në vendlindje, në janar të vitit 1916, kur trupat austro-hungareze, me këtë rast, morën Shkodrën.
Me ardhjen e trupave austro-hungareze, sikur filloi një frymëmarrje e re diplomatike dhe kulturore për Fishtën. Me këtë rast, me ndihmën e mikut të tij, diplomatit austriak në Shkodër, August R. von Krajl, filloi botimi i gazetës “Posta e Shqypenisë”, një fletore hartimi, kulturore, politike dhe diplomatike, botuar më 5 dhjetor 1916, deri në 23 nëntor 1918, në shqip dhe gjermanisht.
Kjo gazetë e themeluar nga Fishta, me përmbajtjen që kishte nuk i shkonte për shtati ministrit të Bullgarisë, D. Rizov, së fundi as konsullit të Francës në Shkodër, Bardy de Fourton, si përkrahës i politikës serbe e malazeze, i cili në nëntor të vitit 1918, urdhëroi mbylljen e saj.
Me këtë rast, më 28 nëntor 1918, Ditën e Flamurit, në Shkodër u organizuan protesta të ashpra popullor të udhëhequra nga vetë Fishta.
Me mbylljen e gazetës “Posta e Shqypnisë” dhe revistës “Hylli i Dritës”, shuhej zëri i të drejtave të shqiptarëve për pavarësi të plotë dhe bashkim të trojeve stërgjyshore.

Fishta dhe Konferencat Ndërkombëtare

Pas Kongresit të Shqiptarëve të mbajtur më 25 dhjetor 1918, në Durrës, vëmendja e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut ishte përqendruar në Konferencën e Paqes, në Paris, e cila i zhvilloi punimet më 18 janar 1919 deri në maj 1920. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria gjendej e pushtuar nga forcat ushtarake të disa fuqive fituese, të cilat synonin të dhunonin pavarësinë dhe ta cenonin tërësinë e saj tokësore. Ndërkohë që përfaqësuesit shqiptarë do t’i kërkonin Konferencës rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes.
Ndërkohë që delegacioni shqiptar, në krye me Turhan Pashën, delegatët Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, Mehdi Frashëri etj., ishin nisur drejt Parisit, Imzot Luigj Bumçi, me sekretarin e tij, Gjergj Fishtën, në udhëtim për në Francë, kishin ndaluar për pak kohë në Romë.
Bumçi dhe Fishta, atje më parë takuan gjeneralin e Urdhrit të Fretërve, Atë Serafino Cimino, për t’u takuar më pas, më 6 mars 1919, në një audiencë me Papa Benediktin XV, të cilin e kishin njoftuar gjerësisht për situatën politike në Ballkan e në veçanti të popullit shqiptar, i cili ishte në rrezik të copëtimit të mëtejshëm.
Delegacionet shqiptare, të cilat në shkurt të vitit 1919 kishin arritur në Paris, paraqitën pranë Konferencës së Paqes dy memorandume me opsione të ndryshme për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë si dhe për mundësinë e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të lënë jashtë kufijve etnikë.
Në të arritur të delegacioneve të tjera nga diaspora shqiptare, opsionet për zgjidhjen e çështjes shqiptare sikur u shtuan. Duke parë se situata shkonte në dëm të shqiptarëve, më 28 qershor 1919, grupi i Turhan Pashës bëri ndryshime në përbërjen e delegacionit. Si kryetar, në vend të Turhan Pashës u caktua ipeshkvi i Lezhës, imzot Luigj Bumçi. Mënjanimi i Turhan Pashës, që kishte qenë dikur ambasador i perandorisë osmane në Peterburg, lidhej më synimin për të ndryshuar imazhin që propaganda e huaj i vishte Shqipërisë si “Turqia e vogël”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndarjen e Shqipërisë, sipas Konferencës së fshehtë të Londrës të vitit 1915, delegacionet shqiptare qenë të vendosur të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuar nga Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit Gjergj Fishtën.
Në letrën e At Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkruar nga Parisi, provincialit At Vinçenc Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, preh fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipnien jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”.
Duke qenë se situata ishte e ndërlikuar së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe duke mos gjetur mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, sipas letrës të Fishtës, dërgon në Romë imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, te Papa Benedikti XV. Papa, duke qenë nga takimi i mëparshëm i mirinformuar rreth problemit shqiptar, dëgjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, duke qenë i bindur se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënie të mira, Papa pat deklaruar se do bënte çmos për ta shpëtuar Shqipërinë nga moscopëtimi i mëtejshëm i saj.
Sipas gazetës “Le Temps”, thekson Fishta, grupi parlamentar katolik i Italisë kishin kërkuar nga kryetari i qeverisë, Nitti, që Italia dhe zyrtarisht të mos kërkojë copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Për ta ndërkombëtarizuar më tepër çështjen e shqiptarëve, Fishta dhe Bumçi, më 5 shkurt, 1920, zhvilluan takimin e radhës me kardinalin e famshëm të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës, i cili mori përsipër t’i shkruante në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, pastaj, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj.
Mundi dhe djersa e Fishtës dhe të gjithë tjerëve, që u kurorëzua me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe më pas, më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipëria së fundi siguroi tersin e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913.
Megjithëse Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, akoma nuk qe e pranuar nga Amerika, e cila në Konferencën e Parisit, e përfaqësuar nga Presidenti Wilson, luajti rol jashtëzakonisht të madh në favor të çështjes shqiptare.
Fishta, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërguar provincialit, At Pal Dodaj, nga Uashingtoni thekson se, pas dymbëdhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga Anglia, më në fund kishte arritur në Amerikë.
Pa humbur shumë kohë, kishte filluar për të bërë lobin rreth çështjes së Shqipërisë. Pas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling, Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i një mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve. Në letrën e lart cituar, Fishta do shprehej: “asht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i dejtojë një shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje... Në fund të letrës, shkruan Fishta: “nderkaq vizita e eme në Ëashington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnis prej anës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte bërë në rolin e një deputeti të Shqipërisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Si i tillë kërkoi njohjen e një vendi tepër të vogël, nga Amerika tepër e madhe.
Qeveria shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende.
Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica. Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtuar provincialit At Vinçenc Prenushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte qenë shumë në lartësinë e duhur. Fishta, në këtë Konferencë qe përqendruar në zhvillimet kulturore në Shqipëri.
Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit e Shqipërisë, rishtas qenë Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20 10. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj, duke bërë një përmbledhje të Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, 21, kemi pas luft më Jugoslav në Komisionin Politik. Mehemt Konica asht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugoslave me nji fare Topalovic. Jovic, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska thanë Konitzes se asht i shtim prej dikuj tjeter më prish Konferencen. Konica i paska permendë punet, qi Jugoslavet, kan ba dhe bajnë mbi shqiptaret e Kosovë dhe e paska quejtë barbar”. Fishta, në vazhdim të letrës, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyre dy delegacioneve, Konferenca qe rrezikuar të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërhequr fyerjet e bëra ndaj delegacionit shqiptar.
Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin insistuar që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuan që kjo çështje të shtyhet për një konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhëm.
Pasi çështja e pakicave nuk mori zgjidhjen e duhur, në vitin 1932 u organizua Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njëjtët aktorë dhe pati të njëjtën tematikë. At Fishta, pos rolit të delegatit, tani kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte eterit françeskanë të Shqipërisë. Kjo konferencë pësoi fatin e atyre të mëparshmeve, duke mos sjellë gjë konkrete për temën në fjalë.
Pas këtyre Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjëja më e mirë, që ëmbëlsoi shpirtin e trazuar të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themeluar në Nju Jork. Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra më e gjetur për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botërore.

Përfundimi

Sinteza e gjithë veprimtarisë se tij ishte se nuk ka dashuri të vërtetë të atdheut aty ku nuk njihet a ku përjashtohet apo luftohet emri i Zotit. Se patriotizmi nuk është as vetëm një instinkt, as vetëm një modë apo zanat, por përkundrazi, është njohja e atdheut dhe dashuria ndaj tij, deri në vetëflijimin të jetës tokësore. Trupi i poetit të ‘Lahutës së Malësisë’, në vitin 1940, duke zbritur në terrin e varrit, sikur lëshonte një klithmë për ndërgjegjësimin e çdo shqiptari: Jo, po: ka Shqypni për n’iat Zot!

e martë, 22 nëntor 2011

Euro, në interesin tonë? Çfarë sjell adoptimi i saj në tregun shqiptar?

Flet për Hermesnews, politologu Alban Daci, Bashkimi Europian ka nevojë për vende që aderojnë brenda tij dhe ja pse?


TIRANE - Monedha euro më parë dukej ishte një pengesë e madhe për t'u kapërcyer për vendet që aspironin për t'u bërë anëtarë të Bashkimit Europian; Kohët e fundit, Presidenti i komisionit europian, portugezi Josè Manuel Barroso tha se monedha euro duhet të shtrihet në sa më shumë vende Europiane; duke patur parasysh dhe kohën kur u bënë këto deklarata flas për krizën që ka prekur zonën euro, ju si mendoni pse e tha këtë ?

Alban Daci: Presidenti aktual i Bashkimi Europian, Herman van Rompuy, e ka komentuar si më poshtë krizën ekonomike që po kalon BE: “Jemi përballë një krize për mbijetesën tonë. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur mbijetesën e zonës Euro. Në, fakt, nëse Euro nuk do të mbijetoj, as edhe vetë Bashkimi Europian nuk do të mbijetojë”. Mjafton të analizojmë përshkrimin e Presidentit BE, për të kuptuar atë që ka thënë Hose Barroso. Sot, më shumë se kurrë Europa ka nevojë për më shumë zgjerim dhe bashkim për të sfiduar krizën botërore dhe për t’iu përgjigjur me efikasitet globalizimit. Euro-ja është vetë simboli i BE, dhe sa më shumë e fortë dhe sa më fushmë vende aderojnë në të, aq më i shëndosh është vetë Bashkimi.

Mbetemi tek ky argument. Monedha euro: Çfarë sjell për Shqipërinë integrimi në Bashkimin Europian ? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet ?

Alban Daci: Bashkimi Europian për shqiptarët do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe stabilitet ekonomik. Rreth 95 % e shqiptarëve duan që Shqipëria të hyjë në Europë. Megjithatë, po të analizojmë edhe të kaluarën historike mund të themi se shqiptarët kanë qenë ndër të parët që kanë menduar se zgjidhja më e mirë për rajonin e Ballkanit e më gjerë është bashkimi i popujve. Pikërisht në vitin 1929, Beqir Valteri ideoi dhe publikoi idenë e konfederatës ballkanike me 10 shtete anëtare. Megjithatë, duhet të nënvizojmë faktin se Shqipëri ka dhe interesa të mëdha ekonomike të cilat lidhen drejtpërdrejt me BE. Nga viti 2000 Shqipëria ka përfituar masat ekonomike tregtare autonome të BE. Tregtia e Shqipërisë me BE është zgjeruar me preferencat shtesë si pasojë e hyrjes në fuqi në muajin dhjetor të vitit 2006 të marrëveshjes së përkohshme. BE është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe në vitin 2009 shkëmbimet me BE kanë arritur 79,6% të shkëmbimeve totale të Shqipërisë. Në vitin 2009 eksportimet e Shqipërisë drejt BE-së llogariteshin në 0,6 miliard euro dhe eksportimet e BE drejt Shqipërisë llogariteshin në 2,1 miliard euro. Si eksportet ashtu edhe importet në vitin 2009 janë zvogëluar për shkak të krizës ekonomike. Defiçiti tregtar i Shqipërisë me BE është -1,5 miliard euro. Prodhimet tekstile dhe të veshmbathjes përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve shqiptare drejt BE. Pra BE, mbetet partneri kryesor ekonomiko-tregtar i Shqipërisë.

Fakti që euro (monedha) është e fortë në një moment të tillë a mendoni se krijon probleme në prodhimin industrial të vendit ? Shqipëria është një vend me treg të brendshëm të vogël, qe hedh sytë me tepër nga tregu i jashtëm ?

Alban Daci: Forcimi i valutave rrezikon të shtretojë produktet e importit, të cilat në më të shumtën e rasteve blihen në Euro. Biznesi vendas e konsideron këtë situatë një kosto shtesë në punën e tyre. Sipas drejtorit të Konfindustrisë, Stefan Pinguli shitjet në tregun vendas kanë rënë me afro 20%. Ky fakt ka bërë që biznesi të ulët çmimet. Nga ana tjetër, kësaj situata i shtohet edhe forcimi i Euros, çka e detyron biznesin të blejë lëndën e parë me kosto më të shtrenjtë. “Situatë paradoksale”- shprehet Pinguli. Efekti tjetër negativ i forcimit të Euros është për ata kredimarrës që paguajnë kredinë në Euro, ndërsa të ardhurat i kanë në lekë. Ky shtrenjton këstin mujorë të kredisë. Sipas jush deklaratat që thashë me sipër të Barrosos për zgjerimin e BE-së i drejtoheshin Rusisë dhe Turqisë? Kohët e fundit këto të dyja mbajnë qëndrime hezituese për integrim në BE

Alban Daci: Një ndër sfidat e BE, janë se ku vazhdojnë e ku mbarojnë kufijtë e saj. Disa mendojnë se Maroku duhet të integrohet, të tjerët thonë jo se nuk ka kulturë Europiane. Është për t’u theksuar se ka marrë përfundimisht përgjigje negative. Disa thonë se edhe Izraeli duhet të vend anëtarë për shkak të kulturës dhe besimit fetar. Disa të tjerë thonë jo. Mendohet se në vitin 2025 vend anëtar do të jetë edhe Ukraina. Në bazë të parashikimeve dhe analizave të nivelit ndërkombëtar, Rusia nuk ka hapësirë për të qenë pjesë integrale e Bashkimit, por pjesë e marrëveshjeve të tjera indirekte. Ndërsa, për sa i përket Turqisë: Aderimi i Turqisë në Bashkimin Europian do të jepte një provë të pamohueshme, se Europa nuk është një “Grup i Krishterë” i mbyllur. Ai do të konfirmonte natyrën e Bashkimit Europian si një shoqëri e hapur dhe tolerante, që tërheq forcë diversiteti dhe është e mbajtur bashkë nga vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, shtetit të së Drejtës dhe respektimit të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, sot drejtuesit e lartë të shtetit turk, janë të shqetësuar nga fakti, se “sa më shumë Turqia i afrohet aderimit tek BE-ja, aq më shumë rritet rezistenca në Europë”.


* Dott. mag Alban Daci është politolog dhe ekspert i marëdhënieve ndërkombëtare: autor i librave Europa dhe shqiptarët dhe Europa në marrëdhëniet ndërkombëtare

Nga Doriana Metollari

e shtunë, 19 nëntor 2011

Ku po shkon Bota Perëndimore

Alban Daci

Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila po kalon një krizë të thellë me identitetin e saj? Demokracia e përfaqësuar nuk mjafton në një botë gjithnjë e më globale, ajo nuk mund të jetë e eksportuar në një botë, e cila akoma nuk ka vlera universale dhe modele uniforme. Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila model bazë ka pikërisht shtetin nacional, i cili tashmë për shkak të faktorëve kohë ndodhet në një krizë të thellë. Ku po shkon Bota Perëndimore, e cila po kalon një krizë të thellë ekonomike, e cila lidhet me vizionet dhe modelet që duhet të aplikohen. Bota Perëndimore, po ec përpara, por nuk e dimë nëse drejt një të ardhme të njohur dhe të mirë, apo drejt një të ardhme të panjohur dhe të rrezikshme.


Krizë e shtetit nacional

Shtetit nacional po përballet me një krizë reale, sepse po mbaron “civilizimi” i punëtorëve dhe shteti keynesian. Shoqërimi i këtyre dy elementeve po prodhon fenomene perverse. Nga njëra anë ato prodhojnë hijen e tyre në luftërat e ndryshme që po zhvillohen nëpër botë dhe nga ana tjetër po ndihmojnë rilindjen e nacionalizmave (siç janë rasti i Francës, Gjermanisë, Ballkanit e në plot vende të tjera të botës) dhe të tribalizmave etnikë.

Demokracia në krizë

- Në krizë demokracia përfaqësuese. Zhvillimi i teknologjisë moderne të komunikimit ka bërë të mundur që demokracia përfaqësuese të jetë gjithnjë e më shumë në krizë. Deri tani, le të themi, është krijuar një “demokraci virtuale”, kryesisht në socialnetëork, ku qytetarët jo vetëm shkëmbejnë mendime e kritika, mendime, por duan sa më shumë të marrin pjesën në jetën aktive politike. Ky kozmos i vogël virtual, është i mjaftueshëm për të joshur kërkesat modeste të shumë qytetarëve, por në një të ardhme jo shumë të largët qytetarët do të kërkojnë që ata jo vetëm të konsultohen, por edhe të marrin pjesë në vendimmarrjet politike.
- Në krizë eksportimi i demokracisë. Formula e Virilio-s ‘fundi i gjeografisë’. Fundi i gjeografisë nuk prek vetëm fushën ekonomike, por edhe fusha të tjera më të gjera. Ky fund i gjeografisë prek idetë, mënyrat e të menduarit, traditat kulturore, politike dhe fetare. Për shkak të globalizimit njeriut po ndjehet gjithnjë e më shumë ‘qytetar i botës’. Demokracia historikisht është paraqitur si një nevojë, para se të bëhej një e drejtë. Duhet të pyesim nëse demokracia perëndimore – e cila insistoj, nuk ka akoma konture unike- përbën me të vërtetë një vlerë universale, e për këtë arsye mund të eksportohet edhe drejt popujve që i mbështetin rrënjët e tyre kulturore e fetare në kontekste të ndryshme. Mjafton të mendojmë se demokracitë perëndimore janë fryt i një eksperience shekullarizimi, ku ka pasur një rëndësi të veçantë kontrasti kundrejt feve. Siç dimë, demokracitë janë ndërtuar duke kundërshtuar Kishën. Pra, si formë lirie kundër pushtetit të Kishës. Prandaj, kjo lloj forme është e konsideruar e papranueshme në ato shoqëri si ato islamike, ku feja zë një valore komplesive dhe domosdosmërisht të përzier me zgjedhjet temporale.

Kriza ekonomike

Duke u nisur që nga viti 2007 sistemi financiar ndërkombëtar u përfshi në një krizë sistemi që në mënyrë progresive u rrit derisa arriti në ditët e sotme duke u përkeqësuar gjithë e më shumë. Kjo lloj krize ekonomike, bërë që shtetet t’i riktheheshin rritjes së pranisë të sektorit publik në sferën ekonomike, pas një periudhe të gjatë kohe ku ka mbizotëruar- përtej diferencave të dukshme mes SHBA dhe Europës- një kulturë e bazuar mbi besimin në treg dhe në mekanizmat e auto-rregullimit. Është kthyer kështu shikimi tek Shteti si një disiplinues kundrejt tregjeve. Megjithatë, qeveritë dhe studiuesit ekonomisë të nivelit ndërkombëtar, akoma nuk kanë gjetur formulën e duhur, jo vetëm për të dalë nga kriza aktuale, por për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.

e mërkurë, 16 nëntor 2011

BASHKIMI I KOSOVES ME SHQIPËRINË KUSHT SINE QUA NON

Muhamed Jashari-Shkup*



"...Për fat të keq, e viktimizuam një popull për ta ruajtur paqen e Evropës"
(deklaratë e ministrit britanik të punëve të jashtme, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i Konferencës së Londrës më 1913,)


PROCESI I NDRYSHIMIT TË KUFIJVE NË EVROPË GJATË SHEK XX

Republika e Shqipërisë është i vetmi shtet në rajon, i cili që nga Kongresi i Ambasadorëve në Londër 1912-13, e deri më sot, nuk i’u nënshtrua procesit të ndryshimit të kufijve. Shqipëria i trashëgoi po ata kufij që u vendosën nga fuqitë e mëdha të asaj kohe.
Po që se marrim parasysh shek. XX, do shohim se ky ishte një shekull ku harta politike e Evropës herë pas herë ndryshoi, edhe pse gjithherë thuhej se kufijtë e Evropës nuk ndryshojnë. Në Konferencën e Versajës më 1919 u krijua Çekosllovakia, por pas 71 viteve, përkatësisht në vitin 1990, Çekosllovakia u nda dhe u formuan dy shtete - Çekia dhe Sllovakia.
Në vitin 1945 ishte pikërisht Konferenca e Jaltës ajo që bëri ndarjen e Evropës në bazë të ideologjive, të asaj Lindore me ndikim ruso-komunist, dhe asaj perëndimore me ndikim kapitalist.
Ngjashëm si kjo mund të konsiderohet edhe Konferenca e Postadimit pra, ku fuqitë e mëdha të dala pas Luftës së II Botërore vendosën ndarjen e Gjermanisë në dy pjesë, në atë Lindore me ndikim po ashtu komunist dhe atë Perëndimore me ndikim kapitalist. Për mos ndryshim të kufijve të Evropës u vendos edhe në Konferencën e Helsinkit në vitin 1975, ku nënshkrues të kësaj ishin të gjitha shtetet e Evropës, madje edhe Jugosllavia.
Në vitet e 90-ta harta politike e Evropës edhe një herë ndryshoi. Kjo është periudha kur komunizmi filli të shkatërrohet rrënjësisht, shtetet e Evropës qendrore dhe lindore pavarësohen nga ndikimi komunist. Për ata fillon një epokë e re, një transformim drejt liberal-demokracisë, pra shuhet marrëveshja e konferencës së Jaltës. Fat të njëjtë pësoi edhe Konferenca e Postdamit, pasi që në vitet e 90-ta u ribashkua Gjermania.
Dikur askujt nuk ia merrte mendja se Jugosllavia do të mund të shkatërrohej, megjithatë pas vitit 1991, sërish ndryshoi harta politike e Ballkanit.
Pra, thuajse kufijtë e Evropës ndryshuan herë pas herë vetëm Shqipëria nuk iu nënshtrua këtij procesi, madje as që u shqyrtua një gjë e tillë në qendrat e vendimmarrjes.


BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË ËSHTË INTERES NACIONAL I SHQIPTARËVE

Interesi vital i çdo shteti në botë është ruajtja territoriale, siguria për qytetarët e vet, ruajtja e qenësisë kombëtare, mirëqenia ekonomike, janë pra këto interesa që shtetet asnjëherë nuk lëshojnë pe. Interesat vitale të kombit shqiptar mund të numërohen edhe këto:
a) të ekzistojë si komb,
b) si komb i konstituuar, dhe
c) të bashkohet.
Çdo ide apo çdo program që do të vepronte drejt realizmit të kësaj çështje mund të cilësohet si politikë mbarëshqiptare.
Në 100 vitet e fundit, populli shqiptar iu nënshtrua një terrori të paparë. Dekada të tëra ai i duroi dhe i bëri ballë asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik, të regjimeve heleno-sllave. Krahas gjitha goditjeve e spastrimeve etnike, dëbimit të tyre nga trojet shekullore, falë rezistencën e sakrificës së dëshmorëve të të gjitha luftërave, ne e kemi ruajtur nukleusin-substancën kombëtare.
Me që Republika e Shqipërisë e ka të përfshirë në preambulën e saj bashkimin, pikërisht brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike, duhet të jetë bartëse e një politike të tillë.
Qëndrimet e politikanëve shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë, në lidhje me atë se bashkim të Kosovës me Shqipërinë do ketë në Bruksel, mendoj se është një gabim që bëjnë politikanët shqiptarë, kjo nuk nënkupton që të bëhemi EuroSkeptik, por në të njëjtën kohë as që duhet të jemi Etnoskeptik.
Sipas një sondazhi të bërë nga një grup ekspertësh të realizuar në fillim të nëntorit 2009, parashikonin se Shqipëria nuk mund që të anëtarësohet në UE para vitit 2020 (deklarata e njërit nga ekspertët, Nigel Rendel).
Kanceralja gjermane Angela Merkel ishte mjaft e qartë në fillim të vitit 2009, e cila duke zbardhur programin e CDU-së, theksoi se “...pas Kroacisë, do të ketë pushim në zgjerimin e UE-së, në Ballkanin perëndimor”.
Shqipëria fatkeqësisht, edhe në raportin e fundit të progresit nuk mori statusin e vendit kandidat për në UE. Në anën tjetër Kosova edhe më tej vazhdon të ngelë, “geto” e Ballkanit nga shkaku se ende nuk ka datë të precizuar për fillim të negociatave për liberalizim të vizave.
Në një organizatë supranacionale siç është UE-ja, interesat nacionale të shteteve nuk mund që të realizohen plotësisht, por vetëm mund të ruhen pjesërisht.



BASHKIMI DO TË SJELLË STABILITETIT NË RAJON

Në literaturën politike ndërkombëtare Ballkani konsiderohet area of potential crisis, zonë potenciale për konflikt (situata ne veri të Mitrovicës e vërteton një pohim të tillë)- në shek. XX kjo zonë ishte zonë e dy luftërave ballkanike, këtu filloi njëra ndër luftërat botërore. Lufta e dytë ballkanike filloi si shkas për ndarjen e “kolaçit” (lexo: territoreve) pas shkuarjes së P. Osmane nga Ballkani.
Pavarësisht se Serbia morri statusin kandidat për UE, edhe më tej Kosovën e trajton si pjesë territoriale të saj, duket se përsëri nuk heq dorë nga idetë e saja megalomane.
Shteti serb edhe më tej synon që ti bashkohet plotësisht Republika Sërpska e Bosnjës,-në një të ardhme të afërt pritet që Republika Serbe në Bosnjë të mbajë referendum që të bashkohet plotësisht me Serbinë , pra, krahas gjithë këtyre rrjedhojave, përsëri Serbia bën përpjeke për UE.!!!
Duke marrë parasysh se Serbia është shteti më i armatosur në rajon, dhe që haptazi kundërshton anëtarësimin në NATO, askush nuk mund të garantojë se do ketë zbutje të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa kisha ortodokse serbe, dhe patriarku Irinej gjithmonë nxjerrin deklarata luftënxitëse, se për Kosovën duhet të luftuar dhe derdhur gjak, nga shkaku se ajo qenka “tokë serbo ortodokse sllave”, Ballkani edhe më tej do ngelë vrimë e zezë e Evropës.
Boshti Athinë-Beograd që dominoi në Ballkan dekadat që lamë pas, nuk ofroi paqe dhe stabilitet përkundrazi, ishte përgjegjëse e shumë luftërave dhe spastrimeve etnike.
Përfundimisht me bashkim të Kosovës me Shqipërinë, i ngushtohet hapësira hegjemoniste këtij Boshti, njëherë e përgjithmonë ndalen pretendimet territoriale të Serbisë mbi Kosovën.
Kështu në Ballkan krijohet edhe një shtet i fuqishëm shqiptar, formohet një baraspeshë fuqie, sipas disa studiuesve në një zonë ku mbretëron baraspesha e fuqisë aty ka stabilitet dhe paqe. Me këtë akt përfundimisht nacionalizmit Serbo-Grek, i bëhet e qartë se dominimi i tyre mbi shqiptarët ka marrë fund.
Andaj, është momenti që dy qeveritë shqiptare të bëjnë një bashkim të tillë, në fund të fundit çdo shtet e ka të drejtën që të hyjë në federatë më një shtet tjetër, në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Paraprakisht Kosovës i duhet që të ndryshon kushtetutën, saktësisht pikën 3 të nenit 1, pra ku i ndalohet që të bashkohen me ndonjë shtet tjetër.
Në kohën kur Shqipëria është në NATO, dhe Kosova është e pavarur, bashkimi i tyre duhet të ndodhet në Ballkan, pas këtij akti Shqipëria e bashkuar me Kosovën, i duhet që të bëj përpjekje maksimale për në Evropë të bashkuar, nga shkaku se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të truallit evropian.


* (Autori vijon studimet post-diplomike në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit)

Pranvera arabe një histori e shkruar çdo ditë

Alban Daci

Çfarë leksioni duhet të nxjerrë Europa nga ngjarjet e ndodhura në brigjet e Mesdheut? Nga njëra anë influenca e saj rajon mund të jetë e destinuar të s’vogëlohet edhe më tej, nga ana tjetër është një kusht i dobishëm për një raport të ekuilibruar.
Edhe pse mund të themi se një fazë e rëndësishme e revolucioneve arabe (ose siç i kanë quajtur ndryshe “Pranvera Arabe”) është konkluduar me ngjarjet e ndodhura në Egjipt, Tunizi, Algjeri dhe së fundmi në mënyrë tragjike në Libi. Pranvera arabe duket se nuk ka mbaruar me kaq.
Të gjithë vendet arabe kanë lindur nga disintegrimi i asaj perandorie. Disa kanë mbi shpatulla një histori nacionale, për shembull Irani, Turqia e për disa aspekte edhe Arabia Saudite, por periudha koloniale ka pasur një impakt të madh mbi politikën e brendshme të secilit prej tyre. Për pasojë janë zhvilluar shtete diktatoriale, përderisa shtetet e reja kanë tentuar të krijojnë një identitet të ri nacional si ai: sirian, irakian, jordan e kështu me radhë.
Zgjimet e sotme popullore duke marrë jetë nga vetë shoqëritë e orientohen drejt një arti të ri qeverisës. Televizionet e ndryshme nëpër botë kanë transmetuar imazhe dhe informacione në mënyrë të pavarur, edhe ky është një faktor krejt i ri për rajonin. Falë këtyre transmetimeve mund të lindin koshenca të reja politike, një kuptim i ri për dinamikat politike. Gjithashtu falë bumit mediatik janë vënë në dukje nevoja të reja të panjohura më parë si për më shumë liri, demokraci dhe dinjitet njerëzor.
Mos kjo do të thotë se shoqëritë arabe kapërcejnë të kaluarën despotike? Çfarë ka ndodhur me të vërtetë? Për të kuptuar fenomenin e diktaturave në këtë rajon, duhet të kemi parasysh se këto vende kanë përjetuar një periudhë të dhunshme koloniale dhe për këtë arsye gjithmonë kanë qenë në një betejë për një periudhë post-koloniale.
Në disa raste janë instaluar në pushtet krerët më të lartë ushtarak dhe jo struktura shtetërore shumë të zhvilluar organikisht. Në Europë strukturat e këtij tipi kanë evoluar për gjatë shekujve. Kanë qenë Revolucioni francez, dy luftërat botërore, luftërat e Hitlerit, Musolini dhe Francos. Shoqëria civile në Europë është zhvilluar gradualisht, shumë ngadalë, dhe nga i gjithë ky proçes ka lindur një formë e demokracisë e kolauduar dhe e gjallë. Ndërsa bota arabe, nuk e ka pasur kurrë luksin e kësaj trashëgimie historike. Tashmë strukturat e lindura nga poshtë janë rebeluar kundër autoriteteve dhe sovranitetit të shtetit. Tashmë ka filluar një proçes i gjër social reformimi, i cili nuk mund të bëj më hapa mbrapa.
Çfarë do të thotë për Europën revolucioni arab ose Pranvera Arabe? Revolucionet siç dihet edhe nga historia vënë në ballafaqim shumë sfida që kanë të bëjnë me strategjinë dhe sigurinë, përderisa panorama politike është në evoluim.
Qeveritë që dalin u japin e dëgjojnë më shumë shoqërinë, e afirmohen shoqëritë që bonifikojnë një politik të jashtme të pavarur nga perëndimi. Nuk është një koincidencë fakti, se Egjipti dhe Tunizia nuk e kanë mbështetur ndërhyrjen në Libi.
Egjipti pritet se do të rinovojë marrëdhëniet me Iranin, që deri pak kohë më parë ishin jo vetëm që nuk ekzistonin, por ishin kthyer në një utopi. BE dhe SHBA duhet të përgatitet për të përballuar situatat që mund të prezantohen në një të afërme të shpejt në rajon, përderisa do të jenë shumë më pak në kushte që ta kontrollojnë.
Pranvera arabe që tashmë është në një dimër të plotë, duket se nuk ka asgjë ngjashmëri me revolucionet e ndodhura më parë. Mund të mendojmë të bëjmë një krahasim me revolucionin e Portugalisë (nëntor 1974), por ka shumë dallime. Popujt arab kanë pësuar shumë shtypje të natyrës koloniale në të kaluarën. Në botën arabe, nuk qeveris shoqëria përmes përfaqësuesve të saj të zgjedhur demokratikisht, por qeverisin klanet, tributë e familjet e njohura.
Presidentët në vendet arabe sillen sikur të ishin monark absolut, të cilët qëndrojnë në pushtet duke përdorur forcën, korrupsionin, shantazhin dhe turpin. Bashar al Assad ka zëvendësuar babain etij Hafez al Assad; Seif al Islam ishte projektuar si zëvendësuesi natyror i Gedafit; Mubarak gjithashtu kishte menduar të dizenjonte zëvendësues djalin e tij. Të gjithë këto plane tipike despotike dhe aspak demokratike u prishën nga ngjarjet e Pranverës Arabe.
Këto despot kishin një princip të thjeshtë qeverisës: kur të jemi në pushtet do të qëndrojmë për jetë aty, pavarësisht nëse populli na do ose jo. Për të pasur një imazh të mirë ndërkombëtar, bëjnë sikur vendosin një lloj “demokracie formale”.
Kjo është në të vërtetë vetëm një maskë. Çdo gjë është në dorën e tyre dhe nuk tolerojnë asnjë kontestim, asnjë lloj forme opozite. Ato e konsiderojnë vendin si një pronë private, posedojnë të ardhurat e veta, bëjnë pazare, pasurohen dhe vënë të mirat e tyre në bankat e Zvicrës. Ajo që ka ndodhur në Tunizi dhe në Egjipt, është një protestë morale dhe etike.
Është një refuzim pa mëdyshje kundrejt autoritarizmit, të korrupsionit, të vjedhjes së të mirave të vendit, të nepotizmit, të favorizimit. Një protestë për të vendosur një higjienë morale në një shoqëri që ka qenë shfrytëzuar dhe poshtëruar për dekada me radhë.
Për këtë arsye nuk është një revolucion ideologjik. Nuk ka një lider, një shef, nuk ka një parti që organizon dhe çon përpara revoltat. Miliona persona kanë zbritur nëpër rrugë. Një revolucion i një lloji të ri: spontan e i paparashikuar. Është një faqe historie e shkruar ditë për ditë, pa një planifikim, pa ndërmjetësim, pa truke.

e mërkurë, 2 nëntor 2011

Lëvizja e re dhe politika e vjetër



31/10/2011 Manuel Castells
http://www.manuelcastells.info/en/cv_index.htm


15 tetori i 2011 ishte një ditë zhvillimesh për lëvizjet në epokën e internetit. Qindra mijëra vetë manifestuan në më shumë se një mijë qytete të 82 shteteve duke iu përgjigjur kështu një thirrjeje që në fillim i lëshua nga një grup në Facebook.

Iniciativa lindi në shtator në Barcelonë, gjatë një mbledhjeje të rrjeteve të aktivistëve që organizuan manifestimin global të 15 tetorit me një slogan: “United for global change”.

Manifestuesit kritikonin kapitalizmin financiar që ka shkaktuar krizën dhe qeveritë që duket se janë në shërbim të tij.

Nuk janë shfaqur udhëheqës dhe nuk kanë lindur komitete drejtues, vetëm ansamble dhe rrjete lokalë të lidhur më pas në rrjete globalë.

Pas revolucioneve arabë, revoltave në Greqi, të indinjuarve në Spanjë dhe në Evropë, mobilizimi kundër qeverisë izraelite dhe përhapja e shpejtë e okupimeve dhe manifestimeve në qindra qytete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konvergjenca e propozimeve të 15 tetorit ishte një sinjal për karakterin global që ka lëvizja.

Por çdo protestë lokale është shoqëruar me kërkesat e veta. Në Barcelonë, një ansamble ka propozuar që të kalohet nga “indinjata në veprim” me sloganin: “Jetët tona apo të mirat tuaja”. Në Madrid dhe qytete të tjerë, sloganet kanë qenë të ndryshëm.

Faqja e internetit e protestuesve në Nju Jork e ka bërë të qartë lidhjen mes lëvizjeve: “Nga sheshi Tahrir, në Times Square”.

Çështja është që nuk ka nevojë për udhëheqës sepse një iniciativë në internet përhapet, dhe kushdo mund të bashkohet dhe të shtojë nga vetvetja, kontributin e tij apo të saj.

Po të kishte një komitet drejtues global, vetëm grupe të vegjël militantësh do të merrnin pjesë: sot mund të flasim për një lëvizje të re globale pikërisht sepse nuk ka një lidership apo një ideologji unike dhe sepse interneti është një platformë fleksibël për të përhapur iniciativat, diskutuar idetë dhe koordinuar veprimet.

Është një lëvizje në metamorfozë të vazhdueshme që nuk mund të etiketohet nga një këndvështrim politik apo ideologjik. Marrin pjesë persona me mosha dhe opinione shumë heterogjene që janë të indinjuar për arsye të ndryshme, por që bien dakord për faktin që nuk kanë besim në metodat aktuale të përfaqësimit politik.

Ja përse intelektualë dhe udhëheqës politikë shpallin çdo ditë fundin e këtyre lëvizjeve, edhe në një kohë kur në të vërtetë numri i pjesëmarrësve në to sa vjen e rritet.

Ose, pasi kanë pranuar me dhëmbët shtrënguar forcën e tyre, i injorojnë me përçmim sepse nuk arrijnë rezultate konkrete, sepse nuk organizohen përreth një projekti. Janë qasje që tregojnë një dije të mangët të historisë së lëvizjeve sociale.

Këto lëvizje kanë efekte politike shpesh herë të rëndësishëm, por nuk janë politike në kuptimin tradicional që ka ky term, nuk marrin pushtet.

Lëvizjet ndryshojnë mentalitetin e njerëzve dhe vlerat e shoqërisë, janë burime krijimi dhe ndryshimesh socialë.

Partitë punojnë me atë që ndodh për të menaxhuar institucionet që rregullojnë jetën sociale. Kur institucionet funksionojnë mirë, duket se pushteti është i partive dhe që gjithçka varet nga rezultatet elektorale.

Por kur rritet distanca mes përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, kur modeli ekonomik, mjedisor, apo i jetesës hyn në krizë, atëherë lëvizjet bëhen një burim ndryshimi dhe risish, i vetmi antidot kundër sklerozës së një politike të nënshtruar para forcave irracionale të tregut dhe atyre racionale të makutërisë.

Por (thonë disa) e gjithë kjo energji duhet të kanalizohet në një zgjedhje politike.

Jo gjithmonë. Ka ritme të ndryshme për të kaluar nga lëvizja sociale në lëvizjen politike: më të ngadaltë në periudha stabiliteti, më të shpejtë në periudha krize.

Për këtë arsye, krizat ndonjëherë të çojnë drejt zgjedhjeve demagogjike dhe bëjnë të ndiqen udhëheqës populistë, paladinë të ksenofobisë dhe aventurierë të dhunës.

Por bëjnë të lindin edhe mënyra për të thelluar demokracinë, të cilat ndryshojnë dalëngadalë rregullat e lojës.

Në disa raste partitë shpërbëhen dhe klasa politike dëbohet keqaz, për t’u riplotësuar gradualisht nga protagonistë të rinj që vetëm pak më parë kishin qenë të pamendueshëm (ambientalistë, piratë, aleanca elektorale të bazuara në parime demokratikë si kontrolli i bankave apo reforma elektorale, ose në mbrojtje të të drejtave sociale si shëndeti, arsimi dhe strehimi), në kontrast me partitë që thonë se mbrojnë interesat e përgjithshëm, por që mendojnë vetëm për të tyret.

Metodat e transformimit politik janë të ndryshme dhe ndryshojnë nga konteksti në kontekst. Kërkojnë mobilizim dhe kohë dhe funksionojnë vetëm nëse qëndrojnë në skaje të sistemit politik për ta detyruar të ndryshojë:

Duke e boshatisur nga votat deri në shfaqjen e opsioneve më të vlefshëm, duke imponuar një kontroll të menaxhimit të gjësë publike dhe duke përdorur mosbindjen civile për të kundërshtuar zgjedhjet që bien ndesh me programet e votuar.

Nuk është e vërtetë që e vetmja mundësi është të votohet për një palë apo për tjetrën.

Është gjithashtu e mundur të mendosh të imponosh reforma politike për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendime konkretë, pavarësisht se kush është në pushtet.

Sa më shumë të funksionojë demokracia me pjesëmarrje, aq më efikase do të jetë demokracia e përfaqësimit.

Një tjetër politikë është e mundshme. Por do të marrë formë vetëm pas një periudhe indinjate dhe veprimi.