31/10/2011 Manuel Castells
http://www.manuelcastells.info/en/cv_index.htm
15 tetori i 2011 ishte një ditë zhvillimesh për lëvizjet në epokën e internetit. Qindra mijëra vetë manifestuan në më shumë se një mijë qytete të 82 shteteve duke iu përgjigjur kështu një thirrjeje që në fillim i lëshua nga një grup në Facebook.
Iniciativa lindi në shtator në Barcelonë, gjatë një mbledhjeje të rrjeteve të aktivistëve që organizuan manifestimin global të 15 tetorit me një slogan: “United for global change”.
Manifestuesit kritikonin kapitalizmin financiar që ka shkaktuar krizën dhe qeveritë që duket se janë në shërbim të tij.
Nuk janë shfaqur udhëheqës dhe nuk kanë lindur komitete drejtues, vetëm ansamble dhe rrjete lokalë të lidhur më pas në rrjete globalë.
Pas revolucioneve arabë, revoltave në Greqi, të indinjuarve në Spanjë dhe në Evropë, mobilizimi kundër qeverisë izraelite dhe përhapja e shpejtë e okupimeve dhe manifestimeve në qindra qytete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konvergjenca e propozimeve të 15 tetorit ishte një sinjal për karakterin global që ka lëvizja.
Por çdo protestë lokale është shoqëruar me kërkesat e veta. Në Barcelonë, një ansamble ka propozuar që të kalohet nga “indinjata në veprim” me sloganin: “Jetët tona apo të mirat tuaja”. Në Madrid dhe qytete të tjerë, sloganet kanë qenë të ndryshëm.
Faqja e internetit e protestuesve në Nju Jork e ka bërë të qartë lidhjen mes lëvizjeve: “Nga sheshi Tahrir, në Times Square”.
Çështja është që nuk ka nevojë për udhëheqës sepse një iniciativë në internet përhapet, dhe kushdo mund të bashkohet dhe të shtojë nga vetvetja, kontributin e tij apo të saj.
Po të kishte një komitet drejtues global, vetëm grupe të vegjël militantësh do të merrnin pjesë: sot mund të flasim për një lëvizje të re globale pikërisht sepse nuk ka një lidership apo një ideologji unike dhe sepse interneti është një platformë fleksibël për të përhapur iniciativat, diskutuar idetë dhe koordinuar veprimet.
Është një lëvizje në metamorfozë të vazhdueshme që nuk mund të etiketohet nga një këndvështrim politik apo ideologjik. Marrin pjesë persona me mosha dhe opinione shumë heterogjene që janë të indinjuar për arsye të ndryshme, por që bien dakord për faktin që nuk kanë besim në metodat aktuale të përfaqësimit politik.
Ja përse intelektualë dhe udhëheqës politikë shpallin çdo ditë fundin e këtyre lëvizjeve, edhe në një kohë kur në të vërtetë numri i pjesëmarrësve në to sa vjen e rritet.
Ose, pasi kanë pranuar me dhëmbët shtrënguar forcën e tyre, i injorojnë me përçmim sepse nuk arrijnë rezultate konkrete, sepse nuk organizohen përreth një projekti. Janë qasje që tregojnë një dije të mangët të historisë së lëvizjeve sociale.
Këto lëvizje kanë efekte politike shpesh herë të rëndësishëm, por nuk janë politike në kuptimin tradicional që ka ky term, nuk marrin pushtet.
Lëvizjet ndryshojnë mentalitetin e njerëzve dhe vlerat e shoqërisë, janë burime krijimi dhe ndryshimesh socialë.
Partitë punojnë me atë që ndodh për të menaxhuar institucionet që rregullojnë jetën sociale. Kur institucionet funksionojnë mirë, duket se pushteti është i partive dhe që gjithçka varet nga rezultatet elektorale.
Por kur rritet distanca mes përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, kur modeli ekonomik, mjedisor, apo i jetesës hyn në krizë, atëherë lëvizjet bëhen një burim ndryshimi dhe risish, i vetmi antidot kundër sklerozës së një politike të nënshtruar para forcave irracionale të tregut dhe atyre racionale të makutërisë.
Por (thonë disa) e gjithë kjo energji duhet të kanalizohet në një zgjedhje politike.
Jo gjithmonë. Ka ritme të ndryshme për të kaluar nga lëvizja sociale në lëvizjen politike: më të ngadaltë në periudha stabiliteti, më të shpejtë në periudha krize.
Për këtë arsye, krizat ndonjëherë të çojnë drejt zgjedhjeve demagogjike dhe bëjnë të ndiqen udhëheqës populistë, paladinë të ksenofobisë dhe aventurierë të dhunës.
Por bëjnë të lindin edhe mënyra për të thelluar demokracinë, të cilat ndryshojnë dalëngadalë rregullat e lojës.
Në disa raste partitë shpërbëhen dhe klasa politike dëbohet keqaz, për t’u riplotësuar gradualisht nga protagonistë të rinj që vetëm pak më parë kishin qenë të pamendueshëm (ambientalistë, piratë, aleanca elektorale të bazuara në parime demokratikë si kontrolli i bankave apo reforma elektorale, ose në mbrojtje të të drejtave sociale si shëndeti, arsimi dhe strehimi), në kontrast me partitë që thonë se mbrojnë interesat e përgjithshëm, por që mendojnë vetëm për të tyret.
Metodat e transformimit politik janë të ndryshme dhe ndryshojnë nga konteksti në kontekst. Kërkojnë mobilizim dhe kohë dhe funksionojnë vetëm nëse qëndrojnë në skaje të sistemit politik për ta detyruar të ndryshojë:
Duke e boshatisur nga votat deri në shfaqjen e opsioneve më të vlefshëm, duke imponuar një kontroll të menaxhimit të gjësë publike dhe duke përdorur mosbindjen civile për të kundërshtuar zgjedhjet që bien ndesh me programet e votuar.
Nuk është e vërtetë që e vetmja mundësi është të votohet për një palë apo për tjetrën.
Është gjithashtu e mundur të mendosh të imponosh reforma politike për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendime konkretë, pavarësisht se kush është në pushtet.
Sa më shumë të funksionojë demokracia me pjesëmarrje, aq më efikase do të jetë demokracia e përfaqësimit.
Një tjetër politikë është e mundshme. Por do të marrë formë vetëm pas një periudhe indinjate dhe veprimi.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.