e premte, 30 nëntor 2012

Tranzicioni dhe (proto)demokracia shqiptare ne Ballkan

Prof .dr.Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 

  
 " Vetmia është më e mirë se shoqëria e keqe, ndërsa shoku i mirë është më i mirë se vetmia. Marrëveshja për të mirë është më e dobishme se heshtja, por heshtja megjithatë është më e mirë sesa marrëveshja për keq...”

   Fillet e procesit te tranzicionit dhe logjika e tij e veprimit social

Në shumicën vendeve të sotme që dolën nga sistemi etatist (e padyshim edhe ai vetëqeverisës) koncepti i tranzicionit është detyrimisht pothuajse termi me i përdorur dhe më i përfolur si nga diskurset politike, ashtu edhe ato ekonomike, sociale e domosdoshmërish edhe nga ato kulturore. Në këto diskurse na ka rastisë që ky termë nga njerëzit jo kompetent e do shtoja edhe sish tjerë më shumë përpëliten të fokusojnë interesimin e tyre ideologjikë, se sa vetë aktin e shpjegimit shkencor. P.sh. nga ekonomistët, na ka rënë shpesh të dëgjojmë se si përdorimi i këtij termi më shumë ndërlidhet me periudhën kaluese apo proceset transformuese që evidentohen me ardhjen e demokracisë në vendet dhe shtetet postsocialiste, ndërkaq nga politikanet te ndërlidhet me proceset e konsolidimit te pluralizmit, sundimit te ligjit, lirise se medieve, etj. Gjersa tek sociologët sa kam vënë re termi me tepër u adresohet fenomeneve dhe dukurive që zakonisht e përcjellin këtë gjendje të gjithëmbarshme sociale ku sfera e vlerave deviante konsistohet me tepër si pasojë se sa ndonjë shkak i vetë procesit ne fjale  që lind si nevojë dhe si aspiratë sociale, ekonomike e kulturore e një vendi apo shteti. 
Duke mos dashur të krijojë një distancë mediokrit me këtë dukuri më duhet t’i adresohem shpjegimeve të shumta sociologjike që lidhur me këtë proces kanë shkruar dhe kanë debatuar “pamëshirshëm” nga shumë këndvështrime. Pra, do t’i adresohem këndvështrimit të sociologjisë amerikane, nga e cila mund të kuptojmë shumë çka si nga specifikat ashtu edhe nga natyra e organizimit shoqërorë, pastaj vlerësimet e ekspertizat profesionale që dolën nga shoqëritë dhe shtetet që i kanë kaluar apo ende janë duke i kaluar “ethet” e këtij procesi.

  Tranzicioni shoqëror (social transition) si proces transformues

Atëherë, nëse dëshirojmë të japim ndonjë diagnozë të bazuar në përvojat e vendeve tjera padyshim që duhet të nisemi nga një fakt i thjesht, se me këtë proces nënkuptojmë para së gjithash kalimin apo dukurinë e transformimit prej një gjendje të caktuar apo një status quoje të caktuar sociale, pastaj sosh politike, ekonomike dhe gjithsesi kulturore, etj. në një gjendje tjetër të re dhe të panjohur gjerë më tani për atë vend apo shtet. Ky do të ishte një përkufizim i përgjithshëm dhe në vija të trasha për tranzicionin. Mirëpo, në ndërkohë në kuadër të këtij procesi të gjithëmbarshëm transformues shoqërorë, është interesant të identifikohen edhe disa procese tjera që në nënsisteme të këtij procesi ndodhin apo shfaqën varësisht nga specifikat dhe mentalitetet e shoqërive që e fillojnë dukurinë e ndryshimit. Kështu që secili vend apo shtet i udhëhequr sipas kësaj logjike dhe metodologjie tipike sociologjike, mund të themi se i nënshtrohet një formatizimi tjetër të “refuzimit” apo “pranimit” të vlerave të reja që i “ofron” procesi në fjalë. Mundë të ndodhë që vendet apo shtetet postsocialiste p.sh. që kishin një liri më të kufizuar (si ato staliniste) të shprehjes, mendimit dhe veprimit social të prodhojnë vështirësi nga më të ndryshmet, por mund të ndodhë edhe anasjelltas që vendet me një back graund më liberal këto vlera jo vetëm t’i pranojnë më lehtë, apo edhe t’i “përpijnë” siç po ndodhë tani rasti me shoqërinë shqiptare në të dy anët e kufirit! Një temë kjo tejet  interesante për t’u elaboruar

   Si e percepton sociologjia amerikane tranzicionin?

Në sociologjinë bashkëkohore amerikane, ky termë apo ky koncept përdoret kryesisht për të ilustruar vendet dhe shtetet të cilat akoma se kanë arritur stadin e një vendi apo shteti me plotësi i cili e fuqizon demokracinë neoliberale. Meqë, dilema e shprehur në përmbajtjen e këtij koncepti është esenca e të kuptuarit të vetë termit apo vetë dukurisë së ndodhur në shoqëritë e sipërpërmendura, atëherë kujtoj që me “faktin” Dirkemian të tranzicionit duhet të nënkuptojmë aludimin në ndryshimin e sistemit ekzistues totalitar, pra regjimeve jo demokratike që i shfrytëzuan të gjitha format e mundshme të eksploatimit të qytetarëve të tyre, në sisteme demokratike, ku: vlerat e pluralizmit, mediave të lira, sundimit të ligjit si edhe mënyrës së qeverisjes me njerëz ...janë dëshmitë e gjertanishme më të argumentuara  në kuptimin e implementimit në jetën praktike. Tani nëse kërkojmë ndonjë histori të kësaj dukurie atëherë padyshim duhet pajtuar që ky termë për herë të parë është përdorur për të shënuar raportet sociale dhe ato politike në Amerikën Latine e më pas në Evropën Jugore, e pas vitit 1989 edhe në Evropën e mesme, atë lindore dhe juglindore dhe në fund edhe në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor (që përfshinte kryesisht ish republikat jugosllave, tani shtete të pavarura pothuajse të gjitha me radhë).
Kur është fjala tek Ballkani Perëndimor, në shkrimet e mëhershme kemi theksuar që sociologjikisht dhe padyshim politikisht ky term tani në gjeostrategjinë dhe në demografinë oficiele rajonale dhe atë globale, përfshinë plus Shqipërinë e minus Sllovenin. Është kështu, edhe për shkak të shumë shkaqeve që tani s’është vendi dhe koha t’i elaborojmë, ngase adresimet pro et contra janë me bollëk në këtë drejtim.
Por karakteristikat më të prekshme që e fuqizojnë peshën dhe rëndësinë e këtij procesi padyshim që janë edhe ato që ndodhin apo të paktën kanë ndodhë në ish vendet postsocialiste (nuk po e përdori termin postkomuniste: shkaku se asnjë vend në bote s’ka qenë në fakt komunist) që në fakt ishin jodemokratike edhe me formë edhe me përmbajtje, e që kanë të bëjnë kryesisht me sferën e ekonomisë.

 Perceptimi sociologjikë mbi tranzicionin

Pra kalimi nga një formacion ekonomiko-politik(do e shtoja edhe atë ideologjikë) me një ekonomi tipike centraliste, së bashku me një ushtri partiake tejet monolite përmes centralizmit demokratik (siç e shquante p.sh. socializmi vetëqeverisës mënyrën e vendimmarrjes) në një ekonomi të tregut, ku përmes rregullave të reja të lojës: instalohet pluralizmi, prona private, ngritën kompanitë e reja të dalura nga logjika e konkurrencës që i menaxhon shteti në fillim, është një pistë e duhur shkencore sociologjike për të kuptuar më mirë perceptimin mbi trazicionin.
Kuptimi më i ndërlikuar apo edhe më kontrovers në fakt i tranzicionit, mund të elaborohet në rast se skalpeli i një sociologu të vëmendshëm do të mund të arrinte të zbulonte proceset e shndërrimeve të thella strukturore të proceseve nënsistemore. Pra, tyreve proceseve të cilat e ilustrojnë më së miri dhe më së qarti procesin e bartjes apo ndryshimit edhe të strukturave kompetente të sistemeve sociale, politike, ekonomike e sidomos atyre kulturore. Ndryshe, të kuptuarit është i mangët dhe si i tillë edhe mund të sjellë reperkusione të natyrës ideologjike dhe keqkuptime të ndryshme: si janë ai i improvizimit për gjëja ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve tipike demokratike, ashtu siq fitohet përshtypja e disa vendeve dhe shteteve të rajonit.
Gjithashtu, në këtë “erskuzion sociologjik” për këtë proces shumëdimensional duhet tërhequr vëmendjen edhe tek sjelljet e mentaliteteve të vjetra sociale, të cilat nga përvoja e vendeve të Evropës Lindore dhe të asaj Jugore, gjithnjë janë dëshmuar si një pengesë tejet serioze në konsolidimin e demokracisë dhe vlerave që i riprodhon ajo me aktin e instalimit në një vend postsocialist. Reperkusionet e dalura nga këto mentalitete sot janë bërë një ndër faktorët domethënës në pushtimin e hapësirave të reja që i ofron fenomeni i globalizimit dhe ai i integrimeve rajonale e globale.

Tranzicioni në Shqipëri më i dhembshëm

Përvoja na ka dëshmuar në këto vende (sidomos në ato tipike staliniste, ku edhe Shqipëria padyshim radhitet ndër to) se procesi i transformimit të aparatit shtetëror psh. nga një Leviatan “kompetent” për të ushtruar dhunë(ashtu e projektonte diskursi marksist këtë aparat) ndajë pjestarëve të vetë, në një servis publik për qytetarët e vendit ka qenë tejet i dhimbshëm dhe tejet i ngarkuar me stereotipi ideologjike. Gjë që ka bërë që edhe sot e kësaj dite, disa nga këto projeksione e stereotipi të shfaqën herë pas herë me dimensione camë të sofistikuara edhe në aulën e parlamentit shqiptar. Kjo dukuri e hijes së stereotipive ideologjike, pa mëdyshje mund të shpjegohet edhe si pasojë e mungesës së shkatërrimit definitiv të autoritetit totalitar dhe kujtojë kontestimit të proceseve zgjedhore së bashku me reformimet në nënsistemet e shprehura në fushat e ekonomisë, ato sociale dhe padyshim ato në sferën e kulturës. Edhe Kosova, në këtë drejtim do thosha s’bënë ndonjë përjashtim të theksuar.
Tranzicioni si akt dhe si veprim social, ekonomik e politik, pa dyshim që ka për mision dhe imperativ edhe përgatitjen e atyre vendeve dhe shteteve në minimizimin e faktorëve joekonomikë dhe atyre politik, në mënyrë që faktorët tjerë ekonomike dhe përgjithësisht ata ekonomik të jenë agjentë vendimtarë në krijimin e mirëqenies së qytetarëve të vetë.
Kësaj periudhe kalimtare gjithsesi i takon “merita” për vazhdimin e “bashkëjetesës” së mëtejmë me identitetin kombëtarë që kur të analizohet nga pozicioni ynë na del se kosovarët në mungesë të ndërtimit të identitetit shtetërorë, identitetin kombëtar e ndjejnë shumë më të natyrshëm dhe më të freskët se sa bie fjalë vendet dhe shtetet që në një mënyrë ishin “ngopë” me këtë nevojë!. Produkte tjera të kësaj periudhe padyshim janë edhe rritja e ksenofobisë, keqpërdorimet dhe korrupsioni në sferën e privatizimit që po i përcjellë të gjitha vendet me afera dhe skandale të ndryshme, si edhe ndryshimet thelbësore në sferën e shtresëzimit social (në ,mënyrë tërësisht të panatyrshme(!)për çka kemi tërhequr vërejtjen në shkrimet e mëhershme) që katapultuan një shtresë të re të pasurve në mënyrë jo meritore(!?), pra jo duke hy në një konkurrencë lojale me rregulla dhe parime të njohura  dhe të verifikuara nga përvoja e vendeve dhe shteteve me një traditë të gjatë demokratike.
Dukuria e tranzicionit meqë tani po kualifikohet dhe nënkuptohet si një periudhë kalimtare...sipas mendimit të shumicës së sociologëve merr fund, vetëm me krijimin e parakushteve për: medie të lira,  zgjedhjen e një qeverie të lirë demokratike, pastaj me ushtrimin e një pushteti ligjdhënës me formacione ekzekutive, si edhe detyrimisht me instalimin e një gjyqësori të lirë të pavarur nga politika dhe komplekset ideologjike të së kaluarës.

Protodemokracia Kosovare dhe demokracia si diktaturë e ligjit

Termi që më së shumti me gjysmë zëri shqiptohet në qarqet akademike, por jo edhe gjithaq në ato politike është padyshim ai i shquar dhe i identifikuar si  protodemokraci (proto-democracy). Termi në fjalë më së miri ilustron statusin: social, atë ekonomikë, e sidomos atë kulturorë të një vendi apo shteti që është në përpëlitje e sipër në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja demokratike. Pra, thënë më thjeshtë tentativa për t’i instaluar vlerat e reja jo vetëm në formë improvizimi ashtu siç zakonisht ndodhi apo të paktën po ndodhë në disa vende që janë duke përjetuar akoma“ethet” e kësaj periudhe, por edhe në përmbajtje dhe esencë të përvojës nga vendet me një traditë të dëshmuar demokratike perëndimore.
Këtë tip mund ta hasim në vendet e Evropës Lindore dhe ta asaj Jugore, por gjithsesi në këtë kuadër duke përfshirë edhe pjesën e Ballkanit Perëndimor, pra edhe neve si Kosovë. Do cekur që ani pse këto vende posedojnë atë“ikonografinë” e nevojshme institucionale siç janë: kuvendi, sistemi pluralist politik, pastaj bazën e qeverisjes përfaqësuese, së bashku me mekanizmat e organizimit të zgjedhjeve të lira, dhe procedurat gjyqësore, së bashku me korpusin e mediave të lira, ato prapëseprapë s'mund të themi se janë vende apo të paktën që akoma shquhen si vende në kuptimin e plotë demokratike. Themi s’janë demokratike, apo nuk na bindin se janë tamam tipike demokratike edhe për faktin se nuk përfaqësojnë akoma limitet e normave dhe të vlerave, pra parimet fundamentale të mundësive të barabarta të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe transparencës në shumicën e sferave të jetës shoqërore, politike, ekonomike e sociale. Pra shkurt, demokracinë si një diktaturë të ligjit që respektohet nga të gjithë, pa hetuar dallime: racore, etnike, ideologjike, fetare, gjinore, etj.

Demokracia në Kosovë akoma një synim

Kosovës, kur t'i shtojmë edhe mbikëqyrjen strikte nga ana e faktorit ndërkombëtar apo nga qendrat e vendosjes globale, kuptojmë se ideja e instalimit të demokracisë së mirëfilltë, në realitet është apo mbetet akoma vetëm një synim e dëshirë e qytetarëve të saj, edhe për faktin se shumicën e vendimeve të rëndësishme jo vetëm për sigurinë, gjyqësinë, pastaj rendin etj. , nuk i bien vetëm qeveritarët e zgjedhur me votën e lirë, por edhe qendrat tjera globale që janë duke e menaxhuar gjithë procesin e instalimit të këtij sistemi në këtë pjesë të rajonit.
Kështu që për rastin e Kosovës, për të ilustruar këtë lloj apo tip demokracisë, termë me adekuat se termi i protodemokracisë tani për tani unë nuk mund të themi se kemi. Kjo është e kuptueshme dhe kujtojë e pranueshme edhe për një arsye tjetër, se: Kosova, de facto dhe de jure në një mënyrë apo si shumica e vendeve të dalura nga ish sistemi postsocialist, nuk kishin ndonjë përvojë të gjatë dhe të theksuar (e për të mos thënë asfare) në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja demokratike.
Gjithashtu, duhet cekur që sot në shumicën e rasteve në diskurset politike, por edhe ato shkencore sociologjike mund të dëgjojmë edhe për terma tjerë ilustrativ për gjendjen dhe statusin sociale, politik, ekonomik e kulturor të vendeve  që kanë filluar të ndërtojnë apo i kanë përfunduar së ndërtuari institucionet e reja demokratike. Më së shpeshti nga kjo terminologji do shtoja përdorën termat dhe konceptet tashmë të njohur ndër qarqet akademike, si janë ato mbi një:  "demokraci të brishtë" , "demokraci të kontrolluar" , "demokraci të pakonsoliduar", "demokraci fillestare", “demokraci e tranzicionit”, demokraci pa “demokraci” , “demokraturë”...etj.


e enjte, 22 nëntor 2012

O BAJRAKTARË TË KOMBIT “KOSOVAR”- THIRRNE NDËRGJEGJEN!


Mustafë Krasniqi

Më lindi ideja për të shkruar pasi e lexova një shkrim të Halil Matoshit, i cili gjithnjë është përpjekur të jetë Halili i proceseve të reja në dëm të shqipes, si Migjen Kelmendi i cili madje synon të jetë baba i një të folme lokale dhe si pikë arritje ka për ta ngritur atë si një "gjuhë" të re kosovare, prandaj është fare e qartë se në shpirt e kishte dhe e ka Arship Pipën. Këta janë dy “udhërrëfyes” të periudhës së re, Halili i cili për pak ditë ka qëndruar në burg, e që as vetë nuk e di përse, tanimë “hero” i proceseve të reja, analist i shitur, por sipas tij i përkryer, ndërsa i dyti emocionalisht i qetë, figurativisht i zbërthyer, i pirur të jetë pasardhës i Arshi Pipës, apo baba i “gjuhës” së re kosovare. 
Duke e njohur njëmendësinë e këtyre dy mjeranëve nuk pata ndërmend që të merrem me ta, por duke ditur se nuk bën të heshtet kur duhet thënë gjërat, sidomos kur sulmohen dhe cenohen vlerat e shenjta kombëtare, t’u them të drejtën është edhe mëkat të mos ua thuash troç atyre, atë që meritojnë, sepse kombi shqiptar nuk është paçavure, për ta nëpërkëmbur dhe poshtëruar ata atë, dhe të luajnë me ndërgjegjen e tij, sepse për të mund të flasë vetëm ndërgjegjja e pastër dhe gjaku i dëshmorëve, e jo njerëzit që shiten për hiç gjë. Njollat që po ia shtojnë këtij kombi të lodhur, këta të mjerë e pikërisht në këto kohëra kur proceset evropiane kanë ecur përpara , disi kombin tonë, si gjithnjë, po e gjejnë të lodhur, duke u nisur edhe nga fakti se politika e sotme në të tëra viset shqiptare nuk shkon sipas vullnetit të popullit. 
Po ashtu është për të ardhur keq edhe për faktin se dy Akademitë tona, ( duke përjashtuar individët që janë me shpirt të përkushtuar), të cilat si institucione nuk kanë bërë asgjë për të jetësuar një strategji kombëtare për ribashkimin e kombit dhe të Atdheut, e drejtë kjo e pamohueshme e popullit shqiptar, por e nëpërkëmbur dhe e mohuar pa hezitim këto kohët e fundit nga politika shqiptare. 
Ndonëse kjo mospërgjegjësi e tyre, kombit tonë po i shkakton dhembje të madha, e që është duke pasur edhe synime të një shthurje kombëtare, meqë edhe po shihet, se fati i kombit ka mbetur në mëshirën e politikave të ditës dhe njerëzve të cilët kanë për qëllim të bëhen “rilindës” të rinj, apo “heronj” të rinj, siç ndodhi edhe me njëfarë Bekim Lumin i cili e hedh fjalorin e gjuhës shqipe si një leckë, ashtu sikurse edhe shprehet dhe vepron marrëzisht në një emision të RTK-ës, të udhëhequr nga Agron Krasniqi. Ndonëse të tillë ka mjaft që përpiqen përmes ndarjes së gjuhës, krijimit të shtetit të ri dhe flamurit të ri, të ndërrohet edhe identiteti ynë kombëtar. Këtë qellim të mbrapshtë Evropa dikur ka synuar ta bëjë përmes dhunës duke i dhënë dritën e gjelbër shovinizmit serbo-maqedono-malazez dhe atij grek. 
Por, duke parë se dhuna mbi të drejtën e kishte humbur peshën, e natyrisht vendosmëria e gjakut të pastër shqiptar për një ribashkim është e madhe e me rrezatim drejt jetësimit, politikanë dhe institucione të Evropës, godasin përmes një politike të re të zhveshjeve kombëtare duke e instaluar këtë brenda partive politike shqiptare dhe institucioneve ku përfaqësuesit e këtyre partive marrin pjesë dhe duke përçuar rryma konfuziteti për të krijuar kështu të çara të pariparushme në mes të kombit shqiptar, me qëllim që të mos zgjidhet ashtu siç duhet dhe natyrshëm çështja shqiptare. Ndonëse këtë turp kombi ynë s’do ta pranojë kurrë e megjithëkëtë politika e sotme e Tiranës dhe ajo e Prishtinës është duke lozur me këto karta të rrezikshme. 

Halil Matoshi thotë se : “Gjithçka që ata që thonë e shkruajnë për Kosovën si pjesë e Shqipërisë e aneksuar nga Serbia (më 1913-ën) është thjesht shmangie nga e vërteta historike, për më tepër nacionalizëm primitiv. Historiografi që mbështetet në mite nacionale”. 
Këtë mendim të Halilit e ka thënë dikur Vaso Çubralloviqi, apo në vazhdimësi politika serbe dhe nacionalizmi serbosllav, por jo, asnjëherë ndonjë shqiptar i pastër. Tani sipas Halilit, duhet ta ndërrojmë edhe identitetin ne shqiptarët në trojet e pushtuara nga shovinizmi maqedono-malazezo-serb dhe ai grek, t’u kërkojmë falje, e t’u themi se gjoja populli shqiptar ka luftuar për grabitje trojesh, e jo për mbrojtje, e siç kemi mësuar o Halil, ndërsa trojet tona janë tkurrur gjithnjë e po tkurren edhe në kohën tonë madje. Për këtë kanë dokumentuar shumë historianë, madje-madje edhe shumë luftëra janë bërë, mund të themi pahezitim se edhe lufta e fundit e UÇK-ës është bërë për t’ju rikthyer shtetit shqiptar këto troje, për t`u bërë Shqipëria e bashkuar natyrshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës, në qoftë se do të nënkuptohej si hapi i fundit, pa qëllim drejt ribashkimit me trojet të tjera shqiptare dhe flamuri i saj i çoroditur është një goditje e rëndë për vetë Kosovën, për shqiptarët nën Maqedoninë, për ata nën Serbinë për Çamërinë dhe për malësorët e Tuzit e shqiptarët të tjerë nën pushtimin malazez, që po trajtohen këto ditë barbarisht nga hegjemonizmi shovinist i Malit të Zi, pra një goditje e shëmtuar për të tërë Shqipërinë. 
Duke mos u futur shumë në historiografi vetëm në tri dekadat para nesh po ndalemi, kur baca ynë, nga burgu, Adem Demaçi e filozofi dhe mendimtari i ndritur si dhe njeriu i sakrificës, profesori i nderit dhe heroi i kombit Ukshin Hoti mbronte tezën dhe arsyen pse Kosova meriton të bashkohet, ndërsa Qosja i madh fliste se rrugë tjetër nuk ka përveç bashkimit, e në këtë kuptim edhe Kadareja, Dritëroi e shumë të tjerë kanë dëshmuar se bashkimi nuk është vetëm dëshirë, por edhe realitet që flet vetë, që nuk do mend për ta kuptuar shkëlqimin e fjalës shqipe të historisë kombëtare, sepse vetë Kosova dhe trojet shqiptare të pushtuara nga sllavo- grekët janë pjesë të Shqipërisë së natyrshme. Prandaj ç`të keqe ka Halilo që Shqipëria e tërë të funksionojë si një shtet i vetëm?! 
Atëherë sipas teje, o Halil Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Krujës dhe luftërat e shumta për bashkimin e trojeve shqiptare paskan qenë të gabuara !? Për ty o Halil historia shqiptare nuk njohka Shqipërinë e bashkuar dhe qenka e gabuar ajo që thuhet se më 1913 Shqipërisë ju kanë shkëputur troje shqiptare, ndërsa për këtë sakatosje më së miri flet Ismail Qemaili, pushka e Dodë Gjon Lulit dhe e Adem Jasharit dhe e shumë të tjerëve. 
Ndonëse sipas teje qenka tradhti të kërkosh që të bashkohesh me shtetin amë, edhe pse për shumë kohë pushtuesit egërsisht na ndanë, për ju përpjekjet shekullore të shqiptarëve për t`u bashkuar paskan qenë të gabuara, idetë e mendimtarëve shqiptarë e historianëve dhe popullit për ribashkim kombëtar qenkan një nacionalizëm naiv, për ju gjaku i dëshmorëve dhe i heronjve dhe lufta e tyre për një komb e një gjuhë qenkan të gabuara dhe naive? Tani nuk mund të të mos them se po shkelni mbi vlerat kombëtare qëllimisht, por kështu nuk mund të bëni emër o Halil! 
Ndoshta zotëri sipas jush ne u dashka të pajtohemi me faktin e ri të tmerrshëm, me ndërrimin e flamurit, të pajtohemi që ta flakim ditën e flamurit, 28 nëntorin, që më ajo të mos festohej tek ne, si një datë historike, të heqim dorë nga e drejta jonë për t’u ribashkuar! 
Sipas Migjen Kelmendit e Bekim Lumit e ndonjë e ndonjë mendje çorodituri si ata gjuha letrare, standarde me të cilën jemi edukuar që nga zanafilla e deri më tani, qenka një gjuhë që s’paska vlerë, sepse sipas Bekim Lumit kjo gjuhë na qenka e partizanëve të saj, atëherë me ç`gjuhë na qenke arsimuar zotrote?!. 
O z.Halil Matoshin dhe o ju bashkëmendimtar të tij lexojeni historinë dhe veprat e Arif Matit me origjinë shqiptare i lindur në Kajroi, ku mbi 30 vjet iu kishte përkushtuar çështjes së origjinës shqiptar. Madje ky hulumtues shkencore  më qasje të vëmendshme në dokumente historike, arkeologjike, antropologjike, dhe gjuhësi arriti ta finalizoi punën e tij me dy botime shkencore "Shqipëria - Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen", si dhe libri tjetër "Mikenët Pellazgët - Greqia ose zgjidhja e një enigme"! që dëshmojë para botës se vjedhësit e historisë manipuluan për shumë shekuj me origjinën e tyre, me këtë zoti Halil ky studiues e shkencëtar i tregoi botës se vërtetë jemi një trung ilir me rrënjë të thella në Pellazgji, mbase edhe e i doli hirra-thënie e popullit- sipër Greqisë fashiste, e sa po duket edhe në mesin e Shqipërisë Etnike po i del hirra sipër tipave të tu o Halil!
   Me të parë këtë njeri të çoroditur me të njëjtën gjuhë pata reaguar edhe dy vite më parë, dhe sot i them mos futë përçarje dyshime tek ata njerëz që i ke ushqyer me filozofin tuaj të mykur dhe antikombëtare, se një ditë do të pendohet edhe pasardhësi i juaj. Kthehu e shikoje diellin, tokën mëmë Shqipëri anë e këndë se si po valëvitej gjaku i Arbrit në flamurin e tij dy krenare, se si janë ngritur zemrat peshë të shqiptarëve anë e këndë botës, presin këtë ditë me lotë gëzimi. Zotrote pendohu dhe bashkoju këtij gëzimi, kësaj feste të madhe për shqiptarët, Shqipërinë Etnike, sepse “zoti e ka  thënë me gojën e vet se shqiptarët të jenë të bashkuar”. Z. Halil je një grimcë e vogël dhe besoi se vetëm e poshtëron vetën, në as një mënyrë nuk mund ta injorosh tërë një komb, të paktën një popull që ka rrënjët e thella që nga pellazgët, ju dhe bashkëmendimtarët tuaj e dinë mirë se gjatë këtyre shekujve,viteve është zhvillua lufta politike dhe ajo e Armatosur për një Shqipëri të Bashkuar, Shqipërinë Etnike . E siç thotë edhe miku im, publicistit Faik Krasniqit:- “Ne jemi pellazgë, arbër dhe shqiptarë qoftë në kufijtë e shtetit që quhet sot Shqipëri, qoftë në kufijtë e shtetit që quhet sot Kosovë (Dardani) apo Maqedoni (Arbëri), Mali i Zi (Malësi) e Serbi, jemi Shqiptarë edhe në kufijtë e shtetit grek (edhe pse ata e mohojnë) dhe si përfundim jemi Shqiptarë kudo që ndodhemi nga Evropa në SHBA. Jo vetëm ne por dhe bijtë e bimëve tanë do të jenë SHQIPTAR, siç janë dhe sot e kësaj dite kudo nëpër Botë”. 
  Zotrote heq dorë nga ideja e përçarjes, ndarjes dhe e Kosovarizmit, se ndërgjegjja e pastër shqiptare na thotë, se nuk ka ndarje kombëtare toskë e gegë, ndërsa ju “mendjendriturit” e shitur e të çoroditur jo vetëm bëni ndarje në toskë e në gegë po edhe më shumë si popull shqiptar e kosovar, tjetërsim flamuri e tjetërsim datash historike,etj. Ndërsa këto janë thikë pas kurrizit. 
Thirre ndërgjegjen o bajraktar të kombit ”kosovar”, se përpos kombit shqiptar nuk mund të ketë komb tjetër nga shqiptarët, ata që nuk e ndien vetën të rehatshëm me këtë shenjtërim që e ka pagëzuar Zoti me emrin  shqiptar, le të heshtin e të mos bëhen barrë e turpit për pasardhësit e tyre, se  kështu nuk do të krijoni emër, por do të krijoni vetëm çoroditje. Këtë nuk ua ka borxh kombi as gjuha e bukur shqipe. Ruhuni nga mallkimi, të mos iu mallkojë mundi e gjaku i derdhur për këtë komb e për këtë gjuhë të bukur shqipe, se dikur do t`ju dridhet toka nën këmbë.
Të gjithë në Vlorën e bukur, të gjithë për Shqipërinë e Bashkuar, Shqipërinë Etnike!


e martë, 20 nëntor 2012

Ta festojmë 100 vjetori me pa ndasi politike


Xhuliana Begu

Një përvjetor  shumë i rëndësishëm për Shqipërinë e shqiptarët po afron. Pak ditë na ndajnë nga festa më e madhe e shqiptarëve: 100 vjetori i pavarësisë tonë, i Shqipërisë sonë. Në këto ditë të vjen natyrshëm një gëzim për Atdheun, e njëkohësisht ndjen një dëshpërim për gjendjen e tanishme.
Megjithatë festohet, kujtohen e nderohen të gjithë ata atdhetarë që bënë të mundur pavarësinë, e të gjithë ata burra e trima që luftuan për mëmëdhenë e tyre. Për këtë Shqipëri luftuan pafund patriotë që ta mbanin gjallë, me njërën dorë penën e me tjetrën pushkën, Shqipëria arriti t’u shpëtojë kthetrave të fqinjëve të cilët e donin të ndarë plotësisht.
Atmosfera e festes e ka mbështjellë Shqipërinë që prej fillimit të këtij viti, e veçanërisht në këtë muaj. Jemi në një 100 vjetor ku të gjithë festojnë! Duke nisur që nga nxënësit e shkollave, studentët, tregtarët, shitësit ambulantë. Festojnë shtëpitë e festojnë shkollat.
Jemi ne shqiptarët që po festojmë! Po çfarë vallë? Jemi krenarë që kemi patur 100 vjet pavarësi apo po kaq vite shtet? A e dimë ne ç’po festojmë? Më mirë pse duhet të festojmë? Rëndësi ka që të festojmë!
Festojmë arritjet e këtyre 100 viteve. Festojmë që kemi gjysmën e tokave jashtë, festojmë që kemi drita dhe ujë (?). Festojmë që rrugët janë shtruar e lëvizim më shpejt, festojmë hyrjen në NATO, festojmë hapat e rëndësishëm të bëra në kuadrin e integrimit europian, festojmë rritjen e çmimeve, festojmë kudo! Festojmë në kafene, në ballkone, në rrugë, kudo ka festë. Kryefjala e këtij muaji: Festa!
Po mirë që festojmë, e kemi pavarësinë. Jemi shtet dhe kemi një popull që e meriton të festojë në këto ditë. Me rastin e 100-vjetorit çdo familje shqiptare është ftuar të vendosë  flamurin Kuq e Zi në ballkon, dritare, çati. E ndërsa i janë përgjigjur thirrjes, nëpër pallate vëren tek-tuk ndonjë flamur. Vihet re një mungesë e theksuar e flamujve, por një shtim i pamasë i shitësve të flamujve. E ndërsa mendoj pse nuk ka flamuj në disa shtëpi, ndoshta nuk janë patriotë. Kjo nuk mund të qëndrojë pasi në këtë atmosferë të tillë nuk mund t’i shpëtosh dëshirës e dashurisë për atdheun.
Nuk kanë patur mundësi t’i blejnë, prania e shitësve tregon të kundërtën. Më mbetet dhe një arsye tjetër: Flamurin do ta vënë më 28, me siguri ka nga ata që i lënë punët për ditën e “fundit”. Fjala e dytë më e dëgjuar: Flamuri!
Ka dhe diçka tjetër që  të bën përshtypje në këtë 100 vjetor. Rivaliteti mes qyteteve, ku do të kalohet 28-ta? Ka disa qytete në garë që kryesohen nga Vlora e Tirana. Ka mendime të tjera  që qyteti ku të kalohet festa të jetë Prizreni, e një opsion tjetër dhe domethënës është Morina.
Një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë do të udhëtojnë drejt këtyre qyteteve për të festuar me bashkëkombësit e tyre, e një pjesë tjetër do të mbetet në qytetin e tyre, sërish duke gjetur një mënyrë për ta kaluar sa më bukur këtë ditë. Të gjithë do festojnë, me të vërtetë gëzim!
 E të gjithë do festojnë nën ngjyrat e një flamuri. Besoj që kjo është më e rëndësishmja. Të gjithë shqiptarët që nga Mitrovica e në Çamëri do të vishen kuq e zi. Nuk duhet të ketë ndasi partiake, jo për këtë ditë.


e hënë, 19 nëntor 2012

Daci: Politikanët në Maqedoni kanë vendosur interesat e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve

Daci: Politikanët në Maqedoni kanë vendosur interesat e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve

Sekretari për Arsim i Aleancës Kuq e Zi, Alban Daci në intervistë ekskluzive për portalin Express.mk, ka sqaruar pozitën politike të këtij subjekti në skenën politike të Shqipërisë, politikat mbarëkombëtare dhe të bashkimit. Duke u ndalur te shqiptarët e Maqedonisë ai konsideron se nuk duhen kaq shumë parti shqiptare në Maqedoni, por duhet një front i përbashkët.


Destan Jonuzi

ExPress.mk: AK ka filluar të jetë në qendër të polemikave mes të majtës dhe të djathtës. Berisha dhe Rama po replikojnë për ju?
A.Daci: Ç’është e vërteta Aleanca Kuq e Zi lindi si një domosdoshmëri e kohës, si një aleancë me qytetarin. Aleanca Kuq e Zi ka sjellë risi shumë të rëndësishme në politikën shqiptare si: jo më shumë se dy mandate në të gjithat nivelet e ekzekutivit dhe në drejtimet e lidershipëve te partive politike, zgjedhjen e gjykatësve nga populli dhe futjen e rolit te jurisë në vendimmarrje. Duke qenë se Aleanca Kuq e Zi është për një politikë të re dhe të ndryshme nga e vjetra është krejt e arsyeshme që dy partitë e vjetra që kanë mbi supe përgjegjësitë e 22 viteve tranzicion do të replikon. Fakti se Berisha e Rama replikojnë mbi Aleancën Kuq e Zi do të thotë se kjo e fundit është faktor politik, ku në gjirin e saj ka më shumë se 220 mijë të anëtarësuar.
ExPress.mk: Megjithatë këto 22 vjet elektorati është përcaktuar mes të majtës dhe të djathtës. Ç’fare janë ata që ju mbushin sallat për veçse patriot. A kanë ata një përcaktim politik?
A.Daci: Së pari duhet të theksojmë se sot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Perëndim ndarja mes të Majtës dhe të Djathtës është bërë aq e hollë sa është thuajse e pamundur me bërë dallimin. Megjithatë në rastin e Shqipërisë nuk kemi ndarje ideologjike në të Majtë dhe të Djathtë, por kemi grupe personash të cilët zëvendësojnë fytyrat e njëri-tjetrit pa sjell asgjë të re, por thjeshtë korrupsion, keqqeverisje si dhe politika antikombëtare. Aktivistët dhe mbështetësit e Aleancës Kuq e Zi nuk janë vetëm patriot, por janë qytetarë të ndershëm që vijnë nga familjet më fisnike që kanë derdhur gjakun e tyre për Shqipërinë tonë. Janë njerëz që e duan Bashkimin Kombëtar, që i duan shqiptarët krenar dhe respektuar në rajon. Janë njerëz që duan që shqiptarët të jetojnë në një sistem politik që garanton sistemin demokratik të qeverisjes dhe sistemin miks të ekonomisë, atë të ngjashëm me modelet që aplikojnë vendet nordike. Ata që mbështesin Aleancës Kuq e Zi janë qytetarët që e duan dhe besojnë në ndryshimin e madh të 2013, ku Shqipëria do të bëhet dhe do të bëhet vetëm Kuq e Zi.
ExPress.mk: Ju jeni një parti me theks nacionalist, por çuditërisht nuk keni shumë sulme nga Perëndimi, siç pritej në fillim. Ç’fare ka ndodhur?
A.Daci: Së pari duhet të theksojmë se Aleanca Kuq e Zi është më shumë se një parti klasike, ajo është një Lëvizje Mbarë Kombëtare, e cila për herë të parë në historinë politike shqiptare ka shtrirjen e saj edhe përtej kufijve aktual të Shqipëris, në të gjitha trojet etnike shqiptare si edhe në Diasporë. Së dyti në mënyrë reciproke të gjitha trojet shqiptare dhe Diaspora kanë përfaqësuesit e tyre në strukturat më të larta të Aleancës Kuq e Zi. Ne nuk jemi dhe nuk konsiderohemi në mënyrë klasike një parti nacionaliste. Ne jemi parti me orientim e filozofi patriotike-demokratike. Patriotizmi gjen mbështetjen më të mirë tek demokracia dhe vetë demokracia nuk do të kishte kuptim pa patriotizmin. Mjafton të shikojmë se patriotizmi është vlera më e lartë që mban SHBA si shtetin më demokratik dhe më krenar në Botë. Pastaj Aleanca Kuq e Zi është krejt në të njëjtën  linjë me SHBA, sepse ajo kërkon e mbështetet tek principi i Vetëvendosjes, i cili është krijuar për herë të parë pikërisht nga presidenti Wilson dhe më vonë bëhet një ndër principet më të rëndësishme të të Drejtës Ndërkombëtare. Gjithashtu ashtu si SHBA, Aleanca Kuq e Zi kërkon dhe insiston në demokratizimin e vendit, sepse demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.
ExPress.mk: Duket sikur i keni ndarë demokratët në pro serb dhe socialistët në pro grek?
A.Daci: Nuk është aspak e vërtetë se ne kemi bërë ndarjen në serb e grek sipas bindjeve politike. Ne kemi thënë e kemi dëshmuar se në këto 22 vite Shqipëria është qeverisur nga tradhtar që e kanë shkatërruar këtë vend dhe nuk po lënë burim nën tokësor e mbi tokësor pa shitur. Përgjegjëse kryesore në vitet e fundit për akte tradhtie bie pikërisht mbi PD që është edhe Pozita, e cila me paturpësinë më të madhe deshi t’i fal Greqisë qindra kilometra platformë detare.
ExPress.mk: A keni të njëjtin mendim dhe për bizneset turke në Shqipëri?
A.Daci: Nuk e kuptoj për car e keni fjalën. Mendoj se është pa vend një krahasim i tillë.

ExPress.mk: A po mendoni për aleanca para zgjedhore apo pas zgjedhore, apo ende herët?
A.Daci: Aleanca Kuq e Zi është krijuar për të qenë një aleancë me qytetarët dhe për të vendosur Atdheun mbi gjithçka. Megjithatë, në lidhje me politikat dhe aleancat janë forumet drejtuese të Aleancës Kuq e Zi që do të vendosin.  Çdo vendim i marrë do të jetë në shërbim dhe në interesat e qytetarëve.
ExPress.mk: Subjekte politike dhe jopolitike në Kosovë  angazhohen për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. A e mbështetni ju këtë ide?
A.Daci: Aleanca Kuq e Zi është parti e parë politikë që në këto 100 Pavarësi e ka shkruar si e zeza mbi të bardhën në programin e saj politik çështjen e Bashkimit Kombëtar. Shqiptarët duhet të bashkohen në diçka më të madhe se sa vetë Shqipëria. Unë, sot njoh vetëm dy forca politike që mbështesin hapur Bashkimin Kombëtar, Aleancën Kuq e Zi dhe Vetëvendosjen. Aleanca Kuq e Zi me datë 28 Nëntor do të jetë në Morinë për të shembur murin virtual që ndan shqiptarët me shqiptarët. Ky do të jetë Nëntori i tretë i Bashkimit. Me datë 28 Nëntor shqiptarët e Kosovës do të kalojnë në këmbë kufirin absurd për të festuar pastaj me vëllezërit e tyre 100 Vjetorin e Pavarësisë.
ExPress.mk: Nëse realizohet kjo atëherë ç’fare ndodh me shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës etj. Integrimi i tyre parashikohet me dhënien e pasaportave dhe shtetësisë së Shqipërisë. A e mbështetni edhe këtë ide?
A.Daci: Ne kemi qenë të parët që kemi hedhur idenë dhe e kemi mbështetur fuqishëm idenë: Një komb, një Gjuhë, një Flamur dhe një Pasaportë. Mendoj se procesi i Bashkimit të Shqiptarët është i pandalshëm dhe nuk duhet të ketë lidhje dhe pritje me proceset e tjera të integrimit të kontinentit. Bashkimi i shqiptarëve është një e drejtë hyjnore dhe ligjore. 
ExPress.mk: Cili do ishte vlerësimi juaj për eksponentët politikë shqiptar në Maqedoni si: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani?
A.Daci: Që ato kanë vendosur interesat e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve. Shqiptarët atje vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira ekonomike, të diskriminuar dhe të shtypur. Gjithashtu vazhdojnë të mos quhen shtet-formues siç e meritojnë. Nuk duhen kaq shumë parti shqiptare në Maqedoni, por duhet një front i përbashkët. Aleanca Kuq e Zi dega në Maqedoni vetëm pak javë më parë në Shkup propozoj linjën e saj: Një front i përbashkët për të mirën e shqiptarëve.

e shtunë, 17 nëntor 2012

Në errësirë ishim e në errësirë jemi

Alban Daci

Në Shqipëri duket sikur ka një prirje ciklike për t’u përsëritur ngjarjet dhe fenomenet. Me çdo ndryshim që ndodh duket sikur ndryshojnë edhe gjërat e fenomenet, po pa kaluar shumë kohë situata rikthehet edhe njëherë si në fillim e në fund asgjë nuk ndryshon. Në vitin 2005 qeveria e re që erdhi në pushtet, Shqipërinë e gjeti në një errësirë të plotë për shkak të krizës dhe të keqmenaxhimit të energjisë elektrike. Shqipëria e vitit 2005 ishte e varfër, e zhytur në korrupsion e kishte mbetur në vend numëro për sa i përket çështjes së integrimit në zonën euro-atlantike Qeveria e re erdhi në pushtet me moton e “duarve të pastra”, e luftës me pa kompromis kundër krimit të organizuar, me premtimin për 24 orë drita dhe uji. Ç’është e vërteta në vazhdim të viteve 2005, 2006 dhe 2007 vendi njohu një far zhvillimi dhe procesi . Disa banda të rrezikshme dhe të njohura u arrestuan dhe u burgosën, kufizimet e energjisë elektrike dhe të furnizimit me uji energjike u zvogëluan. Gjithashtu, u bënë reforma të rëndësishme edhe ne sistemin e drejtësisë. Këto hapa të rëndësishëm ndihmuan që Shqipëria të ecte përpara edhe në procesin e integrimit në zonën euro-atlantike. Për këtë arsye shqiptarët filluan më në fund të buzëqeshnin dhe të ishin optimistë për të ardhmen. Për fa të keq optimizmi i tyre ishte i shkurtër dhe zhgënjyes. Shpejt ndodhi ajo që kishte ndodhur gjithmonë në vendin tonë. Në Shqipëri sapo duket sikur gjithçka po shkon mirë, në mënyrë krejt të paqartë gjërat kthehen edhe njëherë si më parë. Kam shkruar më parë se proceset e zhvillimit në Shqipëri si në fushën politike, ekonomike dhe sociale bëhen sipas formulës “një hap para e dy mbrapa”. Ngjarjet që vijuan më vonë si Gërdeci, 21 janari, filmimi i ish kryeministrit me një nga ministrat e tij për afera korruptive u rikujtuan shqiptarëve, se ndryshimi është thuajse i pamundur. Shqiptarët në mënyrë të vetëdijshme u futën përsëri në llogoren e pesimizmit . Problemet reale në vend filluan pas vitit 2009 më të ashtuquajtur “koalicionin e integrimit”, i cili për hir të vërtetës vetëm i tillë nuk mund të konsiderohet. Një ndër politikat kryesore të këtij koalicioni ishte edhe procesi i koncesioneve, ku shumë burime të rëndësishme të makroekonomisë shqiptare duke ndjekur procedura jo transparente dhe duke përkrahur interesa të ngushta klanore u shitën. Në këtë proces u fut edhe sistemi i energjetikës dhe ai i minierave. Këto dy sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare u lanë të administrohen nga kompani private. Sot në vend që të ishin bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre dy sektorëve, janë bëra hapa të mëdha në kthimin dhe degjenerimin e situatës. Sot miniera e Bulqizës, me një burim dhe rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike ndodhet në ditë më të vështira të saj. Kjo për faktin se kompania private, nuk ka bërë asnjë investim të ri për të hapur sektor të ri shfrytëzimi si dhe nuk ka bërë investime për të përmisuar kushtet e punës së minatorëve. Gjithashtu edhe situata energjetike në Shqipëri është pranë një kolapsi të vërtetë. Kjo po ndodh për faktin se kompania CEZ ka ndjekur metodën e hajdutit të pa identifikuar. Duke qenë se kjo kompani nuk kishte një politikë korrekte në mbledhjen e faturave si dhe faktin se investimet e saj të bëra në rrjet janë shumë të vogla ose të papërfillshme, qytetarët humbën besimin duke preferuar të mos paguajnë. Kemi plot raste që shumë familje paguanin rregullisht energjinë elektrike, derisa erdhi CEZ dhe filloi të vinte fatura të çmendura dhe absurde si për nga sasia e konsumimit të energjisë elektrike ashtu edhe për nga realiteti ekonomik i familjeve shqiptare. Para se një qeveri të kërkoi të vendos standarde të reja, duhet të studioi situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të tij. Shqipëria është një vend totalisht i prapambetur për sa u përket sistemeve të ngrohjes nëpër shpi dhe të burimeve që mund të shfrytëzohen për të gatuar. Në Shqipëri mungon sistemi i gazit që çdo vend perëndimor e ka. Pallatet e vjetra dhe të rejat që ndërtohen nuk kanë asnjë sistem të përbashkët ngrohje. Mund të duket qesharake për një perëndimor, por në Shqipëri nuk mungojnë rastet, kur personat blejnë bombolat e mbushura me gaz të lëngshëm dhe i ngjitin në katin e gjashtë në shpinë. Shumica e pallateve të ndërtuara para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 nuk plotësojnë as standardet minimale. Një fenomen tjetër që ka ndodhur nga 2005 deri sot është edhe rritja me 100% të çmimit të energjisë elektrike. Shqipëria është një vend me burime të mëdha hidrike dhe një prodhuese e rëndësishme e energjisë elektrikë. Për këtë arsyeje nuk e shpjegoj dot rritjen e çmimit. Gjithashtu sipas ligjeve të ekonomisë rritja e çmimit të një shërbimi duhet të përkthehet me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. Nisur nga ky fakt, rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është përkthyer në përmisimin e furnizimit me energji elektrike. Duke u nisur nga fakti se energjia elektrike është burimi i vetëm dhe absolut i konsumimit të qytetarëve, çmimi i saj nuk duhet të jetë lartë, sepse konsumimi i saj është vlerat maksimale. Gjithashtu për shkak edhe të situatës ekonomike të rënduar që ndodhen familjet shqiptare nuk duhet të ndodhte kjo rritje e çmimit. CEZ në politikën e saj të fundit për të mbuluar falimentimin dhe dështimin e saj ka vendosur të ndaloi furnizimin me energji elektrike edhe të stacioneve të pompave që përdoren për të furnizuar me uji të pijshëm familjarët. Gjithashtu, po vetë ambasada e SHBA sipas një njoftimi të bërë njoftonte qytetarët e saj se në Shqipëri mund të ketë revolta të qytetarëve për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike dhe uji të pijshëm. Është absurde apo jo, reale apo jo, ne u rikthyem përsëri në vitin zero, aty ku e nisem me pa drita dhe pa uji të pijshëm. Pra, kaluan tetë vite nga 2005 dhe asgjë nuk ndryshoj. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë si në mesjetë, ku ju mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Atëherë, ky është momenti decisivë për të reflektuar se çfarë po ndodh me ne shqiptarët. Pse ne jemi të destinuar të vazhdojmë në jetën tonë me formulën “një hap para e dy mbrapa”? Shqiptarët duhet të kërkojnë alternativa të reja përfaqësimi dhe qeverisje. Dy modelet e vjetra tashmë të përfaqësimit dhe të qeverisjes, e Djathta dhe Majta, nuk kanë sjellë asgjë të re dhe nuk kanë garantuar asnjë zhvillim dhe përparim të rëndësishëm të kushteve të jetesës së qytetarëve. Qytetarët duhet të reagojnë për jetën dhe kushtet ku zhvillohet ajo. Në një demokraci, ku qytetarët nuk reagojnë për të drejtat e tyre legjitime, ajo është false dhe nuk garanton një proces pozitiv në zhvillimet e më tejshme. Shqiptarët deri sot, për fat të keq kanë qenë tamam ‘një tufë delesh” që thjeshtë kanë ndjekur instinktet e politikes dhe nuk kanë ndikuar në transformimet dhe proceset e saj. Pra, shqiptarët deri më sot kanë qenë thjeshtë konsumator të një politike që nuk i ka përfaqësuar dhe jo protagonist të saj. Sot më shumë se kurrë ka ardhur momenti që qytetarët shqiptarë të jenë jo vetëm konsumator, por edhe protagonist të një model të ri politik, i cili do të përfaqësonte interesat e tyre dhe do të orientohej në kahun e kërkesave që ato kanë. Nëse shqiptarët pas 22 vjet tranzicion nuk reagojnë duke e kuptuar politikën si një art qeverisje, administrimi në shërbim të mirës së përbashkët dhe komunitar, rrezikojnë të hyjnë në sokakun e një errësire të madhe. Politika e vjetër erdhi me errësirë e po largohet në errësirë. Ka ardhur momenti i lindjes të një shkëndije të re, me plotë shpresë dhe guxim për të ardhmen. Ky guximin duhet të jetë një shumatore e gufimeve kolektive që ka një qëllim të përbashkët, jetën qytetare e komunitare, ku interesat e secilit janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe vihen në shërbimin e komunitetit.

Bashkimi i kombëtar, i shenjtë në këtë përvjetor historik


Qerim PLLANA


Bashkimi koherent krijon siguri kombëtare, ekonomike, politikë, strategji dhe siguri të stabilizuar dhe shumë të qëndrueshme, zhvillim shumë më të shpejtë ekonomik, arsimor, kulturor. Siguri të asaj që do të prodhohej e këmbehej me botën përreth dhe më gjerë. Fqinjësi të sigurt, paqe dhe bashkëpunim në sferat e shkëmbimeve reciproke tregtare, ideve dhe këmbimit jashtë-hegjemonist pa pretendime territoresh, apo pjesë tokash e detesh të huaja. Duke u nisur nga e kaluara kolonialiste, hegjemoniste serbo-turke, greke, malazeze bullgare etj, përparësitë e tjera të ribashkim-bashkimit, janë shfrytëzimet shumë më efikase të begative natyrore: deteve, lumenjve, pyjeve, pyllëzimit, rrugëve dhe tokës së lënë djerrë në të katër anët e hapësirës kombëtare. Do të ketë zhvillim më të shpejtë të infrastrukturës rrugore, degëve të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, pylltarisë e pemëtarisë, bizneseve tjera të vogla, të mesme dhe të mëdha me interes kombëtar.
Do të kthehet truri i kombit bashkë me shumë emigrantë, pasuria e të cilëve do të investohet për interesin e djersës së tyre të derdhur në mërgim. Politika e shtrirë dhe e futur në mendjen e secilit për profit, do të zbehet, madje do të hiqen nga rendi i ditës luftërat për poste dhe pushtet politik. Qytetarët do t`i kthehen punës, jetës, frymës bashkuese ekonomike, demokratike, jetës kulturore, shumë më pak asaj politike. Pluralizmi do të ketë krejtësisht mënyra dhe konkurrenca tjera fare. Vendit do t`i mjaftojnë dy-tri, maksimumi pesë parti politike, të cilat do të organizonin politikë dhe pushtet të mirëfilltë kombëtar, pozitë-opozitë pa grindje, shamata, inate, pa fyerje, xhelozi, spekulime, nxitje naive nga reaksionarë vendor e të huaj. Bashkimi i kombit është i vetmi vizion real, social ekonomik, politik zgjedhor demokratik, social, arsimor, shëndetësor e kulturor.

Gara për pushtet, më e qëndrueshme dhe më atraktive 

Pozita e cila arrin të fitojë të drejtën e udhëheqjes të institucioneve shtetërore, qeverinë, legjislaturën, presidencën, avokatin, gjyqësorin, policinë, ushtrinë etj., do jetë më e denjë për respekt, e ndjekur këmba-këmbës nga një opozitë, e cila di çka të kërkojë me programe joshëse dhe më të denja sesa pozita, në mënyrë që në mandatin vijues të zgjedhjeve të ketë me çka të prezantohet para qytetarëve, votës së elektoratit, të cilin do të joshte vetëm me programe më atraktive, më të fuqishme, duke i parë dhe luftuar të metat, dobësitë dhe mandatin e pozitës. Prandaj, mund të themi lirisht se bashkimi i kombit shqiptar, popullit, rinisë dhe gjeneratave, do t`ua kthente optimizmin, erën e fuqishme të zhvillimit, lirisë e ecjes rrugës vertikale, në politikë, ekonomi, strategjinë diplomatike, mbrojte dhe siguri, përparim dhe zhvillim harmonik, ekonomik dhe demokratik të vendit. Atëherë: Cili shqiptar është ai, që s’e dëshiron atdheun e bashkuar, ribashkimin e kombit? Urimi më i dëshiruar në përfundim të një shekulli të okupuar, shpërndarë e të përçarë në një shtet fiktiv, është vetëm bashkimi i popullit të ndarë me luftëra të përgjakshme okupuese, qysh nga viti 1878-1881, 1913, 1945, kur Kosova etnike me Konferencën e Londrës më 30 korrik 1913 mbetet nën sundimin serb, malazez, bullgar dhe grek. As me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s`u rizgjodh fati i popullit shqiptar në mënyrë fatlume, ciç e deshën heronjtë, dëshmorët dhe martirët gjatë luftës së përgjakshme 2-vjeçare 1997-1999.
 
Me bashkimin e shqiptarëve pushon konflikti fqinjësor në Ballkan

Ëndrrat e shëmtuara për toka, dete, fusha e male, manastire e kisha autoktone ilire-shqiptare vazhdojnë! Vetëm bashkim-ribashkimi i kombit zgjidh çdo enigmë, çdo të ligë dhe çdo të keqe në gadishullin e trazuar, akoma të papushuar nga hegjemonizmi serbo-grekomadh me ushtrim të tiranisë policore, ushtarake ortodokse serbe mbi K. Lindore, Çamërinë nën Greqinë, Malësinë nën Malin e Zi, Plavë, Guci, Luginën e lumit Cem, Tivar, Ulqin, shqiptarët në Maqedoni etj. Kjo hapësirë historikisht dhe gjeografikisht pa (Shqipërinë Londineze), quhet Kosova Etnike. Prandaj, de jure dhe de fakto nuk është çliruar Kosova e vërtetë. Me Çlirimin e Kosovës sot është zgjidhur vetëm një pjesë e problematikës në gadishull. Çështja jetike e kombit shqiptar mbetet pezull pa u zgjidhur, përderisa s`arrihet bashkimi i trojeve të ndara nga pjesa e trungut etnik. Ribashkimi kombëtar imponohet duke qenë dialektikë, çështje tepër e çmueshme, madje nevojë tepër e ngutshme. Sepse, bashkimi sjell perspektiva të mëdha zhvillimesh të frytshme harmonike të paimagjinueshme ekonomike, socio-politike etj. Atëherë kush ka të drejtë që këtë rrugë idealesh ta ndalë, stopojë ose ta pengojë me shekuj, kinse për shkak se: “Do të hapet kutia e pandorës, do të zgjohen të tjerët”! Kush janë ata të tjerët?! Ky është një spekulim faktorësh evropianë bashkë me servilë të brendshëm turkoshakë, politikanë e udhëheqës vendorë! Çfarë të drejte juridike, ndërkombëtare moralo-historike kanë ata të tjerët, për t`i penguar shqiptarët në tokat e tyre natyrore për liri, bashkim dhe zhvillim kombëtar, qetësi dhe përparim ekonomik, politik, diplomatik, kulturor dhe historik!? Ata të cilët i theksojnë këto intriga janë demagogë, qoftë të jashtëm, (aq më të shëmtuar dalin të jenë ideatorët vendorë), çdo shqiptar i ngjizur me ide reaksionare antikombëtare.
Si do të duket rregullimi përfaqësues shoqëror

Shteti i ardhshëm shqiptar nuk duhet të jetë kopje e çdokujt, veçse i demokracisë parlamentare apo presidenciale. Shqipëria duhet të ndërtohet vetëm mbi baza unike të të gjitha krahinave me status të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë sa më parë valutën me Bankën e përbashkët Kombëtare. Ndërkaq, rregullimi i brendshëm kushtetues sistemor-zgjedhor-republikë laike parlamentare, monarki apo republikë presidenciale, zgjidhet me marrëveshje me njërën nga pesë demokracitë e sistemit demokratik presidencial, apo parlamentaro-republikan, ku qytetarët do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në sistemin delegues, duke u mbështetur në parimet një votë një kandidat dhe në numër më të madh të deleguesve. Vendi duhet të përfaqësohet në mënyrë profesionale në legjislaturë, ekzekutiv, gjyqësor etj. Me një Asamble Kushtetuese Kuvenduese. Administrimi shtetëror mbështetet në baza kombëtare qytetare, duke u përfshirë grupet minore, komunitetet etj, siç janë respektuar në të gjitha fazat sistemore të shtetit shqiptar njëqind-vjeçar. Presidenca mund të ketë karakter përfaqësimi në formë rrotacioni me mandat tre ose pesë vjet, duke u përfaqësuar krahinat dhe viset e ndara me dhunë nga ish-okupuesit. Administrimi i brendshëm shtetëror rregullohet në prefektura, bashki e komuna, siç zbatohet aktualisht në Shqipëri. Presidenti zgjidhet me referendum popullor. 

E them me plot bindje shkencore, dialektike dhe praktike, se bashkimi kombëtar sjell lirinë, qetësinë, rehatinë dhe demokracinë në vend. Pushojnë luftërat dhe konfliktet qindvjeçare në hapësirën shqiptare, në veçanti në rajon dhe në Evropë! Bashkimi zhduk politikën hegjemoniste pan-sllaviste për Serbinë e Madhe në veri dhe “Megali-idenë pan-greke në jug”, për tokat shqiptare në veçanti tokat jugore me bregdetin shqiptar! Me bashkimin shqiptar pushojnë konfliktet kolonialiste me shekuj mbi pasuritë tokatë, manastiret, detet, fusha e malet shqiptare, të përgjakura me shekuj me gjakun e heronjve, martirëve dhe dëshmorëve! Më në fund, bashkimin shqiptar s`ka fuqi që mund ta ndalë! Siç janë luftërat, okupimet dhe pushtimet një paudhësi, ribashkimi është dialektikë e cila me vete sjell zhvillim ekonomik, begati, qetësi dhe listë efektesh të paimagjinueshme ekonomike kombëtare në vend, rajon, Evropë, botë etj. Po të ishin Kosova dhe Shqipëria të bashkuara nga viti 1912-1945, tani në ketë 100-vjetor shteti shqiptar, do të ishte më i fuqishmi në rajon!

Bashkimi kombëtar, i shenjtë dhe i domosdoshëm 

Nëse këtyre ideve u thuhet qasje romantike, atëherë unë nga jeta ime reale s`paskam mësuar asgjë. Por e di se nga romantizmi pikërisht buron atdhedashuria patriotizmi, filozofia dhe histori-gjeografia e krijimit të kombeve shtet dhe shtetit komb! Pas LSHK të Prizrenit 1878, 135 vjet më parë, dhe më 28 nëntor në Vlorë, Ismail Qemali me rilindës, shpallën pavarësinë e vërtetë. Tani shtrohet pyetja: Deri sot, politika shqiptare ka krijuar shtet të pavarur sovran dhe unik, në hapësirën e arealit gjuhësor gjeografik?! Apo akoma jeton në mbështetje të politikës fodulle, shpërblyese dhe vajtuese! Pavarësisht amullisë shteruese, shteti shqiptar i pandarë dhe unik do të krijohet, sepse bashkimi është i shenjtë, i përjetshëm dhe i domosdoshëm, prandaj s`bën dhe s`bën të ndarë përjetësisht... Urimet e 100-vjetorit të shtetësisë u takon rilindësve, sovranit, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve.  Lavdi të rënëve për liri, pavarësi, bashkim-ribashkim, zhvillim ekonomik, kulturor demokratik në atdheun unik. Shqiptarë kudo që jetoni, punoni dhe gjallëroni: Urime Dita e Flamurit, 569 vjet më parë, 28 nëntor 1443 ngritur në Krujë, 28 nëntor, 1912, 100-vjet më parë ngritur në Vlorë heroike dhe 28 nëntor 2012, kudo dhe në diasporë, dhe kudo frymoni në trojet e tij etnike!... Urime!

e enjte, 15 nëntor 2012

Ukshin Hoti, intelektuali në shërbim të kombit


Ukshin Hoti dhe mendimi autonom politik shqiptar 

Intelektuali në shërbim të kombit*

Filozofia dhe mendimi politik shqiptar janë të lidhura ngushtë me emrin e Ukshin Hotit. Por, me emrin e Ukshin Hotit lidhet ngushtë edhe doktrina e shtetit-komb, si proces nëpër të cilin duhet të kalojë edhe kombi shqiptar në prag të integrimeve në strukturat euroatlantike

Sadri RAMABAJA

Në historinë bashkëkohore të kombit shqiptar dhe me këtë edhe të Kosovës, si pjesë e truallit etnik shqiptar, është hera e dytë që në prag të kurorëzimit të betejave për të përmbyllur epokën e krijimit të shtetit-komb, nga ana e Serbisë, arrestohen dhe burgosen, mbahen peng, ideologët e Lëvizjes për krijimin e Shtetit-Komb.
Herën e parë, në prag të shpalljes së pavarësisë, u burgos dhe u izolua ideologu i kryengritjes së përgjithshme shqiptarepër pavarësi, Hasan Prishtina, Arsyet pse Serbia veproi atëbotë veproi ashtu me Hasan Prishtinën ishin mëse të qarta: lidhjet që ai kishte me kryengritësit dhe reputacioni si diplomat, mund të paraqitnin pengesa serioze në realizimin e objektivave serbe në dëm të hapësirës jetësore shqiptare. Mundësia e Hasan Prishitnës për ndërhyrje në favor të çështjes shqiptare çmoheshin edhe nga Beogradi dhe qarqe tjera shovene të Ballkanit. Për këtë arsye gjatë një pjese të mirë të kohës kur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), do të trajtoheshin planet për copëtimin e tokave shqiptare dhe ky coptim tashmë ishte çështje e kryer, ai u mbajt në një burg afër Beogradit (Burgu në Zabel).
Tashti, herën e dytë, kur çështja e Kosovës po bëhej objekt trajtimi edhe nga qendrat e vendosjes politike, kur Lëvizja politike në Kosovë pritej të konsolidohej edhe në rrafshin ushtarak,  si e kërkonte çasti historik, ashtu që Kosova të shndërrohej gradualisht nga një objekt siç ishte , në një subjekt  diplomatik, ideologu i kësaj lëvizje, Ukshin Hoti, mbahet në burgjet serbe, për të mos e kaluar atë prag as sot e kësaj dite dhe çka është edhe më keq, për fatin e tij nuk flet e nuk përgjigjet kush!

Fryma shkencore në politikën kombëtare

Do të isht enë nderin e Akademisë sonë Të shkencave dhe Arteve dhe  të katedrës së Filozofisë të Universitetit të Prishitnës, të organizoj tribuna shkencore që objekt trajtimi do të kishin kontributin e Profesor Hotit në mendimin politik shqiptar. Por atë që deri sot nuk e kanë bërë institucionet tona shkencore dhe arsimore, janë përpjekur ta kompensojnë sa e si kanë mundur organizatat e ndryshme shoqërore. Kështu kishte bërë kohë më parë edhe Rinia e UNIKOMB-it, duke organizuar një tribunë për veprën dhe jetën e Ukshin Hotit, pa pretendime të mëdha për të vlerësuar në plane të gjera rolin dhe ndikimin e frymës hotjane në procesin e ndërtimit të shtetit t, ndërkaq në rrafshin historik kontributin e tij në fushën e mendimit socio-politik. Ky angazhim i Rinisë së UNIKOMB-it meriton respekt dhe mirënjohje publike. Kështu jo vetëm që nderohet figura emblematike e Ukshin Hotit, por në rrugë indirekte, në këto çaste vendimtare që po kalon Kosova, të ashtuquajturës elitë politike, e parasëgjithash inteligjencies së re, i kujton frymën për të cilën ka nevojë kombi – frymën hotjane, që do të ndikojë shumanshëm në ndërtimin e shtetit në funksion të demokracisë. Ndërkaq, përmes kësaj fryme, do të thoshte Seku Ture, njeriu e kupton se ligji, e vërteta dhe shkenca, vlejnë po aq sa i kthehen popullit...
Ukshin Hoti veçmas përmes librit “Filozofia e çështjes shqiptare” vuri bazamentin e shkencës së mirëfilltë politike, duke e vënë atë në funksion të kombit dhe demokracisë. Në fakt, këtë mision ai ia kishte shtruar vetes që me nxjerrjen e revistës “Demokracia autentike”, duke paralajmëruar qartë se mëtonte të fuste një frymë te re në jetën politike të kombit.
Në këtë trajtesë, shih për këtë, dua të ndalem më shumë tek materia e përmbledhur brenda kopertonave të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, e ndarë në tri pjesë.
Për njohësit e politikës, e veçmas për ata që kanë studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gërshetimin e interesave të shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, duke veçuar interesat e shteteve të mëdha, një ndarje e tillë nuk është e rastësishme.
Pjesa e parë e librit në fjalë hapet me studimin mjaftë domethënës edhe sot për aktualitetin politik shqiptar “Kosova dhe Evropa – Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë”.
Profesor Hoti atëbotë ndjente mungesën e theksuar të kësaj fryme dhe grishte inteligjencien e Kosovës për punë serioze në fushën e politikës. Nëse kjo grishje e profesor Hotit atëherë ra në veshë të shurdhur, përmes manifestimit të saj sot, marrë guximin të ripërsërisë atë thirrje, meqë jo një herë është konstatuar se institucioneve tona edhe sot ju mungon qasja shkencore – fryma hotjane.
Në këtë pjesë të librit janë përfshirë studime me shumë interes të ndara në dy kapituj: “Shteti dhe interesat vitale të kombit”, ku autori na e sjellë të plotë mendimin politik të proveniencës së Perëndimit dhe më pas të Lindjes për këtë çështje.
Duke pasur parasysh njohjen, shkoqitjen dhe rivlerësimin e interesave jo vetëm të supershteteve, por edhe një lagjeje të shteteve të vegjël, në frymën e pasluftës së ftohtë, Hoti shtron për detyrë thellimin e studimit të proceseve integruese në Evropë dhe vendin e Kosovës në këtë kuadër, por edhe të hapësirës shqiptare në tërësi në këtë rrafsh kohor.
“Ne kemi qenë gjithmonë të mendimit se, Shqipëria duhet ta ruaj pavarësinë e vet, dhe se Kosova duhet të jetë Republikë e barabartë me Republikat tjera në Jugosllavi”, nënvizonte atëbotë Hoti shkencëtar dhe Hoti politikan human.  Procesi i bashkimit të shqiptarëve, konkludon më poshtë autori i librit, është dashur të zhvillohet brenda suazave integruese të Evropës...”
“Ajo, (Evropa, nënvizim imi), mund të akceptohet si bashkim i vullnetshëm i të gjitha palëve të interesuara dhe jo si imponim i njërës palë ndaj tjetrës. Mendonim – vazhdon më tej Hoti, se përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta:
1) Nuk do ët shkaktonte acarim tej mase të raporteve ndërnacionale;
2) Do të ishte solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara, pos për    shovinizmin serbomadh; dhe
3) Nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve e as të serbëve, në funksion të interesave të të huajve, globale apo regjionale”.
Nëse venerohen me kujdesë këto konkluza të Profesor Hotit atëbotë, nuk është vështirë të nënvizohet fryma thellësisht humane që mbizotëronte mendimin politik të tij, por edhe vizioni politik pragmatist për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kuadër të procesit integrues në Unionin Evropian, gjithmonë i bazuar në vullnetin dhe të drejtën politike për vetëvendosje. Profesor Hoti e kishte parasysh se cila nga palët nuk do ta pranonte këtë zgjidhje, prandaj në një analizë të tij të mëvonshme lidershipit të Kosovës i lëshonte thirrjen ultimative: bëje ose vdis!

Interesat dhe politika

Pas Dejtonit, për ata që e kishin të qartë se :ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira, Kosova u trajtua si “parcelë ekzotike...në truallin e Evropës”, ku ia vlente “për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale...”, shprehet i indinjuar dhe plot mllef Profesor Hoti. “Poqëse inteligjencia e Kosovës tregohet sterile në procesin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do ët bjerë në provim”, konkludonte Hoti në analizën e tij me titull “Shteti dhe interesat vitale të kombit”.
Intelegjencia jonë që u gjet si u gjet në krye të institucioneve të Republikëps fiktive  të Kosovës dje, dhe kjo sot, që në pjesën më të madhe qëndron larg politikës ose është servis i heshtur i saj, si duket nuk kishte dhe nuk ka parasysh përfundimet empirike të shkencës politikembi politikën dhe interesat e shtetit. Prandaj, jemi ku jemi. Prandaj, trajtohemi kështu si po trajtohemi.
Në pjesën e parë të kryeveprës së Hotit, si refleksion i mendimit politik të proveniencës perendimore dhe asaj të lindjes, vjen studimi me titull “Shqiptarët dhe interesat vitale të kombot”, që citova më lart. Ky studim ishte i përgatitur në formë kumtese dhe i paraqitur në simpoziumin shkencor  të Akademisë së Shkencave të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë në qershor të vitit 1991 me temë shumë sinjifikative për kohën: “Shqiptarët dhe Evropa – dje, sot dhe nesër”. Ai kërkon rilexim të veçantë, jo thjeshtë vetëm për thellim të njohjes së mendimit politik të Hotit për këtë sferë, por ngase kjo çështje ruan aktualitetin e plotë edhe sot e kësaj dite. Aty çështja shqiptare është prezantuar si kompleks jo vetëm politik, por edhe strategjik, që ngërthen interesat jetike të palëve në konflikt.
Në planin teoriko-shkencor, mbështetur pikërisht në mendimin politik perëndimor, autori provon me fakte të drejtën e shqiptarëve për të rrumbullakuar procesin e ndërtimit të shtetit-komb, ngjashëm me kombet tjera të Evropës. Me këtë rast Hoti merr në shqyrtim dhe mbështet konkluzën politike të Prof. Arben Putos, tek nënvizon faktin se, fuqitë e mëdha nuk e përgjysmuan Shqipërinë, siç theksohet shpesh, por e reduktuan në një Shqipëri viabël.
Duke patur parasysh se Shteti edhe më tej mbetet struktura juridike dhe politike e pazëvendsushme për qeverisje demokratike, pavarësisht faktit se më nuk mund të pretendoj për pavarësi të plotë, krijimi i shtetit-komb për popullin shqiptar nuk është thjesht  domosdoshmëri dhe prerogativë historike, por edhe politike dhe ekzistenciale. Shteti, qoftë ai i ndërtuar mbi parimet filozofike nacionale (Franca), qoftë ai i ndërtuar mbështetur në përkatësinë kulturore dhe gjuhësore (Gjermania), apo ai i mbështetur ekskluzivisht në parimet e institucionalizimit (Anglia), mbetet struktura qenësore e organizimit politik i ngritur mbi të drejtën legjitime për ushtrimin e pushtetit në territorin përkatës. Por, nëse deri dje, sovraniteti i pakufizuar mbetej si gjakim eksplicit i shtetit, ndërkohë rrethanat kanë ndryshuar. Ndërvartësia si koncept politiko-juridik dhe mundësia e delegimit, respektivisht bartjes së një pjese të kompetencash nacionale tek strukturat mbnacionale (rasti i UE-së), po fiton terren. Por edhe në këtë rast, parimi i subsdiaritetit është në dobi të shtetit-komb dhe mekanizmave të tij qeverisës. Kështu, edhe më tej, shteti gëzon legjitimitetin për ushtrimin e pushtetit, që mban lidhur kombin me shtetin. Shqiptarët në këtë kuadër nuk mund të bëjnë përjashtim.

Pengu – akt juridiko-politik

Çështja shqiptare edhe pas luftës titanike të UÇK-së vazhdon të mbetet peng i akteve politike dhe juridike të rrafshit ndërkombëtar. Pozita e tanishme e Kosovës, duket se është më shumë rezultat i thyerjeve dhe kompromisit midis dy etnikumeve: austro-gjermanëve në njërën anë dhe sllavëve në anën tjetër, nënvizon në një rast Hoti. Natyrisht, në këtë kuadër, rol të ndjeshëm kanë luajtur edhe interesat afatshkurtra amerikane.  Rezoluta 1244 dëshmon se roli i Gjermanisë në prag të përfundimit të luftës ishte tejet ndikues. Ky akt politiko-juridik, që i shërbeu Gjermanisë për rikthim në skenën e diplomacisë botërore, me kalimin e kohës, Kosovën e bëri peng të diplomacisë dhe raporteve në relacionin Uashington-Bruksel-Moskë. Peng i këtyre raporteve mbetet edhe Ukshin Hoti.
Në prag të luftës në Kosovë, jo vetëm nga ana e eminencës bitiste-autonomiste në Kosovë, por edhe nga një lagje  e mirë e atyre që ishin në ballë të organizatave ilegale, që u vunë në krye të misionit historik- themelimit të UÇK-së, nuk u përfill sa duhet mendimi i Ukshin Hotit, por as edhe ai i ekspertëve tjerë. Përkundrazi, ata e izoluan Ukshin Hotin sa mundën e si ditën! Për një periudhë relativisht të gjatë, Ukshin Hoti u shndërrua në peng edhe i kësaj politike!
Rezonimi titist i të menduarit politik, që aplikuan autoritaristët tanë me gojën plot demokraci, nuk mund të jipte më shumë se kaq – rrëshqitjen graduale të Kosovës drejt njëfarë “autonomie kulturore” në prag të luftës (Marrëveshja për arsimin e vitit 1996 mes Milosheviqit dhe Rugovës), respektivisht krijimin e alibive për Serbinë për ricoptimin e sërishëm të trungut shqiptar, tani pas luftës! Këtë rrezik Ukshin Hoti e kishte paranderë dhe para gjyqit serb, si edhe në një vistër esesh, vinte në pah faktin se ndjehet peng politik, jo vetëm i Beogradit dhe Prishtinës, por edhe më gjerë. Peng tashti nuk është vetëm Ukshin Hoti, peng është edhe Republika e Kosovës. Dhe e tillë, peng politik, si duket ajo do të mbetet derisa ne si komb ta kuptojmë drejt sentencën politike të përfaqësuesit të idealizmës politike amerikane, ish presidentit të SHBA-ve, Vodrov Vilson, kur pati ngritur nevojën për të zhvilluar luftë, nëse duam ta përfundojmë atë. Natyrisht se kjo sentencë, tashti pas asaj që kaloi Kosova (1998-1999), do kuptuar në kontekst real, duke e bartur nocionin luftë në terrenin real politik, çka do të reflektoej në punën e institucioneve tona, mënyrën se si i ndërtojmë ato etj., në dobi të funksionalizimit të Republikës.

Udhëheqja dhe roli i saj

Në funksion të asaj që nënvizova më lartë, roli i udhëheqjes politike është i rëndësisë së veçantë. Këtë fakt e gjejmë të nënvizuar në veprën e Profesor ukshin Hotit tek analizon raportin e inteligjencies me politikën.
Në studimet e tij, Ukshin Hoti përpos që ka analizuar kompleksitetitn e çështjes shqiptare, ai ka dhënë udhëzgjidhjet në frymën më humane dhe realisht më të mundshme  për kohën kur janë shkruar ato. Ndër faktorët që do ët reflektojnë në zgjidhjen e këtij kompleksi, që Hoti i ka kushtuar vëmendjen  e duhur prej studjuesi, më duket se katër prej tyre meritojnë të potencohen edhe me këtë rast:
  1. Lëvizja e gjerë kombëtare në Kosovë - rëndësia juridiko-politike e deklaratës kushtetuese dhe akteve tjera përcjellëse, po sidomos obligimet kushtetutare për krijimin e mekanizmave që ndërtojnë dhe mbrojnë shtetin (shih për këtë mbrojtjen e tij brilante në gjyq);
  2. Republika e Shqipërisë – Shteti Shqiptar dhe rëndësia shumëdimensionale e tij në funksion të zgjidhje së çështjes shqiptare;
  3. Jugosllavia, respektivisht Serbia – Këtu në fakt kemi të bëjmë me interesat serbe të dorës së parë dhe raportet e pjesëve që do të përbëjnë këtë federatë të re;
  4. Superfuqitë ekzistuese – Në cilësinë e faktorit të katërt janë vlerësuar superfuqitë ekzistuese dhe interesat e tyre për rajonin, parasëgjithash SHBA-të dhe Unioni Evropian, por pa nënvlerësuar rolin e Rusisë dhe ndikimin e saj në politikën evropiane.
UÇK që reflektonte pjekurinë politike dhe vendosmërinë e popullit për të marrë fatin e tij në duart e veta, për Prof.. Ukshin Hotin ishte faktori vendimtar. Për rrethana të njohura, ai nuk pati fatin që në studimet e tij të analizonte rolin dhe vendin e saj në historinë më të re të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi, sado që daljen e saj e pat përshëndetur. Sidoqoftë ai ishte, me plot kuptimin e fjalës, ideator i saj.
Faktorët e mësipërm, duke shtuar edhe UÇK si strukturë e rirreshtuar tashmë në TMK dhe në disa forca politike, me gjithë kushtëzimet që kanë, do të influencojnë në fatin e ardhshëm të shqiptarëve në tërësi dhe të Kosovës në veçanti, në statusin që do ët gëzojnë në ët ardhmen e afërt. Por, shkalla e realizimit të kauzës shqiptare do të varet shumë nga ata që do të jenë edhe tashti e tutje në krye të institucioneve të Kosovës, do të mund të ishte mesazhi i Ukshin Hotit.

Çlirimi i mendimit politik shqiptar

Me botimin e librit të Profesor Ukshin Hotit “Filozofia politike shqiptare” mendimi politik shqiptar, që ishte vazhdimisht i influencuar, qoftë nga trendet aktuale të mendimit letraro-romantik, qoftë nga impenjimi i interesave jashtëshqiptare, apo siç nënvizon në një rast Ukshin Hoti, nga “ngarkesat ideologjike dhe mangësitë në njohuritë mbi proceset reale ndërkombëtare politike” (shih veprën e cituar), tashti mund ta ndjejnë veten autonom. Është çështje tjetër se sa do të shfrytëzohet ky mendim politik autonom nga strukturat tona shtetërore, politike, e shkencore. Shtetet me traditë, doktrinat e personaliteteve të tyre shkencore i përvetësojnë dhe i shndërrojnë në platforma politike.
Rini e UNIKOMB-it përmes organizimit të tribunës me sloganin grishës: NËSE JU DUHEM – JA KU MË KENI! vetëm sa ka dashur t` na rikujtoj se Ukshin Hoti dhe fryma hotjane në skenën politike shqiptare atëbotë (2004) mungonte. Investimi në rikthimin e tij, respektivisht në përvetësimin e doktrinës së tij politike në rrafshin institucional, është investim në dobi ët çlirimit të plotë të mendimit politik, mëkëmbjes së dinjitetit kombëtar dhe në fund në dobi të ndërtimit të shtetit.
                                    __________________
*Kjo kumtesë është lexuar në Tribunën e organizuar nga Rinia e UNIKOMB-it, mbajtur më 25.06.2004 në Prishtinë dhe publikuar në gazetën “Epoka e re”, më 26.06.2004