e shtunë, 17 nëntor 2012

Në errësirë ishim e në errësirë jemi

Alban Daci

Në Shqipëri duket sikur ka një prirje ciklike për t’u përsëritur ngjarjet dhe fenomenet. Me çdo ndryshim që ndodh duket sikur ndryshojnë edhe gjërat e fenomenet, po pa kaluar shumë kohë situata rikthehet edhe njëherë si në fillim e në fund asgjë nuk ndryshon. Në vitin 2005 qeveria e re që erdhi në pushtet, Shqipërinë e gjeti në një errësirë të plotë për shkak të krizës dhe të keqmenaxhimit të energjisë elektrike. Shqipëria e vitit 2005 ishte e varfër, e zhytur në korrupsion e kishte mbetur në vend numëro për sa i përket çështjes së integrimit në zonën euro-atlantike Qeveria e re erdhi në pushtet me moton e “duarve të pastra”, e luftës me pa kompromis kundër krimit të organizuar, me premtimin për 24 orë drita dhe uji. Ç’është e vërteta në vazhdim të viteve 2005, 2006 dhe 2007 vendi njohu një far zhvillimi dhe procesi . Disa banda të rrezikshme dhe të njohura u arrestuan dhe u burgosën, kufizimet e energjisë elektrike dhe të furnizimit me uji energjike u zvogëluan. Gjithashtu, u bënë reforma të rëndësishme edhe ne sistemin e drejtësisë. Këto hapa të rëndësishëm ndihmuan që Shqipëria të ecte përpara edhe në procesin e integrimit në zonën euro-atlantike. Për këtë arsye shqiptarët filluan më në fund të buzëqeshnin dhe të ishin optimistë për të ardhmen. Për fa të keq optimizmi i tyre ishte i shkurtër dhe zhgënjyes. Shpejt ndodhi ajo që kishte ndodhur gjithmonë në vendin tonë. Në Shqipëri sapo duket sikur gjithçka po shkon mirë, në mënyrë krejt të paqartë gjërat kthehen edhe njëherë si më parë. Kam shkruar më parë se proceset e zhvillimit në Shqipëri si në fushën politike, ekonomike dhe sociale bëhen sipas formulës “një hap para e dy mbrapa”. Ngjarjet që vijuan më vonë si Gërdeci, 21 janari, filmimi i ish kryeministrit me një nga ministrat e tij për afera korruptive u rikujtuan shqiptarëve, se ndryshimi është thuajse i pamundur. Shqiptarët në mënyrë të vetëdijshme u futën përsëri në llogoren e pesimizmit . Problemet reale në vend filluan pas vitit 2009 më të ashtuquajtur “koalicionin e integrimit”, i cili për hir të vërtetës vetëm i tillë nuk mund të konsiderohet. Një ndër politikat kryesore të këtij koalicioni ishte edhe procesi i koncesioneve, ku shumë burime të rëndësishme të makroekonomisë shqiptare duke ndjekur procedura jo transparente dhe duke përkrahur interesa të ngushta klanore u shitën. Në këtë proces u fut edhe sistemi i energjetikës dhe ai i minierave. Këto dy sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare u lanë të administrohen nga kompani private. Sot në vend që të ishin bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre dy sektorëve, janë bëra hapa të mëdha në kthimin dhe degjenerimin e situatës. Sot miniera e Bulqizës, me një burim dhe rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike ndodhet në ditë më të vështira të saj. Kjo për faktin se kompania private, nuk ka bërë asnjë investim të ri për të hapur sektor të ri shfrytëzimi si dhe nuk ka bërë investime për të përmisuar kushtet e punës së minatorëve. Gjithashtu edhe situata energjetike në Shqipëri është pranë një kolapsi të vërtetë. Kjo po ndodh për faktin se kompania CEZ ka ndjekur metodën e hajdutit të pa identifikuar. Duke qenë se kjo kompani nuk kishte një politikë korrekte në mbledhjen e faturave si dhe faktin se investimet e saj të bëra në rrjet janë shumë të vogla ose të papërfillshme, qytetarët humbën besimin duke preferuar të mos paguajnë. Kemi plot raste që shumë familje paguanin rregullisht energjinë elektrike, derisa erdhi CEZ dhe filloi të vinte fatura të çmendura dhe absurde si për nga sasia e konsumimit të energjisë elektrike ashtu edhe për nga realiteti ekonomik i familjeve shqiptare. Para se një qeveri të kërkoi të vendos standarde të reja, duhet të studioi situatën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të tij. Shqipëria është një vend totalisht i prapambetur për sa u përket sistemeve të ngrohjes nëpër shpi dhe të burimeve që mund të shfrytëzohen për të gatuar. Në Shqipëri mungon sistemi i gazit që çdo vend perëndimor e ka. Pallatet e vjetra dhe të rejat që ndërtohen nuk kanë asnjë sistem të përbashkët ngrohje. Mund të duket qesharake për një perëndimor, por në Shqipëri nuk mungojnë rastet, kur personat blejnë bombolat e mbushura me gaz të lëngshëm dhe i ngjitin në katin e gjashtë në shpinë. Shumica e pallateve të ndërtuara para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 nuk plotësojnë as standardet minimale. Një fenomen tjetër që ka ndodhur nga 2005 deri sot është edhe rritja me 100% të çmimit të energjisë elektrike. Shqipëria është një vend me burime të mëdha hidrike dhe një prodhuese e rëndësishme e energjisë elektrikë. Për këtë arsyeje nuk e shpjegoj dot rritjen e çmimit. Gjithashtu sipas ligjeve të ekonomisë rritja e çmimit të një shërbimi duhet të përkthehet me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. Nisur nga ky fakt, rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është përkthyer në përmisimin e furnizimit me energji elektrike. Duke u nisur nga fakti se energjia elektrike është burimi i vetëm dhe absolut i konsumimit të qytetarëve, çmimi i saj nuk duhet të jetë lartë, sepse konsumimi i saj është vlerat maksimale. Gjithashtu për shkak edhe të situatës ekonomike të rënduar që ndodhen familjet shqiptare nuk duhet të ndodhte kjo rritje e çmimit. CEZ në politikën e saj të fundit për të mbuluar falimentimin dhe dështimin e saj ka vendosur të ndaloi furnizimin me energji elektrike edhe të stacioneve të pompave që përdoren për të furnizuar me uji të pijshëm familjarët. Gjithashtu, po vetë ambasada e SHBA sipas një njoftimi të bërë njoftonte qytetarët e saj se në Shqipëri mund të ketë revolta të qytetarëve për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike dhe uji të pijshëm. Është absurde apo jo, reale apo jo, ne u rikthyem përsëri në vitin zero, aty ku e nisem me pa drita dhe pa uji të pijshëm. Pra, kaluan tetë vite nga 2005 dhe asgjë nuk ndryshoj. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë si në mesjetë, ku ju mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Atëherë, ky është momenti decisivë për të reflektuar se çfarë po ndodh me ne shqiptarët. Pse ne jemi të destinuar të vazhdojmë në jetën tonë me formulën “një hap para e dy mbrapa”? Shqiptarët duhet të kërkojnë alternativa të reja përfaqësimi dhe qeverisje. Dy modelet e vjetra tashmë të përfaqësimit dhe të qeverisjes, e Djathta dhe Majta, nuk kanë sjellë asgjë të re dhe nuk kanë garantuar asnjë zhvillim dhe përparim të rëndësishëm të kushteve të jetesës së qytetarëve. Qytetarët duhet të reagojnë për jetën dhe kushtet ku zhvillohet ajo. Në një demokraci, ku qytetarët nuk reagojnë për të drejtat e tyre legjitime, ajo është false dhe nuk garanton një proces pozitiv në zhvillimet e më tejshme. Shqiptarët deri sot, për fat të keq kanë qenë tamam ‘një tufë delesh” që thjeshtë kanë ndjekur instinktet e politikes dhe nuk kanë ndikuar në transformimet dhe proceset e saj. Pra, shqiptarët deri më sot kanë qenë thjeshtë konsumator të një politike që nuk i ka përfaqësuar dhe jo protagonist të saj. Sot më shumë se kurrë ka ardhur momenti që qytetarët shqiptarë të jenë jo vetëm konsumator, por edhe protagonist të një model të ri politik, i cili do të përfaqësonte interesat e tyre dhe do të orientohej në kahun e kërkesave që ato kanë. Nëse shqiptarët pas 22 vjet tranzicion nuk reagojnë duke e kuptuar politikën si një art qeverisje, administrimi në shërbim të mirës së përbashkët dhe komunitar, rrezikojnë të hyjnë në sokakun e një errësire të madhe. Politika e vjetër erdhi me errësirë e po largohet në errësirë. Ka ardhur momenti i lindjes të një shkëndije të re, me plotë shpresë dhe guxim për të ardhmen. Ky guximin duhet të jetë një shumatore e gufimeve kolektive që ka një qëllim të përbashkët, jetën qytetare e komunitare, ku interesat e secilit janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe vihen në shërbimin e komunitetit.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.