e enjte, 22 nëntor 2012

O BAJRAKTARË TË KOMBIT “KOSOVAR”- THIRRNE NDËRGJEGJEN!


Mustafë Krasniqi

Më lindi ideja për të shkruar pasi e lexova një shkrim të Halil Matoshit, i cili gjithnjë është përpjekur të jetë Halili i proceseve të reja në dëm të shqipes, si Migjen Kelmendi i cili madje synon të jetë baba i një të folme lokale dhe si pikë arritje ka për ta ngritur atë si një "gjuhë" të re kosovare, prandaj është fare e qartë se në shpirt e kishte dhe e ka Arship Pipën. Këta janë dy “udhërrëfyes” të periudhës së re, Halili i cili për pak ditë ka qëndruar në burg, e që as vetë nuk e di përse, tanimë “hero” i proceseve të reja, analist i shitur, por sipas tij i përkryer, ndërsa i dyti emocionalisht i qetë, figurativisht i zbërthyer, i pirur të jetë pasardhës i Arshi Pipës, apo baba i “gjuhës” së re kosovare. 
Duke e njohur njëmendësinë e këtyre dy mjeranëve nuk pata ndërmend që të merrem me ta, por duke ditur se nuk bën të heshtet kur duhet thënë gjërat, sidomos kur sulmohen dhe cenohen vlerat e shenjta kombëtare, t’u them të drejtën është edhe mëkat të mos ua thuash troç atyre, atë që meritojnë, sepse kombi shqiptar nuk është paçavure, për ta nëpërkëmbur dhe poshtëruar ata atë, dhe të luajnë me ndërgjegjen e tij, sepse për të mund të flasë vetëm ndërgjegjja e pastër dhe gjaku i dëshmorëve, e jo njerëzit që shiten për hiç gjë. Njollat që po ia shtojnë këtij kombi të lodhur, këta të mjerë e pikërisht në këto kohëra kur proceset evropiane kanë ecur përpara , disi kombin tonë, si gjithnjë, po e gjejnë të lodhur, duke u nisur edhe nga fakti se politika e sotme në të tëra viset shqiptare nuk shkon sipas vullnetit të popullit. 
Po ashtu është për të ardhur keq edhe për faktin se dy Akademitë tona, ( duke përjashtuar individët që janë me shpirt të përkushtuar), të cilat si institucione nuk kanë bërë asgjë për të jetësuar një strategji kombëtare për ribashkimin e kombit dhe të Atdheut, e drejtë kjo e pamohueshme e popullit shqiptar, por e nëpërkëmbur dhe e mohuar pa hezitim këto kohët e fundit nga politika shqiptare. 
Ndonëse kjo mospërgjegjësi e tyre, kombit tonë po i shkakton dhembje të madha, e që është duke pasur edhe synime të një shthurje kombëtare, meqë edhe po shihet, se fati i kombit ka mbetur në mëshirën e politikave të ditës dhe njerëzve të cilët kanë për qëllim të bëhen “rilindës” të rinj, apo “heronj” të rinj, siç ndodhi edhe me njëfarë Bekim Lumin i cili e hedh fjalorin e gjuhës shqipe si një leckë, ashtu sikurse edhe shprehet dhe vepron marrëzisht në një emision të RTK-ës, të udhëhequr nga Agron Krasniqi. Ndonëse të tillë ka mjaft që përpiqen përmes ndarjes së gjuhës, krijimit të shtetit të ri dhe flamurit të ri, të ndërrohet edhe identiteti ynë kombëtar. Këtë qellim të mbrapshtë Evropa dikur ka synuar ta bëjë përmes dhunës duke i dhënë dritën e gjelbër shovinizmit serbo-maqedono-malazez dhe atij grek. 
Por, duke parë se dhuna mbi të drejtën e kishte humbur peshën, e natyrisht vendosmëria e gjakut të pastër shqiptar për një ribashkim është e madhe e me rrezatim drejt jetësimit, politikanë dhe institucione të Evropës, godasin përmes një politike të re të zhveshjeve kombëtare duke e instaluar këtë brenda partive politike shqiptare dhe institucioneve ku përfaqësuesit e këtyre partive marrin pjesë dhe duke përçuar rryma konfuziteti për të krijuar kështu të çara të pariparushme në mes të kombit shqiptar, me qëllim që të mos zgjidhet ashtu siç duhet dhe natyrshëm çështja shqiptare. Ndonëse këtë turp kombi ynë s’do ta pranojë kurrë e megjithëkëtë politika e sotme e Tiranës dhe ajo e Prishtinës është duke lozur me këto karta të rrezikshme. 

Halil Matoshi thotë se : “Gjithçka që ata që thonë e shkruajnë për Kosovën si pjesë e Shqipërisë e aneksuar nga Serbia (më 1913-ën) është thjesht shmangie nga e vërteta historike, për më tepër nacionalizëm primitiv. Historiografi që mbështetet në mite nacionale”. 
Këtë mendim të Halilit e ka thënë dikur Vaso Çubralloviqi, apo në vazhdimësi politika serbe dhe nacionalizmi serbosllav, por jo, asnjëherë ndonjë shqiptar i pastër. Tani sipas Halilit, duhet ta ndërrojmë edhe identitetin ne shqiptarët në trojet e pushtuara nga shovinizmi maqedono-malazezo-serb dhe ai grek, t’u kërkojmë falje, e t’u themi se gjoja populli shqiptar ka luftuar për grabitje trojesh, e jo për mbrojtje, e siç kemi mësuar o Halil, ndërsa trojet tona janë tkurrur gjithnjë e po tkurren edhe në kohën tonë madje. Për këtë kanë dokumentuar shumë historianë, madje-madje edhe shumë luftëra janë bërë, mund të themi pahezitim se edhe lufta e fundit e UÇK-ës është bërë për t’ju rikthyer shtetit shqiptar këto troje, për t`u bërë Shqipëria e bashkuar natyrshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës, në qoftë se do të nënkuptohej si hapi i fundit, pa qëllim drejt ribashkimit me trojet të tjera shqiptare dhe flamuri i saj i çoroditur është një goditje e rëndë për vetë Kosovën, për shqiptarët nën Maqedoninë, për ata nën Serbinë për Çamërinë dhe për malësorët e Tuzit e shqiptarët të tjerë nën pushtimin malazez, që po trajtohen këto ditë barbarisht nga hegjemonizmi shovinist i Malit të Zi, pra një goditje e shëmtuar për të tërë Shqipërinë. 
Duke mos u futur shumë në historiografi vetëm në tri dekadat para nesh po ndalemi, kur baca ynë, nga burgu, Adem Demaçi e filozofi dhe mendimtari i ndritur si dhe njeriu i sakrificës, profesori i nderit dhe heroi i kombit Ukshin Hoti mbronte tezën dhe arsyen pse Kosova meriton të bashkohet, ndërsa Qosja i madh fliste se rrugë tjetër nuk ka përveç bashkimit, e në këtë kuptim edhe Kadareja, Dritëroi e shumë të tjerë kanë dëshmuar se bashkimi nuk është vetëm dëshirë, por edhe realitet që flet vetë, që nuk do mend për ta kuptuar shkëlqimin e fjalës shqipe të historisë kombëtare, sepse vetë Kosova dhe trojet shqiptare të pushtuara nga sllavo- grekët janë pjesë të Shqipërisë së natyrshme. Prandaj ç`të keqe ka Halilo që Shqipëria e tërë të funksionojë si një shtet i vetëm?! 
Atëherë sipas teje, o Halil Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Krujës dhe luftërat e shumta për bashkimin e trojeve shqiptare paskan qenë të gabuara !? Për ty o Halil historia shqiptare nuk njohka Shqipërinë e bashkuar dhe qenka e gabuar ajo që thuhet se më 1913 Shqipërisë ju kanë shkëputur troje shqiptare, ndërsa për këtë sakatosje më së miri flet Ismail Qemaili, pushka e Dodë Gjon Lulit dhe e Adem Jasharit dhe e shumë të tjerëve. 
Ndonëse sipas teje qenka tradhti të kërkosh që të bashkohesh me shtetin amë, edhe pse për shumë kohë pushtuesit egërsisht na ndanë, për ju përpjekjet shekullore të shqiptarëve për t`u bashkuar paskan qenë të gabuara, idetë e mendimtarëve shqiptarë e historianëve dhe popullit për ribashkim kombëtar qenkan një nacionalizëm naiv, për ju gjaku i dëshmorëve dhe i heronjve dhe lufta e tyre për një komb e një gjuhë qenkan të gabuara dhe naive? Tani nuk mund të të mos them se po shkelni mbi vlerat kombëtare qëllimisht, por kështu nuk mund të bëni emër o Halil! 
Ndoshta zotëri sipas jush ne u dashka të pajtohemi me faktin e ri të tmerrshëm, me ndërrimin e flamurit, të pajtohemi që ta flakim ditën e flamurit, 28 nëntorin, që më ajo të mos festohej tek ne, si një datë historike, të heqim dorë nga e drejta jonë për t’u ribashkuar! 
Sipas Migjen Kelmendit e Bekim Lumit e ndonjë e ndonjë mendje çorodituri si ata gjuha letrare, standarde me të cilën jemi edukuar që nga zanafilla e deri më tani, qenka një gjuhë që s’paska vlerë, sepse sipas Bekim Lumit kjo gjuhë na qenka e partizanëve të saj, atëherë me ç`gjuhë na qenke arsimuar zotrote?!. 
O z.Halil Matoshin dhe o ju bashkëmendimtar të tij lexojeni historinë dhe veprat e Arif Matit me origjinë shqiptare i lindur në Kajroi, ku mbi 30 vjet iu kishte përkushtuar çështjes së origjinës shqiptar. Madje ky hulumtues shkencore  më qasje të vëmendshme në dokumente historike, arkeologjike, antropologjike, dhe gjuhësi arriti ta finalizoi punën e tij me dy botime shkencore "Shqipëria - Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen", si dhe libri tjetër "Mikenët Pellazgët - Greqia ose zgjidhja e një enigme"! që dëshmojë para botës se vjedhësit e historisë manipuluan për shumë shekuj me origjinën e tyre, me këtë zoti Halil ky studiues e shkencëtar i tregoi botës se vërtetë jemi një trung ilir me rrënjë të thella në Pellazgji, mbase edhe e i doli hirra-thënie e popullit- sipër Greqisë fashiste, e sa po duket edhe në mesin e Shqipërisë Etnike po i del hirra sipër tipave të tu o Halil!
   Me të parë këtë njeri të çoroditur me të njëjtën gjuhë pata reaguar edhe dy vite më parë, dhe sot i them mos futë përçarje dyshime tek ata njerëz që i ke ushqyer me filozofin tuaj të mykur dhe antikombëtare, se një ditë do të pendohet edhe pasardhësi i juaj. Kthehu e shikoje diellin, tokën mëmë Shqipëri anë e këndë se si po valëvitej gjaku i Arbrit në flamurin e tij dy krenare, se si janë ngritur zemrat peshë të shqiptarëve anë e këndë botës, presin këtë ditë me lotë gëzimi. Zotrote pendohu dhe bashkoju këtij gëzimi, kësaj feste të madhe për shqiptarët, Shqipërinë Etnike, sepse “zoti e ka  thënë me gojën e vet se shqiptarët të jenë të bashkuar”. Z. Halil je një grimcë e vogël dhe besoi se vetëm e poshtëron vetën, në as një mënyrë nuk mund ta injorosh tërë një komb, të paktën një popull që ka rrënjët e thella që nga pellazgët, ju dhe bashkëmendimtarët tuaj e dinë mirë se gjatë këtyre shekujve,viteve është zhvillua lufta politike dhe ajo e Armatosur për një Shqipëri të Bashkuar, Shqipërinë Etnike . E siç thotë edhe miku im, publicistit Faik Krasniqit:- “Ne jemi pellazgë, arbër dhe shqiptarë qoftë në kufijtë e shtetit që quhet sot Shqipëri, qoftë në kufijtë e shtetit që quhet sot Kosovë (Dardani) apo Maqedoni (Arbëri), Mali i Zi (Malësi) e Serbi, jemi Shqiptarë edhe në kufijtë e shtetit grek (edhe pse ata e mohojnë) dhe si përfundim jemi Shqiptarë kudo që ndodhemi nga Evropa në SHBA. Jo vetëm ne por dhe bijtë e bimëve tanë do të jenë SHQIPTAR, siç janë dhe sot e kësaj dite kudo nëpër Botë”. 
  Zotrote heq dorë nga ideja e përçarjes, ndarjes dhe e Kosovarizmit, se ndërgjegjja e pastër shqiptare na thotë, se nuk ka ndarje kombëtare toskë e gegë, ndërsa ju “mendjendriturit” e shitur e të çoroditur jo vetëm bëni ndarje në toskë e në gegë po edhe më shumë si popull shqiptar e kosovar, tjetërsim flamuri e tjetërsim datash historike,etj. Ndërsa këto janë thikë pas kurrizit. 
Thirre ndërgjegjen o bajraktar të kombit ”kosovar”, se përpos kombit shqiptar nuk mund të ketë komb tjetër nga shqiptarët, ata që nuk e ndien vetën të rehatshëm me këtë shenjtërim që e ka pagëzuar Zoti me emrin  shqiptar, le të heshtin e të mos bëhen barrë e turpit për pasardhësit e tyre, se  kështu nuk do të krijoni emër, por do të krijoni vetëm çoroditje. Këtë nuk ua ka borxh kombi as gjuha e bukur shqipe. Ruhuni nga mallkimi, të mos iu mallkojë mundi e gjaku i derdhur për këtë komb e për këtë gjuhë të bukur shqipe, se dikur do t`ju dridhet toka nën këmbë.
Të gjithë në Vlorën e bukur, të gjithë për Shqipërinë e Bashkuar, Shqipërinë Etnike!


Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.