e shtunë, 17 nëntor 2012

Bashkimi i kombëtar, i shenjtë në këtë përvjetor historik


Qerim PLLANA


Bashkimi koherent krijon siguri kombëtare, ekonomike, politikë, strategji dhe siguri të stabilizuar dhe shumë të qëndrueshme, zhvillim shumë më të shpejtë ekonomik, arsimor, kulturor. Siguri të asaj që do të prodhohej e këmbehej me botën përreth dhe më gjerë. Fqinjësi të sigurt, paqe dhe bashkëpunim në sferat e shkëmbimeve reciproke tregtare, ideve dhe këmbimit jashtë-hegjemonist pa pretendime territoresh, apo pjesë tokash e detesh të huaja. Duke u nisur nga e kaluara kolonialiste, hegjemoniste serbo-turke, greke, malazeze bullgare etj, përparësitë e tjera të ribashkim-bashkimit, janë shfrytëzimet shumë më efikase të begative natyrore: deteve, lumenjve, pyjeve, pyllëzimit, rrugëve dhe tokës së lënë djerrë në të katër anët e hapësirës kombëtare. Do të ketë zhvillim më të shpejtë të infrastrukturës rrugore, degëve të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, pylltarisë e pemëtarisë, bizneseve tjera të vogla, të mesme dhe të mëdha me interes kombëtar.
Do të kthehet truri i kombit bashkë me shumë emigrantë, pasuria e të cilëve do të investohet për interesin e djersës së tyre të derdhur në mërgim. Politika e shtrirë dhe e futur në mendjen e secilit për profit, do të zbehet, madje do të hiqen nga rendi i ditës luftërat për poste dhe pushtet politik. Qytetarët do t`i kthehen punës, jetës, frymës bashkuese ekonomike, demokratike, jetës kulturore, shumë më pak asaj politike. Pluralizmi do të ketë krejtësisht mënyra dhe konkurrenca tjera fare. Vendit do t`i mjaftojnë dy-tri, maksimumi pesë parti politike, të cilat do të organizonin politikë dhe pushtet të mirëfilltë kombëtar, pozitë-opozitë pa grindje, shamata, inate, pa fyerje, xhelozi, spekulime, nxitje naive nga reaksionarë vendor e të huaj. Bashkimi i kombit është i vetmi vizion real, social ekonomik, politik zgjedhor demokratik, social, arsimor, shëndetësor e kulturor.

Gara për pushtet, më e qëndrueshme dhe më atraktive 

Pozita e cila arrin të fitojë të drejtën e udhëheqjes të institucioneve shtetërore, qeverinë, legjislaturën, presidencën, avokatin, gjyqësorin, policinë, ushtrinë etj., do jetë më e denjë për respekt, e ndjekur këmba-këmbës nga një opozitë, e cila di çka të kërkojë me programe joshëse dhe më të denja sesa pozita, në mënyrë që në mandatin vijues të zgjedhjeve të ketë me çka të prezantohet para qytetarëve, votës së elektoratit, të cilin do të joshte vetëm me programe më atraktive, më të fuqishme, duke i parë dhe luftuar të metat, dobësitë dhe mandatin e pozitës. Prandaj, mund të themi lirisht se bashkimi i kombit shqiptar, popullit, rinisë dhe gjeneratave, do t`ua kthente optimizmin, erën e fuqishme të zhvillimit, lirisë e ecjes rrugës vertikale, në politikë, ekonomi, strategjinë diplomatike, mbrojte dhe siguri, përparim dhe zhvillim harmonik, ekonomik dhe demokratik të vendit. Atëherë: Cili shqiptar është ai, që s’e dëshiron atdheun e bashkuar, ribashkimin e kombit? Urimi më i dëshiruar në përfundim të një shekulli të okupuar, shpërndarë e të përçarë në një shtet fiktiv, është vetëm bashkimi i popullit të ndarë me luftëra të përgjakshme okupuese, qysh nga viti 1878-1881, 1913, 1945, kur Kosova etnike me Konferencën e Londrës më 30 korrik 1913 mbetet nën sundimin serb, malazez, bullgar dhe grek. As me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s`u rizgjodh fati i popullit shqiptar në mënyrë fatlume, ciç e deshën heronjtë, dëshmorët dhe martirët gjatë luftës së përgjakshme 2-vjeçare 1997-1999.
 
Me bashkimin e shqiptarëve pushon konflikti fqinjësor në Ballkan

Ëndrrat e shëmtuara për toka, dete, fusha e male, manastire e kisha autoktone ilire-shqiptare vazhdojnë! Vetëm bashkim-ribashkimi i kombit zgjidh çdo enigmë, çdo të ligë dhe çdo të keqe në gadishullin e trazuar, akoma të papushuar nga hegjemonizmi serbo-grekomadh me ushtrim të tiranisë policore, ushtarake ortodokse serbe mbi K. Lindore, Çamërinë nën Greqinë, Malësinë nën Malin e Zi, Plavë, Guci, Luginën e lumit Cem, Tivar, Ulqin, shqiptarët në Maqedoni etj. Kjo hapësirë historikisht dhe gjeografikisht pa (Shqipërinë Londineze), quhet Kosova Etnike. Prandaj, de jure dhe de fakto nuk është çliruar Kosova e vërtetë. Me Çlirimin e Kosovës sot është zgjidhur vetëm një pjesë e problematikës në gadishull. Çështja jetike e kombit shqiptar mbetet pezull pa u zgjidhur, përderisa s`arrihet bashkimi i trojeve të ndara nga pjesa e trungut etnik. Ribashkimi kombëtar imponohet duke qenë dialektikë, çështje tepër e çmueshme, madje nevojë tepër e ngutshme. Sepse, bashkimi sjell perspektiva të mëdha zhvillimesh të frytshme harmonike të paimagjinueshme ekonomike, socio-politike etj. Atëherë kush ka të drejtë që këtë rrugë idealesh ta ndalë, stopojë ose ta pengojë me shekuj, kinse për shkak se: “Do të hapet kutia e pandorës, do të zgjohen të tjerët”! Kush janë ata të tjerët?! Ky është një spekulim faktorësh evropianë bashkë me servilë të brendshëm turkoshakë, politikanë e udhëheqës vendorë! Çfarë të drejte juridike, ndërkombëtare moralo-historike kanë ata të tjerët, për t`i penguar shqiptarët në tokat e tyre natyrore për liri, bashkim dhe zhvillim kombëtar, qetësi dhe përparim ekonomik, politik, diplomatik, kulturor dhe historik!? Ata të cilët i theksojnë këto intriga janë demagogë, qoftë të jashtëm, (aq më të shëmtuar dalin të jenë ideatorët vendorë), çdo shqiptar i ngjizur me ide reaksionare antikombëtare.
Si do të duket rregullimi përfaqësues shoqëror

Shteti i ardhshëm shqiptar nuk duhet të jetë kopje e çdokujt, veçse i demokracisë parlamentare apo presidenciale. Shqipëria duhet të ndërtohet vetëm mbi baza unike të të gjitha krahinave me status të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë sa më parë valutën me Bankën e përbashkët Kombëtare. Ndërkaq, rregullimi i brendshëm kushtetues sistemor-zgjedhor-republikë laike parlamentare, monarki apo republikë presidenciale, zgjidhet me marrëveshje me njërën nga pesë demokracitë e sistemit demokratik presidencial, apo parlamentaro-republikan, ku qytetarët do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në sistemin delegues, duke u mbështetur në parimet një votë një kandidat dhe në numër më të madh të deleguesve. Vendi duhet të përfaqësohet në mënyrë profesionale në legjislaturë, ekzekutiv, gjyqësor etj. Me një Asamble Kushtetuese Kuvenduese. Administrimi shtetëror mbështetet në baza kombëtare qytetare, duke u përfshirë grupet minore, komunitetet etj, siç janë respektuar në të gjitha fazat sistemore të shtetit shqiptar njëqind-vjeçar. Presidenca mund të ketë karakter përfaqësimi në formë rrotacioni me mandat tre ose pesë vjet, duke u përfaqësuar krahinat dhe viset e ndara me dhunë nga ish-okupuesit. Administrimi i brendshëm shtetëror rregullohet në prefektura, bashki e komuna, siç zbatohet aktualisht në Shqipëri. Presidenti zgjidhet me referendum popullor. 

E them me plot bindje shkencore, dialektike dhe praktike, se bashkimi kombëtar sjell lirinë, qetësinë, rehatinë dhe demokracinë në vend. Pushojnë luftërat dhe konfliktet qindvjeçare në hapësirën shqiptare, në veçanti në rajon dhe në Evropë! Bashkimi zhduk politikën hegjemoniste pan-sllaviste për Serbinë e Madhe në veri dhe “Megali-idenë pan-greke në jug”, për tokat shqiptare në veçanti tokat jugore me bregdetin shqiptar! Me bashkimin shqiptar pushojnë konfliktet kolonialiste me shekuj mbi pasuritë tokatë, manastiret, detet, fusha e malet shqiptare, të përgjakura me shekuj me gjakun e heronjve, martirëve dhe dëshmorëve! Më në fund, bashkimin shqiptar s`ka fuqi që mund ta ndalë! Siç janë luftërat, okupimet dhe pushtimet një paudhësi, ribashkimi është dialektikë e cila me vete sjell zhvillim ekonomik, begati, qetësi dhe listë efektesh të paimagjinueshme ekonomike kombëtare në vend, rajon, Evropë, botë etj. Po të ishin Kosova dhe Shqipëria të bashkuara nga viti 1912-1945, tani në ketë 100-vjetor shteti shqiptar, do të ishte më i fuqishmi në rajon!

Bashkimi kombëtar, i shenjtë dhe i domosdoshëm 

Nëse këtyre ideve u thuhet qasje romantike, atëherë unë nga jeta ime reale s`paskam mësuar asgjë. Por e di se nga romantizmi pikërisht buron atdhedashuria patriotizmi, filozofia dhe histori-gjeografia e krijimit të kombeve shtet dhe shtetit komb! Pas LSHK të Prizrenit 1878, 135 vjet më parë, dhe më 28 nëntor në Vlorë, Ismail Qemali me rilindës, shpallën pavarësinë e vërtetë. Tani shtrohet pyetja: Deri sot, politika shqiptare ka krijuar shtet të pavarur sovran dhe unik, në hapësirën e arealit gjuhësor gjeografik?! Apo akoma jeton në mbështetje të politikës fodulle, shpërblyese dhe vajtuese! Pavarësisht amullisë shteruese, shteti shqiptar i pandarë dhe unik do të krijohet, sepse bashkimi është i shenjtë, i përjetshëm dhe i domosdoshëm, prandaj s`bën dhe s`bën të ndarë përjetësisht... Urimet e 100-vjetorit të shtetësisë u takon rilindësve, sovranit, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve.  Lavdi të rënëve për liri, pavarësi, bashkim-ribashkim, zhvillim ekonomik, kulturor demokratik në atdheun unik. Shqiptarë kudo që jetoni, punoni dhe gjallëroni: Urime Dita e Flamurit, 569 vjet më parë, 28 nëntor 1443 ngritur në Krujë, 28 nëntor, 1912, 100-vjet më parë ngritur në Vlorë heroike dhe 28 nëntor 2012, kudo dhe në diasporë, dhe kudo frymoni në trojet e tij etnike!... Urime!

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.