Populli shqiptar në përballje historike, të frymëzuar nga heronjtë e luftërave dhe të kulturës kombëtare, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, kishin arritur, hap pas hapi, të ndërgjegjësoheshin duke rikrijuar programe të reja, për kundërshtime ndaj perandorisë së egër osmane.
Ky fakt dëshmohet dhe me rastin e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe të Konferencës së Londrës 1913, kur Fuqitë e Mëdha europiane dhe Perandoria Osmane, duke i identifikuar shqiptarët të islamizuar në masën 70% me turqit, i bënë plaçkë tregu tokat shqiptare, ndërmjet Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Shqiptarët, të mbledhur tok rreth flamurit kuq e zi, u shprehën ashpër kundër këtyre vendimeve të padrejta, duke organizuar peticione, protesta, lëvizje dhe konferenca kombëtare, si: Lidhja e Prizrenit 1678, Kuvendi i Pejës 1899, Kuvendi i Ferizajt 1910, Kryengritjet e Malësisë së Madhe 1911, ato të 1912-s etj. Vendimet e lartpërmendura nuk i mbrapsën shqiptarët në kërkesat e tyre legjitime, por përkundrazi ishte një nxitje edhe më e theksuar e atdhetarëve dhe intelektualëve për të ngritur zërin e arsyes, për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Në mesin e atyre të shumtëve, që kontribuuan në këtë drejtim, me këtë rast, do veçonim poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishta.
Letërsia diplomatike e Fishtës
Situata problematike e këtyre viteve në Ballkan, e në veçanti në trojet shqiptare, nuk kishte si të mos e shqetësonte shpirtin, që në moshë të re të poetit Fishta. Fishta, i lindur më 22 tetor 1871, në Fishtë të Zadrimës, gjatë kohës studentore në Bosnjë, në vitet 1886-1893, nuk kishte si të mos e shprehte para studentëve boshnjakë dhe eprorëve të tij, krenarinë dhe njëherazi dhimbjen për atë çfarë po ndodhte me popullin e tij, i cili akoma dergjej nën pushtimin e perandorisë e osmane. Gjatë studimeve teologjike në Livno, duke qenë vazhdimisht i përbuzur, nga një grup studentësh si dhe eprori i tij, Augustin Çengiq, si zgjim i rilindjes sllave, në kushtet e përjetshme të Urdhrit Françeskan, në vitin 1890, në shenjë krenarie dhe heroizmi për popullin që i takonte, mori emrin Enea Silvio Giorgius Fishta. Dy emrat e parë ishin të Papa Pio II, i cili në vitin 1464 qe nisur nga Roma për në Ankona për ta kurorëzuar Skënderbeun, si mbret të ushtrisë aleate, për çlirimin e atdheut nga perandoria osmane, dhe emri Giorgius, personifikimi i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Fishta, që nga ky moment nisi epopenë mendore dhe shkrimore, për ndërgjegjësimin e shqiptarëve, për idealin e lartë, siç është mbrojtja e atdheut dhe gjuhës shqipe, më çdo kusht, madje deri në flijimin e jetës.
Rikthimi i tij në atdhe në vitin 1893, nga një vend i çliruar nga Perandoria Osmane dhe ballafaqimi drejtpërsëdrejti me pushtuesit osmanë dhe më vonë, serbët e malazezët, qenë faktorë përcaktues për Fishtën, që në programin e tij jetësor, krahas detyrave shpirtërore, ta ketë dhe çështjen kombëtare. Ngjarjet politike nëpër të cilat merrte shtat Shqipëria jetime, e shtynin Fishtën të rrinte përherë i zgjuar me pendë në dorë, e cila herazi shndërrohej në shigjetë të ngrehur, sipas modelit të ngjarjes biblike të Judës së Makabeve, për “pro aris et focis”, për altar dhe vatër, e cila në gjuhën e Fishtës përkthehej: “për fe e atdhe”, moto e cila gjithë jetën e ka shoqëruar poetin tonë kombëtar. Me shkrimet e tij të botuara në të përkohshmen ‘Albania’ (1900-1905), si: “Shcypja e burrit”; “Ma i madhi kob i shcyptaris”, “Mali i Zi” etj., “Hylli i Dritës” nga viti i themelimit të saj 1913 e në vazhdim, “Posta e Shqypnis” (19176-1918) “Grueja Shqyptare” (1920), “Leka”, (1929-1944) të paraqitura në formë proze, poezie, lirike, satire dhe dramaturgjike, Fishta, arrinte t’i shtrinte idetë e veta gjithmonë dhe gjithkund, në funksion të mbrojtjes dhe përparimit të atdheut.Duke bërë letërsi, publicistikë, apologji, kritikë dhe mbi të gjitha polemikë, ka ndezur shkënditë e zjarrit në zemrat e shumë shqiptarëve, për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit njerëzor në tokën arbërore, të mbë shtetur në parimet biblike: “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria”. Me pendën e tij të artë dhe të zjarrtë, të mbështetur në drejtësi e liri, kulturë dhe përparim, arrinte t’i ndërgjegjësonte shqiptarët nga indiferentizmi i kohës, dhe njëherazi të vërë në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare për zgjidhjen sa më objektive të çështjes së shqiptarëve në Ballkan.
Prodhimi më i arritur letrar, më anë të të cilit shpreh shqetësimin e thellë ndaj diplomacisë europiane për diskriminimin e bërë ndaj shqiptarëve, është përmbledhur në veprën jetësore: “Lahuta e Malsisë”.
Me këtë vepër, me vargjet kushtuar Kuvendit të Berlinit, Lidhjes së Prizrenit, Luftës Ballkanike dhe Konferencës së Londrës, diplomati Fishta ngre, madje drejtpërsëdrejti, akuza të rënda ndaj konferencave europiane, për mosrespektimin e vullnetit të popullit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë territoriale të trojeve stërgjyshore, të shprehur me protesta, peticione, kryengritje e forma të tjera.
Fishta, diplomat i pashpallur
Fishta, krahas punës së tij shkrimore me sfond politik dhe diplomatik, shqetësimet me popullin i ndante duke marrë pjesë në mënyrë aktive në protestat dhe kryengritjet e tyre.
Me rastin e shpërnguljes së popullatës së paarmatosur nga Malësia në Podgoricë, Mali i Zi, kur Turgut pasha, në vitin 1910-1911 dogji dhe poqi Malësinë e Madhe, figura qendrore e nxitjeve popullore dhe bisedimeve me ndërkombëtarët në Podgoricë, krahas Imzot Jak Serreqit, si përfaqësues zyrtar i Kishës së Shkodrës, pa dyshim ishte Atë Gjergj Fishta.
Qëndrimi i tij dhe i Luigj Gurakuqit, i prerë ndaj perandorisë osmane, sollën si rezultat miratimin e 12 kërkesave nga ana e malësorëve të njohur si Librin e Kuq, më 10-25 qershor 1911, në Kuvendin e Gërçës, ku malësorët, me këmbëngulje kërkonin krijimin e një province autonome shqiptare, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm.
Në kohën kur Shkodra, më 9 tetor 1912 deri më 22 prill 1913, mbahej e pushtuar nga malazezët, në këto ditë të zymta, kur pushka dhe çizmja e ushtarit fliste më tepër se diplomacia, Fishta, edhe pse i mbyllur në Kuvendin tek Arra e Madhe, pati kurajë t’i fliste popullit për rrezikun që i kërcënohej nga serbët dhe malazezët, nëpërmjet provincialit të tij në Rubik, Atë Pal Dodaj.
Pas largimit të ushtrisë malazeze nga qyteti dhe ardhjes së ushtrisë ndërkombëtare, më 14 maj 1913, në kambanoren e kishës së Gjuhadolit, me kërkesën e Fishtës, u valëvit flamuri kuq e zi. Me këtë rast, nga zemra e poetit të ngujuar buroi teksti i himnit kombëtar: “Porsi fleta e Engjillit t’ Zotit/ Po rreh Flamuri i Shqypnisë”.
Ky veprim heroik i Fishtës, pas shumë debateve diplomatike, me kërkesën e kolonelit britanik, Gordon Philips në Shkodër, solli largimin e tij nga Shkodra për në Asizi, të Italisë, për t’u kthyer përsëri në vendlindje, në janar të vitit 1916, kur trupat austro-hungareze, me këtë rast, morën Shkodrën.
Me ardhjen e trupave austro-hungareze, sikur filloi një frymëmarrje e re diplomatike dhe kulturore për Fishtën. Me këtë rast, me ndihmën e mikut të tij, diplomatit austriak në Shkodër, August R. von Krajl, filloi botimi i gazetës “Posta e Shqypenisë”, një fletore hartimi, kulturore, politike dhe diplomatike, botuar më 5 dhjetor 1916, deri në 23 nëntor 1918, në shqip dhe gjermanisht.
Kjo gazetë e themeluar nga Fishta, me përmbajtjen që kishte nuk i shkonte për shtati ministrit të Bullgarisë, D. Rizov, së fundi as konsullit të Francës në Shkodër, Bardy de Fourton, si përkrahës i politikës serbe e malazeze, i cili në nëntor të vitit 1918, urdhëroi mbylljen e saj.
Me këtë rast, më 28 nëntor 1918, Ditën e Flamurit, në Shkodër u organizuan protesta të ashpra popullor të udhëhequra nga vetë Fishta.
Me mbylljen e gazetës “Posta e Shqypnisë” dhe revistës “Hylli i Dritës”, shuhej zëri i të drejtave të shqiptarëve për pavarësi të plotë dhe bashkim të trojeve stërgjyshore.
Fishta dhe Konferencat Ndërkombëtare
Pas Kongresit të Shqiptarëve të mbajtur më 25 dhjetor 1918, në Durrës, vëmendja e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut ishte përqendruar në Konferencën e Paqes, në Paris, e cila i zhvilloi punimet më 18 janar 1919 deri në maj 1920. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria gjendej e pushtuar nga forcat ushtarake të disa fuqive fituese, të cilat synonin të dhunonin pavarësinë dhe ta cenonin tërësinë e saj tokësore. Ndërkohë që përfaqësuesit shqiptarë do t’i kërkonin Konferencës rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes.
Ndërkohë që delegacioni shqiptar, në krye me Turhan Pashën, delegatët Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, Mehdi Frashëri etj., ishin nisur drejt Parisit, Imzot Luigj Bumçi, me sekretarin e tij, Gjergj Fishtën, në udhëtim për në Francë, kishin ndaluar për pak kohë në Romë.
Bumçi dhe Fishta, atje më parë takuan gjeneralin e Urdhrit të Fretërve, Atë Serafino Cimino, për t’u takuar më pas, më 6 mars 1919, në një audiencë me Papa Benediktin XV, të cilin e kishin njoftuar gjerësisht për situatën politike në Ballkan e në veçanti të popullit shqiptar, i cili ishte në rrezik të copëtimit të mëtejshëm.
Delegacionet shqiptare, të cilat në shkurt të vitit 1919 kishin arritur në Paris, paraqitën pranë Konferencës së Paqes dy memorandume me opsione të ndryshme për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë si dhe për mundësinë e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të lënë jashtë kufijve etnikë.
Në të arritur të delegacioneve të tjera nga diaspora shqiptare, opsionet për zgjidhjen e çështjes shqiptare sikur u shtuan. Duke parë se situata shkonte në dëm të shqiptarëve, më 28 qershor 1919, grupi i Turhan Pashës bëri ndryshime në përbërjen e delegacionit. Si kryetar, në vend të Turhan Pashës u caktua ipeshkvi i Lezhës, imzot Luigj Bumçi. Mënjanimi i Turhan Pashës, që kishte qenë dikur ambasador i perandorisë osmane në Peterburg, lidhej më synimin për të ndryshuar imazhin që propaganda e huaj i vishte Shqipërisë si “Turqia e vogël”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndarjen e Shqipërisë, sipas Konferencës së fshehtë të Londrës të vitit 1915, delegacionet shqiptare qenë të vendosur të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuar nga Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit Gjergj Fishtën.
Në letrën e At Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkruar nga Parisi, provincialit At Vinçenc Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, preh fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut t`onë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipnien jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der n`Mat”.
Duke qenë se situata ishte e ndërlikuar së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe duke mos gjetur mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, sipas letrës të Fishtës, dërgon në Romë imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, te Papa Benedikti XV. Papa, duke qenë nga takimi i mëparshëm i mirinformuar rreth problemit shqiptar, dëgjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit tonë. Në fund të bisedës, duke qenë i bindur se rreth çështjes në fjalë, do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënie të mira, Papa pat deklaruar se do bënte çmos për ta shpëtuar Shqipërinë nga moscopëtimi i mëtejshëm i saj.
Sipas gazetës “Le Temps”, thekson Fishta, grupi parlamentar katolik i Italisë kishin kërkuar nga kryetari i qeverisë, Nitti, që Italia dhe zyrtarisht të mos kërkojë copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Për ta ndërkombëtarizuar më tepër çështjen e shqiptarëve, Fishta dhe Bumçi, më 5 shkurt, 1920, zhvilluan takimin e radhës me kardinalin e famshëm të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës, i cili mori përsipër t’i shkruante në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, pastaj, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj.
Mundi dhe djersa e Fishtës dhe të gjithë tjerëve, që u kurorëzua me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe më pas, më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipëria së fundi siguroi tersin e saj, në kufijtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913.
Megjithëse Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, akoma nuk qe e pranuar nga Amerika, e cila në Konferencën e Parisit, e përfaqësuar nga Presidenti Wilson, luajti rol jashtëzakonisht të madh në favor të çështjes shqiptare.
Fishta, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërguar provincialit, At Pal Dodaj, nga Uashingtoni thekson se, pas dymbëdhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga Anglia, më në fund kishte arritur në Amerikë.
Pa humbur shumë kohë, kishte filluar për të bërë lobin rreth çështjes së Shqipërisë. Pas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Uashingtonit, At Godfried Shilling, Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henri Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i një mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve. Në letrën e lart cituar, Fishta do shprehej: “asht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i dejtojë një shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje... Në fund të letrës, shkruan Fishta: “nderkaq vizita e eme në Ëashington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnis prej anës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Fishta, takimet në Uashington nuk i kishte bërë në rolin e një deputeti të Shqipërisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Si i tillë kërkoi njohjen e një vendi tepër të vogël, nga Amerika tepër e madhe.
Qeveria shqiptare, për të mbrojtur interesat e vendit, mori pjesë në disa konferenca ballkanike në vitet 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende.
Në fund të vitit 1930, konferenca qe mbajtur në Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica. Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtuar provincialit At Vinçenc Prenushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte qenë shumë në lartësinë e duhur. Fishta, në këtë Konferencë qe përqendruar në zhvillimet kulturore në Shqipëri.
Konferenca e dytë qe mbajtur në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit e Shqipërisë, rishtas qenë Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapur nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtur dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20 10. 1931, drejtuar provincialit, Pal Dodaj, duke bërë një përmbledhje të Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, 21, kemi pas luft më Jugoslav në Komisionin Politik. Mehemt Konica asht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugoslave me nji fare Topalovic. Jovic, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska thanë Konitzes se asht i shtim prej dikuj tjeter më prish Konferencen. Konica i paska permendë punet, qi Jugoslavet, kan ba dhe bajnë mbi shqiptaret e Kosovë dhe e paska quejtë barbar”. Fishta, në vazhdim të letrës, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyre dy delegacioneve, Konferenca qe rrezikuar të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërhequr fyerjet e bëra ndaj delegacionit shqiptar.
Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin insistuar që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuan që kjo çështje të shtyhet për një konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhëm.
Pasi çështja e pakicave nuk mori zgjidhjen e duhur, në vitin 1932 u organizua Konferenca e tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njëjtët aktorë dhe pati të njëjtën tematikë. At Fishta, pos rolit të delegatit, tani kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte eterit françeskanë të Shqipërisë. Kjo konferencë pësoi fatin e atyre të mëparshmeve, duke mos sjellë gjë konkrete për temën në fjalë.
Pas këtyre Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjëja më e mirë, që ëmbëlsoi shpirtin e trazuar të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themeluar në Nju Jork. Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra më e gjetur për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botërore.
Përfundimi
Sinteza e gjithë veprimtarisë se tij ishte se nuk ka dashuri të vërtetë të atdheut aty ku nuk njihet a ku përjashtohet apo luftohet emri i Zotit. Se patriotizmi nuk është as vetëm një instinkt, as vetëm një modë apo zanat, por përkundrazi, është njohja e atdheut dhe dashuria ndaj tij, deri në vetëflijimin të jetës tokësore. Trupi i poetit të ‘Lahutës së Malësisë’, në vitin 1940, duke zbritur në terrin e varrit, sikur lëshonte një klithmë për ndërgjegjësimin e çdo shqiptari: Jo, po: ka Shqypni për n’iat Zot!
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.