Gjermania i vë kushte Serbisë. Ashtu si gjatë vizitë së kancelares Angela Merkel në Beograd, edhe tani Berlini zyrtar është deklaruar qartë se është i interesuar për anëtarësim të Serbisë në BE, por para se të ndodhë kjo, Beogradi do të duhej të pranonte pavarësinë e Kosovës. Serbia e hedhë poshtë këtë, ajo angazhohet për ndarjen e Kosovës.
Sylë Ukshini*
Aktualisht Gjermania është shteti evropian që gëzon simpatinë më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës. Roli i Gjermanisë si fuqia më e madhe ekonomike brenda Bashkimit Evropian (BE) dhe motori kryesor i integrimeve evropiane mbetet përcaktues edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si dy shtete të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ndërkaq, në media serbe janë forcuar tonet antigjermane. Meqenëse Kosova dhe Serbia, ashtu si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë një anëtarësim sa më të shpejtë në BE, roli i Gjermanisë vlerësohet vendimtar që ato ta mbajnë të hapur perspektivën evropiane. Kështu do të jetë edhe këtë të premte, kur më 9 dhjetor, do të vendoset nëse Serbia do të marrë zyrtarisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Gjermania kërcënon me një "Jo" nëse Serbia nuk përmirësohet në bashkëpunim me Kosovën dhe nëse nuk heq dorë nga pretendimet ndaj Kosovës. Me këtë qëndrim shteti gjerman, sidomos që nga vizita e kancelares Merkel në Beograd, në gusht të këtij viti, po tregon një rol prijës në politikën evropiane, po bën atë që do të duhej ta bënin të 22 shtete anëtare të BE-së, që e kanë njohur Kosovën, bëri atë që do të duhej ta bënte baronesha Cathrin Ashton. Mjerisht deri më tani në Bruksel më shumë është dëgjuar zëri i 5 vendeve që kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës sesa ai i 22 vendeve që e kanë njohur atë. Por, për dallim nga shumica e vendeve të BE, Gjermania po sillet si lidere e vërtetë evropiane, po dëshmon lidership të vërtetë përballë sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë, e cila me pretendimin se ne zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë forcat radikale, antievropiane, në rast se ajo nuk fiton statusin e kandidatit, provoj të ushtrojë trysni në qendrat evropiane të vendosjes. Deri më tani selljet e Serbisë në raport Kosovën me edhe kur në pushtet janë forcat me orientim pro-evropian të kujtojnë kohën e fillimit të viteve nëntëdhjeta, kur në ish-Jugosllavi vendoseshin barrikadat si një mjet për realizimin e politikës hegjemoniste të Milosheviqit.
Prandaj, tani është momenti vendimtar për rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, prandaj më shumë se kurrë BE-ja duhet të tregoj një kohezion në politikën e saj të jashtme dhe të marrë një qëndrim më unik lidhur me kandidaturën e Serbisë, në sjelljet e së cilës ka pasur dallim të madhe mes asaj që është thënë dhe asaj si është vepruar në terren. Pikërisht kjo sjellje e papërgjegjshme e Serbisë ka nxitur Gjermaninë t’ia bëjë të qartë disa herë se anëtarësimi i saj në BE nuk është i mundur pa zgjidhjen e problemeve me shtetet fqinje, përkatësisht, Serbia mundet në BE vetëm pas bashkëpunimit me Kosovën. BE-ja vazhdon ta theksoj fuqishëm se nuk do të lejojë një Qipro të dytë, domethënë nuk ka gatishmëri që të pranojë në gjirin e saj një shtet që ka probleme me fqinjët. Pra, Serbia duhet të qojë durat Kosova nëse dëshiron BE-në.
Kjo i është bërë e njohur presidentit serb Boris Tadiqit në gusht të këtij viti nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe në Prishtinës zyrtare përmes shefit të saj të diplomacisë Guido Westerwelle. Por duket se Beogradi nuk e mori shumë seriozisht këtë paralajmërim. Por, nuk duhet krijuar keqkuptim sikur Gjermani është kundër Serbisë. Në të vërtetë Gjermania dëshiron ta shoh Serbinë në BE, por, Beogradit i kërkohet të bëjë më shumë në dialog me Prishtinën, të shpërbëjë strukturat paralele të trashëguara që nga koha e Millosheviqit dhe të lejojë misionin e BE-së, EULEX, të shtrijë pushtetin e tij edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Sikur të gjitha vendet e BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të ndiqnin linjën gjermane dhe të disa vendeve të tjera evropiane, që Serbisë t’i bëhej e qartë se nuk mund të shpresonte për anëtarësim në BE, pa përmirësuar bashkëpunimin me Kosovën, përkatësisht pa përmbushur tri kërkesat kryesore të Angela Merkelit. Beogradi zyrtar do të detyroj të ndiqte një politikë më realiste dhe një politikë pajtimi. Kjo do të përshpejtonte përfundimin e suksesshëm të çështjes së Kosovës dhe të Ballkanit, duke dëshmuar se politika e jashtme evropiane ka fituar profil dhe se është e aftë të mbyll kapitullin problematik, 12 vjet pas nxjerrjes së Kosovës nga administrimi i dhunshëm i Serbisë.
Që prej gushtit të këtij viti, Gjermani e ka ndjerë peshën e një qëndrimi të vendosur të një shteti evropian, i cili ka qenë ndër të parët që e ka njohur Kosovën. Kancelarja Angela Merkel javën e kaluar në Bundestag tha hapur se Serbia nuk ishte ende e pjekur për të nisur bisedimet e anëtarësimit, duke shtuar se kushtet e vëna para Serbisë për statusin e kandidatit deri më tash nuk janë plotësuar. “Me keqardhje të madhe mund të them se Serbia nuk i ka përmbushur këto pritje, prandaj parakushtet për t’i dhënë asaj statusin e kandidatit nuk janë përmbushur ende”, deklaroi kancelaria gjermane, duke bërë të qartë për Serbinë se “rruga drejt BE-së mund të ndodhë vetëm pasi të normalizohen raportet me Kosovën.”
Pas këtij qëndrimi të prerë të Berlinit zyrtar duket se është mbyllur hapësira manovruese për Serbinë, e cila deklarativisht flet për paqe, ndërsa në praktikë bënë të kundërtën, nxit serbët e veriut të Kosovës dhe vazhdon me pretendimet ndaj Kosovës. Po ashtu, ajo duhet të bëjë më shumë që ta largohet nga Kosovë, në mënyrë që të bëhet i mundshëm afrimi me BE-në.
"Serbia është gjithnjë e më larg statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ne besojmë se ajo duhet të bëjë më shumë", theksoi ditë më parë ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière, në Bruksel. Ai tha edhe këtë se "ata nuk e besojnë që Serbia e ka humbur ndikimin tek serbët në veri të Kosovës", dhe se "ata kanë dalë jashtë kontrolli".
Në anën tjetër, diplomatët në Bruksel kanë shprehur mendimin sipas një deklarate të tillë të kancelares gjermane është bërë pothuajse e pamundur që Serbia ta merr statusin e kandidatit në samitin e BE-së, deri në fund të kësaj jave. Mesazhi për Serbinë është tejet i qartë: Serbia duhet të heqë dorë ndaj Kosovës nëse dëshiron anëtarësim në BE. Këtij sikurse tani i është bashkuar edhe Britania e Madhe, e cila është deklaruar se pret nga Serbia të tregojë “përkushtim më të madh” në dialogun me Kosovën, duke iu bashkuar kështu Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës në kërcënimin për përdorimin e vetos ndaj kandidaturës së Serbisë për në BE.
Ndoshta tani kjo është hera e parë që serbët po e kuptojnë më në fund se më nuk shkon me diskursin e vjetër “edhe Kosova edhe Evropa”, dhe se më 9 dhjetor është momenti i vendimit që, sërish, përkufizohet mirë me pozicionin parimor të BE-së: Nuk ka afrim me BE-në pa bashkëpunim dhe respektim të tërësisë territoriale të Kosovës.
Me sa duket, incidentet e fundit në Kosovë, kur barrikaduesit serbë patën plagosur ushtarë gjermanë dhe austriakë kanë luajtur rol për Gjermaninë dhe disa vende të tjera evropiane, si Holanda, Austria dhe Britania, por për Spanjën dhe të tjerët jo, që mendojnë se Serbisë duhej t’i jepet statusi i kandidatit.
Për shtetin gjerman gjendja është ende tepër e pakënaqshme për t'i dhënë Serbisë dritën e gjelbër, pasi Serbia vazhdon të ngrejë pretendim për Kosovën, sikur të jetë provincë e saj. Në negociatat në fundjavë, 3 dhe 4 dhjetor, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan që në të ardhmen ta administronin së bashku kufirin. Por serbët, që jetojnë në Kosovë, e refuzojnë marrëveshjen, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse Beogradi do ta implementojë atë. Për diplomacinë gjermane një pengesë serioze janë sjelljet e serbëve lokalë ndaj trupave paqeruajtëse. “Incidenti me ushtarët austriakë dhe gjermanë është jashtëzakonisht serioz dhe qeveria serbe duhet ta dijë që kur ajo nuk i shmang gjërat e tilla, të cilat mund t'i shmangte, atëherë kjo është një pengesë që të bën të dështosh," ka vënë në dukje ministri gjerman i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Werner Hoyer
Me kushtet e qarta për Beogradin, të bëra publike, Gjermania, e vetmja nga shtetet anëtare të BE-së, ka ndihmuar që Kosova të mos ndjehet e vetme përballë agresionit të Serbisë dhe se ka ardhur momenti që gjërat të thuhen troç, në mënyrë që përmes një pozicioni parimor të ndihmohet edhe vetë Serbia, e cila edhe 11 vjet pas përmbysjes së Milosheviqi nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për Kosovën. Vetëm kështu i ndihmohet konsolidimit të shtetit të Kosovës, dhe jo me nisma në stilit të disa diplomateve se në tavolinën e bisedimeve “teknike” Prishtinë - Beograd të hapen negociata edhe për një zgjidhje të re për veriun e Kosovës, duke vënë në pikëpyetje Planin e Ahtisarit, të cilin e ka mbështetur shteti i tij.
Së këndejmi është mirë që Gjermania është një shtet i fuqishëm evropian dhe po ashtu, me krizën e fundit ekonomike që kërcënon ekzistencialist edhe vetë BE-në, shfaqet si lider i fuqishëm i BE-së, kryesor për të shpëtuar atë idenë e Evropës së bashkuar, del në mbrojtje të Kosovës, me çka mbron edhe rrugën e saj evropiane. Gjermania dëshiron që Kosovës së pavarur, por edhe Serbisë, t’i hapet rruga për në BE, që do të ishte edhe për të mirën afatgjate të rajonit.
Sjellja e Serbisë karshi Kosovës është në kundërshtim me vetë idenë evropiane dhe për më tepër, asaj duhet t’i qartësohet se barrikadat e bllokojnë rrugën e Serbisë drejt Evropës, si dhe dëmtojnë perspektivën e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe, para së gjithash, për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën e saj kriminale, e cila për dy dekada me radhë e ka penguar ecjen përpara të Kosovë dhe të tërë rajonit.
Me pozicionin e vet, Gjermania, duke mbajtur një qëndrim të drejtë dhe parimor, mbron jo vetëm Kosovën nga agresioni i Serbisë, por edhe ndihmon formulimin e politikave më të qarta evropiane karshi Kosovës, Serbisë dhe tërë rajonit, si dhe mbron rrugën e saj evropiane.
Gjermania po dëshmohet si lidere e vërtetë evropiane në një moment të vështirë për Kosovën dhe për të ardhmen e saj evropian dhe të të gjithë rajonit.
(*Autori është Drejtor për Çështje Rajonale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ky shkrim paraqet pikëpamjet personale te autorit dhe jo të institucionit )
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.