Kohët e fundi është dëgjuar të flitet se në vendin tonë ka forca të errëta që nuk e duan këtë vend dhe madje në shumicën e rasteve luftojnë kundër tij. Ajo që është për tu shqetësuar është fakti, se në lidhje me këtë argument flasin edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Jo më larg se mbrëmë tek emisioni “Opinioni”, Kryeministri foli, se grupe antishqiptare tentuan ta pengonin ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Në lidhje me këtë çështje dalin në dritë disa problematika serioze. Se pari nëse ka grupe të tilla, a janë ato jashtë sferës së vendimmarrjes së Shtetit, apo tashmë janë pjesë integrale dhe ndoshta shumë herë vendimet e marra prej tyre vendosin edhe fatin e Shqipërisë? Nëse do të flisnin intelektualët, apo shoqëria civile për ekzistencën e grupeve antishqiptare nuk do të ishte shumë shqetësuese, por fakti se vetë Kryeministri flet, do të thotë se edhe një figurë shtetërore si ai është ndjerë ndofta edhe i “kërcënuar” ose nën “presion” për të ndjekur linjat e tyre antishqiptare. Pra, në një far mënyrë këto grupe antishqiptare janë aq të pranishme dhe të fuqishme sa nuk e kanë problem të tentojnë të diktojnë edhe politikat e një Kryeministri.
Edhe pse Kryeministri flet hapur për ekzistencën e tyre dhe për faktin se kanë tentuar ose provuar që Rruga e Kombit të mos ndërtohet, nuk e dimë nëse me të vërtetë nga situatat ose faktorët e ndryshim, Kryeministri të ketë ndjekur edhe nga pavetëdija interesat e tyre që janë hapur kundër interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Së dyti, nëse ekzistojnë këto grupe për të cilat flitet, pse nuk ka një transparencë për të treguar se kush janë dhe çfarë qëllimesh kanë. Pra, përderisa Kryeministri flet për ekzistencën e tyre, do të thotë se ai i ka të gjitha informacionet e nevojshme rreth tyre. Vendet demokratike, në dallim nga vendet totalitare, shquhen për transparencë. Nëse Shqipëria pretendon se është e tillë, atëherë Shteti duhet të jetë më shumë transparent për të informuar qytetarët për rreziqet (nëse ka) që duhet të "luftojnë". Nëse ka grupe antishqiptare, ne si qytetarë kemi të drejtë t’i dimë dhe të marrim masat tona ndoshta edhe modeste për tu mbrojtur.
Së treti, kjo është një çështje edhe me e komplikuar, që ka të bëjë me sovranitetin. A është në gjendje Shqipëria ta ketë nën kontroll sovranitetin e saj? A ka sot Shqipëria një sovranitet të paprekshëm? Në pamje të parë gjithçka duket në rregull. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare mes shteteve ka ndryshuar shumë. Tashmë, sot për shumë faktorë nuk mund të ketë, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, luftëra të nxehta ose thyerje të sovranitetit të një shteti nga një shtet/shtete me anë të një konflikti të nxehtë. Mënyrat më të mira për të nënshtruar një shtet dhe për të cenuar sovranitetin e tij, është ajo që njihet ndryshe “metoda e heshtur”.
Kjo metodë që në pamje të parë është krejt e heshtur, është mjaft efikase dhe korrë suksese pas disa vitesh. E kam fjalën për monopolet ekonomike, të cilat duke qenë jo transparente për nga natyra, janë në të njëjtën kohë edhe jo transparente për interesat që ato përfaqësojnë. Sot pothuajse për të gjithë është thuajse e qartë se në Shqipëri në shumë sektorë ekonomik ekzistojnë monopole, të cilat në ekonominë e tregut janë të papranueshme dhe nëse rregullat e lojës i bën tregu dhe jo pushteti i njeriut nuk mund të ekzistojnë. Megjithatë, kjo është një çështje tjetër që lidhet me faktin nëse në Shqipëri ka me të vërtetë ekonomi tregu të bazuar në rregullat e konkurrencës së ndershme.
Tashmë flitet se në Shqipëri ka monopole ekonomike greke, serbe, të cilat e kanë kapur ekonominë shqiptare për fyti. Duke kapur ekonominë që është motori i shoqërisë dhe shtetit, në të njëjtën kohë kanë kapur edhe vetë vendin tonë Shqipërinë. A ekzistojnë me të vërtetë këto monopole sot në Shqipëri? Unë, konkretisht nuk kam ndonjë provë konkrete dhe kjo ndoshta lidhet me faktin se nuk jam biznesmen dhe për rrjedhojë nuk kam asnjë kontakt apo përplasje me to. Megjithatë, jo shumë kohë më parë një mik që është biznesmen i rëndësishëm në vend dhe që përfaqëson interesa plotësisht kombëtar përmes aktivitetit të tij më tha: “Jam shumë i stresuar, po falimentoj. Këtu është bërë thuajse e pamundur të bësh biznes, sepse ekonominë shqiptare e kontrollojnë monopolet serbe dhe greke”.
Nuk dua ta besoj se kjo është e vërtetë. Megjithatë, duke njohur mirë mikun që është biznesmen, e kuptoj se ai ka të drejtë dhe po më thoshte të vërtetën.
Një fakt tjetër që po më mbush idenë komplotiste të ekzistencës së këtyre monopoleve ishte rasti, kur vizitova panairin tek Pallati i Kongreseve. Ajo që vura re ishte fakti, se aty kishte thuajse vetëm firma greke dhe shumë pak ose fare firma të tjera, për shembull italiane. Gjatë kohës së vizitës po bisedoja me një sipërmarrës italian të cilin e pyeta: çfarë mendon për faktin se këtu në këtë panair ka shumë firma greke dhe shumë pak italiane? Ai më tha: para se të vija në Shqipëri kisha dëgjuar se shqiptarët dhe greket kanë shumë probleme mes tyre, por kur erdha këtu vura re se greket janë shumë të pranishëm në Shqipëri. Gjithashtu ai tha, se greket sjellin këtu në Shqipëri produkte, të cilat kanë kryesisht teknologji italiane. Sipërmarrësit italian po i thosha se si ka mundësi që Greqia, e cila po shkon drejt falimentimit ekonomik, sjellë këtu në Shqipëri, le të themi, prodhime që do të zhvillonin dhe shpëtonin ekonominë tonë. Ai qeshi dhe tha: nuk e di, thjeshtë më duket absurde!
Shqipëria gjithmonë edhe në të kaluarën e saj ka pasur marrëdhënie jo të qarta dhe transparente me aktivitetet e të huajve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Ndoshta ka ardhur momenti që Shqipëria të jetë më e kujdesshme me investitorët që vijnë këtu. Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë të jesh kundër hapjes me botën dhe kjo tashmë është e padiskutueshme, por të mbrosh interesat tuaja kombëtarë. Kjo është një e drejtë legjitime e çdo shteti nacional që garantohet edhe në të Drejtën Ndërkombëtare. Ndoshta këtë gjë më mirë se sa Kryeministri dhe Presidenti i Republikës nuk mund ta bëj askush. Shpresoj dhe uroj se këta po e bëjnë një gjë të tillë.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.