(Paqja e Kantit apo anarkia e Hobsit)
(Kundërshtitë në “kulturën strategjike”, që sikur prodhojnë ndarjen e boshtit euroatllantik në belicistë të pushtuar nga demonët e luftës dhe në pacifistë të prirë nga ëngjëjt e paqes, rrjedhon të mos përcaktohen dot nga mendësia, qytetërimi apo morali kombëtar!
Ndryshmëria s’është veçse një alternim i paprerë i qendërpeshës së Fuqisë, e cila, si dikur në Berlin, Londër a Paris, aktualisht është zhvendosur në mënyrë dramatike në Uashington!)
I. “Kultura strategjike” !
Mijëvjeçari i tretë do të niste me një retorikë të zjarrtë e gjithë shpresë!
Diskursi i përgjithshëm mendimor kishte adoptuar shpejt prefiksin “post” që i vinte gjithkaje të re për të dhënë ashtu mbylljen e një epoke me shkollat e teoritë, armët e doktrinat e saj! Në politikë, që bënte jetën e vet, do të hidhej në qarkullim sintagma për kohën, tashmë të qetë, profane e të squllur, për kohën: post-historike!
Nuk kishte më epikë.
As luftëra, heronj e të mundur.
Por meqë njeriu është peng i natyrës së tij, (bolshevikët u rropaten të krijonin Njeriu e ri!) përplasjet planetare, tashmë në linjat e S.Huntigtonit, si për të shpëtuar atë nga kotnia, do t’i jepnin revan të ri historisë njerëzore! Dhe sërish: luftëra, fitimtarë e të humbur...
Rigrupimet gjeostrategjike interesore pas rënjës së Perdes së hekurt,do të rikonfirmonin fenomenin që, me votën dhe pronën e lirë, mëtonte të ishte një prurje, një rend i avansuar vlerash: Atllantizmin e ri.
Epiqendra e relacioneve të kësaj hemisfere, ndërkaq, është, siç ishte përherë , misioni i Pushtetit ose Fuqisë. Zhurma mediale sugjeronte idenë dhe qarkullonte opinionin se Europa dhe Amerika, dy konstituentët e rivalizuar kolosalë, e shohin njësoj atë: me veprimsinë dhe etikën e tij! Por, më tepër se njëmendësi, ajo dukej një floskulë salloneske e atyre që kujdestarojnë me“ terrorin e bardhë“ dhe një synim intim i popujve për t’i parë komplementarë interesat e tyre.
Kështu thonë, tashmë, të gjithë. Por jo të gjithë i shpjegojnë njësoj arsyet e ndasisë që herë ngjan e thellë, gati një „varr i ftohtë“ ndëratllantik – si në kohën e mbrapshtë të Shirakut e Shrëderit, këtyre miqëve të sprovuar të Putinit të KGB-së dhe herë më pak e vërejtshme – si tash në vitet e mbara të Mërkelit e Sarkozysë!
Robert Kagan është njëri prej tyre.
Në librin e tij „Fuqia dhe pafuqia – Europa dhe Amerika në Rendin e ri botëror“, ai kundërshton orvatjet e rretheve akademikë europianë për t’a kundruar ndarjen si çështje e „kulturës strategjike“: një prirje të natyrshme zhvillimesh të temperamentit luftëbërës amerikan dhe mentalitetit mirëdashës europian!
Intelektualët europianë, duke retushuar kujtesën, jo të largët, historike, nuk ngurrojnë në përfundimin e rëndë se Amerika është e pllakosur nga „kultura e vdekjes“. Ajo, ndryshe nga europianët që hymnizojnë paqen e amshuar të Kantit, i qenkësh dorëzuar përhumbshëm anarkisë së ligë të Hobsit! Botvështrimi amerikan, sipas tyre, bën ndarjen e varfëruar dualiste të botës: në të keqe dhe të mirë, në armiqë dhe aleatë. E, europianët, thonë ata për vete, kanë një pikpamje më të diferencuar me njeriun dhe të drejtat e tij qendër të saj. Për pasojë, amerikanët, gjithnjë sipas kritikëve europianë (midis të
cilëve dhe të tillë, si disidenti bullgar Cvetan Todorov me librin „Superfuqia e shmangur“, që i kishte shijuar vetë në Amerikë vlerat e lirisë), janë skeptikë ndaj së drejtës dhe institucioneve të sigurisë globale!
Por a është, vërtetë, kështu?
II. Arsyet e ndryshmërisë!
Vrojtimi europian, sipas Kaganit, është tepër thjeshtëzues dhe, prandaj, një karikaturë shëmtane e së vërtetës! Portreti europian nuk ka vetë një pamje të përgjithsuar unike.Britët, për dallim nga fqinjtë kontinentalë, koncipojnë Politikën e Fuqisë ngjashëm me amerikanët. Kujtesa koloniale, relacionet e posaçme me Shtetet e Bashkuara, farkuar në Luftën e dytë dhe në Luftën e ftohtë, dhe qëndrimi tradicionalisht i rezervuar ndaj europianëve të tjerë, i kanë dhënë atyre njëlloj “statusi special” në Europën komunitare. Po as gjermanët e francezët, promotorë të Europës së re, nuk mund të hidhen në një amzë vlerësimi hipotetik. Ndërsa të parët lëngojnë ende vetëdyshimin gërryes, të dytët, nga ana tjetër, ndonëse të lirë e krenar, ndjehen çuditërisht të pasigurtë e gjithë frikë iracionale. Eurolindorët, ndërkaq, ose si u quajt së mbrami, ”Europa e re”, analizon mëtej Kagan, kishin një ecje dhe përvojë të veçuar historike, mbytur nga ndjesia inferiore ndanë Rusisë së fortë dhe qasjes amerikane të “realitetit hobsian”! Pas ekspandimit institucional të Europës së bashkuar në Lindje, mozaikut të kundërshtive interesore do t’i shtohej, tutje, dhe një moskuptim tjetër mes dy europash: të vjetrës dhe të së resë! Ishin kanosjet e patakt të Parisit për braktisje të “familjarëve” të rinjë lindorë që kompletonin tabllonë e tillë.
Që këtej ndryshmëritë në “kulturën strategjike” nuk i referohen dot temperamentit, psikologjisë apo karaktereve nacionale, por gjithsesi, reliefit social dhe konteksteve historike!
Herët, dekada e qindvjeçarë më parë, qeveritë dhe popujt europianë besonin me entusiazëm në “Machtpolitik”-ë ( në origjinalin anglisht është përdorur ky nocion gjerman)! Idetë nacionale të shekullit 18 – të e më pas, sendërtoheshin me forcën e armëve nga gjermanët e Bismarkut apo francezët e Napoleonit. Rendi europian i atëbotshëm, ngritur në themelet e Rajhut gjerman, si gjithë pararendësit e tij, ishte, thotë Kagan, pikërisht një “fëmijë i luftës”!
Amerikanët, nga anë e tyre, po në këtë kohë, në kohën e lulëzimit të forcës së verbër në Europë, kur, si thotë urtia antike, e drejta shtrihej në gjatësinë e shpatës, duke qenë “fëmijë të Renesancës”, kultivonin (si europianët tash) idealet egalitare. Rrjedhon, pra, që ata nuk paskëshin qenë gjithmonshëm luftëdashës bastardhë që i kthejnë krahët së drejtës!
Së paku ne shqiptarët e ndjejmë ndryshe njësimin e forcës dhe të së drejtës (si do të donte B.Paskal), në të famshmen politikë intervencioniste amerikane. Ishte koha kur në rrënojat e Luftës së Parë Botërore, katrahura e shpirtit politik europian gatitej të riflijonte një popull në themelet e paqes së re, duke i vënë zgjedhën e skllavërisë që posa e kishte flakur pas qindra vjetësh, apo më vonë në mbarim të rendit të vjetër bipolar të botës, kur fatkeqësia bënte rrethin e saj të dytë, për t’a heshtur atë, si krimin e vet. Ndaj, kujtohen me pietet dy emra të mëdhenj amerikanë – Presidentët e paharruar Vilson e Klinton, që promovuan e mbrojtën të drejtën e kombeve të vegjël për vetëvendosje: i pari për Shqipërinë në fillimshekullin e shkuar, kurse i dyti për Kosovën, në fundin e tij!
Ndërkohë, pra, që europianët përkundeshin lavdishëm në flatrat e politikës së Fuqisë, pasrendësit e tyre tejoqeanikë adhuronin parimet e lirisë e barazisë. ” I forti e i dobëti, nuk rrëfejnë asgjë në të drejtën ndërkombëtare” dhe ”një Republikë e vogël nuk mund të ishte më pak sovrane se një Mbretëri e madhe”, ishte rezoni, koncepti, gati utopik, i përceptimit prej tyre të politikës së Fuqisë, si e huaj dhe e neveritshme...
Por a mund të ishin George Washington, Alexander Hamilton, John Adams apo, mbase, Thomas Jefferson utopistë? Assesi. Përkundrazi. Ata ishin realistë dhe shtrëngoheshin të bënin lojën, rregullat e së cilës i diktonte aherë dikush tjetër: Europa fuqimadhe!
Dhe tani, gati 200 vjet më vonë, shkruan Kagan, pozicionet janë këmbyer. Dhe përspektivat poashtu. Përtej të mirës dhe të keqes. Thjeshtë Europa, është e dobët. Ajo, ç’është e drejta, ka hapur një faqe të re historie pas eksperiencës së mnershme të qindvjetshit të shkuar duke promovuar civilizimin e ri demokratik dhe kjo duhej të mos e ligshtonte, por, përkundrazi, ta bënte më të fortë. Ideja e bashkimit të saj nuk ishte vetëm arkivimi i traumave të armiqësisë mes tyre. Në themel të saj qëndronte gjithsesi dhe intenca për restaurimin e statusit të fuqisë që tani ka mërguar!..”Machtpoliti”-ka, pra, do të nxisë ndryshime dhe atje ku ka ikur për të bërë strehë: në vendin e madh që quhet Amerikë!
III. Ëndrra e Fuqisë!
Më kujtohet ende një shkrim analitik i të përditshmes berlineze “Tages Spiegel” kur Xh.Bush do të shkelte për herë të parë pragun e Shtëpisë së bardhë. Në përpjekje për të vijëzuar skicë-portretin e tij, autori pohonte me cinizëm se Bushi i republikanëve nuk mund të ishte njëkohsisht Jezus dhe Julius.Pra, ai nuk do arrinte të bashkonte në figurën e tij dy shpirtëra kontraversialë: atë të Krishtit, duke mbrojtur vlerat konservative të familjes amerikane në vendin e tij dhe atë të Cezarit, duke përshtrirë hegjemoninë perandorake në botë!
Por si do të lexojmë te “Europa në mëndje” e Edgar Morinit, a nuk ishte tipike për Europën ( pikërisht në kohën kur Amerika i përfalej “madhshtisë së Renesancës”), ndërtimi i një dyzimi të tillë përjashtimor, i të famshmit moral i dyfishtë: ishte demokraci fine në shtëpi dhe diktaturë e gjakosur gjithandej globit! Madje, kjo mendësi sikur nuk është ç’rrënjosur ende sot. Një këshilltar i ish premierit Bler (Robert Cooker), e këshillonte shefin e tij atëbotë që t’a vinte sërish e përherë në përdorim këtë mësim të vyer historie. Pra, ndërsa do të kultivonte devotshëm demokracinë në Atdhe, nuk duhej të hezitonte aspak, saherë që këtë kërkonte interesi i ftohtë shtetëror, të aplikonte dhunën brutale jashtë tokave të Britanisë. Po dhe ish-kancelari Schmidt në librin “Fuqitë e së ardhmes”, ngre me trishtim pledoajenë e nyjëtimit të Europës, të vogël e kërcënuar, nga gogolë në rritje të kohës sonë!
Ç’të jetë, prandaj, ky alarm? Dhe ky gjakim europian fisnikërie? Për kosolidimin e drejtësisë apo për restaurimin e fuqisë? Gjëndje shpirtërash apo mungesë fuqie?
Fundja a nuk kishte këtë mesazh rebelimi simbolik degolian i viteve të hershme, apo, mbase “Ostpolitik”- a e Brantit (ndonëse me kuptim tjetër nxitur nga tmerri rus) dhe, më pas, Peticioni i njohur i intelektualëve francezë drejtuar Presidentit të atëkohshëm F.Miteran (opinioni demokratik mban mend mirë mbrojtjen që i bëri ky serbo-boshnjakëve kriminelë, kurse pasrendësi i
tij Shirak – urave të Beogradit barbar duke shantazhuar aleatët në Luftën e Kosovës!), për të bërë deamerikanizimin kulturor të Europës?
Po, në fakt, kultura ishte ambalazhi që mbështillte aspiratën e vërtetë. ”Europa europianëve” ishte sekreti, pasioni i djegshëm imperial dhe mjeti i pabesë për të mbajtur Kontinentin e tërë, të prerë e gjunjëzuar ( gjermanët qëndronin ende të tkurrur në komleksin e fajit), në duart e tyre.
Madje po në këtë frymë “Liberation”-i parisien, tek komentonte betimet amerikane të kohës së fundmandatit të Bushit , se asgjë mbi tokë s’mund të prishë Aleancën e lirisë, shkruante se, pas rrëzimit të Murit, Pakti Veriatllantik kishte humbur arsyen e ekzistimit të tij, ndonëse përpelitjet ballkanase dhe drama e Kosovës dëshmuan krejtsisht të kundërten duke përligjur këtë sistem sigurie kolektive në epokën e re. Autori kërkonte ethshëm – jo riparimin a përafrimin e sërishëm, por, si një shkas i mirëpritur, hartimin e alternativës europiane ndanë unilateralizmit arrogant amerikan!
Një prelud për Europën e fortë me përmasë e shkëlqim frëng!
Një prelud për Fuqinë!
Por politikbërja europiane e pasluftës së dytë , ishte, të thuash, ambivalente. E pazonja për t’u bërë “Fuqi e tretë” që do të merrte përsipër vetëmbrojtjen unike, si do të donte pa të keq F.Roosvelt, asaj i voliste ombrela bërthamore amerikane, sepse riorientonte investimet në mirëqenien kombëtare – në njërën anë, kurse në anën tjetër, krenaria dhe “ëndrra e Fuqisë” e shtynin atë në aventura infantile ( distanca e De Golit me Naton) të refuzimit amerikan. Këtë komocion ajo do t’a ruajë dhe pas rrokullisjes së armikut të parë të saj, Bashkimit Sovjetik dhe këtu qëndron kundërshtia e saj pozicionale: ruan programet sociale duke mos dhënë më shumë se dy përqind të brutoproduktit të saj për sigurinë e saj të garantuar nga aleati tejoqeanik dhe, njëkohsisht, kërkon statusin e Fuqisë së madhe! Madje Kagan do ta shpjegonte këtë figurshëm kur thotë se skena i përngjet, paksa, një kuadri filmi nga Perëndimi i egër, ku sherifi amerikan ndjekë e xyfet me banditë nëpër sheshin e pluhurosur, ndërkohë që zotërinjtë europianë pijnë uiski me zonja hijerënda në sallon!..
Politikat komunitare, që këtej, nuk mund të mos shihen si hipokrizi dhe lojë e fshehtë në pritje kapërcimi të fazës fillestare, akoma të paqëndrueshme, të projektit të saj politik, për të etabluar e zënë vendrolin e madh të fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përse, prandaj, ”Machtpolitik”-a amerikane të trajtohet si një mëkat kur atë e ëndërrojnë të gjithë?!
Të çarat e thella në “kulturën strategjike”, që sikur prodhojnë ndarjen e boshtit euoatllantik në belicistë të pushtuar nga demonët e luftës dhe në pacifistë të prirë nga ëngjëjt e paqes, rrjedhon të mos përcaktohen dot nga mendësia, qytetërimi apo morali kombëtar!
Ndryshmëria s’është veçse një alternim i qendërpeshës së Fuqisë , e cila, si dikur në Berlin, Londër a Paris, aktualisht është zhvendosur në mënyrë dramatike në Uashington!
Në fund fare, pozicionimi filantropik, kantian i europianëve sikur ngjan i pasinqertë e spekulativ: ngrejnë zërin për paprekshmërinë e regjimeve tiranike, duke identifikuar ata tragjikisht me popujt respektiv në botën e tretë (Irani i mullokratëve apo Koreja dhe Kuba e komunistëve!), për t’a justifikuar ende me shëmbuj dhunimi të lirive kombëtare qenien e trishtuar të “Shoqatës së popujve të rrezikuar të Europës” me seli diku në truallin e tyre!
Para një kohe një pushtetar gjerman do të deklaronte, gati me patos, se politikat e jashtme tashmë vdiqën dhe tani, në vend të tyre, ekziston një e vetme politikë: politika e brendshme planetare! Është kjo, pra, shpallja solemne e teorisë së sovranitetit relativ, të limituar nga korpusi helsinkian. Nëse në këtë sens, të drejtat e njeriut që janë vënë në fillesën e filozofisë së re, nuk i poshtëvihen seleksionit apo darvinizmit etnik, aherë ç’legjitimitet mund të kenë sovranët që i nëpërkëmbin ato bestialisht?
A janë, pra, vallë parimet, apo është pafuqia e saj që determinon moderimin dhe lojalitetin ndërkombëtar?! Nëse përgjigjja favorizon skajin e dytë të dilemës, aherë dualizmi i njëmendtë stolis pikërisht “Machtpolitik”-ën e Europës vetë, të re e të vjetër.
Më parë se të ëndërrojë rikthimin e Fuqisë apo, në mungesë të saj, të lozë merakosjen për fate jashtëeuropiane, ajo, duke arkivuar “Staatsraeson”-in individualist dhe teatrin e gjeopolitikave të vjetra, duhet të ëndërrojë diç tjetër po aq sublime: të çlirojë e bashkojë barazisht popujt e saj! Nëse ajo, themi figurshëm, identifikohet me selinë parlamentare të locuar në Strasburg, aherë pa këtë fillesë jetike do të përfundojë atje ku ka qenë nëpër vite, në gjysmën e dytë fjalës – burg! Në burg të historisë së përgjakur dhe të vetmimit të saj në epokën turbulente të shfaqjes së fizionomisë policentrike të fuqisë në botë.
Kjo është prova e parë e humanizmit dhe udha e sigurtë e Fuqisë!
Poshtë tyre është vetëm zvetnimi i saj i pashpresë!
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.