e shtunë, 20 gusht 2011

PERËNDIMI NUK E KA HUMBUR TURQINË


Alban Daci

Pasi lexova artikullin e Soner Cagaptay me titull “Modelimi i Turqisë nga Ataturku tek Erdogan”, edhe pse pjesën e parë mund të pajtohem deri diku, nuk pajtohem në pjesën e fundit të artikulli, që ka të bëj me politikën e jashtme të Turqisë. Autori thotë: “Turqia e kënaqur me identitetin e vet islam, do të ndalet së konsideruari veten perëndimore, sidomos duke pasur parasysh rezonancën e një “bote myslimane” të përcaktuar politikisht nga sulmet e 11 shtatorit të 2001, Kjo do të thotë një marrëdhënie gjithnjë e më e tensionuar midis Turqisë e NATO-s”.
Turqia po përjeton një rritje ekonomike shumë të kënaqshme, renditet e treta në Botë pas Kinës dhe Indisë. Paradoksi i Turqisë është fakti, se pikërisht tani që po përjeton një lulëzim ekonomik, ka marrë një mesazh të qartë nga BE-ja që nuk ka asnjë qëllim ta mirëpres në gjirin e saj.
Për shkak të rritjes ekonomike të vendit, ndoshta me të drejtë Erdogan e ka cilësuar vetën si lider historik që simbolizon këtë ndryshim të madh të vendit. Erdogan si dhe Ministri i Jashtëm janë të vetëdijshëm se rritjes ekonomike duhet t’i korrespondojë edhe një politikë e jashtme më aktive dhe ambicioze. Edhe pse Europa herë pas herë është përpjekur të shpjegoi se Turqia nuk mund të jetë pjesë e BE-së, për shkak se ajo nuk ka një realitet social europian. E vërteta është krejt ndryshe. Europa nuk ka guxim ta pranojë në gjirin e saj Turqinë, sepse është shumë e madhe dhe shumë ekzotike. Pra, me pak fjalë, për shkak të anëtarësimit të Turqisë, në BE do të ndryshonin ekuilibrat e forcës. Franca nuk do të ishte më fuqia e dytë si është tani, por me siguri pas anëtarësimit të Turqisë do të kalonte në vendin e tretë.
Megjithatë, Turqia është një vend i fuqishëm dhe për këtë arsye ka në dorë alternativa të tjera të mundshme për politikën e jashtme. Njëri opsion është që Turqia të rikthehet dhe të bëjë rolin e urës mes Perëndimit dhe Lindjes. Strategu kryesor i politikës së jashtme të Turqisë në periudhën Erdogan është Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Ai i ka dhënë jetë politikës “zero probleme” me fqinjët. Këtë princip të rëndësishëm duke qenë në rolin e Ministrit të Jashtëm e ka aplikuar edhe në marrëdhëniet diplomatike me Armeninë, që ka qenë armikja tradicionale e Turqisë. Për shkak të kësaj politike, Turqia nuk ka pasur asnjëherë me parë një imazh kaq pozitiv sa ka sot me fqinjët si dhe në Rajon. Kësaj performance pozitive i bashkëngjitet edhe performanca personale e Erdogan në rolin e një Nasser-i të ri, hero i shesheve arabe, duke sfiduar në pamje të parë Izraelin në lidhje me politikën e tij që aplikon në Palestinë.
Edhe pse vendet e BE-së nuk duan ta anëtarësojnë Turqinë, aktualisht kjo e fundit mbetet një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomik dhe burimi kryesor i investimeve të jashtme të Turqisë. Erdogan duke luajtur herë pas herë letrat e nacionalizmi i ka lejuar Turqisë një pozicion të ri dhe të dyfishtë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Turqia e Erdogan është e lidhur me Perëndimit, por qëndron jashtë tij dhe është e lidhur me Lindjen e Mesme, por në pamje të parë qëndron po jashtë edhe pse në të vërtetë luan një rol mjaft të rëndësishëm.
Politika ambicioze e Ahmet Davutoglu i dhuron Turqisë më shumë aleatë se çdo vend tjetër. Duke qenë në marrëdhënie të mira me tre nga katër miqtë e mundshëm të zonës (duke përjashtuar Izraelin), Turqia ka më shumë opsione se çdo vend tjetër në Rajon dhe kjo bën që të ketë një pozicion qendror dhe të fortë.
Një faktor tjetër i rëndësishëm është fakti se Erdogan nuk ka aplikuar në vend një ndryshim të menjëhershëm dhe drastik, por ndryshime të rëndësishme të bëra sipas modelit step by step. Një ndër sukseset më të mëdha të Erdogan ka qenë ridemensionimi i rolit të ushtrisë në politikën turke. Me një miks premtimesh (anëtarësimin në BE, demokratizimin e vendit dhe zhvillimin ekonomik), Kryeministri ka arritur le të themi të mënjanojë gjeneralët. Procesin e nisur 20 vjet më parë nga Kryeministri Ozal, më në fund po e kryen Erdogan. Ky është një fakt historik që premton një të ardhme ndryshe për Turqinë.
Edhe pse autori i shkrimit “Modelimi i Turqisë nga Ataturku tek Erdogan”, përpiqet të bëj dallimin mes këtyre “dy epokave”. Megjithatë, Omer Taspinar ka nënvizuar faktin se, kemalizmi dhe neo-otomanizmi (që shumë analistë e simbolizojnë me periudhën e Erdogan) mund të përmblidhen në një paradigmë të re që ai e përcakton si “neo-golizëm”. Pra, Turqia sot nuk është as kemaliste dhe as neo-otomaniste, por neo-goliste. Kjo do të thotë, se edhe pse në vend janë realizuar reforma të rëndësishme, ushtria vazhdon të mbetet institucioni më i rëndësishëm për çështjet e sigurisë.
Erdogan nuk mendon aspak të ketë marrëdhënie diplomatike me vende jo perëndimore si përgjigje kundër Perëndimit. Aktualisht nuk ka asnjë dyshim që për shkak të rritjes ekonomike si dhe politikët së saj më ambicioze, Turqia posedon një soft power më të fuqishme se kushdo tjetër në zonë duke e bërë një fuqi rajonale gjithmonë e në rritje.
Ahmet Davutoglu autor i librit “strategjia e thellë”- deri tani i përkthyer vetëm në greqisht, shqip dhe arabisht- është i mendimit se roli i një vendi në politikën e jashtme përcaktohet nga pozicioni gjeografik dhe nga “thellësia historike”. Ministri i Jashtëm nënvizon faktin, se përderisa Turqia është vend qendror për shkak të pozicionit gjeografik si trashëgimtare për nga ekselenca e Perandorisë Otomane, mund të thyej zinxhirët që deri tani e kanë mbajtur të lidhur dhe të jetë fuqia e parë rajonale e aftë të shtrijë influencën në gjithë zonën euro-aziatike. Davutoglu nënvizon një sferë të re influence që përfshin 9 zona: Ballkanin, Detin e Zi, Kaukazin, Gjirin Persik, Detin e Kuq, Lindjen e Mesme, Mesdheun Lindor dhe Adriatikun Lindor.
Do të ndalesha pak tek zona e Ballkanit. Turqia duhet të intensifikojë marrëdhëniet me “botën shqiptare”. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe “bota shqiptare” me Turqinë. Shqiptarët janë i vetmi populli në rajon që nuk ka një “vëlla”. Shqiptarët janë të rrethuar nga popujt jo miqësor, për këtë arsye duhet të bëhet “vëlla” me Turqinë. Aktualisht Turqia është një vend i madh dhe më një zhvillim të lartë ekonomik. Duhet të theksohet fakti se ajo nuk ka më asnjë pretendim të mirëfilltë territorial në lidhje me shqiptarët, por përkundrazi të dyja palët mund të kenë përfitime të mëdha në interesa ekonomike dhe politike nëse bashkëpunojmë akoma edhe më fort se sa aktualisht. Forcimi i lidhjeve me Turqinë do të fuqizonte rolin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe do të zvogëlonte peshën e rivalëve të saj në këtë zonë.
Nuk është aspak e vërtetë se Turqia po i kthen shpinën Perëndimit. Ahmet Davutoglu ka thënë se: “Partnership turko-amerikan nuk është vetëm “strategjik” por edhe “unik”, nga momenti që unike janë dhe karakteristikat gjeografike të dy vendeve”. Shtetet e Bashkuara duke qenë super fuqia e parë e historisë dhe duke qenë larg zonës euro-aziatike, mund ta mbajnë super fuqinë e tyre globale vetëm duke ndërtuar aleanca mbi përgjegjësin gjeopolitike me fuqitë rajonale të Euro-Azisë dhe në veçanti me Turqinë, e cila për shkak të pozicionit të saj gjeografik është e përfshirë në të gjitha sfidat kryesore të pranishme në agjendën e politikës amerikane.
Rritja e përfshirjes së Turqisë në shahun euro-aziatik, përforcon lidhjet turko-amerikane. Bashkëpunimi me një fuqi globale si Shtetet e Bashkuara përfaqëson për Turqinë një mënyrë për të rritur përfitimet që rrjedhin nga adoptimi i një politike të jashtme aktive në thellësinë e saj strategjike.
Në fakt, objektivat e ndjekura nga Ankaraja janë plotësuese – ose më mirë të themi identike- me ato të Shteteve të Bashkuara, në veçanti me atë që ka të bëj me konfliktin izralian-palestinez, Irakian e Iranian. Në thelb Ankara dhe Uashington ndajnë të njëjtin objektiv strategjik: të pengojnë Iranin të zotërojë bombën atomike.
Perëndimi nuk e ka humbur Turqinë. Siç thekson F. Stephen Larrabee, në skenarin aktual “nuk mund të pritet se Turqia do të reagojë si në periudhën e Luftës së Ftohtë, është e nevojshme që marrëdhëniet turko-amerikane të riorganizohen mbi baza më të ekuilibruara. Amerika nuk duhet më vetëm t’i jap urdhra Turqisë, por duhet t’i lerë më shumë hapësirë për evoluimin e saj në Lindjen e Mesme.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.