POLITIKA E JASHTME E SHQIPËRISË NË VITET 92-97, MARRË NGA LIBRI "SHQIPËRIA NË TRAZICION" I ELEZ BIBERAJ
Marrëdhëniet me Greqinë përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të politikës së jashtme te Shqipërisë në përgjithësi. Megjithatë që në fillim 1990 shumë çështje u bënë mollë sherri duke penguar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Së pari Athina kishte ankesa lidhur me trajtimin e grekëve etnik në Shqipëri duke pretenduar se atyre po ju shkeleshin të drejtat njerëzore dhe fetare. Gjithashtu ajo akuzonte Tiranën se po ndiqte sistematikisht politikën e detyrimit të grekeve etnikë të largoheshin nga Shqipëria. Ndonëse grekët etnik që vlerësohen rreth 70000 nga Shqipëria dhe me shume se 200000 nga Greqia vazhdonin të kishin disa kërkesa të drejta sidomos për arsimimin në gjuhen greke, nuk kishte prova të besueshme se qeveria shqiptare po shtypte sistematikisht pakicën greke. Vërtet shumë grekë kishin ikur nga Shqipëria, por këtë e kishin bërë kryesisht për arsye ekonomike bashkë me 300000 shtetas shqiptarë që kishin lënë vendin për të kërkuar punë dhe jetë më të mirë në Greqi. Ndërsa në Greqi kishte një rrymë të fortë opinioni, se shtimin e krimeve e lidhte me elementin shqiptar, Tirana ankohej se Athina po shfrytëzonte problemin e refugjatëve të paligjshëm shqiptarë, të cilët dërgonin më shumë se 200 milionë $ amerikan në Shqipëri, dhe në këtë mënyrë luajnë një rol kryesor për rimëkëmbjen e vendit, si mjet presioni për të detyruar Shqipërinë të bënte lëshime në politikën e brendshme dhe të jashtme. Përveç kësaj, marrëdhëniet vështirësoheshin edhe nga përplasja e interesave të dy vendeve. Greqia ishte e pakënaqur me vendimin e Shqipërisë për të njohur Maqedoninë dhe nga lidhjet e saj përherë e me të gjera politike dhe ushtarake me Turqinë dhe SHBA. Shqipëria, e cila i ruhej gjithmonë krijimit të një aleance midis Athinës dhe Beogradit, të drejtuar kundër Tiranes, shikonte me shqetësim marrëdhëniet e ngushta të Greqisë me Serbinë.
Pas përmirësimit të parë të marrëdhënieve, kur fitoi PDSH, pakënaqësitë e thella të ushqyera edhe nga dyshimet e dyanshme, dolën në këtë fushë në vitin 1993, kur autoritet shqiptare dëbuan një klerik grek arkimandritin Hrisostomos, të cilin e kishin kapur duke shpërndarë harta që përfshinin pjesë të mëdha të Shqipërisë brenda kufijve të Greqisë. Ky incident u bë shkak për keqësim të shpejtë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Brenda pak ditëve Athina u hakmor duke kthyer rreth 30000 shqiptarë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri grek Konstantin Micotaqis paraqiti një liste me pesë kërkesa që përfshinin dhe kthimin e arkimandritit Hrisostomos në Shqipëri, zhvillimin e lirë të organizatave politike dhe arsimore, kulturore dhe shoqërore të pakicës greke dhe kthimin e pasurisë greke të konfiskuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Udhëheqësi grek ngriti tonin në mënyrë dramatike duke bërë një paralelizëm midis gjendjes se grekëve etnik në Shqipëri dhe gjendjes së shqiptarëve në Kosovë. Micotaqis ngulmonte që edhe grekët etnik të Shqipërisë të gëzonin çfarëdo statusi që të kërkonte Tirana për shqiptarët e Kosovës. Berisha u përgjigj, se kërkesat e Micotaqis ishin të papranueshme.
Mirëpo kishte ndryshime të mëdha midis qëndrimit të qeverisë dhe qëndrimit të opozitës ndaj Greqisë. PS dhe AD, pretendonin se politika e jashtme e Berishës ishte politik servilizmi ndaj SHBA dhe se demonstronte marrëdhëniet me Greqinë. Në qershor 1993 në përfundim të vizitës që kishte bërë në Greqi udhëheqësi socialist Fatos Nano PS dhe Passok i Andreas Papandreu nënshkruan një deklaratë të përbashkët, në të cilën thuhej se vetëm më ndihmën e Greqisë, Shqipëria mund të shpresonte të arrinte qëllimin e integrimit të plotë në Europë. Deklarata shprehte kundërshtim të fortë të ndërhyrjes ushtarake të huaj në Ballkan, Çuditërisht Kosova nuk përmendej fare.
Qëllimi i Greqisë nuk duhej të ishte vetëm të dobësonte pozitat e Berishës duke e detyruar të bënte lëshime lidhur me statusin e veçantë të pakicës greke në Shqipëri, po edhe të kërcënonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Greqia ishte vendosmërisht kundër shkëputjes së Kosovës nga Serbia duke pretenduar se kjo do të prishte në mënyrë rrënjësore status quo-në në Ballkan. Nuk ishte për tu çuditur se qëllimi kërcënues i Greqisë pati si rezultat shtimin e mbështetjes së Berishës brenda vendit dhe thirrje për të ndaluar helenizimin e Shqipërisë se Jugut. Shqiptarët ishin të zemëruar për dëbimin e refugjatëve, në përgjithësi për krahasimin që bënin greket midis bashkësisë së vogël të grekëve në Shqipëri dhe rreth dy milion shqiptarëve në Kosovë.
Shqipëria zinte një vend kryesor në fushatën zgjedhore greke te vitit 1993, në të cilën si Micotaqis ashtu edhe Andreas Papandreu i Pasok, kritikonin hapur Berishën. Megjithatë menjëherë pas fitores së Pasok, ministri i Jashtëm i Greqisë, Karolos Papulias bëri një vizitë në Tiranë, gjatë së cilës u arrit marrëveshja për krijimin e një komisioni të përbashkët që do të merrej me çështjet e mbetura pezull. Mirëpo megjithëse Papulias fliste për një kapitull të ri të marrëdhënieve të dy vendeve, përparimi ishte shume i ngadaltë. Madje, Shqipëria dhe Greqia kaluan një nga periudhat më të vështira të marrëdhënie të tyre gjatë këtij gjysmë shekulli, pas një sulmi të armatosur kundër kazermës shqiptare te Peshkëpisë në prill të vitit 1994. Një organizatë greke e vetëquajtur Fronti i Çlirimit të Vorio-Epirit (MAVI), deklaroi menjëherë se ishte përgjegjëse për këtë sulm. Nga ana e tij Berisha me fjalë që shprehnin pakënaqësi të thellë ndaj qeverie greke dhe shënonin një përshkallëzim të ri të retorikës antigreke të Tiranës iu sul ashpër Athinës duke akuzuar Greqinë për terrorizëm shtetëror. Ai thoshte se qeveria greke kishte “përgjegjësi të plotë” për sulmin dhe linte të kuptohej se Greqia dhe Serbia po bashkërenditnin veprimet me qëllim të destabilizonin gjithë rajonin. Presidenti shqiptar akuzoi Greqinë se kishte synime “ekspansioniste”. Ndërsa qeveria greke hodhi poshtë akuzat shqiptare dhe dënoi sulmin e kazermës, Athina refuzoi të merrte masa konkrete për tu vënë fre ekstremistëve greke.
Menjëherë pas incidentit të Peshkëpisë autoritetet shqiptare arrestuan pesë anëtarë të organizatës së grekeve etnike “Omonia” me akuzën e spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje. Gjygji i anëtarëve të Omonias tërhoqi kritika ndërkombëtare për të metat procedurale. Me akuza dhe kundër akuza nga dy palët marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës ranë në pikën më të ulët që nga koha e rivendosjes së lidhjeve diplomatike në 1971.
Në vrazhdën e një rrymë armiqësore të nacionalistëve greke ndaj Shqipërisë, arrestimi i grekeve të Omonais u shfrytëzua mirë nga forcat më të egra anti-shqiptare në Greqi. Autoritetet filluan një fushatë dëbimesh masive të refugjatëve shqiptarë, Brenda një kohë të shkurtër me shumë se 70000 shqiptare u përzunë nga Greqia duke shkaktuar tensione të rënda shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri. Mediat greke të cilat dukej se e drejtonin politikën e Greqisë iu kthyen retorikës së egër Shqiptare që kishte qenë karakteristikë e shtypit grek në të kaluarën , po që ishte bërë më e rrallë në kohën që Berisha kishte marrë pushtetin në 1992. Në mes të deklaratave luftënxitëse të medieve pro-qeveritare zyrtarët grekë paralajmëronin se kishte rrezik të plaste një konflikt i armatosur.
Njëkohësisht me presionin e ushtruar ndaj Berishës, Athina i hyri një fushate agresive për të dëskritituar qeverinë shqiptare në shkallë ndërkombëtare dhe për t’i paraqitur ish komunistët dhe Aleancën Demokratike të majtë si liberale dhe pro perëndimore. Përveç kësaj lobi i fuqishëm grek në SHBA u ngrit në këmbë për të mbrojtur çështjen e grekëve etnik të Shqipërisë. Siç e kemi thënë më lart në presionin e fortë grek, Shtëpia e Bardhë pezulloi planet për krijimin e Fondit të Ndërmarrjeve Shqiptaro-Amerikane me 30 milionë USD.
Athina arriti gjithashtu të ndalonte planet e bashkimit europian për të dhënë 40 milion dollarë amerikanë ndihmë Shqipërisë.
Opozita shqiptare u përpoq të fitonte kapital politik nga keqësimi dramatik i marrëdhënieve midis Tiranës dhe Athinës, duke ja vënë fajin Berishës për këtë ngatërresë dhe duke nën kuptuar se qevberia shqiptare ishte e paaftë ose e nxiste qëllimisht krizën.
Shtypi i majtë bëri atë që pritej prej tij. “ZP” dhe “KJ” dhe “Aleanca” ishin mbushur me materiale që dënonin dhe shanin Berishën që tregohej indiferent ndaj dëmit që pësonin marrëdhëniet dypalëshe. Nga ana tjetër forcat e djathta i bënin thirrje qeverisë që të mos bënte lëshime ndaj asaj që ata e quanin ndërhyrje të Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë. E djathta kishte frike se mos cënohej sovraniteti kombëtar duke theksuar kontrollin ekonomik të Greqisë, përdorimin e monedhës greke në jug të Shqipërisë dhe praktikën e përhapur të marrjes së emrave grek, kur vinte puna për të kërkuar viza për të shkuar në Greqi.
U shtuan thirrjet edhe për dëbimin e kryepeshkopit Anastasios Janullatos, të cilin në Janar 1992 Patriarkana Eukumenike e Stambollit e kishte emëruar në krye të kishës Ortodokse Shqiptare.
Pasojat politike të incidentit të Peshkëpisë dhe gjygjit të anëtarëve të Omonias, vazhduan të rëndonin mbi marrëdhëniet dypalëshe për muaj të tërë. Paaftësia në paraqitjen e çështjes dhe të metat në zhvillimin e marrëdhënieve publike gjithashtu dëmtuan imazhin e Shqipërisë jashtë shtetit dhe ajo që kishte më shumë rëndësi, shndrinë një re të zezë mbi marrëdhëniet e posaçme të Shqipërisë me Uashingtonin. Lirimi i të pandehurve të Omonias në fillim të vitit 1995 i dhe fund një gjendjeje në të cilën marrëdhëniet greko-shqiptare kishin rënë peng e fatit të pesë grekëve etnik. Ai hapi edhe rrugën për vizitën e Papulias në Tiranë pas akuzash e kundër akuzash të ndërsjellat dhe kundër përgjigjesh diplomatike.
Zyrtarët shqiptarë e përshëndetën vizitën si sukses sidomos për çështjet ekonomike dhe të refugjatëve. Një deklaratë e lëshuar nga Berisha i dha një ngjyrese jashtëzakonisht optimiste vizitës së Papulias duke nën kuptuar se Athina ishte bërë me e epshme në marrëdhëniet dypalëshe dhe duke e paraqitur ministrin e jashtëm grek si me mirëkuptues ndaj pikëpamjeve të Tiranës lidhur me refugjatët dhe çështjet e tjera dypalëshe.
Po aq optimiste në vlerësimet e veta “RD” vërente se marrëdhëniet dypalëshe kishin rimarrë plotësisht forcën dhe ngrohtësinë e mëparshme gjë që ishte e rëndësishme për gjithë rajonin.
Megjithëse nuk shënoi ndonjë përparim drejt pajtimit me Greqinë e Shqipërinë, vizita e Papulias, hapi rrugën për bisedime të mëtejshme dhe për manovrime prapa skenës për të zgjidhur cështjet e mbetura pezull. Në qershor 1995 parlamenti shqiptar votoi ligjin për arsimin privat duke lejuar krijimin e shkollave të mesme fetare dhe të gjuhëve të huaja. Ndryshimi i qëndrimit të Shqipërisë me çështjet e arsimit, i cili kishte qenë shkaku kryesor i acarimit të marrëdhënieve dypalëshe, tregonte, se Tirana ishte e gatshme të merrte parasysh disa nga shqetësimet kryesore të Greqisë si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Vendimi tregonte se udhëheqja shqiptare të merrte parasysh disa nga shqetësimet kryesore të Greqisë si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Vendimi tregonte se udhëheqja shqiptare po mbante një qëndrim më të epshëm për ta hapur rrugën drejt takimit të propozuar midis Berishës dhe presidentit grek, Kostandinos Stefanopullos.
Me gjithë vazhdimin e dyshimeve të ndërsjella në fillim të vitit 1996 u duk sikur dy vendet ishin gati të zgjidhnin mosmarrëveshjet. Ndryshimi i udhëheqjes në Athinë ushtroi ndikim pozitiv mbi marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës. Kryeministri i ri i Greqisë Kostas Simitis mbante një qëndrim me gjakftohtë ndaj Shqipërisë dhe nga sa dukej bënte përpjekje konkrete për të krijuar marrëdhënie të shëndosha me fqinjin verior. Nga ana e Athinës, ndryshimi dëshmonte se edhe Greqia e kishte marre vesh se taktika e mëparshme e presioneve vetëm sa kishte shtuar dyshimet e Shqipërisë lidhur me synimet e Greqisë. Shqipëria nga ana e saj duke vazhduar të ndiqte me dyshim qëllimet e Greqisë e kishte kuptuar rëndësinë e Greqisë dhe të marrëdhënieve ekonomike me të dhe mirëpriste përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve.
Me shtimin e tensionit në Kosovë dhe me thellimin e mosmarrëveshjeve me Maqedoninë, Shqipërisë i duhej të shuante patjetër tensionin me fqinjin e jugut dhe t’u jepte fund vargut të pafund të krizave me Greqinë. Përvec kësaj të dy vendet kishin arsye të forta të kishin marrëdhënie të mira. Lidhjet përherë e më të gjera politike dhe ekonomike ishin në dobi të dyve. Shqipëria kishte nevojë për paratë që dërgonin shqiptarët nga Greqia për të vazhduar programin e përtëritjes ekonomike. Greqia e cila pas Italisë ishte partnerja e dytë tregtare e Shqipërisë shpresonte të zinte një vend më të madh në tregun Shqiptar.
Në 1996, presidenti Kostandinos Stefanopullos, bëri në Tiranë një vizitë që hapi një periudhë të re në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë. Dy vendet nënshkruan një traktat miqësie të cilin shqiptarët e shikonin si pikë themelore për sigurimin e vendit të vet.
Shqipëria u angazhua të respektonte të drejtat e bashkësisë greke, të hapte shkolla të reja të gjuhës greke dhe të merrte masa për të ruajtur kufirin, për të parandaluar kalimet e paligjshme. Vizita u dha vrull të ri marrëdhënieve dypalëshe, pasi si Shqipëria ashtu edhe Greqia u angazhuan të zgjeronin bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak. Menjëherë pas vizitës të Presidentit grek, ministrat e punëve të jashtme, të mbrojtjes bënë vizita të veçanta në Athinë dhe nënshkruan marrëveshje për punësimin stinor dhe zgjerimin e marrëdhënieve ushtarake, në korrik të 1996 trupa greke morën pjesë në manovra ushtarake të organizuara në Shqipëri në kuadrin e Nato-s “Partnership për Paqe”. Athina madje premtoi të ndihmonte Shqipërinë që të bëhej anëtare e plotë e Nato-s dhe anëtare bashkëshoqëruese e Bashkimit Europian.
Ndërsa normalizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke pas fillimit të 1995 qe një nga zhvillimet më pozitive të kohëve të fundit në jug të Ballkanit gjendja e brendshme e të dy vendeve nuk linin të bëheshin përmirësime të mëdha në marrëdhëniet e tyre. Udhëheqësit e dy vendeve nuk mund të davaisnin plotësisht mosbesimin e thellë midis dy palëve. Shume grekë vazhdonin të mos ua kishin besën shqiptarëve dhe trajtimit te minoritetit grek nga ana e tyre. Ndonëse vetëm disa shqiptarë të djathtës së skajshme kishin frikë se mos grekët do të arrini deri atje sa do të pushtonin pjesë të Shqipërisë së Jugut. Prapë kishte shumë shqiptarë që Greqinë e shikonin si një vend që shfrytëzonte dobësinë ushtarake dhe vërtetësinë ekonomike të Shqipërisë. Mbetet për të parë a ishin krizat e viteve të fundit vetëm stuhi kalimtare në marrëdhëniet shqiptaro-greke apo ka rrezik të vazhdueshëm që këto marrëdhënie të bien viktimë e ndjenjave të forta nacionaliste që kanë përfshirë Ballkanin. Vendimmarrësit e të dy vendeve kanë filluar të tregojnë me shumë mirëkuptim të bazës politike të njëri-tjetrit, Sidoqoftë udhëheqësit shqiptarë dhe grekë duhet t’i ruhen retorikës konfrontuese dhe të incidenteve që do të ndodhin në të ardhmen siç kanë ndodhur në të kaluarën dhe t’i shmangën prirjes për ta kthyer në krizë çdo incident që ndodh.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.