Aksioni i njësive speciale të Policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri ishte i domosdoshëm mirëpo rezultatet e tij janë gjithsesi të pamjaftueshme. Jo për fajin e policisë e cila tregoi gatishmëri dhe aftësi, por për fajin e politikës qeveritare të cilës iu deshën më shumë se 12 vjet që ta urdhërojë policinë të shkojë në veri dhe më pak se 12 orë që ta urdhërojë kthimin e saj prej andej.
Të mos zmbrapsesh do të thotë të mos ndalesh. Po u ndale, patjetër që do të zmbrapsesh. Dhe, të mos ndalesh do të thotë të mos ndalesh së vepruari, rishtas e përsëri. Pra, të mos ndalesh do të thotë ta vazhdosh aksionin, të mos lejosh që ndërprerja të jetë fundi por veçse fundi të jetë ndërprerje.
Para një jave kishim aksion pa shumë fjalë të qeveritarëve për të. Sot, kemi shumë fjalë për aksionin por pa vetë aksionin. Kemi inflacion të fjalëve të kryeministrit pa veprime të mëtejshme. Kemi fjalë për veprime që s’po ndodhin pas atyre veprimeve pa fjalë shumë. Aksioni që ishte realizim tash është veçse premtim.
Në veri të Kosovës po mbaron koha e cila punonte për shtetin e Kosovës. Përderisa mësynte policia e Kosovës, edhe KFOR-i i shkonte pas asaj. KFOR-i rrezikon t’i shkojë sërish pas policisë së Kosovës të cilën po e mban të ngujuar në Prishtinë kryeministri i Kosovës.
KFOR-i i shpalli pikat kufitare 1 dhe 31 zona ushtarake vetëm pasi që ra në krye të detyrës polici Enver Zymberi e u plagosën dhjetëra policë të tjerë në veri. KFOR-i, ashtu sikurse të gjithë faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, nuk i prijnë faktorit vendës por e pasojnë atë, e ndjekin nga pas faktorin vendas. Faktorët ndërkombëtarë janë lart, sipër institucioneve e popullit vendës, por nuk janë para tyre. Ne, vendasit, jemi përpara. Nëse ne ecim atëherë do të mund të na ndihmojnë më pastaj (kush më shumë e kush më pak). Ata na përcjellin, kur ecim ne. Nëse ne ngecim, vetëm sa do të shtypemi prej lart.
KFOR-i, EULEX-i etj. edhe sikur ta njihnin pavarësinë e Kosovës, nuk do ta ndryshonin gjendjen në terren për neve. Përderisa njohja e pavarësisë mund të konsiderohet që është një çështje e jashtme, bërja e sovranitetit dhe vendosja e integritetit territorial është çështje dhe ndërmarrje e brendshme. Nga jashtë mund të vijë ndihma e cila kurrsesi s’e zëvendëson dot ndërmarrjen e brendshme të vendësve (të cilën, në fakt, e nënkupton). Sepse, mund të ndihmohet veçse një nismë që tashmë është ndërmarrë, apo jo?
Qëndrimi i KFOR-it në pikat 1 dhe 31 nuk është në pritje të vendosjes së Doganave të Republikës së Kosovës atje, dhe as të njësive speciale të Policisë së Kosovës që do t’ua garantonin doganierëve tonë sigurinë. Pra, pikat kufitare të shndërruara në zona ushtarake nuk do të mbesin të tilla deri në ditën kur do të shndërrohen në Dogana të Republikës së Kosovës. Porsa të zhbllokohen rrugët në veri dhe policë të EULEX-it t’iu bashkohen forcave të KFOR-it, këto zona ushtarake do të kthehen në pika kufitare, mirëpo jo të një kufiri ndërshtetëror por veçse administrativ. Sepse, KFOR-i dhe EULEX-i nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës të cilën nuk e njohin si republikë.
Kësisoj, nuk kemi të bëjmë me sekuencë kohore ku pas intervenimit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, kemi vendosjen e KFOR-it në kufirin verior dhe mandej do t’i kemi edhe doganat e shtetit tonë atje. Aktualisht, situata më parë është ajo e një peshoreje ku në njërën anë ndodhet bllokimi i rrugëve në veri me barrikada prej strukturave ilegale të Serbisë, ndërkaq në anën tjetër kemi bllokimin e kufirit prej KFOR-it për maunet nga Serbia në pikat 1 e 31.
Përqendrimi te kontrabanda e mallrave, zhvendosja e vëmendjes prej ilegalitetit të strukturave të Serbisë kryesisht te ilegaliteti i mallrave të Serbisë është në përputhje të plotë me qëndrimin për integritet të kufijve pa integritet të territorit, në veriun si hapësirë që vrojtohet nga helikopteri i KFOR-it drejt udhëtimit për në pikat veriore të kufirit. E, mbase e gjithë kjo është reflektim i taktikave (të kryeministrit) në kushtet e mungesës së strategjisë (qeveritare). Thuhet se taktika ka të bëjë me kohën (e ngushtë), kurse strategjia me hapësirën (e gjerë). Me taktikë pa strategji do t’i kemi dy pika të përkohshme në veri pa hapësirën veriore.
Qeveria e Kosovës duket se po spostohet në rolin e spektatorit. Ajo e shikon veriun, nuk ndërhyn më atje, dhe shfaqet vetë ajo për shikim në Prishtinë. Qeveria e Kosovës thuajse nuk ka më vullnet që të ndërhyjë në gjendjen e tanishme për ta ndryshuar atë, por dëshiron të bëhet pjesë e peisazhit politik, dëshiron më shumë të integrohet në situatë sesa ta ndryshojë atë. Kjo është arsyeja pse ne shohim që Qeveria e Kosovës disi më afër i ka bisedimet e sërishme me Serbinë sesa që Policia e Kosovës e ka kufirin verior të Kosovës.
Nëse Qeveria e Kosovës ulet përsëri në bisedime me Serbinë, gjithçka do t’i nënshtrohet interpretimit të ri. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta dërguar njësinë speciale në veri do të ri-kuptimësohet. Ai do të fitojë kuptim të ri, domethënie të re. Shpjegime të tjera do të gëlojnë në opinionin publik dhe institucionet politike. Prej atij që kryeministri Thaçi gjithçka që ndërmori ishte për të rifilluar sa më parë bisedimet me Serbinë sepse vetëm asisoj ai bëhet i përdorshëm për Brukselin dhe fiton amnisti prej tij, e deri te mbulesa e vijueshme e fazave të rastit Limaj (në të njëjtën ditë u mor vendimi qeveritar për ta pyetur Gjykatën Kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe ai për moslejimin e mallrave prej Serbisë; po ashtu, në të njëjtën ditë ndodhi ndërhyrja e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri me ngritjen e aktakuzës kundër Fatmir Limajt nga EULEX-i) për të cilin shakaxhinjtë prishtinas thonë se do të pasohet me vendimin e Qeverisë për ta sulmuar Vranjën ditën që EULEX-i do ta arrestojë Limajn.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.