Akademia e Shkencave e Republikës së Maqedonisë vuri në qarkullim në shtatorin e kaluar "Enciklopedinë e Maqedonisë", Shkup 2009, botuar nën kryesinë e akademikut të saj, Blazhe Ristovski. Në zërin kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë tërhoqën vëmendjen disa formulime të vjetruara, të cilat opinioni publik shqiptar kishte shpresuar se nuk do t‘i dëgjonte më, për faktin se ato kanë qenë gatuar në të kaluarën nga mendje të zhuritura nacionaliste maqedone dhe si të tilla atyre u kishte kaluar koha. Ne nuk do të merremi me përmbajtjen e mbarë zërit "shqiptarët e Maqedonisë", pjesë e Enciklopedisë së përmendur, e cila vuan gjithandej nga pasaktësi, pasi debati do të shkonte gjatë. Do të përqendrohemi vetëm në formulimet historike që ka Enciklopedia e përmendur mbi të ashtuquajturën vendosje e shqiptarëve në Maqedoni, pasi këto formulime krejtësisht të pasakta, pra antishkencore, na kthejnë në shekullin XIX. Aty lihet të kuptohet se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në viset e sotme të Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë. Aty ngulet këmbë se:
"Kolonizimet shqiptare në Maqedoni janë regjistruar kryesisht pas shekullit XVI. Janë dyndur heshturazi (sic!) kur tashmë ishin të islamizuar. Dyndjet përfituan nga tollovia e shekullit XVIII, kur feudalët shqiptarë vepronin për pavarësinë e tyre nga pushteti qendror dhe përpiqeshin për zgjerimin e tyre edhe në Maqedoni. Ali Pashë Janina (në fillim të shekullit XVIII) e kishte zgjeruar pushtetin e vet edhe në pjesët jugperëndimore të Maqedonisë, pas së cilës filloi kolonizimi me nga një apo më shumë familje në rreth 30 fshatra. Të gjithë ata arritën nga Shqipëria e Veriut dhe i takonin fisit geg (pra, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte nga jugu, qenkan dyndur në Maqedoni shqiptarët e veriut !!! - K.F.). Në Tetovë, Gostivar dhe në vende të tjera, thuhet aty, tashmë kishin dalë pashallarë gjysmë të pavarur me prejardhje shqiptare, të cilët kishin nxitur kolonizimet. Ata përdornin banda kaçakësh të cilat e terrorizonin popullatën maqedone dhe e detyronin të shpërngulej. Nëpër shtëpitë dhe fshatrat maqedone vendoseshin familje shqiptare. Numri i tyre deri në fillim të shekullit XIX ishte rreth 20 mijë veta (sic!!!). Që nga viti 1780-1800 të ardhurit ishin nga fisi Krasniqi dhe Shalë dhe një fis nga Shqipëria e Jugut (sic!). Ata u vendosën në Manastir, në Gostivar (Sërbinovë, Gradec, Recan dhe Cegran), në Kërçovë (Zajas, Arangjel dhe Popovjan, Oriziare, Sebice dhe Celopek), në Kumanovë (Likovë), në Përlep (Desovë, Zhitoshë dhe Debresht), në Shkup (disa fshatra të Dervenit, Gumalevë, Novo Sellë dhe Brezë), në Strugë (Belicë e Poshtme) dhe në Tetovë (Tearcë, Poroj, Gajre, Recicë e Vogël, Shipkovicë, Tetovë, Kalishtë dhe Lisec)".
Sipas autorëve të "Enciklopedisë së Maqedonisë", periudha e dytë e kolonizimeve të dhunshme shqiptare në viset maqedone, ndodhi në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, pra në vitet e Tanzimatit. Këtë radhë "ardhacakët" shqiptarë erdhën nga Elbasani, Luma dhe Mati, por edhe nga Korça e gjetkë.
Vala e tretë e kolonizimit paska ndodhur në fillim të shekullit XX, kurse vala e fundit, pra vala e katërt e kolonizimit shqiptar të Maqedonisë paska ndodhur pas vitit 1944.
Burimi kryesor për këtë zë ku janë mbështetur akademikët e Maqedonisë duket se është, siç e cilësojnë vetë, vepra e historianit maqedon, Hristo Andonov Polljanski, Shtojcë mbi marrëdhëniet maqedone-shqiptare në të kaluarën, "Vepra të zgjedhura", V.3, Shkup 1981.
Nuk është hera e parë që dalin nga qarqet nacionaliste maqedone fyerje dhe shtrembërime në dëm të shqiptarëve. Më se një herë argumentet e tyre të ngjizura me hamendje dhe me pasione janë hedhur poshtë nga kritika historike. Megjithatë, ata vazhdojnë akoma të përsërisin refrenin e tyre të konsumuar se gjoja shqiptarët në Maqedoni janë ardhacakë të zbritur nga skërkat malore të Shqipërisë së sotme.
Synimet që kanë autorët e këtyre formulimeve nuk janë të njëjta me ato që kishin paraardhësit e tyre nacionalistë para se të formohej shteti maqedon. Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, gjyshërit e nacionalistëve të sotshëm maqedonë synonin të bindnin diplomacinë e madhe europiane se viset e sotme të Maqedonisë veriperëndimore dhe perëndimore nuk u takojnë shqiptarëve ardhacakë, por banorëve autoktonë maqedonë. Tani që e kanë, si të thuash, tapinë në xhep, kanë synime me qitje të largët. Duan të tregojnë se shqiptarët janë ardhacakë, pra emigrantë ose azilantë. Si të tillë, shqiptarëve nuk u takon e drejta e "isopolitisë", pra e drejta që të marrin pjesë njësoj si maqedonët në drejtimin e shtetit të tyre. Duket se ata përpiqen të spekulojnë aktet ndërkombëtare të kohëve të reja, që flasin për emigrantët, të cilët edhe kur fitojnë të drejtat e qytetarisë nuk gëzojnë të drejtën e formimit të një shteti të veçantë, as pjesëmarrjen si trup i veçantë në shtetin e tyre nacional. Këto janë pa dyshim ëndrra kimerike që i shohin nacionalistët me sy hapur, të cilët flenë akoma në djepin e shekullit XIX.
Të trajtosh shqiptarët që banojnë në atdheun e tyre që nga agimi i historisë si ardhacakë apo emigrantë, apo azilantë, është një fyerje e rëndë për ta. Ashtu siç pritej, sapo "Enciklopedia e Maqedonisë" doli në qarkullim shpërthyen kundër saj protestat e lexuesve shqiptarë brenda dhe jashtë Maqedonisë. Si pasojë e këtyre protestave krejtësisht të natyrshme, "Enciklopedia e Maqedonisë" u tërhoq shumë shpejt nga qarkullimi, pastaj u vendos që të korrigjohej zëri kushtuar shqiptarëve dhe më pas akoma ky zë të shkruhej nga e para.
Kur këto gërr-mërre dalin nga pena ordinere as që ia vlen të merresh me to. Këtë radhë puna ndryshon, mbasi me gërr-mërre po merren disa "akademikë" maqedonë. Duke marrë parasysh nivelin shkencor tepër të ulët që ka zëri kushtuar shqiptarëve në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Shkupit, ne do të përgjigjemi veçse shkurt.
Shpresojmë se formulimet fyese, absurde, provokatore që përmban zëri i përmendur jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për pjesëtarët e mbarë kombit shqiptar - tani që Akademia e Shkupit u detyrua ta tërheqë "Enciklopedinë" nga qarkullimi për ta rishkruar - këto formulime fyese duhet të fshihen nga faqet e saj. Meqenëse historinë e kombit shqiptar ne e kemi temë qendrore të punës sonë shkencore dhe jo kujdes anësor, siç e kanë disa akademikë maqedonë të Shkupit, le të kenë durim dhe ta lexojnë këndvështrimin tonë për historinë e shqiptarëve të republikës së tyre.
Gabime metodike dhe faktologjike
Para se të hyjmë në temën e mirëfilltë e ndiejmë për detyrë të nënvizojmë disa kritere të gabuara që përmban sinteza mbi shqiptarët në "Enciklopedinë e Maqedonisë", të cilat nuk tregojnë shkencë, por amatorizëm dhe nacionalizëm.
Gabimi i parë i palejueshëm për historianët, madje edhe për mësuesit e shkollave të mesme, është shkelja e parimit më elementar të metodologjisë shkencore të historiografisë, e cila kërkon që ngjarjet historike të shihen në kohë dhe në hapësirë. Është pikërisht ky gabim që vihet re në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në bazë të këtij parimi, Maqedonia antike nuk duhet të identifikohet as për nga shtrirja gjeografike, as për nga etnikoni i banorëve me Republikën e Maqedonisë së ditëve tona. Para së gjithash se shtrirja gjeografike e emërtimit Maqedoni, gjatë shekujve nuk ka qenë kurdoherë e njëjtë. Kohë pas kohe, kufijtë e saj territorialë kanë pësuar luhatje. Madje, ka pasur raste kur emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur krejtësisht jashtë kufijve të sotshëm të saj. Kështu për shembull, në shekujt I-II të erës sonë ekzistonin dy provinca romake me të njëjtin emër - Maqedonia e Parë (Macedonia Prima) me qendër Selanikun dhe Maqedonia e Dytë (Macedonia Secunda) me qendër Durrësin. Te vepra e gjeografit Aleksandrin të shekullit II Klaud Ptolemeu (Geographia, Libri 12), Maqedonia e Dytë, pra provinca e Durrësit shtrihej në veri deri në derdhjen e lumit Drin, në Lindje përtej Liqenit të Ohrit deri te qyteti Heraklea i Lynkestëve, kurse në Jug, përtej Vlorës deri në malet Akroceraune të Himarës. Më vonë, Maqedonia e Dytë u quajt provinca e Epirit të Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin dhe përfshinte, sipas njoftimeve që ndeshim në Notitia Dignitatum (III, 13) edhe një pjesë të Maqedonisë historike (Epirus nova et pars Macedonia Salutaris). Për këtë arsye, shpeshherë në burimet historike mesjetare, savante europiane, Arbëria është identifikuar me Maqedoninë (Albania sive Macedonia) dhe shqiptarët e provincës së Durrësit, janë quajtur maqedonë. Përkundrazi, banorët sllavë pasi u vendosën në Maqedoni në fillim u quajtën skllavinë dhe më vonë bullgarë, kurse vendi i tyre në fillim Skllavini dhe më vonë Bullgari. Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt Lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë.
Në pragun e dyndjeve sllave ekzistonin, sipas njoftimeve që përmban vepra e udhëpërshkruesit të shekullit V, Hierocles (Synecdemus, 655, XVI, 7), përsëri dy provinca që mbanin emrin Maqedoni - njëra Macedonia Prima (Maqedonia e Parë), me qendër Selanikun, tjetra Macedonia Secunda (Maqedonia e Dytë) me qendër Stobin.
Me një fjalë, në shekullin VI e.s. kur filluan dyndjet sllave në Ballkan, emërtimet gjeografike-administrative antike, Dardani dhe Maqedoni, vazhdonin të ishin ende në përdorim. Në shekullin VI ato ishin shndërruar në njësi administrative perandorake bizantine me po ato emra - në provincën e Dardanisë dhe në provincën e Maqedonisë së Dytë. Ato ishin përsëri fqinje me njëra-tjetrën. Provinca e Dardanisë vazhdonte të kishte kryeqendër Shkupin. Përkundrazi, provinca e Maqedonisë së Dytë, tani e ngushtuar, kishte për kryeqendër përsëri Stobin. Kufiri i tyre kalonte midis Shkupit dhe Stobit, afër fshatit të sotshëm Kozhle poshtë lart në veri të qytetit Bylazora, sot Velesh, e cila kjo e fundit i takonte Pajonisë. Tjetër pikë kufitare ishte qyteti dardan, Sintia, të cilën Tit Livi e quan shkoqur "urbs dardanorum" (T. Livi XXVI, 253), diku në luginën e lumit Strimon, midis Shkupit dhe Përlepit, nga të cilat kjo e fundit i takonte Maqedonisë. Sikurse shihet, në shekullin VI viset shqiptare të Maqedonisë së sotme nuk bënin pjesë në asnjë nga dy provincat bizantine maqedone.
Përfshirja nga shumë historianë maqedonë e viseve veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, sot të banuara në shumicën dërrmuese nga popullsi shqiptare, - që nga rrethet e Ohrit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, Kumanovës - në kufijtë e Maqedonisë historike, është pra një shkelje e kritereve të historiografisë shkencore. Me këtë hartë gjeografike të shekullit VI, Bjeshkët e Sharrit kanë përbërë për mijëra vjet, si më parë edhe më vonë, deri më 1913, boshtin kurrizor të provincës së Dardanisë apo të Vilajetit të Kosovës dhe jo siç përbëjnë sot kufirin politik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.
Gabimi i dytë ka lidhje me cilësimin që akademikët e Maqedonisë u bëjnë shqiptarëve si banorë të dikurshëm të maleve të Shqipërisë, të cilët më vonë qenkan dyndur "heshturazi" në fushat e Maqedonisë, duke ia ndryshuar karakterin etnik sllav që këto vise kanë pasur më parë. Ky cilësim ka brenda saj një varg pasaktësish, madje absurditetesh.
Para së gjithash, termi që ata përdorin për dyndje të heshtur të shqiptarëve është një abuzim letrar. Historia nuk njeh dyndje të heshtura. Dyndjet kryhen kurdoherë me dhunë. Ato që zhvillohen në mënyrë të heshtur janë emigrime apo shtegtime. Përdorimi i termit dyndje të heshtura.
Provinca e Dardanisë me kryeqendër Shkupin, provinca e Maqedonisë së Dytë (Macedonia Secunda) me kryeqendër Stobin, provinca e Maqedonisë së Parë (Macedonia Prima) me kryeqendër Selanikun në shekujt V-VI të erës sonë. Hartë e fotokopjuar nga botimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë: Izvori za Bëllgarskata Istorija. Fontes Latini, vëll.I, Sofia 1958.
Është përdorur mbasi nuk ka fakte të dokumentuara. Deri sot asnjë historian nuk ka ndeshur në burime historike dokumentare, që të vërtetojnë shtegtime në masë të hapura, ca më pak të "heshtura" banorësh nga malësitë e Shqipërisë nëpër fushat e Maqedonisë. Në të vërtetë, në Maqedoninë historike, fqinjë e Dardanisë, ka disa enklava shqiptarësh në rrethin e Manastirit, të Përlepit apo të Veleshit, të cilat mund të thuhet se janë krijuar nga shtegtime të mëvonshme. Por shqiptarët që përbëjnë shumicën në rrethet veriperëndimore dhe veriore të Republikës së sotme të Maqedonisë, që nga Ohri deri në Kumanovë, kurrsesi nuk mund të quhen enklava, pasi ata përbëjnë shumicën e këtyre krahinave, aq më tepër që këto krahina kanë vazhdimësi territoriale me njëra-tjetrën dhe me viset shqiptare të Shqipërisë së ditëve tona. Përveçse këto krahina nuk kanë bërë pjesë në provincën e Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë, as në periudhën osmane, sikurse do të shohim, banorët e tyre janë pasardhësit e stërgjyshërve të tyre, të cilët kanë banuar për shekuj në viset jugore të Dardanisë dhe në viset lindore të provincës së Durrësit, pra në atdheun e tyre historik. Shqiptarët janë pra, banorë autoktonë, kurse ardhacakë janë banorët sllavo-maqedonë, paraardhësit e të cilëve janë vendosur në Gadishullin Ballkanik në shekullin VII të erës sonë. Me këtë pohim, as që na shkon ndër mend të lëvrojmë te shqiptarët pasione nacionaliste, as t‘ua mohojmë sllavo-maqedonëve atdheun që krijuan pas shekullit VII të erës sonë. Qëllimi ynë është vetëm të respektojmë saktësinë historike dhe t‘u vëmë ledh fyerjeve dhe synimeve politike që fshihen prapa këtyre fyerjeve.
E treta, çështja më serioze e debatit, ka lidhje me identitetin etnik, apo kombëtar, apo kulturor të maqedonëve të sotshëm.
Të gjithë popujt apo kombësitë kanë një identitet pak a shumë të përcaktuar etnik, apo kombëtar, apo kulturor, një identitet të formuar me ngjyrime të ndryshme sipas kohëve, por që në çdo kohë ai i dallon nga kombësitë dhe kombet e tjera. Në komponentët e identitetit bëjnë pjesë, jo vetëm gjuha, doket, zakonet, mentalitetet, në disa raste feja, por edhe prejardhja gjenetike. Me sa dimë ne, të gjitha kombësitë e kanë formuar prej kohësh identitetin e tyre etnik apo kulturor. Të gjithë e dinë se cila është prejardhja e tyre gjenetike. Vetëm maqedonët e sotshëm, siç po del nga pena e tyre, duket se nuk kanë ende një identitet të përcaktuar. Ata janë ende në kërkim të identitetit të tyre kulturor dhe historik. Në përgjithësi pranojnë se i përkasin familjes së madhe etnolinguistike sllave dhe se procesi i formimit të kombësisë tek ata nisi me vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik. Deri në fund të shekullit XIX, madje edhe deri në pragun e Luftës së Dytë Botërore, banorët sllavë të Maqedonisë e mbanin veten në përgjithësi si pjesëtarë të kombësisë bullgare. Që nga fundi i shekullit XIX, lindi tek elitat e tyre politike ideja se ata padrejtësisht kanë qenë përfshirë në kombin bullgar. Në qoftë se ata e veçuan veten e tyre nga kombësia bullgare dhe vunë themelet e kombësisë maqedone, kjo është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të ndërgjegjes së tyre. Sigurisht, që nuk na u duk e arsyeshme kur me themelimin e Republikës së Maqedonisë ata filluan të pretendojnë se ishin pasardhësit e etnisë maqedone të kohës antike dhe se Aleksandri i Maqedonisë ishte figurë e ndritur e historisë antike të maqedonëve sllavë.
Te kjo tezë e re ne shohim një nonsens, për të mos thënë një absurditet. Por, disa akademikë sllavë të Shkupit duket se nuk duan të dinë fare për saktësi historike. Për ta, maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgarëve apo kushërinjtë e serbëve, kur e do puna janë sllavë, kur nuk e do puna nuk janë sllavë. Kur flitet për autoktoni ata nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Filipit të Maqedonisë e të Aleksandrit të Madh. Përkundrazi, kur takohen me vëllezërit e familjes së tyre etnogjuhësore me rusë, bullgarë, serbë, ata shndërrohen në sllavë.
Rreth 30 vjet më parë, erdhi në Tiranë profesori maqedon, Hristo Andonov Poljanski, i cili mbajti në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë një ligjëratë mbi marrëdhëniet shqiptaro-maqedone. Ai e nisi ligjëratën afërsisht me këto fjalë: Marrëdhëniet maqedone-shqiptare kanë rrënjë të lashta në histori. Ato fillojnë, tha ai, që në kohën e Aleksandrit të Madh. I nderuari profesor i Shkupit kujtoi se me këtë lashtësi që ai na atribuoi, ne, shqiptarët e Shqipërisë së sotme duhej të krenoheshim, sepse duke na trajtuar si fqinjë të lashtë nuk ishim ardhacakë, por banorë të viseve tona të paktën që në kohën e Aleksandërit të Madh. Në të vërtetë, gjithë auditori u step kur e dëgjoi këtë profesor të nxirrte nga goja xhevahirin e padëgjuar se maqedonët e sotshëm ishin stërnipër të Lekës së Madh. Ca më tepër, auditori u çudit kur profesor Poljanski tha se Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, nuk ishte shqiptar, por maqedon, sidomos kur shtoi se në ushtrinë që ai udhëhoqi në luftë kundër Perandorisë Osmane bënin pjesë kryesisht luftëtarë maqedonë dhe pak shqiptarë. Ne e përmbajtëm veten, por e pyetëm: Profesor, për cilët maqedonë flisni, sepse për ne historianët, në kohën e Aleksandërit të Madh, juve bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandërit të Madh ju keni ardhur dhjetë shekuj më vonë. Ai u përgjigj afërsisht në këtë mënyrë: Kam respekt, tha, për kulturën tuaj dhe për dijenitë tuaja. Por ju, ende nuk e keni mësuar historinë e vërtetë. Ne, tha ai, maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë, por edhe gjenetikë. Ne kemi të drejtë të krenohemi me Aleksandërin e Madh dhe të përdorim flamurin e tij. Pranojmë, i thamë, se nuk e dimë mirë historinë, prandaj u pyesim të na sqaroni çfarë do të thoshit ju nëse turqit osmanë, të cilët u vendosën në viset e Perandorisë Bizantine dhe patën të njëjtin kryeqytet, Stambollin, do ta quanin veten e tyre pasardhës gjenetikë të bizantinëve dhe shtetin e tyre do ta emërtonin në bazë të kriterit tuaj, jo Perandori Osmane, por Perandori Bizantine? Deri sot nuk kemi marrë ende përgjigje.
Ne kujtuam se profesor Poljanski ishte një pjellë e rrallë e nacionalizmit maqedonomadh, por tani po shohim se paskemi qenë të gabuar. Paskemi qenë të gabuar, sepse më 1991, kur ish-Republika maqedone e Jugosllavisë u bë republikë e pavarur në Ballkan, udhëheqësit e saj adoptuan për flamur kombëtar të tyre flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë. Të adoptosh emrin e lashtë të Maqedonisë si emër kombëtar të republikës së krijuar në shekullin XX dhe të adoptosh për këtë republikë të re flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë, kjo përsëri është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë kundër vullnetit të një kombi. Megjithatë, si qytetarë të një vendi që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe ca më tepër, si historianë që përpiqen të përvetësojnë standardet e metodologjisë moderne të historiografisë, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje se këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rremë, fals të identitetit kombëtar. Ja, në veprën e këtij profesori të mbushur me "madhërinë e vet" (shprehje e Migjenit) është mbështetur zëri shqiptarët e Maqedonisë, që botoi Akademia e Shkupit. Si mund të ndryshohet tri herë identiteti kombëtar brenda një shekulli? Çfarë kombi është ky, pjesëtarët e të cilit janë sllavë dhe si të tillë një shekull më parë quheshin bullgarë, pastaj e shpallën veten maqedonë, por përsëri sllavë, kurse pas vitit 1991 e quajnë veten maqedonë antikë, pra jo sllavë? Na vjen me të vërtetë keq që fqinjët tanë janë ende në kërkim të një identiteti përfundimtar kombëtar, kërkim i cili nuk dimë se ku do t‘i çojë më tej.
Tani le të kthehemi në faktet historike.
Struktura etnike në Maqedoninë e sotme në
shek. VI, në pragun e dyndjeve sllave
Para se sllavët të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik, pra para Mesjetës së hershme, maqedonët e sotshëm, si pjesëtarë të etnive sllave, banonin në stepat e Rusisë. Nuk dimë të ketë historianë që ta kenë ndriçuar parahistorinë e sllavëve, pra historinë kur ata jetonin në atdheun e tyre të hershëm, e cila është ende thellësisht e errët. Në fakt, etnogjeneza e maqedonëve të sotshëm fillon me dyndjet e tyre nga stepat ruse dhe me ngulitjen e tyre në trevat ballkanike. Pra, fillon kur ata u bënë fqinjë me popullatat ilire, të cilat banonin në Gadishullin Ballkanik që nga agimi i historisë e këtej. Megjithatë, procesi i formimit të etnisë maqedone apo i paraardhësve të tyre bullgaro-sllavëve nuk u krye menjëherë pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik. Ai pushton shekujt e Mesjetës së hershme.
Mesjeta e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së kombësive të Gadishullit Ballkanik. Si kudo në kontinentin europian, edhe këtu, gjatë kësaj periudhe ndodhën shndërrime të thella në fushën ekonomike dhe shoqërore, politike dhe kulturore. Shkakun themelor këto shndërrime e patën te kriza që mbërtheu rendin skllavopronar dhe te vala e gjatë e dyndjeve barbare që pësoi Gadishulli Ballkanik në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës së hershme. Në kuadrin e këtyre dy fenomeneve, shoqëria antike skllaviste në këto troje u përmbys. Mbi gërmadhat e saj lindi shoqëria feudale e Mesjetës së hershme. Në të njëjtën kohë, në përfundim të dyndjeve barbare në Gadishullin Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme edhe në hartën etnike të Europës Juglindore. Disa kombësi antike u zhdukën, disa rezistuan. Vendin e kombësive që u zhdukën e zunë popullata të reja që u dyndën nga veriu dhe nga verilindja e gadishullit.
Dihet se Mesjeta e hershme është jo vetëm për trevën shqiptare, por për mbarë Europën Juglindore, një periudhë thellësisht e varfër nga pikëpamja e burimeve dokumentare. Këtë varfëri të burimeve historike e kanë shfrytëzuar historianët e interesuar sllavë për të krijuar përshtypjen fiktive, sikur në Antikitetin e vonë, në fillim të dyndjeve barbare, trojet e Maqedonisë dhe të Dardanisë kishin mbetur pa banorë dhe se ato u mbushën, sipas tyre, me banorë të rinj sllavë, të cilët vërshuan në këto vise në pjesën e parë të shekullit VII. Me një fjalë, sipas tyre, banorët sllavë nuk janë uzurpatorë, por popullata që mbushën toka të zbrazura pa banorë, duke fituar kështu të drejtën e pronësisë mbi këto vise. Por, për të dyja këto çështje me rëndësi kapitale - për asgjësimin e popullatave të mëparshme ilire dhe për vendosjen e popullatave të dyndura sllave - historianët që përkrahin këtë tezë të re nuk kanë sjellë për asnjërën prej tyre argumente historike.
Me këtë rast dua të përsëris atë që kam pohuar në konferencën organizuar në Shkup në dhjetor të vitit 1991, me titull "Shqiptarët e Maqedonisë". Aty kam thënë:
"Nuk është e fshehtë se është mohuar prania e shqiptarëve në viset e tyre të Ballkanit gjatë kësaj periudhe (gjatë Mesjetës së hershme - K.F.). Kjo ka krijuar atë interpretim të shtrembër sikur shqiptarët në trojet e tyre historike nuk janë të zotët e shtëpisë, por të ardhur. Është temë e vështirë sigurisht. Mungojnë materialet dhe burimet e shkruara janë shumë të varfra. Por, burimet mungojnë edhe për ata (maqedonët - K.F.) që pretendojnë se janë të zotët e shtëpisë". (Shqiptarët e Maqedonisë, botim i Meshihati i BI në RM, Shkup 1994, f.634).
Ndërkohë, rezultatet e hulumtimeve të mëvonshme kanë hedhur nga pikëpamja dokumentare mjaft dritë mbi strukturën etnike që kishin viset shqiptare të Maqedonisë së sotme në pragun e dyndjeve sllave. Në trajtesën "Historia e Kosovës, vëll.I, Dardania (Kosova antike), përgatitur nga Kristo Frashëri, botuar nga "Dudaj", Tiranë 2008, janë sjellë me sa e ka lejuar vendi dëshmi që provojnë se treva e gjerë e Dardanisë ka qenë që nga agimi i historisë vazhdimisht e banuar nga popullatat e etnisë ilire. Kjo për të treguar se kur filluan dyndjet e popullatave sllave, Dardania nuk ka qenë një provincë e shkretuar, siç pretendojnë historianët sllavë, por një vend me popullsi të dendur ilire, pa mohuar se krahas tyre ka pasur dhe popullata ilire të romanizuara ose thjesht banorë romakë-latinë. Ato provojnë jo vetëm se kjo pjesë e Dardanisë, e cila është e përfshirë në Republikën e sotme të Maqedonisë ka qenë e ngjeshur me banorë ilirë, por edhe faktin tepër të rëndësishëm se kjo popullsi ilire ka qenë në atë kohë shumë dinamike në jetën ekonomike, shoqërore, politike të Perandorisë Bizantine. Më tej akoma, provinca dardane ka qenë kaq dinamike dhe kaq e populluar me banorë ilirë sa nga gjiri i saj dolën gjatë shekullit VI, tre perandorë të Bizantit me origjinë ilire. Ata qenë: i pari, Justini (518-527) nga Bederiana pranë Shkupit, në Dardani, të cilin kronisti bizantin i kohës së tij, Prokopi i Cezaresë e cilëson në veprën e tij - me prejardhje ilire (Historia quae dicitur Arcana, Lipsiae, B.G. Teubner, 1913, vëll. III, 6,2); I dyti, Justiniani (527-565), i mbiquajtur i Madh, nipi i Justinit, i cili lindi, sipas Prokopit të Cezaresë, në Tauris, fshat pranë Bederianës së Dardanisë, në afërsi të Shkupit, edhe ky ilir; i treti, Justini II (565-578), i cili ishte dardan, pra ilir, posa që ishte nipi i Justinianit të Madh (Menandri, Historici Graeci Minores, edidit Ludovicus Dindofias, fr.25-26).
Fakti që Justiniani ndërtoi dhe rindërtoi në Dardani në mes të shekullit VI më shumë se 158 kala, pra shumë më tepër se në provincat e tjera (në Epirin e Ri 58 kala; në Epirin e Vjetër 36 kala; në provincën maqedone 46 kala), tregon se këtu popullsia vazhdonte të ishte e dendur dhe jo e rralluar, siç pretendojnë jo pak historianë. Edhe dekreti që nënshkroi Justiniani më 18 tetor 532 mbi vështrimin juridik të institutit të familjes drejtuar prefektit të prefekturës së Ilirikut dëshmon për një jetë shoqërore dhe sllaviste tepër aktive te dardanët. Jetën shoqërore aktive të Dardanisë e dëshmon dhe novela XI pjesë e "Codex Justinianus", që Justiniani shpalli në vitin 535, me të cilën ai krijoi në trevën dardane, madje në vendlindjen e tij, pranë Shkupit, një kryepeshkopatë të re nën ombrellën e Romës, pa përfshirë provincën e Maqedonisë, pra një institucion kishtar që nuk do të kishte më lidhje me kryepeshkopatën e Selanikut, e cila mbeti e varur nga Kostandinopoja. Për më tepër, edhe pse nën ombrellën e Romës, institucioni i ri nuk do të ishte mitropoli, siç ishte ajo e Shkupit, por një kryepeshkopatë në një shkallë më të lartë, me statusin e ekzarkatit, e cila nënkuptonte se do të gëzonte një autoqefali kishtare. Vetë ngritja e një ekzarkati nënkupton një popullsi më me peshë se sa kishte një kryepeshkopatë në atë kohë. Fakti që kjo kryepeshkopatë kishte në vartësinë e vet disa peshkopata, është një dëshmi më tepër që provon popullsinë e dendur të krishterë të Dardanisë.
Në kundërshtim me historianët kryesisht sllavë, të cilët mohojnë karakterin etnik ilir të banorëve që popullonin brezin jugor të trevës dardane, me qendër Shkupin, nuk mungojnë historianë jugosllavë, të cilët nuk pajtohen me kolegët e tyre të politizuar. Midis tyre, vlen të përmendet një nga penat më të njohura të historiografisë bashkëkohore jugosllave, Fanulla Papazoglu. Ajo ka shkruar se Dardania ishte "një nga krahinat ballkanike më pak të romanizuara" dhe se "popullsia e saj vendase duket se e kishte ruajtur më mirë se gjetiu individualitetin dhe vetëdijen e saj etnike". Pastaj "nuk duhet pra, përjashtuar mundësia që dardanët, të cilët i shpëtuan romanizimit, të kenë mbijetuar, përfundon ajo, edhe pas migracionit sllav dhe të kenë dalë në Mesjetë me emrin shqiptar". (F. Papazoglu, Les royaumes d‘Illyrie et de Dardanie. Origines et developpement. Structures, hellenisation et romanisation. Në: "Iliri e Albanci", Beograd 1988, f. 19). Po ashtu, gjuhëtari i shquar serb, Henrik Bariç, pranon se shqiptarët banonin në hapësirën e Dardanisë dhe të Peonisë, para se në këto vise të dyndeshin sllavët. Në mungesë të njoftimeve historike, shkruan ai, praninë e shqiptarëve në këto vise në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës e vërtetojnë jo vetëm emrat ilirë të personave që ndeshen në mbishkrimet e varreve, por edhe toponimitë antike të kësaj treve, siç janë Scupi, Naissus, Astibos, Lychnis, shndërrimi i të cilëve në trajtat e mëvonshme Shkup (Scupi), Nish (Naissus), Shtip (Astibos), Ohër (Lychnid), etj., shpjegohet me anën e ligjeve fonetike jo të sllavishtes, por të shqipes (H. Bariç, Hymje në historinë e gjuhës shqipe. Prishtinë 1955, f. 49-50).
Nga sa u tha deri këtu dalin dy konkluzione, të cilat akademikët e Maqedonisë duhet t‘i kenë parasysh: e para, se në pragun e dyndjes së barbarëve në Gadishullin Ballkanik provinca e Dardanisë nuk ishte rralluar për nga popullsia, por kishte banorë ilirë aktivë dhe, e dyta, se këto vise ilire ku dhe sot e kësaj dite banojnë shqiptarë në shumicë, të cilët në shekullin VI vazhdonin ta kishin fytyrën të kthyer nga Roma, nuk kishin asnjë lidhje me provincën maqedone, e cila kishtarisht mbeti e lidhur me Kostandinopojën. Mohimi i këtyre konkluzioneve është një spekulim pa shije.
Të dy këto konkluzione na bindin se, teza e përhapur në historiografinë ballkanistike se në fund të Antikitetit, pra para ngulimeve sllave në Ballkan viset e sotme të Maqedonisë ishin pa banorë, mbështetet në pohime aprioristike pa dëshmi dokumentare. Kundërshtarët e këtyre dy konkluzioneve citojnë jo burimet dokumentare të Antikitetit të vonë, por njëri-tjetrin ose shumë-shumë toponimet sllave që ndeshen në viset shqiptare të Maqedonisë. Toponimet sllave, të cilat sot janë tepër të përhapura jo vetëm në viset shqiptare të Maqedonisë, por edhe në mbarë Gadishullin Ballkanik, nuk ndeshen në shekujt e hershëm mesjetarë. Ato dalin në fushën e burimeve dokumentare më vonë, duke filluar nga shekulli XI e këtej. Nuk është pa vend të përmendim këtu njoftimin që na jep kronisti bizantin me origjinë ilire, Marcelin Komesi, sekretari i perandorit Justinian, me origjinë dardane në veprën e vet "Chronicon". Shkupin ai nuk e vendos në asnjë nga të dyja Maqedonitë, por në provincën e Dardanisë (Marcellinus Comes, Chronicon, ad An. 518). Po ashtu, edhe Hierokli e quan Shkupin "Skupimetropolis", domethënë kryeqendrën e Dardanisë (Synecdemos 655, XVI, 8).
Si përfundim, nuk është e drejtë orvatja e disa historianëve, të cilët kur ngjarje që kanë ndodhur në brezin jugor të Dardanisë antike i përfshijnë si ngjarje që i takojnë Maqedonisë antike dhe mesjetare.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.