Nga Cafo Boga
Nga viti 1162, perandori biznantin Manuel kishte arritur të vinte nën zotërimin e tij Dukljën, Raskën dhe Bosnjen si dhe ua kishte ndarë këtë territor për ta qeverisur katër vëllezërve: Tihomir, Stracimir, Miroslav dhe Stefan Nemanja. Ndonëse Manuel nuk nisej nga ndonjë dashamirësi karshi serbëve, ai në fakt ndihmoi në krijimin e mbretërisë së parë serbe, duke bashkuar serbët ortodoksë dhe shqiptarët e asimiluar kundër hungarezëve, të cilët në 1153 kishin tashmë nën kontroll hapësirat e Kroacisë dhe Dalmacisë.
Megjithëse, në krahasim me vëllezërit e tij, Stefan Nemanja mori sipërfaqen më të vogël të tokës, rreth Toplicës në Serbinë jugore, ai u bë shumë popullor dhe doli fitimtar nga konkurrenca ndërfamiljare. Ai rivendosi kontrollin mbi territoret fqinje, duke përfshirë edhe Zetën (Doclea) dhe i bashkoi ato në atë që do të bëhej më vonë Mbretëria Serbe.
Ndikimi sllav mbi fiset shqiptare
Sipas biografisë të shkruar nga djali i tij, Nemanja u lind në 1122 në Zeta dhe u pagëzua si katolik, por ai do të ripagëzohej më vonë nga një prift ortodoks lindor. Me ndihmën e ushtrisë bizantine, Nemanja pushtoi Kosovën, Maqedoninë Veriore dhe Luginën Morava. Ai vazhdoi duke dëbuar Mbretin Radoslav nga Zeta dhe duke aneksuar Tërbinjën, Zahumlen dhe Neretvën, të cilat ia la në dorë djalit të tij Vukanit. Për 200 vitet që vijuan, Zeta ekzistoi kryesisht si pjesë e mbretërisë të krijuar nga Dinastia Nemanjiç – ndonëse autonome dhe nganjëherë praktikisht e pavarur. Udhëheqësi më i shquar i Dinastisë Nemanjiç ishte Dushan Nemanjiç, i cili zgjeroi zotërimet duke përfshirë tokat e Maqedonisë së sotme dhe pjesë të mëdha të Shqipërisë dhe Greqisë. E deklaroi veten car të Perandorisë së Serbëve, Romakëve, Bullgarëve dhe Shqiptarëve – një titull i ekzagjeruar duke pasur parasysh pushtetin e tij të vërtetë. Shumica e Greqisë mbetej nën kontrollin bizantin dhe Shqipëria jugore ishte nën Mbretin e Napolit Sharl D’Anzhu nga 1269 në 1368. Kontrolli i Nemanjiçit mbi veriun e Shqipërisë ishte disi sipërfaqësor krahasuar me pushtetin që ushtronin familjet e fuqishme si Muzakët, Topiajt dhe Balshajt. Car Dushani vdiq në 1355, përpara se të realizoheshin planet e tij për të pushtuar çfarë kishte mbetur nga Perandoria Biznatine dhe për ta shpallur veten perandor.
Gjatë kësaj periudhe ndikimi të tepruar sllav, shumë fise shqiptare përvetësuan gjuhën dhe fenë serbe por ruajtën traditat dhe mënyrat e tyre të jetesës. Për shembull fiset e Bërdas konsideroheshin si një njësi më vete nga Mali i Zi i Cetnjës, deri vonë në shekullin e 19. Për të kuptuar se pse ndodhte kjo, duhet të shkojmë pas në vitin 395 kur Diokletiani e ndau në dysh Perandorinë Romake, gjë që solli ndarjen në dysh edhe të tokave ilire, të cilat mbetën përgjatë kufirit mes dy forcave të fuqishme: Perandorisë Ortodokse Bizantine në lindje dhe Perandoria Romake Katolike në perëndim. Krishtërimi mbërriti në tokat ilire gjatë shekullit të parë të erës sonë, kur edhe Shën Pali shkroi se kishte predikuar në provincën romake të Ilirisë (Illyricum). Pas ndarjes së perandorisë, tokat shqiptare që mbetën nën pushtetin perëndimor romak vazhduan të praktikojnë fenë katolike dhe ruajtën gjuhën shqiptare (me përjashtim të ilirëve të romakëzuar, të cilët filluan të përdorin gjuhën sllave). Pjesët e tjera që mbetën në Perandorinë Bizantine (ndonëse kufiri lëvizi para mbrapa disa herë) morën fenë ortodokse lindore dhe gjuhën sllave përshkak të ndikimit të vazhdueshëm sllav për më shumë se gjashtë shekujsh. Shqiptarët në Shqipërinë e sotme jugore dhe në Greqinë veriore përqafuan fenë ortodokse lindore por ruajtën gjuhën shqipe. Asimilimi më i madh ndodhi me ilirët e romakëzuar, përgjatë bregdetit adriatik dhe Malit të Zi të sotëm.
Pas vdekjes së Dushanit dhe dobësimit të dinastisë Nemanjiç, princët e prijësit lokalë të Duklës, e cila tashmë njihej si Zeta ose si Zenta nga bizantinët, filluan të merrnin situatën në duart e tyre.. Udhëheqësit më të shquar ndërmjet tyre përbëjnë Dinastinë e Balshajve (“Balsiç për sllavët), e cila jetoi nga 1356 deri në 1457. Fisi i Balshajve fliste shqip në shtëpi por përdorte sllavishten gjatë qeverisjes sepse kishin qenë për një kohë shumë të gjatë vasalë të dinastisë serbe. Dinastia e Balshajve u zëvendësua nga një tjetër prijës me origjinë shqiptare që i hapi rrugën fuqizimit të Dinastisë Cërnojeviç. Ajo filloi me dy vëllezërit Gjergj dhe Llesh Gjurashaj (“Gjuragj” dhe “Ljes Gjurasevic/Cernojivic” në sllavisht), nga fisi shqiptar i Trieshit. Një rol shumë më të madh në çimentimin e pushtetit të kësaj familje në Zeta luajtën Stefan Cërnojeviç (1426–1465) dhe djali i tij që qeverisi në vitet 1465-1490. Stefani ishte djali i tretë i Gjergjit, Dukës së Zetës dhe i vajzës së fisnikut shqiptar Kojë Zakaria. Stefani u martua me Marën, vajzën e madhe të princit shqiptar Gjon Kastriotit dhe motrën e Skënderbeut. Ivani u martua me Goislavën, motrën e princit shqiptar Gjergj Arianit Komneni i dinastisë së shquar të Komnenëve (Comnenus) dhe pas kësaj u bë krushk me despotin serb Stefan Brankovic gruaja e të cilit ishte gjithashtu nga kjo familje shqiptare.
Gjatë qeverisjes së Cernojeviçëve, ushtritë e fuqishme otomane thyen me lehtësi të gjithë shtetet fqinje të Serbisë, Bosnjes dhe Hercegovinës. Në atë kohë, Perandoria Otomane kishte pushtuar shumicën e tokave shqiptare. Për të mos lejuar një fat të ngjashëm, Ivan Cërnojeviç e zhvendosi kryeqytetin e tij nga Zhablak (“Zhabljak” në sllavisht) mbi Liqenin e Shkodrës, në Zeta në Cetinën malore (“Cetinja” në sllavisht), një zonë për të cilën turqit nuk kishin ndonjë interes për ta pushtuar për shkak se nuk kishte burime natyrore. Djali i Ivanit Gjergj Cërnojeviç, i cili qeverisi në vitet 1490–96 ishte edhe sundimtari i fundit i dinastisë së kësaj familjeje. Me të mbaron edhe historia e Zëtës dhe fillon historia e Malit të Zi.
Gjatë shekullit të 17, Venediku luajti një rol mbizotërues në jetën politike malazeze
Tokat e Zetës u pushtuan më së fundi nga otomanët, por Mali i Zi i sapokrijuar mbeti në shumicën e kohës në formën e rajonit të pavarur të njohur si “nahije”. Gjatë shekullit të 17, Venediku luajti një rol mbizotërues në jetën politike malazeze. Nga 1516 deri në 1697, sundimtarët e Malit të Zi ishin Princër-Peshkopë (“Valladikët). Ndonëse nën sulme të përhershme të forcave turke, Mali i Zi ia doli mbanë të mbrohej derisa Suleiman Pasha më në fund e pushtoi Cetinjën në 1692. Në 1697 Peshkopi Danilo, i pari vladikë i Dinastisë Petroviç, u ngjit në pushtet dhe mbretëroi deri në 1735.
Duhet thënë se me ardhjen e Danilos në pushtet shënohet fillimi i historisë së Malit të Zi të kohës së sotme dhe fundi i zotërimit turk mbi të. Hapi i tij i parë në rigjallërimin e vendit që kishte vuajtur prej kohësh rrethimin turk dhe së fundi edhe shkatërrimin e Suleiman Pashës, ishte rindërtimi i kishës dhe manastirit në Cetinjë. Ai gjithashtu besonte se rreziku i vërtetë Malit të Zi nuk i vinte prej turqve por nga familjet që ishin konvertuar në fenë myslimane. Në mbrëmjen e Krishtlindjes 1702, Danilo dhe figurat kryesore të vendit u bënë thirrje të gjithë të konvertuarve që të ktheheshin në fenë e të parëve duke u dhënë një ultimatum: kthehuni në krishtërimin ortodoks ose vdisni. Ajo që vijoi gati i përngjante një masakre.
Nuk ka komente:
Posto një koment
Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.